Lideri socialist Edi Rama në turin e tij të radhës ishte në qarkun e Gjirokastrës. Në fjalën para simpatizantëve socialistë Rama komentoi sërish kontratën e lobimit të Partisë Demokratike.
“Aritmetika ka hyrë në një histori të panjohur, 7×7=42 habiteshim dhe qeshnim, po s’kishim parë asgjë, se u bë 7×7 =6 mln, me këtë kontratën e patriotëve, që befasisht 3 patriotë nga e njëjta familje u lindi në zemër të nxjerrin 6 mln që të mbrojnë Shqipërinë nga unë dhe nga ju dhe të tregojnë në Amerikë se sa e bukur është këneta. Është e habitshme se si pastaj, në kënete thuhet ca janë këto 6 mln, këto s’janë asgjë me çfarë ka bërë narko regjimi, çfarë ka bërë Rama me qeverinë, është fundi ky”, tha Rama.
Kreu i PS u ndal edhe tek investimet e kryera në Gjirokastër, falë të cilave një vit më parë qyteti u vizitua nga 600 mijë tursitë.
“Kur ne themi që Gjirokastra, kur ne morëm, detyrën kishte 6 mijë turistë në vit, ndërkohë vjet kishte 600 mijë, këtë berberhanet e përqeshin. Ndërkohë që gjirokastritët e dinë, e jetojnë përditë, e shohin përditë faktin që ky qytet që i ishte vënë shqelmi në fyt dhe ngjante sikur po jepte shpirt, sot merr frymë, rritet, zhvillohet dhe shkëlqen hap pas hapi”, tha Rama.
Rama premtoi se brenda viti 2030 nga ky qytet do të ketë fluturime ndërkombëtare, fale aeroportit sezonal që do të hapet në këtë zonë./vizionplus.tv

