Tag: pavarësisë

  • Festimi i 113-vjetorit të Pavarësisë në ambasadën tonë në SHBA, si duken sot diplomatët amerikanë që shërbyen në Shqipëri

    Festimi i 113-vjetorit të Pavarësisë në ambasadën tonë në SHBA, si duken sot diplomatët amerikanë që shërbyen në Shqipëri

    Festa e 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ka bërë bashkë në SHBA diplomatët amerikanë të cilët kanë shërbyer ndër vite në vendin tonë.

    Gjatë pritjes zyrtare për 28 Nëntorin nga Ambasada e Shqipërisë në Washingon, të pranishëm ishin anëtarë të trupit diplomatik, si dhe përfaqësues të Kongresit të SHBA-së, Departamentit të Shtetit, ushtarakë dhe zyrtarë të tjerë amerikanë.
    Në foton e ndarë nga ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Ervin Bushati, janë fotografuar ish-ambasadorët Marcie B. Ries, Marisa R. Lino, Yuri Kim dhe Alexander Arvizu.
    Bushati thekson “kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, në mbështetjen e rrugëtimit euroatlantik të Shqipërisë dhe në ndërtimin e një miqësie të veçantë mes dy popujve”.
    “Mirënjohje për ish-ambasadorët e USA në Shqipëri: Marcie B. Ries, Marisa R. Lino, Yuri Kim dhe Alexander Arvizu, për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në forcimin e marrëdhënieve tona dypalëshe, në mbështetjen e rrugëtimit euroatlantik të Shqipërisë dhe në ndërtimin e një miqësie të veçantë mes dy popujve tanë.
    Ishte kënaqësi e veçantë për mua t’i prisja në ceremoninë e 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, dhe t’u shprehja edhe një herë falenderime për gjithçka kanë bërë për vendin tonë.
    Prania e tyre, përkrah komunitetit shqiptar në Uashington, e pasuroi këtë moment të rëndësishëm dhe dëshmoi edhe një herë vazhdimësinë e miqësisë dhe partneritetit të qëndrueshëm mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”-shkruan Bishati.

    Top Channel

  • Brezi që po mbush Klosin me Kupa tek moshat, fitojnë edhe turneun e Pavarësisë

    Brezi që po mbush Klosin me Kupa tek moshat, fitojnë edhe turneun e Pavarësisë

    Nëse më parë mundësitë për të dalë si futbollist dhe për t’u formuar nga Shqipëria ishin shumë të pakta, vitet kanë ndryshuar dhe mundësitë po ashtu. Modeli i të gjithë lojtarëve të formuar në Shqipëri është padyshim Ernest Muçi, pa harruar edhe Myrto Uzunin, Ylber Ramadanin apo lojtarë të tjerë që kanë qarkulluar në vendin tonë përpara se të shkonin drejt kampionateve më të forta të Europës.
    Tani ka më shumë mundësi dhe nëpërmjet akademive, atje ku fëmijët mund të formohen në mënyrën e duhur që të jenë gati për të arritur drejt suksesit. Një brez të mirë po e rrisin edhe në qytetin e Klosit. Asnjëherë më parë nuk kishte ndodhur që një Kupë futbolli të shkonte në këtë qytet, por me brezin e tanishëm nga moshat e vogla, ka mbërritur dy herë. Ekipi i Af Klosit ka fituar gjithçka mundi në turneun Kupa e Pavarësisë, e zhvilluar në 28-29 nëntor.
    Af Klosi u shpall kampion , ndersa golashënuesi i kampionatit dhe lojtari më i mirë i turneut u shpall lojtari i tyre, Oresti Kadiu. Pra me iniciativat private dhe dëshirën për të bërë sukses, tashmë futbolli po shkon dhe merr fryte të madhe edhe në qytete që më parë nuk kanë qenë të dorës së parë në fitimin e trofeve. Përgëzimi në këtë rast i shkon padyshim edhe themeluesëve të kësaj akademie, Elton Dedolli, Izmir Gjini dhe Vilma Dedolli. Janë pikërisht këta njerëzit që po rrisin një brez ndryshe në Klos duke i rritur fëmijët shëndetshëm dhe mbi të gjitha, duke sjell suksese. /Sport Ekspres/

  • 81-vjetori i lindjes së Rugovës, Osmani: Trashëgimia e tij, testament për paqen, për shtetin sovran e të integruar

    81-vjetori i lindjes së Rugovës, Osmani: Trashëgimia e tij, testament për paqen, për shtetin sovran e të integruar

    Në 81-vjetorin e lindjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar veprën e tij, duke thënë se ai ishte udhërrëfyes drejt lirisë dhe pavarësisë.

    “I lindur 81 vjet më parë, arkitekti i pavarësisë, Presidenti historik dr. Ibrahim Rugova ishte zëri i arsyes dhe vendosmërisë në kohë të errëta, si dhe udhërrëfyes drejt lirisë dhe pavarësisë. Me urtësinë, kulturën politike dhe vizionin largpamës, Presidenti Rugova e ngriti çështjen e Kosovës në majat e diplomacisë botërore”.

    Osmani tha se ai “mbetet frymëzim i përhershëm, simbol i qëndresës dhe i ëndrrës së madhe për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe demokratike”.

    “Trashëgimia e Presidentit është testament për paqen, për shtetin sovran dhe të integruar në familjen euro-atlantike. Lavdi jetës, veprës dhe idealit të Presidentit historik!”.

    Rugova lindi më 2 dhjetor 1944 në Cercë të Istogut dhe vdiq më 21 janar 2006.

  • FOTOLAJM / Rruga në Nju-Jork merr emrin “Isa Boletini” me rastin e 113-vjetorit të Pavarësisë

    FOTOLAJM / Rruga në Nju-Jork merr emrin “Isa Boletini” me rastin e 113-vjetorit të Pavarësisë

    Prej ditës së diel, një rrugë në qytetin Nju-Jork në SHBA, mban emrin e shqiptarit të madh, Isa Boletini. Rruga e cila ndodhet në Staten Island është emëruar falë kontributit të komunitetit shqiptar të Nju-Jorkut për të lartësuar figurën e heroit kombëtar, një prej firmëtarëve dhe kontribuuesve kryesorë të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nga Perandoria Osmane.

    Lajmin e kishte konfirmuar edhe pasardhësi i Isa Boletinit, Gazmendi, i cili tha se rruga do të ishte përballë asaj të quajtur “Ismail Qemali”.

    I pranishëm në ceremoni ishte edhe kryetari i Mitrovicës, Faton Peci. “Ky moment shënon jo vetëm respektin ndaj një simboli të pathyeshëm të lirisë, por edhe lidhjen e fortë dhe të qëndrueshme ndërmjet popullit shqiptar dhe Shteteve të Bashkuara. Isa Boletini në Neë York është një mesazh i fuqishëm për brezat e rinj se liria dhe dinjiteti janë vlera që duhet mbrojtur çdo ditë”, tha ai.

  • Washingtoni i kujton Ramës kartelet e dr@gës në Ditën e Flamurit

    Washingtoni i kujton Ramës kartelet e dr@gës në Ditën e Flamurit

    Një “urim” për festën e pavarësisë që vjen si paralajmërim për qeverinë e Edi Ramës. I tillë është mesazhi i sekretarit amerikan të shtetit Marco Rubio për Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, një tekst që supozohet të ishte ceremonial dhe festiv, por që në fakt përmban një shqetësim të qartë sigurie.

    Në vend të frazave të zakonshme për miqësinë historike mes dy vendeve, Rubio ka zgjedhur të jetë i ashpër në formulimin se: “partneriteti ynë me forcat ligjzbatuese shqiptare i bën qytetarët tanë më të sigurt teksa ne përballemi me kërcënimet prej grupeve kriminale ndërkombëtare, karteleve të trafikut të drogës dhe atyre që bashkëpunojnë me to.” Që ky mesazh të shkruhet në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, tregon se Uashingtoni nuk ka më durimin të komunikojë me nënkuptime, por po thekson se prioritetet amerikane në raport me Shqipërinë kanë ndryshuar.
    Ajo që bie menjëherë në sy, është se në tekst shmanget përmendja e qeverisë shqiptare, (Teksti i plotë më poshtë) por theksohet bashkëpunimi është me agjencitë ligjzbatuese. Për më tepër, përmendja e “karteleve të trafikut të drogës” në ditën e një feste kombëtare është fare e pazakontë dhe e bën më të drejtpërdrejtë mesazhin.
    Tekste të këtij lloji në ditë festash zakonisht formulohen në një mënyrë formale, neutrale, të shkurtër dhe pa asnjë term që mund të ngrejë tension politik, por Rubio duket se e ka përmbysur këtë logjikë.
    Duke futur në mesazhin festiv termat “kërcënime”, “grupe kriminale ndërkombëtare” dhe “kartele të trafikut të drogës”, ai i çon Tiranës një sinjal të qartë diplomatik për rrezikun e karteleve. Një mënyrë për t’i thënë troç Shqipërisë se mbetet një aleate e NATO-s, por çështja e krimit të organizuar shqiptar në arenën ndërkombëtare nuk është më e negociueshme.

    Mesazhi i Rubios nuk vjen papritur. Gjashtë muaj më parë, SHBA dërgoi një tjetër paralajmërim të ngjashëm, këtë herë përmes Prokurores së Përgjithshme të SHBA, Pam Bondi. Gjatë vizitës së emisarit të saj Stephen Fields u përcollën publikisht të njëjtat shqetësime.

    Në njoftimin zyrtar të Ambasadës së SHBA në Tiranë thuhej se Fields kishte përcjellë “prioritetet e Prokurorit të Përgjithshëm të ShBA për të eliminuar kartelet, krimin e organizuar ndërkombëtar dhe emigracionin e paligjshëm”.Deklarata erdhi pas një momenti kur normalisht pritej një urim për zgjedhjet e 11 majit. Por në vend të përgëzimit për fituesit, Partinë Socialiste dhe Edi Ramën, Uashingtoni zgjodhi të theksojë rrezikun e karteleve dhe grupeve kriminale që operojnë në Shqipëri.
    Njësoj si mesazhi i Rubios, edhe ai i Bondit ishte i ngarkuar me fjalë që nuk janë zakonisht pjesë e komunikimeve diplomatike. Terma si “eliminimi i karteleve”, “krimi i organizuar ndërkombëtar”sollën në Shqipëri të njëjtin mesazh, që problemet e sigurisë dhe trafikut të drogës janë kryqëzuar me prioritetet e punës së Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA.

    I ftohtë dhe i shkurtër ishte edhe urimi që pasoi nga SHBA dy javë pas zgjedhjeve të 11 majit. “Urojmë popullin e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare dhe presim të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë.”
    Edhe atëherë ra në sy fakti që nuk përmendeshin askund fituesit, Edi Rama dhe Partia Socialiste, por vetëm “populli shqiptar” dhe “partneriteti me Shqipërinë” dhe asgjë mbi bashkëpunimn me qeverisjen.
    Nëse vendosen pranë njëra tjetrës, deklarata e Rubios për Ditën e Pavarësisë dhe e Bondit pas zgjedhjeve të japin një linjë të re mesazhesh të SHBA për vendin tonë.
    Më së pari bie në sy shpërfillja që i bëhet qeverisë së Edi Ramës, ndërsa vëmëndja për SHBA fokusohet tek shqetësimi se ka të bëjë me një partner problematik me krimin e organizuar, kartelet dhe trafikun e drogës.
    Gjithsesi, mesazhi që vinte nga Prokurorja e Përgjithshme Amerikane Pam Bondi, ishte më pak alarmues për shkak të funksionit të saj, por ky “urim-paralajmërim” nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Marko Rubio tingëllon më i fortë, më i drejtpërdrejtë dhe i zhveshur nga mirësjelljet diplomatike, një gjuhë që e ngre problemin mes dy vendeve në një nivel të ri.
    E sigurtë është se koha e diplomacisë së butë nga SHBA ka perënduar dhe bashkë me të, kanë ndalur edhe përkëdheljet e zakonshme që vinin nga Uashingtoni për Edi Ramën, të cilit për festa, nuk po i vijnë më urime, por paralajmërime./Lapsi.al

  • Në mes të Stambollit, shqiptarët festojnë 28 Nëntorin me flamuj e këngë patriotike (Video)

    Në mes të Stambollit, shqiptarët festojnë 28 Nëntorin me flamuj e këngë patriotike (Video)

    28 Nëntori, Dita e Pavarësisë, është festuar edhe në Turqi, në mes të Stambollit.
    Me flamurin kuqezi në duar dhe të shoqëruar nga këngë patriotike, dhjetëra pjesëtarë të komunitetit shqiptar kanë ‘vërshuar’ nëpër qytet për të festuar Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë.
    “E festuam me krenari 28 Nëntorin! Sot u mblodhëm sepse kjo ditë është simbol i rrënjëve tona, historisë sonë dhe lirisë sonë”, thuhet në njoftimin e shoqatave shqiptare në Turqi.

  • Edhe Kanadaja ‘vishet’ kuqezi, ngjyrat e flamurit tonë ‘mbështjellin’ Ujëvarën e Niagarës

    Edhe Kanadaja ‘vishet’ kuqezi, ngjyrat e flamurit tonë ‘mbështjellin’ Ujëvarën e Niagarës

    Dita e Pavarësisë është festuar në mbarë vendin tonë, e po ashtu edhe në çdo shtet ku shqiptarët jetojnë dhe punojnë.

    Përpos organizimeve të vetë shqiptarëve nëpër botë, shtete të ndryshme kanë uruar Shqipërinë në ditën e Pavarësisë, ndërsa disa prej tyre kanë zgjedhur që ngjyrat e flamurit tonë t’i ndezin në monumente apo vende më popullaritet.
    Kështu ka bërë edhe Kanadaja, ku në shenjë respekti ndaj Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, Ujëvara e Niagarës u vesh me ngjyrat kuq e zi.

    Top Channel