Tag: pacientëve

  • Skandal në Itali! Abuzonte seksualisht me pacientet, vihet në pranga kryebashkiaku mjek

    Skandal në Itali! Abuzonte seksualisht me pacientet, vihet në pranga kryebashkiaku mjek

     Një rast tronditës ka dalë në dritë në Milano, ku gastroenterologu dhe njëherësh kryebashkiaku i Rivolta d’Adda (Kremona), Giovanni Sgroi, 70 vjeç, është vendosur në arrest shtëpiak me akuzën e dhunës seksuale të rënduar ndaj katër pacienteve.

    Hetimet janë zhvilluar nga karabinierët dhe janë koordinuar nga Prokuroria e Milanos, pas një denoncimi të bërë në maj 2024 nga një paciente 24-vjeçare. Gjatë hetimeve, përmes përgjimeve telefonike, analizave mjeko-ligjore dhe kërkimeve të tjera, janë identifikuar edhe tre viktima të tjera, të moshave 34, 36 dhe 43 vjeç.
    Abuzime gjatë kontrolleve mjekësore
    Sipas rindërtimit të bërë nga prokurorja Letizia Mannella dhe kolegia e saj Alessia Menegazzo, abuzimet dyshohet se kanë ndodhur gjatë ekzaminimeve me ultratinguj të barkut në Qendrën Mjekësore Specialiste Pozzuolo Martesana, një strukturë private ku Sgroi ushtronte aktivitetin dhe mbante postin e drejtorit mjekësor.
    Sipas dosjes hetimore, mjeku dyshohet se shfrytëzonte pozitën e tij për të kryer veprime me natyrë seksuale, duke e kthyer aktin mjekësor në një mjet për të cënuar integritetin fizik dhe psikologjik të pacienteve. Ai përdorte një “modus operandi” të përsëritur, ku përziente pyetje profesionale me pyetje personale pa asnjë bazë mjekësore, dhe në mënyrë të papritur kryente akte të papranueshme ndaj pacienteve.
    Fjalë shqetësuese dhe sjellje të përsëritura
    Në një prej rasteve, sipas dëshmive të përfshira në urdhrin e arrestit, pas një abuzimi të dyshuar ndaj një pacienteje të re, Sgroi i është drejtuar sekretares së qendrës me fjalët: “Jepi të voglës një zbritje”, duke shtuar edhe më shumë në peshen e dyshimeve për qëndrimin e tij ndaj viktimave.
    Rrezik për përsëritje të veprës penale
    Gjykatësja hetuese Sara Cipolla, e cila ka firmosur masën e arrestit shtëpiak, vlerëson se ekziston rrezik real për manipulim të provave dhe mundësi që mjeku të kryejë vepra të tjera të ngjashme nëse lihet i lirë. Kujtojmë se Sgroi ka qenë subjekt hetimesh edhe më parë, në vitin 2010, nga Prokuroria e Bergamos, por çështja u mbyll atëherë pa pasoja penale.
    Dyshohet për viktima të tjera – autoritetet bëjnë thirrje për denoncim
    Duke marrë parasysh numrin e lartë të pacientëve që kanë kaluar nëpër duart e mjekut gjatë viteve të praktikës së tij, hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë e viktimave të tjera. Autoritetet kanë bërë thirrje publike për denoncim, nëse ka persona të tjerë që mund të kenë qenë viktimë e sjelljeve të ngjashme nga Giovanni Sgroi.

    Top Channel

  • E rëndë në Korçë! Roja i spitalit hyn i dehur në dhomat e pacientëve, godet familjarin e një prej tyre

    E rëndë në Korçë! Roja i spitalit hyn i dehur në dhomat e pacientëve, godet familjarin e një prej tyre

    Një incident është regjistruar sot në Spitalin Rajonal të Korçës, ku roja i sigurisë është përfshirë në debate të forta me pacientë, infermierë dhe mjekë. Mësohet se ngjarja ka ndodhur në pavionin e sanatoriumit, teksa raportohet se roja ka qenë në gjendje të dehur.

    Sipas burimeve, roja ka hyrë në pavion dhe në dhomat e pacientëve, ku ka filluar t’i ofendojë dhe t’i shajë. Sjellja e tij alarmoi stafin mjekësor, i cili ndërhyri për ta ndalur, por situata agravoi edhe më tej, pasi roja ka debatuar dhe është përplasur edhe me infermierët. Kulmi i incidentit ndodhi kur roja goditi një familjar të një pacienti të shtruar në pavion, çka detyroi thirrjen e menjëhershme të policisë.
    Efektivët ndërhynë për të neutralizuar situatën dhe më pas shoqëruan rojën në komisariat.

  • Tetovë, në rritje numri i pacientëve të prekur nga alergjitë e ndryshme

    Tetovë, në rritje numri i pacientëve të prekur nga alergjitë e ndryshme

    Temperaturat jo konstante, alergjitë e ndryshme gjatë periudhës se pranverës dhe virozat sezonale kanë rritur numrin e pacientëve që kërkojnë ndihmë në Spitalin e Tetovës, thotë mjeku Bekim Ismaili.Sipas tij, pacientët më së shumti ankohen me kollitje, teshtitje probleme me frymarjen, lotim të syve e sekrete të hundëve.

    “Me ardhjen e gjelbërimit na paraqiten alergjitë sezonale të cilat ndërlidhen me virozat sezonale, dhe kjo ka sjellë që të rritet numri i pacientëve që vijnë dhe i frekuentojnë ambulantat tona. Ne kemi një rritje të pacientëve që vijnë enkas për këta shqetësime në ordinancat tona. Kemi një rritje të pacientëve dhe kanë ato simptomat e që paraqiten enkas edhe si pasojë e ndryshimeve të temperaturave dhe i alergjenteve të ndryshme. Pacientët që vijnë me kollitje, teshitje, probleme me sistemin respirator, me sekret të hundëve e lotim të syve të cilët janë një kombinim edhe i virozave sezonale edhe i alergjenteve pranveror” – theksoi mjeku Bekim Ismaili.

    Mjeku Ismaili, apelon që personat që vujanë nga alergjentët e ndryshëme gjatë kësaj periudhe të mos frekuntojnë parqet dhe vendet me gjelbërim, e nese vendosin të dalin, të mbajnë maska mbrojtëse.

    “Ne i këshillojm pacientët që e dinë se kanë probleme me alergjitë sezoanle të fillojnë me kohë të marrin terapinë e duhur e të bëjnë një preventiv të alergjentëve sezonalë të cilët nëse ka edhe virozë sezonale edhe më tepër e rëndojnë gjendjen shëndetësore të pacientit. Këta pacientë duhet t’i shmangen sa do pak daljes në natyrë në ato vende ku ka gjelbërim apo më së paku të mbajnë masak mbrojtëse” deklaroi mjeku Ismaili.

    Ismaili thotë se për dallim nga dekada e kaluara tani shkon në rritje numri i pacientëve të prekur nga alergjitë e ndryshme.

  • Mëlçia e derrit në shërbim të pacientëve: Një studim i ri klinik synon të shpëtojë jetë me ndihmën e gjenetikës

    Mëlçia e derrit në shërbim të pacientëve: Një studim i ri klinik synon të shpëtojë jetë me ndihmën e gjenetikës

    Një studim i ri klinik, i miratuar së fundmi nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA), pritet të testojë një teknologji revolucionare që përdor mëlçinë e një derri të modifikuar gjenetikisht për të filtruar përkohësisht gjakun e pacientëve me dështim të papritur të mëlçisë. Qëllimi është t’i jepet mëlçisë njerëzore një mundësi për t’u pushuar dhe rigjeneruar, në një përpjekje për të shmangur transplantin dhe për të shpëtuar jetë.

    Kjo provë, e para e këtij lloji, është rezultat i një bashkëpunimi midis kompanisë bioteknologjike eGenesis dhe partnerit të saj britanik, OrganOx. Deri në 20 pacientë që nuk kualifikohen për transplant të mëlçisë do të përfshihen në këtë fazë fillestare, e cila pritet të nisë këtë pranverë.

    Ndryshe nga transplantet tradicionale, mëlçia e derrit nuk do të implantohet në trupin e pacientëve, por do të lidhet jashtë trupit përmes një pajisjeje që pompon gjakun e tyre përmes këtij organi artificial. Pajisja është aktualisht në përdorim për ruajtjen e mëlçive të dhuruara të njeriut.

    Sëmundjet e mëlçisë janë ndër shkaqet më të zakonshme të vdekjeve në mbarë botën. Në SHBA, mbi 66,000 persona humbin jetën çdo vit për shkak të tyre, ndërsa në Bashkimin Evropian u raportuan afro 86,000 vdekje vetëm në vitin 2021. Për pacientët me dështim të papritur të mëlçisë, opsionet e trajtimit janë të kufizuara dhe shkalla e vdekshmërisë mbetet e lartë, deri në 50%.

    Eksperimentet e mëparshme me katër trupa të vdekur kanë treguar se mëlçia e derrit është në gjendje të mbështesë funksionet e mëlçisë njerëzore për dy deri në tre ditë. Sipas drejtuesit të eGenesis, Mike Curtis, ky proces “urë” mund të bëjë diferencën për pacientët që kanë nevojë për një ndërhyrje të menjëhershme.

    Shkencëtarët shpresojnë që kjo teknologji do të hapë një kapitull të ri në trajtimin e sëmundjeve të rënda të mëlçisë dhe do të ofrojë një alternativë të vlefshme për pacientët që aktualisht nuk kanë zgjidhje.

  • “Tronditet” Berlini! Mjeku dyshohet për vrasjen e qëllimshme të 15 pacientëve, hetimet zbulojnë: Kishte kënaqësi

    “Tronditet” Berlini! Mjeku dyshohet për vrasjen e qëllimshme të 15 pacientëve, hetimet zbulojnë: Kishte kënaqësi

    Një mjek 40-vjeçar në Berlin është vënë në qendër të një skandali të rëndë pas akuzave për vrasjen e 15 pacientëve të tij me një koktej vdekjeprurës medikamentesh.

    Prokurorët gjermanë kanë deklaruar se mjeku, i identifikuar si Johannes M., dyshohet se ka vepruar sepse kishte “epsh për vrasje”.
    Sipas autoriteteve, viktimat – 12 gra dhe 3 burra – ishin të moshave nga 25 deri në 94 vjeç dhe vdiqën midis shtatorit 2021 dhe korrikut 2024.
    Hetuesit thonë se mjeku i ka administruar pacientëve anestezikë dhe relaksues muskujsh, pa dijeninë apo miratimin e tyre.
    Substancat e përdorura shkaktuan paralizë të muskujve të frymëmarrjes, duke çuar në ndalim të frymëmarrjes dhe vdekje brenda pak minutash.
    Në pesë raste, ai dyshohet se ka vënë zjarr në banesat e viktimave për të fshehur krimet – përpjekje që në disa raste nuk patën sukses.
    Sipas detajeve tronditëse të dosjes së prokurorisë, më 8 korrik 2024, mjeku dyshohet se vrau dy pacientë në të njëjtën ditë: një burrë 75-vjeçar në Kreuzberg në mëngjes, dhe një grua 76-vjeçare në lagjen Neukölln pasdite.
    Kur nuk arriti të shkaktonte zjarrin e planifikuar në banesën e viktimës së dytë, ai raportohet se kontaktoi një të afërm të saj, duke pretenduar se nuk po merrte përgjigje në derë.
    Johannes M. u arrestua fillimisht në gusht 2024, i dyshuar për vrasje nga pakujdesia në katër raste. Por hetimet kanë zbuluar një numër shumë më të madh viktimash dhe dyshime të thella për vrasje me paramendim. Prokurorët tani e përshkruajnë atë si një person me një motiv të pastër kriminal, pa ndonjë përfitim personal – thjesht një “epsh për vrasje”.
    Një ekip special hetuesish ka identifikuar 395 raste të dyshimta, ku mund të jetë përfshirë i akuzuari. Deri tani, në 95 raste është konfirmuar dyshimi fillestar, ndërsa 75 të tjera janë ende nën shqyrtim.
    Janë kryer 12 zhvarrime, për të hetuar më tej mënyrën e vdekjes, ndërsa pesë zhvarrime të tjera janë në plan.
    Ky rast vjen ndërkohë që një infermiere në Aachen po gjykohet për vrasjen e nëntë pacientëve, duke i injektuar me doza të tepruara qetësuesish për të “reduktuar ngarkesën në turnin e natës”. Ajo e kishte përshkruar veten si një “mjeshtre të jetës dhe vdekjes”.
     

    Top Channel

  • Gjermani, mjeku akuzohet se ka vrarë 15 pacientë

    Gjermani, mjeku akuzohet se ka vrarë 15 pacientë

    Një mjek 40-vjeçar në Gjermani është vënë nën hetim, pasi akuzohet për vrasjen e 15 pacientëve, duke u administruar qëllimisht doza vdekjeprurëse medikamentesh. Viktimat ishin pacientë paliativë, persona në fazat e fundit të jetës që trajtohen për lehtësimin e dhimbjeve.Sipas prokurorëve gjermanë, mjeku dyshohet se ka vepruar në mënyrë të qëllimshme në disa shtete të ndryshme të Gjermanisë, ku kishte punuar gjatë viteve të fundit. Ai është arrestuar në gusht të vitit 2024 dhe ndodhet ende në paraburgim. Emri i tij nuk është bërë publik, për shkak të ligjeve gjermane të privatësisë.
    Fillimisht, ai dyshohej për përfshirje në katër vdekje të dyshimta në vitin 2023, dhe për tentativë për fshehjen e provave, duke i vënë flakën banesave të viktimave. Por hetimet kanë zbuluar edhe 11 raste të tjera, që datojnë deri në vitin 2021, dhe autoritetet thonë se numri i viktimave mund të rritet ndërsa hetimi vazhdon.Prokuroria kërkon gjithashtu që mjekut t’i ndalohet përjetësisht ushtrimi i profesionit. Një ekip i posaçëm hetimor është krijuar për të shqyrtuar dosjet mjekësore të pacientëve, dhe janë planifikuar edhe zhvarrime për të hetuar më tej rastet e dyshuara.
    Ky rast ka shkaktuar tronditje në opinionin publik gjerman dhe ka ngritur shqetësime serioze mbi mbikëqyrjen e praktikave mjekësore në trajtimin e pacientëve në faza terminale.