Tag: pensioni

  • Nga 580 në 3,200 euro: ja ku ia vlen të jesh pensionist në Evropë

    Nga 580 në 3,200 euro: ja ku ia vlen të jesh pensionist në Evropë

    Ndërsa shuma e pensioneve statutore është debatuar në Gjermani për vite me radhë, një krahasim me fqinjët e saj evropianë zbulon se sa shumë mund të ndryshojnë shumat – dhe sa siguri sjell në të vërtetë një jetë e gjatë pune.
    Pensioni standard në Gjermani për një person me 45 vjet shërbim në vitin 2025 arrin në 1,835.55 euro bruto. Pas zbritjeve për shëndetin dhe sigurimin afatgjatë (rreth 215 euro), pensionistit i mbeten afërsisht 1,621 euro neto, para taksave. Megjithatë, realiteti i shumicës së qytetarëve është larg këtij numri.
    Sipas të dhënave nga Sigurimi Gjerman i Pensioneve (DRV), pensioni mesatar i pleqërisë në vitin 2023 ishte 1,348 euro për burrat dhe vetëm 908 euro për gratë. Kjo e vendos Gjermaninë në rangun e mesëm të ulët në krahasim ndërkombëtar.
    Sa janë pensionet në vendet fqinje?
    Luksemburgu – 3,200 euro në muaj
    Zvicra – rreth 2,560 euro
    Austria – 1,645 euro (të dhëna për vitin 2022)
    Danimarka – 1,530 euro
    Franca – rreth 1,500 euro
    Holanda – midis 1,400 euro dhe 1,600 euro
    Belgjika – nga 1,250 euro në 1,350 euro
    Republika Çeke – rreth 833 euro
    Polonia – rreth 580 euro
    Kush fiton më shumë dhe si ndikon kjo në pensione?
    Të ardhurat gjatë jetës së punës ndikojnë drejtpërdrejt në shumën e pensionit. Në vendet fqinje, të ardhurat mesatare vjetore duken kështu:
    Zvicër – rreth 83,000 euro
    Danimarkë – rreth 53,000 euro
    Gjermani – rreth 50,000 euro
    Belgjikë – 46,000–48,000 euro
    Francë – rreth 45,000 euro
    Austri – 44,000–48,000 euro
    Republika Çeke – 17,000–21,000 euro
    Poloni – 15,000–18,000 euro
    Është interesante se Luksemburgu regjistron raportin më të lartë midis të ardhurave mesatare dhe pensionit – deri në 90.4%, ndërsa në Gjermani raporti është vetëm 48%, sipas të dhënave nga platforma Growney.
    Pse austriakët kanë pensione më të larta?
    Modeli austriak i sigurimit të pensioneve ofron dukshëm më shumë se ai gjerman – pensioni mesatar statutor në Austri është rreth 1,645 euro, që është afërsisht 500 euro më shumë se në Gjermani.
    Ky ndryshim shpjegohet me kontribute më të larta (22.8%), por edhe me një rreth më të gjerë taksapaguesish – në Austri, të vetëpunësuarit kontribuojnë gjithashtu në fondin e pensioneve, dhe numri i nëpunësve civilë që kanë një regjim të veçantë pensionesh është dukshëm më i vogël. Ky sistem lejon një shpërndarje më të qëndrueshme dhe një pension mesatar më të lartë, vërejnë mediat gjermane. /tesheshi.com/

  • Brenda korrikut ndryshon koefiçenti për pensionet,  ja kush janë kategoritë që do të marrin 1800-2500  lekë plus…

    Brenda korrikut ndryshon koefiçenti për pensionet, ja kush janë kategoritë që do të marrin 1800-2500 lekë plus…

    Në muajin Korrik është bërë praktikë që pub likohen koefiçientët e rinj për ata që dalin në pension rishtazi. Edhe në këtë Korrik të këtij viti jemi në pritje, nuk janë publikuar ende. Si ndryshon pensioni për ata që dalin rishtazi në pension kur miratohetdhe çfarë ndryshon kjo për të gjithë ata persona që kanë dalë në pension po gjatë këtij viti? Për këto informacione ka folur eksperti Kujtim Hoxha. “Kjo është pyetje shumë e rëndësishme për të gjithë ata që dalin për herë të parë në pension: Koefiçentët nuk dalin për të gjithë pensionistët. Këtë duhet ta ndajmë njëherë e përgjithmonë. Koefiçentët e rinj për indeksimin e pagave janë për ata që dalin për herë të parë në pension. Pra, ata që dalin, jo për ata që kanë dalë.
    Ata që kanë dalë, si gjithmonë, kur të bëhet indeksimi i pensioneve, do marrin edhe ata mbi bazën e rregullave të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave. Ndërsa koefiçentët e indeksimit të pagave janë elementi më kryesor në llogaritjen e një pensioni ose në caktimin e masës së pensionit që merr pensionisti për herë të parë. Kjo është e përvitshme dhe ka parasysh që në këtë indeksim të jenë të parashikuara të gjitha ato inflacionet e viteve të mëparshme, të cilat mbartën dhe sot, për të bërë të krahasueshme punën e kryer para ’94-s me këtë të momentit kur pensionisti del në pension. Bëhen pikërisht këta koefiçentët për t’i bërë, të krahasueshme vlerat e tyre në periudha të ndryshme të kryerjes së punës.
    Sot nevojiten, si për meshkujt edhe për femrat, nevojiten 38 vjet e tetë muaj punë. Të supozojmë që një qytetar ka 38 vjet e tetë muaj, aq sa kërkon ligji për të marrë pension të plotë, dhe të ketë punuar gjithmonë në punë që vlerësohen me minimale, në kushtet e minimales. Çfarë efekti kanë këta koefiçientët? Një pensionist, nëse do ta krahasojmë me këto koefiçentët e rinj dhe me koefiçientët e vjetër, vetëm për faktin që del në pension pas datës 1 korrik 2025, do të ketë një efekt, me të njëjtat vjetërsi pune, me atë që del më përpara në pension para datës 30 qershor, krahasuar me atë që del në korrik e në vazhdim, do të ketë një efekt, vetëm për efekt të koefiçentëve, nga 18 deri në 25 mijë lekë më shumëtë vjetra”, tha eksperti.
    Si bëhet aplikimi dhe dokumentacioni për vitet e punës para ‘93 për pension
    Nga ana tjetër ka hyrë në fuqi rregullorja që i hap rrugë njohjes së periudhave të punës në ish-ndërmarrjet shtetërore për para vitit 1993, për efekt përfitimi të pensionit.Sipas rregullores “Për zbatimin e ligjit nr. 7/2025, “Për njohjen e periudhave të punësimit në institucionet shtetërore, në ish-ndërmarrjet shtetërore, në ish-ndërmarrjet bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore përkatëse”, përfitojnë nga ky ligj të gjithë ata persona që kanë punuar në: Ish-institucione apo ndërmarrje shtetërore (deri më 1 tetor 1993), Ish-ndërmarrje bujqësore (deri më 17 tetor 1992), Kooperativa bujqësore (deri më 19 korrik 1991).Ligji u vjen në ndihmë qytetarëve të cilëve u është re fuzuar pensioni për mungesë vitesh sigurimi, ose atyre që kanë pasur periudha të punës që nuk janë njohur më parë nga ISSH, apo zvarriten prej vitesh në çështje gjyqësorë.Rregullorja përcakton se kërkesa për trajtim bëhet vetëm nëpërmjet portalit e-Albania, në shërbimin “Aplikim për pension”, ku kërkuesi duhet të përzgjedhë opsionin për t’u trajtuar sipas ligjit nr. 7/2025.
    Kategoritë që përfitojnë nga zbatimi i ligjit janë:
    Ata që kanë plotësuar moshën për pension pas hyrjes në fuqi të ligjit;Persona që ende nuk kanë marrë pension, edhe pse kanë mbushur moshën;Aplikantë të cilëve u është refuzuar pensioni për mungesë periudhe sigurimi; Përfitues të pensionit, të cilëve nuk u janë njohur disa vite pune dhe kanë bërë ankim; Persona që janë në proces gjyqësor për vërtetimin e periudhave të punësimit. Për të përfituar nga ligji, rregullorja përcakton se aplikantët duhet të dorëzojnë do kumente si: Certifikata familjare e periudhës përkatëse, që provon vendbanimin; Vërtetim penal, që provon se kërkuesi nuk ka qenë i dënuar për arsye jo-politike gjatë asaj kohe etj. Çdo kërkesë për njohje të viteve të punës për efekt pensioni do të shqyrtohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore sipas procedurave standarde të përfitimit të pensionit.
    PJESË NGA RREGULLORJA
    Periudhat e punësimit në ish-ndërmarrjet shtetërore Njihet periudhë e përgjith shme sigurimi, për efekt pen sioni në sistemin e sigurimeve shoqërore:

    a) koha e punësimit në insti tucionet apo në ish-ndërmarr jet shtetërore; i) nga mosha 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç, deri më datë 1.10.1993, datë në të cilën ka hyrë në fuqi ligji nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sig urimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”; ii) nga data e përfundimit të shkollës së lartë deri më datë 1.10.1993;
    b) koha e punësimit në ish-ndërmarrjet bujqësore, nga mosha 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç, por jo më herët se data e krijimit të ish-ndërmarrjes bujqësore sipas vendimit të Këshillit të Ministrave në zbatim të pikës 1, të nenit 9, të ligjit nr. 7/2025, deri më datë 17.10.1992, datë në të cilën ka hyrë në fuqi vendimi nr. 452, datë 17.10.1992, të Këshillit të Ministrave, “Për ristrukturimin e ndërmarrjeve bujqësore”;
    c) koha e punësimit në ish-kooperativat bujqësore nga mosha 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç, por jo më herët se viti i krijimit të kooperativës bujqësore, deri më datë 19.7.1991, datë në të cilën ka hyrë në fuqi ligji nr. 7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”.

    Kush përfiton
    Neni 5

    a) personave që iu ka lindur e drejta për pension nga data e hyrjes në fuqi të ligjit nr. 7/2025 e në vazhdim;
    b) deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit nr. 7/2025, nuk u është caktuar ende një pension pavarësisht datës së plotësimit të moshës për pension pleqërie apo të kritereve ligjore për pensionet e tjera të administruara nga sigurimet shoqërore;
    c) iu është refuzuar kërkesa për caktim pensioni për shkak të mos plotësimit të kriterit ligjor të periudhës minimale të sig urimit, pavarësisht nëse vendimi i Degës së Përfitimeve është apo nuk është shqyrtuar në hallkat e ankimit administrativ sipas nenit 86, të ligjit nr. 7703/1993, të ndryshuar;

    ç) iu është caktuar pensioni, por përfituesit i është dërguar vendim/shkresë zyrtare për mos konfirmimin e periudhave të punësimit të deklaruara, objekt i ligjit nr. 7/2025, ndaj të cilit ai (përfituesi), ka bërë ankim dhe praktika në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji është në shqyrtim në KRA, KQA ose kur kërkesa për rishqyrtim bëhet brenda vitit nga data e plotësimit të moshës për pension pleqërie apo të kritereve ligjore për pensionet e tjera të administruara nga sigurimet shoqërore;

    d) janë në proces gjyqësor për njohjen/vërtetimin e periudhave të punësimit objekt i ligjit nr. 7/2025.

    Si bëhet kërkesa
    Neni 6

    Kërkesa për t’u trajtuar sipas ligjit nr. 7/2025, realizohet nëpërmjet kërkesës për caktim pensioni në e-Albania, në shërbi met “Aplikim për pension….”, duke zgjedhur në formularin që shfaqet me përdorimin e këtij shërbimi elementin përkatës për t’u trajtuar me ligjin nr. 7/2025.
    Administrimi, shqyrtimi, vlerësimi dhe vendimmarrja, lidhur me kërkesën e paraqitur sipas pikës 1, të këtij neni, reali zohet sipas të njëjtave rregulla dhe procedura që parashikohen për caktimin, administrimin dhe pagesën e pensioneve në sistemin e sigurimeve shoqërore.

    Kriteret dhe dokumentacioni
    Neni 7

    Njohja për efekt pensioni e periudhës së sigurimit sipas ligjit nr. 7/2025, bëhet me kusht që kërkuesi: a) gjatë periudhës objekt i ligjit nr. 7/2025, të mos ketë qenë duke vuajtur dënimin me heqje lirie për arsye jo politike;
    b) të ketë qenë me vendbanim në qytet, sipas deklaratës së kërkuesit për njohjen e periu dhave të sigurimit në institucione shtetërore apo në ish-ndërmarrjet shtetërore;
    c) të ketë qenë me banim në territorin ku ushtronte aktivitetin ndërmarrja bujqësore, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave në zbatim të pikës 1, të nenit 9, ligjit nr. 7/2025, sipas deklaratës së kërkuesit për njohjen e periu dhave të sigurimit në ish-ndër marrje bujqësore;
    d) të ketë qenë me vendbanim në fshat, sipas deklaratës së kërkuesit për njohjen e periu dhave të sigurimit në kooperativë bujqësore. 2. Vërtetimi i vendbanimit për efekt të njohjes së periudhës së punësimit sipas ligjit nr. 7/2025, bëhet më anë të certifikatës familjare të periudhës së kërkuar dhe objekt i këtij ligji, e cila ad ministrohet nëpërmjet sistemeve elektronike nga punonjësit përgjegjës të strukturave të In stitutit të Sigurimeve Shoqërore. 3. Për rastet e periudhave të kërkuara në institucione shtetërore, siç parashikohet në shkronjën “b”, të pikës 1, të nenit 3, të ligjit nr. 7/2025, kërkuesi paraqet kopje të njësuar me origjinalin të diplomës së shkollës së lartë. 4. Punonjësit përgjegjës të In stitutit të Sigurimeve Shoqërore, për efekt të njohjes së periudhave të sigurimit sipas ligjit nr. 7/2025, në zbatim të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 3; të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 4 dhe të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 5, të këtij ligji, administrojnë edhe vërtetimin e gjendjes gjyqësore që vërteton se kërkuesi nuk ka qenë i dënuar për arsye jo politike në periudhën e kërkuar objekt i këtij ligji

  • Njihen periudhat e punës në ish-ndërmarrje shtetërore! Hyn në fuqi vendimi për vitet para 1993

    Njihen periudhat e punës në ish-ndërmarrje shtetërore! Hyn në fuqi vendimi për vitet para 1993

    Njihen periudhat e punës në ish-ndërmarrjet shtetërore para vitit 1993 për efekt pensioni edhe kur qytetarët nuk kanë dokumentet e nevojshme.

    Ligji tashmë ka hyrë në fuqi dhe ka për qëllim njohjen si periudhë sigurimi, për efekt pensioni, të viteve të punësimit në ish-ndërmarrjet shtetërore, institucione shtetërore, në ish-ndërmarrje bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore për ata qytetarë që nuk kanë mundur të sigurojnë dokumentacionin përkatës.

    Në total përfitojnë rreth 30 mijë qytetarë të cilët nga sot mund të realizojnë aplikimet në e-albania.

    Për të përfituar nga ligji, aplikantët duhet të dorëzojnë një Certifikata familjare e periudhës përkatëse, që provon vendbanimin si dhe vërtetimin penal, që provon se kërkuesi nuk ka qenë i dënuar për arsye jo-politike gjatë asaj kohe .

    Çdo kërkesë për njohje të viteve të punës për efekt pensioni do të shqyrtohet më pas nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore sipas procedurave standarde të përfitimit të pensionit.

    Në total kostoja minimale e shtuar në skemën e sigurimeve në një vit rezulton 6.9 miliardë lekë në vit.

    Shumë qytetarë janë penalizuar, sepse nuk kanë pasur periudha kontributive pas vitit 1994, dhe nuk arrinin të plotësonin kushtin minimal të periudhës së sigurimit, gjë që ka detyruar shumë qytetarë t’i drejtohen gjykatave me kërkesëpadi për njohjen e këtyre periudhave.

  • Pension i 13-të dhe rritje më e madhe për ata që marrin më pak, ekspertët e ekonomisë shpjegojnë si do rriten pensionet

    Pension i 13-të dhe rritje më e madhe për ata që marrin më pak, ekspertët e ekonomisë shpjegojnë si do rriten pensionet

    Sot pensioni mesatar në Shqipëri është 196.000 lekë të vjetra (19600 ALL), sipas të dhënave që na siguron Instituti i Sigurimeve Shoqërore. 200 euro konsiderohet që të jetë minimalja për të jetuar, por teksa flasim për një mesatare, shumë rrjedhimisht mbeten nën të. Ka një plan se si do të rriten ato, edhe pse nuk është totalisht i detajuar dhe i detyrueshëm për t’u zbatuar  më shumë se një udhëzim i cili na tregon pikërisht mënyrën se do të realizohet. Plani i Moshimit tregon që pensionet në Shqipëri do të rriten me 50% të pensionit mesatar, pra duke shkuar, po themi, nga 196.000 në 280.000 lekë të vjetra (28000 ALL) brenda vitit 2030.
    Përfitimi i pensionit të 13-të do të bëhet në mënyrë automatike, shpresojmë brenda kësaj periudhe sa më shpejt. Indeksimi i diferencuar i pensioneve është një strategji për të bërë të mundur korrigjimin e atyre të cilët dolën para 2015-s dhe ata të cilët kanë dalë pas 2015-s, në mënyrë që kush e ka pensionin e ulët të marrë rritjen më shumë nga indeksimi sesa ata të cilët e kanë pensionin e lartë. Po ashtu, do të rritet numri i përfituesve të pensionit social. Sipas argumenteve të dokumentit, shumë nuk e dinë që mund ta marrin një pension të tillë në momentin që mbushin 70 vjeç.
    Marrëveshjet e pensioneve po ashtu janë një strategji që shqiptarët të kenë mundësi të përfitojnë jo vetëm këtu, por edhe jashtë, apo në qoftë se nuk e plotësonin këtu pensionet, t’i njihen vitet shtesë aty dhe këtu të kenë mundësi të marrin një pension. Ndërkohë, nga ana tjetër, premtohen edhe shumë lehtësi, nga ato te tatimi mbi të ardhurat, tek taksat mbi pronat, ulja e çmimit të energjisë për klientët mbi 60 vjeç, karta e pensionistit në 61 bashki, si dhe heqja e taksës së automjeteve dhe reduktimi i gjobave dhe kamatave. Për të diskutuar më shumë për këtë plan pensionesh, ka folur për Top Channel Romina Radonshiqi dhe Regi Sefa, ekspertë për ekonominë.
    Çfarë thotë Regi Sefa?
    “Dokumentet e politikave në përgjithësi, siç është dhe Plani i Moshimit, janë udhërrëfyes që tregojnë rrugën që do të ndërmarrë qeveria dhe administrata, si dhe hapat. Një ndër problemet që unë vërej te ky dokument është fakti që nuk kemi të qarta fazat e ndërmjetme. Pra, thuhet “dakord deri në 2030”, por nuk janë të qarta hapat se kush do të bëhet deri kur, pra në ’26-ën këto hapa, në ’27-ën këto hapa e kështu në vijim. Kjo mendoj për një arsye shumë të thjeshtë, sepse impakti buxhetor që do të ketë kjo reformë strukturore në pensione do të jetë i konsiderueshëm. Ne duhet ta theksojmë që çdo reformë strukturore është e dhimbshme. Nuk ka reformë “pa dhimbje” dhe gjithë aftësia e menaxhimit dhe mirëadministrimit të një qeverie është që dhimbjet të jenë sa më të lehta dhe sa më të shtrira në kohë, në mënyrë që të mos ndihen shumë në publik. Unë e shoh një hap shumë të mirë, sepse për herë të parë ne e kemi udhërrëfyesin dhe tani mund t’i kërkojmë një llogari konkrete qeverisë:
    “E ke nxjerrë udhërrëfyesin, pse nuk po e ndjek, apo a po e ndjek, apo s’po e ndjek?”. Por, pa dyshim që, duke qenë se kjo vendos një dysheme më të caktuar, tani ne duhet të synojmë për më lart. 276.000 lekë të vjetra apo rreth 208.000 lekë të reja që pritet të shkojë pensioni mesatar, duhet të jetë një dysheme. Pra, ky duhet të jetë minimumi dhe nga këtu ne duhet të tentojmë se sa më lart do të shkojmë. Në një farë mënyre, qeveria ka vendosur objektiva të vegjël që janë edhe më të arritshëm, por synimet duhet të jenë shumë herë më të mëdha. Në momentin që hartohet një dokument dhe një plan i këtillë, punohet nëpërmjet grupeve ndërinstitucionale të punës, pra ndërministrore. Të gjitha ministritë ulen bashkë, kryesisht koordinohen nga Kryeministria si institucioni më i lartë ekzekutiv që mbikëqyr të gjithë të tjerët. Po të shikoni planin në atë që ai përmend, përmend gjëra që janë të arritshme me mjetet dhe mundësitë që qeveria tashmë i ka, thjesht afatin kohor nuk e kanë të përcaktuar. Por nga ana tjetër, të gjitha këto masat e tjera që janë hedhur si ide, me një parakusht shumë të madh: “Në qoftë se rritja ekonomike kalon këtë, në qoftë se nafta e Shell-it na del, në qoftë se…”.
    Që do të thotë, nëse bie kushti, dhe këto nuk realizohen. Koordinim ka dhe dëshirë të mirë, mbi të gjitha ka. Por përtej kushteve, qeveria në një farë mënyre i ka lënë vetes në dorë mundësinë e surprizave. Pra, vendos ca kushte që ti mund t’i masësh: “Unë do ta bëj 208.000 lekë të reja (20800 ALL) pensionin deri në 2030-ën, do të bëj indeksimin, do të bëj pensionin e 13-të”. Nga ana tjetër, nëse ka një performancë të mirë ekonomike, këtë gjë tjetër e mban si “asin nën mëngë” dhe e nxjerr: “Ja, unë po bëj dhe këtë gjë në shtesë, që nuk e kishin parashikuar në dokument politike, por po ta bëj unë sepse jam në qeveri që kam punuar shumë mirë”. Pra, të gjitha këto janë mjete politike të cilat të lejojnë që të krijosh mundësi për impakt të mirë pozitiv kur ti e ke mundësinë. Po në qoftë se ty nuk të jepet mundësia, nuk shkon rritja ekonomike për shembull përtej parashikimeve, edhe nuk mban në një farë mënyre përgjegjësi sepse tashmë ç’ke bërë e ke thënë në dokument”, u shpreh ai ndër të tjera.
    Çfarë thotë Radonshiqi?
    “Çështja e indeksimit të diferencuar do të ishte më racionale. Kjo do të ndihmonte edhe ata individë, pra pensionistë, të cilët kanë nivel të ulët pensionesh, por nga ana tjetër, besoj se nuk do ta ngarkonte qeverinë me një barrë të madhe buxhetore. Ne sot jemi përafërsisht te pensioni mesatar, pothuajse 200 euro, edhe pse e kemi arritur. Ndërkohë, te plani i veprimit thuhet që pensioni minimal është 200 euro, kështu që këtë qeveria nuk mund ta arrijë dot në periudhë afatshkurtër, për një vit, sepse është një kosto aq e madhe sa pothuajse i gjithë buxheti do të shkonte te pensionistët. Mendoj që do të ishte shumë mirë nëse do ta niste me indeksimin e diferencuar, më pas pensionin e 13-të. Unë faktikisht dyshoj më shumë se ka për ta nisur me pensionin e 13-të. Pra, në dhjetor, mund të japë një pension të 13-të dhe me aq e mbyll. Por, pensioni i 13-të nuk zgjidh asgjë. Tani, kur themi pensioni i 13-të, si paga e 13-të në të gjithë botën.
    Paga e 13-të është aq sa ti merr në muaj dhe i bie që duhet të jetë aq sa një pensionist e ka pensionin. Ndërkohë, nëse do të bëhej kështu, mendoj që do të ishte përsëri një kosto e lartë. Ne e pamë që edhe aty ku u dhanë bonuset, u vendosën nja dy fasha, dhe një element pozitiv ishte fakti që për herë të parë u pa që atyre që kishin nivel të ulët pensioni po u kushtohej më shumë rëndësi. Ndaj them që edhe këtu dyshoj se mund të bëhet prapë me dy fasha. Gjithsesi, unë mendoj që do të ishte shumë herë më mirë të nisej nga indeksimi i diferencuar, sepse një pensionist ka nevojë çdo muaj për shtim, le të themi, të ardhurash nga pensioni dhe jo në një moment të caktuar kohe. Patjetër, nëse do të bëheshin të dyja, do të ishte shumë mirë. Më pas, ndoshta do të fillojë edhe me këto lehtësirat fiskale, si ulja e energjisë, përjashtimi nga taksa e pronës (që unë me sa informacion kam, pensionistët janë të përjashtuar vetëm nëse kam gabim).
    Zgjerimi i rimbursimit të ilaçeve nuk është se do të sillte kosto të madhe për vetë qeverinë, por do të ndikonte pozitivisht për pensionistët, sepse ne e dimë shumë mirë që shpenzimet më të mëdha të një pensionisti, përveç konsumit (që mund të themi që 80% e pensionit shkon për konsum), pjesa tjetër i mbetet për medikamente, edhe pse janë të rimbursueshme dhe themi shëndetësi falas, por në të vërtetë nuk është falas, sidomos për pensionistët. Kështu që, mendoj që edhe ato lehtësirat fiskale do t’i ndihmonin pensionistët, por realisht do ta ndihmonte pikërisht rritja e pensioneve, të paktën indeksimi, se rritjen siç thamë, pra, e ka goxha të vështirë për ta bërë, të mos themi që do të rritet pensioni ndoshta dhe për dy vite, nuk e rrit dot 50% të pensionit mesatar”, tha ajo.

  • “Të moshuarit që kërkojnë rritje pensioni, duhet të punojnë sërish”/ Plani për punësimin e të moshuarve

    “Të moshuarit që kërkojnë rritje pensioni, duhet të punojnë sërish”/ Plani për punësimin e të moshuarve

    Të moshuarit që kërkojnë rritje të pensioneve për të mbuluar shpenzimet vetjake, duhet të punojnë sërish.
    Si një zgjidhje për një jetë më dinjitoze dhe pasjen e burimeve të mjaftueshme financiare, qeveria planifikon një plan masash për grupmoshën e tretë në 5 vitet e ardhshme. Mbrojtja ekonomike dhe sociale e të moshuarve në nevojë do të mbështet në riintegimin e tyre në sektorë të cilat kanë nevojë për punëtorë por kryesisht në ata të gjelbër.
    “Parësore është krijimi i mundësive të punësimit në sektorët e gjelbër. Nxitja e krijimit të ndërmarrjeve sociale si një instrument për punësim dhe vetëpunësim të të moshuarve.”
    Planifikohet gjithashtu të krijohet një mjedis mundësues për një jetë dinjitoze për gratë dhe burrat e moshuar të moshës 60 vjeç, E cila do të përfshijë dhe lehtësirat fiskale duke nisur nga heqja e tatimit që vendosen për shtëpitë e banimit, token etj por dhe heqjen e taksës vjetore për automjetet vetiake të të moshuarve 65+ dhe reduktimin e gjobave dhe kamat-vonesave .
    “Përmirësimi i aksesit në shërbime bankare dhe financiare. Qasja drejt zhvillimit të llogarive kombëtare të transfertave si dhe lehtësira fiskale për të moshuarit.”
    Janë mbi 608 mijë pensionistë në zonat urbane dhe mbi 96 mijë në zonat rurale që presin të përfitojnë nga politikat lehtësuese. Ndonëse kërkesa kryesore të moshuarve është pasja e një pensioni dinjitoz krahasuar me rajonin dhe evropën.

  • Të moshuarit: Pensioni i 13-të, ndihmesë e madhe

    Të moshuarit: Pensioni i 13-të, ndihmesë e madhe

    Qeveria ka miratuar një plan të ri për reformimin e skemës së pensioneve në Dokumentin Politik për Moshimin, ku parashikohet dhënia e pensionit të 13-të për të moshuarit dhe rritja në masën 50% të pensionit mesatar.
    Të moshuarit shprehen se kjo do të ishte një ndihmë e konsiderueshme për ta, pasi pensioni që marrin aktualisht u shkon kryesisht për medikamente dhe pagesën e ujit dhe energjisë elektrike.
    Nga ana tjetër, ka edhe nga ata të moshuar të cilët shprehen se duhet të ketë reformim të thellë të skemës së pensioneve, sidomos sa i përket kontributeve shoqërore.
    Në Dokumentin Politik për Moshimin dhe Planin e Veprimit 2025-2030, në fokus është reformimi i skemës së pensioneve në Shqipëri, ku parashikohet rishikimi i moshës së daljes në pension për burrat dhe gratë, si dhe ndryshimi i formulës së përllogaritjes.

    Një tjetër pikë e rëndësishme është indeksimi i diferencuar i pensioneve, ku synohet të sigurohet rritje reale e të ardhurave të kësaj shtrese.
    Klan News

  • Kur do ndodhë rritja me 50% dhe shpërndarja e pensionit të 13-të,eksperti i njohur i ekonomisë Kujtim Hoxha shpjegon…

    Kur do ndodhë rritja me 50% dhe shpërndarja e pensionit të 13-të,eksperti i njohur i ekonomisë Kujtim Hoxha shpjegon…

    Premtimi i fundit i qeverisë për të dhënë një pension të 13-të dhe për të rritur me 50% pensionin mesatar deri në vitin 2030 është pritur me skepticizëm të madh nga ekspertët e ekonomisë dhe përfaqësues të pensionistëve. Në një analizë të ashpër dhe realiste, eksperti i njohur Kujtim Hoxha hedh poshtë entuziazmin zyrtar, duke e cilësuar planin e shpallur si një paketë idesh pa asnjë afat konkret dhe si një formë të pastër manipulimi me një shtresë të brishtë të shoqërisë.
    Sipas tij, nuk ka asnjë garanci që këto masa do të realizohen ndonjëherë, për më tepër kur vetë qeveria i ka projektuar ato përtej mandatit aktual, deri në vitin 2030 – një vit që shumë pensionistë nuk do ta arrijnë kurrë. Hoxha paralajmëron se në vend që të përmirësohet realisht jeta e 120 mijë qytetarëve që aktualisht marrin më pak se 100 euro në muaj, qeveria po shpenzon kohë me projeksione të zbrazëta dhe premtime që nuk përballojnë dot testin e llogarisë ekonomike dhe të ndërgjegjes njerëzore. Ai e sheh këtë si një presion nga FMN-ja dhe BE për të krijuar fasada konkurrueshmërie, ndërkohë që realiteti i shumicës së të moshuarve në Shqipëri është varfëri ekstreme dhe trajtim i padenjë.
    Ja informacionet nga eksperti i njohur i ekonomisë Kujtim Hoxha
    “Duhet parë me seriozitet kjo, sepse ne kemi patur edhe më përpara iniciativa ose hedhje të mendimeve në tavolinë, duke futur ndryshimin e ligjit të pensioneve. Është hedhur që para një viti e gjysmë, s’u bënë domethënë. Thjesht ne themi po asnjë gjë nga ato që themi nuk është e shkruar me afate kohore, kur do bëhet, sa do bëhet? Dhe në këtë këndvështrim, shikoj edhe këtë plan të qeverisë, e cila parashikon në vitet 2030. Nuk mundet që një qeveri të planifikojë jashtë afateve të saj të ushtrimit, pasi mandati është katërvjeçar. Do thotë “Unë s’e bëra, se po ta kisha deri në 2030, do t’i bëja.” Pra, s’i bëra. Nuk ka afat që të fillojë, ose të themi, “Pensioni me 200€, do t’ia bëjë deri në vitin 2030.” Shkurt, hidhen ide të paformalizuara në afate, dhe kjo nuk është serioze.
    Për mua, është të tallesh me pensionistët. Pse? Do t’i analizojmë. Sot pensionet janë aq të ulëta sa shtetet përreth thonë: “Si mund të jetojnë shqiptarët me këtë masë pensioni që kanë sot?” 120.000 qytetarë kanë pension nën 100 euro. Po, do të hidhej pyetja për qeverinë këtu: “A merr dot masa për të ndryshuar gjendjen e këtyre qytetarëve, dhe kur?” Sepse 200€ thotë pa afat, dhe këto 200€ do t’ia bëjë në vitin 2030. Mirë, 2030. Po, ka dy probleme këtu. Problemi i parë: a e di kryeministri që jetëgjatësia e gëzimit të një pensioni në Shqipëri mesatarisht është 14 vjet? Kaq e gëzon mesatarisht një qytetar pensionin, dhe ju thua pensionistëve sot që “pas gjashtë vjetësh do t’ju rritet pensioni.”
    Këta që marrin 100€ do të shpresojnë që të marrin në vitin 2030, kur 40% e tyre, me statistika, mund të jenë larguar nga jeta. Atëherë, qeverisë, për mendimin tim, i shtrohen edhe nga pensionistët, se unë jam edhe në shoqatën e pensionistëve, shtrohet ideja: “Ke plan-masash për të nxjerrë këtë gjendje të pensionistëve sot, dhe sa do ta bësh sot?” Se objektivat në 2030-ën, a e di kryeministri dhe ata që i kanë bërë këto llogaritje që kërkesat e pensionistëve nuk do të jenë 200€ nevojat atëherë, po duke marrë inflacionin? Pra, do të kërkojnë 300€, mbase dhe më shumë. Pra edhe nëse pensioni shkon 200 euro, gjendja ekonomike nuk do të rregullohet për këtë kategori. Ato duhet të hidhen në tavolinë me laps dhe me afate. Vetëm atëherë, se shiko, qytetarët ndryshojnë nga qeveria për mendimet që japin vetëm në këtë, sepse qytetarët vetëm ankohen, thonë idetë e tyre, “Çfarë do të bëhet?” Ndërsa qeveria ka edhe lapsin, ka edhe paratë që mund t’i vërë në dispozicion për zgjidhjen e problemeve.
    “Kur do t’i bëjë?” Ka dhe një firmë, i vë aty tak-tak, i firmos ato, dhe duhet t’i nxjerrë për veprim. Në këto kushte është si rezultat i detyrimit që ka dhënë FMN-ja dhe Këshilli i Europës.” I ka dhënë qeverisë shqiptare që për vitin 2030 të jenë plotësuar për kapitullin e dytë dhe të tretë, e cila kërkon konkurrueshmëri. Që do të thotë që ne të konkurrojmë me shtetet e Europës. Po, si do të konkuroj me një pension 100€, kur qytetarët shqiptarë që janë me rezidencë në Itali, që s’kanë punuar fare, po marrim ata që s’kanë punuar, jo ata që kanë punuar, plotësojnë disa kushte të qëndrimit atje. Marrin jo më pak se 500€, marrin në formën e ndihmës ekonomike. Ti i jep 100€.”

  • A mjafton pensioni i 13-të për të mbuluar inflacionin dhe rritjen e çmimeve?Ekspertja shpjegon efektin:Shtesa vjetore..

    A mjafton pensioni i 13-të për të mbuluar inflacionin dhe rritjen e çmimeve?Ekspertja shpjegon efektin:Shtesa vjetore..

    Ekspertja për ekonominë Romina Radonshiqi foli më tepër për pensionin e 13-të si dhe për një sërë lehtësish tarifore të parashikuara për pensionistët. Radonshiqi u shpreh për ‘Money Report’ se pensioni i 13-të është një moment pozitiv dhe vjen në kuadër të përshtatjes së legjislacionit shqiptar me atë të BE në bazë të grupkapitujve. Sipas saj, bonuset kanë ndikuar pozitivisht në financat e pensionistëve.
    “Flitet deri në 2030, por pensionistët deri tani janë në varfëri dhe nuk e dijnë se kur do të bëjnë një jetë si pensionistët europian. Ky moment është pozitiv dhe vjen si pasojë e hapjes së kapitullit të 19, pra përshtatja e legjislacionit tonë me atë të BE dhe ndaj mendoj që është në këtë moment. Erdhi sepse është një prej kritereve të BE dhe duhet mbështetja e grupeve në nevojë ku bëjnë pjesë të moshuarit.
    Është rritja e moshës së daljes në pension dhe mund të jetë për reformën e pensioneve dhe është një ndër elementët që qeveria duhet t’i ketë në fokus. Bonuset kanë ndikuar pozitivisht tek financat e pensionistëve. “ 
     

  • Pension i 13-të për të moshuarit/ Miratohet vendimi, dyfishohet edhe pensioni mesatar deri në 2030

    Pension i 13-të për të moshuarit/ Miratohet vendimi, dyfishohet edhe pensioni mesatar deri në 2030

    Shqiptarët që marin një pension do të përfitojnë një të 13 brenda 5 viteve.Qeveria ka miratuar dokumentin Politik për moshimin dhe Planin e Veprimit për periudhën 2025-2030 . Plani i Veprimit për Personat e Moshuar synon të ofrojë një qasje të qëndrueshme për përmirësimin e cilësisë së jetës së të moshuarve në Shqipëri. Aktualisht, në Shqipëri rezultojnë se janë 725 mijë pensionistë të cilët mund të përfitojnë nga kjo nismë e cila pritet të aprovohet në vijim.
    Deri më tani pensionistët janë mbështetur me dy bonuse një në pranverë dhe një në fund vit. Po ashtu në strategji parashikohen edhe një sërë masash në drejtim të rishikimit të kornizës ligjore për uljen e normave të tatimit për të ardhurat e të punësuarve në moshë pensioni;Bonuse për qëndrueshmëri dhe performancë; Mbështetje për pensione private; Fleksibilitet të orareve të punës.
    Po ashtu qeveria shqiptarë parashikon të vijoj negociatat për njohjene pensioneve .ndërsa pritshmëritë janë që njohja e ndërsjellë e pensioneve me Greqinë të ndodhë brenda vitit 2030. Greqia rezulton se është është shteti me numrin më të lartë të emigrantëve shqiptarë, mbi 670 mijë të tillë.
    Këto masda janë marrë në kuadër të zhvillimeve demografike të cilat evidentojnë se popullsia në moshën mbi 60 vjec përbën ¼ e popullatës në Shqipëri, trend i cili po thellohet gjithnjë e më shumë për shkak të plakjes së popullsisë, rënies së lindshmërisë dhe fenomenit të emigrimit.

  • Qeveria miraton strategjinë 2025-2030, do të jepet pensioni i 13-të për të moshuarit

    Qeveria miraton strategjinë 2025-2030, do të jepet pensioni i 13-të për të moshuarit

    Qeveria ka miratuar strategjinë 2025-2030, përmes së cilës do të jepet pension i 13-të për të moshuarit.
    Ky plan synon përmirësimin e cilësisë së jetesës për moshën e tretë në vend, objektiv që pritet të realizohet brenda vitit 2030.
    Plani do të përgatitet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me mbështetjen e UNFPA dhe në bashkëpunim me Qendrën Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin.
    Synohet reformim i skemës së pensioneve, që nga rishikimi i moshës së daljes në pension për burrat dhe gratë e deri te rritja e pensionit mesatar apo dyfishimi i përfituesve të pensionit social.
    Edhe ata shqiptarë që kanë kontribuar në Greqi, më në fund do të ndërmerren hapa konkretë për pensionet e tyre, për të cilat pritet të firmoset marrëveshja me vendin tonë.
    Kujtojmë se ky sektor është nënvizuar herë pas here nga qeveria si prioritet, ndërsa kryeministri Edi Rama e cilësoi një nga objektivat për mandatin e katërt. Target, është që pensioni minimal 200 euro të arrihet brenda 2030-ës./tvklan