Nga Franc Nuri
Si Drejtues i Departamentit të Drejtësisë në Partinë Demokratike, por mbi të gjitha si qytetar i angazhuar, e konsideroj detyrim moral dhe profesional të reagoj ndaj dhunës së ushtruar sot, më 9 gusht 2025, mbi disa media shqiptare pjesë e Fokus Media Group: TV News 24, Balkanweb, Gazeta Panorama, TV Panorama, Gazeta Panorama Sport dhe Radio RASH.
Akti i ndërhyrjes së dhunshme me forca policie për rrethimin e kësaj Media, pa Përmbarim dhe në tejkalim flagrant të vendimit të gjykatës dhe kontratës në fuqi, nuk ka të bëjë aspak me një zbatim normal të vendimeve gjyqësore (siç pretendohet nga Qeveria), por përbën një rast të pastër vetëgjyqësie! Po po, ky akt është vetëgjyqësi, e ndaluar dhe të dënueshme nga neni 277 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Ky nen parashikon qartë:
“Ushtrimi i një të drejte prej personit që i përket ose që kujton se i përket, dhe që nuk njihet nga tjetri, pa iu drejtuar organit kompetent shtetëror, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.”
Në këtë rast, edhe sikur të ekzistojnë vendime gjyqësore për lirimin e ambienteve, procedura ligjore për ekzekutimin e tyre është e përcaktuar qartë në Kodin e Procedurës Civile, i cili kërkon ndërhyrjen e Shërbimit Përmbarimor, njoftim paraprak të palëve, afate ligjore dhe respektimin e të drejtave procedurale të secilit. Ekzekutimi i vendimit “me dhunë policore” në mënyrë të menjëhershme, ditën e shtunë ora 06.00 e mëngjesit, si në kohën e dëbim-internimeve me Sigurim-Shteti, është veprim i pastër arbitrar dhe politikisht i motivuar për t’i mbyllur gojën çdokujt që flet i lirë në këtë vend.
Në asnjë vend normal demokratik, vendimet civile për qira, pronësi ose mosmarrëveshje tregtare nuk ekzekutohen me ndërhyrje të forcave policore, si në operacione kriminaliteti të rrezikshëm, por me shërbim përmbarimor. Ky është standardi bazë i shtetit të së drejtës, i cili po shkelet hapur, ashtu sikundër po shkelet prona private e televizionit, sinjali i transmetimit, i cili është pasuri publike, si dhe po shkelen të drejtat e gazetarëve dhe operatorëve të cilët po pengohen të tërheqin sendet dhe mjetet e tyre personale!
Ky rast nuk mund të shihet i izoluar. Vetëm pak muaj më parë, Qeveria e Edi Ramës mbylli me ligj platformën TikTok, duke e rreshtuar Shqipërinë në listën e pak vendeve të Botës së tretë që përdorin censurën digjitale në mënyrë sistematike, krahas vendeve si Afganistani i talebanëve. Sot, pas kësaj goditjeje ndaj lirisë së fjalës së lirë, po shohim edhe goditjen e hapësirave të pakta mediatike ku ende dëgjohej zëri opozitar.
Ky është një sulm frontal ndaj fjalës së lirë, një përpjekje e hapur e Qeverisë për të mbytur çdo zë kritik, një akt politik i paramenduar për të mbjellë frikë dhe autocensurë tek gazetarët, opinionistët dhe qytetarët. Është një mesazh kërcënues, pas 12 viteve pushtet absolut të një njeriu të vetëm, që kush guxon të flasë kundër, do të përballet me forcën brutale të shtetit.
Shqipëria e vitit 2025, fiks 35 vite pas rënies së diktaturës socialiste, po përballet sot me rikthimin e metodave staliniste të kontrollit mbi median dhe mendimin kritik. Ky është një alarm kombëtar për demokracinë tonë dhe një thirrje për rezistencë të hapur qytetare e politike kundër shuarjes së pluralizmit dhe lirisë së informacionit.
Ndaj nisur nga kjo ngjarje e rëndë, kërkoj hetim të menjëhershëm për veprën penale të vetëgjyqësisë dhe për çdo tejkalim kompetencash nga strukturat shtetërore të përfshira.
Çdo heshtje përballë këtij akti është bashkëfajësi.