Tag: patëllxhanët

  • Patëllxhanë të Mbushur me Gjizë – Shije dhe Shëndet i Mirë

    Patëllxhanë të Mbushur me Gjizë – Shije dhe Shëndet i Mirë

    Patëllxhanët janë ndër perimet fantastike që pavarësisht mënyrës apo recetës së përgatitjes të tërheqin përherë oreksin.

    Vlerat fantastike të patëllxhanit vijnë kryesisht nga vitaminat dhe mineralet. Patëllxhani është i mbushur me vitamina C, K, B6, magnez, fosfor, bakër, fibër, acid folik, potas dhe mangan.
    Të përgatitur në gjellë e tava të ndryshme, sallata apo edhe turshi, patëllxhanët të mrekullojnë me shijen e tyre fantastike në çdo recetë gatimi.
    Agroweb.org ju sugjeron më poshtë përgatitjen e patëllxhanëve të pjekur me gjizë, një recetë e thjeshtë dhe shumë e shijshme.
    Kjo recetë kërkon pak kohë në përgatitje dhe është një kombinim i shkëlqyer i patëllxhanëve dhe gjizës, vezëve dhe erëzave.
    Përgatitja e Patëllxhanëve me Gjizë
    Përbërësit

    5-6 patëllxhanë mesatarë
    4 vezë
    400- 500 gr gjizë pa kripë
    4-5 lugë miell
    Kripë
    Piper
    Majdanoz

    Përgatitja
    Patëllxhanët i lajmë, u presim bishtat dhe më pas i vendosim në një tenxhere me ujë për t’i zierë 10-15 minuta. Mund t’i provoni me një pirun, nëse janë zbutur mjaftueshëm, piruni do të depërtojë lehtësisht.
    Më pas, AgroWeb.org ju udhëzon që të hiqni tenxheren nga zjarri, t’i kulloni patëllxhanët dhe t’i vendosni në një pjatë për t’u ftohur.
    Kur të jenë ftohur i presim në mes (për së gjati) dhe me ndihmën e një luge heqim tulin por jo plotësisht.
    Në një tas tulin e patëllxhanit, e përziejmë me vezët, gjizën, majdanozin e prerë hollë, kripën piperin dhe miellin. Duke e trazuar me kujdes, deri sa masa të jetë homogjene.
    Në zjarr kemi vendosur një tigan ku kemi hedhur me vaj ulliri, patëllxhanët i mbushim me masën që përgatitëm dhe i vendosim për t’i skuqur në fillim nga ana e lëkurave të patëllxhanit dhe kur të kenë marr pak formë kthehen dhe nga ana tjetër. Në këtë mënyrë ruhet forma që duam.
    Pasi i heqim nga tigani i vendosim në një pjatë me letër kuzhine për të thithur yndyrën e tepërt.
    Nëse preferoni patëllxhanët pasi i zjerë mund të vijoni me mbushjen dhe t’i piqni në furrë.
    Shoqërohet me kos të freskët apo dhallë si dhe sallata të freskëta të stinës./AgroWeb.org

  • Si të Skuqni Patëllxhanët pa Thithur Vaj

    Si të Skuqni Patëllxhanët pa Thithur Vaj

    Patëllxhani është një nga perimet që gjendet thuajse gjithmonë në tregjet e fruta perimeve.

    Recetat që përgatiten me të janë nga më të shumëllojshmet.
    Pavarësisht shijes dhe vlerave që ai përmban, patëllxhani është perimja që thith shumë vaj kur gatuhet.
    Prandaj dhe amvisat janë gjithnjë në kërkim të metodave të ndryshme se si të përgatisin patëllxhanët sa më shëndetshëm.
    Para se t’i skuqni
    Patëllxhani ka një shije pakëz të hidhur ndaj si fillim perimja duhet prerë në copa të vogla dhe kripur.
    Ju mund t’i prisni në rrathë ose në shirita deri në gjysmë milimetri të trashë.
    Pasi t’i keni kripur me një letër kuzhine shtypini lehtë për t’i larguar ujin e tepërt që ato lëshojnë.
    Ky proces e zbut patëllxhanin dhe parandalon përthithjen e vajit të tepërt gjatë gatimit.
    Gjatë skuqjes
    Ky proces mund të bëhet në dy mënyra; njëra me vaj e tjetra duke hedhur pak ujë.
    Si fillim vendosni një tigan në zjarr dhe shtoni vajin për skuqje.
    Sekreti është që të shtoni 1-2 lugë çaji me vaj për çdo tigan me patëllxhanë.
    Para se t’i vendosni për t’i skuqur fetat e patëllxhanit spërkatini nga të dyja anët me miell.
    Lërini të skuqen për disa minuta nga çdo anë dhe më pas hiqini nga tigani.
    Ndërsa nëse doni t’i përgatisni akoma dhe më të shëndetshëm, përdorni metodën e skuqjes me ujë.
    Vendosni tiganin në zjarr njësoj siç bëtë më parë, por këtë herë mos hidhni vaj.
    Në momentin që e shihni se tigani është ngrohur vendosni fetat e patëllxhanit dhe lërini të marrin një faqe.
    Ndërkohë hidhni 2-3 lugë çaji me ujë.
    Skuqini lehtë derisa ata të jenë zbutur dhe më pas largojini nga tigani.
    Pasi t’i keni skuqur
    Është e rëndësishme që kur t’i hiqni fetat e patëllxhanit nga tigani t’i vendosni në një pjatë me letra kuzhine.
    Pasi t’i keni skuqur patëllxhanët tani ju mund të përgatisni recetat tuaja të preferuara.
    Mund t’i kombinoni ata me salcë domatesh dhe gjizë për një fërgesë të shpejtë dhe të shëndetshme. Ose t’i shtroni në tavë me mish të grirë dhe slacë beshameli.
    Cilëndo recetë të përzgjidhni, nëse ndiqni këto metoda, ju do të përgatisni një pjatë pa vaj të tepërt dhe të shëndetshme./AgroWeb.org