Tag: paqja

  • Në botën e burrave luftëtarë, paqja vjen nga gratë

    Në botën e burrave luftëtarë, paqja vjen nga gratë

    Nga Liridona Beqiri*
    Në histori, luftërat gjithmonë i kanë nisur burrat. Për shekuj me radhë, bota është qeverisur me këtë logjikë të rrëshqitshme ku burrat kanë bërë traktatet, kanë komanduar ushtritë, kanë pushtuar, ndarë, copëtuar, djegur dhe rindërtuar. Por mes gjithë këtyre kapitujve të gjakosur, gjithmonë ka pasur një forcë tjetër më e qetë, më e padukshme, por më e qëndrueshme: gratë.

    Në sistemin global ku balanca e forcës dhe interesat kombëtare diktojnë gjithçka, paqja shpesh reduktohet në një llogari të ftohtë strategjike. Në një botë që lëkundet mes luftës dhe shpresës, mes heshtjes diplomatike dhe zërave që guxojnë të flasin, janë gratë ato që gjithnjë e më shumë po dalin në ballë të betejës për paqe dhe siguri. Dhe kur këto përpjekje marrin vlerësimin e atyre që jetojnë çdo ditë nën hijen e agresionit, mesazhi bëhet edhe më i fuqishëm.
    Bota nuk është në mungesë burrash të fuqishëm. Është në mungesë paqeje.
    Kjo nuk është rastësi. Për dekada, lidershipi global ka qenë i zhurmshëm, por i shurdhër ndaj vuajtjes, i stërvitur për strategji, por jo për dhembshuri, i zotë për të nisur luftëra, por jo për të ndërtuar paqen. Dhe në këtë errësirë që e quajmë “rend botëror”, janë gratë ato që po vijnë, jo për të rregulluar pasojat, por për të ndryshuar vetë logjikën e këtij rendi.
    Paqja nuk është veprim ceremonial, por akt guximi. Është betejë kundër urrejtjes, kundër hakmarrjes, kundër kulturës së dhunës që justifikohet si “realpolitikë”. Dhe sot, më shumë se kurrë, gratë janë bërë zëri më i qartë, më i pastër, më i besueshëm i paqes.
    Herë pas here, historia tundet. Dhe ndodh që në mesin e një lufte që nuk e kemi zgjedhur, një grua flet. Merr fjalën në një parlament, ngre zërin në një mbledhje ndërkombëtare, nuk sillet si eksperte ushtarake, as si stratege.
    Flet si njeri dhe kjo tingëllon më fuqishëm se çdo analizë. Kështu ndodhi kur Elisa Spiropali, në emër të Shqipërisë, artikuloi qartë dhe pa ekuivok qëndrimin ndaj agresionit rus në Ukrainë. Jo si diplomate që e kërkon balancën, por si grua që e njeh peshën e padrejtësisë.
    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dekoroi Elisa Spiropalin me “Urdhrin e Princeshës Ollga të Klasit të Parë”, një nga nderimet më të larta të shtetit ukrainas për figura të huaja që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për mbështetjen e vendit në kohë lufte. Ky çmim nuk është thjesht një medalje, është një dëshmi që fjalët dhe veprimet e guximshme tejkalojnë kufijtë, dhe se solidariteti ndërkombëtar nuk është një slogan diplomatik, por një akt i drejtë dhe i domosdoshëm njerëzor.
    Nuk është rastësi që çmimi mban emrin e një princeshe. Historia i njeh gratë me tituj fisnikërie si princesha, mbretëresha, zonja e pare, por rrallë si lidere të paqes. Sepse paqja e vërtetë nuk është kurrë titull, është barrë.

    Dhe gratë e kanë mbajtur këtë barrë pa jehonë, pa dekorata, pa përmendje në tekstet shkollore.
    Ky cmim nuk është vetëm çështje pjesëmarrjeje. Është çështje ndikimi dhe nuk duhet parë si një nderim formal mes dy vendeve. Ai është një sinjal i qartë që Ukraina, një vend që ndodhet në zemër të luftës, njeh dhe vlerëson lidershipin politik të grave në arenën ndërkombëtare, veçanërisht kur ai lidership artikulon me qartësi dhe guxim qëndrime në mbrojtje të të drejtës dhe lirisë. Është një vulë simbolike që e vendos një grua shqiptare në hartën morale dhe strategjike të luftës për paqe dhe drejtësi globale. Është një dëshmi se, edhe nga një komb që ka kaluar vetë përmes ferrit të historisë, mund të lindin lidere që kuptojnë peshën e paqes jo si frazë, por si mision.Për këtë arsye, simbolika e dekoratës së dhënë një gruaje shqiptare nuk është vetëm diplomatike. Është historike.
    Është një dëshmi që edhe në një rajon të përvëluar nga luftërat e së shkuarës, ka gra që tashmë jo vetëm që flasin për paqen, por janë pjesë aktive e arkitekturës që e mbron dhe e ndërton atë.
    Shqipëria, një vend i vogël në hartën politike globale, por me zë gjithnjë e më të qartë në mbrojtje të të drejtave dhe lirisë, ka qenë një aleate e palëkundur e Ukrainës që prej ditës së parë të agresionit rus. Brenda kësaj përpjekjeje kolektive, figura si ajo e Spiropalit kanë qenë thelbësore në artikulimin e një qëndrimi të vendosur në arenën ndërkombëtare, një qëndrim që përkrah të drejtën kundër dhunës, sovranitetin kundër shkeljes, dhe paqen kundër luftës.
    Në këtë mënyrë, Elisa Spiropali nuk është më thjesht një zë i artikuluar në politikën shqiptare, ajo është bërë pjesë e një galerie lidershipi global femëror që po rishkruajnë mënyrën se si konceptohet pushteti në kohë krize dhe rreshtohet natyrshëm në krah të emrave që kanë shënjuar epokën tonë; nga Ursula von der Leyen që mbajti të bashkuar Europën përballë luftës dhe pandemisë, te Jacinda Ardern që e ndërtoi lidershipin mbi empatinë e jo mbi frikën; nga Sanna Marin që sfidoi stereotipet në politikën e jashtme nordike, te Catherine Colonna që mishëron diplomacinë franceze në kohë tensioni të lartë global, gra që po japin formë të re qasjes politike në një botë që lëkundet vazhdimisht nga krizat.
    Dhe kjo valë nuk është vetëm në Perëndim. Ajo po rritet edhe në Ballkan, edhe në Europën Lindore, edhe në zonat që dikur shiheshin thjesht si objekte të historisë, jo si subjekte të saj.
    Në fund, kjo dekoratë është një ftesë për të parë më qartë: se paqja nuk është thjesht mungesa e luftës, por pranimi aktiv i përgjegjësisë për ta ndërtuar dhe mbrojtur atë dhe se gratë, si Elisa Spiropali, janë tashmë në pararojë të kësaj përpjekjeje globale.
    Roli i grave në siguri dhe paqe nuk është një favor i dhënë nga sistemet politike është një domosdoshmëri që bota më në fund ka filluar ta kuptojë. Nga tavolinat e Kombeve të Bashkuara te zonat e krizave humanitare, nga parlamentet e vogla ballkanike te fjalimet në selitë e NATO-s, gratë po flasin dhe po veprojnë.
    Sepse e ardhmja nuk do të ndërtohet me ato që trashëguam, por me ato që guxojmë të ndryshojmë.
    Dhe ndoshta historia do të shkruajë dikur: “Kur burrat e botës debatonin për interesat e tyre, gratë nga Kievi në Tiranë, u ngritën për të mbrojtur vetë jetën.”
    *Ditar i një shqiptareje nga Maqedonia e Veriut

  • Spiropali në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës: Bota në luftë, paqja duhet të jetë përpjekje e përbashkët!

    Spiropali në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës: Bota në luftë, paqja duhet të jetë përpjekje e përbashkët!

    Në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, mori pjesë në ceremoninë e organizuar në aeroportin “Nënë Tereza”, ku ishte i pranishëm edhe ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov.
    Në fjalën e saj, Spiropali theksoi se vitet e fundit kanë ndryshuar rrënjësisht perceptimin e botës për paqen dhe sigurinë. “Çdo mëngjes, nga Tirana në Uashington, Paris, Berlin apo Bruksel, fëmijët mësojnë të njohin tingullin e raketave para se të njohin gjuhën amtare; të moshuarit, në vend të kambanave të festave, dëgjojnë zhurmën e dronëve që marrin jetë,” u shpreh ajo.

    Kryeparlamentarja nënvizoi se lufta, njësoj si perëndia romake Janusi, ka shumë fytyra dhe forma, duke shtuar se askush nuk është i imunizuar ndaj frikës, humbjeve dhe pasigurisë që sjell ajo.
    Duke iu referuar konfliktit në Ukrainë, Spiropali tha se agresioni i vazhdueshëm i Rusisë është një kujtesë e dhimbshme se “e keqja mund të prekë këdo, kudo”. “Asnjë ditë nuk simbolizon më shumë tragjedinë dhe qëndresën e Ukrainës sesa dita e Pavarësisë së saj,” u shpreh ajo, duke theksuar se pavarësisht forcës së fqinjit agresor, ukrainasit kanë treguar se nuk mund të mposhten.
    Spiropali theksoi rëndësinë e përpjekjeve ndërkombëtare për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. “Paqja në Ukrainë duhet të jetë një përpjekje e përbashkët, që bashkon të gjithë, për të ndërtuar një arkitekturë të re sigurie,” përfundoi ajo.
     

  • “Harroje Krimenë dhe anëtarësimin në NATO”, ndihmësi i Putin shpërndan postimin e Trump: Le të mbizotërojë sot paqja në Ditën e Madhe

    “Harroje Krimenë dhe anëtarësimin në NATO”, ndihmësi i Putin shpërndan postimin e Trump: Le të mbizotërojë sot paqja në Ditën e Madhe

    Një nga ndihmësit kryesorë të Putinit dhe negociator i lartë rus, Kirill Dmitriev, ka rishpërndarë një postim të presidentit Donald Trump në rrjetet sociale, ku ai paraqet kërkesat për Ukrainën përpara bisedimeve të SHBA me udhëheqësit europianë të hënën.

    Kirill e rishpërndau postimin e Trump në TruthSocial mbrëmjen e të dielës, në të cilin presidenti tha se Ukraina mund t’i jepte fund luftës nëse pranonte kërkesat kryesore të Rusisë – përfshirë dorëzimin e Krimesë, të cilën Rusia e aneksoi në mënyrë të paligjshme në vitin 2014, dhe pajtimin për të mos iu bashkuar kurrë NATO-s.
    “(Trump) dhe ekipi i tij po shtyjnë për zgjidhjen e vërtetë. Le të mbizotërojnë zgjidhja e problemeve dhe paqja gjatë Ditës së Madhe,” shkroi Dmitriev në X, duke iu referuar takimit të së hënës me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
    Një delegacion i udhëheqësve europianë do t’i bashkohet Zelenskyt në Uashington, DC, në një përpjekje të koordinuar për të mbështetur Kievin dhe për të përcaktuar të ardhmen e mbështetjes perëndimore për Ukrainën.
    Kirill, i cili drejton gjithashtu fondin sovran të pasurisë së Rusisë, ishte mes disa zyrtarëve rusë që iu bashkuan presidentit Vladimir Putin në Alaska të premten për t’u takuar me Trump në një samit të ndjekur nga afër. Nuk u arrit ndonjë marrëveshje gjatë takimit, por administrata Trump tha se ata bënë përparim të madh.

    Top Channel

  • “Qëllimi është gjithmonë paqja”, Ambasada amerikane ndan imazhin historik

    “Qëllimi është gjithmonë paqja”, Ambasada amerikane ndan imazhin historik

    Ambasada amerikane në Shqipëri ka ndarë me ndjekësit një foto të presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin, duke shoqëruar imazhin me mesazhin: “Qëllimi është gjithmonë paqja.”
    Postimi ka tërhequr menjëherë vëmendjen e përdoruesve të rrjeteve sociale dhe është komentuar gjerësisht si një mesazh simbolik për dialogun dhe bashkëpunimin mes dy fuqive botërore.
    Fotoja, e thjeshtë në dukje, por me kuptim të madh politik, rikthen në vëmendje takimet historike midis dy liderëve dhe përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për konfliktet ndërkombëtare.

  • Mjafton një takim dhe një foto, vjen paqja mes Lautaro Martinez dhe Hakan Calhanoglu

    Mjafton një takim dhe një foto, vjen paqja mes Lautaro Martinez dhe Hakan Calhanoglu

    Paqja më në fund është rikthyer midis Lautaro Martinez dhe Hakan Calhanoglu. Pas tensioneve pas Kupës së Botës për Klube dhe fjalëve të kapitenit drejtuar qartë turkut, e ardhmja e të cilit u finalizua vetëm ditët e fundit, kthimi i të dy lojtarëve në Milano ofron një mundësi për të sqaruar situatën, njëherë e përgjithmonë.
    Vetë argjentinasi është ai që po mendon për këtë, pasi është rikthyer në qytet dhe është takuar me mesfushorin për të vulosur përfundimisht paqen, e cila u “festua” edhe në rrjetet sociale. Numri 10 i zikaltërve postoi një storie me Calhanoglu në Instagram, të dy dukshëm të relaksuar dhe të buzëqeshur.

    “Gjithçka është në rregull me Lautaron. Kur të kthehet, do ta përqafoj”, tha turku me të mbërritur në Appiano Gentile për fillimin e kampit stërvitor të zikaltërve. Plani i kapitenit ishte i qartë për të gjithë: të takohej me mesfushorin për të sqaruar çështjet pas komenteve të hidhura në SHBA dhe talljeve në mediat sociale.
    Dhe me ardhjen e numrit 20, në fije të perit deri pak ditë më parë, takimi me siguri do të ketë shërbyer gjithashtu për të mbajtur motivimin lart përpara sezonit të ardhshëm, me Interin që përballet me një cikël të ri me Chivun në stol.
    Dhe fotografia e postuar në rrjetet sociale është një imazh prekës për tifozët të cilët, pas javëve të fundit të trazuara, mund të marrin frymë lirisht dhe t’i afrohen sezonit 2025-26 me disa shqetësime më pak. Tani, fusha do të flasë, me zikaltrit e thirrur të përgatiten për një sezon që kërcënoi të kishte një fillim të vështirë me një dhomë zhveshjeje plot polemika. Një situatë e vështirë e shmangur nga Chivu, i cili tani thirret për të formësuar Interin e tij.
    ()

  • Fortlumturi Joani u flet të rinjve se si të gjejnë paqen e brendshme: Ja këshillat e tij

    Fortlumturi Joani u flet të rinjve se si të gjejnë paqen e brendshme: Ja këshillat e tij

    “Krishti është paqja jonë”

    (Efesianët 2:14)

    Temë e mbajtur nga Kryepiskopi Joan, tek kampi i djemve

    Gëzohem që kam ardhur t’ju takoj, keni një temë shumë të rëndësishme, sepse të gjithë flasim për paqen por paqe nuk ka. Këto janë fjalët e profetit Jeremia, thotë “paqe- paqe thonë të gjithë por paqe nuk ka!” Nuk ka paqe sepse nuk ka paqe të brëndshme. Nuk mund të ketë dot paqe nga jashtë nëse nuk do të ketë paqe nga brënda. Dhe tema e kampit sot që thotë “Krishti është paqja jonë” pikërisht këtë gjë tregon, paqja që vjen nga Zoti është një paqe që na ndryshon ne të gjithëve. Por paqja nuk do të vij aq lehtë sa mendojmë ne, nëse nuk do të kemi një jetë shpirtërore dhe një jetë shpirtërore, njerëzit kanë një ide pak të gabuar, një lloj misticizmi, romantizmi. Jeta shpirtërore është shumë e thjeshtë, jeta shpirtërore është një përpjekje e vazhdueshme për të jetuar sipas mësimeve që vijnë nga Zoti. Si i tha Zoti atij djalit të ri, që erdhi dhe e pyeti, se çfarë duhet të bëj që të fitoj jetën e përjetshme? Dhe ai i tha! Ndiq urdhërimet, do të thotë pra ndiq mësimin të cilin i jeni ofruar besimit. Nëse fillon njeriu dhe përpiqet t’a përjetojë atë, paqja dalëngadalë do vij, por nëse nuk përqëndrohet dhe çoroditet me historira të ndryshme, njerëzit nuk do të kenë paqe. Paqja do të fitohet shumë më lehtë se sa ne mendojmë, nëse do të përqëndrohemi në jetën shpirtërore.

    Thashethemet, përgojimet, nuk po flas për shpifje e gjëra tjera, por këto e largojnë paqen nga shpirti i njeriut. Natyra njerëzore, ndoshta është e prirur për të dëgjuar thashethemet. Ja, të gjithë secili nga ju, të fillojë të thotë dikush : ja e morët vesh për atë?!

    Të gjithë i ngrenë veshët hapur për të dëgjuar, në fakt nuk mëson asgjë, sikur të dish të gjithë historinë, duke filluar nga Adami dhe deri tek njeriu i fundit, nuk do të fitosh asgjë shpirtërisht, as paqe nuk do të fitosh. Largohuni sa të mundeni nga bisedat e kota, sepse bisedat e kota e largojnë paqen. Prandaj dhe Shën Efremi, në lutjen që bëhet në lutjen e kreshmës së madhe, thotë për katër gjëra të vogla, që i lutet Perëndisë që mos t’ja japi. Dhe e para është që mos t’i japë frymë kureshtje. Përse ky mjeshtër kaq i madh i jetës shpirtërore, i kërkon diçka që duket shumë e thjeshtë? Sepse ai e di që këto gjërat e vogla, sjellin ato problemet e mëdha. Kureshtja gjithmonë njeriun e shpërqëndron, do merret me të tjerët, dhe një njeri që merret me të tjerët nuk do të gjejë paqe, sepse të gjesh paqe do dhe një lloj përulësie, vetëm të përulurit meren me veten, krenarët merren me të tjerët, se çfarë do të bëjnë të tjerët. Duke u larguar nga këto, ju do të fitoni. Shpeshherë, gjërat që janë shumë të rëndësishme, njerëzit nuk i japin vëmendje, vetëm po të jetë një thashethem, dhe përqendroheni tek ajo gjë.

    Do t’ju tregoj, një histori shumë të bukur, që vjen nga antikiteti, për të mësuar shpesh herë se si vepron natyra jonë njerëzore. Demosteni, orator i famshëm i antikitetit, u përpoq që t’ju shpjegonte banorëve të Athinës në atë kohë, për rrezikun Maqedonas, sepse Filipi, mbreti i Maqedonisë po fillonte pushtimin e Greqisë Veriut, dhe po zbriste poshtë. I fliste dhe askush nuk dëgjonte, dhe një herë mendoi që të përdorte një truk, që t’i mbante njerëzit afër dhe i thotë: burra të Athinës, do t’ju tregoj një histori, dhe ndaluan disa veta dhe vazhdoi të tregonte historinë, …- një Athinas donte të shkonte në Korinth, por nuk kishte gomar dhe shkon tek njëri dhe i thotë, më jep gomarin, dhe ai i tha, t’a jap me qera por duhet të vijë dhe unë me ty. -Mirë! I tha ai. Njerëzit filluan dhe i grumbulluar dhe më shumë. Duke ecur rrugës në drekë, në vapë të madhe, ndaluan për të pushuar dhe ky që kishte marë gomarin me qera, donte të rrinte në hijen e gomarit, ai tjetri thoshte: -jo, unë të kam dhënë gomarin me qera, hija me takon mua!

    Sheshi ishte mbushur plot. Kur pa sheshin plot, ai filloi t’i fliste pikërisht për këtë gjë të rëndësishme, për rrezikun. Dhe njerëzit filluan dhe thërrisnin: – po lëre atë, por kush qëndroi në hijen e gomarit, atë na thuaj!

    Dhe sikur t’a dinin se kush qëndroi, asgjë nuk fiton. E njëjta gjë shpeshherë dhe me shpërqendrimet tona. Që përqëndrohemi në gjëra që nuk kanë asnjë lloj vlerë dhe nuk përqëndrohemi në paqen brënda thellë nesh. Prandaj dhe duke mos patur përqendrim, ne nuk kemi as paqe dhe nëse nuk kemi paqe, nuk mund të vendosim paqe me të tjerët. Një sherrxhi, nuk mund të përhapë paqe.Zoti na kërkon jo vetëm të jemi njerëz paqtorë por na kërkon pak më tepër. Tek lumurimet nuk thuhet “lum paqtorët” por thuhet “lum paqebërësit”, ata njerëz që jo vetëm thjesht kanë paqe brënda, por e përhapin dhe tek të tjerët. Ne nuk mund të drejtojmë tek të tjerët, diçka që është shtrembëruar tek vetja jonë. Duke mos patur paqe, s’mund t’ju përhapim paqe tek të tjerët. Prandaj dhe bota nuk ka paqe. Dhe Zoti thotë në Ungjill, “Unë do t’ju jap paqen time” jo siç e jep bota, flet për paqen e brendshme, për paqen e brendshme është dhurata më e madhe që një njeri mund të ketë në jetën e tij. Një njeri që arrin paqen brënda vetes së tij. Thënia e famshme e shumë etërve, e shumë shenjtorëve, e thënë në forma të ndryshme, pak a shumë thonë këtë gjë, “paqtohu me veten dhe do të paqtosh me mijëra njerëz rrotull teje.” Ne nuk përhapim paqen sepse nuk kemi paqen brënda vetes, dhe paqja me Zotin, është një dhuratë jashtëzakonisht e madhe. Nëse do t’a kemi atë paqe, jeta jonë do të ndryshojë dhe një njeri që ka paqe të brëndshme, nuk tronditet as nga fjalët që i thonë, as kur e shajnë dhe as kur shpifin kundër tij, sepse ai ka arritur një paqe me Zotin, që nuk tronditet nga gjërat e kota. Është si një oqean i thellë, sado të ketë stuhi jashtë, thellë brënda është i qetë. Dhe një njeri që është i thellë shpirtërisht, pikërisht këtë gjë realizon. Realizon një qetësi shumë të madhe, që i jep jetës së tij gëzim. Por nuk mund të ketë paqe atje ku është e keqja. Është një varg i profetit Isaia, një varg që unë e citoj shpesh “Nuk ka paqe për të paudhët!” Çfarë do të thotë që nuk ka paqe për të paudhët? Nuk ka paqe atje ku është e keqja, nëse ne do të kemi diçka të keqe brenda vetes tonë, nuk do të kemi paqe. Një njeri që grindet me të tjerët, tallet me të tjerët, nuk do të ketë paqe as në jetën e tij, që të kërkosh paqe brënda, kërkohet një shpirt i pastruar. Fjala paqe, hebraisht, ka kuptimin dhe të një përparimi shpirtëror, dhe ka kuptimin dhe të gëzimit, sepse nëse nuk do të kemi paqe brënda nuk do të kemi as gëzim. Ja jeta e sotme e njeriut modern, dallohet pikërisht se nuk ka as paqe dhe as ka gëzim, dhe të jetë miliarder, nuk ka gëzim. Njerëzit mendojnë se kur nuk i kanë shumë pasurira, mendojnë se po ti kenë ato, do të realizojnë gjithçka, por praktika dhe realiteti tregon se nuk është e vërtetë dhe nëse njeriu nuk ka Zotin brenda vetes së tij, dhe kur themi që nuk ka Zotin, do të thotë që nuk bën një jetë sipas mësimeve të Perëndisë, nuk do të ketë paqe dhe pa paqe nuk do të ketë gëzim. U them dhe shumë njerëzve për paqen, në Septuaxhindë, që është përkthimi i të 70-të përkthyesve, është përkthimi i parë që është bërë Dhjatës së Vjetër. Kur Diaspora Hebraike e kishte humbur gjuhën hebraike, dhe flisnin në Aleksandri gjithë Greqisht, menduan se do të përkthehej Bibla Hebraike, në greqisht dhe ky është përkthimi i parë. Sipas traditës u përkthye nga 70-të vetë, dhe prandaj dhe quhet i të 70-tëve. Dhe këtë fjalën “paqe” nuk e kanë përkthyer paqe, por e kanë përkthyer “gëzim” nuk ka gëzim atje ku është e keqja, sepse gëzimi është një dhuratë që vjen nga Perëndia, dhe nëse ne nuk do të kemi paqe në shpirt, nuk do të kemi as gëzim. Prandaj mundohuni në jetën tuaj ti largoheni thashethemeve të kota, sherreve me njëri-tjetrin tjetrin, sepse shpirti juaj do të trazohet dhe duke u trazuar, nuk do të ketë paqe. Paqja nuk është thjesht një ndjesi, është një shpëtim, kur njeriu realisht realizon atë për të cilën është krijuar. Të krishterët besojnë në diçka shumë të rëndësishme, dhe antropologjia e krishterë, e shpjegon njeriun kështu. Njeriu është një qënie e rënë, por njeriu është krijuar sipas ikonës së Perëndisë dhe ikona mbetet aty, mund të deformohet, mund të nxihet, por ikona aty mbetet. Detyra e njeriut, është pikërisht që t’a restauruojë këtë ikonë, sepse nëse ne restaurojmë ikonën, që të fillojë të ndriçojë përsëri, do të kemi dhe paqe dhe shpëtim dhe gëzim. Gjithë botën të sundosh, gjithë pasurinë të kesh, po nuk pati njeriu gëzim në jetën e tij, jeta e tij fillon dhe thahet dhe paqja mund të vijë vetëm kur njeriu ka një dimension të përjetësisë. Sepse ne e shikojmë jetën vetëm të kësaj kohe, sa mund të jetojmë, 70-80 të, por një ditë kjo mbaron dhe dimensioni i përjetësisë e ndihmon njeriun të ketë një jetë shpirtërore dhe që të largohet nga çoroditjet e kota, fjalët e kota dhe nuk përqëndrohet tek thelbi i jetës së njeriut. Shpeshherë gjërat që do t’i fitoni në këtë moshë, do të mbeten gjithmonë tek ju, rruga që do të zgjidhni do të mbetet gjithmonë, dhe rruga që do të zgjidhni dhe hija nuk hiqet shumë lehtë. Ju porosis gjithmonë, mos i bëni zakon përgojimet, thashethemet, talljet për të tjerët, sepse nga këto vjen çorientimi, dhe ky çorientim nuk sjell paqe por gjithmonë do të sjellë konflikt, njeri do të ofendohet për fjalën që ke thënë ti, do filloni të grindeni dhe shpeshherë mund të marin përmasa të mëdha, dhe sa më shumë trazohet shpirti, aq mëndja nuk është më e ndriçuar. Madje dhe shumë gjëra po të kuptoheshin lehtë, do të lehtësohen. Është në interesin tuaj, që të filloni që tani të kultivoni dimensionin e paqes.

    Shkrimet e para, kështu shkruanin se të krishterët janë një rracë paqësore, që do të thotë se përhapin vazhdimisht paqe. Kush ka frikë Perëndinë, nuk i ka frikë njerëzit, por është paqtor. Ata që nuk kanë frikë Perëndinë tremben nga njerzit. Nëse do të arrini një paqe të thellë brënda shpirtit tuaj, nuk do të keni frikë. Është koha që secili nga ju do të vendosë se çfarë do të ndjekë në jetën e tij, do të fillojë udhëtimin e tij. Kisha beson se jeta e njeriut është një udhëtim dhe ky udhëtim presupozon se ka një destinacion përfundimtar, që ka një dimension të përjetshëm, që ka diçka që ne nuk e mbarojmë vetëm me jetën këtu, por e vazhdojmë edhe më pas. Nëse ne çorientohemi vetëm nga shqetësimet e kësaj bote dhe çoroditjet dhe zbavitjet dhe e neglizhojmë këtë dimension, as këtë kohë nuk do e gëzojmë dot, sado që mund të duket si paradoks, por njerëzit që e shikojnë përjetësinë dhe e jetojnë atë, e gëzojnë dhe këtë kohë të përkohshme, ndërsa njerzit që nuk e kanë këtë dimension të përjetësisë, as këtë kohë nuk e gëzojnë dot. Ndoshta për ju nuk janë akoma këto shqetësime, por nëse nuk mbillet fara e mirë që tani nuk do të japë fruta kur të rritet, sepse çfarë do të mbjellim dhe do të korrim. Mundohuni të mbillni farat e mirësisë dhe një njeri i mirë, është shumë e rëndësishme për të fillimisht. Në kuptimin e krishterë, të jesh i mirë ose i keq, nuk është çështje vetëm etike, por teologjike, sepse më tepër i bëjmë keq vetes se sa të tjerëve. Duke shpikur për të tjerët, duke tallur të tjerët, duke ofenduar të tjerët, më shumë dënojmë veten tonë, sepse nuk na lejon që të kemi një jetë shpirtërore dhe pa një jetë shpirtërore, nuk mund të kemi dot paqe, prandaj dhe paqja është kaq e rëndësishme. Të gjithë luten për paqe, të gjithë duan paqe, por pak njerëz përpiqen për paqen, së pari për të paqtuar veten dhe se dyti për të transmetuar atë paqe dhe tek të tjerët që janë rrotull. Prandaj dhe është shumë e rëndësishme për secilin nga ju, le të bëhet një puntor i paqes.

    Tema e paqes, që thotë “Krishti është paqja jonë” është shumë e rëndësishme sepse është ndryshe nga paqja e botës, jo nga mungesa e luftës, por është një gjëndje e thjeshtë shpirtërore dhe një gëzim i thellë shpirtëror që vjen nga prania e Zotit në jetën tonë, dhe prania e Zotit në jetën tonë është dhe vjen kur shpirti jonë është në paqe, një shpirt i trazuar nuk mund të gjej dot paqe.

    Do të doja që gjithsecili nga ju, duhet të përpiqet t’a kultivojë paqen, sepse si çdo gjë, nëse nuk kultivohet nuk rritet dhe ajo do të thahet. E njëjta gjë është dhe me virtytet e mëdha që njerëzit duhet të mbjellin në shpirtin e tyre, duhet të përpiqen dhe t’i rrisin ato virtyte, sepse njeriu nuk është një qënie statike është një qënie dinamike. Në jetën shpirtërore gjithmonë do thuhen këto fjalë, nëse nuk do të rritemi shpirtërisht, nuk do të thotë se do të qëndrojmë neutral, por do të fillojmë dhe të biem, ndaj nëse nuk jemi duke u rritur do të jemi duke rënë. Nëse nuk do të jemi paqtor, do të jemi më shumë agresiv dhe duke u bërë konfliktual me njerëzit rrotull. Dhe një jetë me konflikte, një jetë me sherre do të sjellë shqetësime dhe probleme të mëdha.

    Prandaj do ju uroja të gjithëve ju, të përpiqeni për paqen dhe le t’i merrni seriozisht ato fjalë që thotë “Krishti është paqja jonë.” Sepse realisht Ai është paqja jonë, vetëm nëpërmjet mësimit të Tij, ne mund të realizojmë një paqe që mund të qëndrojë vazhdimisht dhe sikur të ketë sherre përsëri nëse do të keni paqen e brendshme, përsëri do të keni paqe. Mundohuni t’i kultivoni këto fjalë, sepse mund të mbjellësh por nëse nuk e kultivon, nuk do të prodhojë. Përpiquni për këtë, sepse të parët që do të përfitoni do të jeni ju, por jo vetëm ju por dhe shumë njerëz rrotull jush.

    Dhe një herë ju uroj gjithë të mirat.

  • Mbi 400 milionë kopje të shitura, çfarë e bën ende kaq të suksesshëm Leon Tolstoin?

    Mbi 400 milionë kopje të shitura, çfarë e bën ende kaq të suksesshëm Leon Tolstoin?

    Sa herë që mendoni mbi veprat e mëdha të letërsisë ruse, ka shumë mundësi që mendja t’iu shkojë menjëherë tek shkrimtari Leo Tolstoi. Romanet e tij “Lufta dhe Paqja” dhe “Ana Karenina” i mahnitën lexuesit kur u botuan për herë të parë, dhe më shumë se një shekull më vonë, konsiderohen ende si ndër veprat më të mira letrare të shkruara ndonjëherë. Por shitjet e librave janë vetëm një pjesë e historisë. Ja çfarë duhet të dini më shumë për jetën dhe karrierën e Leo Tolstoit.

    Nuk e donte romanin “Lufta dhe Paqja”

    Shkrimi i kësaj vepre voluminoze, ishte një proces rraskapitës për Tolstoin. Ai e rishikoi vazhdimisht veprën, dhe vetëm për pjesën e parë realizoi 15 drafte dhe shpenzoi gati 1 vit për ta shkruar siç duhet. Por në fund, u shpërblye e gjithë puna e tij e palodhur.

    “Lufta dhe Paqja” është padyshim vepra e tij më e famshme, dhe një nga romanet më të famshëm që është shkruar ndonjëherë. Por pavarësisht se shpenzoi kaq shumë kohë me të (ose ndoshta për shkak të këtij fakti), Tolstoi u bë përçmues ndaj romanit, transmeton ‘bota.al’.

    Në një letër drejtuar një miku të tij, ai shprehej se historia ishte e zmadhuar më shumë seç duhej. Ndërkohë në ditarin e tij, shkroi:”Njerëzit më duan për vogëlsirat që kam shkruar – si Lufta dhe Paqja e kështu me radhë – të cilat ata mendojnë se janë kaq shumë të rëndësishme”.

    Romani “Ana Karenina”, u frymëzua nga një ngjarje reale

    Ngjarjet e Ana Kareninës mund të jenë bazuar tek një dramë e jetës reale, që preku mikun dhe njëherazi fqinjin e Leo Tolstoit, Aleksandër Nikolajeviç Bibikov, që kishte një lidhje romantike me një grua të quajtur Ana Stepanovna Pirogova.

    Por Bibikov filloi që ta linte atë pas dore, në favor të dados gjermane të fëmijëve të tij. E pushtuar nga xhelozia, Stepanovna iku në fshat. Ku u end e pikëlluar për disa ditë, përpara se t’i dilte para një treni duke vrarë veten. Tolstoi ishte dëshmitar në autopsinë e saj, dhe ajo ngjarje e preku aq sa një vit më vonë, vendosi ta kthejë atë në një roman.

    Kush ishte bashkëshortja e tij?

    Shumë artistë të mëdhenj, kanë përfituar nga puna e padukshme e partnerëve të tyre. Por mbështetja që mori Leo Tolstoi nga gruaja e tij, ishte më se e dukshme. Sofia ulej përkrah tij gjatë kohës që ai shkruante. Dhe i jepte shpesh sugjerime, apo ia redaktonte tekstin.

    Ishte ajo që rishkroi të gjitha draftet e tij, në mënyrë që ai të kishte një dorëshkrim të lexueshëm kur t’ua dërgonte botuesve. Gjë që duhet të ketë qenë mjaft sfiduese duke pasur parasysh numrin e lartë të faqeve të dorëshkrimeve të Tolstoit. Nga ana e biznesit, Sofia ishte ajo që e nxiti atë të botonte “Lufta dhe Paqja” si një roman të plotë.

    Leo Tolstoi dhe Sofia patën 13 fëmijë

    Me gruan e tij, Sofia, Leon Tolstoi pati 13 fëmijë, 8 nga të cilët mbijetuan deri në moshë madhore. Disa ndoqën shembullin e babait të tyre duke u bërë shkrimtarë, përfshirë IliaTolstoi dhe Leo Tolstoi. Sot janë gjallë qindra nga pasardhësit e tij të drejtpërdrejtë. Ndërsa 2 herë në vit ata organizojnë mbledhjet familjare të Tolstoit në vilën e tij (sot një muze) në Jasnaja Poliana, Rusi.

    Është një nga shkrimtarët më të shitur të të gjitha kohërave

    Është e vështirë të thuhet një shifër e saktë e kopjeve të shitura të librave të botuar para shekullit XX-të. Por është e sigurt të thuhet se librat e Tolstoit janë bestseller të përhershëm. Vetëm në vitin 2004, “Ana Karenina” rifitoi interesin e lexuesit falë një promovimi nga “Klubi i Librit” të moderatores së njohur amerikane Opra Uinfri, dhe botuesi e rriti atë vit tirazhin nga 20.000 në 800.000 kopje.

    Romani “Lufta dhe Paqja”, shiti kopje të mjaftueshme për t’u përfshirë në listën e 50 librave më të mirëve të shitur ndonjëherë në Britaninë e Madhe. Sipas disa vlerësimeve, deri më sot janë shitur më shumë se 400 milionë kopje të veprave të Tolstoit.

    Nuk e fitoi kurrë Çmimin Nobel

    Kur Çmimi Nobel për Letërsi nisi të jepej për erë të parë në vitin 1901, shumë njerëz supozuan se fituesi do të ishte Leon Tolstoi. Në atë që cilësohet ende si një nga mospërfilljet më të mëdha në historinë e këtij çmimit, Nobeli iu dha atë vit poetit francez Salli Prydom.

    Dyzet e dy shkrimtarë dhe artistë suedezë i shkruan Tolstoit për t’i shprehur kundërshtimin e tyre ndaj vendimit të komitetit të Nobelit. Por shkrimtari rus iu përgjigj: “U lumturova kur mësova që nuk m’u dha Çmimi Nobel. Më privoi nga problemi i madh se si do t’i shpenzoja paratë”. Ai u nominua si kandidat deri në vitin 1906.

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    QYTETI LEGJENDAR: JA CILA ËSHTË HISTORIA E VËRTETË E TROJËS

  • Rama nderon presidentin e EBA: Erdhët si një anëtar i familjes që nuk i lë kurrë të shkëputen fijet e dashurisë

    Rama nderon presidentin e EBA: Erdhët si një anëtar i familjes që nuk i lë kurrë të shkëputen fijet e dashurisë

    Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, u prit nga kryeministri Edi Rama në ambientet e Kryeministrisë, ku u dekorua me Urdhrin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike, një vlerësim i lartë shtetëror për përkushtimin e tij të palëkundur ndaj marrëdhënies strategjike mes dy vendeve si dhe kontributin e pakrahasueshëm në kauzën globale të paqes.
    Fjala e Kryeministrit Edi Rama:

    Zoti President,
    Të dashur miq, vëllezër dhe të ftuar,
    Është një nder i madh t’ju mirëpresim sërish në vendin tonë, për herë të dytë brenda një periudhe kaq të shkurtër dhe, megjithëse nuk do të rrini aq gjatë sa do të dëshironim, prania juaj ndjehet si ajo e një të afërmi të dashur që kthehet për të parë nëse gjithçka shkon mirë në shtëpinë e të afërmve të vet.
    Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) thoshte:
    “Nuk i lejohet një myslimani të shmangë vëllanë e tij për më shumë se tri ditë… dhe më i miri prej të dyve është ai që përshëndet i pari”.
    Ju, Lartësi, erdhët tek ne me këtë frymë, si ai që përshëndet i pari. Si një anëtar i dashur i familjes, që ndonëse larg, nuk i lë kurrë të këputen fijet e dashurisë.
    Dhe tani është krejtësisht e qartë kush është më i miri nga të dy, nëse ka ekzistuar ndonjëherë ndonjë dyshim.
    Më lejoni ta them këtë edhe në emër të njerëzve të mi, të pranishëm në këtë mbledhje të vogël, por shumë të veçantë për ne:
    Në fillim dëgjuam për Emiratet e Bashkuara. Pastaj mësuam për to. Pastaj shkuam dhe i pamë. Dhe më pas mësuam të njohim dhe të vlerësojmë njerëzit që kujdesen për to.
    Të llogarisim veten mes miqve të vendit tuaj të jashtëzakonshëm është për ne jo vetëm një nder i madh si popull, por një burim kënaqësie të sinqertë dhe krenarie të posaçme për ne që përfaqësojmë vendin tonë. Dhe kjo marrëdhënie është mbi të gjitha meritë e përkushtimit tuaj personal ndaj kësaj vëllazërie.
    Lartësi, ju më mësoni çdo ditë se vëllazëria e vërtetë nuk shpallet, ajo jetohet. Ajo ndërtohet duke ecur së bashku në të njëjtën rrugë, duke qëndruar bashkë me të vërtetën, duke përqafuar urtësinë që ju e trashëguat nga i ndjeri babai juaj, Sheikh Zayed bin Sultan Al Nahyan, Zoti i ndriçoftë shpirtin në paqe të përjetshme:
    “Ne jemi të gjithë krijesa të Zotit.”
    Dhe unë pata privilegjin të dëgjoj prej jush, që në takimin tonë të parë, se si babai juaj ua bëri të jetuara këto fjalë në atë moment të paharrueshëm, kur qindra mijëra shqiptarë, duke ikur nga spastrimi etnik në Kosovë, vërshuan drejt Shqipërisë.
    Ju ishit atëherë një oficer i ri ushtrie që zbarkuat në pistën e ngritur nga babai juaj në veri të vendit tonë, për të mundësuar mbërritjen e avionëve me ndihma për qindra e mijëra refugjatë lufte.
    Ishit Ju vetë që më treguat si ju telefononte çdo mbrëmje për t’u siguruar që refugjatët ushqeheshin dhe trajtoheshin njëlloj pa dallim feje, si të barabartë para Zotit.
    Ju, Lartësi, nuk e përqafuat thjesht këtë mësim në rininë tuaj, ju u bëtë mishërimi i tij i gjallë. E kthyet në mision jete dhe e shndërruat vendin tuaj në një flamurmbajtës të ndritur të këtij besimi: një vend, madhështia morale e të cilit qëndron mbi përkushtimin e palëkundur ndaj vëllazërisë universale dhe mbi bindjen e patrembur se, me çdo çmim kjo është e vetmja rrugë drejt një bote më të mirë. Jo vetëm me fjalë të bukura, por me vepra të guximshme.
    Siç thotë një tjetër hadith:
    “Nuk ka mysliman që viziton vëllanë e tij të sëmurë në mëngjes, pa shtatëdhjetë mijë engjëj që luten për të deri në mbrëmje. E nëse e viziton në mbrëmje, ata luten për të deri në mëngjes dhe ai do të ketë fruta nga Parajsa”.
    Ky hadith nuk flet thjesht për shpërblime të padukshme. Ai flet për praninë ngushëlluese të solidaritetit dhe na kujton se të vizitosh të sëmurin apo të kujdesesh për njeriun në nevojë do të thotë që, për një çast, të bëhesh bartës i mëshirës hyjnore.
    Vetëm Zoti i di numrat dhe fuqinë e këtyre engjëjve.
    Por unë di këtë: nga Kosova në Somali, nga India në Magreb, nga Toka e Shenjtë deri në Shqipëri dhe, po patjetër, në të gjithë rajonin tuaj dhe në mbarë botën, emri juaj dëgjohet me respekt, shqiptohet me mirënjohje dhe ndërmendet me shpresë.
    Njerëz të çdo ngjyre, gjuhe dhe besimi ju janë falënderues për praninë tuaj afër tyre, në orët më të errëta, jo si një sovran në kërkim të larjes së ndërgjegjes, por si një vëlla që nuk pranon të braktisë të ngjashmit e tij që lëngojnë në errësirë; që ecën me ta nëpër lugina lufte, vuajtjeje, dëshpërimi, ekstremizmi dhe shkatërrimi duke u përcjellë jo vetëm ndihma, por diçka që shkon edhe më thellë: fuqinë e heshtur të dhembshurisë dhe gjithashtu lehtësimin ndërsa i siguron se nuk janë vetëm.
    Nuk do ta harroj kurrë që kur erdha te ju pas tërmetit shkatërrues, që la mijëra familje pa strehë, ju më morët dorën dhe më thatë: Vëlla, ti dhe populli yt nuk jeni vetëm!
    Dhe sot, një lagje e re e bukur me mbi një mijë apartamente qëndron si dëshmi se ju e mendoni atë që thoni dhe thoni tamam atë që mendoni.
    Si ushtarak nga formimi dhe nga thirrja, ju keni zgjedhur të jeni një vëlla i armëve të Paqes.
    E kujtoj fjalën tuaj:
    “Në fenë tonë themi: ‘O Zot, Ti je paqja dhe prej Teje vjen paqja’. Kërkimi i paqes është një parim i lindur, por parimet marrin kuptim vetëm kur shndërrohen në veprim”.
    Ku tjetër, dhe nën udhëheqjen e kujt përveç tuajës, mund të kishte ardhur bashkënënshkrimi i Dokumentit për Vëllazërinë Njerëzore, mes pasuesit të Shën Pjetrit dhe ndjekësve të Profetit?
    Dhe si do të mund të merrnin formë Marrëveshjet Abrahamike, kaq jetike për Lindjen e Mesme dhe frymëzuese për gjithë botën, pa guximin dhe dashurinë tuaj të sinqertë për paqen?
    Pak mund ta kujtojnë, por tradita e Profetit na mëson se kur e do vëllain për hir të Zotit, duhet t’ia thuash. Një njeri i tha Profetit, paqja qoftë mbi të:
    “O i Dërguar i Zotit, e dua atë njeri”.
    Dhe Profeti e pyeti: “Ia ke thënë?”
    “Jo”.
    “Atëherë shko dhe thuaja”.
    Dhe ai shkoi, duke i thënë:
    “Të dua për hir të Zotit.”
    Dhe tjetri u përgjigj:
    “Dashtë Ai për hir të të cilit më do, të të dojë edhe ty.”
    Ndaj sot, Lartësi, si një vëlla, dua t’ju shpreh me një gjest publik dashurinë dhe besnikërinë ndaj jush si një bartës i dritës së arsyes në një botë që e humb atë çdo ditë dhe errësohet gjithnjë e më shumë.
    Mund të jetë një gjest i thjeshtë krahasuar me gjithçka keni bërë për ne, por me mirënjohje të thellë, në emër të popullit shqiptar, kam nderin t’ju dorëzoj Urdhrin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike.
    E di që keni marrë shumë dekorata, më thonë mbi njëzet nga më prestigjiozet në botë.
    Megjithatë, guxoj të shpresoj, e dini, jam kokëfortë se kjo kujtesë e mirënjohjes shqiptare mund të zërë një vend të veçantë mes tyre.
    E kuqja dhe e zeza e shiritit tonë nuk janë vetëm ngjyrat kombëtare. Ato simbolizojnë, mbi të gjitha, dorëzimin e vetes ndaj providencës hyjnore në shërbim të tjetrit, dhe gjakun që vëllezërit tanë dhanë për këtë tokë, që kurrsesi nuk duhet të jetë derdhur kot.
    Po këto ngjyra frymëzuan një himn të shkruar një shekull më parë nga një poet i madh shqiptar, një peshkop ortodoks e njëherazi Kryeministër:
    “Një flamur që lindi Kostandinin e Shenjtë,
    Bashkon Kryqin dhe Shenjën e Gjysmëhënës,
    Shpall të gjitha besimet si vëllezër hyjnorë,
    Një flamur fisnik për njerëzimin mbarë.”
    Ylli i këtij Urdhri, me formë të mprehtë, frymëzohet nga vula e heroit tonë kombëtar, Skënderbeut dhe nga 36 shkronjat e alfabetit tonë.
    Kompozimi i tij risjell gjithashtu Vulën e Solomonit — Sulejmanit, mbretit të paqes — shpirti dhe trashëgimia e të cilit ndriçojnë në vetë udhëheqjen tuaj: si baba, burrë shteti, lider global, si njeri me besim dhe kulture të thellë.
    Me një fjalë: si udhërrëfyes për njerëzimin.
    Lartësia Juaj, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, President i Emirateve të Bashkuara Arabe:
    Për përkushtimin tuaj të palëkundur ndaj marrëdhënies strategjike midis vendeve tona;
    Për kujdesin tuaj vëllazëror në momente nevoje për popullin tonë;
    Për kontributin tuaj të pakrahasueshëm në kauzën globale të paqes dhe bashkëpunimit shumëpalësh;
    Dhe për përulësinë tuaj që i përul të gjithë do të shtoja unë jashtë tekstit zyrtar…
    Në emër të Republikës së Shqipërisë, me respekt të thellë dhe mirënjohje,
    ju dorëzoj Urdhrin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike.
    Zoti ju ruajtë gjithmonë dhe Zoti i bekoftë të dy popujt tanë.

  • “Ke treguar kujdes vllazëror për popullin tonë”/ Rama nderon presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe: Më lejoni t’ju them në emër të shqiptarëve…

    “Ke treguar kujdes vllazëror për popullin tonë”/ Rama nderon presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe: Më lejoni t’ju them në emër të shqiptarëve…

    Kryeministri Edi Rama ka nderuar presidentin e Emirateve të Bashkuara arabe me titullin “Ylli i Mirënjohjes Publike”.

    Fjala e Kryeministrit Edi Rama: Lartësia Juaj, Zoti President, Të dashur miq, vëllezër dhe të ftuar,
    Është një nder i madh t’ju mirëpresim sërish në vendin tonë, për herë të dytë brenda një periudhe kaq të shkurtër dhe, megjithëse nuk do të rrini aq gjatë sa do të dëshironim, prania juaj ndjehet si ajo e një të afërmi të dashur që kthehet për të parë nëse gjithçka shkon mirë në shtëpinë e të afërmve të vet.
    Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) thoshte: “Nuk i lejohet një myslimani të shmangë vëllanë e tij për më shumë se tri ditë… dhe më i miri prej të dyve është ai që përshëndet i pari”.
    Ju, Lartësi, erdhët tek ne me këtë frymë, si ai që përshëndet i pari. Si një anëtar i dashur i familjes, që ndonëse larg, nuk i lë kurrë të këputen fijet e dashurisë. Dhe tani është krejtësisht e qartë kush është më i miri nga të dy, nëse ka ekzistuar ndonjëherë ndonjë dyshim.
    Më lejoni ta them këtë edhe në emër të njerëzve të mi, të pranishëm në këtë mbledhje të vogël, por shumë të veçantë për ne: Në fillim dëgjuam për Emiratet e Bashkuara. Pastaj mësuam për to. Pastaj shkuam dhe i pamë. Dhe më pas mësuam të njohim dhe të vlerësojmë njerëzit që kujdesen për to.
    Të llogarisim veten mes miqve të vendit tuaj të jashtëzakonshëm është për ne jo vetëm një nder i madh si popull, por një burim kënaqësie të sinqertë dhe krenarie të posaçme për ne që përfaqësojmë vendin tonë. Dhe kjo marrëdhënie është mbi të gjitha meritë e përkushtimit tuaj personal ndaj kësaj vëllazërie.
    Lartësi, ju më mësoni çdo ditë se vëllazëria e vërtetë nuk shpallet, ajo jetohet. Ajo ndërtohet duke ecur së bashku në të njëjtën rrugë, duke qëndruar bashkë me të vërtetën, duke përqafuar urtësinë që ju e trashëguat nga i ndjeri babai juaj, Sheikh Zayed bin Sultan Al Nahyan, Zoti i ndriçoftë shpirtin në paqe të përjetshme:
    “Ne jemi të gjithë krijesa të Zotit.” Dhe unë pata privilegjin të dëgjoj prej jush, që në takimin tonë të parë, se si babai juaj ua bëri të jetuara këto fjalë në atë moment të paharrueshëm, kur qindra mijëra shqiptarë, duke ikur nga spastrimi etnik në Kosovë, vërshuan drejt Shqipërisë.
    Ju ishit atëherë një oficer i ri ushtrie që zbarkuat në pistën e ngritur nga babai juaj në veri të vendit tonë, për të mundësuar mbërritjen e avionëve me ndihma për qindra e mijëra refugjatë lufte. Ishit Ju vetë që më treguat si ju telefononte çdo mbrëmje për t’u siguruar që refugjatët ushqeheshin dhe trajtoheshin njëlloj pa dallim feje, si të barabartë para Zotit.
    Ju, Lartësi, nuk e përqafuat thjesht këtë mësim në rininë tuaj, ju u bëtë mishërimi i tij i gjallë. E kthyet në mision jete dhe e shndërruat vendin tuaj në një flamurmbajtës të ndritur të këtij besimi: një vend, madhështia morale e të cilit qëndron mbi përkushtimin e palëkundur ndaj vëllazërisë universale dhe mbi bindjen e patrembur se, me çdo çmim  kjo është e vetmja rrugë drejt një bote më të mirë. Jo vetëm me fjalë të bukura, por me vepra të guximshme.
    Siç thotë një tjetër hadith: “Nuk ka mysliman që viziton vëllanë e tij të sëmurë në mëngjes, pa shtatëdhjetë mijë engjëj që luten për të deri në mbrëmje. E nëse e viziton në mbrëmje, ata luten për të deri në mëngjes dhe ai do të ketë fruta nga Parajsa”.
    Ky hadith nuk flet thjesht për shpërblime të padukshme. Ai flet për praninë ngushëlluese të solidaritetit dhe na kujton se të vizitosh të sëmurin apo të kujdesesh për njeriun në nevojë do të thotë që, për një çast, të bëhesh bartës i mëshirës hyjnore. Vetëm Zoti i di numrat dhe fuqinë e këtyre engjëjve.
    Por unë di këtë: nga Kosova në Somali, nga India në Magreb, nga Toka e Shenjtë deri në Shqipëri dhe, po patjetër, në të gjithë rajonin tuaj dhe në mbarë botën, emri juaj dëgjohet me respekt, shqiptohet me mirënjohje dhe ndërmendet me shpresë. Njerëz të çdo ngjyre, gjuhe dhe besimi ju janë falënderues për praninë tuaj afër tyre, në orët më të errëta, jo si një sovran në kërkim të larjes së ndërgjegjes, por si një vëlla që nuk pranon të braktisë të ngjashmit e tij që lëngojnë në errësirë; që ecën me ta nëpër lugina lufte, vuajtjeje, dëshpërimi, ekstremizmi dhe shkatërrimi duke u përcjellë jo vetëm ndihma, por diçka që shkon edhe më thellë: fuqinë e heshtur të dhembshurisë dhe gjithashtu lehtësimin ndërsa i siguron se nuk janë vetëm.
    Nuk do ta harroj kurrë që kur erdha te ju pas tërmetit shkatërrues, që la mijëra familje pa strehë, ju më morët dorën dhe më thatë: Vëlla, ti dhe populli yt nuk jeni vetëm! Dhe sot, një lagje e re e bukur me mbi një mijë apartamente qëndron si dëshmi se ju e mendoni atë që thoni dhe thoni tamam atë që mendoni.
    Si ushtarak nga formimi dhe nga thirrja, ju keni zgjedhur të jeni një vëlla i armëve të Paqes. E kujtoj fjalën tuaj: “Në fenë tonë themi: ‘O Zot, Ti je paqja dhe prej Teje vjen paqja’. Kërkimi i paqes është një parim i lindur, por parimet marrin kuptim vetëm kur shndërrohen në veprim”.
    Ku tjetër, dhe nën udhëheqjen e kujt përveç tuajës, mund të kishte ardhur bashkënënshkrimi i Dokumentit për Vëllazërinë Njerëzore, mes pasuesit të Shën Pjetrit dhe ndjekësve të Profetit? Dhe si do të mund të merrnin formë Marrëveshjet Abrahamike, kaq jetike për Lindjen e Mesme dhe frymëzuese për gjithë botën, pa guximin dhe dashurinë tuaj të sinqertë për paqen?
    Pak mund ta kujtojnë, por tradita e Profetit  na mëson se kur e do vëllain për hir të Zotit, duhet t’ia thuash. Një njeri i tha Profetit, paqja qoftë mbi të:
    “O i Dërguar i Zotit, e dua atë njeri”. Dhe Profeti e pyeti: “Ia ke thënë?” “Jo”. “Atëherë shko dhe thuaja”.
    Dhe ai shkoi, duke i thënë:
    “Të dua për hir të Zotit.” Dhe tjetri u përgjigj: “Dashtë Ai për hir të të cilit më do, të të dojë edhe ty.”
    Ndaj sot, Lartësi, si një vëlla, dua t’ju shpreh me një gjest publik dashurinë dhe besnikërinë ndaj jush si një bartës i dritës së arsyes në një botë që e humb atë çdo ditë dhe errësohet gjithnjë e më shumë.
    Mund të jetë një gjest i thjeshtë krahasuar me gjithçka keni bërë për ne, por me mirënjohje të thellë, në emër të popullit shqiptar, kam nderin t’ju dorëzoj Urdhrin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike.
    E di që keni marrë shumë dekorata, më thonë mbi njëzet nga më prestigjiozet në botë.
    Megjithatë, guxoj të shpresoj, e dini, jam kokëfortë se kjo kujtesë e mirënjohjes shqiptare mund të zërë një vend të veçantë mes tyre.
    E kuqja dhe e zeza e shiritit tonë nuk janë vetëm ngjyrat kombëtare. Ato simbolizojnë, mbi të gjitha, dorëzimin e vetes ndaj providencës hyjnore në shërbim të tjetrit, dhe gjakun që vëllezërit tanë dhanë për këtë tokë, që kurrsesi nuk duhet të jetë derdhur kot.
    Po këto ngjyra frymëzuan një himn të shkruar një shekull më parë nga një poet i madh shqiptar, një peshkop ortodoks e njëherazi Kryeministër:
    “Një flamur që lindi Kostandinin e Shenjtë, Bashkon Kryqin dhe Shenjën e Gjysmëhënës, Shpall të gjitha besimet si vëllezër hyjnorë, Një flamur fisnik për njerëzimin mbarë.”
    Ylli i këtij Urdhri, me formë të mprehtë, frymëzohet nga vula e heroit tonë kombëtar, Skënderbeut dhe nga 36 shkronjat e alfabetit tonë.
    Kompozimi i tij risjell gjithashtu Vulën e Solomonit — Sulejmanit, mbretit të paqes — shpirti dhe trashëgimia e të cilit ndriçojnë në vetë udhëheqjen tuaj: si baba, burrë shteti, lider global, si njeri me besim dhe kulture të thellë.
    Me një fjalë: si udhërrëfyes për njerëzimin. Lartësia Juaj, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, President i Emirateve të Bashkuara Arabe: Për përkushtimin tuaj të palëkundur ndaj marrëdhënies strategjike midis vendeve tona; Për kujdesin tuaj vëllazëror në momente nevoje për popullin tonë; Për kontributin tuaj të pakrahasueshëm në kauzën globale të paqes dhe bashkëpunimit shumëpalësh; Dhe për përulësinë tuaj që i përul të gjithë do të shtoja unë jashtë tekstit zyrtar… Në emër të Republikës së Shqipërisë, me respekt të thellë dhe mirënjohje, ju dorëzoj Urdhrin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike. Zoti ju ruajtë gjithmonë dhe Zoti i bekoftë të dy popujt tanë.

    Top Channel