Tag: penalizojeni

  • Dumani: Patronazhimi nuk është krim, penalizojeni me ligj këtu në Kuvend dhe më pas vepron SPAK

    Dumani: Patronazhimi nuk është krim, penalizojeni me ligj këtu në Kuvend dhe më pas vepron SPAK

    Kreu i SPAK-ut, Altin Dumani tha në Kuvend se Prokuroria e Posaçme ka ndërmarrë hapa hetues mbi vendimin e qeverisë për faljen e gjobave para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit dhe është konkluduar me mosfillim të procedimit penal.
    “Sa i takon çështjes së gjobave, është hetuar dhe është vendosur mosfillim i procedimit penal. Prokurori i çështjes e ka konkluduar me mosfillim procedimi penal. Nuk është ankimuar në gjykatë”,- tha Dumani.

    Akuzave të deputetit demokrat Flamur Noka për rrjetin e patronazhimit të Partisë Socialiste, Dumani iu përgjigj se përsa kohë nuk ekziston vepra penale e korrupsionit aktiv apo pasiv, nuk mund të ketë ndërhyrje të SPAK.

    “Sa i takon patronazhistëve, në momentin që patronazhisti evidentohet në rolin që ju përshkruani, që përfshin legalizim, shpërndarje parash apo regjistrim të pronës në hipotekë, këtu bëjmë fjalë për patronazhizëm, i cili përbën korrupsion aktiv apo pasiv në zgjedhje. Ne nuk kemi kod penal për patronazhizmin. Penalizojeni në Kuvend dhe më pas ne ndërhyjmë”,- tha Dumani.

    Për krimet zgjedhore, kreu i SPAK tha se është verifkuar çdo pretendim dhe kallëzim. Sipas Dumanit, SPAK ka kryer rolin e tij edhe në rastin e përplasjes së deputetëve Noka dhe Albana Vokshi, me atë që Partia Demokratike e quan “banda e Xhabaftëve”, në Vorë më 11 maj.
    “Prokurori i ngarkuar që mbulonte Tiranën ka marrë kontakt direkt, ka qartësuar situatën dhe kemi verifikuar se nuk ishte kompetencë e jonë. Ne kemi deputetin subjekt të posaçëm, jo dhunën që ushtrohet ndaj një deputeti. Ne kemi verifikuar prokurorinë e Tiranës dhe i kemi kërkuar verifikimeve të shpejta”,- tha Dumani.