Tag: pentagram

  • “Kohë në pentagram”, mbrëmja gala në nder të regjisorit Nikolin Gurakuqi për 70-vjetorin e lindjes

    “Kohë në pentagram”, mbrëmja gala në nder të regjisorit Nikolin Gurakuqi për 70-vjetorin e lindjes

    “Kohë në Pentagram” është shfaqja që fton publikun këtë të shtunë në një mbrëmje gala në nder të regjisorit Nikolin Gurakuqi në 70-vjetorin e lindjes.

    Mjeshtri i Madh rikthehet në Teatrin e Operas dhe Baletit, aty ku është lidhur shpirtërisht që në fëmijëri kur këtë skenë ia prezantoi i ati, regjisori Luigj Gurakuqi dhe ku më pas ndoqi të njëjtin rrugëtim artistik.
    Teatri i Operas është esenca e jetës për Nikolin Gurakuqin, që me modestinë që e karakterizon, e cilëson këtë mbrëmje një festë mes kolegëve dhe artdashësve.
    “Kjo është një festë e institucionit, këtu festohen sukseset e institucionit, edhe kolegëve i kam thënë ‘mblidhuni për të festuar si teatër, këtë herë sebepi jam unë, nesër do të jetë dikush tjetër”, është shprehur regjisori Nikolin Gurakuqi.
    Gurakuqi i dha jetë mbi 80 produksioneve operistike, duke sjellë në skenën shqiptare vizion bashkëkohor dhe ndjeshmëri të thellë dramatike.
    “Nikolini nuk është vetëm një regjisor, por është një personazh. Duke qenë vetë këngëtar, ai ka ndërtuar personazhet, i ka prekur personazhet, si nëpërmjet kantos, po ashtu edhe nëpërmjet anës regjisoriale të tij, duke skalitur çdo tip, çdo karakter”, tha dirigjenti Dritan Lumshi.
    Vepra të mëdha si “Tosca”, “Carmen”, “Aida”, “Otello”, “Një ballo me maska”, “Goca e Kaçanikut” mbajnë firmën e tij regjisoriale, por cila është e preferuara e tij?
    “Kur janë shumë vepra, e ke të vështirë të zgjedhësh, por do të veçoja operën ‘Aida’ dhe ‘Turandot’ dhe një tjetër vepër me një personazh, që është opera ‘Zëri njerëzor’, që e kam vënë në skenë me Edit Mihalin”, tha Gurakuqi.
    Pas 5 dekadave krijimtari, nuk ka ndër mend të ndalet, dhe zbulon dëshirën për të sjellë një tjetër vepër, që e lë surprizë për publikun.
    “Ia kam vënë syrin, por mbetet për t’u parë”.
    Nën drejtimin muzikor të maestro Edmond Doko dhe Dritan Lumshi, publiku do të udhëtojë përmes kryeveprave të repertorit botëror si Verdi, Puccini, Bizet e Rossini.
     
     

    Top Channel

  • “Gjelat në Pentagram” – Fondacioni Rame Lahaj sjell muzikën klasike në 10 qytete të Kosovës

    “Gjelat në Pentagram” – Fondacioni Rame Lahaj sjell muzikën klasike në 10 qytete të Kosovës

    Fondacioni Rame Lahaj sjell projektin më të ri “Gjelat në Pentagram”, një udhëtim muzikor që do të zhvillohet nga data 2 deri më 11 shtator në 10 lokacione të ndryshme të Kosovës. Qëllimi i këtij projekti është t’i afrojë fëmijët dhe të rinjtë me muzikën klasike dhe operistike, veçanërisht në komunitete rurale dhe më pak të privilegjuara, që kanë përjetuar pasojat e luftës.

    Gjatë këtij turneu, tre muzikantë profesionistë nga Gjermania do të mbajnë koncerte interaktive, duke sjellë përvoja të veçanta për publikun e vogël dhe duke ndërtuar një lidhje të re me artin dhe kulturën.

    “Me ‘Gjelat në Pentagram’, ne besojmë se po mbjellim farat e një audience të re që nesër do të rritet me dashurinë për artin, kulturën dhe vlerat artistike,” thuhet në njoftimin e Fondacionit.

    Turneu do të ndalet në këto qytete:

    Vrellë – 2 shtator

    Drenas – 3 shtator

    Vushtrri – 4 shtator

    Dragash – 5 shtator

    Deçan – 6 shtator

    Viti – 7 shtator

    Ferizaj – 8 shtator

    Fushë Kosovë – 9 shtator

    Prishtinë – 10 dhe 11 shtator

    Kjo iniciativë është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Fondacionit Rame Lahaj për të ndërtuar një skenë të qëndrueshme artistike në vend dhe për të krijuar hapësira të reja për edukim dhe zhvillim artistik për brezat e rinj.

    Publiku ftohet të ndjekë rrjetet sociale të Fondacionit për më shumë informacione rreth lokacioneve dhe orareve të koncerteve./KultPlus.com