Shalqiri është padyshim një nga frutat më të dashura të verës, shpeshherë edhe ushqimi i vetëm që dëshirojmë të konsumojmë gjatë ditëve të nxehta. Por a është gjithmonë i pafajshëm ky frut i freskët? Ekspertët paralajmërojnë për rreziqe të mundshme që mund të sjellë konsumimi i tepruar i tij.
Dietologia Lara Whitson nga Klinika Cleveland thekson se ‘mund të hani me qetësi dy porcione shalqi në ditë, por të mbështetesh vetëm tek ky frut në dietë nuk është ide e mirë. Detoksikimet me shalqi janë vetëm një modë, që mund t’ju privojë nga lëndët ushqyese të nevojshme për trupin.’
Në të njëjtën linjë është edhe doktori Mark Hyman, i cili në një intervistë për Fox News Digital, paralajmëroi se dieta me shalqi është një tjetër zgjidhje e shpejtë dhe jo e qëndrueshme, që mund të sjellë pasoja negative për shëndetin.
Shalqiri përbëhet kryesisht nga ujë dhe sheqer, ndaj konsumimi i tij në sasi të mëdha mund të shkaktojë humbje të përkohshme peshe, që në fakt është humbje uji dhe masë muskulare, jo yndyre.
Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu se shalqiri përmban përbërës që mund të shkaktojnë probleme tretëse, veçanërisht tek njerëzit me sindromën e zorrës së irrituar, si dhe personat që vuajnë nga migrena mund të duan ta shmangin, pasi ai përmban një aminoacid që mund të provokojë dhimbje koke.
Në raste të rralla, shalqiri mund të shkaktojë reaksione alergjike tek personat e ndjeshëm ndaj polenit ose bimëve të caktuara.
Një tjetër shqetësim është sasia e madhe e sheqerit në shalqi, që mund të përbëjë problem për diabetikët dhe të ndikojë negativisht në humor, përqendrim dhe cilësinë e gjumit.
Për të zbutur ndikimin e sheqerit, specialistët rekomandojnë konsumimin e shalqirit së bashku me proteina dhe yndyra.
Gjithashtu, për shkak të nivelit të lartë të kaliumit dhe të ulët të natriumit, konsumimi i tepërt mund të shkaktojë çrregullime elektrolitike, me simptoma si marramendje dhe dhimbje koke.
Dieta virale me shalqi
Së fundmi, në TikTok po qarkullon një dietë që mbështetet ekskluzivisht në shalqi, si metodë për humbje peshe dhe detoksifikim, ku personat konsumojnë vetëm shalqi për disa ditë, nga tre deri në shtatë.
Shumë përdorues kanë ndarë përvojat e tyre, duke raportuar humbje të konsiderueshme në peshë, por specialistët paralajmërojnë se kjo nuk është një humbje yndyre, por ujë dhe muskuj.
Dietologia Ilana Moulstein shpjegon se shalqiri është shumë hidratues dhe ndihmon në stimulimin e lëvizjes së zorrëve dhe urinimit, duke përmirësuar proceset natyrale të pastrimit të organizmit. Një aminoacid i tij ndihmon gjithashtu për qarkullimin e gjakut, arsye përse atletët e përdorin për rikuperim muskulor.
Ai ndihmon në reduktimin e ënjtjeve dhe mbajtjes së ujit në trup, por kujdes duhet të tregohet që nivelet e natriumit të mos bien shumë, ndaj rekomandohet shtimi i pak kripë në shalqi, veçanërisht nëse ndihen dobësi apo marramendje.
Në përfundim, specialistët këshillojnë që dieta me shalqi mund të sjellë humbje të përkohshme peshe, por ajo nuk zëvendëson një regjim ushqimor të ekuilibruar dhe të shëndetshëm.