Tag: pensionet

  • Pensionet, shqetësimi kryesor i shqiptarëve: Të kënaqur me ekonominë, por të pasigurt financiarisht

    Pensionet, shqetësimi kryesor i shqiptarëve: Të kënaqur me ekonominë, por të pasigurt financiarisht

    Në të gjithë rajonin, shqiptarët janë më të kënaqurit me ekonominë e tyre. Sipas një raporti të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), gati 31% e shqiptarëve të pyetur shprehen se janë shumë të kënaqur, ndjekur nga Kosova me 29%, ndërsa serbët dhe boshnjakët kanë nivelin më të ulët të kënaqësisë ndaj ekonomisë së tyre.
    Pas një rritjeje të ndjeshme të pakënaqësisë në vitin 2022, numri i qytetarëve të pakënaqur me ekonominë rezulton të ketë rënë në 44.7% nga 58% që ishte më parë.
    Në 2025, shqetësimet më të mëdha në të gjithë Ballkanin Perëndimor lidhen me kushtet ekonomike, duke nisur në radhë të parë me koston e lartë të jetesës dhe inflacionin, pasuar nga shqetësimet mbi pagat, pensionet dhe nivelet e taksave, të cilat ushtrojnë presion mbi të ardhurat e familjeve.
    Në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, këto shqetësime janë shumë të theksuara. Shqetësimi më i madh për shqiptarët raportohet të jenë pensionet, ndërsa për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, inflacioni dhe kostoja e jetesës mbeten problemet kryesore.
    Megjithëse mund të duket kontradiktore me faktin se shprehemi më të kënaqurit me ekonominë, Shqipëria raporton edhe nivelin më të lartë të pasigurisë financiare në vitin 2025, me 54.5% të shqiptarëve të pyetur që deklarojnë se nuk mund ta mbulojnë një shpenzim të papritur prej afërsisht 1000€ pa marrë hua ose pa u mbështetur te të tjerët, një rritje e lehtë nga 53.3% që ishte në vitin 2024. Edhe Maqedonia e Veriut tregon një nivel të ngjashëm, me gati gjysmën e qytetarëve të paaftë për të menaxhuar një kosto të tillë emergjente në vitin 2025.
    Po ashtu, shqiptarët nuk janë në gjendje të shpenzojnë para për veten e tyre çdo javë, me 40.5% e të anketuarve, shkalla më e lartë në rajon. Nga ana tjetër, Shqipëria raportoi edhe me numrin më të lartë të njerëzve që deklaruan se nuk kishin mundësi të dilnin me miqtë ose familjen çdo muaj.

  • Buxheti 2026, Rama: Dëgjesat publike shërbyen për të prezantuar detajet për rritjen e pagave dhe pensioneve

    Buxheti 2026, Rama: Dëgjesat publike shërbyen për të prezantuar detajet për rritjen e pagave dhe pensioneve

    Edi Rama

    TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka folur për buxhetin 2026 në podcastin e tij “Flasim”. Në fjalën e tij ai ka theksuar se pensionet, pagat dhe investimet publike do të njohin një rritje historike gjatë vitit të ardhshëm. Rama tha se dëgjesat publike të kësaj jave kanë shërbyer për t’i prezantuar qytetarëve në detaje projektbuxhetin e ri.
    Kryeministri vendosi theksin tek të ardhurat, të cilat sipas tij përfshin jo vetëm pagat dhe pensionet, por edhe investimet publike, të cilat vitin e ardhshëm pritet të shënojnë një tjetër rekord. Ai u ndal edhe te mbështetja sociale, duke theksuar se ndihma për pensionistët dhe kategoritë më në nevojë do të vijojë të rritet.
    “Edhe gjatë kësaj jave, kemi qenë në dispozicion të qytetarëve, me parashtresat në detaje, përmes dëgjesave publike, të buxhetit të vitit që është në prag, një vit, që hyn me këmbë të mbarë për shqiptarët sa i përket të ardhurave në radhë të parë, në paga e pensione, por edhe sa i përket investimeve publike, që do të shënojnë përsëri, të gjitha këto së bashku, një rritje historike. Tanimë, Shqipëria është në një nivel tjetër. Ky është një fakt që do të bëhet çdo vit dhe më i prekshëm në jetën e përditshme të njerëzve tanë, të atyre që jetojnë me punë, qoftë në sektorin publik, qoftë në atë privat, në jetën e përditshme të pensionistëve, gjyshërve dhe gjysheve tona, në jetën e përditshme të atyre më në nevojë, për të cilët mbështetja, mbrojtja sociale, vjen duke u rritur.”- tha Rama.
    Prej disa javësh Rama ka nisur takime në njësitë e Tiranës së bashku me Ogerta Manastrilun e cila aktualisht është drejtuesja politike e qarkut Tiranë. Në takimet e zhvilluara me qytetarët fokusi ka qenë tek buxheti, kryesisht tek pagat, pensionet dhe ndihmat sociale për familjet në nevojë./ZËRI

  • Buxheti 2026, Rama: Dëgjesta publike shërbyen për të prezantuar detajet për rritjen e pagave dhe pensioneve

    Buxheti 2026, Rama: Dëgjesta publike shërbyen për të prezantuar detajet për rritjen e pagave dhe pensioneve

    Edi Rama

    TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka folur për buxhetin 2026 në podcastin e tij “Flasim”. Në fjalën e tij ai ka theksuar se pensionet, pagat dhe investimet publike do të njohin një rritje historike gjatë vitit të ardhshëm. Rama tha se dëgjesat publike të kësaj jave kanë shërbyer për t’i prezantuar qytetarëve në detaje projektbuxhetin e ri.
    Kryeministri vendosi theksin tek të ardhurat, të cilat sipas tij përfshin jo vetëm pagat dhe pensionet, por edhe investimet publike, të cilat vitin e ardhshëm pritet të shënojnë një tjetër rekord. Ai u ndal edhe te mbështetja sociale, duke theksuar se ndihma për pensionistët dhe kategoritë më në nevojë do të vijojë të rritet.
    “Edhe gjatë kësaj jave, kemi qenë në dispozicion të qytetarëve, me parashtresat në detaje, përmes dëgjesave publike, të buxhetit të vitit që është në prag, një vit, që hyn me këmbë të mbarë për shqiptarët sa i përket të ardhurave në radhë të parë, në paga e pensione, por edhe sa i përket investimeve publike, që do të shënojnë përsëri, të gjitha këto së bashku, një rritje historike. Tanimë, Shqipëria është në një nivel tjetër. Ky është një fakt që do të bëhet çdo vit dhe më i prekshëm në jetën e përditshme të njerëzve tanë, të atyre që jetojnë me punë, qoftë në sektorin publik, qoftë në atë privat, në jetën e përditshme të pensionistëve, gjyshërve dhe gjysheve tona, në jetën e përditshme të atyre më në nevojë, për të cilët mbështetja, mbrojtja sociale, vjen duke u rritur.”- tha Rama.
    Prej disa javësh Rama ka nisur takime në njësitë e Tiranës së bashku me Ogerta Manastrilun e cila aktualisht është drejtuesja politike e qarkut Tiranë. Në takimet e zhvilluara me qytetarët fokusi ka qenë tek buxheti, kryesisht tek pagat, pensionet dhe ndihmat sociale për familjet në nevojë./ZËRI

  • Nis sot shpërndarja e bonusit të fundvitit për pensionistët, sa përfitojnë secila kategori

    Nis sot shpërndarja e bonusit të fundvitit për pensionistët, sa përfitojnë secila kategori

    FOTO ILUSTRUESE

    TIRANË- Nga sot, 1 dhjetor, pensionistët do të mund të tërheqin bonusin e fundvitit. Edhe pse është ditë pushimi zyrtar, zyrat e postës do të jenë të hapura në mënyrë që pensionistët mund të tërheqin shpërblimet. Rreth 750 mijë pensionistë në të gjithë vendin mund të tërheqin bonusin e fundvitit pranë pikave të postës gjatë gjithë muajit dhjetor, ndërsa për ata që e kanë të pamundur gjatë kësaj periudhe, afati për tërheqje është deri më 30 qershor 2026.
    Siç u bë me dije edhe me miratimin e Këshillit të Ministrave, bonusi prej 15,000 lekësh shkon për pensionistët me pension deri në 20,000 lekë dhe disa kategori të tjera përfituesish, përfshirë pensionet e pleqërisë, invaliditetit, pensionet familjare, pensionet sociale, si dhe personat që trajtohen vetëm me përfitime të veçanta financiare sipas legjislacionit në fuqi.
    Bonusi prej 10,000 lekë shkon për pensionistët me pension mbi 20,000 lekë dhe përfitues të trajtimeve të veçanta, pëfshirë pensionet e pleqërisë, trajtimet e veçanta financiare sipas ligjeve specifike, pensionet suplementare për funksione kushtetuese dhe përfituesit e pensioneve të vështirësisë së profesionit me masë mbi 20 000 lekë.

    Qeveria ka parashikuar që prej muajit janar 2026, do të ketë rritje mujore për pensionet. Rritja do të dyfishohet në janar 2027, do të trefishohet në janar 2028, do të katërfishohet në janar 2029, e do të pesëfishohet në janar 2030. Jo vetëm pensionet, rritje do të ketë edhe për pagën minimale deri në 500 euro, si në sektorin publik edhe në privat./ZËRI

  • Pensionet rrezikojnë qeverinë gjermane, Merz shpreson të shmangë krizën me premtimin për një reformë

    Pensionet rrezikojnë qeverinë gjermane, Merz shpreson të shmangë krizën me premtimin për një reformë

    Kancelari gjerman Friedrich Merz ka deklaruar këtë të premte, më 28 nëntor, se koalicioni i tij ka rënë dakord të kryejë një reformë të plotë të pensioneve vitin e ardhshëm, një lëvizje që ka për qëllim të adresojë shqetësimet mbi një projektligj të përkohshëm për pensionet që kishte kërcënuar të destabilizonte qeverinë e tij.
    Forumi rinor i konservatorëve të Merz-it kishte deklaruar se nuk do ta mbështeste projektligjin e ri, i cili synon të ruajë nivelet aktuale të pensioneve në raport me të ardhurat, duke inkurajuar njerëzit të punojnë më gjatë, pasi kjo do t’i linte gjermanët e rinj të mbartnin kostot.
    Vetoja e tyre ndaj një prej kompromiseve kryesore të konservatorëve me partnerin e koalicionit, Social Demokratët (SPD), mund të bllokonte miratimin e tij në parlament, duke shkaktuar një krizë besimi në qeveri vetëm gjashtë muaj pas marrjes së pushtetit.
    Koalicioni i Merz-it ka një shumicë prej 12 votash në parlament, gjë që e bën të ndjeshëm ndaj dezertimeve. Të rinjtë konservatorë mbajnë 18 vota.
    Merz pret që projektligji të miratohet javën e ardhshme
    Megjithatë, kancelari gjerman tha se ishte i bindur që parlamenti do ta miratonte projektligjin javën e ardhshme, duke qenë se ai do të shoqërohej me një rezolutë që njeh nevojën për një reformë më të thellë vitin e ardhshëm, siç u ra dakord nga liderët e koalicionit gjatë takimit të tyre të përmuajshëm që u zhvillua të enjten.
    “Pres miratim,” tha Merz, i cili foli me të rinjtë konservatorë më herët të premten, edhe pse ata nuk kishin premtuar se do ta mbështesnin projektligjin e tij.
    Konservatorët e Merz-it dhe SPD-së premtuan të siguronin më shumë stabilitet kur formuan “martesën e interesit” pas kolapsit të koalicionit të mëparshëm trepalësh të udhëhequr nga socialdemokrati Olaf Scholz.
    Por koalicioni i Merz-it është përballur me tensione që nga dita e parë, kur ai u bë kancelari i parë gjerman që dështoi të zgjidhej në raundin e parë të votimit.
    Ndërsa liderët e koalicionit kanë një marrëdhënie të mirë pune, ata po luftojnë për të mbajtur ligjvënësit e tyre nën kontroll. Shumë veta brenda bllokut konservator të Merz-it janë të zhgënjyer nga shkalla e kompromisit të nevojshëm, kur fushata e tyre kishte premtuar ndryshim radikal.
    Disa analistë politikë thonë se Merz, i cili nuk kishte mbajtur kurrë një post qeveritar më parë, është fajtor për sjelljen si një drejtor ekzekutiv, në vend që të punonte fort për të fituar mbështetjen e fraksioneve të ndryshme brenda koalicionit të tij.
    Megjithatë, pensionet dhe drejtësia ndërbreznore po kthehen në pika kyçe politike në mbarë Europën, teksa popullsitë plaken dhe financat publike ngushtohen.
    Franca, për shembull, është detyruar të pezullojë një reformë të rëndësishme të pensioneve deri pas zgjedhjeve të vitit 2027, duke sakrifikuar një nga arritjet kryesore të presidentit Emmanuel Macron për të siguruar mbijetesën e qeverisë.

  • Çfarë po ndodh me pensionet, eksperti zbardh të vërtetën e hidhur dhe akuzon qeverinë për shifra që fshehin krizën…

    Çfarë po ndodh me pensionet, eksperti zbardh të vërtetën e hidhur dhe akuzon qeverinë për shifra që fshehin krizën…

    Eksperti i ekonomisë dhe sigurimeve shoqërore, Kujtim Hoxha deklaroi se përmirësimet e pensioneve që ka deklaruar kryeministri Edi Rama nuk përmirësojnë jetën e qytetarëve dhe janë në kuadrin e propagandës. Teksa ishte i ftuar në një studiot televizive këtë fundjavë, ai vuri në dukje se vendet e rajonit japin mbi 10 për qind të PBB-së për pensionet, ndërkohë që Shqipëria vetëm 7,4 për qind. Sipas Hoxhës, qeveria duhet të nxjerrë minimumin jetik, që do të ndikojë mandej në rritjen e pensioneve. “Nga deklarimet që ka bërë kryeministri, ai deklaroi se në 2026-ën do ketë përmirësim të të ardhurave nga pensionet, dhe këtë e ka ndarë me fasha. Është parashikuar të ketë një vazhdimësi për të përfituar pensione në një kuotë fikse, duke filluar nga janari e në vazhdim. 600 lekë në muaj për invalidët, 72 mijë lekë të vjetra në vit, ndërkohë që pensionet familjare do jenë me 700 lekë, ose 84 mijë lekë të vjetra.
    Pensionet urbane të plota do jenë 18 mijë lekë të vjetra në muaj, ndërkohë që pensionet e tjera urbane 1 mijë lekë të rinj. Përpjekjet për ndryshimin e skemës e shoh jo vetëm me skepticizëm. Janë shumë herë më të larta pensionet e vendeve përreth se sa ne. Duhet të gjejmë shkaqet pse jemi në fund të vendeve ballkanike. Ndryshimet sipas fashave nuk zgjidhin gjë, përmirësojnë diçka, por s’i ndalin nga mjerimi. Pyetja shtrohet: Nëse me këto të ardhura që ka skema e sigurimeve shoqërore mbështet minimalisht interesat e qytetarëve ose jo. Ne jemi vendi i fundit në Ballkan, në përqindje, duke e krahasuar me PBB-në. Ne zëmë 7,4 ca për qind, ndërsa vendet e tjera në Ballkan e kanë mbi 10 për qind. Këtë duhet të bëjmë. Si do vazhdojmë për ta nxjerrë skemën e sigurimeve shoqërore nga gjendja. S’bëhet fjalë për të ndarë diçka, por për ta nxjerrë nga gjendja. Atyre që kanë pension 100 euro s’u ndryshon asgjë 600 lekë më shumë. Paga minimale në 2026 do bëhet 500 euro. Nëse nuk shoqërohet me produktivitet do kalojmë në inflacion më të rëndë dhe biznesi do ketë barrë të papërballueshme. Këto shkojnë paralelisht, si rritja e pensioneve dhe e pagave. Kjo është më tepër propagandë, për të tërhequr vëmendjen e qytetarëve, hedhin ndonjë shashkë. A është në gjendje kryeministri të nxjerrë minimumin jetik? Kjo është zgjidhje”, deklaroi ai.
    Pse pensioni mesatar nuk shkon 400 euro brenda mandatit?
    Ndërkohë disa ditë më parë, specialisti për sigurimet shoqërore, Kujtim Hoxha komentoi edhe deklaratën e kryeministrit Edi Rama se 1.7 miliardë euro gjatë këtij mandati qeverisës do të shkojnë për rritjen e pensioneve, e cilëson si demagogji. Ai deklaroi se pensionet janë mizerabël dhe se pavarësisht deklarimeve me llogaritje, nuk arrihet që brenda mandatit qeverisës pensioni mesatar të shkojë 400 euro. “Sot përfitojnë pension pleqërie 725 mijë qytetarë, nga të cilët 537 mijë qytetarë marrin pension në 185 mijë lekë të vjetra, pjesa tjetër marrin pension mbi 200 mijë lekë. Këto janë shifrat e vetë qeverisë, janë mbi 120 mijë qytetarë që marrin pension nën 100 euro, pensione pleqërie, pensione familjare dhe invaliditeti. Kjo duhet të shqetësonte qeverinë dhe të ishte një kambanë alarmi, se pensionet janë mizerabël. Nuk mund të futemi në Europë pa plotësuar ca standarde. Pension mesatar 400 euro do të thotë që pensionet që janë mbi 200 euro, janë 190 mijë, atëherë pensioni mesatar krahasuar me këta 537 mijë nuk plotëson 400 euron, nuk shkon aq me shtimin 18 mijë lekë në vit.
    Ose Kryeministri është demagog, ose e bëri për të kaluar zgjedhjet e pjesshme. Me atë që ka ndërmend të bëjë dhe atë që pretendon Shqipërinë e viteve 2030 që thotë pensionet do të rriten deri 200 euro, sepse pas katër vitesh që do të lërë mandatin qeveria, i bie që qytetarët që sot marrin pension 40% e tyre të mos jenë më, sepse bëhet seleksionim natyror. I bie që 40% e këtyre qytetarëve të mos ekzistojnë. Çfarë ideje ka qytetari i parë i Shqipërisë, për të nxjerrë Shqipërinë nga kjo gjendje mjerane që është. E ka thënë publikisht që do i rrit pensionin në mënyrë të përmuajshme me 600 lekë çdo muaj. Do të thotë që vitin që vjen të përfitojë 7200 lekë të rinj për 2026.  Kjo është demagogji të merresh me shtresat e pambrojtura. Me këtë ndarje që i bie, Kryeministri ka thënë se rritja e pensionit për vitin 2026 do të jetë e përmuajshme, sipas kategorive 18 mijë lekë, 700 lekë dhe 600 lekë për pensionin e invaliditetit. Kjo pjesë 100 milionë që do të jepet në vit, do të jetë sa bonusi i fundvitit”, nënvizoi eksperti i ekonomisë dhe sigurimeve shoqërore, Kujtim Hoxha.

  • Balla i përgjigjet Tabakut: Gënjen pa tu dridhur qerpiku, sot miratojmë rritjen më të madhe të pensioneve në histori

    Balla i përgjigjet Tabakut: Gënjen pa tu dridhur qerpiku, sot miratojmë rritjen më të madhe të pensioneve në histori

    Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla i është përgjigjur deputetes demokrate Jorida Tabaku e cila në Kuvend gjatë seancës parlamentare të sotme tha se 55% e familjave shqiptare nuk mbyllin dot muajin dhe akuzoi qeverinë se refuzon të ngrejë pensionet për pensionistët.
    Balla e quajti Tabakun gënjeshtare dhe theksoi se sot do të miratohet rritja më e madhe në histori për pensionet.Lexo edhe :Related Posts
    Balla: Të gënjesh pa tu dridhur buza dhe qerpiku është kurajo e madhe. Në konferencën e kryetarëve ua kemi thënë shumë qartë se kërkesa juaj e merr përgjigjen pas kësaj pike të rendit të ditës, kur qveria i paraqet popullit shqiptar buxhetin më të madh në historinë e vendit, 8.9 mld euro, nga të cilat 14.7 mld euro janë vetëm për politika sociale.

    Ata që na ndjekin e kuptojnë që kjo është një strategji, një garë mes jush se kush mbledh ca firma për të ardhur për të kërkuar një mocion me debat. Nuk gjej dot asnjë shpjegim tjetër se si përmes kësaj gare keni kërkuar mocione me debate më shumë se sa keni kërkuar në katër vite, a thua se nuk keni qenë ju. Sapo u tha “po na mohohet e drejta jonë për të bërë debat”. Kemi bërë 40 orë debat në dy muaj, nga të cilat 23 orë i keni harxhuar ju, 17 i kemi marrë ne bashkë me qeverinë. Nga ana jonë keni dakordësinë të miratojmë çdo kërkesë që vjen nëse është në përputhje me Kushtetutën, rregulloren. Nuk kemi asnjë minutë kohë për të humbur me ju. Gënjeu kolegia që tha “qeveri që refuzon të ngrejë pensionet”. Ne sot jemi këtu për të miratuar ngritjen më të madhe të pensioneve në historinë e këtij vendi.
    Për dy ditë, sot dhe nesër, Kuvendi do të zhvillojë një seancë parlamentare dyditore, ku në qendër të debateve do të jenë paketa fiskale dhe projektbuxheti i vitit 2026, dokumentet më të rëndësishme financiare të vitit.
    Seanca do të shqyrtojë ndryshimet ligjore që shoqërojnë buxhetin dhe “paqen fiskale”, që përfshin faljen e detyrimeve të prapambetura për qindra biznese.
    Pavarësisht rëndësisë së paketës, opozita ka kundërshtuar mënyrën e procedimit, duke deklaruar se dokumentet kanë mbërritur me vonesë dhe nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për një analizë të thelluar.
    Projektbuxheti i vitit 2026, me një vlerë prej 8.8 miliardë eurosh, shoqërohet nga tetë projektligje, të cilat kaluan në komisione me procedurë të përshpejtuar.
    Ligjvënësit do të diskutojnë në parim të gjitha projektligjet që përbëjnë paketën fiskale: nga ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore, TVSH-në dhe tatimin mbi të ardhurat, te shtesat në ligjin e taksave vendore dhe projektligji për faturimin dhe monitorimin e qarkullimit.
    Në rend dite janë gjithashtu marrëveshja e paqes fiskale, rivlerësimi i pasurive të paluajtshme dhe projektligji për fshirjen dhe shuarjen e detyrimeve tatimore dhe doganore.
    Në fund të seancave pritet të diskutohet edhe projektbuxheti 2026 në parim, çka pritet të ndezë debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës për prioritetet fiskale të vitit të ardhshëm.

  • Rama: Pensionistët do ta marrin bonusin e këtij fundviti para festave

    Rama: Pensionistët do ta marrin bonusin e këtij fundviti para festave

    Kryeministri Edi Rama thotë se të gjithë pensionistët do ta marrin bonusin e fundvitit para festave të dhjetorit. Rama shtoi se pensionet kanë edhe peshën më të madhe në buxhet dhe se rritja e tyre kërkon një punë të madhe dhe kohë.
    ”E kanë dëgjuar për një kohë jo të shkurtër nga unë, sesa e vështirë është për t’u rritur pensionet. Sepse duhet të ndryshojmë kushtet. Që të ndryshojmë kushtet duhet të rrisim ekonominë, të ndërmarrim reforma. Kjo në fund të ditës është një çështje mundësie, jo dëshire.

    Mirëpo është edhe kërkesa që ka peshën me të madhe në buxhet. Se disa i bien shkurt dhe thonë ‘ju rrisni pagat tuaja’, mirëpo sikur t’i marrësh të gjitha pagat e deputetëve dhe t’i çosh deputetët në shtëpi, prapë shumë e mbledhur është një pikë në oqean sa për të rritur pensionet për mbi 700 mijë pensionistë. Se kam dëgjuar edhe një muhabet tjetër, për bonusin e pensionistëve që nuk do të jepet këtë vit.

    Në radhë të parë, të gjithë pensionistët do të marrin ekzaktësisht bonusin që kanë marrë dhe që u është premtuar. Vjet e kanë marrë, iu është premtuar edhe këtë vit dhe do ta marrin para vitit të ri, sipas atyre dy fashave që i kemi sqaruar dhe që ju i dini më mirë se jeni me atë shkollën e aritmetikës dhe jo me Chat GTP”, tha mes të tjerash Rama.

  • Vendet europiane nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse të rrisin moshën e pensionit. Studimi tregon arsyen

    Vendet europiane nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse të rrisin moshën e pensionit. Studimi tregon arsyen

    Në fillim të tetorit 2025, me të ardhmen e tij politike në fije të perit, kryeministri francez Sébastien Lecornu, që kishte dhënë dorëheqjen dhe më pas ishte riemëruar, premtoi se do t’i pezullonte reformat e papëlqyera të pensioneve deri në vitin 2027, kur do të mbahen zgjedhjet presidenciale.

    Deputetët socialistë e shpallën këtë si fitore. Komuniteti i biznesit francez reagoi me shqetësim. Agjencia “S&P” uli vlerësimin e kreditit të Francës, duke përmendur shqetësimet buxhetore.

    Meqë Franca po shtyn sërish për dy vjet të tjera zbatimin e reformave të pashmangshme, dhe shumë vende europiane po përballen me krizat e tyre të pensioneve, ia vlen të shqyrtohet si mund të hartohen reforma të qëndrueshme, të drejta dhe politikisht të zbatueshme.

    Një nga veçoritë më të dukshme të debatit për reformën e pensioneve në Europë është se problemet e saj themelore kuptohen mirë dhe janë dokumentuar gjerësisht. Popullsia europiane po plaket. Norma e lindshmërisë po bie. Jetëgjatësia po rritet gjithnjë e më shumë. Ka gjithnjë e më pak njerëz që kontribuojnë për të financuar sistemet publike nga të cilat do të tërheqin para më shumë njerëz, për periudha më të gjata. Në të njëjtën kohë, përparimet teknologjike po ulin pjesën e të ardhurave nga puna në produktin e brendshëm bruto.

    Meqë shumica e sistemeve “pay-as-you-go” të Europës u krijuan në kushte demografike krejt të ndryshme, ato duhet të përshtaten me realitetin e sotëm. Këtë e pranojmë në fusha të tjera, si arsimi, ku rishikojmë zonat shkollore dhe kufizojmë ndërtimin e shkollave të reja për të reflektuar numrin më të ulët të fëmijëve në lagjet tona. Por çdo përmendje e rritjes së moshës së pensionit shoqërohet me mijëra protestues të zemëruar që mbushin rrugët e Parisit, Madridit apo Brukselit.

    Në Francë, është e rëndësishme të shihet reforma në kontekst: ajo synonte ta rriste moshën e pensionit me vetëm dy vjet, në 64. Danimarka, nga ana tjetër, e rishikon moshën e pensionit çdo pesë vjet në përputhje me jetëgjatësinë dhe ka miratuar ngritjen e saj në 70 deri në vitin 2040, nga 67 që është aktualisht.

    Reformat e pensioneve dështojnë vazhdimisht sepse politika mbizotëron mbi ekonominë. Ndryshimet demografike janë të parashikueshme, kostot e tyre janë të matshme, dhe mjetet e politikave për t’i adresuar ekzistojnë. Por reformat rrëzohen kur përplasen me interesat elektorale dhe me mungesën e besimit publik.

    Si kapërcehen këto probleme?

    Në vend që të përqendrohemi vetëm në një element, si mosha e pensionit, ne propozojmë një qasje shumëdimensionale që trajton si shpenzimet ashtu edhe kontributet, dhe që kompenson ata që preken fillimisht nga reformat. Shembulli ynë studimor ishte Spanja, por mësimet vlejnë për shumë vende europiane, përfshirë Francën.

    Rregullime automatike dhe kompensime unike

    Një pjesë e zgjidhjes është përfshirja e mekanizmave të rinj automatikë të rregullimit, pra, rregulla që përshtatin pensionet sipas ndryshimeve ekonomike dhe demografike. Këto mekanizma e bëjnë sistemin e pensioneve më të parashikueshëm dhe më të besueshëm, duke reduktuar nevojën për seri reformash të rastësishme që janë të mbushura me vështirësi politike.

    Ne gjithashtu propozojmë kompensimin e punëtorëve dhe pensionistëve që mbajnë barrën e uljes së pensioneve. Kjo do të bëhej përmes një transferimi njëherësh të aktiveve likuide nga qeveria te familjet.

    Anë e dobët e kësaj politike është se qeveritë do të duhet të financojnë këto pagesa, me shumë gjasë duke emetuar borxh publik të ri. Por, siç e kemi parë shumë herë, reformat që shtyhen përpara pa asnjë përpjekje për të kompensuar humbësit shpesh përmbysen më vonë. Votuesit më të moshuar, të cilët kanë sytë te pensioni, dhe janë gjithnjë e më të shumtë, do të bllokojnë çdo përpjekje për t’u prerë përfitimet nëse nuk kuptojnë se do të kompensohen për humbjet e tyre.

    Si ta bëjmë reformën e pensioneve të zbatueshme

    Që reformat e pensioneve të funksionojnë realisht, ato duhet të mbështeten mbi pesë shtylla:

    1. Të futet një faktor qëndrueshmërie që përshtat shumën fillestare të pensionit me jetëgjatësinë e brezit të punëtorëve që dalin në pension. Në praktikë, kjo do të thotë se ata që dalin më herët në pension do të marrin pension më të ulët, pasi pritet të marrin pagesa për më shumë vite. Kjo krijon një nxitje për punëtorët të zgjasin jetën e tyre aktive.

    2. Të vendoset një rregull automatik rregullimi që përditëson të drejtat dhe/ose pensionet për të garantuar qëndrueshmërinë financiare të sistemit. Aktualisht, shumë sisteme i përditësojnë pensionet sipas indeksit të çmimeve të konsumit, gjë që nuk është e qëndrueshme, sepse ul normën e zëvendësimit të pensionit (raportin mes pagës para pensionit dhe të ardhurave nga pensioni). Kjo është veçanërisht e vërtetë në një mjedis me rritje të ulët ose zero të produktivitetit të punës, siç është rasti i Spanjës.

    3. Të llogariten pensionet bazuar në kontributet e tërë jetës së punës, dhe jo vetëm në 25 vitet e fundit apo në një periudhë të kufizuar. Injorimi i viteve të para të punës zakonisht favorizon ata me të ardhura të larta dhe nënfinancon sistemin në tërësi.

    4. Të hiqen tavanet e kontributeve të sigurimeve shoqërore, por të mbahen pensionet maksimale, në mënyrë që ata me të ardhura më të larta të paguajnë më shumë në sistem pa marrë pensione më të mëdha në këmbim.

    5. Të ofrohet një kompensim unik për punëtorët dhe pensionistët që humbasin nga këto reforma. Këto kompensime mund të financohen përmes borxhit publik. Ky komponent kalimtar ndihmon në një tranzicion të drejtë dhe parandalon refuzimin shoqëror që shpesh çon në dështimin e reformave të pensioneve.

    Kur kombinohen, këto masa jo vetëm që përmirësojnë qëndrueshmërinë financiare të sistemeve të pensioneve duke ulur shpenzimet e ardhshme, por gjithashtu nxisin kursimet private dhe inkurajojnë jetë pune më të gjata. Nëse reformat shpallen shumë përpara zbatimit, kostoja e tranzicionit mund të jetë më e ulët, pasi familjet kanë më shumë kohë për të përshtatur konsumin, kursimet dhe zgjedhjet për pensionim.

    Kjo, megjithatë, nuk do të thotë se reformat e pensioneve do të jenë pa polemika. Nëse këto masa do të miratoheshin, qeveritë do të duhej t’i shpjegonin qartë dhe të parashikonin reagimin publik. Po ashtu, duhet të sqarojnë se pa reforma, rritjet e mëdha të taksave do të bëhen të pashmangshme.

    Alternativa, megjithatë, është edhe më e keqe. Sipas përllogaritjeve tona, Spanja do të duhej të rriste mesataren e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) me 9 pikë përqindjeje, nga 16% në 25%, për të mbledhur të ardhura të mjaftueshme që të mbajë sistemin aktual pa afat. Duke shtyrë vendimet e papëlqyera për pensionet, politikanët po përgatiten për rritje edhe më të papëlqyera taksash në të ardhmen. / The Conversation – Syri.net

  • Qeveria hap thesin për pensionistët! 1.7 miliardë euro deri në 2030, ministri tregon sa do të përfitojnë të moshuarit

    Qeveria hap thesin për pensionistët! 1.7 miliardë euro deri në 2030, ministri tregon sa do të përfitojnë të moshuarit

    Maratona parlamentare e prezantimit të projektbuxhetit të vitit 2026, ka startuar. Ministri i Financave Petrit Malaj po prezanton në Komisionin e Ekonomisë projektbuxhetin e vitit të ardhshëm që sipas tij ka si kryefjalë pensionet.
    “Vëmendja jonë dhe kryefjala e këtij projektbuxheti është padyshim rritja e mirëqenies sociale, duke vijuar më tej me nxitjen për modernizimin e infrastrukturës, përsosjen e sistemeve dixhitale, por edhe zhvillimin e kapitalit njerëzor përmes arsimit dhe punësimit cilësor. Themelore e buxhetit është pa diskutim reforma e pensioneve, që do të nisim në vitin e ardhshëm dhe do të shtrihet deri në vitin 2030. Të moshuarit, kjo kategori e nderuar, do të marrë mbështetje direkte financiare nga buxheti i shtetit”, tha Malaj.
    Ministri tha se prej janarit do të nisë dhënia e shtesës së pensionit.
    “Duke filluar nga janari 2026, përmes mbështetjes buxhetore, do të zbatojmë një kompensim të ardhurash për të gjithë pensionistët bazuar në kategorinë e pensionit që ata përftojnë aktualisht. Dhe më konkretisht, do të kemi rritje me 1800 lekë në muaj për pensionet urbane me vite të plota pune. Do të kemi rritje me 8000 lekë ose 800 lekë në muaj për pensionet urbane të pjesshëm. Do të kemi një rritje me 1000 lekë në muaj për pensionet rurale. Do të kemi një rritje me 700 lekë në muaj për pensionet familjare. Do të kemi një rritje me 600 lekë në muaj për pensionet e invaliditetit në publik”, tha Malaj.
    Sa i takon faturës për dhënien e bonusit mujor Malaj tha se deri në 2030-ën arrin në 1.7 miliardë euro.
    “Efekti financiar i parashikuar për këtë masë për vitin 2026 është parashikuar rreth 10.4 miliardë lekë, që do të mbulohet plotësisht nga buxheti i shtetit. Në fund të mandatit, efekti kumulativ për periudhën 2026-2030, llogaritet në rreth 1.7 miliardë euro për buxhetin e shtetit. Kjo ndërhyrje e parashikuar financiarisht në buxhetin e shtetit, nuk është një masë thjesht sociale, por një politikë strukturore që mbështetet mbi bazat e konsolidimit ekonomik, por edhe të të ardhurave të qëndrueshme buxhetore. Nëpërmjet saj, ne synojmë t’i kthejmë brezit të të moshuarve, vlerësimin dhe dinjitetin e merituar, por duke forcuar njëkohësisht edhe besueshmërinë në sistemin e pensioneve”, u shpreh Malaj.