pamje nga aksioni
TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish këtë të martë në lidhje me lirimin e hapësirave publike. Rama në rrjetin social Facebook ka ndarë disa foto nga çmontimi i një tende metalike në një prej trotuareve të Tiranës. Kreu i qeverisë shkruan se tani është koha për biznes pa penguar hapësirat e përbashkëta, teksa shpreh vlerësimin për ata biznesmen që po heqin vullnetarisht tendat e tyre nga trotuaret.
“Çuna, ka ardhur koha të tërhiqemi përtej kufirit të komunitetit dhe të jetojmë me biznesin, pa i penguar të tjerët të jetojnë në hapësirat e përbashkëta të komunitetit. Respekt për çmontimin”, shkruan Rama.
Aksioni i lirimit të hapësirave publike ka nisur pothuajse në të gjithë vendin me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Fenomeni “tokë e xanun”, sipas Ramës, nuk do të ekzistojnë më. Lidhur me këtë, ai ka bërë thirrje për të gjitha bizneset apo individët të cilët kanë zaptuar padrejtësisht hapësirat publike, t’i lirojnë menjëherë. Sakaq, kryeministri ka paralajmëruar se do të përballen me ligjin kushdo që e kundërshton aksionin./ZËRI






