Gjergji Nika
VLORË- Anëtari i Këshillit Bashkiak të opozitës në Vlorë, Gjergji Nika, i cili ka shpallur kandidaturën e pavarur për zgjedhjet e 9 nëntorit në Vlorë, ka hedhur sot akuza në drejtim të KQZ-së. Përmes një postimi në Facebook, Nika shkruan se rrezikon të mos jetë pjesë e kandidatëve për Bashkinë e Vlorës, edhe pse ka depozituar kandidaturën brenda afateve të përcaktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Sipas tij, KQZ po vepron në sinkron me interesat e dy partive të mëdha, PS dhe PD, ndërsa thekson se ligji i njeh të drejtën që, si këshilltar bashkiak, të kandidojë si i pavarur edhe pa mbledhur firma përmes Komisioneve Nismëtare. Nika pretendon se, megjithëse ka dorëzuar kandidaturën brenda afateve ligjore, KQZ po përdor artifica dhe interpretime të qëllimshme të ligjit për ta përjashtuar nga gara për Bashkinë e Vlorës.
Postimi i plotë i Gjergji Nikës:
“Zgjedhjet nën presion: KQZ drejt veprimit në kundërshtim me ligjin.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duket se ka zhbërë kufijtë ndërmjet administrimit dhe abuzimit, duke përdhosur rregullin ligjor për interesa politike.
Ndërkohë që brenda afatit u krye regjistrimi i kandidaturës sime, sot, sipas informacioneve që më vijnë, me artifica dhe në kundërshtim me ligjin, emri im mund të mos jetë mes kandidaturave për të garuar në zgjedhjet e pjesshme lokale në Vlorë.
Natyrisht, besoj se kjo gjë po ndodh për shkak të marrëveshjeve të fshehta dhe të hapura mes PD-së dhe PS-së, që e kanë detyruar KQZ-në të shkelë haptazi ligjin dhe t’i nënshtrohet politikës së vjetër.
Neni 70 i Kodit Zgjedhor është i qartë.
Pika 3 përcakton se kandidatët e propozuar nga qytetarët duhet të mbledhin një numër të caktuar firmash nga bashkëqytetarët e tyre – një proces që garanton pjesëmarrjen reale, mbështetjen popullore dhe frymën e demokracisë lokale. Një mënyrë kjo për t’i dhënë zë komunitetit dhe për të nxjerrë në pah njerëz që nuk janë produkt i partive, por i shoqërisë.
Pika 4 e të njëjtit nen, që përjashton nga mbledhja e firmave kandidatët që kanë pasur më parë mandat si kryetar bashkie, këshilltar njësie vendore apo deputet, po keqpërdoret në mënyrën më cinike të mundshme. Ky përjashtim, që ligjvënësi e ka parashikuar për raste të veçanta, është kthyer në mjet për të legjitimuar kandidatura të sponsorizuara nga partitë e mëdha dhe oligarkët, ndërsa kandidatët e qytetarëve shtyhen jashtë garës si ‘të papërshtatshëm’.
Dhe këtë shkelje flagrante e bën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve – institucioni që duhej të ishte garant i barazisë në zgjedhje, duke u shndërruar në instrument abuziv në duart e politikës së vjetër. Vendimet e tij janë gjithnjë në sinkron me interesat e PD-së dhe PS-së, ndërsa çdo zë qytetar trajtohet si ‘incident’ burokratik.
Në vend që të mbrojë të drejtën kushtetuese të çdo qytetari për të kandiduar sipas ligjit, KQZ deformon këtë proces. Në vend që të frymëzojë pjesëmarrje, ngre barriera. Në vend që të shërbejë si garant i ligjit, po bëhet garant i status quo-së, duke grabitur demokracinë dhe nxitur përçarjen.
Kandidatët e partive kryesore futen në garë me privilegje, ndërsa kandidatët e pavarur luftojnë me pengesa, vonesa, refuzime formale dhe interpretime të qëllimshme të ligjit. Kjo nuk është garë e ndershme. Dhe kur KQZ përjashton kandidatë që burojnë nga komuniteti dhe favorizon ata që burojnë nga pazaret politike, ajo shkel mbi lirinë e qytetarëve për të zgjedhur realisht.
Prandaj, mjaft më me lojërat e pushtetit! Zgjedhjet nuk janë pronë e partive, por janë për qytetarët – për njerëzit që duan të ndryshojnë gjërat, për ata që kanë guximin të dalin përballë sistemit, për ata që besojnë ende se vota është armë dhe mjet ndryshimi.
Nëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vazhdon të jetë palë e heshtur në këtë maskaradë, atëherë bëhet palë në pazarin e institucionalizuar të pushtetit, dhe ne do të vijojmë çdo formë ligjore për t’u përballur me këtë. Demokracia nuk është pronë e partive, as e zyrave të KQZ-së. Demokracia është e qytetarëve dhe për qytetarët – dhe sa herë që ata përjashtohen, vidhet një pjesë nga liria e tyre.”
Nika shpalli kandidaturën e pavarur duke dalë nga linja e Partisë Demokratike, pasi kjo forcë politike ka vendosur të mbështesë kandidaturën e pavarur të Dionis Sotës. Sipas këshilltarit, Partia Demokratike ka nevojë të “çlirohet” nga individë groteskë, siç i cilëson ai, dhe se opozita nuk mund të tallet më me demokratët.
Ai do të përballet në garë me kandidatin e mbështetur nga PD, Dionis Sotën, dhe me kandidaten e PS-së, Brunilda Mersini, e cila aktualisht mban postin e deputetes në Kuvendin e Shqipërisë./ZËRI









