Tag: patronazhimi

  • Edhe Altin Dumani si Rama: Patronazhimi nuk është krim

    Edhe Altin Dumani si Rama: Patronazhimi nuk është krim

    Edhe Altin Dumani si Rama: Patronazhimi nuk është krim
    Vetëm dy vetë në Shqipëri flasin me të njëjtën gjuhë, Altin Dumani dhe Edi Rama, të dy nuk e quajnë krim përdorimin e administratës publike dhe burimeve shtetërore si krim.
    Gjë e evidentuar qartënë raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR, ku thuhet se partia në pushtet u bë njësh me shtetin, nënkuptohej pikërisht patronazhimi.
    Pse patronazhimi është krim, pavarësisht se nuk quhet i tillë në Kodin Penal
    Deklarata e kreut të SPAK, Altin Dumani, në Kuvend se “patronazhimi nuk është krim” ka ndezur debat të fortë. Sipas Dumanit, përderisa në Kodin Penal nuk ekziston një nen që ndalon qartësisht patronazhimin, SPAK nuk mund të ndërhyjë. Por përtej mungesës së një formulimi të drejtpërdrejtë në ligj, vetë thelbi i patronazhimit përbën shkelje të rëndë të të drejtave kushtetuese dhe parimeve themelore të zgjedhjeve të lira.
    1- Cenim i fshehtësisë dhe lirisë së votësKushtetuta e Republikës së Shqipërisë, neni 45, garanton që vota të jetë e lirë, e barabartë dhe e fshehtë. Regjistrimi i qytetarëve sipas përkatësisë politike, ndarja në lista patronazhimi dhe monitorimi i qëndrimeve të tyre zgjedhore përbën presion të drejtpërdrejtë mbi vullnetin e votuesve. Kur një punonjës i administratës, një mësues apo një mjek ndien se dikush “e di” se kujt partie ia jep votën, liria e tij është de facto e kufizuar.
    2- Shkelje e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave PersonaleLigji nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” ndalon shprehimisht përpunimin e të dhënave mbi bindjet politike pa pëlqimin e individit. Të dhënat e patronazhistëve – që përmbanin emra, adresa, kontakte dhe prirje politike – përbëjnë bazë të dhënash të paligjshme, të krijuara jashtë çdo autorizimi. Vetë publikimi i tyre në 2021 ishte një shkelje masive që, në çdo vend demokratik, do të sillte ndjekje penale.
    3- Përdorim i administratës për qëllime elektoraleKodi Zgjedhor ndalon qartësisht përdorimin e burimeve publike dhe të administratës në fushata zgjedhore (neni 91). Kur zyrtarë, drejtorë shkollash apo punonjës bashkie detyrohen të raportojnë mbi preferencat elektorale të qytetarëve, ky është abuzim me detyrën publike dhe mund të përfshihet nën nenin 248 të Kodit Penal për “shpërdorim detyre”.
    4- Formë e presionit politik dhe korrupsionit zgjedhorPatronazhimi është mekanizëm sistematik kontrolli dhe presioni mbi zgjedhësit. Në praktikë, ai shërben për të lidhur shërbimet publike, legalizimet apo vendet e punës me qëndrimin politik të qytetarit. Ky është korrupsion zgjedhor në formën më të pastër – blerje votash përmes frikës dhe avantazhit administrativ.
    5- Cenim i standardeve ndërkombëtare të zgjedhjeveOSBE/ODIHR në raportet e saj për Shqipërinë ka theksuar vazhdimisht se patronazhimi kompromenton integritetin e zgjedhjeve. Përdorimi i të dhënave personale dhe i rrjeteve të varësisë politike është në kundërshtim me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (neni 3, Protokolli 1) që garanton të drejtën për zgjedhje të lira.
    – KonkluzioniFakti që patronazhimi nuk është përmendur nominalisht në Kodin Penal, nuk e bën atë të ligjshëm. Ai përfshin elemente të qarta të cenimit të lirisë së votës, shpërdorimit të detyrës, përpunimit të paligjshëm të të dhënave dhe korrupsionit zgjedhor. Në thelb, patronazhimi është krim kundër demokracisë, që kërkon jo vetëm ndëshkim ligjor, por edhe ndërgjegjësim shoqëror dhe reformë të thellë zgjedhore.

  • ‘Patronazh–Sigurimi’: Kontrolli deri në shpi përmes Administratës Publike

    ‘Patronazh–Sigurimi’: Kontrolli deri në shpi përmes Administratës Publike

    Nga Andi Mustafaj/

    Patronazh-Sigurimi ose patronazhimi i shkrirë me administratën publike është një nga shtyllat më të fuqishme të regjimit të Edi Ramës, një mekanizëm kapilar kontrolli që futet deri në lagjen dhe shtëpinë e qytetarëve.

    Në çdo demokraci, partitë politike përpiqen të njohin zgjedhësit e tyre, të kuptojnë preferencat e tyre dhe t’i mobilizojnë në zgjedhje. Kjo është normale. Por në Shqipëri kemi një devijim të rrezikshëm: patronazhimi nuk bëhet nga strukturat partiake, por nga vetë administrata publike. Pra, nga punonjës që paguhen me taksat e qytetarëve për të shërbyer të gjithëve, jo për të shërbyer një partie.

    Kjo do të thotë se aparati shtetëror është shkrirë me partinë në pushtet dhe përdoret si mjet politik. Nepunësi i bashkisë, mësuesi, infermierja, punonjësi i tatimeve, përkrahë detyrës së tyre zyrtare (që shpesh as nuk e kryejnë) u kërkohet të patronazhojnë bashkëqytetarët e tyre duke përpiluar lista dhe duke ndikuar dhe trysnuar drejtpërdrejtë vendimet e tyre politike.  

    Një “Sigurim” në formë dhe qëllim i përshtatur me kohët moderne 

    Ky patronazhim nuk është vetëm një listë emrash. Ai është një sistem modern mbikëqyrje. Punonjësit e shtetit kanë në dorë të dhëna të ndjeshme: tatimet, pronat, ndihmat ekonomike, historikun shëndetësor. Këto të dhëna, në vend që të mbrohen nga ligji, përdoren për qëllime politike. 

    Është një ngjashmëri në formë dhe në qëllim me Sigurimin e Shtetit në komunizëm, por i maskuar si administratë moderne. Prandaj, emri i tij i saktë është Patronazh–Sigurimi dhe duhet thërritur si i tillë deri sa të imponohet në debatin publik.

    Frika që ky sistem injekton është e prekshme. Në çdo fshat e çdo lagje, njerëzit e dinë kush është “patronazhisti” i tyre, e dinë që ky person di për ta më shumë sesa duhet, dhe e dinë që kjo dije përdoret si armë politike. Në çdo fshat e lagje, patronazhimi qëndron mbi kokën e njerëzve si një hije e rëndë e cila zmadhohet sa herë afrohen zgjedhjet dhe intensifikohet puna e patronazhistëve.

    Karota (joshja) dhe shkopi (kërcënimi) si dy nivele të funksionimit të sistemit

    Joshja: Sa më shumë afrojnë zgjedhjet aq më shumë intensifikohet puna e patronazhistëve të cilët dalin plotësisht nga roli i tyre i nëpunësve publik për të veshur kapelën e “miku” socialist. Derë më derë, deri vonë natën i kemi parë me bllok në dorë të pyesin qytetarët shqiptarë se për çfarë kishin nevojë. Jo se nuk e bëjnë dot në periudha jo zgjedhore por sepse e din se kujtesa, sidomos për sa i përket veprimtarisë publike është e shkurtër dhe si e tillë “nderet” që në fakt duhet të jetë thjeshtë kryerja e detyrës duhet të bëhen sa më afër periudhës zgjedhore.

    Natën gjithashtu, derë më derë i kemi parë të shkojnë të dorëzojnë zarfe me para për të blerë qytetarët që fatkeqësisht për veten e tyre dhe për të gjithë ne, nuk e kuptojnë se sa e jetike është vota e tyre dhe se në fakt, duke u blerë ata tjetërsojnë të ardhmen e tyre. Një karot për një shkop mbi kokën e tyre.

    Joshja funksionon edhe duke u mbështetur tek funksionimi tribal shqiptar dhe vështirësitë ekonomike të familjeve. Në këto zgjedhje kemi parë një fenomen të veçantë. Patronazhistët zgjidhnin vetëm një (ndonjëherë dy) anëtarë të një familje dhe e punësonin në administratë, shpesh djalin apo kryefamiljarin e familjes duke detyruar kështu të gjithë familjen.

    Kërcënimi: nëse karota nuk funksionon, vjen kërcënimi. Nuk e di sa herë e kemi dëgjuar në terren fjalët: “të lutem se kam një familjarë në administratë”. Kërcënimet vijnë drejtpërdrejtë në telefonat e familjarëve nëpunës duke krijuar një rreth vicioz. 

    “Do t’i heqim kusheririn nga puna”, “do t’i ndërpresim ndihmën ekonomike”, “do të të kontrollojmë biznesin”. Presioni nuk ushtrohet vetëm mbi individin, por edhe mbi familjarët e tij. Një ripërdorim i qartë i mekanizmave të komunizmit, ku shtypja e një personi bëhej përmes frikës kolektive të gjithë familjes. Në këtë rreth vicioz edhe ata që nuk janë militant të Rilindjes socialiste detyrohen kundrejt saj duke u bërë objekt trysnie dhe kërcënimi për veten dhe familjarët e tyre.

    Fryrja artificiale e administratës

    Administrata publike në Shqipëri është fryrë në mënyrë të qëllimshme nga regjimi, jo për të ofruar më shumë shërbime, por për të pasur një ushtri njerëzish që i detyrohen partisë vendin e punës. Sidomos në prag zgjedhjesh, numri i kontratave të përkohshme rritet ndjeshëm, duke krijuar një rrjet njerëzish që me dëshirë ose të ndikuar bëjnë fushatë për partinë që u ka dhënë punë.

    Këta punonjës nuk janë vetëm votues të sigurt, ata janë patronazhistë aktivë. Ata shkojnë derë më derë, mbajnë lista, raportojnë tek eprorët politikë, dhe në ditën e zgjedhjeve dinë saktësisht kë duhet të çojnë në qendër votimi dhe kë duhet ta mbajnë nën vëzhgim. Ata e din me një saktësi kirurgjikale se sa votues kanë për çdo kuti.

    Kjo nuk është thjesht punësim, është blerje besnikërie me paratë e shtetit. Dhe kur i gjithë shteti është kthyer në një strukturë patronazhimi, barazia në garën politike zhduket.

    Shembulli i zgjedhjeve

    Rasti i famshëm i nje drejtoreshe të administratës publike në një zyrë të paligjshme apo publikimi i bazës së të dhënave të patronazhistëve (me qindra mijëra qytetarë të profilizuar politikisht fal një baze të dhënash të imtësishme që vetëm administrata publike mund të ndërtonte) nuk është thjesht një skandal etik dhe ligjor. Është prova shkencore e shkrirjes së shtetit me partinë. Dhe pavarësisht se skandali ishte i përmasave të mëdha, asnjë masë serioze nuk u mor, sepse ky sistem është vetë skeleti mbi të cilin qëndron pushteti.

    Partia në pushtet është shkrirë plotësisht me administratën, duke e kthyer atë në një ushtri të disiplinuar dhe tejet të rrezikshme për demokracinë.