Tag: paqes

  • Takimi në Gjenevë, pas Rubios reagon dhe pala ukrainase: Po përparojmë drejt paqes së drejtë dhe të qëndrueshme

    Takimi në Gjenevë, pas Rubios reagon dhe pala ukrainase: Po përparojmë drejt paqes së drejtë dhe të qëndrueshme

    Andriy Yermak, shefi i stafit të zyrës së presidentit ukrainas, tha se delegacioni ukrainas pati “një seancë të parë shumë produktive” me zyrtarët amerikanë në Gjenevë sot, ndërsa bisedimet vazhdojnë për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.

    “Kemi përparim shumë të mirë dhe po ecim përpara drejt paqes së drejtë dhe të qëndrueshme. Populli ukrainas e meriton dhe e dëshiron këtë paqe më shumë se kushdo në këtë planet”, tha Yermak së bashku me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Marco Rubio, i cili gjithashtu ndau një vlerësim optimist.
    Presidenti Donald Trump sulmoi lidershipin ukrainas në mediat sociale këtë mëngjes për atë që e përshkroi si mungesë mirënjohjeje. Në fjalën e tij për gazetarët, Yermak falënderoi presidentin amerikan: “Falënderojmë miqtë tanë të mëdhenj, Shtetet e Bashkuara dhe personalisht Presidentin Trump dhe ekipin e tij për angazhimin e tyre për të sjellë këtë paqe.”
    Yermak tha se grupi do të vazhdojë të punojë sot dhe do t’u bashkohet bisedimeve në ditët në vijim.
    “Ne gjithashtu do të angazhojmë miqtë tanë evropianë dhe, sigurisht, fjalët e fundit do të jenë të udhëheqësve tanë, të Presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës, dhe shpresoj se mund të arrijmë diçka të mirë”, tha Yermak.

    Top Channel

  • Plani i paqes Rusi-Ukrainë/ Presidenti Trump: Ukraina, mosmirënjohëse ndaj përpjekjeve tona!

    Plani i paqes Rusi-Ukrainë/ Presidenti Trump: Ukraina, mosmirënjohëse ndaj përpjekjeve tona!

    Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar sërish lidhur me situatën në Ukrainë, vetëm pak minuta pasi presidenti Volodymyr Zelenskyy dha deklaratat e tij të fundit.
    Në një postim në rrjetin e tij “Truth Social”, Trump shkroi:
    “Udhëheqja e Ukrainës nuk ka shprehur asnjë mirënjohje për përpjekjet tona, dhe Evropa vazhdon të blejë naftë nga Rusia.”
    Pjesa më e madhe e deklaratës së tij përsërit pretendimet që Trump ka bërë edhe më parë, duke thënë se lufta nuk do të kishte nisur nëse ai do të ishte president, ndërsa kritikoi paraardhësin e tij, Joe Biden.
    Deklaratat e sotme të Trump pasqyrojnë gjithashtu kritikat e forta që ai ka adresuar ndaj Zelenskyyt më herët këtë vit, gjatë një takimi të tensionuar në Zyrën Ovale, ku Trump e qortoi publikisht liderin ukrainas përpara mediave botërore.
    Reagimi i Trump vjen menjëherë pasi Zelenskyy sugjeroi se plani i paqes i SHBA-së mund të mbajë në konsideratë sigurinë kombëtare të Ukrainës — një koment që ka tërhequr vëmendje të madhe në Kiev dhe në arenën ndërkombëtare.

  • Zyrtarët amerikanë, evropianë dhe ukrainas në Gjenevë për të biseduar për planin e paqes

    Zyrtarët amerikanë, evropianë dhe ukrainas në Gjenevë për të biseduar për planin e paqes

    Zyrtarë të lartë nga Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe këshilltarë të sigurisë kombëtare nga Franca, Britania dhe Gjermania do të zhvillojnë bisedime në Gjenevë të dielën për të diskutuar draftin e planit të Washingtonit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
    Të premten, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka kohë deri të enjten për të miratuar planin me 28 pika, i cili i bën thirrje Ukrainës të heqë dorë nga territori, të pranojë kufizime në ushtrinë e saj dhe të heqë dorë nga ambiciet për t’u bashkuar me NATO-n.
    “Shpresojmë të sqarojmë detajet përfundimtare… për të hartuar një marrëveshje që është e favorshme për ta (Ukrainën”, ka thënë një zyrtar amerikan.
    “Asgjë nuk do të bihet dakord derisa të dy presidentët të takohen”, ka shtuar ai duke iu referuar Trump dhe Zelensky.
    Përpara nisjes së Rubios për në Gjenevë, Trump ka thënë se propozimi i tij aktual për t’i dhënë fund luftës nuk është oferta e tij e fundit. Herët të dielën, konvoje automjetesh me targa diplomatike amerikane u panë duke kaluar nëpër Gjenevë.
    Delegacioni i Ukrainës kryesohet nga kreu i zyrës së Zelenskyt, Andriy Yermak, dhe përfshin zyrtarë të lartë të sigurisë.
    Këshilltarët e sigurisë kombëtare nga aleanca E3 e Francës, Britanisë dhe Gjermanisë do të bashkohen në diskutime, së bashku me Bashkimin Evropian. Italia gjithashtu do të dërgojë një zyrtar, kanë thënë burime diplomatike.
    Kryeministri kanadez, Mark Carney, ka thënë se do të flasë me Zelensky më vonë të dielën në lidhje me planin e paqes.
    Udhëheqësit evropianë kanë thënë të shtunën se plani i paqes i SHBA-së, i cili mbështet kërkesat kryesore ruse, ishte një bazë për bisedime për t’i dhënë fund luftës, por kishte nevojë për “punë shtesë”, pasi ata kërkojnë një marrëveshje më të mirë për Kievin para afatit të së enjtes.
    Një burim nga qeveria gjermane ka thënë se një draft i planit evropian të paqes, i cili bazohet në propozimin e SHBA-së, ishte dërguar në Ukrainë dhe në administratën amerikane.
    Përpara bisedimeve, presidenti  Zelensky ka paralajmëruar se Ukraina rrezikonte të humbiste dinjitetin dhe lirinë e saj ose mbështetjen e Uashingtonit, për shkak të planit.
    Presidenti rus, Vladimir Putin e ka përshkruar planin si bazën e një zgjidhjeje për konfliktin, por Moska mund të kundërshtojë disa propozime në skemë, e cila kërkon që forcat e saj të tërhiqen nga disa zona që kanë pushtuar.

  • Plani i Paqes/ Ukraina takohet me zyrtarë amerikanë për bisedime vendimtare në Gjenevë

    Plani i Paqes/ Ukraina takohet me zyrtarë amerikanë për bisedime vendimtare në Gjenevë

    Zyrtarët ukrainas pritet të takohen sot me homologët amerikanë në Gjenevë, për ta shtjelluar planin 28-pikësh për paqe të presidentit amerikan Donald Trump, për të cilin aleatët e Kievit thonë se ia mban anën fuqishëm Rusisë.
    Mbështetësit evropianë të Ukrainës – të udhëhequr nga Britania, Franca dhe Gjermania, të ashtuquajturat E3 – kanë shprehur shqetësim lidhur me planin, i cili ende nuk është bërë zyrtarisht publik, ndonëse elementë kyç të tij janë zbuluar.
    Shumë prej kushteve të marrëveshjes kërkojnë lëshime të mëdha nga Kievi dhe duket se pasqyrojnë shumë prej kërkesave të Kremlinit, përfshirë dorëzimin e rajoneve ukrainase Donjeck dhe Luhansk – të njohura si Donbas – dhe të Krimesë, si dhe vendosjen e kufizimeve mbi madhësinë e ushtrisë ukrainase.
    Kievi gjithashtu do të detyrohej ta mëshironte në Kushtetutën e vet ndalimin e anëtarësimit në NATO, ndërsa kufizime do të vendoseshin edhe mbi vetë aleancën ushtarake perëndimore lidhur me vendosjen e trupave të saj.
    Sanksionet financiare ndaj Moskës do të zbuteshin, sipas planit.
    Në këmbim, Ukraina do të merrte një formë “garancish sigurie”, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, do të lejohej të anëtarësohej në Bashkimin Evropian dhe do të përfitonte disa përparësi financiare.
    Rusia gjithashtu do të detyrohej të tërhiqej nga disa zona të Ukrainës që aktualisht i mban të pushtuara.
    Ky plan “nuk është oferta përfundimtare”
    Mes kundërshtimeve nga ligjvënës amerikanë dhe aleatë të huaj, Trump më 22 nëntor la të hapur mundësinë që plani të ndryshohej.
    I pyetur nga gazetarët nëse propozimi i tij ishte “oferta përfundimtare për Ukrainën,” Trump tha: “Jo”.
    “Ne po përpiqemi ta përfundojmë [luftën]. Në një mënyrë ose tjetër, duhet t’i japim fund”, shtoi ai.
    Aleatët evropianë të Ukrainës, të cilët nuk u përfshinë në hartimin e planit amerikan, kanë thënë se propozimi kërkon “punë shtesë”.
    Në një komunikatë të përbashkët, liderët e Britanisë, Gjermanisë, Francës, Spanjës dhe Italisë, së bashku me zyrtarë të lartë të BE-së dhe liderët e Japonisë dhe Kanadasë, paralajmëruan se kufijtë “nuk duhet të ndryshohen me forcë”.
    Ata ngritën shqetësime se kufizimet e propozuara për ushtrinë ukrainase do ta linin vendin të cenueshëm ndaj ndonjë sulmi në të ardhmen.
    Ndaras, grupimi i tetë vendeve baltike tha se kishin folur me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të riafirmuar mbështetjen për Kievin dhe u zotuan të vazhdojnë furnizimin me armë, ndërkohë që forcojnë mbrojtjen e Evropës për të penguar agresionin e mëtejshëm rus.
    Në një komunikatë të përbashkët, Danimarka, Estonia, Finlanda, Islanda, Letonia, Lituania, Norvegjia dhe Suedia thanë: “Rusia deri më tani nuk është angazhuar për një armëpushim apo hapa drejt paqes”.
    Ndërkohë, zyrtarë në Rusi dhe në Ukrainë raportuan për sulme të reja më 23 nëntor.
    Një vajzë 11-vjeçare ishte mes 19 personave të plagosur nga sulmet me dronë në rajonin ukrainas të Dnipropetrovskut, tha Vladislav Haivanenko, kreu i administratës ushtarake rajonale.
    Aeroporti Vnukovo i Moskës pezulloi fluturimet pasi kryebashkiaku i qytetit, Sergei Sobyanin, raportoi dronë ukrainas që po afroheshin.
    “Çasti më i vështirë”

    Zelensky ka thënë se vendi i tij po përjeton “një nga çastet më të vështira” në historinë e tij, duke paralajmëruar se rrezikon ta humbë njërin nga aleatët e tij kyç – Uashingtonin – por se Kievi nuk do t’i “tradhtojë” interesat e veta në asnjë negociatë.
    Zelensky emëroi shefin e kabinetit të tij, Andriy Yermak, si kryenegociator dhe drejtues të një ekipi prej nëntë anëtarësh në Gjenevë. Shefi i inteligjencës ushtarake, Kyrylo Budanov, është gjithashtu pjesë e delegacionit.
    U raportua gjithashtu se Gjermania, Britania dhe Franca do t’i kërkojnë Uashingtonit në bisedime të rishikojë planin e tij të paqes dhe se ata tashmë ua kanë dërguar amerikanëve propozimet e tyre për ndryshime./REL

  • SHBA – Rubio: Plani i paqes për Kievin nuk pasqyron qëndrimin e Uashingtonit

    SHBA – Rubio: Plani i paqes për Kievin nuk pasqyron qëndrimin e Uashingtonit

    Bota E Diel, 23 Nëntor 2025 14:07
    Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka këmbëngulur se plani i propozuar prej 28-pikësh për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, i cili është parë gjerësisht si i favorshëm për Rusinë, është hartuar nga SHBA-ja, sipas BBC.
    Deklarata e tij vjen mes pretendimeve të një grupi senatorësh – të cilët thanë se plani i paqes në Ukraine mund të ishte një “listë dëshirash” nga ana e Rusisë.

    Por, Rubio këmbënguli se propozimi i paqes për Kievin nuk pasqyronte qëndrimin e Uashingtonit.

    Rubio u distancua nga këto pretendime dhe tha se plani vinte nga SHBA-ja dhe se ishte bazuar në kontributin si nga Rusia ashtu edhe nga Ukraina.

    “Propozimi i paqes është hartuar nga SHBA-ja. Ai bazohet në kontributin e palës ruse dhe gjithashtu në kontributin e mëparshëm dhe të vazhdueshëm të Ukrainës”, tha Rubio ne media sociale.
    Reagimi i tij erdhi ndërsa ai po nisej për në Gjenevë, në Zvicër për bisedime me zyrtarët ukrainas dhe evropianë për planin e paqes, të cilin presidenti i SHBA-së, Donald Trump i ka bërë thirrje Kievit ta pranojë shpejt.
    Aleatët e Ukrainës në Evropë kanë hartuar dispozitat kryesore në draft, i cili nuk është bërë publik, por detajet e të cilit janë publikuar gjerësisht.
    Ai përfshin tërheqjen e trupave ukrainase nga zonat lindore të cilat Rusia nuk ka qenë në gjendje t’i marrë me forcë – dhe kufizimin e madhësisë së forcave të saj të armatosura.
    Presidenti amerikan, Donald Trump tha dje se plani i paqes nuk përfaqësonte një “ofertë përfundimtare” për Ukrainën.
    Në një postim dje në X, zëvendëspresidenti JD Vance tha se kritikat ndaj planit të propozuar të paqes ose keqkuptonin marrëveshjen kornizë ose keqinterpretonin ndonjë realitet kritik në terren.
    “Ekziston një fantazi se nëse japim më shumë para, më shumë armë ose më shumë sanksione, fitorja është afër”, tha ai, duke shtuar se paqja nuk do të bëhej nga politikanët që jetonin në një vend fantazish. ATSH

  • Ukraina shënon Holodomorin teksa i shtohen s*lmet ruse dhe trysnia amerikane për planin e paqes

    Ukraina shënon Holodomorin teksa i shtohen s*lmet ruse dhe trysnia amerikane për planin e paqes

    Derisa Ukraina e ka shënuar Ditën e Përkujtimit të Holodomorit më 22 nëntor, Rusia e kreu një sulm të madh gjatë natës, në një kohë kur trysnia ndaj Kievit po rritet për ta pranuar një marrëveshje për paqe, e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, për t’i dhënë fund luftës.
    Të shtunën e katërt të nëntorit, ukrainasit nderojnë viktimat e Holodomorit, urisë së madhe të shkaktuar nga njeriu dhe e orkestruar nga Qeveria sovjetike në vitet ‘30, e cila çoi në vdekjen e miliona ukrainasve. Në një postim në X, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se “të gjithë e dimë si dhe pse” ndodhi uria.
    “Dhe, edhe një herë po mbrohemi nga Rusia; një Rusi që nuk ka ndryshuar, e cila po sjell vdekje përsëri”, shtoi ai. Zelensky nuk e përmendi planin e paqes të hartuar nga SHBA-ja, por shkroi: “E kemi mbrojtur Ukrainën, e mbrojmë tani dhe do ta mbrojmë gjithmonë. Sepse, ky është i vetmi vend që kemi. Dhe, në shtëpinë tonë, Rusia nuk do të jetë kurrë zot”.
    Gjatë natës, Rusia sulmoi Ukrainën me mbi 100 dronë dhe një raketë balistike, duke goditur një pikë të rëndësishme kufitare me Rumaninë. Mbrojtja ajrore ukrainase rrëzoi 89 nga 104 dronët sulmues të lëshuar nga drejtime të ndryshme në të gjithë Rusinë dhe territoret e pushtuara, tha ushtria ukrainase më 22 nëntor. Megjithatë, 13 dronë goditën 15 lokacione, dhe një raketë balistike Iskander-M goditi objektivin e saj.
    Një dron rus dëmtoi infrastrukturën në pikëkalimin Orlivka në kufirin Ukrainë–Rumani, duke detyruar ndërprerjen e përkohshme të operacioneve të kompleksit të trageteve. Dy persona u plagosën dhe 11 kamionë u dëmtuan, së bashku me disa ndërtesa administrative, njoftuan zyrtarët. Sulmet vijnë teksa presidenti i SHBA, Donald Trump, po ushtron trysni mbi Ukrainën që ta pranojë një plan paqeje me 28 pika deri më 27 nëntor, duke kërcënuar se do ta ndalë mbështetjen amerikane nëse Kievi e s’e pranon propozimin.
    Plani kërkon që Ukraina ta dorëzojë mbi 20 për qind të tokës së saj, ta kufizojë ushtrinë nga 880.000 në 600.000 trupa, dhe të heqë dorë nga synimi për anëtarësim në NATO. Duke iu drejtuar kombit, Zelensky tha më 21 nëntor se vendi i tij po përballet me “një nga çastet më të vështira” në historinë e tij teksa shqyrton planin e paqes të hartuar nga SHBA-ja.
    Ndërkohë, presidenti rus, Vladimir Putin, duket se e mirëpriti propozimin amerikan, duke thënë se ai mund të shërbejë si bazë për një marrëveshje përfundimtare për paqe. Ky ishte konfirmimi i tij i parë publik se Moska e ka pranuar planin. Putin paralajmëroi se forcat ruse do të vazhdojnë përparimin nëse Ukraina e refuzon marrëveshjen.
    Në një postim në X më 22 nëntor, nënpresidenti amerikan JD Vance mbrojti kornizën e planit, duke renditur tri kërkesa: ndalimin e vrasjeve duke ruajtur sovranitetin e Ukrainës, pranueshmërinë nga të dyja palët dhe maksimizimin e gjasave që lufta të mos rifillojë. Vance iu përgjigj kritikëve duke thënë se ata “jetojnë në botë fantazie”, duke argumentuar se është joreale të besohet se “më shumë para, më shumë armë, ose më shumë sanksione” do të sillnin fitore.
    “Çdo kritikë ndaj planit të paqes në të cilin po punon administrata, ose e keqkupton kornizën ose shtrembëron realitetin në terren”, shkroi ai. Ndërkohë, udhëheqësit evropianë po përpiqen të reagojnë pasi u zunë të papërgatitur nga plani, i cili u zhvillua pa pjesëmarrjen e tyre.
    Kancelari gjerman Friedrich Merz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer zhvilluan një telefonatë urgjente me presidentin Zelensky më 21 nëntor, duke theksuar se “çdo marrëveshje që prek shtetet evropiane kërkon miratimin e partnerëve evropianë”. Udhëheqësit e BE-së u takuan më pas në margjinat e një samiti të G20-ës në Johanesburg, Afrikën e Jugut, më 22 nëntor, për ta bashkërenduar përgjigjen e tyre./REL

  • Plani 28 pikësh i paqes në Ukrainë – Starmer flet me Zelenskyyn dhe me Trump

    Plani 28 pikësh i paqes në Ukrainë – Starmer flet me Zelenskyyn dhe me Trump

    Volodymyr Zelenskyy dhe Sir Keir Starmer kanë folur gjatë asaj që ka qenë një ditë e ngarkuar për Kievin dhe aleatët e tij.

    Duke u përpjekur të përballet me një plan paqeje SHBA-Rusi, Zelenskyy thotë se biseda tashmë ka ndodhur, raporton Sky News.

    Në një postim në Telegram, Zelenskyy thotë: “Kemi pasur një bisedë të gjatë, diskutuam shumë nuanca të punës diplomatike në planifikimin e procesit të paqes. Do të vazhdojmë të koordinohemi, dhe jam mirënjohës ndaj gjithë shoqërisë britanike për mbështetjen e tyre.”

    Zelenskyy shton se këshilltarë nga të dy vendet, si edhe nga SHBA, Franca dhe Gjermania, do të punojnë nesër në Zvicër.

    Më pas kryeministri britanik foli gjithashtu me liderin amerikan Donald Trump.

    Një zëdhënës i Downing Street thotë se kryeministri e informoi Zelenskyy-n për progresin e bisedimeve të koalicionit të vetëquajtur “të gatshëm”, në takimin e G20 në Afrikën e Jugut.

    Më pas, me Trumpin, zëdhënësi thotë se Starmer ia përcolli këto bisedime liderit amerikan dhe se të dy udhëheqësit ranë dakord që ekipet e tyre të punojnë së bashku nesër në Gjenevë për planin e paqes me 28 pika.

    Starmer dhe Trump ranë gjithashtu dakord të flasin sërish nesër.

  • Putin: Plani i paqes i SHBA-së mund të jetë ‘bazë’ për zgjidhjen përfundimtare të paqes

    Putin: Plani i paqes i SHBA-së mund të jetë ‘bazë’ për zgjidhjen përfundimtare të paqes

    Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka folur në një takim të Këshillit të Sigurisë Ruse këtë pasdite.
    Sipas mediave të huaja, Putin tha se Rusia tani ka marrë planin e paqes prej 28 pikash të SHBA-së për luftën në Ukrainë.
    Plani mund të shërbejë si “bazë” për një zgjidhje përfundimtare paqësore, por teksti nuk po diskutohet në detaje me Rusinë, tha Putin.
    “Ne shohim se pas bisedimeve në Alaska, pati njëfarë pauze nga pala amerikane, dhe ne e dimë se kjo lidhet me refuzimin aktual të planit të zgjidhjes së paqes nga ana e Ukrainës, të propozuar nga Presidenti Trump. Unë besoj se pikërisht për këtë arsye u shfaq një version i ri, në thelb një plan i modernizuar që përbëhet nga 28 pika. Ne e kemi këtë tekst; e morëm atë përmes kanaleve ekzistuese të ndërveprimit me administratën amerikane. Unë besoj se ai mund të shërbejë gjithashtu si bazë për zgjidhjen përfundimtare të paqes”, tha Putin gjatë fjalës së tij.
    Presidenti rus tha se plani i paqes i propozuar nga Donald Trump u diskutua përpara se të dy të takoheshin në Alaska në gusht.
    Rusia konfirmoi se ishte dakord me propozimet e SHBA-së për një zgjidhje gjatë takimit në Anchorage, shtoi ai.
    Putini tha gjithashtu në takim se Rusia është e gatshme për negociata paqeje, por është gjithashtu e kënaqur me dinamikën aktuale të operacionit ushtarak special.

  • Trump: Ukraina ka afat 1 javë të pranojë planin e paqes

    Trump: Ukraina ka afat 1 javë të pranojë planin e paqes

    Bota E Premte, 21 Nëntor 2025 18:05
    Presidenti i Amerikës, Donald Trump ka folur publikisht për planin e paqes të SHBA-së për Ukrainën. Sipas mediave të huaja, Trump mendon që e enjtja e ardhshme ishte një “afat i përshtatshëm” për Ukrainën që të pranonte planin me 28 pika. “Kam pasur shumë afate, por nëse gjërat po shkojnë mirë, ka tendencë t’i zgjatësh ato. Por e enjtja, mendojmë se është një kohë e përshtatshme”, tha Trump. Shtëpia e Bardhë dëshiron që Ukraina të nënshkruajë një kuadër të planit të saj të paqes deri më 27 nëntor, megjithëse kjo shihet më shumë si një qëllim sesa një afat i caktuar.

  • Moska: Rusia s’ishte e përfshirë në planin kontrovers të paqes së SHBA-së

    Moska: Rusia s’ishte e përfshirë në planin kontrovers të paqes së SHBA-së

    Zyrtarët rusë thanë të premten se SHBA-të nuk u konsultuan me Kremlinin mbi propozimin e tyre të fundit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, edhe pse plani i paqes me 28 pika përfshin shumë nga kërkesat e Rusisë.

    Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia ende nuk e ka marrë zyrtarisht draftin, i cili u publikua gjerësisht më parë këtë javë.

    Ndërsa Rusia beson se plani përmban disa impute të reja, “nuk pati diskutim faktik për këto pika”, tha Peskov kur u pyet nëse Rusia kishte qenë e përfshirë në hartimin e qëndrimeve.

    Zëdhënësi tha se Rusia mbetet e hapur për negociata të mëtejshme, por nuk pranoi të komentojë publikisht mbi propozimin e SHBA-së në mënyrë që të mos rrezikojë bisedimet.

    Ai i justifikoi sulmet e vazhdueshme ruse ndaj Ukrainës duke thënë se ishte e nevojshme të “bindej” Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky “të negocionte tani”, duke paralajmëruar se hapësira e Ukrainës për manovrim vetëm sa do të ngushtohej.

    Propozimi i fundit i SHBA-së për t’i dhënë fund luftës gati katërvjeçare në Ukrainë ka shkaktuar trazira në Kiev dhe kryeqytete të tjera evropiane, të cilat gjithashtu u lanë mënjanë nga iniciativa.

    Plani kërkon që Ukraina të bëjë lëshime të mëdha, duke përfshirë tërheqjen e trupave nga pjesët e rajoneve të kontestuara të Luhanskut dhe Donetskut, që ajo aktualisht kontrollon.

    Për më tepër, Uashingtoni pritet të njohë Gadishullin e Krimesë, të aneksuar në mënyrë të paligjshme në vitin 2014, dhe rajonet e Donetskut dhe Luhanskut si territor de facto rus.

    Ukraina, e cila vazhdimisht ka refuzuar lëshimet territoriale, dhe aleatët e saj evropianë, nga ana tjetër, kanë këmbëngulur prej kohësh për një armëpushim përgjatë vijave aktuale të frontit si një parakusht për një zgjidhje përfundimtare paqeje – një propozim që Moska e refuzon./ DPA News.