Më 4 shtator 2025, Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara vendosi të përfshijë në listën e entiteteve të sanksionuara tre organizata palestineze për të drejtat e njeriut: Al-Haq, Palestinian Centre for Human Rights dhe Al Mezan Center for Human Rights.
Sipas SHBA-ve, këto organizata kanë bashkëpunuar me Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN) në hetimet që synojnë qytetarë izraelitë veprim që administrata amerikane e konsideron si “politizim të padrejtë të drejtësisë ndërkombëtare”.
Sanksionet bazohen në një urdhër ekzekutiv të nënshkruar gjatë presidencës Trump, i cili lejon penalizimin e organizatave që bashkëpunojnë me hetime ndaj aleatëve të SHBA-së.
Në praktikë, këto masa përfshijnë ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e çdo transaksioni financiar përmes sistemit bankar amerikan. Vendimi ka shkaktuar kritika të shumta nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë Amnesty International dhe Human Rights Watch, të cilat e kanë cilësuar këtë si një goditje ndaj shoqërisë civile palestineze dhe përpjekjeve për drejtësi ndërkombëtare.
Kush është Al-Haq?
Al-Haq, e themeluar në vitin 1979 nga juristë palestinezë, është një ndër organizatat më të hershme dhe më të respektuara në territoret palestineze. Ajo dokumenton shkeljet e të drejtave të njeriut dhe të së drejtës ndërkombëtare humanitare nga të gjitha palët përfshirë Izraelin, Autoritetin Palestinez dhe Hamasin.
Raportet e saj janë përdorur nga OKB, misione ndërkombëtare dhe gjykata. Prej vitit 2006 drejtohet nga Shawan Jabarin, një aktivist dhe jurist me ndikim, që është një nga figurat më të njohura në mbrojtjen e të drejtave të palestinezëve.
Organizata është vlerësuar ndërkombëtarisht për punën e saj, por ka qenë edhe objekt i fushatave për delegjitimim. Në vitin 2021, Izraeli e shpalli Al-Haq-un organizatë terroriste, por kjo akuzë është refuzuar nga OKB-ja, BE-ja dhe shumë shtete perëndimore.
Shawan Jabarin: Paqja s’vjen pa drejtësi
Në një intervistë pas shpalljes së sanksioneve, Jabarin i cilësoi këto masa si përpjekje për të heshtur ata që dokumentojnë krime dhe kërkojnë drejtësi. Ai theksoi se puna e Al-Haq-ut është ligjore, jo politike, dhe se dokumentimi i shkeljeve është një detyrim moral dhe ligjor ndaj viktimave.
Ai kritikoi planet e fundit amerikane për paqen në rajon, duke i quajtur të njëanshme dhe të shkëputura nga parimet e drejtësisë dhe të drejtës ndërkombëtare.
“Nuk mund të ketë paqe pa përfshirjen e palestinezëve, pa ndalimin e okupimit dhe pa ndëshkimin e krimeve të kryera nga Izraeli. Ata që janë bashkëfajtorë në vuajtjet tona nuk mund të jenë ndërmjetës të paqes.”
Kritika ndaj udhëheqjes palestineze dhe përjashtimit të Barghoutit
Jabarin kritikoi ashpër edhe udhëheqësit palestinezë, përfshirë presidentin Mahmoud Abbas, për mungesën e reformave dhe për përjashtimin e figurave të rëndësishme si Marwan Barghouti nga negociatat dhe proceset zgjedhore.
“Ata nuk duan të shohin udhëheqës të vërtetë të lirë. Nuk duan që populli të ketë të drejtën të zgjedhë përfaqësuesit e vet.”
Sipas tij, Barghouti përfaqëson shpresën për ringjalljen e shoqërisë palestineze dhe ka potencial për të bashkuar popullin.
“Plani i ri është vazhdim i politikave të dështuara”
Jabarin thekson se plani i fundit i SHBA-ve është në vazhdën e politikave të mëparshme, përfshirë “Marrëveshjen e Shekullit” të administratës Trump, e cila sipas tij, mbështeste krimet e Izraelit dhe anashkalonte të drejtën ndërkombëtare.
“Të gjithë këto plane kanë dështuar sepse kanë injoruar të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat legjitime të popullit palestinez.”
Ai përmendi gjithashtu se që nga Deklarata Balfour e vitit 1917, zgjidhjet e imponuara nga jashtë nuk kanë sjellë paqe, sepse nuk kanë trajtuar shkaqet rrënjësore të konfliktit: kolonializmin, okupimin dhe aparteidin izraelit.
Gjendja në burgjet izraelite: Më keq se kurrë
Situata në burgjet izraelite, sipas Jabarinit, është më e rënda që është parë ndonjëherë: tortura, mungesë ushqimi dhe vrasje të të burgosurve palestinezë janë bërë të zakonshme. Ai e përshkroi këtë si një shenjë të dobësisë, jo të forcës, nga ana e Izraelit.
Sfida më e madhe: Ruajtja e shpresës te të rinjtë
Në përfundim, Jabarin thekson se sfida më e madhe për shoqërinë palestineze sot është ruajtja e shpresës, veçanërisht te brezi i ri. Ai bën thirrje për përdorimin e mjeteve paqësore dhe mbështetjen te ligji ndërkombëtar si mënyra e vetme për të kërkuar të drejtat dhe për t’u përballur me padrejtësinë.
“Bota na jep mesazhin se jemi të dobët dhe se askush nuk do t’i respektojë të drejtat tona. Ne duhet ta kundërshtojmë këtë mesazh duke vazhduar të kërkojmë drejtësi dhe dinjitet.”/tvklan.al
Tag: palestinezë
-

Armëpushimi mes pikëllimit! Mijëra palestinezë kthehen në rrënojat e Gazës pas dy vitesh
palestinezët drejt Gazës
GAZA-Mijëra palestinezë filluan ecjen e gjatë nga jugu i Gazës drejt qytetit, pasi një armëpushim hyri në fuqi një ditë më parë (10 tetor). Ata e gjetën qytetin e tyre në rrënoja, por u lehtësuan që po ktheheshin në shtëpi. Nuk ka infrastrukturë, energji elektrike dhe ujë të rrjedhshëm.
CNN raporton se pothuajse e gjithë popullsia e Gazës veriore ishte zhvendosur që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023, i cili çoi në luftën e Izraelit në enklavë, dhe zona është shndërruar në rrënoja gjatë dy viteve të fundit. Një zëdhënës i Forcave Mbrojtëse Izraelite (IDF) tha se njerëzve u lejohej të lëviznin nga jugu në veri nëpërmjet rrugës bregdetare Al-Rashid dhe rrugës Salah al-Din në qendër të Rripit të Gazës.
Pamjet nga qyteti tregojnë shumë ndërtesa shumëkatëshe të rrafshuara plotësisht dhe të tjera të shqyera nga shpërthimet. E gjithë zona duket e mbuluar me pluhur gri, kryesisht pa asnjë ngjyrë tjetër të dukshme.
Sipas marrëveshjes së armëpushimit, një periudhë 72-orëshe për lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi filloi të premten. Gati 2,000 të burgosur dhe të paraburgosur palestinezë në Izrael do të lirohen gjithashtu si pjesë e marrëveshjes. Zëdhënësi i IDF tha të premten se trupat izraelite do të jenë ende të pranishme në zona të ndryshme të Gazës, duke përfshirë Beit Hanoun, Beit Lahia dhe Shuja’iyya, dhe i paralajmëroi njerëzit t’i shmangin ato.
Ndërkohë, presidenti i SHBA, Donald Trump shprehu besim në armëpushimin në Gaza midis Izraelit dhe Hamasit. Nga ana tjetër, Hamasi, Xhihadi Islamik dhe Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës kanë lëshuar një deklaratë duke thënë se nuk do të pranojnë asnjë “dominim të huaj” në Rripin e Gazës sipas planit të paqes. -

Plani i paqes në Gaza, Izraeli nis lirimin e rreth 2 mijë të burgosurve palestinezë! Mijëra banorë kthehen në veri të enklavës
Pasi dakordësisë me Hamasin dhe miratimit nga qeveria izraelite, ka nisur lirimi i të burgosurve palestinezë për t’u shkëmbyer me pengjet izraelite të mbajtura në Gaza, siç përcaktohet në planin e paqes. Qindra oficerë izraelitë po transferojnë gati 2 mijë persona në 5 burgje, nga të cilët 250 të dënuar me burgim të përjetshëm dhe 1,700 banorë të Gazës të arrestuar pas sulmeve të 7 tetorit.
Pas të burgosurve, Hamasi deri të hënën duhet të dorëzojë të gjithë pengjet izraelite (20 të gjallë dhe 28 të vdekur). Mijëra njerëz kanë nisur të kthehen në shtëpitë e tyre në veri të Gazës, teksa një ditë më parë hyri në fuqi armëpushimi menjëherë pasi marrëveshja me Hamasin mori “ok” edhe të qeverisë izraelite. Dje, IDF përfundoi edhe fazën e parë të tërheqjes nga enklava.
Ndërkohë, presidenti i SHBA, Donald Trump shprehu besim në armëpushimin në Gaza midis Izraelit dhe Hamasit.
“Do të qëndrojë. Unë besoj se do të qëndrojë. Ata janë të lodhur nga luftimet”, u tha Trump gazetarëve, duke konfirmuar qëllimin e tij për të udhëtuar në Izrael dhe Egjipt këtë fundjavë.
Nga ana tjetër, Hamasi, Xhihadi Islamik dhe Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës kanë lëshuar një deklaratë duke thënë se nuk do të pranojnë asnjë “dominim të huaj” në Rripin e Gazës sipas planit të paqes. “Qeverisja e Gazës është një çështje palestineze”, deklaruan milicitë në deklaratën e tyre.
Ndërkohë, deri në 200 trupa amerikane që ndodhen tashmë në Lindjen e Mesme do të zhvendosen në Izrael për të ndihmuar në monitorimin e armëpushimit në Gaza. Trupat do të jenë pjesë e një Task Force që do të krijohet me disa vende të tjera, me qëllim monitorimin e armëpushimit në Gaza.
-

Armëpushimi hyn në fuqi, ushtria izraelite tërhiqet nga disa pjesë të Gazës
Ushtria izraelite thotë se ka tërhequr pjesërisht trupat nga disa pjesë të Gazës, pasi një marrëveshje armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit hyri në fuqi të premten në mëngjes.
Forcat izraelite thanë se ishin tërhequr në një pozicion të rënë dakord brenda territorit – megjithëse trupat ende mbajnë gjysmën e Rripit. Pamjet tregojnë mijëra palestinezë që po shkojnë drejt veriut të Gazës, e cila është bombarduar rëndë nga forcat izraelite në muajt e fundit. Armëpushimi hyri në fuqi pasi qeveria izraelite miratoi të enjten fazën e parë të marrëveshjes së armëpushimit për kthimin e pengjeve, falë insistimit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Fazat e ardhshme janë ende duke u negociuar.
Sipas marrëveshjes, Hamasi ka afat deri në orën 12:00 sipas orës lokale, të hënën, për të liruar të gjithë pengjet izraelite – përfshirë 20 që besohet se janë gjallë, dhe deri në 28 turpa të pajetë pengjesh.
Izraeli duhet të lirojë gjithashtu rreth 250 të burgosur palestinezë që vuajnë dënime të përjetshme në burgjet izraelite. Radioja e ushtrisë izraelite tha se 100 prej tyre do të lirohen në Bregun Perëndimor dhe pesë në Jerusalemin Lindor. Pritet që të deportohen edhe të tjerë. 1,700 palestinezë të tjerë nga Gaza që janë ndaluar duhet të lirohen gjithashtu. Sipas kushteve të marrëveshjes, kamionët me ndihma duhet të lejohen gjithashtu pa kufizime në Rrip për të sjellë ndihmën e nevojshme urgjentisht për popullsinë e Gazës – shumë prej të cilëve janë zhvendosur vazhdimisht gjatë luftës dyvjeçare.
Rreth 600 kamionë me ndihma pritet të hyjnë në Gaza çdo ditë nga e premtja, megjithëse detajet e shpërndarjes mbeten të paqarta dhe ende nuk është konfirmuar nëse ndonjë ndihmë e shtuar ka arritur njerëzit që nga fillimi i armëpushimit. Një zi buke u shpall në një pjesë të territorit për herë të parë në gusht nga ekspertë të mbështetur nga OKB-ja, të cilët thanë se më shumë se 500,000 njerëz po përballeshin me kushte “katastrofike” të karakterizuara nga “uria, varfëria dhe vdekja”. Izraeli ka mohuar vazhdimisht se ka uri në territor. Në një zhvillim të veçantë, deri në 200 trupa amerikane që tashmë ndodhen në Lindjen e Mesme do të zhvendosen në Izrael për të ndihmuar në monitorimin e armëpushimit në Gaza, sipas zyrtarëve amerikanë.
Dëshmitarë okularë në Gaza thanë se trupat ishin tërhequr nga periferia veriperëndimore e qytetit të Gazës drejt lindjes. Në jug, disa trupa izraelite u raportua gjithashtu se ishin tërhequr nga zona e Khan Younis. Në një deklaratë në mediat sociale, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se trupat e tyre “filluan të pozicionoheshin përgjatë vijave të përditësuara të vendosjes” nga ora 12:00 sipas kohës lokale. “Trupat e IDF në Komandën Jugore janë vendosur në zonë dhe do të vazhdojnë të largojnë çdo kërcënim të menjëhershëm”, shtoi deklarata. I dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, tha se Komanda Qendrore e SHBA-së kishte konfirmuar se trupat e IDF kishin “përfunduar fazën e parë të tërheqjes” në atë që ai e quajti “vija e verdhë”. Vija u paraqit në një hartë të publikuar nga Shtëpia e Bardhë javën e kaluar që shënonte se ku do të tërhiqeshin trupat gjatë kësaj faze të marrëveshjes së armëpushimit, ku do të kontrollonte 53% të Gazës.
“Periudha 72-orëshe për lirimin e pengjeve ka filluar”, shtoi Witkoff. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha në një fjalim televiziv se po “përmbushte” premtimin për të sjellë të gjithë pengjet. Ai shtoi se trupat izraelite ende “rrethojnë Hamasin nga çdo drejtim”, duke shtuar se fazat e ardhshme të planit të Trump janë që “Hamasi do të çarmatoset dhe Gaza do të çmilitarizohet”.
Hamasi nuk ka bërë asnjë premtim për çarmatosje në këtë pikë. Më herët të premten, pati njëfarë konfuzioni rreth kohës së zbatimit të armëpushimit. Dëshmitarë okularë i thanë BBC-së se sulmet ajrore vazhduan në Gaza deri në orët e para të së premtes. Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi tha se 17 persona ishin vrarë në 24 orët e fundit. IDF tha se do të vazhdonte të vepronte nga linjat e saj të azhurnuara të vendosjes “për të hequr çdo kërcënim të menjëhershëm” dhe u bëri thirrje njerëzve të shmangnin hyrjen në zonat që janë ende nën kontrollin ushtarak izraelit. Në zonat e Qytetit të Gazës ku IDF ishte tërhequr, forcat e sigurisë së Hamasit u vendosën në rrugë. Ata u fotografuan duke mbajtur kapele me logon e agjencisë së Sigurisë së Brendshme të Hamasit në vend të një force të rregullt policore. Të premten, Hamasi tha se refuzonte çdo “kujdestari të huaj” të Gazës, duke shtuar se qeverisja e Gazës ishte thjesht një çështje e brendshme palestineze.
Plani i paqes prej 20 pikash i Trump thotë se Hamasi nuk do të ketë asnjë rol në të ardhmen në Gaza, e cila do të qeveriset nga një organ i përkohshëm tranzitor teknokratësh palestinezë të mbikëqyrur nga një “Bordi i Paqes” i kryesuar nga Donald Trump dhe që përfshin ish-kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Tony Blair.
Qeverisja e Rripit përfundimisht do t’i dorëzohej Autoritetit Palestinez (AP).
Hamasi gjithashtu shprehu shpresën se Gaza do të përfitonte “nga pjesëmarrja arabe dhe ndërkombëtare në fushat e rindërtimit, rimëkëmbjes dhe mbështetjes së zhvillimit”. Ndërsa trupat u tërhoqën pjesërisht, mijëra palestinezë u filmuan duke udhëtuar – shumë prej tyre në këmbë – përgjatë rrugës bregdetare të Gazës në veri. Shumë prej tyre udhëtonin në këmbë për më shumë se 20 km (12 milje) duke mbajtur në shpinë ato që kishin mbetur nga sendet e tyre. Përgjatë rrugëve të ngushta të dëmtuara, disa valëvitnin flamuj palestinezë dhe shfaqnin shenja fitoreje. Por shumë të tjerë dukeshin gjithashtu të dobët dhe të kequshqyer.
“Rruga është e gjatë dhe e vështirë, nuk ka ushqim apo ujë”, tha Alaa Saleh, një mësues shkolle që iku nga Qyteti i Gazës me gruan dhe gjashtë fëmijët e tij në Khan Younis në jug. “E lashë familjen time pas dhe fillova të ecja në veri. Mijëra njerëz përreth meje po përballojnë vështirësi.
Marrja me qira e një makine kushton rreth 4,000 shekel (924 £; 1,227 dollarë), shumë më tepër se sa mund të përballojnë shumica e njerëzve”, i tha ai BBC-së.
Wael Al-Najjar, i cili po shkonte drejt shtëpisë së tij në Jabalia në veri, tha se kishte fjetur jashtë në trotuarin e ftohtë me të birin duke pritur të mund të fillonte udhëtimin e tij për në shtëpi. Ai i tha një gazetari të pavarur të BBC-së: “Edhe nëse shtëpia është shkatërruar, edhe nëse është vetëm rrënoja, ne do të kthehemi, do të ngremë një tendë dhe do të kthehemi te njerëzit tanë”. Shumë njerëz në rrugë synonin Qytetin e Gazës, pjesa më e madhe e të cilit është shndërruar në rrënoja.
Mahmud Bassal, një zëdhënës i agjencisë së mbrojtjes civile të Gazës, e drejtuar nga Hamasi, tha më vonë të premten se “rreth 200,000 njerëz u kthyen sot në Gazën veriore”, raportoi agjencia e lajmeve AFP.
Videot që qarkullojnë në internet tregojnë sipërfaqe të mëdha shkatërrimi në lagjet kryesore të qytetit, duke përfshirë Sheikh Radwan në veri dhe Sabra dhe Zeitoun në jug dhe lindje, ku blloqe të tëra apartamentesh janë rrafshuar me tokë.
Ekipet e mbrojtjes civile të Gazës kanë qenë duke nxjerrë trupa nga rrënojat, ndërsa agjencitë e ndihmës kanë paralajmëruar se furnizimet thelbësore si ushqimi, karburanti dhe uji i pastër mbeten kritikisht të pakta.
Në Izrael, familjet e atyre që mbahen peng në Gaza u gëzuan me lajmin e armëpushimit. Uri Goren, i cili ka bërë fushatë që nga 7 tetori 2023 për kthimin e trupit të kushëririt të tij pasi Tal Haimi u vra dhe u mor nga Hamasi dy vjet më parë, tha se i lejoi vetes “një psherëtimë të madhe lehtësimi” kur dëgjoi për marrëveshjen e armëpushimit. Por lehtësimi i tij u zbut nga pranimi i Hamasit se ata nuk e dinë vendndodhjen e të gjithë trupave të pengjeve të vdekur. “Kjo nuk do të mbarojë derisa të 48 të jenë kthyer në shtëpi”, theksoi ai. Lufta e Izraelit në Gaza u shkaktua nga sulmet e udhëhequra nga Hamasi në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, në të cilat u vranë rreth 1,200 njerëz dhe 251 u morën peng.
Që atëherë, më shumë se 67,000 palestinezë janë vrarë, përfshirë më shumë se 18,000 fëmijë, thotë ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi.
Komisioni hetimor i OKB-së dhe ekspertët kryesorë e kanë akuzuar Izraelin për kryerjen e gjenocidit kundër palestinezëve në Gaza gjatë luftës. Izraeli e ka hedhur poshtë kategorikisht raportin, duke e denoncuar atë si “të shtrembëruar dhe të rremë”.
-

Kryqi i Kuq paralajmëron: Lirimi i pengjeve dhe i të burgosurve do të jetë një sfidë ekstreme
Ndërsa marrëveshja e armëpushimit në Gaza duket se është në proces e sipër, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq paralajmëron se hapi tjetër, lirimi i pengjeve izraelite dhe të burgosurve palestinezë, mund të jetë jashtëzakonisht sfidues.
Sipas mediave të huaja, Christian Cardon, zëdhënësi kryesor i KNKK-së, tha se ky proces do të jetë më sfidues se marrëveshjet e mëparshme, duke pasur parasysh shkallën dhe shpejtësinë e operacionit.
Afati prej 72 orësh për lirimin e pengjeve është një afat kohor “jashtëzakonisht” i ngushtë, tha ai.
KNKK pritet të luajë një rol në shkëmbimin e pengjeve dhe të burgosurve, siç bëri gjatë lirimeve në dy armëpushimet e mëparshme, por tha se nuk i janë dhënë detaje për operacionin.
“Kolegët tanë po përgatiten për të gjithë skenarët e mundshëm”, tha Cardon.
Izraeli ka publikuar sot listën e 1,950 të burgosurve palestinezë që do të lirohen.
Veçanërisht, nuk përfshihen të burgosurit palestinezë më të profilit të lartë, siç është Marwan Barghouti, një udhëheqës i shquar i Fatahut.
-

VIDEO/ Pas tërheqjes së forcave izraelite, mijëra palestinezë fillojnë të rikthehen në Gaza
Mijëra palestinezë kanë filluar të kthehen drejt Gazës veriore, disa orë pasi ushtria izraelite njoftoi se një marrëveshje armëpushimi kishte hyrë në fuqi.
Skenat zhvillohen në një zonë që ka pësuar dëme të mëdha nga bombardimet e muajve të fundit. Përgjatë rrugëve të ngushta bregdetare të dëmtuara, disa valëvitnin flamuj palestinezë dhe bënin shenjën e fitores, sipas BBC-së.
“Rruga është e gjatë dhe e vështirë, nuk ka ushqim apo ujë”, tha Alaa Saleh, një mësues që iku nga qyteti i Gazës me gruan dhe gjashtë fëmijët e tij për t’u strehuar në Khan Younis.
“E lashë familjen time pas dhe fillova të ecja drejt veriut. Mijëra njerëz përreth meje po luftojnë. Marrja me qira e një makine kushton rreth 4,000 shekel (1,227 dollarë), një shumë e paarritshme për shumicën”, theksoi ai.
Fillimi i ofensivës izraelite në Gaza pas sulmit të Hamasit më 7 tetor kishte bërë që rreth një milion palestinezë të largoheshin nga pjesa veriore e rajonit.Videot që qarkullojnë në mediat sociale tregojnë zona të gjera shkatërrimi në lagjet Sheikh Radwan, Sabra dhe Zeitoun, ku ndërtesa të tëra apartamentesh janë rrafshuar. Punonjësit e shpëtimit në Gaza vazhdojnë të nxjerrin trupa nga rrënojat, ndërsa agjencitë e ndihmës paralajmërojnë se mungesa e ushqimit, karburantit dhe ujit të pastër mbetet e tmerrshme.
Me armëpushimin që do të hyjë në fuqi në mesditë, një zëdhënës i IDF postoi në platformën X se “lëvizja nga pjesa jugore në pjesën veriore të Rripit të Gazës lejohet nëpërmjet rrugëve Al-Rashid dhe Salah al-Din.”
Në të njëjtën kohë, SHBA-të konfirmuan se ushtria izraelite ka përfunduar tërheqjen e saj në linjat e reja të rëna dakord për vendosjen në Gaza, sipas një deklarate të të dërguarit special të SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, për X.
“Periudha 72-orëshe për lirimin e pengjeve ka filluar”, shtoi ai.Top Channel
-

Erdogan: Turqia po bisedon me Hamasin për ta bindur për qasjen më të mirë për të ardhmen palestineze
Presidenti turk thotë se qeveria e tij po bisedon me Hamasin për t’u shpjeguar atyre qasjen më të mirë për të ardhmen e territoreve palestineze.
Duke folur me gazetarët gjatë një fluturimi për t’u kthyer nga Azerbajxhani, Recep Tayyip Erdogan tha se Donald Trump i ka kërkuar të flasë me grupin dhe t’i bindë ata për përpjekjet e paqes të SHBA-së.
Zyrtarët turq janë gjithashtu të përfshirë në negociata në Egjipt, sipas tij, shkruan Sky News.Presidenti shton se Gaza duhet të mbetet përfundimisht palestineze dhe palestinezët duhet ta qeverisin Gazën.
Ai shtoi se vendosja e forcave të huaja në Gaza duhet të diskutohet në detaje dhe se Turqia është e gatshme të kontribuojë në të gjitha përpjekjet.
-

Negociatat për zgjidhjen e konfliktit në Gaza, Hamasi kërkon lirimin e “Mandelës së Palestinës”
Hamasi ka kërkuar lirimin e Marwan Barghouti si pjesë e negociatave me Izraelin mbi listën e të burgosurve palestinezë që do të lirohen në këmbim të pengjeve që mbeten në Rripin e Gazës.
Një ish-zyrtar i Fatahut, Marwan Barghouti u arrestua nga autoritetet izraelite në vitin 2002 dhe u dënua në vitin 2004 me pesë burgime të përjetshme për vrasje të lidhura me rolin e tij në Intifadën e dytë (2000-2005).
Ai mbetet një figurë jashtëzakonisht popullore në rezistencën palestineze dhe quhet nga shumë njerëz “Mandela e Palestinës”.
Bisedime indirekte kanë filluar që nga e hëna në vendpushimin egjiptian të Sharm el-Sheikh mbi planin e paqes të paraqitur nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump, i cili përfshin një armëpushim në Rripin e Gazës, kthimin e pengjeve të rrëmbyera më 7 tetor 2023, një tërheqje graduale të ushtrisë izraelite nga enklava palestineze dhe çarmatimin e Hamasit.
Al-Qahera News raportoi se kanë filluar diskutimet, me ndërmjetësimin e Egjiptit, mbi listën e “të burgosurve palestinezë që do të lirohen nga burgjet izraelite” sipas një marrëveshjeje shkëmbimi midis Izraelit dhe Hamasit.
Ajo përfshin gjithashtu Ahmad Saadat, Hassan Salameh dhe Abbas al-Sayed, sipas të njëjtit burim.
Ndërkohë, kryenegociatori i Hamasit, Khalil al-Haya, tha të martën se lëvizja palestineze “dëshiron garanci” nga Donald Trump dhe ndërmjetësit se lufta në Gaza “do të përfundojë njëherë e përgjithmonë”.
“Ne nuk i besojmë pushtuesit”, tha ai për median egjiptiane Al-Qahera News, duke akuzuar Izraelin për shkelje të dy armëpushimeve gjatë luftës.
“Regjimi izraelit nuk i ka mbajtur kurrë premtimet e tij. Kjo është arsyeja pse ne duam garanci të vërteta nga Presidenti Trump dhe vendet garantuese”, tha ai.
“Ne jemi të gatshëm të punojmë për një marrëveshje që do të thotë fundi i luftës, tërheqja e trupave izraelite nga Gaza dhe një shkëmbim të pengjeve dhe të burgosurve”, shtoi ai.Top Channel


