Tag: palestinezë

  • Palestinezët në Gazë e shënojnë Bajramin me mungesë ushqimi dhe me një luftë të pambarim

    Myslimanët palestinezë marrin pjesë në namazin e Fitër Bajramit në Xhabalia, në veri të Rripit të Gazës, 30 mars.
    Palestinezët në Rripin e Gazës nuk kishin shumë për të festuar të dielën, kur nisi shënimi i festës treditore të Fitër Bajramit, pasi furnizimet me ushqim janë duke iu pakësuar me shpejtësi, ndërsa luftës mes Izraelit dhe Hamasit nuk po i shihet fundi.
    Hamasi, grup militant palestinez, është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Shumë njerëz e falën namazin e Bajramit jashtë xhamive të shkatërruara të dielën.
    Fitër Bajrami shënon fundin e muajit të agjërimit të Ramazanit dhe duhet të jetë një ngjarje e gëzueshme, kur familjet mblidhen për festa dhe blejnë rroba të reja për fëmijët – por shumica e 2 milionë palestinezëve në Gazë po përpiqen thjesht të mbijetojnë.
    “Është Bajrami i Trishtimit”, tha Adel al-Shaer pasi mori pjesë në faljen e Bajramit në natyrë në qytetin qendror të Deir al-Balah.
    “Humbëm të dashurit tanë, fëmijët tanë, jetën tonë dhe të ardhmen tonë. Humbëm studentët tanë, shkollat dhe institucionet tona. Humbëm gjithçka”, tha ai.
    Ai tha mes lotësh se 20 anëtarë të familjes së tij të zgjeruar janë vrarë nga sulmet izraelite, përfshirë katër nipër të tij të vegjël vetëm disa ditë më parë.
    Izraeli i dha fund armëpushimit me Hamasin dhe e rifilloi luftën në fillim të marsit, pasi grupi militant nuk i pranoi ndryshime në marrëveshjen e arritur në janar.
    Sulmet izraelite kanë vrarë qindra palestinezë, dhe Izraeli nuk ka lejuar hyrjen e ushqimit, karburantit apo ndihmës humanitare për katër javë.
    “Ka vrasje, zhvendosje, uri dhe një rrethim”, tha Saed al-Kourd, një tjetër besimtar.
    “Ne dalim për të kryer ritualet e Zotit vetëm sa për t’i gëzuar fëmijët, por në lidhje gëzimin për Bajram? Nuk ka Bajram”, shtoi ai.
    Lufta filloi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi sulmuan Izraelin më 7 tetor 2023, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyer 251 pengje.
    Hamasi ende po mban 59 pengje – 24 prej të cilëve besohet se janë ende gjallë – pasi shumica e të tjerëve u liruan përmes armëpushimeve apo marrëveshjeve të mëparshme.
    Bombardimet dhe sulmet tokësore të Izraelit kanë vrarë mbi 50.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila nuk bën dallim mes civilëve dhe luftëtarëve në statistikat e saj.
    Izraeli thotë se i ka vrarë rreth 20.000 militantë, pa dhënë prova për këtë.
    Lufta e Izraelit ka shkatërruar pjesë të mëdha të Gazës dhe, në kulmin e tyre, e ka detyruar rreth 90% të popullsisë të zhvendoset brenda vendit, në raste disa herë. REL

  • Mbi 50 mijë palestinezë të vrarë në luftën Izrael-Hamas, 16 mijë prej tyre fëmijë

    Mbi 50 mijë palestinezë të vrarë në luftën Izrael-Hamas, 16 mijë prej tyre fëmijë

    Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi të dielën se numri i palestinezëve të vrarë nga lufta mes Izraelit dhe Hamasit ka shkuar në mbi 50 mijë. Sulmet e fundit izraelite shkaktuan të paktën 26 viktima gjatë natës.
    Ushtria izraelite deklaroi se ka “eliminuar” dhjetëra militantë që nga përfundimi i armëpushimit javën e kaluar, i cili u thye nga një valë sulmesh ajrore që morën qindra jetë.
    Ndërkohë, tensionet në Izrael po rriten, me protesta kundër kryeministrit Benjamin Netanyahu. Qeveria e tij votoi për të shprehur mosbesim ndaj Prokurores së Përgjithshme, e cila shihet si një pengesë për fuqinë e koalicionit qeverisës.
    Ushtria izraelite urdhëroi mijëra palestinezë të largohen nga lagjja Tel al-Sultan në qytetin jugor të Rafahut. Banorët u detyruan të lëvizin drejt Muwasi, një zonë me kampe të mbipopulluara. Më shumë se 2 milionë njerëz janë zhvendosur brenda Gazës, shumë prej tyre disa herë.
    “Është zhvendosje nën zjarr,” tha gazetari Mustafa Gaber, i cili u largua me familjen.
    Një tjetër palestineze, Amal Nassar, tha: “Predhat bien mes nesh, plumbat fluturojnë mbi kokat tona. Të moshuarit janë lënë në rrugë.”
    Ndërkohë, Gjysmëhëna e Kuqe Palestinëse humbi kontaktin me një ekip mjekësor që po i përgjigjej një sulmi në Rafah. Ushtria izraelite pranoi se kishte qëlluar mbi disa “mjete të dyshimta”, të cilat më vonë rezultuan të ishin ambulanca dhe mjete zjarrfikëse.
    Në qytetin e Gazës, një shpërthim ndodhi pranë një kampi të zhvendosurish. “Burri im është i verbër dhe filloi të vraponte zbathur. Fëmijët tanë vraponin të tmerruar,” tha dëshmitarja Nidaa Hassuna.
    Izraeli thotë se shënjestron vetëm militantët, por viktimat civile po rriten.
    Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që nga e marta, kur bombardimet izraelite thyen armëpushimin, janë vrarë 673 persona. Në total, 50,021 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i luftës, mes tyre 15,613 fëmijë dhe 872 foshnja nën 1 vjeç.
    Izraeli pretendon se ka vrarë rreth 20 mijë luftëtarë të Hamasit, por nuk ka ofruar prova për këtë shifër.
    Në anën tjetër, kabineti izraelit miratoi ndërtimin e 13 vendbanimeve të reja në Bregun Perëndimor, të cilat sipas shumicës së bashkësisë ndërkombëtare, janë të paligjshme.

    FACT CHECK:
    Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e
    raportoni këtu.

    JOQ Sondazh

    KLIKO PËR TË VOTUAR