Shkencëtarët tërheqin vëmendjen mbi ndikimin e kimikateve të pranishme në produktet që përdorim çdo ditë, nga kozmetika dhe ushqimet deri te enët plastike dhe pajisjet e kuzhinës.
Trupi ynë, i përshkruar shpesh si një “sfungjer” biologjik, thith gjithçka, duke përfshirë edhe substanca potencialisht të dëmshme. Hulumtimet kanë zbuluar praninë e kimikateve në qumështin e gjirit, urinën dhe ujërat e pijshëm, përfshirë prishës endokrinësh që ndërhyjnë në hormonet natyrore.
Në listën e kimikateve shqetësuese janë: ftalatet, të cilat gjenden në aroma, plastikë dhe kozmetikë; parabenët, konservues që mund të çojnë në çrregullime hormonale dhe probleme riprodhuese; oksibenzoni në kremrat kundër diellit; ngjyrues artificialë dhe ëmbëlsues artificialë në ushqime, si dhe yndyrnat trans dhe nitritet në produktet e përpunuara. Përveç këtyre, BPA, PFA-të dhe disa kimikate pastrimi si triklosani grumbullohen në trup dhe lidhen me sëmundje kronike dhe probleme hormonale.
Ekspertët rekomandojnë shmangien e produkteve me aromë të fshehur, përbërës me emër të paqartë dhe plastikë të dyshimtë. Alternative të sigurta janë produktet pa parabene, kremrat minerale kundër diellit, enët prej qelqi, çeliku inox ose qeramika, si dhe ushqimet e plota dhe të papërpunuara.
Hulumtimet nënvizojnë se nuk ka një zgjidhje të vetme; ndryshimi i zakoneve dhe zgjedhjeve të përditshme është çelësi për të reduktuar ekspozimin ndaj këtyre substancave. Aplikacionet që analizojnë përbërësit mund të ndihmojnë, por qëndrimi i përgjithshëm ndaj një stili jetese më të shëndetshëm mbetet më efektiv.
Në praktikë: kontrolloni etiketat, shmangni “aromën” pa specifikime, përdorni produktet pa BPA dhe PFA, preferoni ushqime të papërpunuara dhe produktet kozmetike pa kimikate të dyshimta.






