Tag: pagesave

  • Rreziku i sulmeve kibernetike, bankat qendrore të Evropës përgatisin njerëzit për krizat emergjente: Mbani para cash

    Rreziku i sulmeve kibernetike, bankat qendrore të Evropës përgatisin njerëzit për krizat emergjente: Mbani para cash

    Një skenë që mund të na kujtojë filma shqiptarë, ku të moshuarit ruajnë paratë në valixhe, nën dyshekë, ose në vende të fshehura imagjinare, është e ngjashme me direktivën e Bankës Qendrore të Holandës. Kjo e fundit rekomandon që familjet të kenë një sasi të mjaftueshme parash në shtëpi për të mbuluar nevojat themelore për të paktën tre ditë, në rast emergjence.
    Edhe pse mund të duket e vjetëruar në një kohë kur Inteligjenca Artificiale ka përparuar kaq shumë, ky paralajmërim është ende shumë i rëndësishëm dhe serioz. Banka thekson se një sulm kibernetik masiv ose një çregullim teknik në sistemet e pagesave mund të lërë qytetarët pa mundësi për të blerë madje edhe produktet më thelbësore.
    Përgatitja për tre ditë emergjente është një masë e rekomanduar, me Bankën që sugjeron që çdo familje të ketë të paktën 70 euro për të rritur dhe 30 euro për fëmijë në para të gatshme, për të mbuluar shpenzimet për ushqim, ujë, ilaçe dhe transport gjatë një periudhe emergjente 72-orëshe. Ky është minimumi i nevojshëm për të siguruar mbijetesën në kushte të tilla dhe lidhet me direktivën evropiane për sigurinë ushqimore në periudha krize, që ka shqetësuar qytetarët europianë.

    Kjo përgatitje është një pasojë e rrezikut në rritje nga sulmet kibernetike, që po shoqërohen me tensione gjeopolitike, të cilat mund të shkaktojnë sulme ndaj infrastrukturës kritike, përfshirë sistemet bankare dhe ato të pagesave elektronike. Banka e Holandës përmendi, gjithashtu, ndërprerjen e energjisë në Spanjë dhe Portugali vitin e kaluar, e cila shkaktoi ndërprerje të përkohshme të sistemeve të pagesave elektronike. Po ashtu, u rekomandua që tregtarët të ofrojnë mundësi alternative të pagesës, si p.sh. skanerët për kodet QR, për të mundësuar pagesat edhe në rast se sistemet tradicionale nuk funksionojnë.
    Në Suedi dhe Norvegji, po ashtu, janë bërë hapa të ngjashëm. Ministria Suedeze e Mbrojtjes shpërndau një fletëpalosje në çdo shtëpi me këshillën për të mbajtur para në dorë dhe për të pasur të paktën një javë para për t’u përgatitur për emergjenca. Banka Qendrore Suedeze thekson se është e rëndësishme që të forcohet përgatitja dhe të sigurohet që të gjithë qytetarët të mund të paguajnë, përfshirë përmes përdorimit të parave fizike, edhe në kushte krize.
    Një vit më parë, Norvegjia miratoi një ligj që detyron shitësit me pakicë të pranojnë para në dorë dhe, në rast se nuk e bëjnë, ata mund të ndëshkohen me sanksione. Qeveria norvegjeze gjithashtu rekomandon që qytetarët të mbajnë para fizike për shkak të rrezikut nga sulmet kibernetike ndaj sistemeve të pagesave dixhitale.
    /vizionplus.tv

  • Shqiptarët kryen 14.8 milionë pagesa me para elektronike në 2024

    Shqiptarët kryen 14.8 milionë pagesa me para elektronike në 2024

    Pagesat e shqiptarëve nëpërmjet institucioneve financiare të parasë elektronike u rritën përsëri vitin e kaluar.

    Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për vitin 2024 numri i pagesave me para elektronike arriti në 14.8 milionë, në rritje me 5% krahasuar me vitin 2023.
    Megjithatë, volumi total i transaksioneve pësoi rënie në 86.8 miliardë lekë, 5.2% më pak krahasuar me një vit më parë.

    Numri i përdoruesve të pagesave nëpërmjet parasë elektronike vazhdon të shënojë rritje të shpejtë, bazuar në numrin e llogarive aktive.
    Numri i llogarive të parasë elektronike në fund të vitit të kaluar arriti në pothuajse 270 mijë, shifër kjo 76% herë më e lartë krahasuar me një vit më parë. Që prej vitit 2019, kur Banka e Shqipërisë ka nisur raportimin e këtij treguesi, numri i llogarive të parasë elektronike është rritur me 30 herë.

    Rritja e numrit të pagesave dhe të përdoruesve të tregut të parasë elektronike ka ndjekur një interes të lartë të investitorëve për këtë treg dhe shtimin e numrit të subjekteve të licencuara.
    Ligji i ri “Për shërbimet e pagesave”, miratuar në vitin 2020, i dha një shtysë të fortë interesit të investitorëve për tregun e shërbimeve të parasë elektronike. Sipas Bankës së Shqipërisë, numri i institucioneve të licencuara të parasë elektronike ka arritur tashmë në 10.
    Megjithatë, ligji i ri nuk ka qenë ende plotësisht i zbatueshëm në të gjitha dispozitat e tij, veçanërisht në konceptin kyç të bankingut të hapur (open banking), që duhet të mundësojë përdorimin e llogarisë bankare për të kryer shërbime pagesash edhe nëpërmjet institucioneve të tjera financiare.
    Mes fundit të vitit 2024 dhe fillimit të vitit 2025, u licencuan operatorët e parë të shërbimeve të bazuara në bankingun e hapur. Operatorët e licencuar kanë njoftuar ndërkohë edhe kryerjen e transaksioneve të para.
    Rritja e numrit të llogarive dhe të pagesave me para elektronike, megjithatë, duhet lexuar me kujdes. Një pjesë e veprimeve me para elektronike ngelen të lidhura me veprime në para fizike, siç mund të jenë format e ndryshme të pagesave që qytetarët kryejnë nëpërmjet sporteleve fizike të parasë elektronike në formë cash, por që më tej ekzekutohen nëpërmjet terminaleve të parasë elektronike të këtyre operatorëve.
    Gjithashtu, disa prej institucioneve të reja të parasë elektronike, e lidhin hapjen e llogarive të parasë elektronike me disbursimin e kredive të kompanive të grupit. Për këtë arsye, një pjesë e rritjes që tregojnë është e lidhur me faktorë anësorë dhe që nuk përfaqësojnë në vetvete një depërtim direkt të formave fintech të pagesave.
    Deri tani, fokusi kryesor i institucioneve të reja fintech ka qenë kryesisht krijimi i portofoleve elektronike nëpërmjet të cilave klientët mund të kryejnë një spektër të gjerë pagesash, të qendërzuara në aplikacionet e tyre.
    Shërbimet e pagesave përfshijnë pagesën e faturave dhe utiliteteve, transfertat e parave, blerjet online ose në pikat e shitjes, etj. Në përgjithësi, synimi është krijimi i të ashtuquajturave Super Apps, ku klientët mund të kryejnë blerje apo pagesa për shumicën e nevojave të zakonshme konsumatore.
    Megjithatë, disa prej institucioneve të parasë elektronike po e gërshetojnë konceptin e fintech edhe me instrumentet më klasike të pagesave, si kartat, për të krijuar një urë me infrastrukturën e sektorit bankar dhe operatorëve globalë të sistemeve të pagesave, si Visa apo Mastercard. /Monitor

  • 1.3 mld euro pagesa, rritet përdorimi i monedhës edhe në transaksionet në vlera të mëdha

    1.3 mld euro pagesa, rritet përdorimi i monedhës edhe në transaksionet në vlera të mëdha

    Një euro e paqëndrueshme nuk i ka penguar as pagesat me shuma të mëdha në këtë valutë.

    Transaksionet në euro të kryera për 3 muajt e parë të vitit kanë shënuar vlera të larta. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, sistemi ndër bankar i pagesave me vlerë të madhe, AIPS i cili u mundëson si individëve, por edhe bizneseve transfertat dhe pagesat me komisione të ulëta, regjistroi 27 mijë e 948 transaksione vetëm në muajin mars.
    Në rritje krahasuar me fillimvitin por dhe të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
    Ndonëse janë një indikacion edhe për nivelin e lartë të përdorimit të Euros në transaksionet e brendshme ekonomike, pagesat në euro nga AIPS qëndrojnë të larta edhe në vlerë. Vetëm në 3 muajt e parë arritën në 1.3 mld euro.(grafik)
    Një tregues kryesor i rritjes së përdorimit të këtyre pagesave janë edhe blerjet që individët apo bizneset kryejnë në shuma të mëdha, pronat, automjetet, apo dhe lëvizjet ndërmjet bankave. Pavarësisht se për një transfertë prej 100 mijë eurosh bizneset paguajnë më pak se 50 euro komision, ndërsa në pagesat më të vogla se 10 mijë euro komisioni është deri në 6 euro, pasiguritë nga kursi i këmbimit ndër vite i kanë stepur individët dhe bizneset.
    Qëllimi kryesor i krijimit të sistemit AIPS Euro është kryerja e pagesave në Euro brenda vendit me kosto më të ulët dhe me një periudhë kohore më të shkurtër. Por në drejtim të modernizimit të sistemeve të pagesave, Banka e Shqipërisë lajmëroi edhe vënien në funksion të skemës së transfertave të kreditit SEPA. Teksa transaksionet e para ndërkufitare SEPA pritet të realizohen në muajin tetor 2025.
    NUMRI I TRANSAKSIONEVE
    (Burimi: Banka e Shqipërisë)
    JANAR          25.865
    SHKURT       27.147
    MARS           27.948
    VLERA E TRANSAKSIONEVE JANAR-MARS
    (Burimi: Banka e Shqipërisë)
    1.3 MLD EURO
     
     
     
     

    Top Channel

  • Banka e Shqipërisë zbaton standardin e ri ndërkombëtar të pagesave dhe raportimit financiar ISO 20022

    Banka e Shqipërisë zbaton standardin e ri ndërkombëtar të pagesave dhe raportimit financiar ISO 20022

    Banka e Shqipërisë hedh një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit financiar, duke u bërë pjesë e listës së institucioneve financiare në shkallë botërore që zbatojnë standardin e ri të pagesave ISO 20022. Ky standard ndërkombëtar modern synon të përmirësojë shkëmbimin e të dhënave në transaksionet e pagesave, duke rritur sigurinë, transparencën dhe efikasitetin në sektorin bankar.
    Nga data 10 mars 2025, Shqipëria është zyrtarisht pjesë e rrjetit të vendeve që zbatojnë ISO 20022 për transaksionet ndërkufitare dhe raportimin financiar (Cross-Border and Reporting Plus – CBPR+). Kjo e rendit vendin tonë ndër të parët në rajon që e implementon këtë standard, madje në një kohë rekord përpara afatit zyrtar global, të caktuar në nëntor 2025.

    Banka e Shqipërisë është institucioni i parë financiar në vend dhe në rajon që është plotësisht i përgatitur për përpunimin e pagesave ndërkombëtare sipas këtij standardi. Ky fakt e vendos atë mes 33% të institucioneve financiare në botë që kanë adoptuar tashmë ISO 20022, sipas të dhënave të publikuara nga SWIFT.com.
    Një hap drejt modernizimit të sistemit financiarPërfshirja e Shqipërisë në këtë standard është pjesë e një procesi më të gjerë modernizimi të infrastrukturës së pagesave dhe përafrimi me praktikat më të mira globale në sektorin financiar. ISO 20022 ofron përmirësime të dukshme në cilësinë dhe përpunimin e të dhënave financiare, duke rritur efikasitetin dhe sigurinë e transaksioneve.
    Ky zhvillim është një hap i rëndësishëm për përfshirjen më të gjerë të Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare financiare dhe për të forcuar besueshmërinë e institucioneve vendase në sistemin global të pagesave.
    Ky sukses konfirmon angazhimin e Bankës së Shqipërisë për të ndjekur dhe implementuar risitë teknologjike dhe rregullatore që sigurojnë një sistem financiar më të sigurt, më të shpejtë dhe më të standardizuar për të gjithë përdoruesit.

  • Mastercard program në Shqipëri për pagesat elektronike

    Mastercard program në Shqipëri për pagesat elektronike

    Kompania amerikane e kartave Mastercard ka prezantuar një program të ri në Shqipëri për përshpejtimin e pranimit të pagesave elektronike. Përmes programit POSI, kjo kompani do të ofrojë terminale POS falas për tregtarët, me qëllim që të nxitet përdorimi i pagesave elektronike, përfshirjes financiare dhe formalizimit të ekonomisë.

    Sipas Kryeministrit Edi Rama, revolucioni digjital duhet të thellohet më tepër, duke nënvizuar se 83% e atyre bizneseve që përdorin POS kanë një rritje të dinamikës dhe numrit të klientëve të tyre.
    “Nga ky program, MasterCard do të shpërndajë 4750 terminale POS falas, në mënyrë që hotelet, restorantet, marketet dhe taksitë, të mund t’i aksesojnë ato pa qenë të shtrënguar që të dalin dhe t’i paguajnë në treg. Jo vetëm kaq, por MasterCrad ka edhe një limit të caktuar për përdoruesit e këtyre terminaleve, që nuk paguajnë asnjë komsionin, pra 0% të komisionit deri në një prag vjetor të caktuar. Nëse e kalojnë pragun, atëherë do të fillojnë të paguajnë komision”.

    Presidenti i MasterCard për Evropën, Mark Barnett theksoi se programi do të nisë zyrtarisht në 1 maj të këtij viti.
    “Programi nis me 1 maj 2025, pra vetëm pak ditë prej ditës së sotme”.

    Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko u shpreh se ekonomia shqiptare mund të kursejë miliarda euro nga zëvendësimi i pagesave me para fizike në pagesa elektronike.
    “Nga një zëvendësim i pagesave me para fizike në masën 35% po të kryhen me kartë, mund të kurseheshin mesatarisht rreth 2 miliardë lekë në nivel ekonomie. Për më tepër, nëse ky zëvendësim, pra i pagesave cash, me para fizike, në pagesa me kartë në masën 70%, nëse do të kryhej, atëherë do të kurseheshin rreth 8 miliardë lekë në nivel ekonomie”.
    Megjithëse terminalet POS janë dyfishuar dhe pagesat me karta janë rritur me 7 herë në 4 vitet e fundit, sërish vendi ynë mbetet mbrapa shumë shteteve të tjera evropiane. Kjo për arsye të kulturës së rrënjosur te shqiptarët për realizimin e pagesave me para në dorë, apo kostot që kanë bizneset nga realizimi i transaksioneve me terminale POS

  • Shqiptarët, populli  me varësinë më të lartë të përdorimit të parasë cash

    Shqiptarët, populli me varësinë më të lartë të përdorimit të parasë cash

    Në fund të vitit 2024 vlera e parasë që qarkulloi jashtë bankave arriti në 4.4 miliard euro, me afro 400 milion më shumë nga viti 2023. Ky nivel përdorimi të parasë jashtë kanaleve bankare e kthen Shqipërinë në vendin me varësinë më të lartë të përdorimit të cash në ekonomi.

    Banka e Shqipërisë ka nisur të çojë përpara bankingun e hapur si një mjet që do të ulë kostot, nxisë pagesat elektronike, por për ekspertët e sistemit të pagesave  edukimi financiarë është një nga shkaqet kryesore të këtij realiteti.

    “Është një zakon që trashëgohet brez pas brezi për përdorimin e parasë cash. Ne sot shohim dhe dëgjojnë brezin e ri që përdor termat mbi lekun e vjetër apo të ri, njësoj siç i dëgjon në familje. Përveç zakonit, qytetarët ndihen më të sigurt me një mjet pagese që e prekin, siç është paraja fizike. Bota virtuale duket si një hapësirë e pasigurt për shumicën e shqiptarëve. I gjithë ky realitet vjen nga mungesa e informacionit dhe edukimit financiar të popullatës”, – tha Bora Ferri gjatë një interviste në Vizion Plus.
    Arsyeja e dytë e këtij realiteti lidhet me kostot. Tregu shqiptar ka kostot më të lartë në rajon për pagesat me kartë dhe kjo step bizneset t’i përdorin.
    “Çdo nismë për nxitur më tej përdorimin pagesave elektronike është e mirëpritur. Sot nuk është problem që bizneset të pajisjen me një POS, pasi ato jepen falas nga bankat. Por e gjithë infrastruktura që do të grihet për integrimin e tyre me sistemet e pagesave ka një kosto, së bashku dhe me komisionin. Për një transaksion në Shqipëri paguhet 2-3% të vlerës, ndërsa në Serbi 0.9%. Është detyrë e institucioneve që të ndikojnë me politikat e tyre për të hapur më shumë tregun dhe për ndikur në uljen e këtyre kostove”, sqaroi Ferri në emisionin “E-ZONE”
    Përfshirja financiare, e matur si përqindje e popullsisë që zotëron të paktën një llogari financiare, ka arritur në 78% nga rreth 40% në vitin 2015. Instrumente të reja, si pagesat nëpërmjet portofolave elektronikë, po gjejnë përdorim më të gjerë, duke u shtrirë edhe në popullsi ku aksesi bankar është më i rrallë.
     

  • Nga muaji maj, pagesa me kartë në disa sektorë

    Nga muaji maj, pagesa me kartë në disa sektorë

    Shqipëria mbetet ndër vendet me pagesat elektronike më të ulëta për frymë në rajon e më gjerë. Të dhënat e vitit 2024 flasin se u kryen 23 pagesa për frymë nga 21 që ishte kjo shifër në 2023.

    Por rritja e shpejtë e sektorit të turizmit ka nxitur pagesat dhe nevojën për të ofruar këtë alternative pagese. Qeveria pritet të zbatojë një projekt konkret për rritjen e tyre.

    Në bashkëpunim edhe me kompanitë ndërkombëtare të ofrimit të pagesave, qeveria parashikon që nga muaji maj të nisë një projekt për të pajisur me terminale  pagesash POS (point of sale) bizneset e vogla dhe të mesme.
    Ministrja e sipërmarrjes, Delina Ibrahimaj, gjatë një interviste për emisionin “E-ZONE” bëri publike disa detaje nga projekti.
    “Ne duam që të nxisim më tej pagesat elektronike, si një mjet që kursen kohë dhe kursen para si për bizneset dhe për qytetarët. Në vitin e parë synojmë që të pajisen bizneset, ku përdorimi i pagesave cash është i lartë me 4.700 terminale pagesash POS. Jemi në diskutim dhe me ofruesit e këtyre shërbimeve, që janë kompanitë ndërkombëtare për të parë dhe një kufi transaksioni, i cili do të përjashtohet nga komisionet”, – tha Ibrahimaj.
    Në fund të viti 2024 në vendin tonë numërohen rreth 24.500 terminale pagesash elektronike, POS. Gati 70% e tyre janë të shpërndara në kryeqytet. Por bumi turistik ka nevojë të shoqërohet edhe me shërbime komode dhe të shpejta për turistët e huaj

    “Ne duam që fillimisht të fokusohemi te tre sektorë, ku përdorimi i parasë cash në pagesa është shumë i lartë. Në sektorin horeka, pra bare restorante dhe hotele. Një tjetër sektor është edhe ai i transportit me taksi si dhe tek marketet. Bizneset në këto sektorë do të përfitojnë falas pajisjen e pagesave POS”, – tha Ibrahimaj.
    Sipas studime të kryera, katër janë arsyet pse shqiptarët kanë këtë nivel të ulët të përdorimit të pagesave elektronike: kostot e larta, shqetësimet mbi sigurinë, infrastruktura si dhe varësia e lartë e përdorimit të parasë fizike.

  • Qeveria e Shqipërisë përshpejton transformimin digjital të ekonomisë lokale në bashkëpunim me Mastercard

    Qeveria e Shqipërisë përshpejton transformimin digjital të ekonomisë lokale në bashkëpunim me Mastercard

    Digjitalizimi i ndërmarrjeve mikro, të vogla, e të mesme, dhe pajisja e tyre me zgjidhje digjitale që i përgjigjen nevojave të tyre specifike, është një objektiv i përbashkët i Qeverisë Shqiptare dhe Mastercard.

    Programi kombëtar i përshpejtimit të pranimit të pagesave digjitale, nën moton “POSÌ”, i financuar nga Mastercard dhe bankat partnere, e bën më të lehtë adoptimin e këtij sistemi për biznesin e vogël.
    Tiranë, Shqipëri, 28 Mars 2025
    Nisja e Programit Kombëtar të Përshpejtimit të Pranimit te Pagesave Digjitale është vetëm hapi i parë drejt krijimit të një partneriteti afatgjatë mes Mastercard dhe Qeverisë së Shqipërisë. Ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (MSME) shqiptare janë gati të përqafojnë të ardhmen digjitale, me një rritje të adoptimit të sistemeve të pagesës në pikat e shitjes (POS), nëse janë të disponueshëm mekanizmat e duhur mbështetës. Kjo është gjetja kryesore e një studimi të Mastercard mbi pranimin e POS-ve nga bizneset në të gjithë Shqipërinë. Programi synon të adresojë këtë çështje dhe për t’u sigurojë MSME-ve pagesa digjitale më të aksesueshme. Motoja e programit është “POSÌ”, (Po, sigurisht) duke pasqyruar gatishmërinë e biznesit dhe qeverisë për të mirëpritur rritjen e pagesave elektronike dhe për t’u bërë më konkurrues për konsumatorët vendas dhe të huaj.
    Programi do të mbështesë MSME-të në kategoritë kryesore të bizneseve: markete, hotele, bar-restorante & taksi. Bizneset e kualifikuara mund të aplikojnë për të marrë një terminal POS më të favorshëm nga një bankë, partner i programit, dhe të kenë tarifa promocionale për të gjitha transaksionet me kartë deri në një shumë të paracaktuar të transaksioneve vjetore me kartë*. Programi fillon më 1 maj 2025 dhe do të përfundojë ose pas shpërndarjes së 4.750 terminaleve të reja POS, ose më 30 prill 2026, cilado ndodh më parë.

    “Mastercard vjen në Shqipëri për të nisur një produkt të domosdoshëm për tregun, të mirëpritur nga Banka e Shqipërisë dhe nga bankat e nivelit të dytë dhe shumë të dobishëm për qytetarët e këtij vendi. Është pozitive që mbi 50% e operatorëve të biznesit që e konsiderojnë pozitive mundësinë. Unë besoj që është një ditë shumë e mirë për ne, është një ditë shumë e mirë për tregun, është një ditë shumë e mirë për bankat”, tha Z. Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë.
    “Shqipëria po ecën me ritme të shpejta drejt një ekonomie moderne dhe të formalizuar, duke përqafuar inovacionin dhe digjitalizimin si shtylla kyçe të zhvillimit. Me një rritje të ndjeshme të pagesave elektronike dhe një ekonomi që po hapet gjithnjë e më shumë ndaj tregjeve globale, ne po krijojmë mundësi të reja për bizneset dhe qytetarët tanë. Turizmi ynë në rritje e kërkon këtë transformim, dhe me programe si POSI, po e bëjmë Shqipërinë një model suksesi në rajon, një vend më të hapur dhe më të gatshëm për të përqafuar të ardhmen digjitale.”, u shpreh Znj. Delina Ibrahimaj, Ministër Shteti për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.

    Që Europa të jetë e begatë, bizneset e vogla duhet të lulëzojnë. Ne në Mastercard i njohim mirë sfidat që kanë kaluar bizneset e vogla të rajonit si pasojë e pandemisë, turbulencave gjeopolitike dhe pasigurisë ekonomike. Prandaj mirëpresim angazhimin e Qeverisë Shqiptare për të luajtur një rol udhëheqës në mbështetjen e rritjes së tyre afatshkurtër dhe afatgjatë. Kjo iniciativë vjen në një moment kyç, teksa Shqipëria renditet ndër 3 destinacionet më të preferuara për turistët, sipas Institutit Ekonomik të Mastercard,” tha Z. Mark Barnett, President i Mastercard Europe.
    Interesi në rritje, por sfidat kryesore mbesin vazhdojnë
    MSME përbëjnë 99.9% të ndërmarrjeve aktive në Shqipëri dhe punësojnë mbi 80% të fuqisë punëtore. Megjithëse kanë një rol dominues në ekonomi, studimi i Mastercard ka treguar se vetëm 40% e tyre -ve aktualisht kanë një terminal POS, dhe ndër to, vetëm 22% identifikohen si “përdorues të shpeshtë” të transaksioneve me POS.
    Studimi i Mastercard thekson një interes në rritje për pagesat digjitale midis tregtarëve shqiptarë. Shumë biznese e shohin POS-in si një mundësi për të zgjeruar praninë e tyre digjitale, por përballen me sfida të rëndësishme, përfshirë kostot në rritje të operimit, pasigurinë ekonomike, shqetësimet për sigurinë, infrastrukturën e dobët dhe varësinë e vazhdueshme nga pagesat me para në dorë. Një pengesë kryesore për adoptimin e POS është perceptimi midis mikro-bizneseve se këto sisteme ofrojnë përfitime të kufizuara në raport me kostot.

    Teksa përdoruesit e POS-it janë kryesisht biznese të vogla dhe të mesme me model shitjeje direkte për konsumatorin, mos-përdoruesit janë kryesisht mikro-ndërmarrje që vazhdojnë të preferojnë pagesat me para në dorë. Vlen të theksohet se 51% e bizneseve që nuk përdorin POS-et po e konsiderojnë adoptimin e tyre në të ardhmen e afërt, kryesisht të nxitur nga dëshira për të ofruar më shumë opsione pagese, për të përmirësuar kënaqësinë e klientëve dhe për të rritur efikasitetin e biznesit. Interesi më i lartë vërehet te dyqanet ushqimore (64%), akomodimet (60%), dhe vendet e ngrënies (58%).

    Pajisja me POS dhe Rritja e Biznesit
    Ndër bizneset që tashmë përdorin POS, 83% e tyre veprojnë me një model të drejtpërdrejtë me konsumatorin (B2C) dhe raportojnë një perspektivë pozitive për rritjen e tyre në të ardhmen. Studimi tregon se 82% e përdoruesve të POS-eve presin zgjerim të biznesit, ndërsa 21% kanë vënë re një rritje mesatare të të ardhurave (15-25%) pas adoptimit të pagesave me kartë, ndërkohë që 43% kanë shënuar një rritje të lehtë (5-10%).
    Barrierat për Adoptimin e Pagesave Digjitale
    Studimi identifikon disa barriera kryesore për adoptimin më të gjerë të POS-eve, përfshirë pasigurinë, kufizimet financiare dhe skepticizmin mbi kërkesën e klientëve për pagesa me kartë. Tarifat e perceptuara si të larta për transaksione dhe mungesa e informacionit u përmendën nga 41% e bizneseve që nuk përdorin POS-et si arsyet kryesore për mos zbatimin e kësaj teknologjie. Për më tepër, shumë mikro-ndërmarrje dhe biznese B2B nuk janë të vetëdijshme për opsionet e POS-eve ose hasin vështirësi në integrimin e pagesave digjitale në operacionet e tyre ekzistuese.

    Mundësimi i Adoptimit të Gjerë të POS-eve
    Për të mbështetur digjitalizimin e pagesave, studimi përshkruan disa mundësi për të përshpejtuar adoptimin e POS-eve:

    Rritja e Ndërgjegjësimit dhe Edukimit: Ofrimi i trajnimeve të fokusuara dhe fushatave informuese për mikro-ndërmarrjet dhe bizneset B2B mbi përfitimet e POS-eve, si rritja e të ardhurave dhe përmirësimi i eksperiencës së klientëve.
    Lehtësimi i Barrierave Financiare: Ofrimi i modeleve konkurruese çmimesh, tarifave të qarta dhe përfitime financiare për bizneset e vogla.
    Përmirësimi i Mbështetjes Teknike: Trajtimi i çështjeve të besueshmërisë duke përmirësuar infrastrukturën dhe siguruar mbështetje për klientët.
    Forcimi i Angazhimit me Bankat: Inkurajimi i bankave për të angazhuar në mënyrë aktive bizneset që nuk përdorin POS, duke ofruar zgjidhje të përshtatura dhe udhëzime të qarta.

    _________
    Rreth Studimit
    Mastercard kreu këtë studim gjatë muajve Nëntor – Dhjetor 2024 për të vlerësuar barrierat kryesore dhe motivatorët/përfitimet për pranimin e pagesave me kartë nga MSME-të. Gjithashtu, studimi shqyrtoi kostot e infrastrukturës për pranimin e pagesave digjitale; iniciativat e shpallura që synojnë mbështetje për digitalizimin e pagesave; identifikoi sjelljen e klientëve: pagesat me para në dorë kundrejt pagesave digjitale (p.sh. frekuenca e kërkesave për pagesa me kartë nga klientët, shumat e shpenzuara me metoda të ndryshme pagesash, komoditeti i lidhur me pagesat digjitale, etj.); dhe shqyrtoi barrierat kryesore për zhvillimin e biznesit dhe statusin e përfshirjes financiare.
    Rreth Mastercard
    Mastercard fuqizon ekonomitë dhe fuqizon individët në më shumë se 200 shtete dhe territore në mbarë botën. Së bashku me klientët tanë, po ndërtojmë një ekonomi të qëndrueshme ku çdo individ mund të lulëzojë. Ne mbështesim një gamë të gjerë mundësish për pagesa digjitale, duke e bërë transaksionin të sigurt, të thjeshtë, të mençur dhe të aksesueshëm. Teknologjia dhe inovacioni ynë, partneritetet dhe rrjetet tona kombinohen për të ofruar një grup unik produktesh dhe shërbimesh që ndihmojnë individët, bizneset dhe qeveritë të realizojnë potencialin e tyre më të madh.
    Do të zbatohen kufij të ndryshëm për secilën kategori biznesesh

    Top Channel

  • Rama: 95% e shërbimeve në Shqipëri bëhen online, kursehen 650 milionë euro në total

    Rama: 95% e shërbimeve në Shqipëri bëhen online, kursehen 650 milionë euro në total

    Kryeministri Edi Rama në eventin për çeljen e Programit për Përshpejtimin e Pranimit të Pagesave Elektronike në partneritet me Mastercard Europe, tha se është e rëndësishme, që revolucioni dixhital të thellohet edhe për thjeshtësimin e pagesave në vend.
    Rama u shpreh se 95% e shërbimeve në Shqipëri bëhen online dhe kursehen 650 milionë euro në total tek qytetarët.
    Rama: Më vjen mirë, se kapitalistët e mëdhenj nuk shquhen për mbajtjen e fjalës, por këtë herë e mbajtën, këta të Mastercard-it e mbajtën këtë fjalë. Por mesa duket ka edhe një përqindje ADN-je këtej nga Ballkani dhe ja ku është, u kthye për të realizuar këtë dhe e mbajti fjalën.

    Për ne është e rëndësishme që Mastercard hyn në Shqipëri, edhe për faktin se e gjen tregun shqiptar të gatshëm për të adoptuar me produktin e gatshëm. Edhe për ne është e rëndësishme, që revolucioni dixhital të thellohet edhe për thjeshtësimin e pagesave në vend. Kemi bërë punë të jashtëzakonshme me shërbime online, 95% e tyre bëhen online, nuk kemi arritur ende të bëjmë online martesën, se na duhen dëshmitarët, të dashuruarit etj. etj., nuk e kemi arritur, por mbase një ditë do e arrijmë.
    Por ka edhe si ato me gjurmët e gishtërinjve, ku kërkohet prania e personit. 650 mln euro të kursyera nga ky program i shërbimeve online. Kemi të dhëna masive negative për sa i përket masivitetit të cash-it dhe pak me pagesa bankare. Nga 30% të personave me llogari bankare, tani kemi në 80% të qytetarëve me llogari bankare.
    /vizionplus.tv

  • Guvernatori Sejko: Përdorimi i kartave bankare u rrit me tre herë në katër vitet e fundit, kurse i transaksioneve me shtatë herë

    Guvernatori Sejko: Përdorimi i kartave bankare u rrit me tre herë në katër vitet e fundit, kurse i transaksioneve me shtatë herë

    Guvernatori Gent Sejko vlerësoi rritjen e pagesave me karta dhe dixhitalizimit financiar, që i shërben edhe ekonomisë dhe kursimit.

    “Në 4 vitet e fundit përdorimi i kartave është rritur 400 për qind ose tre herë më shumë. Shumica e pagesave sot bëhen me kartë, por edhe zgjerimi i përdorimit të POS-eve, kartave të debitit për blerje. Në katër vite është rritur 7 herë numri i transaksioneve, duke e krahasuar me vitin 2020”, tha ai.
    Sipas Bankës Botërore, sa më shumë të rritet shërbimi i pagesave dixhitale, aq më shumë kursehet në nivel ekonomik. Nëse këto kuota shkojnë në 70% në pagesa dixhitale, do të kurseheshin 8 mld lekë, nënvizoi guvernatori Sejko mes të tjerash.