Tag: palestinezët

  • Bajram mes luftës dhe urisë/ Gaza, nuk ka festë për palestinezët

    Bajram mes luftës dhe urisë/ Gaza, nuk ka festë për palestinezët

    Mes luftës dhe urisë, palestinezët në Rripin e Gazës po presin festën e Kurban Bajramit. Kurban Bajrami shënon provën e besimit të Profetit Ibrahim dhe gatishmërinë e tij për të sakrifikuar të birin si një akt nënshtrimi ndaj Zotit.
    Gjatë festës, myslimanët therin dele ose bagëti dhe shpërndajnë mish te njerëzit e varfër. Familjet u blejnë fëmijëve të tyre rroba të reja dhe ëmbëlsira dhe mblidhen së bashku për të shënuar rastin.
    Por lufta në enklavën e vogël palestineze dhe kriza humanitare që pasoi sulmin e Hamasit ndaj Izraelit jugor në tetor 2023 ka ndryshuar gjithçka në lidhje me momentet e lumtura që vijnë me festat fetare dhe kulturore.
    Shumica e 2.3 milionë njerëzve të Gazës janë të zhvendosur dhe po përpiqen të mbijetojnë për shkak të mungesës së ndihmës së imponuar nga bllokada e Izraelit ndaj Rripit. Çmimet e ushqimeve janë rritur ndjeshëm.
    Në vendbanimet e mëdha me tenda për të zhvendosurit që shtrihen përgjatë zonës bregdetare, nënat kërkojnë nëpër sende personale për të gjetur aksesorë dhe rroba që fëmijët e tyre mund të veshin.
    Në vend të muzikës dhe fishekzjarrëve, dëgjohet zhurma e dronëve ushtarakë izraelitë që jehon në kampin e mbushur plot.

  • Izraeli pezullon ndihmat në Gaza, ushtria vijon sulmet duke vrarë të paktën 16 palestinezë

    Izraeli pezullon ndihmat në Gaza, ushtria vijon sulmet duke vrarë të paktën 16 palestinezë

    Fondacioni Humanitar i Gazës i menaxhuar nga Izraeli dhe SHBA, ka pezulluar sot shpërndarjen e ndihmave për palestinezët.

    Organizata e cila është kritikuar gjerësisht për shkelje të parimeve themelore humanitare ka njoftuar se qendrat do të hapen sërish të enjten pas shqyrtimit të masave të sigurisë.
    Ndërkohë ushtria ka paralajmëruar palestinezët e uritur në Gaza të mos i afrohen rrugëve që të çojnë në vendet e shpërndarjes së ushqimeve.

    Mbyllja vjen pas vrasjeve masive pranë këtyre qendrave teksa palestinezët ishin mbledhur për të marrë ushqime dhe sende të tjera bazike.
    Të paktën 58 palestinezë raportohet se u vranë në këto pika që nga nisja e operimit të katër prej tyre në të gjithë rripin e Gazës një javë më parë.
    Ndërkohë sulmet në vendodhje të tjera te Gazës nuk janë ndalur. Të paktën 16 persona janë vrarë vetëm këtë të mërkurë, 12 prej të cilëve në një strehimore për familjet  e zhvendosur nga banesat e tyre.
    Teksa situata sa vjen e rëndohet në Gaza, Këshilli i Sigurimit i OKB do të votojë sot, më vonë gjatë ditës një rezolutë që bën thirrje për armëpushim dhe akses të pakufizuar në ndihma.
    Ky do të jetë votimi i parë për këtë cështje që nga nëntori megjithëse nuk pritet të ketë ndonjë ndikim konkret në luftë./vizionplus.tv

  • Palestinezët e uritur përpiqen të marrin pako me ushqim, Izraeli hap zjarr, OKB: 47 të plagosur

    Palestinezët e uritur përpiqen të marrin pako me ushqim, Izraeli hap zjarr, OKB: 47 të plagosur

    Një zyrtar i OKB-së thotë se 47 palestinezë u plagosën, nga të shtënat me armë zjarri, kur turma pushtoi qendrën e ndihmës në Gaza.
    Ajith Sunghay, kreu i Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut për territoret palestineze, u tha gazetarëve në Gjenevë se zjarri i ushtrisë izraelite kishte shkaktuar shumicën e lëndimeve.
    Të martën, turma palestinezësh mbushën një qendër  të ngritur nga një fondacion izraelit dhe i mbështetur nga SHBA-të ku shpërndaheshin ndihma.

    Turma çau gardhet dhe një gazetar i Associated Press tha se u dëgjuan të shtëna me armë, si dhe pa një helikopter ushtarak që qëllonte. Në zonë gjithashtu ndodheshin edhe tanke izraelite.
    Qendra e shpërndarjes jashtë qytetit më jugor të Gazës, Rafah, u hap një ditë më parë nga Fondacioni Humanitar i Gazës, i cili është planifikuar nga Izraeli të marrë përsipër operacionet e ndihmës.
    OKB-ja dhe organizata të tjera humanitare e kanë refuzuar sistemin e ri, duke thënë se nuk do të jetë në gjendje të përmbushë nevojat e 2.3 milionë banorëve të Gazës dhe i lejon Izraelit të përdorë ushqimin si armë për të kontrolluar popullsinë.
    Ata gjithashtu kanë paralajmëruar për rrezikun e fërkimeve midis trupave izraelite dhe njerëzve që kërkojnë furnizime.
    Palestinezët janë bërë të dëshpëruar për ushqim pasi gati tre muaj bllokadë izraelite e çoi Gazën në prag të urisë./vizionplus.tv

  • Imazhet satelitore/ Shtëpi dhe fabrika të rrafshuara, ja si është shkatërruar Gaza për të krijuar ‘zonën tampon’

    Imazhet satelitore/ Shtëpi dhe fabrika të rrafshuara, ja si është shkatërruar Gaza për të krijuar ‘zonën tampon’

    Ushtria izraelite ka transformuar çdo pjesë të territorit të Gazës brenda rreth gjysmë milje nga kufiri izraelit, në një shkretëtirë.

    Buldozerët e blinduar kanë rrafshuar sistematikisht shtëpitë njëra pas tjetrës. Inxhinierët luftarakë kanë vendosur eksplozivë dhe kanë shkatërruar fabrikat.
    Trupat kanë shkatërruar dhe u kanë mohuar palestinezëve çdo akses në tokën bujqësore pjellore që dikur mbante jetë dhe mjete jetese, sipas CNN.
    Në vend të saj, ushtria izraelite ka krijuar një ‘zonë tampon’ (një zonë që ndan fizikisht dy ose më shumë fuqi kundërshtare, duke shërbyer si një instrument paqeje dhe stabiliteti), afërsisht 1 kilometër të gjerë nga e cila ka dëbuar palestinezët dhe ka vrarë ose qëlluar mbi ata që shkelin brenda perimetrit të saj.
    Tani, në intervistat me CNN dhe dëshmitë për një grup vëzhgues izraelit, ushtarët izraelitë që u dislokuan në Gaza po zbulojnë se si ushtria kreu shkatërrimin e infrastrukturës civile për të krijuar ‘zonën tampon’ dhe rregullat e lira të angazhimit që supozohet se kanë rezultuar që trupat izraelite të qëllojnë dhe vrasin palestinezë të paarmatosur.
    Këto dëshmi zbulojnë praktika ushtarake izraelite që shkelin ligjin ndërkombëtar humanitar dhe, në disa raste, janë krime lufte, sipas ekspertëve të së drejtës ndërkombëtare.
    Qëllimi i shkatërrimit është se Izraeli po zgjeronte zonën mbrojtëse që ndante palestinezët nga komunitetet izraelite përgjatë kufirit të Gazës.
    Përtej shkeljeve të mundshme të ligjit humanitar, shkatërrimi i qëllimshëm dhe i përhapur i pronës civile pa një nevojë të qartë ushtarake është një krim lufte.
    Për palestinezët, vënia e këmbës brenda ‘zonës tampon’ mund të jetë një dënim me vdekje.
    Shumë ushtarë përshkruan rregullat e angazhimit që i autorizonin ata të qëllonin mbi palestinezët në zonë, pavarësisht nëse ata ishin të armatosur ose të identifikuar si luftëtarë.
    “I rritur, mashkull – vrit. Gjuaj për të vrarë. Për gratë dhe fëmijët, qëlloni për të përzënë”,  tha një rreshter i klasit të parë në Trupat e Blinduara të Izraelit në një intervistë.
    “Rezervistët gjithashtu ngritën gjithmonë pyetje nëse kjo iu komunikua atyre (palestinezëve): ‘A e dinë se ekziston një gjë e tillë?’”
    Ai tha se komandantët nuk dhanë kurrë një përgjigje të qartë, por realiteti ishte i qartë. “Nuk është ashtu siç u është thënë: Kreshta përpara kufirit është (vija)”, tha ai.
    Ndërsa ‘zona tampon’ mund të shihet qartë në imazhet satelitore, perimetri i saj mund të jetë i vështirë për t’u dalluar në tokë dhe shumë palestinezë janë qëlluar për hyrjen në zonë, sipas dëshmisë së ushtarëve izraelitë.
    Edhe gjatë armëpushimit, CNN gjurmoi raste të shumta të palestinezëve që u qëlluan dhe u vranë për kalimin e vijave të padukshme pranë ‘zonës tampon’ ku ishin vendosur trupat izraelite.

    Top Channel