5 në 7 pensionistë jetojnë nën minimumin jetik, ku çalon skema, si po ndikon indeksimi, çfarë duhet të bëjmë sot për një pleqëri më të sigurt dhe dinjitoze nesër, ekspertja e ekonomisë shpjegon gjithçka hap pas hapi
Pesë nga shtatë pensionistë në Shqipëri jetojnë nën minimumin jetik. Ky është vetëm një nga treguesit shqetësues që ngre pyetje të mëdha për të ardhmen e skemës sonë të pensioneve. Si ndikojnë pensionet e ulëta, indeksi vjetor, informaliteti dhe rënia e raportit kontribues-përfitues në këtë krizë të heshtur? Dhe mbi të gjitha: çfarë mund të bëjmë sot që pleqëria jonë nesër të mos jetë një betejë për mbijetesë, por një periudhë dinjiteti? Ekonomistja e njohur e ekonomisë, Teuta Nunaj Kortoçi analizon hap pas hapi shifrat, sfidat dhe zgjidhjet në episodin e saj më të fundit në kanalin e saj zyrtar në YouTube.
-Pyetësi (Teuta): Të nderuar miq, mirë se erdhët në episodin e 15-të të “Takim me Teutën”. Sot do të përpiqemi t’i përgjigjemi një pyetjeje që të gjithë herët apo vonë e bëjmë: A mjafton pensioni në Shqipëri për të bërë një jetesë dinjitoze kur të mos punojmë më? Dhe nëse jo, çfarë mund të bëjmë për të siguruar një të ardhme më të mirë dhe më të qëndrueshme?
Përgjigjja (Teuta): Unë gjithmonë në analizat e mia kam bërë dallimin dhe kam vendosur theksin tek dinjiteti, pasi nuk është një vlerë pensioni i cili mundëson apo jo thjesht të jetuarit, por mundëson apo jo të jetuarit me dinjitet. Çdo e ardhur që merret nga individë që kanë punuar një jetë të tërë dhe kanë sakrifikuar, duhet t’i ofrojë dhe t’i mundësojë një jetesë dinjitoze, dhe jo thjesht të jetuarit. Për të kuptuar gjendjen reale të skemës së pensionit në Shqipëri, kam nxjerrë disa të dhëna nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Për shembull, në vitin 2023, pensioni mesatar urban ishte 18,341 ALL, ndërsa pensioni mesatar rural ishte shumë herë më i vogël, 11,051 ALL.
Siç e shohim, vlerat janë shumë të vogla dhe kanë një diferencë të ndjeshme mes tyre. Në Shqipëri, ne nuk kemi një minimum jetik zyrtar të përcaktuar, por kemi përllogaritje nga Banka Botërore, Avokati i Popullit, institucione publike, individë dhe organizata, të cilat përcaktojnë një mesatare prej 20,000 ALL (të reja) si një minimum jetik për të bërë një jetë dinjitoze. Në rastin e pensionistëve, pensioni mesatar nuk e mundëson këtë as për zonat rurale, as për ato urbane. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, për fundin e vitit 2024, kemi 724,933 pensionistë, nga të cilët 511,173 (pesë në shtatë pensionistë) marrin një pension nën vlerën e 20,000 ALL në muaj, që do të thotë nën minimumin jetik.
-Pyetësi (Teuta): Ndaj, cilat janë sfidat në të cilat ndodhet skema e pensioneve në Shqipëri?
Përgjigjja (Teuta): Sfida e parë është pikërisht pensionet e ulëta. Këto nivele kaq të ulëta nuk janë një problem i sotëm, por janë pensione të ulëta në 30 vite që funksionon skema e pensioneve. Asnjëra nga qeveritë e kohës nuk e ka marrë seriozisht çështjen e pensioneve për të bërë një rritje të ndjeshme që të përballojnë koston e jetesës. Nga viti 2010, qeveria shqiptare ka vazhduar me një rritje dhe indeksim të përvitshëm, duke filluar nga 4% dhe duke vijuar deri në 8.6% dy vite më parë, por kjo sërish nuk ka mundësuar një vlerë pensioni që t’u ofrojë dinjitet përfituesve. Të dhënat na ndihmojnë të kuptojmë edhe më tepër.
Shkalla e zëvendësimit mesatar të pensionit me pagën bruto për vitin 2023 ishte 49.4%. Kjo do të thotë, nëse marrim për bazë një pagë minimale prej 40,000 ALL, pensioni do të ishte 19,760 ALL. Një tjetër tipar shumë i dukshëm në skemën e pensioneve, i cili nuk është vetëm shqiptar, por ndjehet globalisht, lidhet me jetëgjatësinë gjithmonë në rritje. Kjo do të thotë rritet numri i viteve të gëzimit të pensionit. Sipas të dhënave të vitit 2023, koha mesatare e gëzimit të pensionit për burrat është 19.4 vjet, ndërsa për gratë 27 vjet. Gratë dalin në pension më shpejt (61 vjeç e 10 muaj në 2025-ën, ndërsa burrat në 65 vjeç) dhe gëzojnë pensionin mesatarisht 7.6 vjet më gjatë.
-Pyetësi (Teuta): Cilat janë sfidat ose problematikat më të mëdha që ka skema e pensioneve sot në Shqipëri?
Përgjigjja (Teuta): Këto problematika lidhen me numrin gjithmonë e më të lartë të pensionistëve që dalin, por nga ana tjetër kemi një numër të vogël hyrjesh, ose ndryshe kontribuesish të rinj. Raporti i kontribuesve rritet, por rritja e tyre është shumë e kufizuar. Për vitin 2023, për një pensionist kemi vetëm 1.17 kontribues. Ky numër i kufizuar kontribuesish sjell një kontribut direkt edhe më të ulët. Nga ana tjetër, informaliteti i lartë çon në derdhje kontributesh edhe më të ulëta, dhe kjo e bën të gjithë skemën të jetë e ndërvarur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit.
-Pyetësi (Teuta): Po mirë, pse buxheti i shtetit nuk subvencionon në rritjen e pensioneve por vetëm në indeksimin e tyre?
Përgjigjja (Teuta): Në analizën time, gjykoj që buxheti i shtetit do të duhet ta financojë skemën e pensioneve përmes rritjes së pensioneve dhe jo vetëm përmes indeksimit. Kjo pasi ky indeksim është i pamjaftueshëm për të ndihmuar qytetarët të bëjnë një jetë më dinjitoze.
-Pyetësi (Teuta): Atëherë, përpara këtyre vështirësive që na ofron pensioni i kufizuar i pleqërisë, si duhet të veprojmë për të ardhmen tonë? Pra, si mund të ndihmojmë veten sot në mënyrë që të sigurojmë një të ardhme më të mirë dhe më të qëndrueshme nesër? Cilat janë alternativat që na ndihmojnë pikërisht për këtë ardhme të qëndrueshme?
Përgjigjja (Teuta): Alternativat mund t’i ndajmë në dy grupe:
Për ata individë me të ardhura të mesme dhe të larta: Për të ruajtur nivelin e tyre të jetesës, ata duhet të ndërmarrin vendime të rëndësishme sot. Këto mund të jenë kursimet personale, investimet, skemat e pensioneve private, llogaritë e pensionit në banka, sigurimet për jetesën, pronat, fondet e investimeve, etj.. Këto janë mundësi që mund t’i kenë një numër i kufizuar njerëzish.
Për individët me të ardhura të kufizuara (me pagë minimale ose nën mesataren kombëtare): Për ta, të bësh investime apo të kesh një pension të dytë/privat është thuajse e pamundur, pasi ata kanë vështirësi të përballojnë jetesën sot, jo më të kursejnë për nesër. Në të tilla raste, këshilla ime e vetme është: Sigurohuni që të paguani kontributet për sigurimet shoqërore. Bisedoni me punëdhënësit tuaj nëse nuk e realizojnë të plotë, në mënyrë që ju të derdhni të plotë, në bazë të pagës reale, të gjithë vlerën e kontributeve të sigurimeve shoqërore. Kjo do t’ju garantojë një pension të plotë shtetëror dhe një jetesë më dinjitoze në periudhën e pensionit, ku mundësitë për të siguruar të ardhura shtesë do të jenë të kufizuara dhe nevojat për shpenzime (sidomos shëndetësore) do të rriten.
-Pyetësi (Teuta): Pyetja e parë që më bëhet shpesh, kryesisht nga studentët dhe të rinjtë, është: Kur duhet të fillojmë të mendojmë për pensionin?
Përgjigjja (Teuta): Për këtë grupmoshë, të mendosh për pensionin duket një kohë jashtëzakonisht e gjatë, ndonjëherë edhe e vështirë për t’u arritur. Por, kur flasim për periudhën e pensionit, duhet të shohim prindërit dhe gjyshërit tanë, sepse aty duhet të kuptojmë sa e vështirë është të sigurosh një të ardhur shtesë përtej vlerës së pensionit, në mënyrë që të kemi mjete dinjitoze dhe të ruajmë të njëjtin standard jetese kur nuk punojmë më. Ndaj, këshilla ime ka qenë dhe vijon të mbetet: Mendoni për pensionin që nga dita e parë e punës tuaj! Mendoni për pensionin që nga dita e parë që siguroni të ardhura apo përfitoni një shpërblim për punën tuaj!
Kjo do t’ju garantojë një të ardhur më të mirë, më të qëndrueshme dhe një jetesë më dinjitoze. Mos e shikoni pensionin si diçka që i përket të ardhmes dhe për të cilën kemi kohë të mendojmë, pasi bota po bëhet gjithmonë e më dinamike. Tregjet po ndryshojnë, ekonomitë rriten e tkurren, dhe pasiguria është gjithmonë e më prezente. Ne duhet të mendojmë sot për të ardhmen tonë nesër, duhet të marrim sot vendime për të ndihmuar veten nesër, pasi nesër ndoshta mund të jetë vonë. Kjo duke marrë parasysh që në momentin që individët dalin në pension, mundësitë e tyre fizike dhe mundësitë që ofron tregu për punësime në moshën 65 vjeç e më tepër zvogëlohen, dhe mosha e daljes në pension po rritet në mënyrë të vazhdueshme kudo në botë si pasojë e jetëgjatësisë më të madhe. Ndaj, ju këshilloj të mendoni për pensionin dhe të mos e lini si një vendimmarrje të mëvonshme.
-Pyetësi (Teuta): Pyetja e dytë që do të trajtojmë sot lidhet me: Si e përballojnë jetesën pensionistët sot? A jetojnë ata me dinjitet?
Përgjigjja (Teuta): Siç analizuam, kemi një pagë pensioni mesatare e cila është nën nivelin e klasifikuar si minimum etik. Realisht, pensionistët janë një nga grupet më të margjinalizuara dhe me të ardhurat më të kufizuara, gjë që prek drejtpërdrejt jetesën dhe dinjitetin e tyre. Një fakt i madh është se shumë anëtarë të familjeve, qoftë emigrantë apo ata që jetojnë në Shqipëri me të ardhura mbi mesataren, janë një mbështetje shumë e madhe dhe e vazhdueshme për këtë grupim. Këta individë nuk ia dalin dot vetëm me të ardhurat që marrin, dhe kur nuk kanë mundësi tjetër, zvogëlojnë konsumin e tyre në minimum për të përballuar jetesën. Ndaj, është e nevojshme një ndihmë shumë e menjëhershme dhe e vazhdueshme për këtë grupim, në mënyrë që të rriten pensionet e tyre dhe t’u mundësohet një jetesë më dinjitoze.
-Pyetësi (Teuta): Dhe pyetja e tretë që do të trajtojmë është: A mendoni se kursimi sot është një garanci për të ardhmen nesër?
Përgjigjja (Teuta): Krizat e fundit, duke filluar nga pandemia e deri te lufta Rusi-Ukrainë, na ndihmuan të kuptojmë dinamikën e vazhdueshme dhe ndryshueshmërinë e ekonomisë globale, shqiptare dhe familjare. Ato na bënë të kuptojmë që kostot e jetesës po rriten gjithmonë e më tepër, ndërsa ka gjithmonë e më shumë vështirësi për të ruajtur në mënyrë të qëndrueshme të ardhurat përmes punës. Kjo na bën të kuptojmë se duhet të mendojmë edhe për nesër, sa nuk është vonë. Ndaj, nëse ne kursejmë sot dhe marrim masa sot përmes investimeve, përmes pagimit të plotë të kontributeve të sigurimeve shoqërore, ndihmojmë veten tonë nesër për t’i garantuar një jetesë më të mirë dhe më të qëndrueshme. Unë do të vazhdoj t’ju rekomandoj: Paguani në mënyrë të plotë kontributet tuaja të sigurimeve shoqërore! Mendoni sot për pensionin nesër, pasi çdo vendimmarrje që marrim sot do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në të ardhmen tonë nesër. Shpresoj shumë që përmes këshillave të mia t’ju kem ndihmuar dhe orientuar në vendimmarrjet tuaja sot dhe nesër.








