Tag: pensioneve

  • ‘Viti i pensionistëve’? Tabaku: Një kafe në ditë nuk mjafton për dinjitet

    ‘Viti i pensionistëve’? Tabaku: Një kafe në ditë nuk mjafton për dinjitet

    Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ndaj premtimeve të Kryeministrit për “vitin e pensionistëve” dhe rritjen e paralajmëruar të pensioneve në buxhetin e ri të shtetit. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku ironizon premtimet e përsëritura prej 13 vitesh dhe i cilëson si një tallje me të moshuarit shqiptarë.

    “Sipas Kryeministrit, pensionet do të rriten me 1,800 lekë në qytet dhe 600 lekë në fshat. Kjo do të thotë vetëm 60 lekë në ditë, një kafe në qytet apo 20 lekë në fshat. Çfarë mund të bëjë një pensionist me një kafe më shumë në ditë?”, shprehet Tabaku.

    Ajo kujton se pensionistët janë ndër shtresat më të goditura nga kriza ekonomike dhe inflacioni, me çmime të rritura me 30 deri në 60 për qind për produktet bazë të jetesës, barnat dhe shpenzimet e përditshme.

    “Pas gjithë këtyre rritjeve, qeveria ofron një lëmoshë, jo një zgjidhje. Pensionet sot janë lëmoshë, jo politikë sociale. Shqipëria ka nevojë për një skemë të re, të qëndrueshme dhe me dinjitet për të moshuarit e saj,” shton ajo.

    Tabaku thekson se reforma e pensioneve duhet të marrë në konsideratë shpopullimin, emigracionin dhe plakjen e popullsisë, duke e trajtuar çdo qytetar me dinjitet dhe jo me fjalë boshe.

    “Qeveria mund të shpërndajë kafe falas, por nuk mund të blejë dinjitetin e pensionistëve.” përfundoi Tabaku

  • Rama lë me gisht në gojë pensionistët: U thotë se rritja e pensioneve do jetë premtim për zgjedhjet e tjera pas katër vitesh

    Rama lë me gisht në gojë pensionistët: U thotë se rritja e pensioneve do jetë premtim për zgjedhjet e tjera pas katër vitesh

    Ndërkohë që ka nën hetim zëvendësen e tij për 50-milionë euro korrupsion vetëm me tunelin e Llogorasë, vlerë që do mjaftonte për një rritje të mirë pensionesh e ndihme sociale, Edi Rama ka ka vendosur të zgjohet këtë të martë duke gënjyer pensionistët me një video në rrjetet sociale ku u thotë se në prag të zgjedhjeve të ardhshme, pas katër vitesh do ketë si premtim përsëri rritjen e pensioneve.

    Pasi lajmëron bonusin e radhës në prag të zgjedhjeve në 5 bashki të vendit, Rama kujtohet se pensionet duhet indeksuar çdo vit, gjë të cilën për 12 vite në pushtet nuk e ka bërë asnjëherë. Dhe indeksimin e quan rritje pensiones, kur ndërkohë nuk është e tillë, por një mashtrim i radhës.

    Ka 12 vjet që u blen votën, herë më mashtrime e herë me bonuse 5 mijë lekëshe për fundvit apo në pranverë dhe sot kryeministri doli sërish të flasë për “mirëqenien” e tyre.

    Për 12 vjet qeverisje nuk u rriti pensionin asnjë kacidhe. Vetëm i bindte të votonin rilindjen që të shikonte me vonë… Të njëjtën gjë bëri edhe sot në prag të zgjedhjeve ne disa bashki të vendit që do të mbahen me 9 nëntor. Dje nxori ministrin e financave, sot doli vete, pak me vonë do nxjerre ndonjë tjetër që t’ua kujtojë si çekan në kokë të moshuarve se unë po ju jap 10 mije lekë për vitin e ri prandaj “kujdes votën”. Propagandë e fëlliqur.

    Mesazhi i Ramës:

    “Mbrëmë i përcollëm Parlamentit projektbuxhetin 2026 dhe jam i lumtur sot, s’e kam përdorur ndonjëherë këtë fjalë, por po u them pesnionistëve se siç u zotuam në fushatë ky mandat do të jetë mandati i rritjes së pensioneve.

    Pikërsisht sepse nuk jemi më ai vendi që mezi mbahej, por një vend me ekonomi të qëndrueshme mund ta bëjmë atë për të cilën u zotuam.

    Pensionistët tanë do të marrin këtë fundvit bonusin dhe nga janari do të kenë një rritje tashmë të shtrirë çdo muaj me indeksimin e përvitshëm natyrisht.

    Sipas kategorive në fund të mandatit duhet të arrijmë që pensioni mesatar të rritet si më poshtë:

    Pensioni me vite të plota pune të shkojë 40 mijë lekë nga 27 mijë e 350 lekë që është sot.

    Pensioni urban i pjesshëm do të shkojë mesatarisht 22 mijë lekë të reja nga 15,850 lekë që është sot.

    Pensioni rural të shkojë 18 mijë lekë të reja nga 11,500 lekë që është sot.

    Pensioni i inmvaliditetit të shkojë 30 mijë lekë të reja nga 20 mijë lekë që është sot.

    Nga janari i vitit 2026 pensionet do të rriten çdo muaj përtej indeksimit”, deklaroi Rama.

  • Si të njihni vitet e punës në ish-kooperativat bujqësore, eksperti i pensioneve zbulon dokumentet që duhen plotësuar

    Si të njihni vitet e punës në ish-kooperativat bujqësore, eksperti i pensioneve zbulon dokumentet që duhen plotësuar

    Eksperti i pensioneve, Kujtim Hoxha ka folur në një studio televizive për mënyrën se si qytetarët mund të njohin vjetërsinë e punës në ish-kooperativat bujqësore, veçanërisht në rastet kur mungon dokumentacioni zyrtar.
    Sipas Hoxhës, ligji parashikon procedura të posaçme për njohjen e periudhës së punës në kooperativat bujqësore që nuk ekzistojnë më dhe nuk kanë ruajtur dokumentet përkatëse. “Ka një ligj për njohjen e vjetërsisë së punës në ish-kooperativat bujqësore që nuk kanë dokumente. Për këtë parashikohet plotësimi i disa dokumenteve që të verifikohet me certifikatë familjare se personi ka qenë pjesë e territorit të kooperativës përkatëse,” u shpreh ai.
    Eksperti theksoi se arsimi i ndjekur nga qytetari ndikon në përllogaritjen e vjetërsisë. “Nëse qytetari ka kryer arsimin e mesëm natën, nuk mund të përfitojë ditë pune për periudhën që ka qenë në shkollë; periudha e punës llogaritet vetëm pas përfundimit të shkollës,” sqaroi Hoxha.
    Përveç kësaj, është e nevojshme të sigurohen disa dokumente shtesë, si gjendja familjare në datën 1 gusht 1991, si dhe një vërtetim për përfitimin e tokës sipas ligjit 7501, nëse personi ka përfituar tokë nga ky ligj.
     
     
    Në përfundim, Kujtim Hoxha theksoi se me plotësimin e këtyre dokumenteve, qytetarët mund të kenë të njohur vjetërsinë e punës që nga përfundimi i shkollës e deri në mbylljen e kooperativave bujqësore, duke përfituar kështu në mënyrë të drejtë nga skema e pensioneve.

  • Bonus rekord për pensionistët këtë fundvit, mbi 730 mijë përfitues, ja sa do të marrin dhe kush përfiton më shumë

    Bonus rekord për pensionistët këtë fundvit, mbi 730 mijë përfitues, ja sa do të marrin dhe kush përfiton më shumë

    Këtë fundvit, mbi 730 mijë pensionistë pritet të përfitojnë nga bonusi special që qeveria do të shpërndajë si mbështetje për shtresat në nevojë. Ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj Kortoçi, gjatë një interviste për “Klan News”, shpjegon se fondi i planifikuar është më i lartë se një vit më parë dhe se bonusi do të jetë i diferencuar sipas nivelit të pensionit. Përfituesit kryesorë do të jenë ata me pensione më të ulëta, që do të marrin nga 10 deri në 20 mijë lekë shtesë. Sipas Kortoçit, ky është një hap i përkohshëm, por i domosdoshëm për të përballuar rritjen e kostove të jetesës. Megjithatë, ekspertja thekson se rritja e qëndrueshme e pensioneve mbetet sfida kryesore për vitet në vijim.
    -Zonja Kortoçi, pikë së pari, sa mendohet se është numri i pensionistëve që do të përfitojnë, por gjithashtu edhe shifra e vënë në dispozicion?
    Nëse ne flasim për numrin, nënkuptohet që të gjithë individët të cilët përfitojnë një pension nga skema e sigurimeve shoqërore. Kjo do të thotë që në këtë rast janë individë të cilët përfitojnë një pension pleqërie, edhe ata që kanë një pension familjar. Ky numër shkon mbi 730.000 pensionistë, pra individë të cilët përfitojnë një pension nga skema e sigurimeve. Pasi jo të gjithë janë individë që përfitojnë një pension pleqërie; kemi individë që përfitojnë pension invaliditeti, pension familjar dhe kategori të tjera trajtimi që mund të jenë në pension, si individët ushtarakë. Të gjithë individët në këtë rast, ku përfshihen dhe individët që kanë pensionin suplementar, janë përfitues të një të ardhure nga skema e sigurimeve shoqërore dhe ata që klasifikohen te grupi i pensionistëve do të përfitojnë pikërisht bonusin. Nga ana e qeverisë nuk është përcaktuar ende se si do të bëhet ndarja, por kemi vetëm një rishikim të buxhetit në këtë rast, i cili e ka rritur në mënyrë të ndjeshme vlerën që do të përdoret për shpërndarjen në fundvit. Kjo jep mundësi që të mos ketë më një bonus siç ka qenë periudha më parë. Pra, 2024-a bën një kthesë duke dhënë një bonus të diferencuar mes atyre që janë pensionistë me një të ardhur mujore pensioni mbi 20.000 lekë të reja (ose mbi 200€) dhe ata që janë nën këtë vlerë. Besoj që ky ndryshim, që është themeltar në buxhet që të realizohet për fundvit, do të vijojë të jetë në të njëjtën linjë.
    -E qartë sa i përket kësaj pjese. Megjithatë, duke qenë se ju e shprehët, e thatë që ende nuk është vendosur mënyra se si do të shpërndahet, marr shkas edhe nga vitet e shkuara: kryesisht në çfarë kriteri është bazuar shpërndarja në këto dy herët e fundit?
    Nëse referohemi bonusit të fundvitit të 2024-ës dhe bonusit të pranverës së 2025-s, ka pasur tavan dhe dysheme njëkohësisht. Grupi i parë (tavani) është vlera e 20.000 lekë, dhe grupi i dytë (dyshemeja) është vlera 20.000 lekë e sipër. Kjo ka bërë të mundur diferencimin e qytetarëve të cilët marrin një pension minimal në një vlerë shumë të ulët, me ata qytetarë që marrin një pension mesatar ose më të lartë. Kjo lloj ndarje, nëse i referohemi 2024-s, ka përfshirë rreth 500.000 qytetarë të cilët kanë pasur një vlerë minimumi pensioni prej 20.000 lekë. Kjo realisht është një vlerë shumë e ulët dhe numri që përfitojnë është shumë i lartë. Mund të ketë një ndryshim në këtë vit në këtë numër për faktin se kemi pasur një indeksim, i cili mund të bëjë ndryshimin, edhe pse mund të jetë një vlerë shumë e vogël. Për shembull, nëse flasim për një pension 20.000 lekë dhe norma e rritjes ose indeksimit të pensionit, e cila ka hyrë në fuqi nga 1 tetori, ka qenë 2.5%, do të thotë që për çdo qytetar me një pension 20.000 lekë ka pasur një rritje në vlerën 500 lekë. Nëse një qytetar vitin e vjetshëm ka pasur një pension 19.500 lekë, ky pension tashmë e tejkalon vlerën. Ndaj, do të kemi një ndryshim të numrit. Ne presim që nga ana e Ministrisë së Ekonomisë ta kemi këtë vlerë, sepse është institucioni lider në këtë fushë, ndërkohë që Instituti i Sigurimeve është nënvarësi i tij. Megjithatë, gjykoj që do të vijojmë të jemi me të njëjtat kritere shpërndarje, që do të jetë vlera e 20.000 lekë plus ose minus.
    -Por megjithatë, krahasuar me herët e tjera, shifra për këtë bonus fundviti është më e lartë?
    Është më e lartë në këtë rast. Presim të ruhet e njëjta skemë shpërndarje, por duke qenë se mund të kemi ndryshueshmëri, sepse kemi pensione të reja që kanë hyrë në skemë, unë gjykoj që do të vijojmë të jemi në të njëjtin nivel shifre. Ndryshimi do të jetë në numrin e pensionistëve, por jo në ndryshimin e vlerës. Nuk gjykoj se do të ketë një bonus më të lartë se 20.000 lekë (sesa është pensioni minimal), ose ndoshta edhe 15.000 mund të jetë tavani i vlerës që mund të shpërndahet. Nuk gjykoj që do të kemi një bonus pensioni nën një vlerë prej 10.000 lekë. Gjykoj që nga 10.000 deri në 20.000 lekë do të jetë bonusi i përcaktuar për këtë fundvit, duke marrë në konsideratë edhe rishikimin e vlerës së lartë që ka pasur buxheti i shtetit.
    –Që do të thotë që ata që duket se do të përfitojnë më shumë në këtë rast janë individët që kanë pension më të ulët, apo jo?
    Besoj se po. Nëse vijon të ruhet ky kriter, qëllimi i bonusit është për të ndihmuar, pavarësisht se kjo ndihmesë është në mënyrë të kufizuar, sepse është vetëm për një herë ose dy herë në vit (siç ka qenë në 2025). Qëllimi është për të ndihmuar ata individë të cilët kanë të ardhura më të ulëta. Duke qenë se ne në Shqipëri kemi një politikë indeksimi të njëjtë për të gjithë kategoritë e pensioneve, gjykoj që është një politikë e drejtë. Qëllimi i indeksimit është që të ruhet e njëjta fuqi blerëse/vlerësuese e pensionit që pensionisti ka marrë që në momentin e daljes. Indeksimi me përqindje të njëjtë pikërisht ruan këtë drejtësi, që të dy kategoritë ruajnë të njëjtën fuqi blerëse/vlerësuese. Nëse do të kemi një indeksim të pjesshëm, do të thotë që ke shkelur parimin e ruajtjes së fuqisë blerëse, sepse ai që do të jetë pensionist me të ardhura më të larta, do ta ulë fuqinë blerëse. Për këtë arsye, gjykojmë që ruajtja e të njëjtës rregull ose të njëjtës kriter të dhënies së bonusit, ku vlera e 20.000 lekë do të bëjë ndarjen, do të jetë edhe për këtë fundvit.
    -E qartë. Cilat gjykoni se janë avantazhet dhe disavantazhet e një skeme të diferencuar si kjo, në gjykimin tuaj si specialiste?
    Së pari, bonusi nuk është një detyrim ligjor. Qeveria nuk e ka detyrim ligjor që bonusin ajo duhet ta japë dhe në çfarë vlere duhet ta japë. Detyrimin ligjor qeveria e ka të bëjë indeksimin e pensioneve në një përqindje të barabartë, që do të jetë e barabartë me përqindjen e normës së inflacionit. Nuk është një përqindje që vendoset apriori, por merret për bazë norma e inflacionit. Për 2025-n, indeksimi ka qenë në vlerën 2.5%, ku norma bazë e inflacionit ka qenë 2.4%. Indeksimi i pensioneve prezumohet se do të bëhet në varësi të normës bazë të produkteve të shportës. Megjithatë, shohim që ky indeksim nuk është i mjaftueshëm për të përballuar kostot e jetesës, në varësi të të ardhurave që kanë qytetarët. Kemi rreth 500.000 qytetarë të cilët përfitojnë një pension në një vlerë prej 20.000 lekë, kështu që është një vlerë e pamjaftueshme. Mjafton të sjellim rastin e pensioneve familjare, që në zonat rurale është edhe në vlerën 2.000 lekë të reja (ose 20.000 lekë të vjetra) në muaj. Pensioni familjar që përfiton një fëmijë që nuk ka prindin është realisht jashtëzakonisht i ulët, pasi me 20€ në muaj nuk mund të kalohet as java. Së dyti, kur ka çifte pensionistë që e kanë një vlerë pensioni nën 30.000 LEKË të reja (ose nën 300 euro) në muaj, është shumë e vështirë që ata të përballojnë kostot e jetesës, sidomos në qytetet si Tirana dhe Durrësi. Respektimi i standardit për të ruajtur fuqinë vlerësuese, kur është përqindje e njëjtë në varësi të normës së inflacionit dhe rritjes së shportës, është i drejtë, por është i pamjaftueshëm për shkak të pensioneve të ulëta.
    -Në gjykimin tuaj, sa të rëndësishme janë këto shpërblime për pensionistët ose individët që kanë pension të ulët, krahasuar me një ngritje të përhershme të pensioneve?
    Ngritja e përhershme e pensioneve realisht është një çështje e cila trajtohet prej vitesh, por nuk është zhvilluar asnjëherë në Shqipëri. Kemi gati 32 vite që s’ka hyrë në fuqi skema e re e pensioneve. Me fillimin e skemës kontributive nga 1 tetori i vitit 1993, nuk ka pasur asnjëherë një rritje të pensioneve në Shqipëri. Ne kemi pasur pensione të ulëta që në ditën e parë që këto pensione u realizuan në këtë skemë të re dhe vijojmë ta kemi, pasi asnjëherë nuk janë parë pensionet si një çështje se si mund t’i rrisim ose si mund të shtojmë vlerën e tyre. Hera e parë që kemi pasur një rritje ose një indeksim të pensionit, duke filluar nga 2010, masa ka qenë 4% për tre vite me radhë. Më pas është bërë indeksimi i lidhur me normën e inflacionit. Duke vijuar të kemi pensione të ulëta, është shumë e vështirë që në një moment të vetëm të ketë një rritje pensioni në një vlerë, për shembull, që pensioni minimal të jetë 200€. Kemi rreth 500.000 pensionistë që marrin një pension nën 20.000 lekë. Nëse kjo rritje do të bëhej e menjëhershme, do të kërkonte një mbështetje shumë të madhe financiare. Kjo mbështetje do të duhej të bëhej nga buxheti i shtetit, sepse buxheti i Institutit të Sigurimeve nuk e mbulon dot. Nëse rritet në mënyrë shumë të fortë ky zë, shpenzimet publike do të zvogëlohen diku në një vend tjetër. Ndaj, në pamundësinë e rritjes reale të pensioneve, qeveria ka zgjedhur politikën e bonusit. Ajo do ta ofrojë një bonus vjetor, por mund të ofrojë edhe një bonus të dytë vjetor, siç ka ndodhur në pranverë (2024, dhe në 2022-n), në mënyrë që ta mbështesë këtë shtresë, edhe pse në mënyrë të përkohshme. Duke iu referuar deklaratave publike të drejtuesve, nuk është folur për rritje, por gjithmonë për mbështetje përmes politikës së bonuseve. Gjykoj që, të paktën në këtë katërvjeçar të ardhshëm, qeveria aktuale do të vijojë ta ketë politikën e bonusit. Politika e rritjes mund të ketë një rritje graduale, ndoshta pas një viti, por jo tani sepse nuk jemi në plan. Kjo është politika publike e zgjedhur nga qeveria për të mbështetur pensionistët, edhe pse është një mbështetje e përkohshme dhe jo e mjaftueshme, duke qenë se qytetarët kanë nevojë në mënyrë të përditshme dhe të përmuajshme, dhe jo një ose dy herë në vit.

  • Kur shpërndahet bonusi i pensioneve dhe pse do të jenë dy raunde, ekspertja zbulon detajet e fundit, sa para do…

    Kur shpërndahet bonusi i pensioneve dhe pse do të jenë dy raunde, ekspertja zbulon detajet e fundit, sa para do…

    Ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi, ka zbuluar se këtë fundvit pensionistët do të përfitojnë sërish dy raunde bonusesh, një praktikë që po përsëritet për të dytin vit radhazi. Sipas saj, vendimi është marrë pas krijimit të një sufiçiti buxhetor, që qeveria ka vendosur ta rialokojë drejt shtresave më në nevojë. Bonuset do të jenë të shtresëzuara, duke favorizuar ata pensionistë që marrin pension minimal ose të pjesshëm. Edhe pse shuma përfundimtare ende nuk është përcaktuar, Radonshiqi theksoi gjatë një interviste për “Top News”, se vlerat pritet të jenë të ngjashme me vitin e kaluar, pra mes 10.000 dhe 15.000 lekëve, në varësi të nivelit të pensionit. Ekspertja shtoi se ky dyfishim i bonusit lidhet edhe me rritjen e numrit të pensionistëve me të ardhura të ulëta për shkak të punësimit informal në të kaluarën. Megjithatë, ajo paralajmëroi se bonuset nuk mund të jenë zgjidhje afatgjatë, pasi skema aktuale e pensioneve është në deficit. Për Radonshiqin, qeveria duhet të fokusohet në rritjen e punësimit formal dhe uljen e emigracionit të të rinjve, në mënyrë që pensionet e ardhshme të jenë më të qëndrueshme dhe dinjitoze.
    -Po e nis diskutimin nga një rritje e buxhetit për bonusin e fundvitit për pensionistët. Kemi parë që prej fushatës së shkuar marrja e dy bonuseve të ndara përgjatë vitit. Çfarë do të presin pensionistët fundvit?
    Ishte e pritshme, pasi dhe ekspertët ekonomistë e kanë parashikuar që në indeksimin e 1 tetorit Një pjesë e mirë e ekspertëve të ekonomisë, sidomos ato që merren me çështjet e pensioneve, kanë hedhur hipotezën që ndoshta do të kemi një bonus njësoj si i vitit të kaluar. Kjo pasi ka një efekt më të madh psikologjik. Në fakt, rezultoi e vërtetë, pasi nëse ne e shohim, kemi një sufiçit të buxhetit dhe, do të doja të thoja, jo për herë të parë, sepse është radha e dytë, viti i dytë i cili shteti po i kushton shumë rëndësi mbrojtjes sociale. Kjo është normale, pasi vendi ynë gjithmonë ka qenë ndër të fundit vende të Europës dhe të BLekëkanit Perëndimor që i kushtonin rëndësi mbrojtjes sociale. Ato grupe vulnerabël, të cilët ishin në nevojë, nuk gjenin përkrahje dhe mbulim social të mjaftueshëm. Ndërkohë, ky është viti i dytë radhazi që qeveria, pasi del në sufiçit, do t’i rialokojë burimet, të ardhurat, aty tek ato shtresa, së pari tek ato shtresa që janë në nevojë. Normalisht, shtresat në nevojë janë pensionistët dhe të gjitha ato kategoritë e personave që kanë përfituar dhe vitin e kaluar. Marr mendjen që do të jenë përsëri në të njëjtën skemë. Përsëri shohim dhe këtu një bonus të shtresëzuar, që do të thotë që i kushtohet më shumë rëndësi atyre individëve, atyre pensionistëve të cilët marrin një pension të pjesshëm apo një pension minimal. Kjo është një gjë e mirë. Edhe pse ata që na dëgjojnë, që marrin një pension mbi mesataren apo mesatare, ndoshta ndjehen deri diku të diskriminuar dhe thonë: “Edhe ne kemi kontribuar po në të njëjtën mënyrë, e pse ne duhet të marrim një bonus disi më të ulët?”. Por mendoj që, duke qenë se niveli i varfërisë tek ato pensionistë që marrin pension minimal dhe të pjesshëm është shumë herë më i lartë, çdo gjë mund të justifikojë faktin që bonuset po shpërndahen në dy fasha. Nëse i referohemi vitit të kaluar, ata të cilët kanë përfituar rreth 15.000 LEKË kanë qenë pikërisht ato individë të cilët kishin një nivel pensioni më të ulët se 20.000 LEKË, dhe ata që kanë përfituar 10.000 LEKË apo 100.000 LEKË të vjetra kanë qenë pikërisht ajo shtresë që merr një pension më të lartë se 20.000 LEKË. Tashmë akoma nuk është vendosur kush do të jetë ai tavani, por unë mendoj që pothuajse do të jetë i njëjtë. Nëse i referohemi buxhetit të vitit të kaluar apo fondeve që do alokoheshin pikërisht për pensionistët, për bonuset, ka qenë shumë herë më e vogël se ç’është tashmë. Megjithatë, nuk dihet akoma se sa do të jetë shifra, se mund të jetë dhe po e njëjtë si viti i kaluar. Ky dyfishim apo trefishim mund të justifikohet me faktin që pjesa më e madhe e individëve të cilët kanë dalë në pension këtë vit kanë qenë ata individë të cilët kanë një pension të ulët apo të pjesshëm, për shkak dhe të punësimit informal në vitet e tyre të shkuara.
    -Ndërkohë, lidhur me atë që u diskutua gjatë fushatës, për një plan më afatgjatë se nuk mund të funksionojë gjithmonë me bonuse. Jemi ende larg një skeme të mirëfilltë dhe dinjitoze për të moshuarit?
    Unë mendoj që, për të qenë gjeneralist, mendoj që jemi larg dhe këtë e them me bindje. Për shkak se, nëse do të bëjmë llogaritë, së pari kemi nivele pensioni tepër të ulëta. Këtë gjë e dimë, por kemi dhe skemën e pensioneve në deficit. Tani, çështja është që, përveç faktit që e kemi në deficit, një pjesë e mirë e fondeve të buxhetit të shtetit shkon pikërisht për të mbajtur në këmbë këtë skemë pensionesh. Kush do ta rregullonte pikërisht këtë defiçit? Çfarë duhet të bëhet? Së pari, qeveria duhet të mendojë se si të rregullojë tregun e punës, sepse kemi një raport pothuajse një me një. Një kontribuues, një pjesëmarrës i tregut të punës, kontribuon për një pensionist. Ky është një raport i cili nuk e justifikon skemën e pensioneve. Atëherë duhet patjetër që të rrisim numrin e kontribuesve në tregun e punës, që do të thotë të jenë më shumë individë dhe të rritet numri i të punësuarve. Po si do të rritet numri i të punësuarve, ku pjesa më e madhe e të rinjve po shohin emigrimin si zgjidhje? Kjo prek pikërisht të rinjtë, sepse të rinjtë janë ai target grup që mund të konsiderohen si kontribuues afatgjatë. Si mund të presim që kjo skemë e pensioneve të rregullohet për një periudhë afatshkurtër kur kemi shumë profesionistë, siç mund të jenë mjekë, infermierë, pra të gjithë punonjësit e shëndetësisë, ndoshta dhe lektorë, inxhinierë, arkitektë e tjerë, që duan të emigrojnë në vendet e Bashkimit Europian? Sepse atje ka kërkesa për vende pune, ka dhe trajtim më dinjitoz të të punësuarve, në aspektin e pagës, por dhe të kualifikimeve. Të dyja palët, pra dhe të rinjtë, të cilët do të ishin kontribuues afatgjatë, por nga ana tjetër dhe profesionistët, të cilët i konsiderojmë në atë shtresën e mesme që sot po përballet me një kufij varfërie, dëshirojnë të emigrojnë. Pikërisht, edhe këto kanë dëmtuar skemën e pensioneve. Zgjidhja për të pasur një pension dinjitoz për të gjithë pensionistët, që me të drejtë, sepse në vitet e tyre ata kanë kontribuar dhe janë lodhur, dhe ne themi që Shqipëria është pranë rrugës europiane, por në të vërtetë janë dhe ata pensionistë të cilët e kanë dërguar këtë vend pranë rrugës europiane dhe meritojnë të kenë një pension dinjitoz- në të vërtetë, në këto kushte, ne po flasim për një pension normal, ndërkohë që ata nuk marrin asnjë pension normal. Duhet patjetër qeveria të reagojë dhe të reagojë me fushata ku të rregullojë tregun e punës, të luftojë evazionin fiskal dhe informalitetin. Çdo pensionist që sot po na ndjek do të thoshte që: “Mua nuk më intereson, unë dua të kem një pension i cili të më mundësojë minimalisht një jetesë normale”. Nëse unë do t’i referohem një studimi që kam bërë muajin e fundit, duke iu referuar mbrojtjes sociale dhe aspektit të kujdesit shëndetësor, pjesa më e madhe e pensionistëve, qoftë në qytet, por dhe në fshat, ku atje është dhe problemi më i madh, nuk marrin një kujdes shëndetësor cilësor. Edhe pse kemi një shëndetësi falas, përsëri lista e barnave të rimbursueshme nuk është aq e gjerë. Çështja është që shpeshherë detyrohen të shkojnë në spital.

  • Nis indeksimi i pensioneve, ekspertja: Ja çfarë përfitojnë mbi 753 mijë të moshuar

    Nis indeksimi i pensioneve, ekspertja: Ja çfarë përfitojnë mbi 753 mijë të moshuar

    Ekspertja e Ekonomisë, Teuta Nunaj në një intervistë televizive foli për indeksimin e pensioneve. Gjatë fjalës së saj, ajo shpjegoi pse sipas saj ky indeksim është i pamjaftueshëm. Ndërsa nënvizoi se rishikim është detyrim ligjor, por kostot e larta e bëjnë të pamjaftueshme sidomos për pensionistët.
    “Ky indeksim ka një ndikim shumë të vogël, jo vetëm për faktin e vlerës së ulët, por edhe për faktin se ne kemi bërë një indeksim pothuajse mbi bazën e normës bazë të inflacionit. Banka Qendrore ka deklaruar që norma bazë e inflacionit, që nënkuptohet një normë inflacioni mesatar ishte në nivelin 2.4 dhe 2.5 nuk i referohet, ajo çka është bërë në tre vitet e fundit (që i referohet normës së produkteve të shportës). Nga ana tjetër, sidomos pas periudhës së pandemisë, ka ndryshuar edhe gama, apo kostot e shpenzimit, pra edhe metodologjia që duhet përllogaritur, norma e inflacionit që duhet marrë përbazë për indeksimin e inflacionit, duhet të rishikohet.
    Nëse flasim që ky indeksim me këtë vlerë apo rezultat, a është i mjaftueshëm? Do të them që nuk është i mjaftueshëm. Ai amortizon disi këtë rritje të kostove, por jo në mënyrë të plotë. Por nëse do flasim nëse mjafton? Kjo sërish është një çështje tjetër…Pasi sa kohë kemi pensione në 20 mijë lekë indeksimet janë të pamjaftueshme për t’ju përgjigjur kostove të larta të jetesës që kanë qytetarët, sidomos pensionistët…”, tha ajo.

  • Sa do rriten pensionet?/ Eksperti zbulon shifrat, çfarë po ndodh me fondin e akorduar nga qeveria

    Sa do rriten pensionet?/ Eksperti zbulon shifrat, çfarë po ndodh me fondin e akorduar nga qeveria

    Eksperti i Ekonomisë, Ergis Sefa komentoi pensionet në vendin tonë, ku sipas kryeministrit Ramës pensioni minimal do të jetë 200 euro.
    Sefa tha se 200 euro janë në kuadrin e minimumit jetik, ndërkohë që duhet të ketë një reformism të skemës së pensioneve por edhe të trgeut të punës. Eksperti shtoi më tej se fondi i pensioneve është me qindra miliona euro minus, ndërkohë që këtë vit ka pasur një ulje me 400 milionë euro.
    “Me këtë pension minimal bëhet një minimum jetik. Nuk është e mjaftueshme jetesa në qytet, dhe në vende të tjera. 200 euro në Tiranë nuk është njësoj me 200 euro në Kukës. Impakti në buxhetin e shtetit do të jetë. Vazhdoj të them se nëse nuk kemi një reformim të skemës së pensioneve dhe tregut të punës, sepse pensionet janë problem dhe për ne në tregun e punës. Me këtë raport 1 me 1.17 jemi katastrofë. Sipas FMN duhet të jetë mbi 1 me 3, pra një person që kontribuon për 3. Në këtë fushë reforma në tregun e punës ka të bëjë me pagat më të larta padyshim do të sjellin një fond me të ardhura më të larta. Duhet të kemi një luftë ndaj informalitetit, të rritet produktiviteti dhe të fokusohemi psh. tek turizmi elitar, edhe pagat do të rriten. Me rritjen e pagave, rriten kontributet.
    Me këto pensione që kemi, këtë vit kemi një ulje 400 milionë euro sipas planifikimit të buxhetit. Këto duhet t’i kompesojmë, dnërkohë që mund të përdoren për diçka tjetër. Për shëndetësi, që i shërben dhe pensionistëve. Mund të investohet në forma të tjera, ndërkohë që duhet t’i çojmë për kompesim. Fondin e pensioneve e kemi me qindra miliona euro minus.”, tha Sefa.

  • CEO I SIGAL INVEST: NEVOJITET ARKITEKTURË E RE PENSIONESH

    CEO I SIGAL INVEST: NEVOJITET ARKITEKTURË E RE PENSIONESH

    CEO I SIGAL INVEST: NEVOJITET ARKITEKTURË E RE PENSIONESH

    Shqipëria sot ka 720 mijë pensionistë dhe më pak se 800 mijë kontribues aktivë.

    Në afat të gjatë ky sistem pensionesh mund të konsiderohet i paqëndrueshëm dhe ekspertë të ndryshëm kanë filluar të ngrenë zërin për nevojën emergjente të ndërhyrjes.

    CEO i SIGAL Invest, z. Elvis Ponari, në një prononcim për Top News, thekson nevojën urgjente për të ndërtuar “një arkitekturë të re të pensioneve” në Shqipëri.

    “Është koha që të mos flasim më vetëm për indeksime për pensionet, është koha që të bëjmë një bashkëpunim midis pensionit publik, pensionit privat dhe të krijojmë një arkitekturë moderne, siç e ka Evropa, në mënyrë që pensionistët shqiptarë, punonjësit shqiptarë, ata që paguajnë dhe kontribuojnë sot në skemën shqiptare, kur të dalin në pension të kenë të siguruar një pension pak më të lartë se sa pensionistët e vjetër”, tha për Top News z. Ponari.

    Në Shqipëri, emigracioni me norma të larta është një tjetër problem, pasi po e ngushton normën kontribuese.

    Ekspertët thonë se brezat e rinj do të përballen me pensione më të ulëta nëse mbështeten vetëm te shtylla shtetërore e pensioneve. Por si zgjidhet? Si mund të kenë shqiptarët që sot po kontribuojnë, pensione më të larta dhe më të qëndrueshme?

    Z. Ponari e vë edhe një herë theksin te nevoja që shteti dhe operatorët privatë të thellojnë bashkëpunimin për reformimin e sistemit të pensioneve.

    “Nëse duam tani pensione më të larta dhe më të qëndrueshme, pra siç e ka Evropa, siç e ka Maqedonia, duhet patjetër që shteti së bashku me privatin të bashkëpunojnë dhe të nxisin më shumë reformat për pensione, në mënyrë që individi ta marrë në dorën e vet kursimin për pension, sepse pensioni publik asnjëherë nuk është i mjaftueshëm”, theksoi CEO i Sigal Invest.

    Z. Ponari sjell edhe një panoramë të qartë të pensioneve private sot në tregun shqiptar:

  • Jorida Tabaku: Skema e pensioneve është kthyer në piramidale, qeveria ka dështuar

    Jorida Tabaku: Skema e pensioneve është kthyer në piramidale, qeveria ka dështuar

    Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur dje shqetësimin për situatën e pensionistëve në Shqipëri, duke e cilësuar skemën aktuale të pensioneve si “piramidale” dhe të dështuar. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku thekson se tetori është muaji i pensionistëve, por për 750 mijë qytetarë që jetojnë me pensione të ulëta, ky muaj nuk sjell asnjë përmirësim real. “Sot, një e treta e popullsisë shqiptare është në moshë pensioni, numri më i lartë në gjithë historinë e tranzicionit,” u shpreh Tabaku. Ajo theksoi se rritja simbolike e pensioneve me vetëm 500 lekë në muaj, ose 15 lekë në ditë, është një tallje me dinjitetin e të moshuarve: “Ç’mund të bëjë një pensionist me 15 lekë në ditë? As kafen e ditës nuk e paguan dot.
    ” Deputetja demokrate shtoi se, ndonëse qeveria e justifikon këtë me indeksimin sipas inflacionit, realiteti është se çmimet e shportës ushqimore janë rritur deri në 30%, duke lënë pensionistët në mëshirën e varfërisë. “Sa herë që ka nevojë për votën e tyre, qeveria u jep një bonus. Por sa herë që duhet t’u rritë pensionet, dështon,” deklaroi Tabaku. Ajo paralajmëroi se kjo situatë po e çon Shqipërinë drejt një krize demografike të thellë, ku popullsia plaket dhe të rinjtë largohen, ndërsa shteti dështojnë të garantojë siguri ekonomike për brezat në moshë të tretë. Në fund të mesazhit të saj, Tabaku kërkoi ndryshimin e modelit ekonomik dhe të sistemit të pensioneve: “Këtë sistem duhet ta ndryshojmë. Këtë model ekonomik duhet ta ndryshojmë”.