Nga Julia Vrapi
Panairi i Librit në Tiranë një ngjarje e rëndësishme kulturore që dhe këtë vit vijoi mes librave, titujve të rinj në stenda apo dhe aktiviteteve të ndryshme. Midis shumë ngjarjeve letrare të panairit, është edhe përzgjedhja e veprave më të mira. Juria e këtij panairi që përbëhej nga Elsa Skënderi Rakipllari (kryetare), Beti Njuma, Maniela Sota, Teuta Dhima dhe Zija Vukaj këtë vit mori në shqyrtim rreth 260 vepra të paraqitura për konkurrim. I kthyer në një traditë të përvitshme, Panairi i Librit 2025 vlerësoi autorët dhe përkthyesit që kanë spikatur për kontributet e tyre në letërsinë shqipe dhe atë të përkthyer, ku çmimi “Autori më i mirë i vitit” i shkoi shkrimtarit dhe akademikut Artan Fuga për romanin “Ndëshkimi i dytë i Evës”. Kryetarja e jurisë së Panairit të 28 të Librit Elsa Skënderi Rakipllari në fjalën e saj, në ceremoninë e dhënies së çmimeve u shpreh se me rëndësi ka qenë trajtimi me përpikëri i të gjithë lëndës letrare apo studimore.
Ndër të tjera ajo u shpreh se juria e panairit librat i ka shqyrtuar e gjykuar, por gjykimin përfundimtar për to, mbetet që ta japë lexuesi dhe koha. Ajo tha se puna e jurisë është organizuar në përputhje me disa parime formale, që lidheshin me kriteret e pranimit të veprave apo të autorëve në konkurrim. “Në radhën e këtyre kritereve, p.sh., ishte kriteri sipas të cilit një autor/përkthyes i vlerësuar me çmim Panairi brenda tri viteve të fundit nuk mund të klasifikohej si pretendent për çmim këtë vit. Sa iu takon parimeve përmbajtjesore që kemi ndjekur si juri, ato kanë pasur të bëjnë me: risinë për zhanrin përkatës, përmbajtjen e spikatur letrare dhe me aspektet gjuhësor të veprave (gjuhë e pasur dhe vepra të redaktuara si duhet). Po kështu, për jurinë me rëndësi ka qenë trajtimi me përpikëri i të gjithë lëndës letrare apo studimore, të dorëzuar për konkurrim brenda afateve dhe pasja në konsideratë e botuesve dhe e krijuesve si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova e Maqedonia e Veriut. Letërsinë shqipe, studimet e librat shqip i kemi bashkë, ndaj dhe vlerësimet, që padyshim parakusht kanë meritën, duhet t’i kemi bashkë”, tha Elsa Skënderi Rakipllari kryetare e jurisë.
Tematika e botimeve
Sa i takon tematikës së librave të paraqitur në konkurrim këtë vit, Elsa Skënderi Rakipllari kryetare e jurisë u shpreh çfarë u vu re në prozë apo dhe risitë. Sipas saj, risi vihen re edhe në zgjerimin e tematikës letrare. “Në prozë vërehet një rimarrje e motiveve të së shkuarës komuniste te autorët e Shqipërisë shtetërore, ndërsa te disa prej autorët e Kosovës këto motive të së shkuarës lidhen me Luftën Çlirimtare të Kosovës; Sakaq, një pjesë e veprave letrare po transfigurojnë edhe zhvillime më bashkëkohore të lidhura, për shembull, me lëvizjet demografike të shoqërisë (tematika e emigracionit), me zhvillimin e teknologjisë ose me pandeminë Covid-19. Risi vihen re edhe në zgjerimin e tematikës letrare që nuk mbetet thjesht te rravgimi i çështjeve të identitetit apo i çështjeve historike-politike, por mëton të bëjë pjesë të universit letrar edhe konceptet apo diskursin shkencor.
Kjo risi është më se e mirëpritur në letërsinë tonë, pasi më herët kjo lloj përmase ka munguar. Veçanërisht, në dritën e zhvillimeve teknologjike e shkencore që shoqëria po përjeton, bëhet e nevojshme kjo lloj letërsie që t’i përfaqësojë artistikisht zhvillimet e tilla”, vijoi kryetarja e jurisë. Këtë vit në panair sa u takon autorëve, Elsa Skënderi Rakipllari tha se kishte më tepër rikthime të autorëve (të konsoliduar) që e ruajnë periudhën e panairit, si kohën e artë, për të nxjerrë librin e tyre më të ri. “Kurse zërat e rinj, janë më të paktë si numër, por jo si talente. Kemi prurje syresh që bien në sy për nga teknikat e shkrimit. Edhe ndërsa flasim për “shkrimtarë të rinj”, të tillët jo përherë janë të rinj në moshë, por të rinj në shkrimtarinë artistike.
Në këtë Panair kemi edhe figura publike apo njerëz të botës akademike që kanë sjellë veprat e tyre fiksionale, duke veshur kësaj radhe rrobën e shkrimtarit”, tha ajo. Sa i takon përkthimeve, Elsa Skënderi Rakipllari vijoi se shkrimtarët e veprat letrare më në zë vijnë të përkthyera në gjuhën shqipe, dhe sipas saj në mënyrë mjeshtërore. “Kjo i jep mundësi lexuesit që të njohë e shijojë të njëjtat referenca letrare që janë lart të përfillura anembanë botës”, u shpreh ajo. Ceremonia e ndarjes së çmimeve të panairit u mbajt në datën 15 nëntor, ku këtë vit kanë qenë në konkurrim edhe prurjet në letërsinë për fëmijë. Sipas studiueses Elsa Skënderi Rakipllari, juria vërejti se veprat letrare për fëmijë, pak a shumë kanë qenë të një niveli tematik e përmbajtjesor. “Gjithsesi, ato janë pjesë e realitetit të krijimtarisë së këtij viti dhe ne besojmë se veprat e letërsisë për fëmijë, kultivojnë te lexuesi i ri, shprehi e koncepte tipike për gjuhën shqipe, duke i ardhur në ndihmë edukimit emocional dhe mëkimit me vlera sa universale aq edhe kombëtare”, u shpreh Elsa Skënderi Rakipllari, studiuese, pedagoge e letërsisë UT.
Ritualet kulturore të domosdoshme
Si çdo vit Panairi i Librit në Tiranë organizohet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë. Tema e përzgjedhur për edicionin e këtij viti të Panairit të Librit në Tiranë ishte një shprehje e shkrimtarit Ismail Kadare: “Ndërgjegjja jonë ka nevojë për librat”. Elsa Skënderi Rakipllari studiuese, pedagoge e letërsisë UT kryetare e jurisë ndër të tjera u shpreh se Panairi i Librit, ndër vite, është përjetuar si kremte jo vetëm nga botuesit, shkrimtarët e përkthyesit, por edhe nga lexuesit, të cilët thotë ajo u drejtohen mjediseve të panairit, si në një ritual kulturor. “Ritualet kulturore, nuk i kemi aq të shpeshta, por i kemi të domosdoshme, jo vetëm për të pasur një komunikim më të drejtpërdrejtë shkrimtar-lexues, por edhe për të sjellë në vëmendjen e publikut rëndësinë e leximit dhe dobinë e letërsisë. Të dashur shkrimtarë, studiues, përkthyes, librat tuaj, të mirë a bukur të mirë, i janë shtuar një herë e përgjithmonë botës sonë letrare, kjo është arritja më domethënëse. Kjo juri e panairit këta libra i ka shqyrtuar e gjykuar, por gjykimin përfundimtar për to, fatlumësisht e si në çdo rast, mbetet që ta japë lexuesi dhe koha!”, vijoi në fjalën e saj Elsa Skënderi Rakipllari studiuese, pedagoge e letërsisë UT.
Çmimet e Panairit të Librit
Këtë vit në Panairin e Librit në edicionin e 28-të, çmimi “Autori i librit më të mirë studimor”, iu dha Ali Xhikut, për veprën “Faqeve të historiografisë shqiptare”, botuar nga “Onufri”. Çmimi u dha për kontributin e vyer për ndriçimin teorik dhe metodologjik të çështjeve kyçe të historisë së letërsisë shqipe, në një vepër ku ndërthuren njohja e thellë e sistemit letrar shqiptar, analiza e teksteve themelore të historisë së letërsisë sonë dhe angazhimi i përkushtuar jetësor në studimet letrare. Çmimi “Autori më i mirë i vitit” i shkoi shkrimtarit dhe akademikut Artan Fuga për romanin “Ndëshkimi i dytë i Evës” botuar nga “Papirus”. Juria e panairit gjykoi se ky libër është një strukturë romaneske mbresëlënëse, ku ndërthuren miti i zanafillës, dramat e jetës familjare e urbane dhe zhvillimet teknologjike të bashkëkohësisë. Ndërthurja e dimensionit filozofik dhe psiko-social me një letraritetit të spikatur dëshmojnë një të kuptuar të thellë të njeriut, të shoqërisë dhe të kohës, kur jetojmë.
Përkthyesi më i mirë i vitit u shpall Virgjil Muçi, për përkthimin mjeshtëror të veprës “Xhejmsi” të Percival Everett, fitues i Çmimit “Pulitzer 2025”, botuar nga “Dituria”. Motivacioni për këtë çmim ishte: “Libri eflekton njohuritë e thella të natyrës së shqipes, por edhe talentin prej shkrimtari të Virgjil Muçit. Gjuhësimi me zhdërvjelltësi të admirueshme i dy regjistrave të idiomës së romanit, e bën këtë vepër madhore të bashkëkohësisë t’i flasë lexuesit shqiptar, duke ruajtur ngjyresat dhe kompleksitetin e tekstit origjinal”. Këtë vit, në ndryshim nga një vit më parë, u nda edhe çmimi “Autori i librit më të mirë për fëmijë”.
Çmimi iu dha shkrimtares Valbona Banka për romanin për fëmijë “Aria, në dorën time”, botuar nga “Dita Books”, për rrëfimin e këndshëm dhe me humor, që ndërkall në tekstin letrar edhe shenja identitare të vendit dhe të gjuhës sonë, që nxisin formimin e identitetit kombëtar te lexuesit e vegjël, dhe edukimin emocional përmes letërsisë. Çmimi për përkthimin më të mirë letrar nga frëngjishtja në shqip iu dha Urim Nergutit për përkthimin e romanit “Hyrija” të Kamel Daoud, fitues i çmimit Goncourt 2024, botuar nga “Buzuku”. Motivacioni i këtij çmimi ishte: “Përmes nuancimeve të larmishme të fjalës e sintaksës së zhdërvjellët përkthyesi sjell besnikësërisht në shqip një histori drithëruese duke ruajtur stilin e autorit me heshtjet, belbëzimet dhe shumësinë e zërave të këtij romani tronditës”. Në panairi u ndanë edhe dy diploma mirënjohjeje, e para nga Ambasada e Bullgarisë për përkthyesen Janka Trifonova Selimi, e cila u mor nga e bija Melina Selimi. Ndërsa diploma e dytë e mirënjohjes u dha nga ambasada e Polonisë për profesorin Arqile Teta.
Panairi i Librit
Si çdo vit Panairi i Librit në Tiranë organizohet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, që është e themeluar në vitin 1992 me seli në Tiranë dhe zhvillon aktivitetin e saj në të gjitha qytetet e vendit, por edhe jashtë saj. Panairi i Librit është një ngjarje e rëndësishme kulturore me në qendër librin dhe u zhvillua këtë vit dhe me një sërë aktivitetesh, por botuesit sollën në vëmendje dhe problemet me të cilat përballen në punën e tyre. Përgjatë ditëve të panairit u zhvillua edhe aktiviteti “Sofaja e librit”, një format letrar që bën pjesë tashmë në Panairin e Librit që prej vitit 2021. Panairi i Librit në Tiranë organizohet çdo vit në muajin nëntor, dhe mbledh botues, autorë, përkthyes, lexues dhe dashamirës të librit, ku edicioni i 28-të këtë vit u zhvillua nga data 12 deri më 16 nëntor në Pallatin e Kongreseve.