Një nga premtimet kryesore të qeverisë në fushën ekonomike është “Paqja fiskale”.
Sipas Ministrisë së Financave, nisma do të fillojë të zbatohet nga 1 janari 2026 dhe do të zgjasë për tre vjet, deri në fund të 2029-ës.
Qëllimi kryesor i “Paqes fiskale” është krijimi i një marrëdhënieje të re dhe transparente midis administratës tatimore dhe tatimpaguesve, duke ofruar lehtësime të konsiderueshme për qytetarët dhe bizneset.
Kush do të përfitojë dhe si?
Nisma parashikon rregulla të favorshme për tre grupe kryesore tatimpaguesish:
Fshirje e Plotë për Borxhet më të Vjetra: Të gjitha detyrimet tatimore dhe doganore të krijuara para vitit 2016 (më shumë se 10 vjet më parë) do të fshihen plotësisht. Kjo do t’i çlirojë shumë biznese nga statusi i debitorit.
Fshirje e Gjobave për Borxhet e Mesme: Për tatimpaguesit me borxhe të krijuara deri në 5 vjet më parë (deri në fund të 2024), do të fshihen të gjitha gjobat dhe interesi i vonesës. Ata duhet të paguajnë vetëm shumën kryesore të borxhit.
Zbritje deri në 50% për Borxhet 5-10 vjeçare: Për bizneset me borxhe në këtë kategori ofrohen dy opsione:
Zbritje 50%: Nëse paguajnë të gjithë borxhin kryesor me një shumë të vetme, u fshihen 50% e gjobave dhe interesave.
Zbritje 25%: Nëse zgjedhin ta shlyejnë borxhin në disa këste, marrin një zbritje prej 25% për gjobat dhe interesat.
Në total, nga “Paqja Fiskale” pritet të përfitojnë rreth 213 mijë tatimpagues.
Politikat kryesore të reformës fiskale
Përveç “Paqes Fiskale”, qeveria po ndjek edhe disa reforma të tjera kapitale në rrugën drejt Bashkimit Europian:
Vazhdim i Tatimit 0% për Bizneset e Vogla: Nëntaksa 0% për bizneset e vogla do të zgjasë deri në vitin 2029, si një nxitje për formalizimin e tyre.
Reforma e Tatimit mbi Pasurinë: Pritet të rifillohet diskutimi për një reformë të këtij takse.
Mbështetje për Bujqësinë: Do të rishikohet skema e TVSH-së për fermerët në përputhje me praktikat e Bashkimit Europian, për të mbështetur më shumë sektorin.
Këto masa, së bashku me “Paqen Fiskale”, synojnë të lehtësojnë barrën financiare për bizneset dhe qytetarët, duke nxitur një mjedis biznesi më të shëndoshë dhe formalizimin e ekonomisë.
Tag: paqja
-

“Paqja fiskale” nis nga 1 janari dhe do të zgjasë tre vite: Kush do të përfitojë dhe si?!
-

Mbi 400 milionë kopje të shitura, çfarë e bën ende kaq të suksesshëm Leo Tolstoin?
Sa herë që mendoni mbi veprat e mëdha të letërsisë ruse, ka shumë mundësi që mendja t’iu shkojë menjëherë tek shkrimtari Leo Tolstoi. Romanet e tij “Lufta dhe Paqja” dhe “Ana Karenina” i mahnitën lexuesit kur u botuan për herë të parë, dhe më shumë se një shekull më vonë, konsiderohen ende si ndër veprat më të mira letrare të shkruara ndonjëherë. Por shitjet e librave janë vetëm një pjesë e historisë. Ja çfarë duhet të dini më shumë për jetën dhe karrierën e Leo Tolstoit.
Nuk e donte romanin “Lufta dhe Paqja”
Shkrimi i kësaj vepre voluminoze, ishte një proces rraskapitës për Tolstoin. Ai e rishikoi vazhdimisht veprën, dhe vetëm për pjesën e parë realizoi 15 drafte dhe shpenzoi gati 1 vit për ta shkruar siç duhet. Por në fund, u shpërblye e gjithë puna e tij e palodhur.
“Lufta dhe Paqja” është padyshim vepra e tij më e famshme, dhe një nga romanet më të famshëm që është shkruar ndonjëherë. Por pavarësisht se shpenzoi kaq shumë kohë me të (ose ndoshta për shkak të këtij fakti), Tolstoi u bë përçmues ndaj romanit, transmeton ‘bota.al’.
Në një letër drejtuar një miku të tij, ai shprehej se historia ishte e zmadhuar më shumë seç duhej. Ndërkohë në ditarin e tij, shkroi:”Njerëzit më duan për vogëlsirat që kam shkruar – si Lufta dhe Paqja e kështu me radhë – të cilat ata mendojnë se janë kaq shumë të rëndësishme”.
Romani “Ana Karenina”, u frymëzua nga një ngjarje reale
Ngjarjet e Ana Kareninës mund të jenë bazuar tek një dramë e jetës reale, që preku mikun dhe njëherazi fqinjin e Leo Tolstoit, Aleksandër Nikolajeviç Bibikov, që kishte një lidhje romantike me një grua të quajtur Ana Stepanovna Pirogova.
Por Bibikov filloi që ta linte atë pas dore, në favor të dados gjermane të fëmijëve të tij. E pushtuar nga xhelozia, Stepanovna iku në fshat. Ku u end e pikëlluar për disa ditë, përpara se t’i dilte para një treni duke vrarë veten. Tolstoi ishte dëshmitar në autopsinë e saj, dhe ajo ngjarje e preku aq sa një vit më vonë, vendosi ta kthejë atë në një roman.
Kush ishte bashkëshortja e tij?
Shumë artistë të mëdhenj, kanë përfituar nga puna e padukshme e partnerëve të tyre. Por mbështetja që mori Leo Tolstoi nga gruaja e tij, ishte më se e dukshme. Sofia ulej përkrah tij gjatë kohës që ai shkruante. Dhe i jepte shpesh sugjerime, apo ia redaktonte tekstin.
Ishte ajo që rishkroi të gjitha draftet e tij, në mënyrë që ai të kishte një dorëshkrim të lexueshëm kur t’ua dërgonte botuesve. Gjë që duhet të ketë qenë mjaft sfiduese duke pasur parasysh numrin e lartë të faqeve të dorëshkrimeve të Tolstoit. Nga ana e biznesit, Sofia ishte ajo që e nxiti atë të botonte “Lufta dhe Paqja” si një roman të plotë.
Leo Tolstoi dhe Sofia patën 13 fëmijë
Me gruan e tij, Sofia, Leo Tolstoi pati 13 fëmijë, 8 nga të cilët mbijetuan deri në moshë madhore. Disa ndoqën shembullin e babait të tyre duke u bërë shkrimtarë, përfshirë IliaTolstoi dhe Leo Tolstoi. Sot janë gjallë qindra nga pasardhësit e tij të drejtpërdrejtë. Ndërsa 2 herë në vit ata organizojnë mbledhjet familjare të Tolstoit në vilën e tij (sot një muze) në Jasnaja Poliana, Rusi.
Është një nga shkrimtarët më të shitur të të gjitha kohërave
Është e vështirë të thuhet një shifër e saktë e kopjeve të shitura të librave të botuar para shekullit XX-të. Por është e sigurt të thuhet se librat e Tolstoit janë bestseller të përhershëm. Vetëm në vitin 2004, “Ana Karenina” rifitoi interesin e lexuesit falë një promovimi nga “Klubi i Librit” të moderatores së njohur amerikane Opra Uinfri, dhe botuesi e rriti atë vit tirazhin nga 20.000 në 800.000 kopje.
Romani “Lufta dhe Paqja”, shiti kopje të mjaftueshme për t’u përfshirë në listën e 50 librave më të mirëve të shitur ndonjëherë në Britaninë e Madhe. Sipas disa vlerësimeve, deri më sot janë shitur më shumë se 400 milionë kopje të veprave të Tolstoit.
Nuk e fitoi kurrë Çmimin Nobel
Kur Çmimi Nobel për Letërsi nisi të jepej për erë të parë në vitin 1901, shumë njerëz supozuan se fituesi do të ishte Leo Tolstoi. Në atë që cilësohet ende si një nga mospërfilljet më të mëdha në historinë e këtij çmimit, Nobeli iu dha atë vit poetit francez Salli Prydom.
Dyzet e dy shkrimtarë dhe artistë suedezë i shkruan Tolstoit për t’i shprehur kundërshtimin e tyre ndaj vendimit të komitetit të Nobelit. Por shkrimtari rus iu përgjigj: “U lumturova kur mësova që nuk m’u dha Çmimi Nobel. Më privoi nga problemi i madh se si do t’i shpenzoja paratë”. Ai u nominua si kandidat deri në vitin 1906.
ObserverKult
Lexo edhe:
QYTETI LEGJENDAR: JA CILA ËSHTË HISTORIA E VËRTETË E TROJËS
-

Nga kriza në paqe: Roli i Ballkanit në Mesdheun e ri!
Deputeti i Partisë Demokratike Tritan Shehu ka mbajtur një fjalim në Romë në një manifestim të paqes organizuar nga komuniteti Sant’Egidio.
Nga Tritan Shehu
Të dashur miq, përfaqësues të nderuar të Komunitetit Sant’Egidio, vëllezër dhe motra në frymën e paqes,
Jemi mbledhur këtu në një kohë kur fjala *paqë* tingëllon më e nevojshme se kurrë. E brishtë, e vështirë për t’u ndërtuar, por asnjëherë e pamundur. Jetojmë në një epokë ku shpejtësia e ngjarjeve, konfliktet dhe mungesa e dialogut kanë krijuar një ndjenjë lodhjeje morale. Dhe në këtë lodhje, shumë e shohin Mesdheun si një burim krize. Por unë dua që sot ta shohim ndryshe: si një hapësirë shprese.
Mesdheu, ky det që për shekuj me radhë ka lindur qytetërime, fe, tregti dhe kulturë, është më shumë se një hapësirë gjeografike. Ai është kujtesa e njerëzimit, shkolla e bashkëjetesës dhe prova e ndërgjegjes sonë. Dikur ky det bashkonte brigjet — sot shpesh i ndan ato. Por pavarësisht krizave, Mesdheu mbetet zemra që rreh mes Lindjes dhe Perëndimit. Dhe nga kjo zemër duhet të fillojë rilindja e paqes.
Kur flasim sot për Mesdheun, flasim për një mozaik të ndërlikuar: për luftën në Ukrainë, që ka marrë dhjetëra mijëra jetë dhe ka ndryshuar ekuilibrat globalë; për sulmin terrorist të 7 tetorit, që tronditi botën dhe rihapi plagë të thella në Lindjen e Mesme; për dhimbjen në Gaza që ka goditur ndërgjegjen e njerëzimit; për valët e migrimit që sfidojnë kufijtë dhe zemrat tona; për varfërinë e re, për ndryshimet klimatike që po prekin jetën në brigjet tona.
Por përveç këtyre dhimbjeve, flasim edhe për mundësinë që ky det të kthehet sërish në urë bashkimi, në laborator bashkëpunimi dhe në hapësirë bashkëjetese.
Në këtë drejtim, dua të përmend një zhvillim që ka ngjallur shpresë: plani i Presidentit Donald Trump për Gazën. Një plan ky, që synon një armëpushim të qëndrueshëm, bashkëjetesë të popujve, shkëmbim humanitar të verifikueshëm, rindërtim nën mbikëqyrje ndërkombëtare dhe garanci sigurie për të gjitha palët.
Ky plan, nëse zbatohet me sinqeritet dhe përgjegjësi, mund të shndërrojë Gazën nga një plagë e hapur në një simbol shprese. Mund të transformojë Lindjen e Mesme nga një rajon destabiliteti, që ushqen konflikte e deri në terrorizëm, në një zonë paqeje e bashkëjetese midis popujve. Dhe më shumë se kaq, mund të shërbejë si model i ri universal për ndërtimin e paqes, që mund të frymëzojë rajone të tjera të botës.
Sepse paqja nuk është një akt i vetëm, por një proces i gjatë, që kërkon besim, garanci dhe humanizëm.
Një Mesdhe i qetë do të thotë një Europë më e sigurt, një ekonomi më e qëndrueshme dhe një njerëzim që rifiton besimin tek vetvetja. Por paqe në Mesdhe nuk mund të ketë pa stabilitet edhe në Ballkan. Ballkani Perëndimor është zemra e brishtë e kontinentit tonë, një zemër që ka njohur dhimbje e përçarje, por edhe momente të mëdha pajtimi.
Në këto dekada kemi parë se plagët e së kaluarës mund të shërohen kur ekziston vullnet politik dhe mbështetje ndërkombëtare. Por rreziku mbetet: rreziku i nacionalizmave të vjetër e të rinj, i tendencave për të ribërë kufijtë, ai i varfërisë, si dhe tashmë i krimit të organizuar.
Krimi i organizuar e trafiqet nuk janë më fenomene të fshehura; ato kanë struktura, ndikim dhe lidhje me pushtetin ekonomik e politik. Dhe kur ekonomia e paligjshme, grupet kriminale ndërthuren me institucionet, deformohet demokracia, dobësohet shteti i së drejtës, humbet besimi qytetar, lindin rregjimet neo-diktatoriale, dobësohet stabiliteti. Prandaj, lufta kundër krimit të organizuar është luftë për paqen. Sepse paqja nuk mund të ekzistojë atje ku sundojnë korrupsioni, frika dhe padrejtësia.
Në këtë udhë të ndërlikuar rajonale, Shqipëria ka një rol të veçantë. Ajo është një vend i vogël, por me simbolikë të madhe. Në një Ballkan që ka njohur ndarje e përplasje fetare, ku feja është keqpërdorur si instrument politik e burim luftrash, Shqipëria është shembulli më i pastër i bashkëjetesës ndërfetare — apo më saktë, siç ka thënë Papa Françesku, “i harmonisë ndërfetare”. Myslimanë, bektashi, katolikë e ortodoksë jetojnë në harmoni, dhe kjo është forca morale e kombit tonë, por edhe një mesazh për rajonin e më gjerë, sepse paqja fillon nga respekti reciprok.
Shqipëria është sot anëtare e NATO-s, dhe shqiptarët e shohin të ardhmen e tyre si pjesë të familjes europiane. Në këtë kuptim, integrimi europian i Ballkanit Perëndimor nuk është thjesht një premtim politik, por një domosdoshmëri për paqe dhe stabilitet në Mesdhe.
Bashkimi Europian është arritja më e madhe paqësore e historisë moderne – një projekt që ka lindur jo nga forca e armëve, por nga guximi për të bashkëjetuar. Ai është model universal i paqes dhe bashkëpunimit ndërmjet kombeve, i ndërtuar mbi vlerat e demokracisë, të drejtësisë dhe të respektit për diversitetin.
Në thelb, Europa e Bashkuar është dëshmia se nga luftërat mund të lindë bashkëpunimi, dhe nga armiqësia — miqësia. Ky model mbetet udhërrëfyes për Ballkanin, për Mesdheun, dhe për çdo rajon ku paqja duket e largët.
Le të mos harrojmë: ideali europian lindi në kampet e fashizmit dhe u ringjall pas tragjedisë së Luftës së Dytë Botërore. Prandaj, asgjë nuk është e pamundur kur synohet paqja, edhe në momentet më të vështira. Shqiptarët, që sot jetojnë në disa shtete të Ballkanit, nuk kërkojnë rishkrimin e kufijve, por zhdukjen e kuptimit të tyre përmes integrimit dhe bashkëpunimit, në atë që quhet Europa e Bashkuar.
Ballkani Perëndimor nuk është periferia e Europës, ai është porta e saj juglindore, aty ku fillon dhe mbaron siguria e kontinentit.
Të dashur miq, le ta shohim Mesdheun me sytë e Sant’Egidios — jo si një det që ndan, por si një urë që lidh. Ky det ka parë lindjen e feve, të filozofisë dhe të vetë qytetërimit. Ai mund të bëhet sërish djepi i paqes së re.
Sant’Egidio na kujton se paqja nuk është një luks për kohë të qeta, por një detyrë për kohë të vështira. Ajo kërkon guxim, durim dhe dashuri. Nuk është vetëm përgjegjësi e qeverive, por edhe e çdo qytetari, e çdo komuniteti, e çdo njeriu që beson se dialogu është më i fortë se dhuna.
Fati ynë është i përbashkët. Nëse Mesdheu humbet paqen, humbet shpresën; por nëse e gjen, ajo do të ndriçojë jo vetëm brigjet tona, por gjithë kontinentin.
Ky është misioni ynë: ta kthejmë Mesdheun nga kryqëzim krizash në kryqëzim shpresash, nga dhimbja në bashkëjetesë, nga frika në bashkëpunim, nga kriza në paqe.
Sepse nga Mesdheu filloi qytetërimi dhe nga Mesdheu mund të rilindë njerëzimi, në paqe.
Faleminderit.
-

Rama: E rëndësishme që paqja fiskale të përmbyllet me sukses deri në fund të këtij viti
Kryeministri Edi Rama ka ndarë një video në rrjetet sociale nga takimi i tij i sotëm me ekspertë të financave, ku u diskutua mbi prioritetet kryesore në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së.
Rama thotë se është e rëndësishme që “Paqja Fiskale” të hartohet dhe të përmbyllet me sukses deri në fund të këtij viti.
Kreu i qeverisë shtoi se se nëse “Paqja Fiskale” konceptohet dhe planifikohet ashtu siç duhet, mund të rriten të ardhurat për buxhetin e shtetit.“Është shumë e rëndësishme që “Paqja Fiskale” të hartohet dhe të përmbyllet me sukses në aspektin konceptual deri në fund të këtij viti në mënyrë që vitin e ardhshëm të fillojmë me zbatimin e saj. Unë kam shumë besim që nëse “Paqja Fiskale” konceptohet dhe planifikohet ashtu siç duhet, do të jetë një mesazh shumë pozitiv për sipërmarrjen, por besoj do të mund të rrisë edhe të ardhurat për arkën e buxhetit të shtetit, ndërkohë që pika kyçe mbetet rritja e performancës në tërësi dhe ulja e informalitetit”, tha Rama.
Ndërsa ministri i Financave Petrit Malaj ka deklaruar se nga kombinimi i politikave të shëndosha fiskale dhe monetare, ekonomia shqiptare do të garantojë një trajektore të re zhvillimi.
“Qëllimi ynë është i qartë dhe ambicioz. Përmes kombinimit të politikave të shëndosha fiskale dhe monetare, reformave strukturore të thella dhe investimeve strategjike, ekonomia shqiptare do të garantojë një trajektore të re zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik”, tha Malaj.
/vizionplus.tv -

“E rëndësishme që paqja fiskale të përmbyllet me sukses”, Rama: Mesazh pozitiv për sipërmarrjet
Edi Rama: Është shumë e rëndësishme që “Paqja Fiskale” të hartohet dhe të përmbyllet me sukses në aspektin konceptual deri në fund të këtij viti në mënyrë që vitin e ardhshëm të fillojmë me zbatimin e saj. Unë kam shumë besim që nëse “Paqja Fiskale” konceptohet dhe planifikohet ashtu siç duhet, do të jetë një mesazh shumë pozitiv për sipërmarrjen, por besoj do të mund të rrisë edhe të ardhurat për arkën e buxhetit të shtetit, ndërkohë që pika kyçe mbetet rritja e performancës në tërësi dhe ulja e informalitetit.
Ministri i Financave, Petrit Malaj: Qëllimi ynë është i qartë dhe ambicioz. Përmes kombinimit të politikave të shëndosha fiskale dhe monetare, reformave strukturore të thella dhe investimeve strategjike, ekonomia shqiptare do të garantojë një trajektore të re zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik.Top Channel
-

NATO: Paqja është qëllimi, por jemi të gatshëm për mbrojtje kundër çdo sulmi nga Moska
Admirali Giuseppe Cavo Dragone, Kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, ka deklaruar se çdo kërcënim ndaj hapësirës ajrore, tokësore dhe detare të Aleancës do të marrë një përgjigje të vendosur dhe proporcionale. Në fund të takimit të Shefave të Mbrojtjes të Forcave Aleate në Riga, Dragone theksoi se NATO është plotësisht e përgatitur për mbrojtjen kolektive dhe nuk kërkon konfrontim, por nuk do të hezitojë të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm për sigurinë e saj.
Ai u shpreh për “shkeljen e fundit dhe të vazhdueshme” të hapësirës ajrore të vendeve anëtare nga dronët rusë, duke nënvizuar rëndësinë e një reagimi të unifikuar dhe të fortë nga Aleanca përballë këtyre sfidave. Mesazhi i NATO-s është i qartë: mbrojtja është prioritet dhe çdo sulm do të marrë përgjigjen e duhur. -

Kryeministri shqiptar nuk i ndahet raporteve të vjetra me Putin dhe Lavrov, thirrje BE të mbajë dyert hapur për…
Rigels Seliman
Kryeministri shqiptar, Edi Rama duket se ka nuk i ndahet raporteve të vjetra me Putin dhe Lavrov, ndërsa ka sfiduar hapur Presidentin amerikan, Donald Trump gjatë një fjalimi në Kolegjin e Europës në Bryzh të Belgjikës. Ai theksoi se Bashkimi Europian dhe vendet aspirante duhet të marrin në dorë zgjidhjet për sigurinë dhe paqen në kontinent, pa u mbështetur tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rama kërkoi një plan konkret të BE-së për garantimin e sigurisë së Ukrainës dhe ribashkimin e Europës. Ai nënvizoi nevojën që BE të mbajë derën hapur edhe për Rusinë, duke e përfshirë në një vizion më të gjerë stabiliteti. Kryeministri theksoi se Europa nuk duhet të presë nga jashtë perimetrit të saj dikë që të gjejë zgjidhje. Ai e quajti projektin europian të paqes një krijesë të mahnitshme, që nuk duhet të kthehet në “makineri lufte”.
“Gjerat kanë ndryshuar, por Europa, BE janë dy fjalë të lidhura me një që është paqja. Dhe paqja ka qenë arsyeja e lindjes së tij, paqja ka qenë arsyeja e ekzistencës së tij dhe paqja duhet të jetë arsyeja e së ardhmes së tij. Si mund ta lëmë këtë krijese të mahnitshme ndërtuar si një projekt paqeje të kthehet në një makineri lufte, një plan paqeje europian mungon dukshëm dhe është krejt dëshpëruese të shohësh 27 a më shumë se 27 përfshirë ne që presim nga diku jashtë perimetrit të jetës tonë dikë që të na gjejë ndonjë zgjidhje. Europa ka nevojë për një plan, duhet të ofrojë garanci sigurie për Ukrainën, të projektojë një rrugë të qartë për ribashkimin e plotë të Europës dhe po kështu të mbajë derën hapur për përfshirje më tej të Rusisë në një vizion të gjerë për stabilitet ndërsa forcon ndikimin global të Europës duke u pozicionuar si një forcë qendrore për diplomacinë, bashkëpunimin e ndërtimin e paqes në skenën botërore”, deklaroi kryeministrit Edi Rama në Kolegjin e Europës në Bryzh (Belgjikë) më 16 shtator 2025.
Mesazhi
Por nëse e analizojmë me kujdes fjalimin e kryeministri Rama, ai interpretohet si një mesazh i drejtpërdrejtë ndaj presidenti Trump, duke theksuar distancimin dhe kërkesën për autonomi europiane. Vetë presidenti Donald Trump ka lënë të kuptohet se përpjekjet për të sjellë paqe në Ukrainë janë të pamundura pa mbështetjen e SHBA-së, duke shtuar se Evropa nuk ka fuqinë e nevojshme për ta arritur këtë qëllim e vetme. Ndërkohë mesazhi i Ramës është i kundër me presidentin Trump, pasi sipas tij, Europa duhet të pozicionohet si forcë qendrore për diplomaci dhe ndërtimin e paqes globale. Pra deklaratat e tij pasqyrojnë tensionet e vazhdueshme mes Tiranës dhe Uashingtonit, teksa duket qartë se administrata Trump ka injoruar kryeministrin Rama, i cili nga inati vijon retorikën anti-Trump, ku sapo i jepet mundësia, për të treguar se është një lider i madh, por që në të vërtet është një lider prej kartoni, hedh kunja.
Çfarë ka ndodhur?
Ndërkaq kujtojmë se marrëdhëniet e kryeministrit Edi Rama me SHBA-të kanë hyrë në krizën më të thellë të 30 viteve të fundit për shkak të lidhjes së tij të ngushtë me George Soros dhe fondacionet e tij, të cilat administrata e Donald Trump i sheh si kërcënim për interesat amerikane. Kjo aleancë ka vendosur Ramën në “listën e zezë” të Uashingtonit dhe ka çuar në një zinxhir përjashtimesh politike dhe diplomatike. Mungesa e një ambasadori amerikan në Tiranë pas largimit të Yuri Kim në pranverën e 2023 është sinjal i qartë i ftohjes. Ndërkohë, SHBA ka emëruar ambasadorë në vende të tjera strategjike, por Shqipëria mbetet e paemëruar. Në shkurt 2025, Susan Wiles e quajti Ramën “Soros buffoon”, duke shënuar vulën publike të përjashtimit të tij nga administrata amerikane. Përjashtimi i tij nga ceremonia e anijes “USS Mount Whitney” tregoi hapur se SHBA nuk e sheh më si partner strategjik. Në atë event, vëmendja ishte e përqendruar tek Presidenti Bajram Begaj, i cili u falënderua publikisht për partneritetin dhe kontributin në sigurinë e NATO-s.
Rama humbi edhe vizën për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, duke e lënë vendin të përfaqësohet nga Begaj. Në samitet e NATO-s, ai është mbajtur larg çdo kontakti me administratën amerikane. Pas zgjedhjeve të majit, SHBA nuk e përshëndeti personalisht Ramën, por vetëm institucionet shqiptare. Reagimet e DASH theksuan se SHBA “nuk merren më me ndërtimin e kombeve”, duke sinjalizuar distancim të plotë nga kryeministri. Të gjitha këto zhvillime tregojnë se Rama ka humbur statusin e partnerit strategjik të SHBA. Lidhja e tij me Soros e ka shndërruar në figurën e pabesueshme dhe të izoluar në sytë e Uashingtonit. Shqipëria rrezikon të paguajë çmimin e këtij izolimi të heshtur. Pra mesazhi amerikan është i qartë: Rama nuk shihet më si i besueshëm dhe i dëshiruar si partner strategjik. Megjithatë mbetet të shihte më konkretisht se si do të jenë raportet Rama-Trump, teksa më poshtë po pasqyrojmë një pjesë nga fjala e kryeministrit shqiptar në Kolegjin e Europës në Bryzh më 16 shtator 2025, ku ai vijon retorikën anti-presidentit amerikan.
Pjesë nga fjala e Ramës
“Nuk do të harroj kurrë një episod me Jusuf Vrionin, një aristokrat shqiptar, një prej mendjeve më të kulturuara që kam takuar në jetën time, një përkthyes kozmopolit i Ismail Kadaresë në Francë, që kaloi vite të tëra në burg nën komunizëm. Ai ishte një mik i mirë dhe ishte privilegj ta njihje. Në vitin që pasoi fundin e komunizmit i thashë në një prej bisedave tona: Jusuf pse nuk dukesh i lumtur që demokracia ka ardhur në Shqipëri dhe ai më pa dhe nënqeshi. “Jo! Demokracia ende nuk ka ardhur në Shqipëri, liria po”, më tha. Dhe jam i lumtur, sigurisht që e jetoj në këtë moshë time të thyer e më së fundi, të kem të drejtën të votoj, ndërkohë që shumë nga shokët e mi vdiqën, disa në burg, disa të poshtëruar, pa e parë një gjë të tillë. “Unë jam fatlum”, – tha ai, “po demokracia është më shumë sesa liria, është shtet i së drejtës.
Kështu që shpresoj”, – shtoi ai, – “që kur të vish në moshën time, do të kesh fatin ta shohësh demokracinë të funksionojë”. Më shkon shpesh mendja te Jusufi. Kishte të drejtë! Dhe falë Zotit, ekziston BE-ja. Pa BE-në mund të ishim ende duke pritur për qindra vite për të ndërtuar institucione, shtetin e së drejtës dhe për ta bërë demokracinë të funksionojë. Ky është një bekim që ne në Shqipëri dhe në rajon e kemi. E të tjerë si në Irak, Afganistan apo gjetkë, ku ne shkuam të përhapnim fjalën e demokracisë, nuk e kishim. Sepse BE-ja nuk është vetëm një bashkim ekonomish, është makineria më e sofistikuar e transferimit të dijeve për ndërtimin e institucioneve demokratike që ka krijuar ndonjëherë njeriu. Ja pse me çdo kush duhet qëndruar me BE përmes dëshpërimeve, vonesave, buzëqeshjeve të ngrira e mbledhjeve të ftohta akull, ndonjëherë edhe poshtëruese, ne nuk hoqëm dorë derisa u bënë më të ngrohta, më të parashikueshme, pa asnjë vonesë.
Dhe është e trishtë të mendosh pse, falë Vladimir Putinit, por edhe nëse gjërat kthehen në normalitet në frontin e tyre dhe do bëhen të ftohta në frontin tonë, ne do të vazhdojmë se alternativa nuk është një union tjetër, është asnjë bashkim, është asnjë rrugëdalje. Dhe historia na ka mësuar që jashtë Europës kombet e vogla shndërrohen në pre. Po e di, këto nuk janë ditët më të mira për Europën demokratike e për vet BE. Lufta është kthyer në agresionin mes Rusisë në Ukrainë. Konkurrenca globale po minon udhëheqjen ekonomike teknologjike të Europës, ndryshimi i klimës nuk është më një profeci, por tashmë zjarr që po djeg pyjet e Europës dhe po përmbyt rrugët e Europës. Polarizimi e keqinformimi gërryejnë vet oksigjenin e demokracisë që është besimi. Rendi i bazuar në rregulla përqeshet hapur në çdo cep, rendi shumëpalësh dikur premtim i shenjtë i bashkë ekzistencës sot merr frymë përmes një respiratori.
Bashkimi nuk është luks, është mbijetesë
Kjo është bota ne të cilën jetojmë dhe në këtë botë të rri duarkryq nuk është alternativë. Bashkimi nuk është luks, është mbijetesë. Siç thoshte Vaclav Havel “shpëtimi i kësaj bote njerëzore s’gjendet askund përveçse në zemrën njerëzore”. Dhe kështu është dhe për Europën, shpëtimi i sa gjendet në zemrën e saj dhe zemra e saj mund të rrahë vetëm përmes bashkimit. Dhe këtu më lejoni të bëj pak provokuesin. Rusia shkon në luftë për të marrë Ukrainën. Ukraina kërkon të merret vetëm nga Europa dhe Europa thotë “nuk jeni gati për ne”. Sa absurde është kjo? Le të marrim sigurinë. Një Europë e paplotë ndjell rreziqe. Marrim prosperitetin, zgjerimi shton tregjet, fuqizon zinxhirët e furnizimit, nxit novacionin. E kundërta bën krejtësisht të kundërtën. Vlerat, tregon se Europa është një grup parimesh, shteti i së drejtës, demokracia, të drejtat e njeriut.
Jacques Delors, i cili është lidhur mjaft ngushtë me të gjithë ju përmes këtij Kolegji thoshte Europa është rrëfenjë vullneti, jo pashmangshmërie. Dhe na duhet ky vullnet për të bashkuar Europën. Dhe nuk e kuptoj në fakt, vërtetë fjalën zgjerim kur bëhet fjalë për Shqipërinë apo Ballkanin Perëndimor sepse kur një organizëm ose një objekt a shtëpi zgjerohet do të thotë që zgjeron perimetrin e vet. Ndërkohe që ne nuk jemi jashtë perimetrit të Europës, por jemi brenda saj. Pra më shumë se zgjerim, është ri bashkim. Është një integrim i plotë i organizmit të saj. Dhe mos harroni që BE është realiteti i parë në historinë e hartave e të gjeopolitikës me dy kufij, një kufi të jashtëm dhe një kufi të brendshëm. Dhe brenda këtij kufiri të brendshëm jemi ne, Ballkani. Si një fetus në mitrën e një gruaje shtatzënë.
Rama kunja Trump
Mendoj kështu që më së fundmi jemi në rrugë të mbarë. Dhe jam i sigurtë që tani Federika është më e lehtësuar sepse la Brukselin me një premtim të brendshëm për të mos u kthyer më dhe erdhi në Bruzh për të gjetur strehë, strehë në sytë dhe zemrat e një brezi të ri por jam i sigurtë që kur nisi punën dhe pa studentët e parë që takoi ndjeu keqardhje për ta, duke menduar, “O Zot ju nuk dini asgjë se c‘është jeta atje jashtë për këdo që ëndërron të bëjë diçka në Bruksel”. Por gjerat kanë ndryshuar, por Europa, BE janë dy fjalë të lidhura me një që është paqja. Dhe paqja ka qenë arsyeja e lindjes së tij, paqja ka qenë arsyeja e ekzistencës së tij dhe paqja duhet të jetë arsyeja e së ardhmes së tij.
Si mund ta lëmë këtë krijese të mahnitshme ndërtuar si një projekt paqeje të kthehet në një makineri lufte, një plan paqeje europian mungon dukshëm dhe është krejt dëshpëruese të shohësh 27 a më shumë se 27 përfshirë ne, që presim nga diku jashtë perimetrit të jetës tonë dikë që të na gjejë ndonjë zgjidhje. Europa ka nevojë për një plan, duhet të ofrojë garanci sigurie për Ukrainën, të projektojë një rrugë të qartë për ribashkimin e plotë të Europës dhe po kështu të mbajë derën hapur për përfshirje më tej të Rusisë në një vizion të gjerë për stabilitet ndërsa forcon ndikimin global të Europës, duke u pozicionuar si një forcë qendrore për diplomacinë, bashkëpunimin e ndërtimin e paqes në skenën botërore”, deklaroi ndër të tjera kryeministri Edi Rama në Kolegjin e Europës në Bryzh (Belgjikë) më 16 shtator 2025.

