Tag: patatet

  • Këto fruta nuk duhen futur në frigorifer

    Këto fruta nuk duhen futur në frigorifer

    Deri më tani, mendonim se frigoriferi ishte “zgjidhja e sigurt” për ruajtjen e freskisë së të gjitha frutave dhe perimeve.

    Megjithatë, është koha ta rishqyrtojmë këtë, pasi, sipas ekspertëve të të ushqyerit dhe ruajtjes së ushqimit, disa nga frutat dhe perimet tona të preferuara jo vetëm që nuk përfitojnë nga frigoriferi, por edhe prishen më shpejt.
    Nga domatet te patatet dhe borziloku, shihni se cilat ushqime mbahen më mirë në temperaturë ambienti.

    Domatet
    Vendosja në frigorifer ua heq domateve shijen e tyre autentike. Edhe pse struktura e tyre mbetet e njëjtë, vendosja në frigorifer pengon formimin e komponimeve të paqëndrueshme që u japin atyre aromën dhe shijen karakteristike.
    Kastravecat, patëllxhanët, specat
    Si patëllxhanët, ashtu edhe kastravecat dhe specat nuk i favorizon i ftohti. Për shkak të temperaturave shumë të ulëta, ato mund të përkeqësohen, të krijojnë gropëza, ndërsa disa pjesë të tyre mund të zbuten dhe përfundimisht të kalben.
    Qepë dhe hudhra të thata
    Ndryshe nga qepët e njoma, qepët dhe hudhrat e thata nuk mund t’i rezistojnë lagështirës së frigoriferit. Mjedisi ideal për to janë vendet e freskëta dhe të ajrosura. Plastika i “mbyt” ato dhe i prish më shpejt, prandaj shpesh shiten të ngjeshura në rrjetë.
    Patatet dhe patatet e ëmbla
    Patatet dhe patatet e ëmbla nuk duhet të ruhen në frigorifer. Në temperatura të ulëta, një enzimë e quajtur “invertase” zbërthen saharozën në glukozë dhe fruktozë, dhe kjo mund të formojë një kimikat të quajtur “akrilamid” – një kimikat që është më mirë të shmanget. Idealisht, patatet dhe patatet e ëmbla duhet të ruhen në një vend të errët, të freskët dhe të thatë.
    Frutat me bërthamë të verës
    Frutat si qershitë, pjeshkët dhe kajsitë nuk duhet të futen në frigorifer para se të piqen plotësisht, pasi vendosja e parakohshme në frigorifer i bën ato pa shije dhe pa erë.
    Avokado
    Nëse avokado nuk është e pjekur, frigoriferi thjesht do ta vonojë pjekjen e saj. Lëreni në temperaturë ambienti derisa të zbutet pak dhe futeni në frigorifer vetëm kur të jetë gati për t’u ngrënë.
    Borziloku
    Edhe pse shumica e bimëve është më mirë të mbahen në frigorifer, borziloku bën përjashtim. Frigorifer e nxirë dhe e vyshk. Borziloku duhet të trajtohet si një buqetë me lule. E vendosim në një vazo me ujë dhe në këtë mënyrë e mbajmë gjallë dhe, në të njëjtën kohë, kuzhina jonë mban erë të mirë.

  • Sallatë e Freskët me Patate, Pulë dhe Kunguj të Njomë

    Sallatë e Freskët me Patate, Pulë dhe Kunguj të Njomë

    Një pjatë e plotë dhe ushqyese, e përsosur për verën dhe e shkëlqyer si për të rritur edhe për fëmijë.

    Kjo pjatë mund të shijohet më së miri si e nxehtë ashtu edhe e ftohtë, dhe përbëhet nga mish i pulës dhe perime lehtësisht të tretshme.

    E njëjta recetë mund të përgatitet edhe me gjelin e detit në vend të pulës, për një pjatë edhe më të lehtë.

    AgroWeb.org iu fton të zbuloni më poshtë se si ta përgatisni këtë sallatë dhe më pas të na tregoni nëse ju pëlqeu!

    Përbërësit (për 4 persona)

    500 g patate

    2 kunguj të nomë

    2 fileto me gjoks pule

    kripë dhe trumzë për shije

    vaj ulliri

    Përgatitja

    Fillimisht lani dhe qëroni patatet, e më pas lërini të ziejnë.

    Ndërkohë që patatet ziejnë, pastroni mirë kungujt e njomë dhe pritini ato në në feta.

    Vendosini në një tavë dhe piqini në furrë ose skarë pa i shtuar erëza.

    Tani vazhdoni edhe me pjekjen e filetove të pulës.

    Kur patatet të jenë gati, pritini në copa dhe hidhni në një tas.

    Prisni gjithashtu në copa të vogla kungujt e njomë dhe pulën dhe kalojini në tasin me patate.

    Jepini shije sallatës me pak kripë, vaj ulliri dhe trumzë.

    Përziejeni mirë dhe lëreni në frigorifer për disa minuta që të ftohet./AgroWeb.org

  • A është e vërtetë që patatet janë të këqija për shëndetin?

    A është e vërtetë që patatet janë të këqija për shëndetin?

    Patatet janë një nga ushqimet bazë në dietën e përditshme. Megjithatë, ato kanë fituar një reputacion negativ për shkak të shqetësimeve se mund të rrisin nivelin e sheqerit në gjak, gjë që, nëse ndodh shpesh, mund të shtojë rrezikun për diabet.

    “Kjo varet nga lloji i patates dhe mënyra si e përgatit,” thotë dr Christine Bosch nga Shkolla e Ushqimit dhe Nutricionit në Universitetin e Leeds-it. Ajo shpjegon se megjithëse patatet e zakonshme shkaktojnë një rritje më të madhe të sheqerit në gjak sesa patatet e ëmbla, ato janë një burim i vlefshëm i karbohidrateve, një makronutrient kyç. Patatet përmbajnë gjithashtu fibra dhe polifenole, të cilat ngadalësojnë tretjen dhe të lënë të ngopur për më gjatë.

    Megjithatë, jo të gjitha patatet janë njësoj. Llojet me përbërje dyllore shkaktojnë zakonisht një rritje më të vogël të sheqerit në krahasim me llojet më miellore si Maris Piper. Bosch thekson se heqja e lëkurës ul përfitimet shëndetësore: “Një patate prej 150 gramësh përmban rreth 2 gramë fibra, por e qëruar ka vetëm 1 gram. Lëkura përmban gjithashtu një përqendrim më të lartë të polifenoleve.”

    Mënyra se si i gatuajmë dhe i servirim patatet ndikon gjithashtu në efektin e tyre në shëndet. Ushqimet që shpërbëhen më shpejt në sheqer priren të shkaktojnë rritje më të forta të nivelit të sheqerit. Patatet e shtypura e rrisin më shpejt sheqerin në krahasim me patatet e ziera me gjithë lëkurë.

    Një këshillë për t’i përgatitur patatet në mënyrë që të kenë ndikim më të ulët në sheqerin në gjak është “t’i zieni dhe t’i lini të ftohen”, thotë Bosch. Qoftë të ngrëna të ftohta apo të ngrohura më vonë, kjo e ul indeksin glicemik (i cili tregon sa shpejt një ushqim rrit sheqerin në gjak) me 30-40%.

    Studimet kanë treguar gjithashtu se ngrënia e patateve të vetme nuk rrit domosdoshmërisht rrezikun për diabet. Por gatimi i tyre me shumë krem, gjalpë apo vaj mund të ketë pasoja negative. “Gjithsesi, nëse nuk e tepron, është në rregull,” përfundon Bosch. / The Guardian – Syri.net

     

  • Efektet e jashtëzonshme të patates së ëmbël në organizëm

    Efektet e jashtëzonshme të patates së ëmbël në organizëm

    Përfitimet e patates së ëmbël për shëndetin tonë

    Shëndeti më i mirë kardiovaskular

    Rreth gjysma e fibrave në patatet e ëmbla është e tretshme, gjë që ndihmon në uljen e niveleve të kolesterolit në gjak. Meqenëse kolesteroli i lartë rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës, ngrënia e mjaftueshme e fibrave të tretshme është një mënyrë e shkëlqyer për të mbrojtur zemrën tuaj.

    Përveç fibrave, patatet e ëmbla janë gjithashtu të pasura me antioksidantë. Më konkretisht, ato janë jashtëzakonisht të larta në beta-karoten, një lloj provitamine A që shndërrohet në vitaminë A në trup dhe gjendet kryesisht në ushqimet bimore portokalli, të verdhë dhe jeshile si karotat, brokoli, domatet dhe patatet e ëmbla. Konsumimi më i lartë i antioksidantëve si beta karotina, që gjendet në patatet e ëmbla, lidhet me një rrezik të reduktuar të sëmundjeve kardiovaskulare. Kështu, patatet e ëmbla ndihmojnë në mbështetjen e shëndetit kardiovaskular duke siguruar fibra dhe antioksidantë.

    Ju mund të përmirësoni shëndetin e zorrëve

    Fibrat janë një nga lëndët ushqyese më të dobishme për shëndetin e zorrëve dhe një patate e ëmbël mesatare përmban rreth 15% të marrjes së rekomanduar ditore. Patatet e ëmbla përmbajnë gjithashtu niseshte rezistente, e cila fermentohet në zorrën e trashë. Dhe ky proces fermentimi prodhon acide yndyrore me zinxhir të shkurtër që ndihmojnë në mbështetjen e shëndetit imunitar dhe gastrointestinal.

    Fibrat gjithashtu janë treguar në studime se ndihmojnë në rritjen e mikroorganizmave të dobishëm në mikrobiomën tuaj të zorrëve, megjithëse nevojiten më shumë kërkime për të kuptuar specifikat e kësaj marrëdhënieje.

  • Nga bananet tek patatet, njihuni me ushqimet e shëndetshme

    Nga bananet tek patatet, njihuni me ushqimet e shëndetshme

    Mund të tingëllojë e çuditshme por shijimi i një ushqimi është tërësisht në ‘duart’ e stomakut. Mënyra se si stomaku përballet me një ushqim të caktuar ndikon shumë në preferencën ushqimore në të ardhmen.
    Sistemi tretës është tejet delikat e duhet trajtuar mirë.
    Në këtë artikulldo të mësoni për listën e ushqimeve që janë të buta e miqësore me sistemin tretës.

    Kosi i bërë me qumësht arrorësh
    Shumë njerëz janë të ndjeshëm nga produkteve të bulmetit.
    Në vend të tyre mund të konsumoni kos të bërë nga qumështi i bajames, arrës së kokosit apo shqemes.
    Kosi me fruta mund të ketë më shumë fibër që per njerëzit me stomak të brishtë, është disi problematike.
    Banania
    Banania përmban kalium, një mineral që del me forcë nga organizmi në rastet e diaresë apo të vjellave.
    Bananet e sapo pjekura janë shumë të mira për stomakun.
    Ato që kanë njolla në lëkurë kanë më shumë sheqer dhe deri në 3 gramë fibër.
    Pureja e Mollës
    Pureja e mollës të cilën mund ta bëni vetë në shtëpi është një ushqim i butë dhe delikat.
    Kjo pure mund të përgatitet duke zier mollë pa lëkurë për rreth 20 minuta dhe më pas shtypjen e tulit me pirun.
    Patatet
    Patatet e ziera pa lëkurë janë një ushqim i mirë për bakteret e stomakut.
    Ato kanë karbohidrate të thjeshta dhe treten lehtë.
    Supa me Perime
    Kjo supë e ngrohtë furnizon organizmin me elektrolitet e humbura si pasojë e diaresë apo të vjellave.
    Lëngu i mishit apo kockave është shumë i mirë për rastet e urthit, të përzierat, ulçerën dhe të vjellat.
    Frutat dhe Perimet me pak Fibër
    Shalqini, pjepri, nektarinat, pjeshkët, kumbullat, kungujt, kastraveci pa fara ose lëkurë, avokado, spinaqi, karrotat, panxhari, kungulli, shpargu dhe patëllxhani janë disa prej ushqimeve që janë të mira për stomakun.
    Ushqimet e Fermentuara
    Turshitë janë të pasura me probiotikë dhe ndihmojnë tretjen.
    Prishja e ekuilibrave mes baktereve të mira dhe të këqija mund të shkaktojë probleme dhe probiotikët rikthejnë këto ekuilibra.
    Njerëzit që kanë probleme me stomakun duhet të shmangin ushqimet me shumë fibër, yndyrë dhe sheqer.

  • Musaka me Patate – Shije Tradicionale në Tryezë

    Musaka me Patate – Shije Tradicionale në Tryezë

    Një gatim special, i veçantë me shije të mrekullueshme dhe ideal për një vakt dreke por edhe darke.

    Musakaja është përgatitur jetë e mot nga nënat e gjyshet shqiptare, traditë sidomos në zonat e jugut të vendit.
    Shije plotë dhe e kombinuar në mënyrë perfekte me më të mirat e kuzhinës. Patatet e përgatitura me kimën e mrekullueshme të amvisave shqiptare janë padyshim ndër gatimet më të shijshme.
    Një mënyrë fantastike për të kënaqur gjithë familjen apo për ta gatuar edhe në raste të veçanta kur shtëpinë e vizitojnë miq e mysafirë.
    Musakaja me patate shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me sallata të freskëta të stinës, turshi të ndryshme, salcë kosi apo edhe bukë të thekur.
    AgroWeb.org u sugjeron më poshtë përgatitjen e musakasë me patate në shtëpi.
    Përgatitja e Musakasë Në Shtëpi  
    Përbërësit
    (Për një tepsi mesatare)

    8-10 kokrra patate mesatare (1.5 kg)
    1 filxhan çaji vaj ulliri
    2 kokrra qepë mesatare
    1 filxhan çaji mish i grirë
    2 kokrra domate mesatare ose 1 lugë gjelle salcë
    Kripë
    Piper
    Majdanoz

    Për salcën beshamel duhen

    3 lugë gjelle miell
    2 lugë gjelle gjalpë të freskët
    2-3 gota qumësht
    2 kokrra vezë
    1 lugë gjelle gjalpë për spërkatje
    3 lugë gjelle djathë kaçkavall i grirë
    Kripë

    Përgatitja
    Për gatimin e musakasë zgjidhen patate të mëdha. Patatet e pastruara priten në feta dhe vendosen në një tavë.
    Pasi spërkaten me vaj, tava futet në furrë. Patatet lihen të piqen, sa të skuqen lehtë.
    Përgatitet kima: Kaurdisen qepët me mish të grirë. Hidhet salcë, kripë, piper dhe dafinë.
    Në një tepsi të lyer me vaj ulliri dhe galetë (bukë hekur të grirë hollë në rende), vendoset një shtresë patatesh. Fundi i tepsisë mbulohet mirë, që të mos dalë kima. I vendosim patatet mbi njëra – tjetrën.
    Më pas, vendosim një shtresë kimë, përsipër patate e përsëri një shtresë kimë.
    Sipër duhet të vendoset shtresa e patateve.
    Hidhet salcë beshamel, e cila sheshohet me ndihmën e një luge të lagur me qumësht ose gjalpë. Shtohet djathë kaçkavall i grirë dhe pak gjalpë.
    E fusim tavën në furrë dhe e lëmë të piqet. /AgroWeb.org

  • Patate të Pjekura me Salcë Domatesh – Receta e Veçantë për Tryezat Tuaja

    Patate të Pjekura me Salcë Domatesh – Receta e Veçantë për Tryezat Tuaja

    Patatet janë gjithnjë një ide e mirë për të shoqëruar gatimet e tjera.

    Megjithatë përgatitjes së tyre shpesh i shtohen vetëm erëza apo përbërës të tjerë  me shije të thjeshtë.

    Në recetën e sotëme AgroWeb.org ju këshillon që të provoni një shije më ndryshe në përgatitjen e patateve të pjekura.

    Slaca e domateve do të jetë përbërësi special për sot dhe do të shikoni që shija nuk do ju zhgenjejë.

    Ndiqni mëposhtë mënyrën e saktë të përgatitjes se kësaj recete të veçantë hap pas hapi.

    Përbërësit

    2 patate mesatare

    3-4 lugë salcë domatesh

    Rigon

    Vaj ulliri

    Kripë

    Përgatitja

    Për të nisur me këtë recetë si fillim lani dhe pastroni mirë patatet tuaja. Më pas në një grirëse ose me një thikë të mrrehtë, filloni t’i prisni ato në feta të holla jo më shumë se 1 cm.

    Pasi t’i keni prerë të gjithë në mënyrë uniforme, hidhini në një enë të thellë dhe spërkatini me vaj ulliri, kripë e rigon.

    Sipas dëshirës mund të përdorni edhe erëza apo përbërës të tjerë siç është piper i zi, speci djegës apo hudhra pluhur ose të freskët.

    Përzieni mirë të gjithë përbërësit dhe zgjidhni një tavë rrethore mesatare, të mbuluar me një letër pjekje.

    Sipër shtroni një nga një patatet në mënyrë rrethore duke i mbivendosur pak tek njëta tejtra.

    Bëjeni këtë derisa të mbulohet e gjithë sipërfaqja e tavës ku duhet të keni formuar disa shtresa të holla me patate.

    Futeni tavën në furrë të piqet në temperaturën 180 gradë për 20 minuta derisa patatet të jenë bërë krokante.

    Më pas nxirreni tavën nga furra dhe shtroni sipër salcën e domateve dhe sipas dëshirës edhe pak djathë të grirë kaçkavall.

    Futeni sërish në furrë për 5 minuta të tjera derisa të shikoni që djathi është shkrirë dhe mund ta servirni menjëherë në tryezën tuaj. /AgroWeb.org

  • Përbërësi që duhet të shtoni kur bëni patate të pjekura

    Përbërësi që duhet të shtoni kur bëni patate të pjekura

    Nëse i pëlqeni patatet e pjekura, përgatisni vetëm me këtë recetë duke shtuar edhe këtë përbërës. Nuk do t’i ndani nga tryeza pasi të provoni shijen e tyre të mrekullueshme. Ja cili është ai…
    Qëroni patatet dhe prijini përgjysmë. Hidhini në një enë së bashku me lëngun e pulës/perimeve, shafranin dhe hudhrën. Ziejini për 12 minuta.
    Kullojini dhe hidhini në një enë me ujë të ftohtë. Më pas kullojini sërish dhe lërini mënjanë.
    Hidhni vajin e ullirit në një tavë dhe vëreni në furrë të nxehet. Më pas shtoni në të patate, spërkatini me pak kripë dhe piper. Piqini për rreth 40 minuta.

     

  • Patate me Lulelakër – Tava e Shijshme e Dimrit

    Patate me Lulelakër – Tava e Shijshme e Dimrit

    Shkrimtari i njohur Mark Tuejn e ka përshkruar lulelakrën si “lakra me diplomë”

    Duke iu përmbajtur këtij përshkrimi, lulelakra është një nga perimet më të fuqishme që e ndihmon njeriun të mbajë larg sëmundje kronike.
    Lulelakra është e pasur me antioksidantë që i bëjnë mirë zemrës dhe shëndetit të trurit.
    Ngrënia e lulelakrës i jep organizmit sasi domethënëse të vitaminës C, K, beta karotenit dhe substance mirëbërëse për tretjen dhe detoksifikimin.
    Lulelakra është një perime që nuk njeh stinë, por me ardhjen e dimrit ajo ka tendencën të rishfaqet më fort në tryezat tona.
    Recetat e gatimit me bazë lulelakre janë të larmishme dhe shumë të preferuara nga lexuesit e AgroWeb.org
    Receta e re që do të gjeni në këtë artikull e bashkon lulelakrën në një tavë me patatet.
    Ky gatim i shijshëm është i lehtë, i pasur në vlera dhe ushqyes.
    Përbërësit:
    1 patate e prerë në copa
    1 lulelakër e copëtuar
    2 lugë çaji me vaj ulliri
    1 filxhan çaji me copa preshi
    1 lugë gjelle me thelpinj të grirë hudhre.
    Çerek filxhani çaji me miell
    Një filxhan çaji me qumësht të skremuar
    1 filxhan çaji me lëng të mishit të pulës
    2 lugë gjelle me trumëz të freskët
    Një majë luge çaji me kripë
    Një majë luge çaji me piper të zi
    Gjysëm filxhani çaji me djathë kaçkavall të grirë
    2 lugë gjelle majdanoz
    Përgatitja:
    Zieni ujë në një tenxhere dhe pasi të ketë marrë valë shtoni patatet dhe lulelakrën.
    Të dyja perimet nuk duhen zier plotësisht ndaj ziejini pak, kullojini dhe lërini të ftohen mënjanë.
    Në një tenxhere tjetër kavërdisni hudhrën dhe preshin dhe më pas shtoni miellin.
    Përziejini mirë dhe pasi të preshi të jetë zbutur shtoni qumështin dhe lëngun e pulës.
    Lërini të marrin një valë dhe përziejini rregullisht.
    Shtoni trumzën, kripën dhe piperin e zi.
    Lyeni tavën me pak yndyrë dhe hidhni në të patatet dhe lulelakrën.
    Hidhni sipër tyre masën e preshit me qumësht dhe lëng pule si dhe djathin.
    Mbulojeni tavën me letër kuzhine dhe futeni në furrë.
    Piqeni për 20 minuta dhe më pas hiqeni letrën e kuzhinës dhe fikeni furrën.
    Lëreni tavën të marrë një ngjyrë të kuqerremtë dhe zbukurojeni me majdanoz.
    Ju bëftë mirë!/AgroWeb.org