Nga Ervin Sina
Paris Saint-Germain dhe Inter janë dy skuadra totalisht të ndryshme në atë që përfaqësojnë në futbollin e klubeve ne Europë.
Francezët janë një ekip modest në kontinent, me gjurmë të vogla që nuk mund të krahasohen me staturën europiane të rivalit të tyre, Inter.
Parizienët madje edhe në Francë u transformuan ndjeshëm vetëm në fillim të viteve 2010, kur u blenë nga sheikët. Momentin e tyre më të mirë e kishin pasur në mesin e viteve ’90, kur arritën të fitonin Kupën e Kupave, duke mundur në finale Rapidin e Vjenës me rezultatin 1-0, në vitin 1996.
Në vitin 1997, provuan të fitonin dy trofe kontinentale, por në të dyja rastet nuk ia dolën. Në Superkupën e Europës u mundën nga Juventusi, ndërsa në finalen e dytë radhazi të Kupës së Kupave u dorëzuan përballë Barcelonës.
Katër vite më vonë, në vitin 2001, parizienët fituan trofeun e dytë europian, Kupën Intertoto, një kupë e vogël dhe mbeti eksperiment, pasi u hoq shpejt nga UEFA.
Këtë herë, ata mundën në finale mundën italianët e Breshias.
Në 2011, historia e klubit parizien do të ndryshonte rrenjësisht me marrjene aksioneve të klubit nga sheiket e fondit të investimeve të Katarit.
Me Nasser Al-Khelaifin në krye, ata kanë dominuar në mënyrë absolute futbollin francez, dhe i vetmi peng i tyre në këto 14 vite ka qenë të pushtojnë Europën.
Ata kanë qenë shumë herë pranë këtij suksesi duke luajtur në çerekfinale, gjysmëfinale, e madje edhe në finalen e vitit 2020, por atëherë, në kohën e pandemisë, u mundën nga Bayern Munich me rezultatin 1-0 në Lisbonë.
Tani, shpresojnë ta bëjnë ëndrrën realitet dhe të fitojnë për herë të tretë një kupë europiane, atë më të rëndësishmen.
Diskutim krejt tjetër për Interin. Zikaltërit janë një nga ekipet më të njohura të kontinentit. Ata e kanë fituar Ligën e Kampionëve, qoftë në formatet e tjera ashtu edhe në të renë, tre herë, por gjithashtu kanë humbur disa finale.
Bashkë me Milanin dhe Juventusin, Interi është një nga klubet që ka nderuar më shumë herë Italinë në kontinent.
Dy sukseset e para, skuadra zikaltër i pati në vitet e para të këtij kompeticioni, konkretisht në vitin 1964, kur mundi në finale Realin dominues të asaj kohe, dhe një vit më vonë, në 1965, kur mposhti Benfikën e Eusebios.
Megjithëse pati momente të lavdishme edhe në dekadat në vazhdim, Interi u rikthye të fitonte Champions-in vetëm pas 35 vitesh, në vitin historik 2010, duke mposhtur Bayern Munich 2-0 në finalen e Madridit, në vitin e famshëm të tripletës.
Interi gjithashtu ka humbur tre finale në këtë trofe, kundër Celtic, Ajax dhe Manchester City (dy vite më parë).
Miërpo veç Champions-it, Interi numëron edhe suksese të tjera në Europë, ku përmenden tre ish Kupa UEFA (1991, 1994, 1998), e po ashtu edhe dy Kupa Interkontinentale dhe një Kupë Bote për Klube. Tani është koha për të tentuar një tjetër trofe me “veshë të mëdhenj”, ajo që do ta barazonte me Ajax-in në renditjen e përgjithshme të fituesve të Champions-it.