Partia Demokratike duket se do t’i rikthehet avazit të vjetër. Pas përplasjeve që ndodhën në seancën parlamentare të së enjtes, sot PD ka thirrur një mbledhje grupi, ku do të vendoset mbi masat që do të ndërmerren sa i takon jetës parlamentare. Gazment Bardhi u ka dërguar një mesazh deputetëve, ku kërkon që nesër askush të mos shkojë në mbledhjet e komisioneve parlamentare, ndërkohë që po ashtu prania në grup është me detyrim. “ Nesër, e hënë, datë 10.11.2025, në mbledhjen e Grupit Parlamentar, ora 12:30, NUK duhet të mungojë askush!; Nesër, e hënë, derisa të jetë mbledhur dhe të ketë vendosur grupi parlamentar, ASNJË deputet NUK MERR PJESË në mbledhjet e Komisioneve Parlamentare. Ky do të jetë një reagim i përkohshëm i grupit parlamentar nisur nga situata e krijuar në seancën e fundit, derisa Grupi Parlamentar të ketë diskutuar dhe marrë një vendim final. Pra, nesër NUK shkojmë në mbledhjet e Komisioneve Parlamentare. Ju falënderoj shumë! Shihemi nesër në mbledhje!”, tha Bardhi.
Sot vendoset për përjashtimin e kreut të PD
Ndërkohë kujtojmë se Partia Socialiste kërkoi ndëshkimin e Sali Berishës për sulmet ndaj ambasadorit të BE-së, Silvio Gonzato, lidhur me projektligjin për barazinë gjinore. Në kërkesën drejtuar Sekretariatit të Etikës, socialistët kërkuan përjashtimin nga pjesëmarrja në komisione dhe/ose në seancë plenare deri në 10 ditë, 30 ditë ose 60 ditë. Sipas PS, deklaratat e Berishës ishin fyese, denigruese dhe diskriminuese ndaj diplomatit evropian, duke cenuar jo vetëm dinjitetin personal të tij por edhe imazhin e institucionit të Kuvendit.
Kujtojmë gjithashtu se Kuvendi ka refuzuar ngritjen e komisioneve hetimore të opozitës, për çështjen “McGonigal” dhe zgjedhjet e 11 majit. PD e ka cilësuar vendimin e Kuvendit për mosngritjen e këtyre dy komisioneve, si një akt antikushtetues për opozitën dhe vetë parlamentarizmin. Sot pritet që të merret vendimi se si do të reagojë PD dhe duket se do të nisë avazi i vjetër, ku sipas burimeve do të ketë dy skenarë: I pari është ai i bllokimit të punës së Parlamentit dhe komisioneve, ashtu sikundër ndodhi një vit më parë ku u dogjën karrige dhe u hodhën edhe tymuese. Skenari i dytë është që të ketë bojkot parlamentar, por ky i fundit mbështetet më pak.
Reagon Berisha
Nga ana tjetër këtë fundjavë, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar organizimin e një proteste kombëtare së shpejti, duke theksuar se kjo nuk do të ketë natyrën e një bojkoti të parlamentit, por do të shoqërohet me një strategji të dyfishtë: betejë brenda sallave të Kuvendit dhe mobilizim qytetar jashtë tij. Në një deklaratë nga selia blu ai e përshkroi rrjedhën politike që sipas tij ka çuar në këtë vendim si rezultat të “votës së dhunuar” dhe “zgjedhjeve të vjedhura”. Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për përdorim të kapaciteteve shtetërore dhe mediatike për të ndikuar rezultatin e zgjedhjeve. “Kjo nuk do të thotë bojkot i parlamentit, jo. Por kjo do të thotë se opozita do zhvillojë betejë edhe brenda parlamentit.
Ajo ka të gjithë potencialin, të gjithë trashëgiminë dhe kësaj dhune të pandërprerë, kësaj mbyllje goje të opozitës në parlament, ajo do i përgjigjet me mjete adekuate, si në komisione, ashtu edhe në sallën e parlamentit. Së pari. Së dyti, kjo është opozita e votës së dhunuar. Kjo është mazhoranca e zgjedhjeve të vjedhura. Protestat kombëtare janë tejet të vonuara dhe së shpejti do komunikojnë para jush protestën e parë kombëtare dhe pastaj në vazhdim, ku ftojmë të gjithë ata qytetarë që janë të gatshëm të luftojnë për votën e lirë kundër një regjimi që e ka konfiskuar atë, e ka vjedhur atë.
Kundër një regjimi që ka përdorur të gjithë potencialin ekzekutiv, shtetëror, financiar, logjistik, mediatik për të blerë, për të influencuar, për të ndikuar dhe për t’u marrë votën shqiptarëve. Përpjekja jonë për të transformuar parlamentin në një tribunë të fjalës së qytetarëve dhe interesave të tyre, has në absurditetin, në banditizmin e paprecedent parlamentar në historinë e vendit. Qeveria u miratua pa debat. Programi i saj pa debat. Buxheti dje pa debat. Të gjitha pa debat. Atëherë ne do hapim platformën parlamentaro-qytetare para ndërtesës së Këshillit të Ministrave si hap i parë. Por ne ndaj këtij regjimi jemi të vendosur të qëndrojmë me të gjithë potencialin dhe forcën tonë. Ne nuk nënshtrohemi”, deklaroi Berisha.