Adriatik BALLA
Një ekip drejtues i Krystal Palace mbajti gjatë javës një takim konsultativ me UEFA-n në Nion të Zvicrës. Raportohet se UEFA ka vendosur tashmë se cili klub do të zëvendësojë Krystal Palace në Europa League 2025/26, pasi është zbuluar se ka ‘refuzuar’ ofertat e bashkëpronarëve të “Eagles”. Pra, pjesëmarrja e Krystal Palace në Europa League në vitin e ardhshëm mbetet ende e pasigurt, pasi këtë javë u bë e ditur se klubi mund të ketë shkelur rregullat e UEFA-s për pronësinë e shumëfishtë të klubeve. Çështja lidhet me Xhohn Tekstor, i cili ka rreth 43 % të aksioneve në klub, por ai ka aksione edhe në skuadrën franceze Lion – gjithashtu e kualifikuar për pjesëmarrje në garë. U pretendua se Palace mund të zbresë në Conference League, por kjo do ta ndërlikonte më tej situatën, pasi aksionari kryesor i Palace, David Blitzer, ka gjithashtu aksione shumicë në klubin danez Brondby.
Rregulloret e UEFA-s ekzistojnë për të “siguruar integritetin e garave të klubeve të UEFA-s (dmth. UEFA Champions League, UEFA Europa League dhe UEFA Conference League)”. Rregullat janë të qarta se “askush nuk mund të jetë njëkohësisht i përfshirë, qoftë drejtpërdrejt apo tërthorazi, në asnjë mënyrë, në menaxhimin, administrimin dhe/ose performancën sportive të më shumë se një klubi që merr pjesë në një garë të klubeve të UEFA-s”. Të martën, klubi mbajti një ‘samit urgjent’ me zyrtarët e UEFA-s në Zvicër. Pak më pas, Textor foli për The Mail dhe sugjeroi se mund t’i shesë aksionet e tij për të lejuar pjesëmarrjen e klubit. Të enjten (5 qershor), një përditësim nga The Guardian tregoi se situata nuk është aspak e mirë për ekipin e Oliver Glasner.
Media raportoi se “UEFA ka refuzuar ofertat e aksionarëve të Crystal Palace, John Textor dhe David Blitzer, për të vendosur aksionet e tyre në një trust të verbër për të siguruar pjesëmarrjen e klubit në Evropë sezonin e ardhshëm”. Ideja që fituesit e FA Cup të zbrisnin në Conference League gjithashtu nuk është e zbatueshme për shkak të pjesëmarrjes së Brondby dhe rregullave të UEFA-s për pronësinë e shumëfishtë të klubeve. Mançester Siti dhe Mançester United e kanë përdorur më parë ‘trustin e verbër’ për të siguruar pjesëmarrjen në Evropë, por Palace “ka humbur afatin për regjistrimin e marrëveshjes së besimit”, sipas raportit. Rregullat e UEFA-s përcaktojnë që ndryshimet e tilla në pronësi duhet të ndodhin para 1 marsit. Kështu që nëse Palace ndalohet nga Europa League, Notingham Forest do të ngjitej praktikisht nga Conference League.