Ardit Bido, kandidati i Partisë Socialiste për qarkun e Vlorës, është i vendosur të jetë një zë i fuqishëm dhe i përgjegjshëm për qytetarët e tij. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Sot”, Bido shpalos vizionin e tij për një parlament që mbështet interesat e popullit dhe që adreson problemet konkrete, duke filluar nga çështjet e pronësisë dhe turizmi i qëndrueshëm. Ai thekson se nuk është vetëm një kandidat, por një pasqyrë e shqetësimeve dhe nevojave të qytetarëve. Pa frikë dhe pa “doreza”, Z. Bido kritikoi rëndë opozitën dhe akuzoi se shumë nga problemet e thella të qytetarëve mbeten të pazgjidhura për shkak të politikanëve që shfrytëzojnë situatën për interesa personale. Madje për Bido-n, fushata nuk është vetëm për fitore elektorale, por një angazhim për të siguruar një të ardhme më të mirë për të gjithë.
-Zoti Bido, ju kandidoni për deputetët nën siglën e Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Si e morët ftesën për t’u bërë pjesë e listave të PS dhe çfarë ju shtyu ta pranoni atë?
Unë ftesën e kam marr nga Bledi Çuçi që më ftojë që të jem pjesë e listave të Partisë Socialiste në qarkun nga kam origjinën nga Delvina dhe jam rritur në Sarandë. Unë kam mbajtur qëndrime në koherencë për të gjithë qarkun e Vlorës kështu që këtë ftesë e pranova, e mendova mirë dhe pastaj e pranova si një sfidë e re që të jem zëri i qytetarëve të mi. Unë hyj në garë jo për të qenë një deputet i zonës, por të jem zëri i tyre në parlament dhe në institucione për problemet e tyre.
– Nëse do të merrnit një ftesë nga PD për të kandiduar si deputet, a do ta pranonit?
Jo nuk do ta pranoja. Bindjet e mia përputhen me programin dhe vizionin e PS dhe me PD mua s’më lidh asgjë me partinë Demokratike. Unë vijë nga një familje që ka kontribuar në të majtën shqiptare. Bindjet e familjes sime kanë qenë gjithmonë të majta.
– Cilat janë prioritetet tuaja nëse zgjidheni deputet dhe si do t’i adresoni problematikat e qytetarëve?
Unë i kam shërbyer qytetarëve pa dallime dhe kam qëndrimet e mia të cilat nuk më kanë ndryshuar ato qëndrime në shumë vite. Dhe në këtë garë nuk dua të isha në listë të mbyllur, por të hapur që të jem përfaqësues i qytetarëve në parlament. Do të ndjek problematikat dhe shqetësimet e zonës, nëse ata pastaj do më besojnë votën kjo është çështje e tyre. Çdo zonë ka problematika specifike dhe unë kam ofertën time, nëse qytetarët do ti besojnë kësaj oferte unë do të jem zëri i tyre në kuvend. Unë jam i zëshëm për çështje e probleme që ka hipoteka në këtë zonë dhe pronat në Finiq, Delvinë dhe Konispol sepse nuk arrihet që të hipotekohen oborret e shtëpisë stërgjyshnore. Unë kam qenë i zëshëm për shumë çështje të tjera, të gjitha këto janë një paketë që unë jam këtu për ta ofruar për qytetarët e mi.
-Po sa i takon turizmit kush janë disa nga prioritetet tuaja?
Mendoj se është koha për turizëm që punëson, ushqen dhe pasuron komunitetin. Turizmi në Vlorë, Sarandë e Himarë ka kaluar një periudhë sfiduese, por kemi arritur një pikë kthese. Sot kemi tejkaluar edhe destinacione si Korfuzi – një arritje që duhet ta shndërrojmë në mundësi për zhvillim të qëndrueshëm. Parvjet kishim një rritje të ndjeshme të turizmit, por pjesa më e madhe ishte turizëm backpack – me ndikim minimal në ekonominë lokale. Ne duhet dhe do të punojmë për një turizëm me vlerë të shtuar, ku çdo turist sjell të ardhura reale për bizneset, familjet dhe qytetarët tanë. Çfarë do të bëj unë?
Do të mbështes zhvillimin e agroturizmit, që i jep jetë zonave rurale.
Do të promovoj një ofertë të integruar turistike: mali, deti, kultura, historia, trashëgimia, gastronomia.
Do të kërkoj mbështetje për ndërmarrjet lokale, që të jenë gati të përfitojnë nga sezoni turistik.
Do të punoj për përmirësimin e mëtejshëm të infrastrukturës rrugore dhe shërbimeve, që të rrisim cilësinë dhe kohëqëndrimin e turistëve.
Kjo nuk është vetëm për turizmin – kjo është për ekonominë tonë, për të rinjtë tanë, për të ardhmen tonë. Ne nuk duam vetëm më shumë turistë – duam turistë që investojnë në komunitetet tona!
– Si do ta diferenconi fushatën tuaj nga të tjerat dhe si do të siguroni që premtimet tuaja të mbeten realiste dhe të realizueshme?
Kur fjala është bërë e lehtë dhe premtimi i shpejtë, unë zgjedh të eci në një rrugë tjetër: Të flas thjesht, drejt dhe me përgjegjësi. Ka disa gjëra që nuk përputhen me parimet e mia – prandaj nuk do t’i hasni në komunikimin tim gjatë kësaj fushate:
Angazhime që nuk mbështeten në realitet
Statistika që tingëllojnë bukur, por nuk zgjidhin problemet
Komente denigruese ndaj kundërshtarëve
Përplasje personale që s’kanë lidhje me qytetarët
Fjalë të mëdha, pa plane konkrete
Fushata ime nuk ndërtohet mbi iluzione.
Ajo mbështetet te dëgjimi, te fjala e mbajtur, dhe te respekti për njerëzit.
-Ndërkohë Partia Demokratike ju ka akuzuar se nuk keni dhënë dorëheqjen nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Arkivave. Si i përgjigjeni këtyre akuzave? Pse mendoni se jeni në qendër të sulmeve të tyre…
Partia Demorkatike dhe Sali Berisha janë në hall. PD e Belerit, që e ka zënë halli se i del që do të më ketë përballë në Parlament e s’ka nga të fshihet më, ka dalë disa herë në konferencë për shtyp vetëm kundër meje nga mbi 180 kandidatë të PS në këto zgjedhje, duke bërë blofin e radhës. Thanë që nuk kam hequr dorë si drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, se as dinë të lexojnë ligjin e as të shohin dokumentet: aktin e pezullimit nga DAP që mban datën 12.03.2025, pra një ditë para se të kandidoja! S’ka habi: kështu është kur niveli intelektual i këshillimit të PD është ai i dijetarit të madh Fredi Beleri. Unë kam një mesazh për Berishën. Doktor, mos dil më blof! Sa herë të flasësh, aq herë do të më gjesh përballë me të vërtetat historike e aktuale siç do të jemi përballë në Parlamentin e shqiptarëve, ti me “aleancën e antishqiptarisë madhështore” e unë me pastërtinë time!
Deklarata e plotë: Për ditën e dytë rresht, Partia Demokratike del në konferencë zyrtare për shtyp vetëm kundër një kandidati, kundër meje. Duket se i ka zënë frika se çfarë do ta gjejë nesër “Aleancën e Antishqiptarisë Kombëtare të Madhe, Madhështore”, kur të gjendet përballë meje në foltoren e Kuvendit të shqiptarëve. Doli zëdhënësja e PD-së dhe tha që Ardit Bido nuk ka dhënë dorëheqjen, duhet që KQZ-ja ta përjashtojë. Nuk më përjashtoni dot me teknikalitete, sepse ju nuk dini të lexoni ligjin. Ju nuk dini të kërkoni dhe të shihni dokumentacionin. Ligji për nëpunësin civil përcakton se titullarët e institucioneve pezullohen me akt të Departamentit të Administratës Publike.
Po të donit, e kishit parë në KQZ që ky akt ekziston prej datës 12 mars. Si njeri i përgjegjshëm, pak para këtij akti, delegova kompetencat, siç e parashikon ligji, te zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, deri në kthimin në detyrë të titullarit; qofsha ai unë, qoftë dikush tjetër. Por, kur ekspertizën ligjore, ekspertizën ekonomike, ekspertizën e të gjitha fushave e merr nga njerëz të cilët janë me brumë të lartë intelektual, si Fredi Beleri, këtu do të përfundosh. Doktor, të lutem, dita e dytë, mos dil më blof! Mos dil më blof! Do të shihemi në Parlament dhe do të flasim përballë, ashtu siç na takon: një njeri i cili nuk i fshihet pas gishtit asnjë të vërtete dhe një njeri i cili ndryshon qëndrimet sipas interesit të radhës. Shihemi në Kuvendin e shqiptarëve.
Intervistoi: Rigels Seliman