Tag: pakistan

  • Përmbytje shkatërruese në Pakistan dhe Kashmir, të paktën 194 viktima në 24 orë

    Përmbytje shkatërruese në Pakistan dhe Kashmir, të paktën 194 viktima në 24 orë

    Përmbytjet e menjëhershme dhe rrëshqitjet e dheut, të shkaktuara nga shirat e dendur të musoneve, kanë vrarë të paktën 194 persona në Pakistan dhe në Kashmirin e administruar nga Pakistani gjatë 24 orëve të fundit, sipas autoriteteve lokale të menaxhimit të fatkeqësive.

    Rajoni më i prekur është Khyber Pakhtunkhwa, një zonë malore në Pakistanin verior, ku janë regjistruar 180 vdekje, janë shkatërruar dhjetëra shtëpi dhe janë kryer operacione intensive shpëtimi. Gjatë një prej tyre, një helikopter M-17 u rrëzua për shkak të motit të keq, duke marrë jetën e pesë anëtarëve të ekuipazhit.
    Ndërkohë, nëntë persona humbën jetën në Kashmirin e administruar nga Pakistani, dhe pesë të tjerë në Gilgit-Baltistan. Në fshatin Salarzai Tehsil të distriktit Bajaur, përmbytjet lanë pasoja të rënda në njerëz dhe banesa.
    Kryeministri i Khyber Pakhtunkhwa, Ali Amin Gandapur, konfirmoi rrëzimin e helikopterit gjatë një fluturimi shpëtimi në Bajaur, një rajon në kufi me Afganistanin. Autoritetet kanë shpallur gjendje katastrofe në disa rajone, ndërsa parashikuesit e motit paralajmërojnë për reshje të dendura deri më 21 gusht, veçanërisht në pjesën veriperëndimore të vendit.
    Ndërkohë, në pjesën e Kashmirit të administruar nga India, një përmbytje masive goditi një fshat në Himalaje, duke shkaktuar të paktën 60 viktima dhe duke zhdukur dhjetëra banorë të tjerë.
     
     

    Top Channel

  • Analizë/ Si e joshi Pakistani Donald Trump dhe pse kjo shqetëson Indinë

    Analizë/ Si e joshi Pakistani Donald Trump dhe pse kjo shqetëson Indinë

    Këtë verë, shefi i ushtrisë së Pakistanit, Asim Munir, është shfaqur dy herë në zemër të establishmentit amerikan, duke marrë pritje të ngrohta nga gjeneralë dhe politikanë të lartë në SHBA.
    Fundjavën e kaluar ai udhëtoi në Florida për ceremoninë e lamtumirës së gjeneralit Michael Kurilla, komandant i forcave amerikane në Lindjen e Mesme, i cili më parë e kishte lavdëruar Munirin për “partneritet fenomenal” në luftën kundër terrorizmit.
    Por vizita më e bujshme ndodhi në qershor, kur Munir pati një drekë private dy-orëshe në Uashington me Donald Trump, vetëm një muaj pasi Pakistani dhe India kishin zhvilluar përplasjen më të përgjakshme ushtarake në dekada. Kjo pritje e ngrohtë për një figurë që nuk është as kryetar shteti, por përfaqësues i Pakistanit, befasoi shumë vëzhgues, sidomos duke kujtuar se Trump dikur e kishte akuzuar Islamabadin për “vetëm gënjeshtra dhe mashtrim” ndaj SHBA-ve.
    Sot duket se marrëdhëniet mes administratës Trump dhe Pakistanit po lulëzojnë, ndërsa India, dikur me lidhje të ngushta me Trump përmes Modit, po përballet me kritika dhe tarifa të rënda tregtare.
    Rikthimi i papritur i marrëdhënieve SHBA–Pakistan
    Ekspertët e quajnë këtë një “rilindje të papritur” të marrëdhënieve, e arritur përmes një strategjie të kujdesshme nga gjeneralët pakistanezë: bashkëpunim në kundër-terrorizëm, afrimitet me njerëz pranë Trumpit në biznes, dhe marrëveshje në energji, minerale kritike dhe kriptomonedha, të shoqëruara me komplimente të shumta për Shtëpinë e Bardhë.
    Një kthesë vendimtare erdhi në mars, kur kreu i shërbimit sekret pakistanez, Asim Malik, dorëzoi në SHBA një figurë të rëndësishme të ISIS-K, të akuzuar për sulmin në Kabul në vitin 2021 ku humbën jetën mbi 180 persona, përfshirë 13 ushtarë amerikanë. Kjo i solli Pakistanit lavdërime publike nga Trump në fjalimin e tij të Gjendjes së Unionit, ku ai gjithashtu kritikoi Indinë për tarifat e larta.
    “Diplomacia” përmes kriptos dhe pasurive natyrore
    Pakistani ka përdorur edhe një formë të asaj që analistët e quajnë “diplomaci kripto”. Në prill, një kompani e mbështetur nga Trump, World Liberty Financial, nënshkroi një marrëveshje paraprake me Këshillin e Kriptos të Pakistanit, duke promovuar mundësinë e tokenizimit të pasurive minerale që vlerësohen në “triliona dollarë”.
    Ministri pakistanez për kripto dhe blockchain, Bilal bin Saqib, ka shërbyer si një “diplomat në hije”, duke marrë pjesë në bisedime tregtare në Uashington dhe duke promovuar potencialin digjital të Pakistanit pranë rrethit të Trumpit.
    Përplasja me Indinë dhe ndikimi në rajon
    Gjatë konfliktit të majit me Indinë, Pakistani pretendon se tregoi “forcë dhe përmbajtje”, duke rrëzuar disa avionë indianë, por duke shmangur një përshkallëzim masiv. SHBA-të dhe disa shtete të Gjirit ndihmuan në ndërmjetësimin e armëpushimit, për të cilin Islamabadi i dha Trumpit meritën, deri në atë pikë sa e propozoi për Çmimin Nobel të Paqes.
    Kjo linjë bashkëpunimi ushtarake dhe diplomatike e ka vendosur Munirin si ndërmjetës të mundshëm mes SHBA-ve dhe rivalëve të saj si Irani e Kina, një rol që Pakistanit i kujton diplomacinë e viteve ’70 kur ndërmjetësoi hapjen e marrëdhënieve SHBA–Kinë.
    Frustrimi indianIndia është e irrituar nga afrimi SHBA–Pakistan, sidomos pasi Trump i ka goditur me tarifa 50% për shkak të importeve të naftës ruse. Kryeministri Modi, pas një telefonate të ashpër me Trump, e kundërshtoi publikisht pretendimin se armëpushimi me Pakistanin ishte arritur falë ndërhyrjes amerikane.
    Kufizimet dhe rreziqet për Pakistanin
    Megjithë afrimin me Trumpin, analistët paralajmërojnë se marrëdhënia mbetet e brishtë. Shumica e pasurive natyrore të Pakistanit janë të pashfrytëzuara ose ndodhen në zona të paqëndrueshme, ekonomia varet nga një paketë ndihme prej 7 miliardë dollarësh nga FMN dhe huatë nga Kina e vendet e Gjirit. Nëse Trump vendos të pajtohet sërish me Indinë, mund ta përdorë Pakistanin si kartë presioni.
    Një skenar tjetër është njohja e mundshme e Izraelit nga Islamabadi, e dëshiruar nga Trump, por shumë e vështirë për t’u pranuar në Pakistan për shkak të kundërshtimit publik të fortë.
    Marrëdhëniet e reja SHBA–Pakistan po formësohen si një bashkëpunim i tipit “transaksional”, ku të dyja palët kërkojnë fitime të shpejta: Trump, histori suksesi për t’i treguar botës; Pakistani, mbështetje diplomatike dhe ekonomike. Por kjo miqësi e re mund të përmbyset shpejt nëse pritshmëritë nuk realizohen, ashtu siç kanë ndodhur shpesh në të kaluarën mes Uashingtonit dhe Islamabadit.

  • Stuhi shirash dhe furtuna në Pakistan, përmbyten disa zona, 50 viktima në 24 orët e fundit

    Stuhi shirash dhe furtuna në Pakistan, përmbyten disa zona, 50 viktima në 24 orët e fundit

    Numri i të vdekurve nga shirat e rrëmbyeshëm në Pakistan është rritur në më shumë se 50 në 24 orët e fundit, tha një zyrtar qeveritar, duke e çuar numrin total të viktimave në rreth 180 që nga fillimi i “musoneve të verës” (periudhë në Azi me luhatje drastike temperaturash dhe kushte ekstreme moti).

    “Në 24 orët e fundit, 54 persona kanë vdekur dhe 227 janë plagosur në të gjithë Pakistanin, me provincën Punjab që mban peshën kryesore”, tha një zëdhënëse e Autoritetit të Menaxhimit të Fatkeqësive për AFP, duke shtuar se ky numër i të vdekurve ishte deri në orën 8:00 të mëngjesit.
    Shërbimi meteorologjik paralajmëroi për një rrezik në rritje të reshjeve të rrëmbyeshme dhe përmbytjeve të mundshme brenda 48 orëve të ardhshme.
    Autoritetet në Rawalpindi, 15-20 kilometra nga kryeqyteti Islamabad, shpallën sot një ditë pushimi për t’i nxitur banorët të qëndrojnë në shtëpi.
    “Banorët në zonat e rrezikut duhet të përgatisin pako emergjence me ushqim, ujë dhe ilaçe për tre deri në pesë ditë”, thanë ata.
    Një lumë që rrjedh përmes qytetit është fryrë dhe banorëve u është thënë të largohen nga shtëpitë e tyre.
    Sipas një zëdhënëseje të Autoritetit të Menaxhimit të Fatkeqësive, rreth 180 persona, përfshirë 70 fëmijë, kanë vdekur dhe 500 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i musoneve të verës në fund të qershorit.

    Top Channel

  • Refuzoi të mbyllte TikTok-un, babai vret vajzën 16-vjeçare në Pakistan

    Refuzoi të mbyllte TikTok-un, babai vret vajzën 16-vjeçare në Pakistan

    Një vajzë 16-vjeçare në qytetin pakistanez Rawalpindi u vra nga i ati pasi ajo refuzoi t’i mbyllte llogarinë në TikTok, bëri të ditur policia të hënën. Sipas autoriteteve, burri e qëlloi të bijën pas një debati për praninë e saj në rrjetin social, ndërsa më pas familja tentoi të paraqiste ngjarjen si vetëvrasje. I dyshuari është arrestuar.

    Rastet e dhunës ndaj grave në Pakistan, sidomos për shkak të sjelljes së tyre në publik apo në rrjetet sociale, janë të shumta. TikTok është kritikuar shpesh nga autoritetet pakistaneze për përmbajtje që ata e cilësojnë si “të pamoralshme”, dhe është bllokuar disa herë me akuzat për promovim të sjelljes seksuale eksplicite apo LGBTQ+.
    Më herët këtë vit, në provincën jugperëndimore të Balochistan-it, një burrë pranoi se kishte organizuar vrasjen e vajzës së tij 14-vjeçare për shkak të videove që ajo postonte në TikTok, të cilat ai besonte se “poshtëronin nderin” e familjes.

    Ndërkohë, në një rast tjetër në qershor, një influencuese 17-vjeçare, Sana Yousaf, u vra në shtëpinë e saj nga një burrë që ajo e kishte refuzuar. Sana kishte më shumë se një milion ndjekës në rrjetet sociale, ku ndante përmbajtje mbi stilin e jetesës, bukurinë dhe kulturën tradicionale.
    /vizionplus.tv

  • Tragjike në Pakistan! Ndërtesa shumëkatëshe shembet dhe zë poshtë dhjetëra banorë, deri tani 16 viktima

    Tragjike në Pakistan! Ndërtesa shumëkatëshe shembet dhe zë poshtë dhjetëra banorë, deri tani 16 viktima

    Shembja e një ndërtese shumëkatëshe në Pakistanin jugor është shndërruar në një tragjedi, me numrin e të vdekurve që ka shkuar në 16, ndërsa ekipet e shpëtimit nxorën 10 trupa nga rrënojat gjatë një operacioni gjatë natës, thanë zyrtarët të shtunën.

    Spitali Civil shtetëror njoftoi se kishte marrë 16 trupa, duke shtuar se disa nga të plagosurit po trajtohen.
    Ekipet e shpëtimit po përdorin makineri të rënda për të kërkuar të paktën tetë të mbijetuar të tjerë që besohet se janë bllokuar nën rrënoja, sipas mediave lokale dhe zyrtarëve të shërbimeve të emergjencës.
    Vendasit thanë se ndërtesa ndodhej në një rrugicë të ngushtë, duke e bërë të vështirë hyrjen e makinerive të rënda. Pamjet televizive treguan ekipet e shpëtimit duke pastruar rrënojat, ndërsa të afërmit e të bllokuarve qanin dhe luteshin për sigurinë e të dashurve të tyre.
    Shembjet e ndërtesave janë të zakonshme në Pakistan, ku standardet e ndërtimit shpesh zbatohen dobët. Shumë ndërtesa janë ndërtuar me materiale nën standard dhe rregulloret e sigurisë shpesh injorohen për të ulur kostot.
    Në qershor 2020, një pallat apartamentesh u shemb në Karaçi, kryeqytetin e provincës jugore të Sindhit, duke vrarë 22 persona.

    Top Channel

  • Shëmbet pallati në Pakistan, 7 persona humbin jetën

    Shëmbet pallati në Pakistan, 7 persona humbin jetën

    Të paktën 7 persona kanë humbur jetën dhe 8 të tjerë janë plagosur sot në Karaçi, qyteti më i madh i Pakistanit, pas shembjes së një ndërtese pesëkatëshe. Sipas autoriteteve, disa persona ndodhen ende të bllokuar nën rrënoja.

    Rreth 100 persona banonin në ndërtesën e shembur, tha për agjencinë AFP një oficer lokal policie, Arif Aziz. Ndërkohë, ekipet e shpëtimit dhe banorët e zonës po punojnë për të nxjerrë të mbijetuarit, pasi tragjedia ndodhi në orën 08:10 me orën lokae.
    Sipas Saad Edhi nga fondacioni Edhi, që po merr pjesë në operacionin e shpëtimit, mendohet se nën rrënoja mund të ndodhen edhe 8 deri në 10 persona.

    Një nga banorët, 30-vjeçari Shankar Kamho, që ndodhej jashtë në momentin e ngjarjes, tregoi për AFP: “Gruaja më telefonoi dhe më tha se ndërtesa kishte filluar të çante. I thashë të dalë menjëherë. Ajo shkoi të paralajmëronte fqinjët, por një grua i tha se ndërtesa ‘do të mbajë dhe 10 vjet’. Pastaj mori vajzën tonë dhe doli. 20 minuta më vonë, ndërtesa u shemb.”
    Shtatë trupa janë nxjerrë deri më tani nga rrënojat dhe 8 të plagosur kanë marrë ndihmë mjekësore, sipas autoriteteve lokale të emergjencës.
    Një tjetër banor, 70-vjeçari Jumho Mahesëari, tha se gjashtë anëtarë të familjes së tij ndodheshin brenda apartamentit në katin përdhe kur ai doli për në punë. “E gjithë familja ime ndodhet nën rrënoja… vetëm mund të lutem që të dalin gjallë,” tha ai.
    Ngjarje të tilla nuk janë të rralla në Pakistan, ku shpeshherë nuk respektohen rregullat e ndërtimit dhe përdoren materiale të dobëta. Në qershor 2020, një ndërtesë me 40 apartamente u shemb në të njëjtën zonë, duke shkaktuar 18 viktima.

  • Të paktën pesë të vrarë nga një bombë rrugore në ish-bastionin e talebanëve në Pakistan

    Të paktën pesë të vrarë nga një bombë rrugore në ish-bastionin e talebanëve në Pakistan

    Të paktën pesë persona u vranë dhe 11 të tjerë u plagosën në një sulm me bombë në Bajaur, një distrikt në provincën veriperëndimore Khyber Pakhtunkhwa të Pakistanit. Një bombë buzë rrugës shpërtheu të mërkurën dhe goditi një automjet që transportonte një administrator qeveritar, duke shkaktuar viktima mes tyre edhe Ndihmës Komisionerin Faisal Sultan, sipas shefit të policisë së qarkut, Waqas Rafique.

    Të plagosurit u transportuan në spital, ku disa prej tyre janë në gjendje kritike. Asnjë grup nuk ka marrë menjëherë përgjegjësinë për sulmin, por autoritetet dyshojnë se faji i përket talebanëve të Pakistanit, të njohur si Tehreek-e-Taliban Pakistan (TTP).

    Grupi TTP, i cili shpesh sulmon forcat e sigurisë dhe civilët në rajon, është një aleat i ngushtë i talebanëve afganë që morën pushtetin në Afganistan në vitin 2021, pas tërheqjes së forcave amerikane dhe të NATO-s. Shumë udhëheqës dhe luftëtarë të TTP-së kanë gjetur strehim në Afganistan dhe kanë jetuar atje hapur që nga marrja e pushtetit nga talebanët, duke forcuar kështu kapacitetet e tyre operacionale.

  • Sulmi me bombë në Pakistan vret të paktën 13 ushtarë, akuzohet India, reagon Delhi

    Sulmi me bombë në Pakistan vret të paktën 13 ushtarë, akuzohet India, reagon Delhi

    Një sulm me bombë në një makinë në Pakistan ka vrarë të paktën 13 ushtarë dhe ka plagosur civilë, në rajonin veriperëndimor të Vaziristanit, pranë kufirit me Afganistanin, të shtunën.

    Pakistani pretendoi se militantët pas sulmit, mbështeteshin nga India, por Delhi e mohoi shpejt këtë.

    Duke hedhur poshtë akuzën e Pakistanit, Randhir Jaiswal, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Indisë, postoi në X: “Ne e hedhim poshtë këtë deklaratë me përbuzjen që meriton.”

    Sulmi është marrë përsipër nga një krah i grupit të armatosur Hafiz Gul Bahadur, një fraksion i talibanëve të Pakistanit.

    Megjithatë, ushtria e Pakistanit tha se sulmi u krye nga militantë të mbështetur nga India, pa ofruar prova.

    “Në këtë incident tragjik dhe barbar, tre civilë të pafajshëm, përfshirë dy fëmijë dhe një grua, u plagosën rëndë”, tha ushtria pakistaneze në një deklaratë.

    Kryeministri i Pakistanit Shehbaz Sharif e dënoi “aktin frikacak”.

    Marrëdhëniet midis dy kombeve kanë qenë prej kohësh të tendosura, por tensionet u thelluan në prill pas një sulmi vdekjeprurës ndaj turistëve në Kashmirin e administruar nga India, ku humbën jetën 26 persona.

    India fajësoi Pakistanin për strehimin e anëtarëve të një grupi militant që tha se qëndronin pas sulmit, dhe incidenti i çoi dy vendet e armatosura me armë bërthamore në prag të një lufte tjetër, shkruan BBC.

  • Të paktën 24 të vdekur nga shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet në Pakistan

    Të paktën 24 të vdekur nga shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet në Pakistan

    Të paktën 24 persona, gjysma e të cilëve fëmijë, kanë vdekur në Pakistan nga përmbytjet e menjëhershme ose shembjet e shtëpive të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm që nga fillimi i sezonit të musoneve të mërkurën.

    “Përmbytjet e rrëmbyeshme vranë 11 persona, përfshirë katër fëmijë dhe tre gra, ndërsa gjashtë persona u plagosën” dje, ndërsa “56 shtëpi u dëmtuan, nga të cilat gjashtë u shkatërruan plotësisht”, tha një raport nga Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive të provincës Khyber Pakhtunkhwa, në pjesën veriperëndimore, e cila kufizohet me Afganistanin.
    Raporti tha se 10 persona në Luginën Swat u rrëmbyen nga një lumë që doli nga shtrati.

    JUST IN:15 members of a family hailing from Sialkot, Punjab were swept away in the Swat River due to flood in Mingora, Swat. #mingora#swat #pakistan #flood pic.twitter.com/fN5W3ni576
    — 𝕊𝕡𝕖𝕒𝕜 𝕗𝕠𝕣 𝕌𝕞𝕞𝕒𝕙🇵🇰🇸🇦🇮🇷🇹🇷🇧🇩 (@HistoryHanker) June 27, 2025

    Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive të Punjabit, provinca më e populluar e vendit me një popullsi prej gati 130 milionë banorësh në pjesën lindore, numëroi 13 vdekje deri të mërkurën. Tetë nga viktimat ishin fëmijë, të gjithë vdiqën kur çatia ose muri i shtëpisë së tyre u shemb.
    Departamenti Meteorologjik i Pakistanit paralajmëroi për rrezikun e shirave të rrëmbyeshëm dhe për përmbytje të tjera të menjëhershme deri të paktën të martën.

    Top Channel

  • Pakistan/ Përmbytje të mëdha në rajonin veri-perëndimor, 11 të vdekur dhe 6 të plagosur

    Pakistan/ Përmbytje të mëdha në rajonin veri-perëndimor, 11 të vdekur dhe 6 të plagosur

    Të paktën 11 persona, përfshirë tre fëmijë dhe tre gra, kanë humbur jetën nga përmbytjet e menjëhershme në rajonin malor veriperëndimor të Pakistanit.

    Sipas një deklarate të Autoritetit për Menaxhimin e Fatkeqësive në provincën Khyber Pakhtunkhëa, përmbytjet kanë lënë të plagosur edhe gjashtë persona të tjerë. Po ashtu, janë dëmtuar 56 banesa, ndërsa gjashtë prej tyre janë shkatërruar plotësisht.

    Dhjetë nga viktimat janë regjistruar në Luginën Swat, ku një rritje e papritur e nivelit të ujit në një lumë ka përfshirë familjet që ndodheshin në brigjet e tij, raportojnë mediat lokale.

    Shërbimi Kombëtar Meteorologjik i Pakistanit ka paralajmëruar se rreziku për reshje të dendura dhe përmbytje të mëtejshme mbetet i lartë të paktën deri ditën e martë të javës që vjen.

    Pakistani është një nga vendet më të cenueshme ndaj ndryshimeve klimatike në botë, me një popullsi prej rreth 240 milionë banorësh, po përballet gjithnjë e më shpesh me ngjarje ekstreme të motit.

    Në maj, rreth 24 persona humbën jetën në stuhi të forta në Pakistan. Në gusht të vitit 2022, një e treta e vendit u përmbyt për shkak të reshjeve të papara të musoneve, duke prekur më shumë se 33 milionë njerëz./DW