valon ademi dhe behgjet pacolli
TIRANË- Valon Ademi, aksioner në ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, ka qenë mbrëmjen e djeshme në studion e emisionit Opinion, ku ka zbuluar historinë e njohjes dhe më pas përplasjen me Behgjet Pacollin. Ademi, i cili drejton një kompani që merret me ndërtime në infrastrukturë kryesisht në Kosovë, tha se ai ka qenë i pari që ka shfaqur interes për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, por nuk mund të përmbushte kriteret e koncensionit, dhe për këtë i është dashur bashkëpunimi me Pacollin, të cilin deri atëherë nuk e ka njohur. Ademi tha se me Pacollin janë njohur përmes pozicionit që a ika pasur si konsull i Shqipërisë në Kosovë, dhe e ka ndihmuar ish-politikanin që të pajisej me pasaportën shqiptare. Gjatë kësaj kohe, Ademi tha se ia kishte propozuar Pacollit që të hynin së bashku në tenderin për aeroportin e Vlorës, ndërsa stafet respektive ishin vënë në kontakt mes tyre.
Sipas Ademit, në marrëveshjen verbale mes tyre, Pacolli i kishte propozuar që të kishin secili nga 50% të aksioneve, ndërsa pronari i 2A kishte thënë se do të mbante 49%, në raport me 51% që do të merrte ‘baca’. Por pavarësisht se njëri do të ndërtonte pistën, dhe tjetri infrastrukturën aeroportuale, si kriter për fitimin e tenderit, ishte dhe një kompani që duhet të kishte eksperiencë në pjesën e operimit të fluturimeve. Për këtë shkak kompania Mabex, ka propozuar kompaninë Yda që të bëhej pjesë e konsorciumit, ndërkohë që më parë nkjë ofertë e tillë për bashkëpunim ishte refuzuar nga një kompani franceze.
Njohja me Pacollin
Ademi: Në vitin 2019, kuptuam se e kishim të vështirë të plotësonim kriteret e garës, nuk kishim ndërtuar paraprakisht aeroport ne. E lashë si në heshtje atë çështjen, kriteret ishin goxha të vështira. Në atë periudhë, më kontakton shefi i kabinetit asokohe i zotit Pacolli, kisha në raport me të, më kontakton pa asnjë lidhje. Valo thotë zoti Pacolli ka marrë dekret nga Presidenti, a mund të na asistosh si t’i nxjerrim pasaportën. Isha konsull nderi i Shqipërisë në Kosovë. Më kërkon këtë nder, i them po absolutisht, unë shkoj me makinën time madje. E mar zotin Pacolli, aty ishte takimi ynë i parë.
Propozimi për të marrë pjesë në koncensionin për aeroportin
Ademi: Të nesërmen zoti Pacolli thotë a ikim përtej Golemit, më tha më ka ofruar njëri një tokë, ikim ta shohim. Duke u kthyer unë e pyes, a ke ndërtuar ndonjë aeroport, po Valon më tha si jo. Ok i thashë bacë, jam duke menduar për të aplikuar në një tender për aeroportin e Vlorës, nëse ke interes, mund të aplikojmë bashkë. Nuk u bë shumë ky muhabet, të nesërmen vendosim në kontakt stafet tona dhe ata shkëmbejnë dokumentacionin për të parë a i përmbushim kriteret. Ndoshta pas një jave, më fton dhe më thotë, a aplikojmë bashkë në atë tender. I thashë po, absolutisht! I thashë a mund të sigurojmë një kredi, si e ke menduar bacë i thashë, tha 50/50. I thashë jo ti 51 unë 49.
Si u fut kompania turke në lojë
“Nga refuzimi prej kompanisë franceze, dikush nga stafi i Mabetex, njihet me një nga kompania turke që punonte në Kazakistan, atje ku punon edhe kompania e zotit Pacolli”, tha Ademi, duke deklaruar me bindje se “kompania turke YDA Group është kërkuar dhe gjetur nga Mabetex”. “Di që pronari i kësaj kompanie ka ardhur në Tiranë më 11 janar 2021, e di që pjesë e takimit me zotin Pacolli, kanë qenë edhe pjesëtarë të kompanisë time, unë personalisht jo!”.
Pse u tërhoqën turqit nga investimi
Blendi Fevziu: Një nga problemet e tjera ishte largimi i turqve. Pse ikën turqit?
Valon Ademi: Unë isha dëshmitar sepse thirra një mbledhje të aksionerëve Blendi sepse nuk po investonte asnjëri nga ata, ndërkohë që ne do të duhej të fillonim punën. Ministria na bënte presion vazhdoni punën, këta jo po do të shikojmë ne, do të bëjmë ne, ndërkohë që unë kisha sjellë makineritë, stafin.
Blendi Fevziu: Po pse ikën turqit?
Valon Ademi: Nuk donin të investonin.
Blendi Fevziu: Pse kishin hyrë në kompani kur s’donin të investonin?
Valon Ademi: Nuk di ta them.
Blendi Fevziu: Kjo është ajo pika e errët e turqve që tregon që këta realisht kanë ardhur për të marrë ato lekët dhe ikën. Erdhën, kishin edhe një lidhje me spitalin e Fierit…
Valon Ademi: Cilat lekë?
Blendi Fevziu: 3 milionë euro.
Valon Ademi: Kush ia dha këto 3 milionë euro, z. Pacolli?
Blendi Fevziu: Po.
Valon Ademi: Nga ia dha?
Blendi Fevziu: Nuk e di nga ia ka dhënë. Kompania turke është larguar pasi ka marrë një shumë dhe nuk ka bërë asnjë ditë punë dhe nuk ka derdhur asnjë lek që tregon që ka qenë fiktive se po të donte të operonte me aeroportin siç kërkonte në bazë të koncensionit, kompania do të qëndronte dhe do të administronte koncensionin.
Valon Ademi: Llafet e Pacollit e bëjnë fiktiv turkun, ndërkohë që dokumentacioni, letrat, thonë që turkut iu blenë 4 mijë euro aksione.
Blendi Fevziu: Ato janë aksionet nominale.
Valon Ademi: O Blendi, a e kupton që në vitin 2021 nuk donin të të jepnin as bankat para, nuk donin të të shikonin njerëzit se ishte koha e pandemise, thoshin çfarë janë këta budallenj që investojnë në aeroportin e Vlorës?
Blendi Fevziu: Pse ikën turqit?
Valon Ademi: Se ndoshta kishin frikë, ndoshta s’kishin lekë. Nuk e di. Por në mbledhje të asamblesë, e thirrur nga unë, përfaqësuesi i kompanisë YDA thotë ne nuk mund të investojmë në këtë projekt. Kaq, shumë e thjeshtë.
Si ndodhi krisja me Pacollin
Blendi Fevziu: Kur ka ndodhur thyerja juaj? Në cilën kohë? Kur doli çështja e aksioneve? Më herët, më vonë?
Valon Ademi: Unë me z. Pacolli u prisha në maj të këtij viti.
Blendi Fevziu: Pse?
Valon Ademi: Është ai projekti në Bengazi, i Libisë. Atje bëri një veprim Behgjet Pacolli. Unë nga atje kuptova diçka të madhe. Behgjet Pacolli merr në telefon njeriun tim atje dhe i kërkon atij që të punonte për të, këtë gjë e bën jashtë dijenisë sime.
Ademi pretendon se ky ishte një skenar, teksa shton: “A e kupton ti ku shkova unë me z. Pacolli? Unë kam shkuar e kam takuar në Lugano pasi ishte sëmurë, unë në makinë me të, ai filloi qau dy orë në makinë duke thënë që të gjithë ma bëjnë të padrejtë, ma bëjnë dhe vëllezërit, dhe unë i besoja, kaq është shumë e thjeshtë!”.
Ademi i qëndron marrëveshjes që është nënshkruar përpara noteres, me një prokurë në emër të asamblesë së MABCO, që i shet atij 40% të aksioneve. Marrëveshja sipas tij është bërë përmes një prokure që mban firmën e të vëllait të Behgjet Pacollit, Eminit, të cilin pretendon se e ka takuar vetëm njëherë. Sipas Ademit, ai ka pasur një raport besimi me Pacollin, dhe për këtë shkak nuk ka kërkuar që të blinte ai në mënyrë direkte aksionit nga turqit, që u tërhoqën nga investimi. Përmes faturave që paraqiti në emision, kompania 2A deri tani ka investuar rreth 25 milionë euro në ndërtimin e aeroportit të Vlorës, ndërkohë që Pacolli propozoi që marrëveshja e re me ta të nënshkruhet 3 muaj pas përfundimit të punimeve.
“Investimi në atë projekt ka nisur që nga dita e parë, këtu edhe garancinë e kontratës e kam paguar unë. Aviacioni në vitin 2021 ishte në një krizë, që kujtdo t’i thoje që do investoj, të shikonin si budalla. Ata (Pacolli dhe kompania turke) nuk e donin këtë projekt. Madje kishin frikë sepse kishte rrisqe të larta. Unë kam të gjithë dokumentacionin, faturat, librat ndërtimorë, sepse aty nuk është Netflix, është një kompani që ka investuar afërsisht 25 milion euro, kryesisht në infrastrukturën e pistës me aksesorët rreth e rrotull”, tha Ademi.
Tashmë që çështja e aksioneve ka përfunduar në derën e prokurorisë së Tiranës, Ademi tha që pret që njëri prej të dyve të shkojë në burg, ose Pacolli si mashtrues, ose ai si hajdut.
Blendi Fevziu: Çfarë prisni nga prokuroria?
Valon Ademi: Nga prokuroria ose duhet të shkoj unë si hajdut në burg, ose duhet të shkojë ai si mashtrues.
Blendi Fevziu: Por mund të zgjidhet edhe pa burg kjo, bini dakord, ndani aksionet në bazë të investimit.
Valon Ademi: Ah, nëse prokuroria shqiptare merret me bie dakord ai, në rregull.
Blendi Fevziu: Ti pret o ai, o ti.
Valon Ademi: Unë e kam kallëzuar Behgjet Pacollin në prokurori për mashtrues. Ai më ka kallëzuar, kundërpadi, pra në këto kushte ose do të duhet të përgjigjem unë penalisht për vjedhje, mashtrim, ku e di unë, ose duhet të përgjigjet ai për mashtrim.
Por, Ademi thekson se ka një mënyrë që mes tij e Pacollit marrëdhënia të funksionojë.
Valon Ademi: Absolutisht ka vend që unë të vazhdoj të funksionoj me z. Pacolli. Ka vend, por me Compartment Berninën, kurrë.
Blendi Fevziu: Po me Pacollin ka vend.
Valon Ademi: Por s’është më i shkreti, iku.
Sipas Ademit, aeroporti i Vlorës do të hapet më 1 mars 2026, pavarësisht se situata duket tejet komplekse.
“Do e hapim në 1 mars. Do ulim avionin dhe do vazhdojmë operimet. Ne s’shesim bileta, e di çfarë kërkese ka Blendi?! Të hatashme, nga të gjitha kompanitë! Wizz Air, Ryanair, këto kompanitë low cost.”
Ademi e përmbylli deklarimin e tij, me pretendimin se financimi që Pacolli ka marrë përmes kredisë, për ndërtimin e pjesës së tij të aeroportit, e ka bërë atë që të shesë të drejtat mbi këtë objekt.
“Kontrata e Delpho nuk është kontratë kredie, por marrje me dhunë! Problemi është kontrata e shitjes, marrje me dhunë e aeroportit. Ore nuk do e marrin! Kur lexon kontratën thua ore kush është ky njeri që merr këtë lloj borxhi?! Compartment Bernina nuk e di njeri se kush është, ai do marrë aeroportin. Inshallah nuk janë rusë, se do dalë edhe tradhtar, deri këtu është në nivelin e mashtrimit. Po na doli rusi, do dalë edhe tradhtar ky. Delpho nuk është bankë!”, tha Ademi. /ZËRI









