Tag: parave

  • Drejtësia e plehrave: Dënohen letërshkruesit, jo hajdutët që ‘dogjën’ paratë dhe groposen plehrat

    Drejtësia e plehrave: Dënohen letërshkruesit, jo hajdutët që ‘dogjën’ paratë dhe groposen plehrat

    Nga Flamur Vezaj/

    Shtatë të dënuar me dënime “të tmerrshme”, disa javë burg, ca muaj paraburgim… që mezi ia vlen t’i quash dënime. Tre të tjerë me shërbim prove, se s’ka pse të lodhen fare, dhe një… pafajësi! Gjithë kjo për një “krim të rëndë”, procedura e tenderit për inceneratorët. Jo për vjedhjen. Jo për zhdukjen e parave. Jo për mungesën e impiantit. Por sepse… në letër fituesi ishte paracaktuar!

    Ndërkohë, për ata që dhanë dhe ata që morën 130 milionë euro dhe nuk ndërtuan kurrë gjë, jo vetëm që nuk ka dënim, por as akuzë! Pra, po, dënohesh për zgjedhjen e fituesit, por jo për faktin që fituesi fiku dritat dhe iku me thesin e parave!

    Ironia është që SPAK i arreston ata që “luajtën me letrat”, por s’ka as adresën e pronarëve që grumbulluan mbeturinat, groposën ndonjë gropë andej-këndej dhe e quajtën “incenerator”. Dhe jo vetëm kaq, por edhe pas pesë vitesh, SPAK s’ka qenë në gjendje të gjejë ku janë paratë! Sekuestrim? As mos ta përmendim…

    Ndërkohë, në ndonjë cep të Tiranës, krenarë si peshkatarë që kapin peshk plastik, mburren për sekuestrimin e 10 milionë në kriptomonedhave me ndihmën e të huajve, sigurisht. Se vetë, mezi sekuestronin ndonjë kacidhe.

    Pastaj vjen shefi i SPAK në raportim para KLP-së dhe mburret për sekuestrimet, që rrugës nuk bëhen kurrë konfiskime, se për çudi, paratë gjithmonë “shkrihen” rrugës. Por halli më i madh i shefit nuk ishte krimi i organizuar (pa SKYECC )jo korrupsioni madh, jo 130 milionë eurot që u zhdukën. Hallin e kishte, mes tjerash se ç’do ndodhë pas 9 vitesh me prokurorët e SPAK!-ut! Pse? Se do mbarojnë mandatet! Dhe kërkon që të ndryshohet Kushtetuta, që të mos lënë kolltukun… se kush rri dot prokuror por jo në SPAK!

    Ndërkohë, një tjetër shqetësim i madh ishte pesioni nga politika e media që po i bëhet SPAK-ut! Po mirë, a nuk e dinit këtë ditën që pranuat detyrën? Po pse jeni trembur tani? Nëse dikush ju kërcënon, arrestojeni! Nëse shpifin, paditeni! Apo juve ju pëlqen më shumë të qaheni nëpër raporte e konferenca sesa të veproni nëpër dosje!!?

    Dhe më e bukura, kërkesa zyrtare që SPAK-u të mos merret me çështje korrupsioni nëse shuma është më pak se 500 euro. Po a është ky versioni shqiptar i “çdo gjë nën 500 euro është bakshish, jo krim”? Po mirë, më falni, por kë keni arrestuar Ju që ka marrë më shumë se 500 euro këto pesë vite??! Se nuk po e gjejmë në asnjë faqe të raportit…

    Dhe për mbyllje epike, nuk na the pse kanë rënë kallëzimet nga policia, sipas analizës Së “ekspertëve” tuaj!??

  • Raporti AIF: Shqipëria, çerdhe e aktivitetit kriminal dhe pastrimit të parave

    Raporti AIF: Shqipëria, çerdhe e aktivitetit kriminal dhe pastrimit të parave

    Shqipëria vijon të renditet ndër vendet me risk të lartë për pastrim parash, ku ndërtimi mbetet fusha më e preferuar për të kanalizuar fondet me origjinë të dyshimtë. Departamenti Amerikan i Shtetit ka ngritur vazhdimisht alarmin për këtë çështje, ndërsa konfirmimi më i fundit vjen nga Agjencia e Inteligjencës Financiare, e cila në raportin vjetor për vitin 2024 ka evidentuar 234 raste të dyshuara për pastrim parash.
    Raporti, që tashmë është shpërndarë në institucionet përkatëse, tregon se shumica e këtyre rasteve janë referuar në strukturat më të larta të drejtësisë, përfshirë SPAK dhe Byronë Kombëtare të Hetimit. Një pjesë tjetër është adresuar në Prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm dhe në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, si organi kryesor për hetime financiare. Në këtë raport përmendet se janë dërguar gjithashtu 25 raste në Drejtorinë e Tatimeve për indicie të qarta mbi evazion fiskal, fshehje të të ardhurave apo shkelje të tjera të ligjit tatimor.
    Ndër rastet e përfshira, bien në sy edhe emra të njohur nga bota e drejtësisë, përfshirë një ish-zyrtar të lartë, për të cilin janë ngritur dyshime të forta për përfshirje në skema të pastrimit të parave. Ky fakt ka rritur edhe më shumë shqetësimin publik, pasi ndikon drejtpërdrejt në besimin ndaj institucioneve të drejtësisë, që duhet të jenë në ballë të luftës kundër korrupsionit dhe kriminalitetit financiar.
    Raporti i AIF nuk ndalet vetëm në rastet konkrete, por zbulon edhe metodat e sofistikuara që përdoren për të fshehur origjinën e fondeve. Transferta të dyshimta, shpesh të pambështetura nga dokumentacion zyrtar, investime në pasuri të paluajtshme me burime të panjohura, blerje të pasurive luksoze si automjete të shtrenjta apo bizhuteri në emër të personave me të ardhura modeste, janë vetëm disa nga skemat e përdorura për të futur paratë e pista në ekonomi.
    Po ashtu, janë konstatuar rritje të pashpjegueshme të kapitalit në biznese të ndryshme, blerje aksionesh me çmime që nuk përputhen me vlerën reale të shoqërive, dhurime apo huadhënie mes palëve pa lidhje të qarta logjike apo financiare, si dhe përdorimi i personave të tretë për të kryer transaksione me qëllim fshehjen e gjurmëve të vërteta financiare.
    Një pjesë e këtyre informacioneve është ndarë edhe me Shërbimin Informativ Shtetëror, për shkak të natyrës së ndjeshme të rasteve dhe implikimeve të mundshme në veprimtari të tjera kriminale. Sipas burimeve, janë referuar 116 raste të dyshuara që përkojnë me interesa të përbashkëta ndërmjet AIF dhe SHISH.
    E gjithë kjo tablo dëshmon se pastrimi i parave në Shqipëri nuk është thjesht një problem ekonomik, por një sfidë që përfshin drejtësinë, politikat fiskale, sigurinë dhe besimin e qytetarëve ndaj shtetit. Kur vetë institucionet që duhet të garantojnë rendin dhe ligjin implikohen ose nuk arrijnë të kontrollojnë dot rrjetet që manipulojnë fondet e krimit, atëherë pasojat janë shumë më të thella se thjesht humbja e disa milionë eurove: është në rrezik vetë funksionimi i shtetit ligjor.

  • Miliona euro/ Nga Ishujt Kajman në Afrikën e Jugut, 13 skema pastrimi parash në 2024

    Miliona euro/ Nga Ishujt Kajman në Afrikën e Jugut, 13 skema pastrimi parash në 2024

    Në pasuri të paluajtshme, automjete e bizhuteri… duke përdorur shqiptarë e shtetas të huaj kryesisht në Ishujt Kajman e Afrikën e Veriut, vitin e shkuar u identifikuan 13 skema të pastrimit të parave.

    Të dhënat nga Agjencia e Inteligjencës Financiare të përmbledhura në raportin e vitit të shkuar tregojnë se gjatë 2024-s u bllokuan e më pas u sekuestruan 10,4 milionë euro. Vlera e parave që grupet kriminale u përpoqën të pastronin vjet, por që u kapën nga Inteligjenca Financiare është 10-fish më e lartë se gjatë 2023-shit.

    Brikena Kasmi, ish-zëvendësministre e Drejtësisë, u shpreh: ‘Të dhënat tregojnë se pavarësisht se ne kemi dalë nga lista gri e pastrimit të parave, ky fenomen mbetet prezent dhe në formë shqetësuese’.

    Të dhënat nga Agjencia e Inteligjencës Financiare tregojnë se vitin e shkuar, më shumë se gjysma e skemave të identifikuara të pastrimit të parave përfshiu edhe bizneset. Të përfshirë në skemat e pastrimit të parave nuk ishin vetëm shqiptarët. Tre shtetas të huaj hapën tre biznese në vend dhe përmes tyre përfitojnë 3 milionë euro, transferta që vinin kryesisht nga Singapori, Rumania e Kolumbia, dhe fshiheshin nën petkun e ‘shërbimit të konsulencës’.

    Edison Zaçaj, pedagog dhe ekspert ekonomie, shprehet: ‘Përdoren kryesisht bizneset në fushën e shërbimeve. Ato janë më të vështirat për t’u gjurmuar’.

    Ndërsa Brikena Kasmi, ish-zëvendësministre e Drejtësisë, thotë: ‘Tre elementët kryesorë të pastrimit të parave janë vendosja (placement), shtresëzimi dhe integrimi. Të tre këto elementë nuk kanë ndryshuar’.

    Të dhënat nga Agjencia e Inteligjencës Financiare për bankat, pikat e këmbimit valutor apo noterët vitin e shkuar pati gati për pastrim parash. Në raport me vitet e mëhershme, ‘Raporti i aktivitetit të dyshimtë’ pësoi rritje. Kryesisht në Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë e Posaçme SPAK, ‘Inteligjenca Financiare’ përcolli 234 raste të dyshuara të pastrimit të parave, 14 raste më tepër se në vitin 2023.

    ‘Në mendimin tim ka shumë më shumë raste për t’u shqyrtuar dhe shumë më shumë vepra ende të paregjistruara. Këto janë vlera të parave të kapura, por fenomeni është shumë më shumë i gjerë’, thekson Zaçaj.

    Të dhënat nga Agjencia e Inteligjencës Financiare tregojnë se vitin e shkuar me vendim të Prokurorisë apo Gjykatës u sekuestrua 97 për qind e vlerës së parave të bllokuara. Ky raport ka mbetur thuajse i pandryshuar në 6 vitet e fundit.

  • Këmbimi valutor në monitorim për pastrimin e parave, hiqen 24 licenca

    Këmbimi valutor në monitorim për pastrimin e parave, hiqen 24 licenca

    Në vitin 2024, Banka e Shqipërisë ka revokuar 24 licenca të agjencive të këmbimit valutor. Ky treg është sektor me risk të lartë për pastrim parash, dhe për pasojë Banka Qendrore ka rritur edhe numrin e kontrolleve. Inspektime, janë kryer edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, e cila ka ndëshkuar me gjoba disa subjekte. Nga ana tjetër edhe interesi për të investuar në bizneset që shesin dhe blejnë para, nuk ka munguar, pasi me dhënien e 22 licencave të reja, numri i pikave të këmbimit valutor ka arritur në 642.
    Biznesi EX-CHANGE në Shqipëri po bëhet fitimprurës, për shkak të valutës së lartë që qarkullon nga prania e shtuar e tursitëve dhe përdorimit në rritje të euros si monedhë me të cilët mund të blihet dhe shitet lirisht në treg. Të dhënat tregojnë se vetëm vitin e kaluar janë këmbyer rreth 12 mld euro, shumë e cila ka tejkaluar vitet parardhëse, kur këmbeheshin 5 deri në 7 mld euro.

  • U sekuestruan miliona euro. Nga Ishujt Kajman në Afrikën e Jugut, 13 skema pastrimi parash në 2024

    U sekuestruan miliona euro. Nga Ishujt Kajman në Afrikën e Jugut, 13 skema pastrimi parash në 2024

    Në pasuri të paluajtshme, automjete e bizhuteri… duke përdorur shqiptarë e shtetas të huaj kryesisht në Ishujt Kajman e Afrikën e Veriut, vitin e shkuar u identifikuan 13 skema të pastrimit të parave.
    Të dhënat nga Agjencia e Inteligjencës Financiare të përmbledhura në raportin e vitit të shkuar tregojnë se gjatë 2024-s u bllokuan e më pas u sekuestruan 10,4 milionë euro, shkruan A2. Vlera e parave që grupet kriminale u përpoqën të pastronin vjet, por që u kapën nga Inteligjenca Financiare është 10-fish më e lartë se gjatë 2023-shit.
    Brikena Kasmi, ish-zëvendësministre e Drejtësisë, u shpreh: “Të dhënat tregojnë se pavarësisht se ne kemi dalë nga lista gri e pastrimit të parave, ky fenomen mbetet prezent dhe në formë shqetësuese”.
    Të dhënat nga Agjencia e Inteligjencës Financiare tregojnë se vitin e shkuar, më shumë se gjysma e skemave të identifikuara të pastrimit të parave përfshiu edhe bizneset. Të përfshirë në skemat e pastrimit të parave nuk ishin vetëm shqiptarët. Tre shtetas të huaj hapën tre biznese në vend dhe përmes tyre përfitojnë 3 milionë euro, transferta që vinin kryesisht nga Singapori, Rumania e Kolumbia, dhe fshiheshin nën petkun e “shërbimit të konsulencës”.
    Edison Zaçaj, pedagog dhe ekspert ekonomie, shprehet për A2: “Përdoren kryesisht bizneset në fushën e shërbimeve. Ato janë më të vështirat për t’u gjurmuar”.
    Ndërsa Brikena Kasmi, ish-zëvendësministre e Drejtësisë, thotë: “Tre elementët kryesorë të pastrimit të parave janë vendosja (placement), shtresëzimi dhe integrimi. Të tre këto elementë nuk kanë ndryshuar”.
    Të dhënat nga Agjencia e Inteligjencës Financiare për bankat, pikat e këmbimit valutor apo noterët vitin e shkuar pati gati për pastrim parash. Në raport me vitet e mëhershme, “Raporti i aktivitetit të dyshimtë” pësoi rritje. Kryesisht në Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë e Posaçme SPAK, “Inteligjenca Financiare” përcolli 234 raste të dyshuara të pastrimit të parave, 14 raste më tepër se në vitin 2023.
    “Në mendimin tim ka shumë më shumë raste për t’u shqyrtuar dhe shumë më shumë vepra ende të paregjistruara. Këto janë vlera të parave të kapura, por fenomeni është shumë më shumë i gjerë”, thekson Zaçaj.
    Të dhënat nga Agjencia e Inteligjencës Financiare tregojnë se vitin e shkuar me vendim të Prokurorisë apo Gjykatës u sekuestrua 97 për qind e vlerës së parave të bllokuara. Ky raport ka mbetur thuajse i pandryshuar në 6 vitet e fundit.

  • Mashtrimet me vizat/ Ambasada e SHBA thirrje qytetarëve: Shmangni konsulencat që ofrojnë shërbim në këmbim të parave

    Mashtrimet me vizat/ Ambasada e SHBA thirrje qytetarëve: Shmangni konsulencat që ofrojnë shërbim në këmbim të parave

    Ambasada e SHBA në Tiranë iu ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e mashtrimeve kur aplikojnë për viza amerikane.Në një video të publikuar në rrjetet sociale, ambasada thekson se duhet të shmangin konsulancat që ofrojnë shërbim në këmbim të parave.
    “Mos i beso askujt që premton të të ndihmojë të marrësh një vizë amerikane në këmbim të parave. Agjencitë e vizave kanë si qëllim kryesor të fitojnë para, jo të të japin këshilla të mira. Nëse ata e plotësojnë aplikimin tënd gabim ose me informacion të rremë, ti je përgjegjës. Aplikimi yt do të refuzohet dhe çdo vizë e vlefshme mund të anulohet.Kurseni paratë tuaja dhe shmangni mashtrimet – ne ofrojmë informacion se si ta plotësoni vetë aplikacionin tuaj falas në: https:// bit.ly/4lfcAJL #securingusborders “, thuhet në reagimin e ambasadës.

  • “Në 2024-ën u rrit pastrimi i parave”, raporti i prokurorisë: Veprat penale më të shpeshta falsifikimi e trafiku i drogës

    “Në 2024-ën u rrit pastrimi i parave”, raporti i prokurorisë: Veprat penale më të shpeshta falsifikimi e trafiku i drogës

    Pastrimi i parave është vepra penale më shpeshtë e regjisteruar gjate vitit 2024. Këtë e bën të ditur, Prokuroria e Përgjithshme që në raportin vjetor, dorëzuar kuvendit të Shqipërisë.
    Veprat penale kundër pastrimit të parave tregojnë rritjen më të lartë, prej 59%, falsifikimi i monedhave dhe letrave me vlerë 48%, krimet në fushën e doganave , 40% si edhe veprat penale në lidhje me veprimtaritë bankare dhe financiare, 33.3%.
    Organi i akuzës bën apel për forcimin e mekanizmave ligjorë për parandalimin e krimeve që kanë shenuar rritje.

    Një rritje të konsiderueshme të procedimeve të regjistruara vërehet në edhe në veprat penale kundër personit, si veprat kundër lirisë së personit, 30.6%, krimet seksuale 30%, krimet kundër jetës të kryera me dashje 21.7%, veprat penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes 18.4%.
    Gjatë vitit 2024 Prokuroria e Përgjithshme thotë se ka trajtuar 61mijë ceshtje me një rritje 10,6 % në krahasim me 2023-shin.
    /vizionplus.tv

  • Bujar Shega, krahu i djathtë i Suel Çelës/ Gazetarja: Financuesi kryesor dhe në shërbim të organizatës, bënte pastrimin e parave

    Bujar Shega, krahu i djathtë i Suel Çelës/ Gazetarja: Financuesi kryesor dhe në shërbim të organizatës, bënte pastrimin e parave

    Bujar Shega i njohur ndryshe edhe si krahu u djathtë i Suel Çelës, është ekstraduar nga Italia.
    Në një intervistë në “News Line” në ABC News, gazetarja dhe autorja e emisionit “Gjërat Tona”, Etleva Delia u shpreh se Marsel Shega është emri i vërtetë i Buraj Shegës, duke nënvizuar se ishte edhe personazhi kryesor që bënte pastrimin e parave. Dhe përveç kësaj, Bujar Shega ishte edhe në shërbim të organizatës.
    “Marsel Shega është emri i vërtetë i Bujar Shegës, dhe është pronar i dy kompanive.Flitet si personazh kryesor që bënte pastrimin e parave të grupit të Suel Çelës dhe dyshohet edhe për përfshirje të aktivitetit të tij edhe në një grup tjetër. Përveç faktit që thuhej se kishte fituar tenderë për pastrimin e qyteteve dhe nëpërmjet tyre bënte pastrimin e parave. Në një bisedë ka dalë që Sule Çela i kërkonte të zbulonte edhe situatën me trafikun e drogës përveç pastrimit të parave kishte rol edhe në shërbim të grupit, të organizatës. Vetë Suel Çela ishte në kërkim edhe për një dosje tjetër dhe u rishpall në kërkim. Ka edhe persona të tjerë që nuk janë arrestuar ende dhe që ndiqen në gjendje të lirë”, u shpreh Delia.
    Ndërsa foli edhe për marrëveshjet e ekstradimit, Delia nënvizoi se fakti që një personazh i shumëkërkuar ekstradohet, kjo tregon edhe një arritje për drejtësinë shqiptare.
    “Momenti kur një personazh i kërkuar ekstradohet është një arritje për drejtësinë shqiptare”, tha ndër të tjera ajo.

  • SPAK zbardh skemat e pastrimit të parave në Shqipëri, ja si bandat dhe zyrtarët e korruptuar kamuflojnë ‘eurot e pista’

    SPAK zbardh skemat e pastrimit të parave në Shqipëri, ja si bandat dhe zyrtarët e korruptuar kamuflojnë ‘eurot e pista’

    SPAK publikoi sot raportin vjetor të vitit 2024.
    Nje pjesë të raportit e zë skema e pastrimit të parave.

    SPAK thekson se pastrimi i parave përmes transaksioneve fiktive dhe investimeve të fshehta është një element thelbësor i kësaj skeme.
    Sipas SPAK përdorimi i “cash”-it për të shmangur gjurmët financiare dhe ri-investimi i fondeve në aktivitete të tjera ekonomike tregon një nivel të lartë të sofistikimit të kësaj veprimtarie.
    SPAK bën me dije se nga hetimi i veprave penale në kuadër të korrupsionit janë evidentuar disa tipologji të pastrimit të parave si më poshtë:
    Pastrimi i parave nëpërmjet kalimit indirekt të fondeve publike:
    • Në këtë tipologji, zyrtari publik përdor pozitat e tij drejtuese për të favorizuar një shoqëri tregtare, me qëllim përfitimin e fondeve publike të institucionit që ai drejton. Pas përfitimit të paligjshëm, të ardhurat kalojnë një subjekt privat përfitues tek një tjetër subjekt privat, i cili ka lidhje indirekte me zyrtarin publik. Këto fonde më pas investohen në pasuri të paluajtshme.
    Pagimi për punime fiktive dhe investimi në pasuri të paluajtshme:
    • Shoqëritë tregtare të ngritura qëllimisht për të përfituar në mënyrë të paligjshme fondet publike, kontrollohen nga zyrtarët publike. Fondet publike, nëpërmjet skemave të pagesave për punime fiktive, nxirren më pas nga sistemi bankar në formën e parave “cash” . Një pjesë tjetër e parave ri-investohet në aktivitetet tregtare të shoqërisë ose në pasuri të paluajtshme, duke e bërë më të vështirë identifikimin e origjinës së paligjshme të parave.
    Falsifikimi i dokumenteve:
    • Individë të lidhur me skemën korruptive, përdorin dokumente të falsifikuara për të regjistruar pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme me ndihmën e zyrtarit publik. Pasuria transferohet më pas në pronësi të një përfituesi tjetër. Ky i fundit e shet/tjetërson, duke e fshehur kështu lidhjen direkte midis zyrtarit publik dhe përfitimit të parregullt por dhe duke legalizuar produktet e veprës penale.
    Pastrimi i parave përmes kontratave dhe investimeve:
    • Në këto raste përdoret influenca politike për hartimin e ligjeve dhe marrjen e vendimeve për të favorizuar disa shoqëri tregtare/subjekte private të përfitojnë prona dhe fonde publike në shkelje të ligjit. Më pas këto shoqëri tregtare kanë kryer pagesa për interesa të zyrtarëve publikë ose ju kanë dhënë prona të patundshme me çmime të cilat janë nën vlerën e tregut. Të gjitha këto veprime kryhen për të fshehur veprimet korruptive dhe pastruar produktet e veprave penale përmes transaksioneve të ndryshme që fshehin origjinën e tyre.

  • Skemat e korrupsionit, shkeljet e procedurave të prokurimit dhe pastrimi i parave, publikohet raporti i SPAK për 2024

    Skemat e korrupsionit, shkeljet e procedurave të prokurimit dhe pastrimi i parave, publikohet raporti i SPAK për 2024

    Kuvendi i Shqipërisë ka publikuar raportin vjetor të SPAK, atë për vitin 2024, që i është dorëzuar nga Prokuroria ne Posaçme.

    Në këtë raport evidentohet se gjatë vitit 2024 janë regjistruar 65 hetime të nisura kryesisht, edhe pse krahasuar me vitin 2023, vihet re një rënie në masën rreth 7,1% e interceptimit të pajisjeve fundore.
    Po kështu, evidentohet rritje e kërkesave për ndihmë juridike në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar me 45,8% për ato të ardhura nga jashtë vendit dhe me 34,7%, për ato drejtuar autoriteteve të huaja.
    SPAK thekson se presioni i jashtëm nga krimi i organizuar, aktorë politikë dhe mediatik, cenon pavarësinë e tij kushtetuese dhe efektivitetin në hetime. Ndërhyrjet e jashtme rrezikojnë gjithashtu, integritetin e prokurorëve dhe të procesit hetimor. Për të garantuar pavarësinë e SPAK-ut, si dhe mbështetje për prokurorët në çështje të ndjeshme, nevojitet një reagim më i koordinuar dhe në kohë i të gjitha institucioneve, të cilat kanë përgjegjësinë e mbrojtjes së integritetit të SPAK.
    Po ashtu sa i përket korrupsionit, në raport evidentohet:
    Nga hetimet e vitit 2024 rezulton se korrupsioni i zyrtarëve të lartë zhvillohet në një terren kompleks, përmes manipulimit të procedurave publike dhe shfrytëzimit të pozicioneve zyrtare për përfitime personale. Veprat penale më të evidentuara përfshijnë ushtrimin e ndikimit të paligjshëm, shkeljen e barazisë në tendera, falsifikimin e dokumenteve, korrupsionin aktiv e pasiv, pastrimin e produkteve të veprës penale, shpërdorimin e detyrës dhe falsifikimin e vulave etj. Hetimet kanë treguar ngritjen e shoqërive tregtare të cilat janë përdorur për të përfituar në mënyrë të parregullt kontrata publike duke shkelur ligjin dhe rregullat e prokurimit. Kjo ka sjellë përfitime monetare të cilat më pas janë fshehur përmes veprimeve fiktive financiare dhe janë përvetësuar nga pronarët e shoqërisë. Në mënyrë të veçantë, është evidentuar se një pjesë e këtyre fondeve është tërhequr jashtë sistemit bankar në formë “cash”, ndërsa një pjesë tjetër është ri-investuar në aktivitete tregtare dhe në blerjen e pasurive të paluajtshme. Ky modus operandi tregon për një tipologji të korrupsionit në formë të sofistikuar, ku krijimi i skemave të fshehta financiare dhe përdorimi i ndërmjetësve luajnë një rol kyç në shmangien e zbulimit nga autoritetet.
    Disa nga veçoritë e vërejtura në këto skema korruptive janë:
    Strukturimi i skemës dhe koordinimi i aktorëve
    * Skema përfshin bashkëpunimin mes aktorëve publikë dhe privatë, ku zyrtar publik manipulojnë procedurat ligjore, ndërsa subjektet private përfitojnë në mënyrë të paligjshme nga fondet publike. Ky bashkëpunim e bën korrupsionin të qëndrueshëm dhe të vështirë për t’u zbuluar.
    Shkelja e procedurave të prokurimit
    * Një nga aspektet kryesore është përdorimi i tenderëve publikë si mjet për shpërndarjen e paligjshme të fondeve. Shkelja e barazisë në tendera krijon një avantazh artificial për subjekte të caktuara, duke ndikuar negativisht në konkurrencën e ndershme dhe cilësinë e projekteve publike.
    Përdorimi i ndërmjetësve dhe mbështetja institucionale
    * Skema nuk funksionon vetëm si një akt individual i korrupsionit, por mbështetet nga një
    rrjet i sofistikuar, i cili përfshin ndërmjetës financiarë dhe kompani të lidhura. Ky mekanizëm vështirëson identifikimin e përfituesve të fundit dhe pengon ndjekjen penale efektive.
    Pastrimi i parave
    * Pastrimi i parave përmes transaksioneve fiktive dhe investimeve të fshehta është një element thelbësor i kësaj skeme. Përdorimi i “cash”-it për të shmangur gjurmët financiare dhe ri-investimi i fondeve në aktivitete të tjera ekonomike tregon për një nivel të lartë të sofistikimit.
    4.1. Analiza e të dhënave
    Treguesit e vitit 2024 tregojnë një tendencë në rritje të luftë kundër korrupsionit të funksionarëve publik. Këto të dhëna tregojnë se nga totali i çështjeve nën hetim, vetëm 5.88% janë kërkuar të pushohen, 12.35% janë transferuar në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, , 0.98% janë pezulluar, ndërsa 67.45% e çështjeve mbeten pjesë e hetimit për vitin 2025. Nga ana tjetër, numri i personave të dërguar në gjykatë përbën rreth 35.2% të totalit të individëve nën hetim.
    Në vitin 2024, janë 10 funksionarë të lartë publik për të cilët ka pasur vendime të gjykatave të cilat kanë marrë formë të prerë.
    Vihet re një tendencë për sofistikimin e skemave korruptive të abuzimit me fondet publike në nivel qendror dhe lokal. Disa nga veçoritë e këtyre skemave janë:
    Krijimi i subjekteve tregtare fiktive. Krijohen shoqëri tregtare fiktive të cilat ngrihen dhe kontrollohen nga zyrtarët publik me qëllim të përfitimit të fondeve publike, në shkelje të ligjit duke manipuluar dhe kontrolluar të gjithë procesin e tenderimit qoftë nga ana e institucioneve publike në nivel qendror ose lokal, por qoftë edhe të subjektit tregtar që aplikon për këto fonde.
    Roli i ortakëve të fshehtë: Ortakët de facto të shoqërive tregtare të cilat aplikojnë për fondet publike, fshihen dhe nuk dalin në pah por përdorin persona të tjerë si ortakë fiktivë, de jure në dokumentacionin e shoqërisë.Manipulimi i procedurave të prokurimit: Zyrtarët publikë shkelin rregullat e prokurimit publikpër të favorizuar subjektin tregtar i cili është paracaktuar për ta fituar tenderin publik. Ky manipulim përfshin:
    * Pjesëmarrjen dhe shpalljen fituese të subjektit në disa procedura prokurimi të realizuara nga autoriteti kontraktor publik.
    * Caktimin e anëtarëve të komisioneve të vlerësimit të ofertave, duke përfshirë edhe njëritjetrin, për të siguruar që oferta e subjektit tregtar të paracaktuar të shpallet fituese.
    * Nënshkrimin e kontratave të sipërmarrjes në mënyrë të paligjshme, duke përfshirë kontroll të plotë mbi procedurat e prokurimit.Favorizimi në nivele të ndryshme: Subjekti tregtar i paracaktuar merr pjesë në disa tendera duke u shpallur fitues edhe në procedura të tjera të prokurimit të zhvilluara nga institucioni publik përkatës dhe/ose autoritete të tjera në varësi të saj, duke favorizuar subjektin privat të paracaktuar në mënyrë të parregullt ku:
    * Zyrtarët publik që marrin pjesë në këto procedura prokurimi, ndihmojnë në shpalljen fitues të subjektit tregtar të paracaktuar, duke manipuluar vlerësimet dhe duke i krijuar avantazhe të padrejta.
    * Këto favorizime realizohen në shkelje të rregullave të prokurimit publik, përfshirë shpalljen fituese të kompanisë në mënyrë të parregullt, duke i dhënë kështu një mundësi të padrejtë këtij subjekti për të fituar kontrata publike.Konflikti i interesit: Një tjetër aspekt i skemës korruptive është bashkëpunimi i drejtpërdrejtë midis zyrtarëve të autoriteteve kontraktore dhe përfaqësuesve të subjektit tregtar të paracaktuar.Vlerësimi i ofertave manipulohet, pasi realizohet me ndihmën apo ndikimin e subjektit tregtar të paracaktuar. Ky është një tregues i qartë i konfliktit të interesit dhe i përdorimit të institucioneve publike për qëllime private.
    4.2. Pastrimi i parave
    Nga hetimi i veprave penale në kuadër të korrupsionit janë evidentuar disa tipologji të pastrimit të parave si më poshtë:Pastrimi i parave nëpërmjet kalimit indir ekt të fondeve publike:
    * Në këtë tipologji, zyrtari publik përdor pozitat e tij drejtuese për të favorizuar një shoqëri tregtare, me qëllim përfitimin e fondeve publike të institucionit që ai drejton. Pas përfitimit të paligjshëm, të ardhurat kalojnë një subjekt privat përfitues tek një tjetër subjekt privat, i cili ka lidhje indirekte me zyrtarin publik. Këto fonde më pas investohen në pasuri të paluajtshme.Pagimi për punime fiktive dhe investimi në pasuri të paluajtshme:
    * Shoqëritë tregtare të ngritura qëllimisht për të përfituar në mënyrë të paligjshme fondet publike, kontrollohen nga zyrtarët publike. Fondet publike, nëpërmjet skemave të pagesave për punime fiktive, nxirren më pas nga sistemi bankar në formën e parave “cash” . Një pjesë tjetër e parave ri-investohet në aktivitetet tregtare të shoqërisë ose në pasuri të paluajtshme, duke e bërë më të vështirë identifikimin e origjinës së paligjshme të parave.
    Falsifikimi i dokumenteve:* Individë të lidhur me skemën korruptive, përdorin dokumente të falsifikuara për të regjistruar pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme me ndihmën e zyrtarit publik. Pasuria transferohet më pas në pronësi të një përfituesi tjetër. Ky i fundit e shet/tjetërson, duke e fshehur kështu lidhjen direkte midis zyrtarit publik dhe përfitimit të parregullt por dhe duke legalizuar produktet e veprës penale.Pastrimi i parave përmes kontratave dhe investimeve:
    * Në këto raste përdoret influenca politike për hartimin e ligjeve dhe marrjen e vendimeve për të favorizuar disa shoqëri tregtare/subjekte private të përfitojnë prona dhe fonde publike në shkelje të ligjit. Më pas këto shoqëri tregtare kanë kryer pagesa për interesa të zyrtarëve publikë ose ju kanë dhënë prona të patundshme me çmime të cilat janë nën vlerën e tregut.
    Të gjitha këto veprime kryhen për të fshehur veprimet korruptive dhe pastruar produktet e veprave penale përmes transaksioneve të ndryshme që fshehin origjinën e tyre.

    Top Channel