Rritja e pagesave elektronike në ekonomi, përveçse nga turizmi dhe nga zhvillimi i tregut, po nxitet në një masë të madhe edhe nga nismat e institucionit rregullator.Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë disa nisma që në mënyrë direkte apo indirekte kanë nxitur formalizimin e pagesave dhe kanalizimin e tyre brenda sektorit financiar, me fokus më specifik sidomos kanalet dixhitale.Në vitin 2020, Banka e Shqipërisë vendosi të rregullonte komisionet e transfertave bankare në Lek.Masat e atëhershme parashikonin përjashtimin nga komisionet për transfertat e vogla deri në 20 mijë lekë që kryheshin nëpërmjet kanaleve dixhitale. Sipër kësaj shume, komisionet për pagesat elektronike duhet të ishin të paktën 50% më të lira se ato në degë.Në vitin 2022, ngritja e sistemit kombëtar për pagesat në Euro, AIPS Euro, mundësoi uljen e ndjeshme të komisioneve të transfertave në Euro brenda vendit dhe rritjen e volumeve të tyre brenda sektorit bankar.Në nëntor të vitit të kaluar, Shqipëria u anëtarësua zyrtarisht në SEPA, ndërsa nga 7 tetori, bankat shqiptare filluan operacionet në të. Hyrja në SEPA mundëson uljen e kostove dhe të afateve për kryerjen e transfertave ndërkombëtare.Në shtator të këtij viti, Banka e Shqipërisë miratoi edhe një paketë të re ndryshimesh në rregulloret e sistemeve të saj të pagesave.Këto ndryshime parashikojnë ulje të mëtejshme të komisioneve për transfertat bankare brenda vendit, në Lek dhe në Euro, si dhe aplikimin e limiteve të njëjta për transfertat kombëtare dhe ndërkombëtare në Euro.Banka Qendrore po punon njëkohësisht edhe në projekte të tjera që pritet t’i japin më shumë shtysë përdorimit të pagesave elektronike në ekonomi.Projekti i radhës madhor i Bankës së Shqipërisë në fushën e pagesave është edhe ai instant payments, ose i pagesave të shpejta.Ky projekt parashikon klonimin e sistemit të përdorur nga Banka e Italisë, sipas një marrëveshjeje të arritur mes palëve.Sistemi jo vetëm do të mundësojë kryerjen e transfertave pothuajse në kohë reale, por do t’u hapë rrugën edhe produkteve të reja, që do të konkurrojnë pagesat me kartë. Ngritja e këtij sistemi do të krijojë hapësira për një përdorim të gjerë të pagesave me QR Code.Gjenerimi i QR Code do të jetë i unifikuar, do të jetë një sistem i centralizuar dhe do të mundësojë shfaqjen e tij në çdo aplikacion, pavarësisht se cili institucion e përdor. Me një skanim të thjeshtë, mundësohet kryerja e pagesës për disa sekonda.Ngritja e sistemit TIPS ka si afat paraprak qershorin e vitit 2026, megjithatë nga puna e deritanishme në Bankën e Shqipërisë mendohet se ky afat mund të jetë pak ambicioz.Fakti që rishtazi në projekt është futur edhe një vend tjetër i Ballkanit Perëndimor, Maqedonia e Veriut, mund të bëjë që këto afate të rishikohen.Procesi është kompleks, sepse nuk përfshin vetëm Bankën e Shqipërisë, por kërkon investime dhe zhvillim kapacitetesh edhe për bankat tregtare. Sipas parashikimeve të fundit të Bankës Qendrore, përdorimi i sistemit të instant payment mund të fillojë në vjeshtën e vitit 2026.Një ndërhyrje tjetër që pritet të ulë kostot e pagesave elektronike është ulja e komisioneve të skemave të pagesave me kartë, kryesisht Visa dhe Mastercard.Në vitin 2015, Komisioni Europian vendosi nën rregullim këto tarifa (interchange fees), duke përcaktuar një nivel maksimal prej 0.2% për pagesat me kartë debiti dhe 0.3% për pagesat me kartë krediti.Banka e Shqipërisë ka vendosur të adoptojë këtë rregullore, si pjesë e procesit të përafrimit të legjislacionit me Bashkimin Europian. Vendosja e limiteve mbi këtë element të kostos pritet të sjellë një ulje të ndjeshme të komisionit total që paguajnë tregtarët për shitjet me kartë.Banka e Shqipërisë vlerëson se komisionet do të ulen në nivelin e 1% të transaksionit.Gjithashtu, Banka e Shqipërisë do të ndalojë praktikën e përcjelljes së komisioneve nga tregtarët te klientët që kryejnë blerje me kartë.Ulja e komisioneve për pranimin e pagesave me kartë pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në përdorimin e cash për transaksionet ekonomike.Një akses më i gjerë në pagesat me kartë gjithashtu do të lehtësonte pagesat sidomos nga turistët e huaj, që shpesh detyrohen të përdorin tërheqjet cash në ATM-të e zonave turistike, shërbim ky që për nga natyra e vet është i kushtueshëm. Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Tag: pagesave
-

Ekonomi “pa cash”: ambicioze apo utopike?
Qeveria ka shpallur objektivin për të bërë një ekonomi cashless brenda vitit 2030 duke nënkuptuar kanalizimin e shumicës së pagesave drejt instrumenteve alternative. Të dhënat e viteve të fundit tregojnë një rritje të shpejtë të pagesave elektronike në Shqipëri, por sidoqoftë, pagesat cash ngelen dominuese dhe objektivi i qeverisë duket ambicioz. Ersuin ShehuNjë nga objektivat madhorë të shpallur nga Kryeministri për mandatin e katërt qeverisës është zhvendosja drejt një ekonomie cashless (pa para fizike) brenda vitit 2030.Në vazhdim, ministrja e Ekonomisë ka paralajmëruar aplikimin e masave për uljen e përdorimit të cash në ekonomi vitin e ardhshëm.Objektivi për një ekonomi cashless nënkupton zëvendësimin e pjesës më të madhe të transaksioneve që kryhen me para fizike me forma alternative të pagesave, ku përfshihen shërbimet që ofron sektori bankar dhe financiar, si transfertat nga llogaria apo pagesat me kartë.Me zhvillimin e teknologjisë, transfertat nga llogaria sot mund të kryhen nëpërmjet kanaleve elektronike (internet banking), madje edhe pagesat me kartë në pikën e shitjes prej vitesh po konkurrohen me pagesat direkte nga llogaria, nëpërmjet QR Code.Në Shqipëri, teknologjia e pagesave në vitet e fundit ka ecur me ritme të shpejta. Kjo është reflektuar edhe në rritjen e numrit të pagesave nëpërmjet kanaleve alternative.Por, të dhënat e disponueshme, tregojnë se Shqipëria ngelet një ekonomi me dominim të përdorimit të parasë cash në transaksionet ekonomike.Dominimi i parasë fizike është i lidhur me faktorë të shumtë, duke filluar nga informaliteti dhe evazioni fiskal, niveli modest i edukimit financiar apo perceptimi se format alternative të pagesave janë më të kushtueshme, pa vendosur shpesh në balancë kostot dhe përfitimet e secilës formë pagese.Duke pasur parasysh gjendjen aktuale, objektivi për t’u zhvendosur drejt një ekonomie cashless në një afat pesëvjeçar duket ambicioz, por, megjithatë, së pari, ai duhet përkthyer në kontekstin e duhur.Një ekonomi cashless nuk duhet kuptuar si një ekonomi ku paraja cash nuk përdoret fare, por si një ekonomi ku ajo përdoret vetëm në një pakicë të transaksioneve të pagesave.Nga ana tjetër, të dhënat tregojnë se edhe në ekonomitë më të zhvilluara të Europës, paraja cash ngelet instrumenti kryesor i kryerjes së transaksioneve ekonomike, megjithëse pagesat elektronike janë në ekspansion të vazhdueshëm. Eurozona, 52% e pagesave kryhen në cash Sipas një ankete të kryer nga Banka Qendrore Europiane (ECB) me 40 mijë pjesëmarrës, 52% e transaksioneve ekonomike në Eurozonë gjatë vitit 2024 u kryen me para cash.Në 14 nga 20 vendet e Eurozonës, paraja cash është metoda më e përdorur e pagesës dhe përbën midis 45% dhe 55% të transaksioneve në gjysmën e vendeve anëtare.Duke krahasuar vendet në Eurozonë, përdorimi i parave të gatshme varion nga 22% në Holandë në 67% në Maltë.Europa Jugore dhe Lindore mbeten veçanërisht dominuese në përdorimin e parasë cash, me Italinë, që regjistron një total prej 61%, Spanjën, me një total prej 57% dhe Slloveninë, me 64%.Europa Veriore dhe Perëndimore, përfshirë Holandën (22%), Finlandën (27%), Luksemburgun (37%), Belgjikën (39%) dhe Francën (43%), priren më shumë drejt pagesave dixhitale.Midis katër ekonomive më të mëdha të BE-së, Franca është i vetmi komb nën mesataren e Eurozonës prej 52% për përdorimin e parasë cash, ndërsa Gjermania qëndron pak mbi këtë, në nivelin 53%.Megjithatë, e matur në vlerë, pesha e transaksioneve në cash është ndjeshëm më e ulët, me 39% të totalit në Eurozonë. Pesha e përdorimit të pagesave cash fillon nga 17% në Holandë, deri në 59% në Lituani.Mbështetje e lartë në para cash, me më shumë se 50% të shpenzimeve totale të bëra në para të gatshme, vërehet edhe në Sllovaki (56%), Slloveni (56%), Austri (56%), Maltë (54%) dhe Kroaci (51%).Italia (49%), Portugalia (47%), Spanja (45%), Irlanda (44%), Qiproja (43%) dhe Greqia (42%) janë në nivelin e mesëm të mbështetjes në para fizike, të matur sipas vlerës.Në gjashtë vende, pjesa e parave të gatshme është 35% ose më poshtë, ku përfshihen Holanda (17%), Finlanda (28%), Luksemburgu (29%), Gjermania (30%), Franca (34%) dhe Belgjika (35%).Rezultatet tregojnë se, për sa i përket vlerës monetare, paratë cash janë ende të rëndësishme në Europën Qendrore, Lindore dhe Jugore, ndërsa Europa Veriore dhe Perëndimore mbështeten shumë më tepër në pagesat dixhitale.ECB gjithashtu zbuloi se paraja cash është metoda më e përdorur e pagesës për blerjet me vlerë të vogël, megjithëse kartat përdoren më shpesh për pagesat mbi 50 euro.Kur u pyetën për avantazhet e perceptuara të parasë cash krahasuar me pagesat me kartë, të anketuarit theksuan disa arsye.Avantazhi kryesor ishte se “paraja cash është anonime dhe mbron privatësinë” (41%), e ndjekur nga “paraja cash i bën njerëzit më të vetëdijshëm për shpenzimet e tyre” (35%), dhe “transaksionet me para cash kryhen menjëherë” (30%).Një tjetër prej 28% e të anketuarve tha se përdorën para të gatshme sepse pranohen në më shumë situata, ndërsa rreth një në pesë persona përmendi se paratë e gatshme janë më të lehta ose më të shpejta. Vetëm 18% përmendën paratë cash si më të sigurta.Dallimet mund të bëhen edhe sipas moshës, pasi klientët më të rinj në përgjithësi ndihen më rehat me metodat e pagesës dixhitale.Të dhënat tregojnë se konsumatorët nën 40 vjeç përdorën para të gatshme për më pak se 50% të transaksioneve të tyre, ndërsa individët e moshës 65 vjeç e lart kryen 57% të pagesave të tyre me para fizike. Burimi: ECB Sa përdoret cash në Shqipëri?Vlerësime të ngjashme lidhur me përdorimin e pagesave cash në ekonominë në Shqipëri nuk janë të përditësuara. Studimi i fundit i kryer nga Banka e Shqipërisë i takon vitit 2018. Anketimi i kryer në atë periudhë tregoi se rreth 96% e pagesave në ekonominë shqiptare kryheshin në cash.Duke parë statistikat e përdorimit të instrumenteve alternative të pagesave në vitet e fundit, është e arsyeshme të mendohet se, që prej asaj kohe, shkalla e përdorimit të parasë cash në transaksionet ekonomike duhet të ketë pësuar rënie.Megjithatë, vrojtimi i kryer në atë kohë nga Banka e Shqipërisë hidhte dritë edhe mbi arsyet pse shqiptarët në masën dërrmuese preferonin paranë cash si formë pagese.Arsyeja kryesore, sipas anketës, ishte se shqiptarët e konsideronin pagesën cash më të shpejtë dhe më praktike. Argument për mospërdorimin e instrumenteve të tjera të pagesave ishte fakti se shumë konsumatorë e lidhin përdorimin e tyre me kosto shtesë.Ky tregues sugjeron se, në njëfarë mënyre, për konsumatorët shqiptarë, instrumentet e pagesave jo cash perceptohen si më të kushtueshme se pagesat me cash. Megjithatë, studimi evidentonte se me rritjen e nivelit arsimor ka edhe një rritje të përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave.Kjo gjetje duket se e adreson mundësinë e rritjes së pagesave jo cash te rritja e nivelit arsimor dhe, specifikisht, te rritja e edukimit financiar. Faktorë të tjerë me ndikim janë edhe niveli i të ardhurave apo statusi i punësimit.Një nga avantazhet që publiku shqiptar percepton te pagesat elektronike, sipas anketës, është siguria më e lartë krahasuar me transaksionet cash. 40.4% e Lekut është jashtë bankaveNjë mënyrë alternative për të vlerësuar përdorimin e parasë cash në një ekonomi është matja e raportit mes parasë jashtë bankave dhe parasë së gjerë ose vlerës totale të parasë së emetuar.Si vlerë e përgjithshme e parasë së gjerë, në përgjithësi, pranohet agregati monetar M3.Klasifikimi i agregatit monetar M3 mund të jetë i ndryshëm për ekonomi të ndryshme, në varësi edhe të shkallës së zhvillimit të instrumenteve financiare.Në Shqipëri, agregati M3 përfshin të gjithë ofertën e monedhës vendase (para jashtë bankave dhe depozita bankare), si dhe vlerën e depozitave bankare në valutë të huaj.Sipas të dhënave më të fundit të Bankës së Shqipërisë, raporti mes parasë jashtë bankave dhe agregatit M3 në korrik 2025 ishte 24.3%.Megjithatë, ky raport, në rastin e Shqipërisë ka kufizime serioze, sepse nuk përfshin valutën e huaj që qarkullon jashtë sektorit bankar; ky është element me rëndësi të konsiderueshme, duke pasur parasysh Euroizimin e lartë të ekonomisë shqiptare.Në rast se raportin e parasë jashtë bankave me ofertën monetare do ta llogarisnim vetëm për Lekun (në raport me agregatin monetar M2), atëherë raporti është ndjeshëm më i lartë, 40.4%.Në krahasim me Eurozonën, Shqipëria ka një shkallë shumë më të lartë të parasë cash në qarkullim.Sipas të dhënave më të fundit të Bankës Qendrore Europiane, në gusht 2025, paraja jashtë bankave përbënte 9.3% të agregatit monetar M3 dhe afërsisht 10% të agregatit monetar M2.Shifrat krahasuese të disponueshme për disa ekonomi të rajonit tregojnë raporte edhe më të ulëta. Në rastin e Serbisë, raporti mes parasë në qarkullim dhe agregatit M3 në gusht ishte 7.6%, por rritet ndjeshëm në raport me agregatin M2, në 14.8%.Në Maqedoninë e Veriut, raporti mes parasë në qarkullim dhe agregatit monetar M3 ishte 9.9%, ndërsa në raport me agregatin M2 ishte lehtësisht më i lartë, në 11.1%.Vendi më pranë Shqipërisë, por në nivele gjithsesi shumë më të ulëta, është Bosnjë-Hercegovina, ku sipas të dhënave më të fundit, raporti mes parasë në qarkullim dhe agregatit monetar M2 ishte 20.5%.Në rastin e Kosovës dhe Malit të Zi nuk ekzistojnë statistika për agregatet monetare, sepse këto vende përdorin Euron si monedhë kombëtare dhe bankat qendrore nuk kanë funksione të emetimit të monedhës dhe të zbatimit të politikave monetare.Të dhënat e mësipërme tregojnë qartë se Shqipëria ka një peshë shumë më të lartë të parasë jashtë bankave, jo vetëm në krahasim me Eurozonën, por edhe me ekonomitë fqinje të Rajonit.Transformimi në një ekonomi cashless do të kërkonte reduktim të fortë të treguesve të mësipërm në një kohë shumë të shkurtër. Burimi: Bankat Qendrore 65% e transfertave bankare bëhen nga internetiPavarësisht se Shqipëria ngelet një ekonomi me përdorim të lartë të parasë fizike, statistikat e viteve të fundit tregojnë një rritje të shpejtë të numrit dhe peshës së pagesave elektronike.Sipas të dhënave më të fundit nga Banka e Shqipërisë, nga rreth 4.4 milionë transferta kreditimi (pagesa) të kryera nga klientët e sektorit bankar për tremujorin e dytë 2025, 65% e tyre ose rreth 2.85 milionë veprime në total u kryen në formë jo-letër.Transfertat në formë jo-letër përfshijnë transferta që kryhen pa praninë fizike të klientit në bankë, kryesisht nëpërmjet shërbimeve të internet banking dhe mobile banking.Për të gjithë 6-mujorin 2025, pesha e veprimeve nga kanalet elektronike është rritur në 64% të totalit, ndërsa në gjysmën e parë të vitit të kaluar, ato përbënin rreth 59% të numrit të përgjithshëm të transfertave bankare. Burimi: Banka e Shqipërisë Transfertat elektronike kanë fituar një peshë të konsiderueshme edhe të matura në vlerë.Rreth 40% e vlerës së përgjithshme të transfertave për 6-mujorin 2025 u krye nëpërmjet internet banking/mobile banking, nga 39% që kishte qenë pesha e tyre në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.Në fund të vitit 2024, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti në 1.35 milionë, në rritje vjetore me 23%. Tashmë 39% e llogarive bankare aktive janë të aksesueshme nga interneti, nga 34% që kishte qenë ky tregues në fund të vitit 2023 dhe më pak se 20% që ishte në vitin 2020.Afërsisht 90% e numrit të llogarive bankare të rezidentëve të lidhura me internetin u takojnë individëve. Numri i llogarive të lidhura me internetin për individët u rrit me 23%, ndërsa për llogaritë e bizneseve, rritja ishte edhe më e lartë, me 26% më shumë krahasuar me një vit më parë.Në tërësi, përdorimi i kanaleve bankare të pagesave nga shqiptarët u rrit më tej në gjysmën e parë të këtij viti.Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, për 6-mujorin e parë 2025, individët dhe bizneset kanë kryer pothuajse 28 milionë pagesa në rrugë bankare, në rritje me 24% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.Ndërkohë, vlera totale e transaksioneve arriti në 3.5 trilionë lekë, në rritje me 13% në raport me 6-mujorin e parë të vitit 2024.Në numër veprimesh, peshën kryesore në veprimet bankare të shqiptarëve vazhdojnë ta zënë pagesat me karta, me rreth 67% të totalit.Veprimet me kartë ende dominohen nga tërheqjet e parasë cash nga bankomatet, por pagesat me kartë në terminalet POS po rriten me ritme të shpejta në vitet e fundit. Pagesat me kartë kalojnë tërheqjet nga ATMPesha e pagesave elektronike po rritet jo vetëm për transfertat nga llogaria, por edhe për transaksionet në pikat e shitjes (fizike ose virtuale), që kryhen nëpërmjet kartave të pagesave.Pagesat me kartë po shënojnë rritje të shpejtë edhe këtë vit, madje për herë të parë, ato kanë kaluar në numër tërheqjet e parasë cash në ATM.Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në gjashtë muajt e parë të vitit u regjistruan gjithsej rreth 12.57 milionë pagesa me kartë në terminalet elektronike të shitjes (POS). Numri i pagesave me kartë është rritur me 42% krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.Për çdo 100 veprime të kryera me karta pagesash (pa përfshirë veprimet me para elektronike), afërsisht 52 prej tyre ishin pagesa në terminale POS, ndërsa diferenca ishin tërheqje apo depozitime paraje cash.Ndërkohë, vlera totale e pagesave me kartë për gjashtë muaj ka arritur në 48.3 miliardë lekë, me një rritje prej 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.Të matura në vlerë monetare, pagesat me kartë përbënin 17.4% të totalit të veprimeve me karta, në rritje nga niveli prej 16.3% i vitit të kaluar.Në një horizont kohor më afatgjatë, rritja është shumë e lartë. Një dekadë më parë, më pak se 10% e veprimeve me karta ishin pagesa në POS.Duke pasur parasysh se periudha e pikut turistik korrik – gusht shoqërohet me rritje të pagesave me kartë, është e pritshme që vlera e pagesave për gjysmën e dytë të vitit të jetë më e lartë.Rritja e numrit të turistëve të huaj në vitet e fundit është ndër faktorët kryesorë që po ndikon në rritjen e shpejtë të pagesave me kartë bankare në Shqipëri.Megjithatë, përveç ndikimit të ndjeshëm të turizmit, vlerësohet se edhe përdorimi i pagesave me kartë nga rezidentët është në rritje në vitet e fundit, sidomos pas periudhës së pandemisë.Rritja e kërkesës së tregut për pagesa me kartë po shoqërohet edhe me zgjerimin e bazës së bizneseve që pranojnë pagesa të tilla dhe besohet se sektori i turizmit i ka dhënë shtysë të konsiderueshme këtyre pagesave.Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i terminaleve POS për pranimin e pagesave me kartë në mesin e këtij viti arriti në 27 969, në rritje të mëtejshme me 28.4% krahasuar me mesin e vitit të kaluar.Një nga operatorët e mëdhenj globalë të pagesave me kartë, Mastercard, këtë vit po e mbështet zgjerimin e pagesave me kartë me një program të shtimit të pajisjeve POS me kushte lehtësuese për bizneset.Rritja e pagesave me kartë është një sinjal pozitiv në drejtim të uljes së përdorimit të parasë fizike në ekonomi.Shqipëria është një vend me shkallë të përdorimit të lartë të parasë cash, fenomen i lidhur me një përfshirje ende të pamjaftueshme financiare, por edhe me nivelin e konsiderueshëm të informalitetit dhe evazionit fiskal.Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në mesin e vitit 2024, numri i kartave aktive arriti në 1.57 milionë, në rritje me 6% krahasuar me një vit më parë. Burimi: Banka e Shqipërisë Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
-

Karta e taksapaguesit, dokumenti për t’u treguar qytetarëve dhe biznesit të kuptojnë më mirë afatet e pagesave
Për të gjithë qytetarët dhe bizneset në Tiranë do të ketë një mënyrë më të thjeshtë për të lehtësuar komunikimin me administratën sa i përket pagesave të taksave dhe tarifave vendore.
Kjo do bëhet përmes Kartës së taksapaguesit, një dokument ligjor informues, që ofron informacion të detajuar mbi të drejtat dhe detyrimet e taksapaguesve.
“Ajo përmban brenda saj të gjithë informacionin të drejtave dhe detyrimeve që kanë taksapaguesit subjektet e interesit dhe patjetër dhe mënyrën se si paguajnë apo përllogariten taksat dhe tarifat vendore për të gjithë qytetarët apo bizneset e Tiranës”, tha Ermal Menaj, Përfaqësuese e Taksave dhe Taqrifave Vendore, BT.
Ky dokument do tu mundësojë gjithashtu qytetarëve dhe bizneseve që të kuptojnë më mirë dhe afatet e pagesave.
“Jo vetëm mjet informues por kjo kartë e taksapaguesit sjell dhe ndikon në pagimin në kohë të detyrimeve tatimore dhe taksave dhe tarifave vendore të taksapaguesve në Tiranë”, u shpreh Menaj.
Për prezantimin e kësaj iniciative janë zhvilluar takime me shoqatat e biznesit ndërsa për qytetarët që kërkojnë të informohen mbi detyrimet e tyre tatimore, mund ta aksesojnë kartën e taksapaguesit në faqen zyrtare të drejtorisë së Përgjithshme të taksave dhe tarifave vendore.
Top Channel
-

Mastercard promovon të ardhmen digjitale të Shqipërisë në Plug and Play Tirana Expo 2025
Lideri global në pagesa thekson angazhimin ndaj inovacionit, sigurisë dhe përfshirjes në ekosistemin digjital në zhvillim të ShqipërisëJavën e kaluar, Mastercard mori pjesë në Plug and Play Tirana Expo 2025, duke theksuar angazhimin e vazhdueshëm ndaj zhvillimit të ekonomisë digjitale të Shqipërisë. Ivan Hadjov, drejtori për fintech dhe partneritete jo-tradicionale/digjitale në kompani, u bashkua me startup-e lokale dhe drejtues të industrisë për të diskutuar rolin vendimtar të teknologjisë në zhvillimin ekonomik, me fokus në inovacionin digjital dhe sigurinë kibernetike.Gjatë dy ditëve të Plug and Play Tirana Expo, u mblodhën mbi 60 folës dhe pjesëmarrës ndërkombëtarë nga më shumë se 20 vende, që përfaqësuan sektorët e teknologjisë, kapitalit sipërmarrës, qeverisë dhe korporatave. Expo-ja e zhvilluar në Piramidën e Tiranës, shërbeu si një forum dinamik për shkëmbimin e ideve mbi mënyrën se si Mastercard po mbështet startup-et, kompanitë fintech dhe SME-të në ndërtimin e ekonomive digjitale më të sigurta dhe gjithëpërfshirëse. Me Shqipërinë që po përjeton një transformim të shpejtë digjital, diskutimet erdhën në një moment të përshtatshëm dhe me rëndësi për zhvillimet aktuale.“Digjitalizimi i Shqipërisë po ecën me hapa të shpejtë,” u shpreh Hadjov. “Mastercard mbetet i përkushtuar të mbështesë këtë progres përmes ekspertizës dhe përvojës sonë. Duke bashkëpunuar ngushtë me aktorët shqiptarë, përfshirë qeverinë, startup-et, kompanitë fintech dhe sektorin privat, mund të hapim mundësi të reja që fuqizojnë individët dhe bizneset. Të nxisim inovacionin dhe ndihmojnë në ndërtimin e një të ardhmeje më gjithëpërfshirëse. Qëllimi ynë shkon përtej prezantimit të teknologjive të avancuara të pagesave; ne synojmë të kultivojmë një kulturë besimi, bashkëpunimi dhe sigurie në mbarë ekonominë digjitale të Shqipërisë.”Këtë vit, Mastercard nisi Programin Kombëtar të Pagesave Digjitale, “POSI,” në partneritet me Qeverinë e Shqipërisë, Shoqatën e Bankave të Shqipërisë dhe bankat tregtare. Kjo nismë do të mundësojë shpërndarjen e 4,750 pajisjeve POS falas në sektorë jetikë si dyqanet ushqimore, hotelet, restorantet, kafenetë dhe taksitë. Teksa industria e turizmit në Shqipëri lulëzon, siç e dëshmojnë të dhënat e Mastercard Economic Institute, mundësimi i pagesave digjitale në vendet kryesore të shitjes është kthyer në një element kyç për të mirëpritur dhe garantuar sigurinë e vizitorëve ndërkombëtarë.“Në Mastercard, e shohim programin POSI si një hap fillestar në mbështetjen e përpjekjeve të Shqipërisë për digjitalizim dhe inkurajohemi nga ndryshimi në sjelljen e konsumatorëve, nga tërheqjet në ATM drejt transaksioneve me POS, siç theksoi edhe Banka e Shqipërisë,” shtoi Hadjov.Së fundmi, Banka e Shqipërisë raportoi një total prej rreth 12.57 milionë pagesash me karta në terminalet elektronike të pikave të shitjes (POS). Numri i pagesave me kartë u rrit me 42% krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2024. Nga çdo 100 transaksione të kryera me karta pagese (përjashtuar ato me para elektronike), rreth 52 ishin pagesa në POS, ndërsa pjesa tjetër përbëhej nga tërheqje ose depozitime në para. Ndërkohë, vlera totale e pagesave me kartë për periudhën gjashtëmujore arriti në 48.3 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në terma monetarë, pagesat me kartë përbënin 17.4% të të gjitha transaksioneve me karta, nga 16.3% që ishin vitin e kaluar. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, numri i terminaleve POS arriti në 27,969 në mes të vitit 2025, duke shënuar një rritje prej 28.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024*.Teksa infrastruktura digjitale e Shqipërisë zhvillohet me ritme të shpejta, siguria kibernetike është shndërruar në një prioritet kryesor. Mastercard është i gatshëm të kontribuojë me ekspertizën globale, duke ndihmuar në mbrojtjen e arkitekturës digjitale të vendit dhe në forcimin e besimit në transaksionet e përditshme, ndërsa gjithnjë e më shumë biznese dhe qytetarë përqafojnë platformat online.Me sytë nga e ardhmja, Mastercard konfirmon angazhimin ndaj ambicieve digjitale të Shqipërisë. Ne mbetemi të përkushtuar të vazhdojmë mbështetjen si për bizneset e vogla dhe të mesme (SME) ashtu edhe për individët, si dhe të thellojmë bashkëpunimin në fusha si siguria kibernetike dhe ekonomia e bazuar në të dhëna. Duke ofruar teknologji të avancuar dhe ekspertizë profesionale, Mastercard synon të ndihmojë në ndërtimin e një ekonomie digjitale gjithëpërfshirëse dhe konkurruese, duke siguruar që transformimi i Shqipërisë të mbetet i qëndrueshëm dhe i fortë.*Të dhënat janë ato të publikuara zyrtarisht nga Banka e Shqipërisë. Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
-

Nga 40 euro në 2 euro/ Si i nxorri jashtë loje SEPA “shushunjat” e dërgesave të parave
Transferimi i një shume prej 1,000 eurosh për në ose nga Shqipëria më parë kishte një komision që varionte nga 10-15 euro deri në 40 euro. Tani që Shqipëria është ndër vendet më të fundit që iu bashkua pagesave SEPA, një iniciativë e Bashkimit Evropian që standardizon pagesat ndërkufitare, duke siguruar të njëjtat rregulla, standarde dhe kosto në 41 anëtarët e SEPA-s, tarifa për një transferim të kësaj shume nuk është më shumë se 2 euro.
Përmes Zonës së Vetme të Pagesave në Euro, qytetarët shqiptarë tani mund të dërgojnë dhe të marrin pagesa në euro me të njëjtat kushte si qytetarët e vendeve të BE-së, për sa i përket tarifave, kohëzgjatjes së përpunimit dhe standardeve të sigurisë.
“Përdorimi i kanaleve tradicionale përmes bankave korrespondente për pagesat ndërkufitare me vendet e BE-së ishte i kushtueshëm dhe kërkonte shumë kohë. Ai përfshinte disa aktorë në procesin e dërgimit të pagesave dhe si pasojë komisione të shumëfishta, dhe shpesh të larta, ndërmjetëse. Për shkak të pjesëmarrjes së disa lidhjeve, koha e përpunimit për një pagesë mund të zgjaste deri në tre ose katër ditë, dhe nëse përfshiheshin fundjavat, edhe më gjatë. Gjurmimi i pagesave u bë gjithashtu më i vështirë, varësisht nga territoret ku ndodheshin bankat dhe legjislacioni që rregullonte aktivitetet e tyre të pagesave”, shpjegon Ledia Bregu, Drejtoreshë e Departamentit të Sistemeve të Pagesave, Kontabilitetit dhe Financës në Bankën e Shqipërisë.
Bashkimi Evropian ka luajtur një rol vendimtar në mbështetjen e integrimit të Shqipërisë në SEPA. Komisioni Evropian u mundësoi vendeve kandidate të Ballkanit Perëndimor për në BE të aplikonin për anëtarësim në SEPA dhe përfshiu pranimin e Shqipërisë si një shtyllë kryesore të Planit të saj të Rritjes për rajonin.
Kjo e ngriti SEPA-n në një përparësi kombëtare, duke nxitur koordinim të shpejtë midis institucioneve shqiptare. Banka e Shqipërisë, e cila tashmë kishte qenë duke e përafruar legjislacionin e saj të pagesave me standardet e BE-së, paraqiti aplikimin e saj në qershor 2024 dhe mori miratimin në nëntor.
Gjatë gjithë procesit, Komisioni Evropian dhe Delegacioni i BE-së në Shqipëri e kanë shoqëruar Shqipërinë në këtë proces dhe kanë ofruar mbështetje teknike dhe financim të vazhdueshëm, përfshirë edhe përmes projektit të Modernizimit të Pagesave në Ballkanin Perëndimor të udhëhequr nga Banka Botërore.
Me pagesat SEPA, të njëjtat rregulla zbatohen si për bankat dërguese ashtu edhe për ato marrëse në 41 vende evropiane. Përveç tarifave dukshëm më të ulëta për të dyja palët, transfertat ekzekutohen jo më vonë se dita e punës tjetër.
Në shumë raste, pagesat përfundojnë në të njëjtën ditë pune, veçanërisht nëse fillohen herët. Ky standard përpunimi është një rregull thelbësor i skemës SEPA dhe zbatohet në mënyrë uniforme nga të gjitha bankat anëtare, pavarësisht nga vendndodhja e tyre. Përpara integrimit të SEPA-s, transfertat hyrëse në euro i nënshtroheshin tarifave të konsiderueshme, zakonisht duke filluar nga 10 € dhe duke arritur deri në 50-100 €.
“Ne kemi vendosur një kufi për tarifat për pagesat hyrëse. Tarifat për këto pagesa nuk mund të kalojnë 3 euro, pavarësisht nga shuma e pagesës”, thotë Bregu. “Banka e Shqipërisë ka rishikuar kufijtë e komisioneve për pagesat SEPA, duke i përafruar ato me tarifat e aplikuara për transfertat vendase në euro. Ato u ulën më tej pas fillimit operativ të transfertave SEPA. Konkretisht: për pagesat deri në 20,000 €, tarifa nuk është më e lartë se 2 €; për pagesat midis 20,000 € dhe 100,000 €, tarifa nuk tejkalon 0.01% të vlerës së transaksionit; për pagesat mbi 100,000 €, tarifa është e kufizuar në 25 €. Tarifat për pagesat hyrëse janë gjithashtu të rregulluara dhe nuk mund të kalojnë 3 €, pavarësisht nga shuma. Në përgjithësi, kostot e pagesave tani janë gati dhjetë herë më të ulëta se më parë.”
Miratimi i skemave SEPA parashikohet të gjenerojë kursime prej rreth 20 milionë € për bizneset dhe konsumatorët brenda vitit të parë, duke përfituar çdo ndërmarrje tregtare dhe çdo qytetar me angazhime financiare jashtë vendit, siç janë studentët, punëtorët migrantë, familjet që marrin remitanca ose individët që kryejnë blerje dhe transaksione ndërkombëtare. Kjo rezulton në ulje të kostove, shërbime më të shpejta dhe përfshirje më të madhe financiare, veçanërisht duke pasur parasysh se shumica e remitancave për familjet shqiptare (rreth 80%) vijnë nga vendet e BE-së dhe Mbretëria e Bashkuar, e cila është gjithashtu pjesë e SEPA-s.
Sipas znj. Bregu, Drejtoreshë në Bankën e Shqipërisë, shpejtësia e transfertave bankare dhe tarifat e reduktuara të komisioneve nuk janë të vetmet avantazhe të SEPA-s. Skema gjithashtu promovon krijimin e një sistemi pagesash efikas dhe të besueshëm për vendet e vogla si Shqipëria dhe përmirëson imazhin e vendit në nivel ndërkombëtar.
Integrimi në SEPA nxit zgjerimin e marrëdhënieve tregtare me Bashkimin Evropian dhe u ofron bizneseve shqiptare, veçanërisht eksportuesve, operatorëve të turizmit dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, akses të barabartë në tregun evropian të pagesave. Ky harmonizim sjell përmirësime të konsiderueshme në likuiditet, rrit parashikueshmërinë e flukseve të parave të gatshme dhe forcon stabilitetin e përgjithshëm financiar. Për më tepër, ndihmon në uljen e informalitetit në transaksionet financiare dhe ka përgatitur bankat shqiptare për fazën tjetër të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
/Kapitali.al -

Si “dalin” shifrat e Bilancit të Pagesave?
Duke pasur në konsideratë edhe një shkallë të lartë informaliteti në ekonominë shqiptare, një nga pyetjet që ngrihen shpesh kur raportohen statistikat e Bilancit të Pagesave është se si i llogarit Banka e Shqipërisë ato. Në një prononcim për “Monitor”, Banka Qendrore shpjegon se shifrat e bilancit të pagesave janë rezultat i matjeve të drejtpërdrejta, të kombinuara për zëra të veçantë me anketime …
-

Sejko: Hyrja në SEPA sjell ulje drastike të kostove dhe transferta më të shpejta e të sigurta
Integrimi i Shqipëri në zonën SEPA do t’i sjellë publikut shqiptar kosto më të ulëta, shpejtësi më të lartë dhe siguri të shtuar në kryerjen e pagesave ndërkombëtare.Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha në ceremoninë e kryerjes të transaksionit të parë SEPA, se ky zhvillim i kombinuar me zgjerimin e pagesave dixhitale, pritet të gjenerojë kursime prej rreth 20 milionë euro në vitin e parë, me rritje progresive në vijim.Për analogji, Guvernatori solli shembullin e sistemit AIPS Euro të Bankës së Shqipërisë, i cili operon që nga janari 2022, i ka kursyer tregut vendas rreth 140 milionë euro. Sipas tij, kjo tregon se ndikimi i SEPA-s do të jetë edhe më i gjerë, duke përfshirë uljen e kostove dhe rritjen e efikasitetit operativ për qytetarët dhe bizneset.Sejko tha se hyrja në SEPA do të sjellë tarifa shumë më të ulëta: transferimi i parave nga Shqipëria drejt vendeve anëtare të SEPA-s kushton deri në 5 herë më pak se më parë;Transaksione të shpejta: pagesat elektronike janë më të shpejta, më të sigurta dhe më komode;Transparencë dhe barazi: një pagesë nga Tirana në Romë nuk kushton më shumë se një pagesë brenda Tiranës. Ndërkohë që ulje drastike do të ketë dhe për pagesat në mbërritje.Sipas tij, ky është një standard evropian që sot bëhet realitet për Shqipërinë, duke e vendosur infrastrukturën tonë të pagesave në të njëjtin nivel me vendet e BE-së.“Në një plan më të gjerë, integrimi në SEPA përkthehet në përfitime shoqërore e rajonale: nga ulja e informalitetit dhe kostove të dërgesave, te rritja e përfshirjes financiare dhe konvergjenca me tregun evropian.Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, një rritje prej 10% e pagesave digjitale sjell ulje me 2% të nivelit të informalitetit; Emigrantët shqiptarë dhe familjet e tyre mund të kursejnë deri në dhjetëra miliona euro në vit falë dërgimit të remitancave nëpërmjet kanaleve bankare të SEPA-s; Në planin rajonal, deri sot, dërgimi i parave midis bizneseve në Ballkanin Perëndimor ka kushtuar deri në 10 herë më shumë se brenda BE-së.Me SEPA-n, kjo kosto bie në nivele të përafërta me ato evropiane. Dëshiroj të theksoj dhe njëherë se ky zhvillim nuk është vetëm një arritje teknike në sistemet e pagesave. Integrimi në SEPA e bën tregun tonë financiar më konkurrues, rrit besimin e investitorëve dhe e afron Shqipërinë me standardet më të larta të Bashkimit Evropian.Në planin strategjik, rrit gatishmërinë për integrime të tjera financiare të BE-së, duke e bërë infrastrukturën tonë më të përshtatshme për inovacione të ardhshme dhe për thellim të lidhjeve me tregjet kapitale. Në fund, dua të nënvizoj se efekti praktik për qytetarët dhe bizneset shqiptare është i trefishtë: tarifa më të ulëta, procese më të shpejta dhe garanci më të forta operacionale, ” u shpreh Sejko.Sipas Guvernatorit, kjo arritje rrit kapacitetin e vendit për të përthithur fonde dhe për të ndjekur me besueshmëri rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.“Rrugëtimi ynë ka kërkuar kohë, përkushtim dhe partneritet, dhe sot jemi krenarë që Shqipëria është pjesë e këtij sistemi unik evropian. Tani nis faza e dytë: shfrytëzimi maksimal i këtij standardi nga bankat dhe bizneset, edukimi i përdoruesve dhe thellimi i digjitalizimit të pagesave.Banka e Shqipërisë u bën thirrje bankave tregtare dhe institucioneve financiare që të promovojnë aktivisht shërbimet SEPA, të informojnë klientët për përfitimet konkrete dhe të investojnë në përmirësimin e mëtejshëm të platformave digjitale. Vetëm përmes bashkëpunimit dhe përkushtimit të të gjithë aktorëve, Shqipëria do të arrijë ta shfrytëzojë plotësisht potencialin e këtij integrimi historik,” tha Sejko. Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
-

Shqipëria zyrtarisht në “SEPA”, Rama: Qytetarët dhe bizneset do të kursejnë 20 mln euro në vit
EDI RAMA
TIRANË- Nga sot Shqipëria bëhet pjesë zyrtarisht e SEPA (Zona e Pagesave të Vetme në Euro).
Kjo do të thotë se qytetarët dhe bizneset shqiptare mund të kryejnë tashmë transferta në euro drejt vendeve të BE-së me komisione minimale dhe në të njëjtat kushte si brenda Bashkimit Europian.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë zhvillim si një tjetër sukses në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE, duke theksuar përfitimet e drejtpërdrejta që do të ndjejnë qytetarët dhe bizneset.
“RRUGA DREJT ANËTARËSIMIT dhe suksesi në negociata, sjellin një LAJM SHUMË TË MIRË.
Nga sot, 7 tetor, qytetarët dhe bizneset shqiptare mund të kryejnë transferta në euro me vendet e BE-së me komisione shumë më të ulëta dhe me të njëjtat rregulla si në BE.
Shqipëria është tashmë anëtare e plotë e SEPA-s (Zonës së Pagesave të Vetme në Euro) dhe shqiptarët do të paguajnë Komisione të njëjta me transfertat brenda vendit – sipas vlerësimit të Bankës së Shqipërisë, vetëm vitin e parë parashikohet një kursim prej rreth 20 milionë euro në vit për qytetarët dhe bizneset shqiptarë”, shkruan Rama në postimin e tij.SEPA është një sistem i përbashkët i pagesave në euro, i cili u lejon përdoruesve të kryejnë transferta ndërkufitare brenda hapësirës evropiane, po aq thjeshtë dhe me të njëjtat tarifa si pagesat kombëtare. Anëtarësimi i Shqipërisë në këtë sistem shënon një tjetër përputhje me standardet financiare të BE-së dhe një lehtësim të ndjeshëm për të gjithë përdoruesit e shërbimeve bankare./ZËRI
-

Nisin operacionet në SEPA: Për të transferuar 100 mijë euro do të paguhet komision 10 euro
Duke filluar nga data e sotme, 7 tetor, bankat shqiptare do të fillojnë ofrimin e transfertave në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA). Mundësimi i transfertave në SEPA pritet të sjellë një ulje të ndjeshme të komisioneve të transfertave ndërkombëtare për publikun shqiptar.Sipas rregullores së miratuar nga Banka e Shqipërisë në muajin shtator, nivelet maksimale të parashikuara për komisionet e transfertave të brendshme do të jenë të vlefshme edhe për transfertat ndërkombëtare nëpërmjet SEPA.Rregullorja “Mbi tarifat e pagesave ndërkufitare në zonën SEPA dhe kushtet e transparencës” parashikon që tarifat e aplikuara nga Operatorët e Shërbimeve të Pagesave (banka ose institucione financiare jobanka të pagesave dhe parasë elektronike) për pagesat SEPA dalëse nuk mund të tejkalojnë kufijtë e përcaktuar nga Banka e Shqipërisë për vlerat korresponduese të pagesave vendase në Euro që procesohen përmes sistemeve të saj dhe përcaktohen në kuadrin rregullator të këtyre sistemeve.Ashtu siç ndodh me transfertat në Lekë, edhe rregullorja për transfertat në Euro do të stimulojë përdorimin e kanaleve elektronike për kryerjen e transfertave, duke parashikuar komisione të përgjysmuara për veprimet që kryhen nëpërmjet këtyre kanaleve.Komisioni minimal që bankat mund të aplikojnë për transfertat kombëtare në monedhën europiane, të kryera nëpërmjet e-banking, nuk mund të jetë më i lartë se 2 euro.Ndërsa totali i komisioneve për çdo transfertë me vlerë deri në 100 mijë euro, të kryer me e-banking, nuk mund të jetë më i lartë se 0.01% e vlerës së transferuar. E thënë ndryshe, për shumën maksimale të këtij tavani, 100 mijë euro, komisioni për pagesat elektronike do të jetë maksimalisht 10 euro.Ndërkohë, totali i komisioneve për çdo transfertë me vlerë deri në 100 mijë euro, e kryer në degë (në formë letër) nuk mund të jetë më i lartë se 0.02% e vlerës së transferuar.Me rregulloren e mëparshme, komisioni maksimal ishte 10 herë më i lartë, në masën 0.2%.Gjithashtu, ky komision maksimal ishte i detyrueshëm vetëm për transfertat me vlerë më të ulët, deri në 10 mijë euro; për pagesat më të mëdha se 10 mijë euro, nuk parashikohej një tavan për komisionin në përqindje, por vetëm një komision maksimal në vlerë, pavarësisht shumës së transferuar.Komisionet maksimale që bankat mund të aplikojnë (për transfertat mbi 100 mijë euro), pavarësisht shumës së transfertës, do të jenë të njëjta si në rregulloren e mëparshme, përkatësisht 50 euro për transfertat e kryera në degë dhe 25 euro për ato të nisura nëpërmjet kanaleve elektronike.Ndërkohë, për transfertat hyrëse (nga jashtë drejt Shqipërisë) bankat mund të aplikojnë një komision maksimal deri në 3 euro, për të mbuluar kostot e ofrimit të shërbimit.Shqipëria u pranua zyrtarisht si anëtare e zonës SEPA nga Këshilli Europian i Pagesave në 21 nëntor 2024.Anëtarësimi në SEPA pritet të sjellë lehtësi të mëdha në kryerjen e pagesave ndërkombëtare me kosto më të ulëta dhe në kohë më të shpejtë. Sektori bankar në Shqipëri i ekzekutonte transfertat ndërkombëtare nëpërmjet nëpërmjet bankave të huaja korrespondente. Një zgjidhje e tillë sillte komisione të larta dhe kohë relativisht të gjatë për kryerjen e transfertave.Sipas analizave të kryera nga Banka Botërore, një pagesë nga Shqipëria drejt zonës SEPA kushtonte gati 10 herë më shumë se një pagesë brenda zonës SEPA.Transfertat kërkonin disa ditë pune, ndërsa me anëtarësimin në SEPA pritet që paratë të transferohen në llogarinë e përfituesit maksimalisht brenda një dite pune.Lehtësimi i kryerjes së pagesave ndërkufitare me partnerin tregtar kryesor të Shqipërisë, Bashkimin Europian, pritet të lehtësojë zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tregtare. Bizneset shqiptare do të kenë akses në një treg të madh me mundësi për zgjerimin e shërbimeve dhe produkteve dhe rritjen e konkurrencës.Pjesëmarrja në SEPA vlerësohet se do të ketë një kontribut domethënës në sektorë strategjikë siç është turizmi dhe në rritjen flukseve të lidhura me investimet e huaja direkte. Ulja e kostove të transfertave në Euro pritet të ndikojë dhe në formalizimin e flukseve të remitancave.Projeksionet e Bankës së Shqipërisë janë që në afat të mesëm, ekonomia shqiptare do të përfitojë disa qindra milionë euro nga aderimi në SEPA.SEPA është një iniciativë e hershme e Bashkimit Europian për harmonizimin e pagesave elektronike në Euro, ndërmjet vendeve anëtare. Skemat e Pagesave SEPA i sigurojnë qytetarëve dhe bizneseve evropiane, pagesa ndërkufitare në monedhën e përbashkët, me të njëjtën kosto dhe lehtësi si pagesat brenda vendit të tyre. Megjithatë, zona gjeografike SEPA shtrihet edhe jashtë vendeve të BE-së, duke numëruar deri tani 36 vende që kanë harmonizuar standardet për pagesat elektronike në euro./ E.Shehu Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
-

BSH do të ulë edhe komisionet për pranimin e pagesave me kartë
Në shtator, Banka e Shqipërisë vendosi një ulje të ndjeshme të komisioneve maksimale të lejuara për transfertat bankare në Lek dhe në Euro. Së shpejti, pritet që Banka Qendrore të ndërmarrë një tjetër ndërhyrje të rëndësishme, e cila pritet të ulë komisionet që tregtarët paguajnë për pranimin e pagesave me kartë duke krijuar hapësira për një rritje të mëtejshme të tyre. Ersuin ShehuBanka e Shqipërisë po përgatit ndërhyrjen e radhës në komisionet e pagesave, që pritet të nxisë më shumë pagesat me kartë në ekonominë shqiptare.Një nga arsyet që frenon bizneset, sidomos ato më të vogla, për të pranuar pagesa me kartë është edhe kosto e transaksionit. Kjo kosto është e ndryshueshme, por mund të arrijë deri në intervalin 2.5%-3%.Edhe për këtë arsye, shumë biznese të vogla nuk kanë shumë dëshirë të pranojnë pagesa me kartë, megjithëse mund të disponojnë terminale POS për këtë qëllim. Në rastet kur klienti këmbëngul për këtë alternativë, shpesh bizneset ia ngarkojnë atij komisionin e pagesës, duke ia shtuar çmimit të produktit ose shërbimit.Në një masë të madhe, vlera totale e komisionit përcaktohet nga tarifat e skemave të pagesave me kartë, kryesisht Visa dhe Mastercard.Në vitin 2015, Komisioni Europian vendosi nën rregullim këto tarifa (interchange fees), duke përcaktuar një nivel maksimal prej 0.2% për pagesat me kartë debiti dhe 0.3% për pagesat me kartë krediti.Banka e Shqipërisë ka vendosur të adoptojë këtë rregullore, si pjesë e procesit të përafrimit të legjislacionit me Bashkimin Europian.Vendosja e limiteve mbi këtë element të kostos pritet të sjellë një ulje të ndjeshme të komisionit total që paguajnë tregtarët për shitjet me kartë. Banka e Shqipërisë vlerëson se komisionet do të ulen në nivelin e 1% të transaksionit.Gjithashtu, Banka e Shqipërisë do të ndalojë praktikën e përcjelljes së komisioneve nga tregtarët te klientët që kryejnë blerje me kartë.Ulja e komisioneve për pranimin e pagesave me kartë pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm në përdorimin e cash për transaksionet ekonomike.Një akses më i gjerë në pagesat me kartë gjithashtu do të lehtësonte pagesat sidomos nga turistët e huaj, që shpesh detyrohen të përdorin tërheqjet cash në ATM-të e zonave turistike, shërbim ky që për nga natyra e vet është i kushtueshëm. BSH do të ulët tarifat që aplikojnë Visa dhe MastercardValentina Semi, zëvendësdrejtore e Departamentit të Pagesave në Bankën e Shqipërisë, shpjegon se Banka Qendrore po ndërhyn për nxitjen e pagesave elektronike në dy dimensione.“Në radhë të parë, ne kemi krijuar një alternativë, që është përdorimi i transfertave për qëllime të ngjashme si kartat. Ne kemi krijuar open banking, që gjithmonë e më shumë po gjen vende për t’u operacionalizuar.Me përfshirjen në open banking edhe të bizneseve, do të jetë shumë më e lehtë, qoftë edhe për të kryer blerje direkte të mallrave dhe shërbimeve. Kjo patjetër që përbën konkurrencë për instrumentin e kartave dhe konkurrenca gjithmonë sjell zhvillim.Nga ana tjetër, ardhja e instant payment do të jetë një revolucion në këtë drejtim. Ne do ta kemi shumë më të lehtë që të përdorim QR Code për pagesa”, shprehet ajo.Ndërkohë, Banka e Shqipërisë ka planifikuar edhe një ndërhyrje direkte në komisionet e skemave të pagesës për kartë. Ulja e këtyre komisioneve do të bëjë që në total, komisionet që paguajnë tregtarët të jenë më të ulëta, me qëllim nxitjen e rritjes së mëtejshme të pagesave me kartë.“Për më shumë, ne do të ndërhyjmë edhe te komisionet që bankat aplikojnë te tregtarët, për atë pjesë të komisionit që ato ndajnë nëpërmjet njëra-tjetrës, pra, atyre që emetojnë kartën dhe atyre që ofrojnë shërbimin e pagesës me POS.Një pjesë e komisionit që paguan tregtari lidhet me këto komisione. Ne do të vendosim tavane të njëjta me Bashkimin Europian, në nivelin 0.2% për kartat e debitit dhe 0.3% për kartat e kreditit.Kjo sigurisht që do të reduktojë komisionin final që paguan tregtari. Mendojmë që afërsisht komisioni mund të shkojë në nivelin e 1%, nga rreth 2% që është aktualisht, në rastin më të mirë”, thotë ajo. Instant payment pritet të sjellë konkurrencë për kartatProjekti tjetër madhor i Bankës së Shqipërisë në fushën e pagesave është edhe ai instant payments ose i pagesave të shpejta. Ky projekt parashikon klonimin e sistemit të përdorur nga Banka e Italisë, sipas një marrëveshjeje të arritur mes palëve.“Ne jemi aktualisht në fazën e zhvillimit të sistemit. Zhvillimi i sistemit bëhet nga Banka e Italisë, ndërkohë që ne komunikojmë në vazhdimësi me ta për ato opsione që na lejohen t’i kemi të përzgjedhura.Ne po marrim një sistem që do të jetë klon i sistemit TIPS, me qëllimin që ne të jemi sa më të integruar në të ardhmen. Po punohet shumë për ta bërë këtë sistem të përdorshëm nga publiku i gjerë dhe në blerje dhe shitje.Nëse implementojmë vetëm TIPS, ai do të funksionojë si sistemet aktuale, vetëm për transfertat. Ndërkohë, ne po krijojmë disa shërbime shtesë mbi këtë sistem, për ta bërë atë sa më të përdorshëm.Për shembull, Brazili ka sot një instant payment që përdoret gjerësisht nga publiku i gjerë”, thotë znj. Semi.Ky sistem jo vetëm do të mundësojë kryerjen e transfertave pothuajse në kohë reale, por do t’u hapë rrugën edhe produkteve të reja, që do të konkurrojnë pagesat me kartë. Ngritja e këtij sistemi do të krijojë hapësira për një përdorim të gjerë të pagesave me QR Code.“Ideja është të krijojmë një sistem të centralizuar, me një ndërveprim shumë të lehtë. Gjenerimi i QR Code do të jetë i unifikuar, do të jetë një sistem i centralizuar që e gjeneron këtë QR Code dhe mundëson shfaqjen e tij në çdo aplikacion, pavarësisht se cili institucion e përdor.Me një skanim të thjeshtë, mundësohet kryerja e pagesës për disa sekonda. Gjithashtu, do të mundësojmë verifikimin e pagesës, për të shmangur kryerjen e pagesave të gabuara, sepse në instant payment është pothuajse e pamundur që pagesa të kthehet mbrapsht.Janë këta komponentë që po krijojmë mbi TIPS, që ky lloj sistemi të përdoret sa më shumë, në formë të ngjashme me kartat”, – shprehet znj. Semi.Ngritja e sistemit TIPS ka si afat paraprak qershorin e vitit 2026, megjithatë nga puna e deritanishme në Bankën e Shqipërisë mendohet se ky afat mund të jetë pak ambicioz.Fakti që rishtazi në projekt është futur edhe një vend tjetër i Ballkanit Perëndimor, Maqedonia e Veriut, mund të bëjë që këto afate të rishikohen. Procesi është kompleks sepse nuk përfshin vetëm Bankën e Shqipërisë, por kërkon investime dhe zhvillim kapacitetesh edhe për bankat tregtare.“Jemi duke punuar paralelisht edhe me bankat, sepse kjo do të kërkojë punë edhe nga ana e tyre, për të qenë të gatshme të forcojnë të gjitha facilitetet e nevojshme për të ofruar shërbim 24/7, nga ana teknike dhe operacionale, duke përfshirë edhe elementet e tjera, si AML, antifraud, etj.Këto do të kërkojnë investime të jashtëzakonshme. Shpresojmë që afërsisht brenda një viti të mund të dalim live. Nuk përjashtojmë që të dalim fillimisht live me bankat që do të jenë të gatshme dhe më të avancuara në proces.Madje, disa nga bankat më me eksperiencë, po synojnë të aplikojnë edhe për skemën e SEPA instant payment, që do të sjellë revolucion për pagesat nga turistët e huaj, sepse nuk do të jetë më i domosdoshëm përdorimi i kartës, por mund të bëhet një pagesë në kohë reale direkt nga llogaria”, thotë znj. Semi. Pagesat me kartë “përmbysin” tërheqjet e parasë në ATM Pagesat me kartë po shënojnë një rritje të shpejtë këtë vit, madje për herë të parë ato kanë kaluar në numër tërheqjet e parasë cash në ATM.Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në gjashtë muajt e parë të vitit u regjistruan gjithsej rreth 12.57 milionë pagesa me kartë në terminalet elektronike të shitjes (POS). Numri i pagesave me kartë është rritur me 42% krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.Për çdo 100 veprime të kryera me karta pagesash (pa përfshirë veprimet me para elektronike), afërsisht 52 prej tyre ishin pagesa në terminale POS, ndërsa diferenca ishin tërheqje apo depozitime paraje cash.Vlera totale e pagesave me kartë për gjashtë muaj ka arritur në 48.3 miliardë lekë, me një rritje prej 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.Të matura në vlerë monetare, pagesat me kartë përbënin 17.4% të totalit të veprimeve me karta, në rritje nga niveli prej 16.3% i vitit të kaluar.Duke pasur parasysh se periudhat e pikut turistik korrik-gusht shoqërohen me rritje të pagesave me kartë, është e pritshme që vlera e pagesave për gjysmën e dytë të vitit të jetë më e lartë.Rritja e numrit të turistëve të huaj në vitet e fundit është ndër faktorët kryesorë që po ndikon në rritjen e shpejtë të pagesave me kartë bankare në Shqipëri.Përveç ndikimit të ndjeshëm të turizmit, vlerësohet se edhe përdorimi i pagesave me kartë nga rezidentët është në rritje në vitet e fundit, sidomos pas periudhës së pandemisë.Rritja e kërkesës së tregut për pagesa me kartë po shoqërohet edhe me zgjerimin e bazës së bizneseve që pranojnë pagesa të tilla dhe besohet se sektori i turizmit u ka dhënë një shtysë të konsiderueshme këtyre pagesave.Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i terminaleve POS për pranimin e pagesave me kartë në mesin e këtij viti arriti në 27 969, në rritje të mëtejshme me 28.4% krahasuar me mesin e vitit të kaluar.Një nga operatorët e mëdhenj globalë të pagesave me kartë, Mastercard, këtë vit po e mbështet zgjerimin e pagesave me kartë me një program të shtimit të pajisjeve POS me kushte lehtësuese për bizneset.Rritja e pagesave me kartë është një sinjal pozitiv në drejtim të uljes së përdorimit të parasë fizike në ekonomi.Shqipëria është një vend me shkallë të përdorimit të lartë të parasë cash, fenomen i lidhur me një përfshirje ende të pamjaftueshme financiare, por edhe me nivelin e konsiderueshëm të informalitetit dhe evazionit fiskal. Burimi: Banka e Shqipërisë Transfertat me e-banking, falas deri në 40 mijë lekë Në mesin e muajit shtator, hyri në fuqi një paketë ndryshimesh në rregulloret e sistemeve të pagesave, që ka sjellë ulje të ndjeshme të komisioneve për transfertat kombëtare në Lek dhe në Euro.Fryma e rregulloreve të reja, përveç uljes së komisioneve për transfertat deri në 10 milionë lekë, forcon më shumë incentivat për kryerjen e pagesave në rrugë elektronike.Në rregulloren e re “Për funksionimin e sistemit të klerimit të pagesave me vlerë të vogël – AECH”, Banka e Shqipërisë ka miratuar ndryshime që parashikojnë që për pagesat në nisje të urdhëruara nga klientë të pjesëmarrësve dhe që transferohen nëpërmjet sistemit AECH, por që janë të iniciuara në formë elektronike, me vlerë më të vogël ose të barabartë me 40 mijë lekë, nuk duhet të aplikohen komisione.Më parë, vlera maksimale e përjashtuar nga komisionet për transfertat e kryera në formë elektronike (nëpërmjet shërbimeve të internet banking ose mobile banking) ishte 20 mijë lekë.Dyfishimi i vlerës së transfertave që përjashtohen nga komisionet bankare e lehtëson më tej kryerjen e pagesave dhe transfertave në vlerë të vogël në ekonominë shqiptare.Për transfertat mbi 40 mijë lekë, deri në vlerën e 10 milionë lekëve, që kryhen në rrugë elektronike, komisioni maksimal i lejuar parashikohet në nivelin 0.005% të vlerës së transferuar. Për shembull, një transfertë e kryer me e-banking me vlerë 1 milion lekë nuk mund të ngarkohet nga bankat dhe institucionet financiare me një komision më të lartë se 50 lekë.Ndërsa, për transfertat në formë letër (që kryhen në degë) me vlerë deri në 10 milionë lekë, komisioni maksimal i lejuar do të jetë 0.01%.Institucioneve të pagesave u lejohet vendosja e një komisioni minimal të shprehur në vlerë absolute, me qëllim mbulimin e kostove për ofrimin e shërbimit.Kjo vlerë mund të jetë deri në 500 lekë për transfertat në degë dhe 50 lekë për transfertat elektronike (vetëm për ato transferta elektronike që kalojnë vlerën e 40 mijë lekëve).Në total, komisionet për transfertat kombëtare deri në 10 milionë lekë nuk mund të kalojnë në asnjë rast vlerën e 1 mijë lekëve.Me rregulloren e mëparshme, transfertat deri në vlerën e 1.5 milionë lekëve kishin një komision tavan deri në 500 lekë për transfertat e kryera në degë dhe 250 lekë për transfertat e kryera me internet banking.Ndërsa transfertat me vlerë më të lartë se 1.5 milionë lekë kishin një komision tavan deri në 1500 lekë (750 lekë nëpërmjet e-banking).Përveç uljes së komisioneve, kuadri i ri rregullator u vendos bankave edhe detyrimin që transfertat kombëtare të finalizohen brenda ditës së punës. Me rregulloren e mëparshme, kryerja e transfertave kombëtare mes bankave të ndryshme kishte afat një ditë pune. Ulen komisionet edhe për transfertat kombëtare në EuroNdryshimet në rregulloren “Për funksionimin e sistemit AIPS EURO për shlyerjen e transfertave vendase për klientë në Euro”, parashikojnë ulje të nivelit të komisioneve që klientët e sektorit financiar do të paguajnë për kryerjen e transfertave në Euro.Nivelet maksimale të parashikuara për komisionet e transfertave të brendshme do të jenë të vlefshme edhe për transfertat ndërkombëtare nëpërmjet SEPA.Rregullorja “Mbi tarifat e pagesave ndërkufitare në zonën SEPA dhe kushtet e transparencës” parashikon që tarifat e aplikuara nga Operatorët e Shërbimeve të Pagesave (banka ose institucione financiare jobanka të pagesave dhe parasë elektronike) për pagesat SEPA dalëse nuk mund të tejkalojnë kufijtë e përcaktuar nga Banka e Shqipërisë për vlerat korresponduese të pagesave vendase në Euro që procesohen përmes sistemeve të saj dhe përcaktohen në kuadrin rregullator të këtyre sistemeve.Ashtu siç ndodh me transfertat në Lek, edhe rregullorja për transfertat në Euro do të stimulojë përdorimin e kanaleve elektronike për kryerjen e transfertave, duke parashikuar komisione të përgjysmuara për veprimet që kryhen nëpërmjet këtyre kanaleve.Komisioni minimal që bankat mund të aplikojnë për transfertat kombëtare në monedhën europiane, të kryera nëpërmjet e-banking, nuk mund të jetë më i lartë se 2 euro.Ndërsa totali i komisioneve për çdo transfertë me vlerë deri në 150 mijë euro, të kryer me e-banking, nuk mund të jetë më i lartë se 0.01% e vlerës së transferuar.Totali i komisioneve për çdo transfertë me vlerë deri në 150 mijë euro, e kryer në degë (në formë letër) nuk mund të jetë më i lartë se 0.02% e vlerës së transferuar.Me rregulloren e mëparshme, komisioni maksimal ishte 10 herë më i lartë, në masën 0.2%.Gjithashtu, ky komision maksimal ishte i detyrueshëm vetëm për transfertat me vlerë më të ulët, deri në 10 mijë euro; për pagesat më të mëdha se 10 mijë euro, nuk parashikohej një tavan për komisionin në përqindje, por vetëm një komision maksimal në vlerë, pavarësisht shumës së transferuar.Komisionet maksimale që bankat mund të aplikojnë, pavarësisht shumës së transfertës, propozohen të jenë të njëjta si në rregulloren aktuale, përkatësisht 50 euro për transfertat e kryera në degë dhe 25 euro për ato të nisura nëpërmjet kanaleve elektronike.Sistemi i pagesave kombëtare AIPS Euro nisi funksionimin në fillim të vitit 2022, me qëllim lehtësimin e kryerjes së transfertave në Euro brenda vendit dhe uljen e kostos të tyre.Më parë, këto transferta kryheshin nëpërmjet bankave të huaja korrespendente, rrugë që sillte komisione shumë më të larta dhe kohë më të gjatë për finalizimin e transaksionit. Nga 7 tetori, tarifa të njëjta edhe për transfertat ndërkombëtareNë 7 tetor, bankat shqiptare do të fillojnë ofrimin e transfertave në sistemet e SEPA, duke bërë më në fund efektive anëtarësimin e vendit tonë në këtë zonë, afërsisht një vit më parë.Kjo do të sjellë ulje drastike të komisioneve dhe shkurtim të kohës për të kryer transfertat në Euro jashtë vendit.Si pjesë e paketës rregullatore të pagesave, Banka e Shqipërisë ka reflektuar parimin e SEPA që kostot e transfertave në SEPA nuk mund të jenë më të larta se ato të transfertave kombëtare.I vetmi ndryshim do të jetë që bankave do t’u lejohet të aplikojnë një komision maksimal për transfertat hyrëse, në vlerën 3 euro për transaksion.Komisionet e përcaktuara nga Banka e Shqipërisë do të sjellin një ulje të ndjeshme të komisioneve të transfertave ndërkombëtare, por megjithatë pa arritur plotësisht në nivelet minimale që aplikohen në Bashkimin Europian.Zëvendësdrejtorja e departamentit të sistemeve të pagesave, Valentina Semi, shpjegon arsyet pse komisionet maksimale të lejuara për Shqipërinë lidhen me disa faktorë specifikë.“Ne jemi përpjekur të ndjekim modelet europiane, por duke u mbështetur edhe në nevojat dhe specifikat e tregut tonë. Së pari, ne kemi edhe një politikë deeuroizimi, që duhet të vazhdojmë ta ndjekim. Edhe për këtë arsye, duhet të ketë një diferencim ndërmjet Lekut dhe Euros, që të mos stimulojmë euroizimin.Nga ana tjetër, për këtë shërbim bankat kanë kosto, sepse nga pikëpamja teknike, nuk është e njëjta mënyrë se si funksionon në BE. Bankat e BE-së kanë akses direkt në sistemet e pagesave europiane.Për vendet jo anëtare të BE-së, si Shqipëria, ka një hallkë ndërmjetëse, që po u aplikon bankave komisione shumë të larta. Ne shohim që e njëjta bankë e BE-së, për një bankë të madhe shqiptare ofron komisione shumë të ulëta, ndërsa për një bankë të vogël aplikon komisione shumë të shtrenjta.Kjo e bën të papërballueshme për bankën e vogël ofrimin e një shërbimi sa më konkurrues. Ne jemi duke punuar edhe me ECB-në për të pasur edhe ndihmën e tyre në këtë drejtim”, thotë znj. Semi. Vitin e kaluar u kryen gati 11 milionë transferta bankare ndërkombëtare Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vitin e kaluar, numri i transfertave ndërkombëtare hyrëse dhe dalëse të kryera nëpërmjet sektorit bankar shqiptar arriti në pothuajse 11 milionë.Numri i transfertave ndërkombëtare u rrit me 40% krahasuar me një vit më parë, ndërsa në harkun e një dekade, numri i këtyre transfertave është rritur më shumë se shtatë herë.Në vlerë, ato arritën në afërsisht 1.71 trilionë lekë, me një rritje prej 28% krahasuar me vitin 2023.Struktura e transfertave ndërkombëtare të kryera në sektorin bankar shqiptar dominohet nga transfertat hyrëse, që në 2024 arritën në pothuajse 8.1 milionë, në rritje me 39.5% krahasuar me vitin 2023. Ato përbënin rreth 74% të totalit të transfertave ndërkombëtare.Numri i transfertave ndërkombëtare hyrëse ka shënuar nivelin më të lartë historik, ndërkohë që është rritur me pesë herë krahasuar me vitin 2019, përpara pandemisë. Edhe për vitin 2024, rritja ishte mjaft e lartë si në segmentin e bizneseve, ashtu edhe në atë të individëve.Në total, sipas Bankës së Shqipërisë, transfertat hyrëse nga jashtë në llogaritë bankare të bizneseve dhe individëve arritën vlerën e 782.9 miliardë lekëve, në rritje me 42.7% krahasuar me një vit më parë.Ndryshe nga sa ndodh me transfertat kombëtare, ato ndërkombëtare ngarkohen me komisione edhe në mbërritje.Sipas rregullave të reja të miratuara nga Banka e Shqipërisë, pas tetorit, nëse banka aplikon komisione për tarifat e pagesave hyrëse SEPA hyrëse, ato duhet të reflektojnë kostot përkatëse të ofruesit të shërbimeve të pagesave dhe në asnjë rast nuk mund të kalojnë vlerën 3 euro për transaksion.Transfertat ndërkombëtare dalëse, sipas Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar arritën në 2.91 milionë, në rritje me 43% krahasuar me vitin 2023.Në vlerë, ato arritën shifrën e 924 miliardë lekëve, 17% më shumë krahasuar me një vit më parë.Aktualisht, transfertat ndërkombëtare kryhen nëpërmjet rrjetit të bankave korrespondente të bankave shqiptare.Kjo zgjidhje rezulton me komisione të larta dhe afate disaditore për kryerjen e transfertave.Pas muajit tetor, edhe komisionet ndërkombëtare që do të kryhen nëpërmjet sistemeve të SEPA do të jenë subjekt i niveleve maksimale të komisioneve, të vendosura nga Banka e Shqipërisë për transfertat kombëtare në Euro. Burimi: Banka e Shqipërisë Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
