Tag: panair

  • Më shumë përkthime se libra shqip në Panair/ Shkaqet që e kanë larguar lexuesin nga libri, Artan Fuga: Kanë qenë defektoze politikat kulturore, duhen librari e biblioteka funksionale

    Më shumë përkthime se libra shqip në Panair/ Shkaqet që e kanë larguar lexuesin nga libri, Artan Fuga: Kanë qenë defektoze politikat kulturore, duhen librari e biblioteka funksionale

    Për pesë ditë me radhë, Panairi i 28-të i Librit mirëpriti mijëra lexues, që patën mundësi të njihen me titujt e rinj dhe të bisedojnë me autorët dhe përkthyesit.

    Me fluksin që u shtua gjatë fundjavës, ky edicion solli një rritje të lehtë të vizitorëve krahasuar me një vit më parë, sipas botuesve.
    “Krahasuar me një vit më parë, do të thosha që këtë vit, interesi ka qenë pak më i lartë”, shprehet Kadia Dedja.
    Pjesë e panairit u bënë të gjitha grupmoshat, por më shumë të rriturit.
    “Më besnikët janë mosha e mesme, por edhe pensionistët që gjithmonë kanë lexuar. Por, këtu kemi edhe përplasje mes dëshirës dhe mundësisë ekonomike. Jo të gjithë kanë mundësi të blejnë libra”, thotë Petrit Ymeri.
    Ndërsa te adoleshentët vihet re mungesë interesi për leximin dhe vetë botuesit pohojnë se ka pak tituj dedikuar grupmoshës 13-19 vjeç.
    “Tregu nuk ka shumë libra për adoleshentët. Ata kalojnë nga letërsia për fëmijë te letërsia për të rritur”, tha për TCH Rita Petro, shkrimtare.
    “Është një hallkë e shkëputur midis fëmijëve dhe të rriturve, që janë adoleshentët. Grupmosha 15-20 vjeç lexojnë jashtë mase pak, aq sa edhe ne botuesit e kemi hedhur fokusin për botimin e librave për këtë grupmoshë”, u shpreh Elda Vela, botuese.
    Ndërsa Vasilika Tafa, botuese, tha se “Duhet të ndikojmë te adoleshentët që të lexojnë letërsinë klasike. Nuk mund të jesh lexues i mirë nëse nuk kalon nga letërsia klasike”.
    Edhe këtë herë, veprat e përkthyera u shitën më shumë në panair se librat e autorëve shqiptarë.
    “Te letërsia për të rritur vazhdojnë të kërkohen më shumë klasikët, librat e përkthyer dhe librat trend të momentit. Më shqetësojnë librat trend sepse në shumicën e rasteve janë libra flluskë sapuni”, tha Elda Vela.
    Sa i takon librit shqip, kryesuan autorët e njohur që i kanë kthyer tashmë në modë botimet gjatë panairit, por nga ana tjetër u prezantuan edhe disa autorë të rinj. Por, a është shkrimtar çdokush që shkruan?
    “Letërsia shqipe duhet të lexohet dhe që të lexohet, duhet që shtëpitë botuese të kenë filtra. Nëse një vepër nuk ia vlen, mos e boto. Mos krijo shkrimtarë fiktivë sepse do arrijë një moment që do të ketë më shumë shkrimtarë se lexues”, tha për Top Channel, Vasilika Tafa.
    Mbyllja e Panairit rikthen vëmendjen te problematikat e librit, që duhet të gjejë rrugë për te lexuesi gjatë gjithë vitit.
    Bujar Kapexhiu tha se “Në panair ka qindra e qindra njerëz që blejnë libra dhe në librari ka pak. Akoma më pak e frekuentuar është biblioteka”.
    “Panairi është gjithmonë një lloj feste dhe të gjithë vijnë se e kanë kënaqësi të marrin libra të rinj. Problemi është më pas kur lexuesi të shkojë në librari. Duhet mbështetje për libraritë të kenë hapësirat e nevojshme. Ne e kemi vënë re që janë disa libra, p.sh. akademik, që librarët nuk i marrin se nuk kanë vend”, u shpreh Rita Petro, shkrimtare.
    Autorët dhe botuesit kërkojnë më shumë politika për ta çuar librin pranë lexuesit.
    Vasilika Tafa, botuese u shpreh “Të shtohen qendrat kulturore, të ketë biblioteka funskionale në ato rrethe ku nuk ka librari. Vijnë nga rrethet në panair dhe thonë ‘erdhëm të marrim libra se te ne ka vetëm një kancelari”.
    Për Arlinda Dudaj “Bibliotekat e shkollave shpesh mbushen me libra që as nuk u hyjnë në punë, duhet të gjendet një mundësi për të afruar lexuesin e ri”.
    Studiuesi Artan Fuga tregon se leximi ka rënë nga viti në vit, por arsyet përse nuk i gjen vetëm te lexuesi, por te një sërë faktorësh.
    “Mendoj se midis librit dhe audiencave mungon akti i ndërmjetëm, që përbëhet nga revistat kulturore dhe letrare që na mungojnë sallonet letrare, mungon subvencionimi i librit dhe kërkimit shkencor sipas meritës.
    Kanë qenë defektoze politikat kulturore dhe prandaj ka rënë leximi. Dhe fajin Adami e gjen te Eva, Eva e gjen te gjarpri, gjarpri i ndalohet të flasë dhe faji ngelet pa gjë. Jo, nuk e ka fajin teknika.  Mendoj se ka edhe një rikthim, ajo që ndodh në vendet e zhvilluara, ku në një moment të caktuar ka një rikthim te mediat klasike, tradicionale”, u shpreh akademiku Artan Fuga.
    “Çdo gjë e ka sfiduar librin, e kanë sfiduar rrjetet socialet, Inteligjenca Artificiale, mediat, por vendin e vet e ka të padiskutueshëm”, përfundoi Arlinda Dudaj.

    Top Channel

  • Panairi i Parë i Librit Shqip në Preshevë, një ngjarje historike

    Panairi i Parë i Librit Shqip në Preshevë, një ngjarje historike

    Panairi i parë i Librit Shqip në Preshevë, një ngjarje historike që vendos librin dhe gjuhën shqipe në qendër të vëmendjes kulturore . Në shtëpinë e kulturës “Abdulla Krashnica” u hap ky panair për herë të parë. Përgjatë dy ditëve (21-22 qershor) kjo festë e librit bashkoi shkrimtarë, lexues dhe botues nga të gjitha trojet shqiptare. Kryetarja e Komunës së Preshevës Ardita Sinani tha se në vitin 2021, këtë panair e synuan si projekt kulturor të përbashkët me qeverinë e Shqipërisë. “Tani po e realizojmë”, tha Sinani. Edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ishte në Preshevë, ku zhvilloi një takim me kryetaren e komunës Ardita Sinani, dhe Ambasadorin e Shqipërisë në Serbi, Bardhyl Canaj, në kuadër të Panairit të Parë të Librit Shqip. Në rrjete sociale ministri Gonxhja u shpreh për një organizim të veçantë për të sjellë gjuhën shqipe kudo ku ka shqiptarë. “Si një pasuri të madhe të përbashkët, për të cilën kemi detyrë ta ruajmë, ta kultivojmë dhe ta përcjellim ndër breza”, shprehet Gonxhja.
    Në hapjen e Panairit të parë të Librit në Preshevë përshëndeti edhe drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli. “Të mbledhur sot rreth librit, ne nderojmë historinë shqiptare dhe i japim asaj një dimension të ri dimensionin e bashkëpunimit kulturor mbarëkombëtar. Prania e shkrimtarëve dhe botuesve nga të gjitha trevat shqiptare dëshmon se fjala shqipe, e shkruar dhe e lexuar, vazhdon të na bashkojë, pavarësisht kufijve. Në emër të Qendrës së Librit, Ministrisë së Ekonomisë Kulturës Inovacionit shpreh mbështetjen tonë të plotë për këtë nismë. Ne besojmë se libri është themeli i një shoqërie të ndriçuar, dhe se investimi në kulturë është investim në të ardhmen.
    Ky panair nuk është thjesht një ekspozitë botimesh është një festë e mendimit dhe krijimtarisë shqiptare. Është një ftesë për të rinjtë që të afrohen me librin, për të ndërtuar ura ndërbrezore, dhe për të ruajtur identitetin tonë kulturor përmes dijes. Uroj që ky panair të bëhet një traditë vjetore që rritet me çdo edicion, dhe që e vendos Preshevën në hartën e ngjarjeve të rëndësishme kulturore shqiptare”, u shpreh Bardhyli, drejtoreshë e QKLL. Sipas njoftimit të QKLL, ky panair organizohet nga biblioteka e qytetit “Mehmet Jusufi” dhe shtëpia botuese “Albas” në Preshevë me ndihmën dhe financimin e Ambasadës së Shqipërisë në Beograd dhe me mbështetjen e komunës së Preshevës.
     

  • Organizohet për herë të parë në Preshëvë Panairi i Librit Shqip

    Organizohet për herë të parë në Preshëvë Panairi i Librit Shqip

    Në Shtëpinë e Kulturës “Abdulla Krashnica” u hap me krenari Panairi i Parë i Librit Shqip në Preshevë, një ngjarje historike që vendos librin dhe gjuhën shqipe në qendër të vëmendjes kulturore.

    Ky panair, për herë të parë i organizuar nga Komuna e Preshevës, është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë dhe të qëndrueshëm me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Beograd, të cilën e falënderojmë për mbështetjen financiare dhe morale, veçanërisht Ambasadorin z. Bardhyl Canaj, për përkushtimin ndaj shqiptarëve të Luginës.
    Në vitin 2021, këtë panair e synuam si projekt kulturor të përbashkët me Qeverinë e Shqipërisë–tani po e realizojmë”, tha Kryetarja e Komunës së Preshevës Ardita Sinani.
    Përgjatë dy ditëve (21-22 qershor) kjo festë e librit do të bashkojë shkrimtarë, lexues dhe botues nga të gjitha trojet shqiptare.
    Ky panair është një mundësi për të nderuar autorët tanë të mëdhenj — ata që me fjalën e tyre e mbajtën gjallë gjuhën shqipe edhe në kohë të errëta, që e ndërtuan identitetin tonë kulturor me mendim të thellë, me ndjenjë dhe me kurajë. Vepra e tyre është themeli mbi të cilin ndërtojmë sot.
    Por ky panair është edhe një ftesë për autorët e rinj, për ata që vijnë me një zë të freskët, me tema të reja, me një gjuhë që flet për realitetin e sotëm dhe për ëndrrat e brezit të ri.
    Hapjen e Panairit të parë të Librit në Preshevë e përshëndeti edhe drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli.
    “Të mbledhur sot rreth librit, ne nderojmë historinë shqiptare dhe i japim asaj një dimension të ri – dimensionin e bashkëpunimit kulturor mbarëkombëtar. Prania e shkrimtarëve dhe botuesve nga të gjitha trevat shqiptare dëshmon se fjala shqipe, e shkruar dhe e lexuar, vazhdon të na bashkojë, pavarësisht kufijve. Në emër të Qendrës së Librit, Ministrisë së Ekonomisë Kulturës Inovacionit shpreh mbështetjen tonë të plotë për këtë nismë. Ne besojmë se libri është themeli i një shoqërie të ndriçuar, dhe se investimi në kulturë është investim në të ardhmen. Ky panair nuk është thjesht një ekspozitë botimesh – është një festë e mendimit dhe krijimtarisë shqiptare. Është një ftesë për të rinjtë që të afrohen me librin, për të ndërtuar ura ndërbrezore, dhe për të ruajtur identitetin tonë kulturor përmes dijes. Uroj që ky panair të bëhet një traditë vjetore që rritet me çdo edicion, dhe që e vendos Preshevën në hartën e ngjarjeve të rëndësishme kulturore shqiptare”, u shpreh Alda Bardhyli, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.
    Një nismë e tillë, është një mundësi për të forcuar lidhjet tona shpirtërore, gjuhësore dhe kulturore, duke bërë që libri shqip të mos njohë kufij.
    Ky panair organizohet nga Biblioteka e qytetit “Mehmet Jusufi” dhe shtëpia botuese “Albas” në Preshevë me ndihmën dhe financimin e Ambasadës së Shqipërisë në Beograd dhe me mbështetjen e komunës së Preshevës. Panairi do të vizitohet edhe nga Ministri i Ekonomisë Kulturës Inovacionit Blendi Gonxhe, i cili do të përshëndesë këtë festë të fjalës shqipe.
    “Le të jetë kjo ngjarje fillimi i një tradite të përvitshme, një festë e mendjes shqiptare në Preshevë.
    Presheva flet më fort–përmes librit, përmes dijes dhe përmes dashurisë për gjuhën shqipe”, u shpreh kryetarja Sinani.

    Top Channel

  • Xhahid Bushati: Panairet e librit janë si oksigjeni për shkrimtarin dhe ballafaqohet me lexuesit e tij

    Xhahid Bushati: Panairet e librit janë si oksigjeni për shkrimtarin dhe ballafaqohet me lexuesit e tij

    Panairet e librit janë me rëndësi për autorë të ndryshëm, e këto ditë një tjetër panair u hap në Shkodër. Panairi “Libri të ban të lirë” në Shkodër, sipas shkrimtarit dhe studiuesit Xhahid Bushati është një ngjarje kulturore e model organizimi dhe vlerash. Në intervistën për gazetën “SOT” shkrimtari dhe studiuesi Xhahid Bushati tregon se çfarë përcolli këto ditë ky panair në Shkodër, që sipas tij është i pari që zhvillohet pas një pauze vitesh që për të kjo mungesë nuk ishte dhe e pakuptimtë.
    Shkrimtari i njohur Xhahid Bushati thotë se tek ky panair në Shkodër u bënë shumë promovime, u shkëmbyen shumë përvoja dhe krijuesit mes njëri – tjetrit u bënë edhe më të njohur.  Krahas sallave komode, në amfiteatrin e Katedrales shumë krijues lexuan krijimet e tyre, por shkrimtari Xhahid Bushati ndërsa flet për këtë panair ndalet dhe tek problemet që janë për autorët dhe krijimtarinë, ku sipas tij duhet bërë më shumë nga institucionet. Më datë 5-7 qershor në qytetin e Shkodrës u hap panairi i parë i librit, i titulluar “Libri të ban të lirë”. U organizua dhe u zhvillua në ambientet e jashtme të Katedrales së Shën Shtjfenit në Shkodër. Të pranishëm në këtë panair, 20 shtëpi botuese, nga Shqipëria dhe Kosova. Ndërmjet tyre, edhe Botimet Françeskane.
    -Panairi “Libri të ban të lirë” në Shkodër, një ngjarje e veçantë kulturore që mblodhi shkrimtarë, botues, artistë dhe dashamirës të librit nga Shqipëria e Kosova. Për ju si autor dhe studiues, çfarë spikati në këtë edicion të parë të këtij panairi?
    Panairi “Libri të ban të lirë” është i pari që zhvillohet në Shkodër, pas një pauze vitesh, që për qytetin tim nuk ishte shumë e këndshme kjo mungesë, do të thoja absurde, deri diku e pakuptimtë, kur Shkodra është vendi me një traditë të pasur artistike dhe librore (?!). Për këtë ëndërr që me së fundi u bë realitet, falënderimet mirënjohëse i takojnë Dom Vlash Palaj, shkrimtarit dhe studiuesit Stefan Çapaliku, e bibliografit Gjovalin Çuni. U zhvillua në mjediset e Katedrales së Shkodrës dhe me iniciativë të saj, me datat 5, 6. 7 qershor 2025.
    Ishin afro 16 shtëpi botuese, siç e thoni dhe ju; ato ishin nga Shkodra, Tirana dhe Kosova. Një organizim i përsosur, u bënë shumë promovime, u shkëmbyen shumë përvoja dhe krijuesit mes njëri – tjetrit u bënë edhe më të njohur. Krahas sallave komode, në amfiteatrin e Katedrales shumë krijues lexuan krijimet e tyre. Sipas meje, Shkodra jetoi gjatë ditëve të panairit: më me shumë dritë diturie, me më shumë dituri librash dhe drita e diturisë e shoqëroi fuqishëm Shkodrën. Panairi  përçoi mrekulli diturie përmes simbolikës kuptimplote: “Libri të ban të lirë”; dhe kjo u realizua në mënyrë të shkëlqyeshme!
    -Në fjalën tuaj përshëndetëse në këtë panair ndër të tjera ju shprehët se panairi “Libri të ban të lirë” është i pari që zhvillohet në Shkodër, pas një pauze vitesh, që për qytetin tuaj nuk ishte shumë e këndshme kjo mungesë, kur Shkodra është vendi me një traditë të pasur artistike dhe librore. Çfarë ka ndodhur ndër vite?
    Është e vërtetë, përshëndeta dhe unë. Ishte emocion i veçantë, dhe për këtë falënderoj grupin organizator, që besoi te fjala ime. E përmendni dhe ju, janë fjalë të vërteta, ato. Askush nuk është interesuar për të bërë një panair. Nuk e ka vënë kush ujin në zjarr. Do të thoja indiferentizëm i theksuar. Dhe ja pas shumë vitesh kushdo që ka kaluar nëpër stendat e shtëpive botuese, ka parë njerëz që blinin libra, fëmijë po ashtu, biseda të ndryshme, pyetje dhe përgjigje, promovime, shpalosje autoriale krijuesish etj; por ka kuptuar njëkohësisht se, ky panair është i domosdoshëm dhe Shkodra në çdo kohë, edhe pse vonë, di të presë, të respektojë dhe të shfaq dashuri pafund për librin, aq më shumë që e ka pasur traditë.
    -Panairi i Shkodrës pati libra të ndryshëm, mes tyre dhe botimet tuaja. Sa të rëndësishëm janë panairet për një autor ?
    Panairet janë si oksigjeni për shkrimtarin. Bëhet më i njohur, ka më shumë lexues dhe ballafaqohet po me lexuesit e tij. Kjo u pa edhe në ditën e dytë, në orën letrare që organizova për librat e mi të fundit. Ishte një magji ai takim dhe unë ndjeva më shumë përgjegjësi ndaj vetes dhe lexuesit për të rritur cilësinë artistike të librave që do të botoj.
    – Në vendin tonë zhvillohen disa panaire, shpesh ka edhe vlerësime për librat e autorët. Sa të vërteta reale janë dhe vetë ju jeni vlerësuar?
    Edhe pse ishte panairi i parë, vlerësimet ishin të sakta dhe të drejta. Të meritueshme! Të meritueshme për studiuesin Maestro Robert Prendushin, për përkthyesin e talentuar Xhelal Fejza dhe shkrimtarin, po të talentuar nga Kosova, Ndue Ukaj. Në këto takime dhe ballafaqime, bisedat e tyre sollën vlera të reja, kulturë dhe plot “shenja” në rrugëtimin e letërsisë bashkëkohore shqipe, si edhe në evidentimin e kujtesës (në rastin tonë atë) muzikore të qytetit të Shkodrës si pasuri e çmueshme.
    – Në kohën e sotme teknologjia po e dëmton leximin. Po ju si autor në zhanret që sillnin e ndjeni këtë “kërcënim”?
    Jo. Teknologjia nuk ka shpirt. Letërsia dhe arti, kanë shpirt. Shpirt ka shkrimtari, shpirt ka dhe lexuesi. Shpirtin nuk mund ta zëvendësojë inteligjencia artificiale e plot aplikacione të tjera. Për mua janë të dështuara dhe do të dështojnë gjithnjë. Ndryshe është në fushën e shkencës. Ato mund t’i vijnë në ndihmë… Atje e kanë vendin te shkencat…
    -Ministria për Kulturën dhe institucionet, a ju japin mundësi botimi autorëve dhe si ka qenë kjo ndihmë?
    Ajo duhet të japë ndihmë, duhet të jetë më e vëmendshme, në këtë rast të panairit, jo. Meritë dhe vetëm meritë ka famullitari i kësaj Katedrale Dom Vlash Palaj. Për të është nderimi më i madh, mirënjohja më e madhe dhe respekti më i madh!
     Intervistoi: Julia Vrapi
     
    Aktiviteti ndër vite
    Xhahid Bushati në vitin 1976 ka mbaruar studimet e larta në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, në fakultetin Gjuhë shqipe-letërsi. Në vitin 1986 shkon në Tiranë dhe mbaron specializimin pasuniversitar për kritikë letrare, ku mbron temën: “Letërsia fantastiko-shkencore dhe fëmijët”. Për shumë vite ka punuar mësues. Më vonë punoi 15 vjet si gazetar i Departamentit të emisioneve artistike në Radio Shkodra, Shkodër.  Që nga viti 1986 e deri në vitin 2010 ka qenë pedagog i jashtëm i Lëndës letërsi për fëmijë (për C.U. dhe C. Parashkollor) pranë Departamentit të Letërsisë në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
    Xhahid Bushati është i pranishëm me botimet e tij nëpër të gjitha revistat e fëmijëve, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni e Ulqin. Para dhe pas vitit 1990 është nderuar me çmime kombëtare në konkurset letrare-artistike që janë organizuar nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, nga Shoqata e pavarur e Shkrimtarëve të letërsisë për fëmijë e të rinj, si dhe nga organet e ndryshme letrare-artistike. Shkruan prozë dhe poezi, pjesë për kukulla, merret me publicistikë e studime të letërsisë për të rritur e fëmijë, etj.