Tag: parisi

  • Alarmohet Parisi! Policia evakuon disa ndërtesa pas kërcënimit për bombë në një gjykatë

    Alarmohet Parisi! Policia evakuon disa ndërtesa pas kërcënimit për bombë në një gjykatë

    Gjykata e re e Parisit u evakuua sot pas një kërcënimi për bombë, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

    Kompleksi i ndërtesave që dominon periferitë veriore të kryeqytetit francez u evakuua pasi u raportua një kërcënim me bombë në katin e parë.
    Forcat policore kanë rrethuar zonën dhe zjarrfikëset kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje.
    Ditët e fundit ka pasur trazira në disa burgje në Francë, pasi ka pasur të shtëna me armë zjarri dhe zjarrvënie automjetesh.
    Informacioni i parë për bombën erdhi nga Le Journal du Dimanche.

    Top Channel

  • Francë, Parisi dëbon 12 punonjës të konsullatës algjeriane

    Francë, Parisi dëbon 12 punonjës të konsullatës algjeriane

    Kriza diplomatike mes Francës dhe Algjerisë është ndezur sërish, pas vetëm 15 ditësh qetësie, Presidenti francez Emmanuel Macron vendosi sot të dëbojë dymbëdhjetë punonjës te konsullatës algjerianë, në përgjigje të një mase të ngjashme të marrë nga Algjeri, i cili akuzohet nga Parisi për këtë “përkeqësim të ri të dhunshëm” të marrëdhënieve.

    Macron, i cili kishte folur me telefon më 31 mars me homologun e tij algjerian Abdelmadjid Tebboune me qëllim rifillimin e dialogut mes tyre, vendosi gjithashtu të tërheqë për konsultime ambasadorin francez në Algjeri, Stéphane Romattet, njoftoi Elysee.
    Të dielën, autoritetet algjeriane shpallën ‘non grata’ 12 punonjës të Ministrisë së Brendshme franceze dhe u dhanë atyre 48 orë kohë për t’u larguar nga vendi. Kësaj i ka paraprirë arrestimi, në Francë, i një punonjësi në një konsullatë algjeriane.
    Fillimisht Macron u përpoq të merrte kohë, por duke parë që Algjeri nuk po e kthente vendimin e tij, vendosi se duhej të tregonte se as ai nuk tërhiqej. Dëbimi i 12 francezëve, të cilët sonte janë nisur për në Francë, “është i pajustifikuar dhe i pakuptueshëm”, komentoi presidenca franceze.
    Parisi mori kështu kundërmasa “simetrike”, duke u dhënë 12 punonjësve të konsullatës algjeriane 48 orë kohë për t’u larguar nga vendi. Ministri i Brendshëm francez Bruno Retaillo i tha kanalit televiziv Cnews se ai e konsideronte vendimin “absolutisht të përshtatshëm”.
    Presidenca franceze beson se “autoritetet algjeriane mbajnë përgjegjësi për përkeqësimin e marrëdhënieve dypalëshe”. Për ministrin e Jashtëm Jean-Noel Barrot, i cili vizitoi Algjerinë në fillim të muajit, Algjeria “zgjodhi përshkallëzimin”.
    Algjeria, nga ana e saj, mbrojti vendimin e saj të hënën dhe vendosi “përgjegjësinë e plotë” mbi Retaillo, një ministër i krahut të djathtë i cili muajt e fundit ka promovuar një linjë të ashpër kundër atij vendi, veçanërisht në lidhje me emigracionin.
    “Bruno Retaillo nuk ka asnjë lidhje me këtë çështje gjyqësore”, siguroi Barrot, duke theksuar pavarësinë e gjyqësorit francez.
    Të premten e kaluar, tre burra, përfshirë një punonjës në një konsullatë algjeriane në Francë, u arrestuan me akuzën e rrëmbimit dhe ndalimit arbitrar. Çështja ka të bëjë me ndikuesin algjerian anti-establishment, Amir Bouhors, i njohur gjithashtu me pseudonimin Amir DZ, i cili u rrëmbye dhe më pas u lirua në Francë në vitin 2024.
    Pavarësisht përkeqësimit të papritur të marrëdhënieve, Parisi ende beson se është në interesin e të dy vendeve të rifillojnë dialogun dhe i bëri thirrje Algjerit të “tregojë përgjegjësi”.
    Kriza kishte filluar tetë muaj më parë, kur Macron shprehu mbështetjen e tij të plotë për një plan për autonomi për Saharanë Perëndimore nën sundimin maroken. Ky rajon pretendohet prej 50 vitesh nga Fronti Polisario, i cili kërkon të krijojë një shtet të pavarur, me mbështetjen e Algjerisë. Në atë kohë, Algjeria tërhoqi menjëherë ambasadorin e saj nga Parisi.
    Presidentët e të dy vendeve më pas udhëzuan ministrat e jashtëm që të rifillojnë dialogun për të gjitha çështjet “të mprehta”, si emigracioni dhe arrestimi i shkrimtarit franko-algjerian Boualem Sansal nga autoritetet algjeriane.
    Barrot këmbënguli sot se “çështjet gjyqësore nuk kanë të bëjnë fare me marrëdhëniet midis dy qeverive”.

    Top Channel

  • Çerekfinalet e Champions League, Real Madrid sot në Londër përballë Arsenalit, Bajerni ka punë me Interin

    Çerekfinalet e Champions League, Real Madrid sot në Londër përballë Arsenalit, Bajerni ka punë me Interin

    Adriatik BALLA
    Sot në mbrëmje rikthehen emocionet e Champions League, me duelet e para çerekfinale. Te Reali i Madridit po shkëlqen Kilian Mbape, që për kohë të gjatë ishte lojtar i PSG-së. Mbape dhe Madridi të martën prej orës 21:00 luajnë në Londër kundër Arsenalit në ndeshjen e parë çerekfinale të Championsit. Ndeshja e kthimit është më 16 prill. Parisi tashmë e ka fituar titullin e kampionit në Francë, pa e pësuar asnjë humbje. Skuadra e Luis Enrikes e pret të mërkurën Aston Vilën në ndeshjen e parë çerekfinale. Formati i ri i Ligës së Kampionëve i vendosi këto katër skuadra në njërën anë të shortit. PSG-ja nuk ka qenë asnjëherë kampion evropian. Gjatë shtatë vjetëve të Mbapes në skuadër, Parisi ka arritur vetëm një herë në finale të Championsit. Në një të tetën e finales, Parisi shkëlqeu. Por e eliminoi Liverpulin, liderin e kampionatit anglez, vetëm pas gjuajtjes së penalltive.
    Nëse për bazë merret Premier League, atëherë Liverpuli është ekip dukshëm më cilësor se Aston Vila, që megjithatë po kalon formë të lartë së fundi. Pjesa tjetër e shortit ka tre liderë të ligave nacionale dhe një skuadër që është vetëm e teta në renditje. Bajerni i Mynihut e pret Interin të martën në stadiumin ku zhvillohet finalja më 31 maj. Të mërkurën Barcelona luan me Borusia Dortmundin, ndërsa llogaritet favorite e madhe. Dortmundit ndoshta do t’i duhet triumfi në Champions për të siguruar paraqitjen në garën elitare evropiane në edicionin e ardhshëm. Në Bundesligë ka mbetur shumë prapa. Ndërkohë, Reali i Madridit po e kërkon trofeun e 16-të evropian, por ka rrugë të vështirë sa edhe ajo e kampanjës epike të vitit 2022, kur kaloi PSG-në e Mbapes, Çelsin, Mançester Sitin dhe Liverpulin në finale. Këtë edicion skuadra e Karlo Ançelotit ka kaluar Mançester Sitin dhe Atletiko Madridin.
    Duhet të kalojë edhe Arsenalin e Mikel Artetas, që ka mbetur me vetëm një shans për të fituar trofe. Mbape dhe mbrojtësi Antonio Rudiger, që shënoi penalltinë vendimtare ndaj Atletikos, u lejuan të premten nga UEFA që të luajnë në Londër. Dënimi i tyre me një ndeshje moslojë për festim të tepruar u shndërrua me dënim me një kusht për periudhë njëvjeçare. Ndeshja mes PSG-së dhe Aston Vilës vë përballë dy skuadra që po kalojnë formë të lartë. Bilanci i Parisit prejse përfundoi vetëm i 15-ti në fazën e ligës në Champions, në janar, është 16 fitore në 17 ndeshje në të gjitha garat. Humbjen e vetme e kishte nga Liverpuli në një të tetën e finales së Championsit. Ishte në fakt një humbje pa fat, në një ndeshje të dominuar nga parisienët.
    Dhe Parisi u revanshua në “Anfield” për të bërë vend në çerekfinale. Vila, që për trajner e ka Unay Emerin, ka shtatë fitore rresht. Skuadra angleze është në këtë fazë të garës për herë të parë në 42 vjetët e fundit. Ndeshja e Barcelonës me Borusia Dortmundin bashkon dy golashënuesit më të mirë të garës, plus Robert Levandovskin. Rafinja i Barcelonës është golashënuesi më i mirë me 11 gola, ndërsa sulmuesi i Dortmundit, Serhou Guirasi i ka dhjetë gola. Dhjetë i ka edhe Herri Kejn i Bajernit.

  • “Cowboy”, aktorja Lee Dong sjell shfaqjen e saj nga Parisi në “Mediums”

    “Cowboy”, aktorja Lee Dong sjell shfaqjen e saj nga Parisi në “Mediums”

    “Cowboy” është një shpërthim i jetës së një gruaje në botën e meshkujve më të ashpër.Aktorja Lee Dong vjen nga Parisi në “Mediums”, festivali i teatrit bashkëkohor i drejtuar nga aktorja e mirënjohur shqiptare Ema Andrea.
    Në këtë shfaqje ajo hyn tek personazhi dhe e tregon historinë e saj me habi, duke kujtuar tmerret me zgjuarsi të pafajshme, sikur këto gjëra i ndodhin çdo vajze. Ajo e zhvesh jetën e saj dhe na bën për të qeshur përballë më të keqes. Triumfi i saj është shpërblim i nevojshëm.Lee Dong është një aktore, mësuese, regjizore dhe shkrimtare e cila jeton në Paris, Francë. Lee Dong u diplomua në degën teatër në Universitetin e West Virginia, USA dhe nga Jacques Lecoq International School në Paris.
    Nga viti 2018 deri në 2020, ajo performoi në Le Banquet nga Mathilda May, me të cilin fitoi çmimin Les Molieres. Në ekran Lee ka punuar me një numër të lartë regjizorësh, duke përfshirë dhe Julie Delpy, Luc Besson, Antoine Garceau dhe Cedric Klapisch. Lee figuron në Dix Pour Cent në Netflix dhe në Gutys me Hilary Clinton në Apple TV.
    Festivali i teatrit bashkëkohor i titulluar “Mediums” është një ngjarje kulturore që mbledh artistë e grupe teatrore, dhe synon të kthehet në një iniciativë vjetore, duke vendosur Tiranën dhe Shqipërinë çdo vit në dinamikat e artit bashkëkohor.