Tag: palestinezë

  • Izraeli vret 65 civilë në Gaza, Trump: Armëpushimi mbetet në fuqi

    Izraeli vret 65 civilë në Gaza, Trump: Armëpushimi mbetet në fuqi

    Të paktën 65 palestinezë, përfshirë gra e fëmijë, u vranë të martën në mbrëmje gjatë sulmeve ajrore izraelite në disa zona të Rripit të Gazës.
    Sulmet u kryen pasi Izraeli akuzoi Hamasin për shkelje të armëpushimit, duke përfshirë një sulm në Rafah që vrau një ushtar izraelit. Hamasi mohoi përfshirjen, duke thënë se mbetet i përkushtuar ndaj marrëveshjes së paqes.
    Ministri izraelit i mbrojtjes, Yoav Katz tha se Hamasi kishte kaluar vijën e kuqe dhe paralajmëroi se do të paguajë shumëfish për sulmin.
    Dëshmitarët tregojnë se bombardimet goditën shtëpi, shkolla dhe blloqe banimi në qytetin e Gazës, Beit Lahia, Bureij, Nuseirat dhe Khan Younis. Ekipet e shpëtimit paralajmëruan se numri i viktimave mund të rritet, pasi shumë persona janë ende nën rrënoja.
    Shtëpia e Bardhë reagoi duke kërkuar përmbajtje. Presidenti Donald Trump tha se asgjë nuk do të rrezikojë armëpushimin, por shtoi se Izraeli ka të drejtë të kundërsulmojë kur ushtarët e tij sulmohen.
    Marrëveshja e ndërmjetësuar nga SHBA, Egjipti, Katari dhe Turqia kishte nisur më 10 tetor dhe parashikonte shkëmbimin e pengjeve dhe trupave mes dy palëve. Deri tani janë liruar 20 pengje izraelite dhe qindra të burgosur palestinezë.
    Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, më shumë se 68,500 persona janë vrarë që nga nisja e luftës në tetor 2023.

  • “Për Izraelin është e dobishme të ketë një kundërshtar si Hamasi, ndryshe nga Fatahu”

    “Për Izraelin është e dobishme të ketë një kundërshtar si Hamasi, ndryshe nga Fatahu”

    Nga Dany Moudallal, L’orient-le Jour
    Në një kohë kur Hamasi kërkon të mos duket i dobësuar pas dy vitesh lufte shkatërruese në Gaza, Autoriteti Palestinez nga ana tjetër duket i paaftë të reformohet, duke u zhytur gjithnjë e më shumë në një krizë legjitimiteti dhe besueshmërie. Kjo ndodh ndërkohë që çështja e një shteti palestinez nuk ka qenë ndonjëherë më shumë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare në dekadat e fundit, veçanërisht përballë zgjerimit të ambicieve koloniale izraelite në Bregun Perëndimor.
    Kush, brenda lëvizjes kombëtare palestineze, mund të përfitojë nga fitoret diplomatike që sollën valët e fundit të njohjes së Palestinës dhe ta çojë përpara sovranitetin palestinez? Gazeta “L’Orient-Le Jour” bisedon me Hussein Ibish, studiues në Institutin e Shteteve të Gjirit Arab.
    Cili është sot popullariteti i Hamasit tek palestinezët? Çfarë pasojash mund të ketë kjo në politikën e brendshme?
    Ne nuk e dimë saktësisht nivelin aktual të popullaritetit të Hamasit. Megjithatë, duket se lëvizja ka fituar terren në Bregun Perëndimor, ndërkohë që ka humbur shumë në Gaza. Hamasi mbetet një aktor i fuqishëm në shoqërinë palestineze, ku politika është ende binare dhe funksionon si një lojë me shumë zero. Prej dy dekadash, Hamasi dhe Fatah janë në një luftë për pushtet, që do të vazhdojë gjersa njëra palë të triumfojë plotësisht ose të dyja të zhduken për t’i lënë vendin një force të re që ende nuk ekziston.
    Status quo-ja mes këtyre dy fraksioneve pritet të vazhdojë. Dhe kjo është një tragjedi, sepse palestinezët ndodhen pa një drejtim të vërtetë kombëtar dhe efektiv. Aktualisht, Fatah ka një mundësi për të konsoliduar autoritetin e tij në kurriz të Hamasit, por i mungon një udhëheqje e fortë dhe vendimtare për ta arritur këtë. Hamasi do të vazhdojë ta sfidojë Fatahun politikisht dhe të fitojë terren, por pas katastrofës që shkaktoi në Gaza, një fitore politike për këtë lëvizje islamiste është sot e pamundur.
    Kush mund të kapitalizojë mbështetjen ndërkombëtare për një shtet palestinez, e cila është rritur pas luftës në Gaza?
    Vetëm OLP (Organizata për Çlirimin e Palestinës) ka këtë aftësi. Ajo mbetet institucioni i vetëm legjitim që përfaqëson palestinezët. Por nuk duket se po funksionon në mënyrë efektive për të përfituar realisht nga kjo situatë. OLP ka nevojë për një udhëheqje të re, me kredibilitet – ajo aktuale është e tejkaluar prej kohësh. Mahmoud Abbas duhet të tërhiqet. Lëvizja kombëtare palestineze është sot e penguar nga një lider i paaftë, që duket më i kënaqur me rolin e një “kryetari bashkie në Ramallah” sesa si lider i popullit palestinez.
    Që OLP të mund të udhëheqë reformat e nevojshme, drejtuesit e saj duhet të ndryshojnë thellësisht qëndrimin ose të hapin rrugë për një brez të ri liderësh, që duhet të dalë në skenë sa më shpejt.
    A mund të përfaqësojë Marwan Barghouti një rilindje për lëvizjen kombëtare palestineze?
    Marwan Barghouti është mbi të gjitha një figurë simbolike, e respektuar gjerësisht për shkak të mitit të ndërtuar rreth tij gjatë intifadës së dytë. Në burg, ai ka ditur të ruajë marrëdhënie të mira me islamistët, duke mbetur një lider besnik ndaj OLP-së. Por për sa kohë mbetet në burg, roli i tij mbetet thjesht simbolik.
    Izraeli nuk do të lirojë kurrë një figurë që mund të forcojë lëvizjen kombëtare palestineze laike që përfaqësohet nga OLP. Shteti hebre e preferon të merret me Hamasin, madje ta lejojë atë të forcohet, sepse rreziku që paraqet ai kufizohet me sulme apo rrëmbime (si më 7 Tetor), pa e vënë në diskutim aneksimin e vazhdueshëm të Bregut Perëndimor, që është objektivi kryesor i qeverisë aktuale izraelite.
    Projekti i Hamasit për një shtet islamik në gjithë territorin është i parealizueshëm; për Izraelin është e dobishme të ketë një armik të tillë. Ndërsa Fatah ndjek një objektiv shumë më të mundshëm: krijimin e një shteti të vogël palestinez që të bashkëjetojë me Izraelin, një ide e mbështetur gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare. Dhe pikërisht kjo përbën kërcënimin real për projektin izraelit të aneksimit. Prandaj Izraeli preferon të përballet me Hamasin sesa me Fatahun.
    Çdo përparim drejt një shteti palestinez varet gjithashtu nga reformat e Autoritetit Palestinez, të përmendura në planin Trump për Gazën.
    Deri ku shkon mbështetja amerikane për këto përpjekje dhe çfarë duhet bërë?
    Politika amerikane ka si synim forcimin e Autoritetit Palestinez, por Izraeli e kundërshton ashpër, besnik ndaj qëllimit për të aneksuar Bregun Perëndimor. SHBA-të lihen peng i këtij vullneti izraelit. Uashingtoni duhet të njohë në mënyrë eksplicite të drejtën e palestinezëve për një shtet në tokat historike palestineze dhe ta shoqërojë këtë njohje me një paketë reformash që kërkohen nga Autoriteti Palestinez, në këmbim të përfitimeve konkrete, për të vendosur themelet e një sovraniteti të pavarur palestinez.
    Qeveria izraelite do ta shihte këtë si një kërcënim ekzistencial, por nuk ka rëndësi, bota duhet të veprojë në këtë drejtim, njësoj siç krijoi Izraelin dikur, pavarësisht kundërshtimeve të shumicës palestineze në atë kohë.
    Zgjedhjet janë gjithashtu të domosdoshme, por partitë që nuk pranojnë angazhimet ndërkombëtare të OLP-së, përfshirë letrën e njohjes së Izraelit nga Yasser Arafat më 1993, nuk duhet të lejohen të marrin pjesë. OLP duhet të mbetet përfaqësuesi i vetëm legjitim i popullit palestinez në arenën ndërkombëtare. Çdo parti që do të marrë pjesë në zgjedhje, duhet ta bëjë këtë brenda këtij kuadri. Kjo është mënyra më e mirë për ta trajtuar Hamasin si një problem politik dhe pengesë për zgjidhjen me dy shtete.
    Fatkeqësisht, asgjë nga këto nuk duket e mundur, sepse SHBA-të nuk janë të gatshme të përballen me Izraelin në këtë drejtim.

  • Shpërthen dhuna në protestën pro-palestineze në Barcelonë

    Shpërthen dhuna në protestën pro-palestineze në Barcelonë

    Dhuna shpërtheu në Barcelonë të mërkurën në mbrëmje, pasi një demonstratë pro-palestineze u përshkallëzua pas marshimit të rreth 1,000 protestuesve drejt konsullatës izraelite.

    Tubimi ishte pjesë e një greve mbarëkombëtare në solidaritet me popullin palestinez dhe kundër fushatës ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës.

    Përleshje shpërthyen më vonë, kur disa demonstrues i vunë flakën kazanëve të plehrave dhe thyen xhama bankash e restorantesh të ushqimit të shpejtë në qendër të qytetit.

    Policia ndërhyri për të rivendosur rendin, ndërsa zjarret dhe dëmet materiale u përhapën në disa rrugë të Barcelonës.

    Qeveria spanjolle, një nga kritiket më të zëshme në Evropë ndaj ofensivës izraelite, ka ruajtur qëndrimin e saj të ashpër, me mbështetje të gjerë nga publiku dhe marshime të vazhdueshme solidariteti në mbarë vendin.

  • Ushtria izraelite arreston 24 palestinezë në Bregun Perëndimor, shemb shtëpitë

    Ushtria izraelite arreston 24 palestinezë në Bregun Perëndimor, shemb shtëpitë

    Forcat izraelite arrestuan këtë të enjten 24 palestinezë, përfshirë një fëmijë dhe një zyrtar, në Bregun Perëndimor, thanë zyrtarët.

    Ushtria, arrestoi gjithashtu nëntë persona në dy qytete veriore të Tulkaremit, dy në Nablus, tre në Qalqilya-n lindore dhe pesë të tjerë në Jenin.

    Dy palestinezë u arrestuan në qytetin e Betlehemit dhe dy të tjerë, përfshirë një fëmijë, nga Hebroni.

    Ndërkohë, Komisioni i Kolonizimit dhe Rezistencës ndaj Murit i Autoritetit Palestinez tha se drejtori i tij Murad Ashtiwi u mor në paraburgim izraelit, ku u lirua pas një hetimi të shkurtër.

    70 shtëpi po përballen me rrezikun e prishjes sipas urdhrave të lëshuar nga Izraeli. Izraeli përdor gjerësisht pretekstin e mungesës së lejeve të ndërtimit për të prishur shtëpitë palestineze, veçanërisht në Zonën C në Bregun Perëndimor të pushtuar.

    Sipas Marrëveshjeve të Oslos të vitit 1995 midis Izraelit dhe Organizatës për Çlirimin e Palestinës,PLO, Bregu Perëndimor, përfshirë Jerusalemin Lindor, i cili u nda në tre pjesë – Zona A, B dhe C.

    Zona C është nën kontrollin administrativ dhe të sigurisë së Izraelit deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare për statusin me palestinezët.

    Ushtria izraelite plagosi gjithashtu të paktën 10 palestinezë në pjesë të ndryshme të Bregut Perëndimor të mërkurën në mbrëmje, sipas mjekëve dhe burimeve lokale.

    Autoritetet lokale thonë se më shumë se një mijë palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor, rreth 10,300 janë plagosur dhe mbi 20,000 janë arrestuar, përfshirë 1,600 fëmijë, që nga lufta në Gaza në tetor 2023.

    Në një vendim historik korrikun e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshëm pushtimin e territorit palestinez nga Izraeli dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor.

  • OKB: Ushtria izraelite po ekzekuton civilë në Gaza, 15 palestinezë të vrarë

    OKB: Ushtria izraelite po ekzekuton civilë në Gaza, 15 palestinezë të vrarë

    Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka akuzuar ushtrinë izraelite se “vazhdon të vrasë civilë” në zonat pranë vijave të ripozicionimit në Rripin e Gazës, pavarësisht thirrjeve për armëpushim.

    Sipas raportit të OKB-së, të paktën 15 palestinezë janë qëlluar për vdekje në afërsi të trupave izraelite. Aktualisht, forcat izraelite kontrollojnë rreth 53% të territorit të Gazës, ndërsa janë rikthyer në vijën fillestare të tërheqjes.

    Ushtria izraelite (IDF) deklaroi dje se ka hapur zjarr ndaj “disa të dyshuarve”, por autoritetet shëndetësore në Gaza thanë se të paktën gjashtë persona janë vrarë në dy incidente të ndara.
    Në reagimin e tij, Ajith Sunghay, kreu i Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut në territoret palestineze, kërkoi që të garantohet respektimi i armëpushimit dhe mbrojtja e civilëve:
    “Është e domosdoshme që përpjekjet për rimëkëmbje dhe rivendosjen e rendit publik të jenë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe të drejtat e palestinezëve për vetëvendosje.”
    Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se vrasjet e civilëve në Gaza rrezikojnë përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit dhe minojnë çdo mundësi për paqe të qëndrueshme në rajon.

  • Protestuesit pro-palestinezë përleshen me policinë para ndeshjes kualifikuese Itali-Izrael për Kupën e Botës

    Protestuesit pro-palestinezë përleshen me policinë para ndeshjes kualifikuese Itali-Izrael për Kupën e Botës

    Ndeshja kualifikuese e Italisë kundër Izraelit për Kupën e Botës 2026, e luajtur të martën në mbrëmje, u shoqërua nga një marshim masiv pro-palestinez që mobilizoi mijëra qytetarë në qendër të qytetit verior italian. Demonstrata, e cila fillimisht ishte paqësore dhe zgjati rreth tre orë, përfundoi me përleshje midis disa protestuesve dhe policisë.

    Autoritetet kishin vendosur ndeshjen në kategorinë e rrezikut më të lartë për shkak të protestave të planifikuara, të cilat u zhvilluan pavarësisht armëpushimit të sapo hyrë në fuqi në Gaza dhe lirimit të pengjeve izraelite dhe të burgosurve palestinezë. Në qendër të Udines, rreth 10,000 persona morën pjesë në marshimin fillestar pa incidente, por në fund të tij, rreth 50 protestues me fytyra të mbuluara u përplasën me forcat e rendit.

    Policia përdori topa uji dhe gaz lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit, të cilët hodhën barriera metalike dhe objekte të tjera drejt forcave të rendit dhe ndezën kazanë plehrash. Disa gazetarë dhe oficerë policie u plagosën gjatë përleshjeve, ndërsa kryetari i bashkisë së Udines, Alberto Felice De Toni, dënoi fuqimisht dhunën në rrugë dhe kishte kërkuar më parë shtyrjen e ndeshjes.

    Autobusi i ekipit të Izraelit u shoqërua nga 13 automjete policie dhe forca speciale, ndërsa helikopterë dhe dronë patrulluan mbi qytet gjatë gjithë ditës. Pavarësisht tensioneve, ndeshja u zhvillua normalisht dhe Italia fitoi 3-0, me vetëm disa përpjekje të tifozëve për të futur flamuj palestinezë në fushë.

    Stadio Friuli, me kapacitet 25,000 vende, kishte më pak se 10,000 spektatorë, duke qenë se numri i demonstruesve jashtë stadiumit tejkalonte pjesëmarrjen brenda tij. Trajneri i Italisë, Gennaro Gattuso, falënderoi policinë për punën e jashtëzakonshme dhe vlerësoi përpjekjet e sigurisë për të mbajtur ndeshjen nën kontroll.

    Udine kishte luajtur një vit më parë të njëjtën ndeshje kundër Izraelit, duke u zgjedhur për vendndodhjen e saj strategjike në verilindje të Italisë dhe lehtësinë e izolimit të stadiumit për masat e sigurisë.

    Në përfundim, ndonëse protesta filloi si paqësore, ajo theksoi tensionet e larta politike që shoqërojnë marrëdhëniet Izrael-Palestinë dhe ndikimin e tyre në aktivitetet publike dhe sportive në Itali.

  • Shkelet armëpushimi? Izraeli hap zjarr në veri të Gazës, gjashtë palestinezë të vrarë

    Shkelet armëpushimi? Izraeli hap zjarr në veri të Gazës, gjashtë palestinezë të vrarë

    Të paktën gjashtë palestinezë janë vrarë të martën, pasi ushtria izraelite hapi zjarr në veri të Rripit të Gazës, njoftuan autoritetet shëndetësore të enklavës.
    Ushtria izraelite tha se ka hapur zjarr ndaj disa personave të dyshuar që ishin afruar pranë forcave të saj, duke përbërë “një kërcënim të menjëhershëm”, raporton Reuters.
    Autoritetet lokale në Gaza bënë të ditur se incidentet ndodhën në dy zona të ndryshme të enklavës.

    Ngjarja vjen vetëm një ditë pasi Hamas liroi pengjet e fundit izraelitë të mbijetuar, ndërsa Izraeli dërgoi në shtëpi dhjetëra të burgosur palestinezë, në zbatim të marrëveshjes së armëpushimit.
    Ndërkohë, Presidenti amerikan Donald Trump shpalli përfundimin e luftës dyvjeçare që ka tronditur Lindjen e Mesme./vizionplus.tv

  • Marrëveshja e paqes, Izraeli: Afër 2 mijë palestinezë janë liruar nga burgjet tona

    Marrëveshja e paqes, Izraeli: Afër 2 mijë palestinezë janë liruar nga burgjet tona

    Shërbimi i burgjeve i Izraelit tha të hënën se ka liruar pothuajse 2.000 persona, shumica të ndaluar palestinezë, si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza.
    Sipas mediave të huaja, në njoftim thuhet se “1.968 terroristë u transferuan nga disa burgje në mbarë vendin në burgjet Ofer dhe Ktziot. Pas miratimeve përkatëse, ata u liruan në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor”.
    Nga ana tjetër, më herët ditën e sotme, Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, udhëheqësi egjiptian Abdel Fattah al Sisi dhe presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, firmosën planin e paqes në Gaza.
    Presidenti i Egjiptit, Abdel Fatah al-Sisi, gjatë konferencës për media në Sharm el-Sheik, tha se palestinezët “kanë të drejtë për vetëvendosje dhe të aspirojnë për një të ardhme ku lufta të mos i ndjekë më”.
    Sipas tij, palestinezët kanë të drejtë “të shijojnë lirinë dhe të jetojnë në një shtet të tyre të pavarur, një shtet që do të jetonte në paqe pranë Izraelit, me siguri dhe njohje të ndërsjellë”.

  • “Kemi humbur gjithçka”, shqiptari me origjinë palestineze rrëfen tragjedinë familjare në Gaza

    “Kemi humbur gjithçka”, shqiptari me origjinë palestineze rrëfen tragjedinë familjare në Gaza

    Pasi ushtria izraelite njoftoi hyrjen në fuqi të një marrëveshjeje armëpushimi dhe tërheqjen e trupave nga veriu i Gazës, mijëra palestinezë të zhvendosur kanë nisur të kthehen në këmbë drejt shtëpive të tyre shumica të shkatërruara. Pjesëmarrja e një numri të madh vendesh dhe organizatash ndërkombëtare në procesin e ndërmjetësimit nënvizon përpjekjet globale për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për krizën humanitare në Gaza.

    Në një rrëfim ekskluziv në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Në kohë reale” në RTSH 1, Abdullah Xhabir, një shtetas shqiptar me origjinë palestineze, ndau historinë e tij prekëse dhe humbjen e djalit të tij në konflikt.

    Jam shtetas shqiptar por me kombësi palestineze, kam ardhur në Shqipëri para 31 viteve. Kur filloi lufta në Gaza ishim këtu ndërsa djalin e madh e kam në Tiranë bashkë me gruan. Kemi humbur shumë njerëz të dashur, kemi humbur shtëpitë tona, teksa qëndrojmë në çadra. Menjëherë që u bë marrëveshja njerëzit dolën nga kampi por të gjithë kanë nevojë për ndihmë”, u shpreh Abdullah Xhabir.

    Ndër momentet më të rënda të jetës së tij, Abdullah përmendi ditën kur mësoi për vdekjen e djalit të tij, Ibrahimit. Rrëfimi i tij, përfshinte edhe humbjen e të afërmve të tjerë.

    Një ndër ditët më të vështira për mua ka qenë kur burri i motrës time po vdes ngadalë sepse nuk gjen ilaçe, apo kur vdiq nënë Fatija. Kulmin e ditëve më të vështira që kemi kaluar është ajo ditë kur një person erdhi dhe më tha se kanë gjetur trupin e Ibrahimit. Këto kanë qenë 4 ditët më të vështira i cili doli nga shtëpia për të sjellë ilaçin dhe kemi humbur komunikimin me të ndërsa ditën e 5 erdhi lajmi. Do të qëndroj për të gjetur varrin e djalit Ibrahimit”, tha ai.

  • Izraeli liron 154 të burgosur palestinezë, mbërrijnë në Gaza

    Izraeli liron 154 të burgosur palestinezë, mbërrijnë në Gaza

    Pas kthimit të 20 pengjeve izraelite nga Hamasi, edhe Izraeli ka respektuar marrëveshjen e armëpushimit të arritur në Rripin e Gazës, duke liruar 154 të burgosur palestinezë. 
    Lajmi është konfirmuar nga Shoqata e të Burgosurve Palestinezë. 
    Të burgosurit palestinezë kanë vuajtur dënime të gjata në burgjet izraelite, dhe sipas marrëveshjes, pas lirimit u deportuan në Egjipt. 
    Autoritetet izraelite kishin kërkuar që të burgosurit e dënuar për vepra të dhunshme të deportoheshin në vende të treta në vend që të lejoheshin të ktheheshin në Bregun Perëndimor ose Gaza. 
     Të burgosurit palestinezë të liruar nga Izraeli kanë mbërritur në Gaza  
    Të burgosurit palestinezë të liruar nga Izraeli kanë mbërritur në Rripin e Gazës, pasi janë liruar nga burgjet izraelite në kuadër të marrëveshjes për armëpushim. Gazetarë të agjencisë Associated Press raportojnë se kanë parë autobusë që transportonin të burgosurit e liruar drejt spitalit “Nasser” në qytetin jugor Khan Younis, ku turma të mëdha njerëzish ishin mbledhur për t’i pritur. Të burgosurit u liruan këtë mëngjes si pjesë e marrëveshjes, e cila përfshinte gjithashtu edhe lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi.