Gjendja e bibliotekave sot, ndihma institucionale për krijimtarinë letrare apo dhe mungesa e kritereve dhe e gjykimeve profesionale janë vetëm disa nga problemet që shpreh shkrimtari Pandeli Koçi. Në intervistën për gazetën “SOT” shkrimtari Pandeli Koçi thotë se gjendja e bibliotekave të lagjeve, jo vetëm në Tiranëështë për të ardhur keq. Ai shprehet se furnizimi i tyre me libra të rinj është rrallë, ndërsa sipas tij edhe fondet që jepen janë të papërfillshme. Shkrimtari Pandeli Koçi (emri letrar Sazan Goliku) ka shkruar poezi, prozë dhe letërsi për fëmijë. Ai herë pas herë ka shprehur rëndësinë që ka libri, ku gjithashtu është shqetësuese sipas tij sot edhe rënia e leximit. Me kritika shkrimtari Pandeli Koçi shprehet ndaj institucioneve në vend për politikat që ndjekin për mbështetjen e krijimtarisë letrare.
Ai thotë se autorët janë të pavarur nga shteti, por është detyrë e shtetit të mbështesë dhe të kujdeset për krijimtarinë e shkrimtarëve që vërtetë kanë vlera të mirëfillta artistike. Shkrimtari Pandeli Koçi thotë se ka shumë autorë, botohen kaq shumë libra nga vetë autorët dhe shtëpitë botuese, por sasia sipas tij nuk është cilësi dhe mungesa e kritereve dhe e gjykimeve profesionale kanë krijuar hutim, pështjellim dhe çoroditje në shijen estetike të lexuesve. Ndër të tjera shkrimtari Pandeli Koçi flet dhe për kritikën letrare, që sipas tij nuk mund të merret me çdo libër që del në treg, por me ata që paraqesin prurje të reja dhe vlera të veçanta artistike, por edhe me ata që brenda vlerave kanë mangësi ose dobësi që duhen vënë në dukje.
Sipas tij veç krijimit të kurseve speciale për kritikën e studimet letrare, të hapet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit edhe një revistë për kritikën letrare dhe artistike, që do ta gjallëronte e çonte përpara këtë degë të rëndësishme të letërsisë dhe artit tonë. Shkrimtari Pandeli Koçi është fitues i disa çmimeve kombëtare dhe vendore. Nga viti 1960 dhe në vazhdim ka botuar studime, kritika e recensione letrare në organe të shtypit, letrar e shkencor në Tiranë, Prishtinë e Shkup. Ai ka botuar mbi 30 libra për fëmijë dhe mbi 15 libra për të rritur.Ndër botimet e tij ai ka përgatitur dhe antologjinë “Pena të lirisë” dhe antologjinë e letërsisë për fëmijë “Lule për lulet”.
– Për librat dhe leximin e tyre është folur herë pas here, por nëse flasim për gjendjen e bibliotekave, për ju çfarë është shqetësuese?
Gjendja e bibliotekave të lagjeve, jo vetëm në Tiranë, është për të ardhur keq. Furnizimi i tyre me libra të rinj (se për të vjetër nuk bëhet fjalë) është me hope ose i rrallë. Pyes punonjësen e një biblioteke: Kur u kanë sjellë libra të rinj? – Ajo ngre supat me një nënqeshje keqardhëse. Po riparim të librave që kanë nevojë për riparim nuk bëhet fjalë. Fondet për këto biblioteka janë të papërfillshme, kur për një projekt me vlera të diskutueshme, për të mos thënë të dyshimta, jepen me miliona lekë. Si do t’i shkojë në mendje për problemet e bibliotekës një kryetari bashkie, kur vetë “nuk ka kohë” të lexojë një libër. Po për bibliotekat e shkollave në fshatra a janë planifikuar fonde? Gjendja e tyre e mjerueshme flet qartë për një shpërfillje të papranueshme.
– Ju herë pas herë keni shprehur rëndësinë që ka libri. Gjithashtu është shqetësuese dhe rënia e leximit. Për ju çfarë duhet të ndryshojë në politikat që ndjekin institucionet për t’i dhënë një nxitje të paktën në shkolla më shumë leximit, letërsisë për fëmijë?
Problemi i leximit të librit është dukuri komplekse, jo vetëm shqiptare, që kushtëzohet nga një sërë faktorësh objektiv dhe subjektiv. Zhvillimi arsimor e kulturor i masave të gjera në vendin tonë nuk mund të themi se është në përpjestim të drejtë me mundësitë dhe dëshirën dhe zakonin për të lexuar. Një biznesmen e ka hiçmosgjë një drekë-dhuratë 100000 lekë, por një pensionist nuk e blen dot një libër 1000 lekë. Pra, dëshira dhe mundësia për të blerë librin janë objektive. Aftësia dhe qëllimi i institucioneve përkatëse duhet të gjej rrugë sa më racionale për ta zbutur këtë pamundësi. Është fakt në çdo familje që fëmijët, duke u joshur vetëm nga celularët, filmat multiaplikativë dhe lodra të ndryshme elektronike, e kanë të vështirë të lexojnë, ta dashurojnë librin. Kam kaluar disa herë pranë bibliotekës “Petro Zhej” të një lagje të Tiranës. Në oborr luajnë vajza e djem të vegjël, por biblioteka ose është e mbyllur ose brenda saj nuk shoh ndonjë lexues të vogël ose të rritur. Ose pse mos të përdoren organizime të tilla si p.sh.: Një mësues(e) (në përputhje me programin mësimor) të çojë nxënësit në bibliotekë, të tërheqin libra dhe pastaj nxënësit të përgjigjen për përmbajtjen dhe vlerësimin për librin. Një fjalë e urtë popullore thotë: “Duke ngrënë hapet oreksi”.
– Po për autorët, sa po bëhet me politikat që ndjekin institucionet për krijimtarinë letrare?
Autorët janë të pavarur nga shteti, por është detyrë e shtetit të mbështesë dhe të kujdeset për krijimtarinë e shkrimtarëve që vërtetë kanë vlera të mirëfillta artistike. Rreziku te ne qëndron te burokracia e nëpunësve, një pjesë e të cilëve as kanë përvojën e njohuritë e duhura teorike dhe të realitetit letrar në zhvillim, por vlerësojnë sipas interesave vetjake e klanore. Ka kaq shumë autorë, botohen kaq shumë libra nga vetë autorët dhe shtëpitë botuese, por sasia nuk është cilësi. Mungesa e kritereve dhe e gjykimeve profesionale kanë krijuar hutim, pështjellim dhe çoroditje në shijen estetike të lexuesve. Bëhen konkurse, shtetërore dhe të shoqatave, jepen çmime e tituj. Po kushi vlerëson krijimet? Këtu kemi të bëjmë me një sëmundje të vjetër. A janë në juri profesionistë e specialistë të paanshëm apo janë shprehës të shijeve dhe interesave të tyre?
– Pra, dalim te nevoja e seleksionimit që kritika letrare serioze dhe profesioniste duhej të kryhej?
Kritika letrare te ne, pasi flaku në vitet ’90 dogmat e të ashtuquajturit realizëm socialist, ka marrë frymë dhe është ushqyer me modele e metoda të ndryshme bashkëkohore, edhe pse të penguar nga qëndrimi indiferenti i hallkave të sistemit arsimor e kulturor shtetëror e privat. Edhe pse në shtypin letrar-artistik kemi vazhdimisht shkrime kritike, problemet burojnë nga subjektiviteti i pashmangshëm, po sidomos nga fryma klanore ose shoqërore, te njohjet vetjake etj. Gjithsesi kritika nuk mund të merret me çdo libër që del në treg, por me ata që paraqesin prurje të reja dhe vlera të veçanta artistike, por edhe me ata që brenda vlerave kanë mangësi ose dobësi që duhen vënë në dukje. Mendoj që, veç krijimit të kurseve speciale për kritikën e studimet letrare, të hapet nga Ministria e Kulturës një revistë për kritikën letrare dhe artistike. Pa dyshim që një organ si ky do ta gjallëronte e çonte përpara këtë degë të rëndësishme të letërsisë dhe artit tonë.
-Ju keni qenë një kohë relativisht të gjatë kryetar i Shoqatës Kombëtare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj (SHKSHFR), si është situata e botimit dhe leximit të librit për fëmijë në të dy anët e kufirit shqiptar e shqiptar?
Para disa ditësh u zhvillua një takim letrar në selinë e ambasadës së Kosovës në Tiranë, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, për krijimtarinë e veprimtarinë e shkrimtarit e studiuesit Xhevat Syla, ku morën pjesë shkrimtarë të njohur për fëmijë, shkrimtarë për të rritur, botues etj. Aty u ngrit me të drejtë problemi: Sa botohen dhe lexohen libra të shkrimtarëve të Kosovës në Tiranë dhe sa botohen e lexohen libra të Tiranës në Kosovë? Duhet pranuar se kjo ndërsjellje ngre një çështje shqetësuese për edukimin estetik, atdhetar e qytetar të fëmijëve tanë, pra për sot e për të ardhmen. Së pari, zgjidhja e suksesshme e këtij problemi bie mbi institucionet tona të arsimit e të kulturës, të cilat duhet ta njohin e ta sfidojnë këtë realitet. Në një shkrim analitik para disa kohe, historian e pedagogu M. Kasmi shkruan: “Identiteti shqiptar nuk është një veshje që mund të ndërrohet sipas rrethanave, por një themel historik, kulturor dhe shpirtëror që duhet të ushqehet e mbrohet nga të gjithë – në Tiranë, Prishtinë dhe kudo ku rreh një zemër shqiptare”.
Intervistoi: Juljana Vrapi