Kim Kardashian dëshmoi në gjyqin e të dyshuarve për grabitjen e vitit 2016, ku u lidh dhe iu drejtua një armë në dhomën e saj të hotelit në Paris.
Sipas BBC-së, të martën, më 13 maj, Kardashian, 44 vjeç, u pyet nëse kishte menduar se do të vdiste gjatë grabitjes, dhe ajo u përgjigj: “Po, absolutisht mendova se do të vdisja.”
Ajo tha se gjatë incidentit ishte vetëm me një robdishan, e cila u hap kur një nga burrat e tërhoqi drejt tij, duke “i ekspozuar trupin e saj tërësisht.”
“Isha e sigurt që do të më përdhunonin,” dëshmoi ajo, sipas NBC News. Megjithatë, në vend të kësaj, grabitësit ia lidhën këmbët.
Kardashian tregoi gjithashtu se iu lutej grabitësve, duke u thënë: “Kam fëmijë dhe duhet të kthehem tek ata,” ndërsa një prej tyre, sipas saj, i bërtiti: “Mbylle gojën.”
Gjatë dëshmisë, Kardashian tha se edhe kur u bë e qartë që grabitësit donin vetëm bizhuteritë, ajo vazhdonte të kishte frikë për jetën e saj dhe mendonte se nëna e saj, Kris Jenner, dhe motra Kourtney do ta gjenin të vdekur.
Pasi u hodh në shtrat me duar dhe këmbë të lidhura, Kim tha se mendoi se po vinte momenti kur do të qëllohej:
“Në atë moment isha e bindur se do të më qëllonin,” u shpreh ajo. “Prandaj thashë një lutje për familjen time, për mamanë time, për motrën dhe shoqen më të ngushtë.”
Ajo shtoi se e dinte që Kourtney, 46 vjeç, do të kthehej së shpejti në hotel dhe mendonte: “Do të më vrasin në shtrat dhe ajo do ta shohë dhe do ta mbajë mend për gjithë jetën.”
Përpara se grabitësit të largoheshin, një prej tyre e hodhi në dyshemenë e banjës. Kardashian priti disa minuta për t’u siguruar që ishin larguar përpara se të përpiqej të çlirohej. Ajo i çliroi duart dhe shkoi në dhomën e stilistit të saj për të kërkuar ndihmë.
Sipërmarrësja dëshmoi gjithashtu se para incidentit ndihej e sigurt në Paris, por tani shoqërohet nga katër deri në gjashtë truproja në çdo moment, madje edhe në shtëpinë e saj në Kaliforni.
Dhjetë persona janë në gjyq për akuza të lidhura me grabitjen, sipas New York Times, NBC News dhe ABC News. Mediat franceze ie kanë quajtur grupin “grabitësit gjyshër”, për shkak të moshës së tyre dhe të kaluarës kriminale.
Policia franceze arrestoi fillimisht 17 të dyshuar në janar 2017. Gjysma e të pandehurve aktualë janë konsideruar bashkëpunëtorë. Njëri prej tyre është vëllai i shoferit të saj personal në Paris.
Njëri nga të pandehurit, Yunice Abbas, 71 vjeç, e ka pranuar publikisht pjesëmarrjen e tij në grabitje. Ai është bashkautor i librit të vitit 2021 “Unë rrëmbeva Kim Kardashian”, por ka deklaruar në gjyq se nuk ka qenë ai që zgjodhi titullin dhe se ai e shtrembëron realitetin.
“Më vjen keq, jo sepse u kapa, por sepse… pati një traumë,” dëshmoi Abbas më 29 prill.
Sipas The Times, bizhuteritë e vjedhura kishin vlerë rreth 9 milionë dollarë, dhe shumica nuk janë rikuperuar.









