Tag: osmane

  • Dy Betejat e Kosovës (1389 dhe 1448) në perceptimin e Kronistëve të kohës

    Dy Betejat e Kosovës (1389 dhe 1448) në perceptimin e Kronistëve të kohës

    Beteja e parë e Kosovës 1389

    Burimet bazë mbi Betejën e Parë të (fushë) Kosovës, padyshim  që  janë  Kronikat Osmane, Sllave, Perëndimore, Bizantine dhe  ato  Arabe, të  cilat rëndom nuk janë bashkëkohëse të ngjarjes në fjalë. 1 Andaj edhe është mese e natyrshme që në këto kronika të ketë edhe kundërthënie në mes vete (kronistëve) për numrin e ushtarëve pjesëmarrës, zhvillimin e Betejës apo edhe rreth vdekjes misterioze të Sulltan Muratit të Parë (1362-1389). Kronistët më  të  hershëm Ashëk Pasha Zade, Oruç Bej, Neshri, por edhe këta më të vonshëm sikur Hoxha Sadeddin dhe të tjerët shihet se informacionin për periudhën e hershme të shtetit Osman e kanë marrë nga shënimet e Jahshi Fakihut.

    Pothuajse të gjitha burimet na çojnë tek Beteja e vitit 1387/88 në Ploçnik, e cila edhe akumuloi forcën e udhëheqësve të popujve të Ballkanit për të organizuar një aleancë kundër Osmane, e që deri më tani është besuar se protagonistët kryesor të fitores në Ploçnik ishin Krali i Bosnjës Tvrtko dhe Despoti serb Lazar.2 Por që sipas gjetjeve të fundit bëhet fjalë vetëm për ushtrinë boshnjake të udhëhequr nga Krali Tvrtko në muajin gusht 1388 në vendin e  quajtur Bleka, dhe jo edhe për një fitore të përbashkët të boshnjakëve dhe serbëve.3

    Megjithatë, menjëherë pas asgjësimit të ganizonit Osman të udhëhequr nga Shahin Pasha, filluan përpjekjet për themelimin e një koalicioni të gjerë kundër Osman. Udhëheqës  të  koalicionit ishin: despoti serb Lazar, mbreti i Bosnës Tvrtko dhe princi Shqiptar me emrin Jorj (Gjorgj-Gjergj që bëhet fjalë për Gjergj Balshajn). Koalicioni u mbështet edhe nga Princërit e Vllahisë; Princi Bullgar İvanko. Ndërsa shteti detar i Venedikut në fillim kishte premtuar pjesëmarrjen në këtë koalicion antiosman, por në fund shihet se zgjedh të  qëndroj  neutral.4 Sulltan Murati i Parë ishte informuar për organizimin e koalicionit të shteteve të vogla të Ballkanit. Ai menjëherë filloi të përgatis një plan operativ për asgjësimin e koalicionit në fjalë. Qëllimi i Sulltanit ishte që të neutralizoj bashkëpjesëmarrësit e koalicionit. Dhe më 1388 nën udhëheqjen e veziriazamit (kryeministrit) Çandarlizade Ali Pasha, ushtria Osmane ndërmori një fushat kundër princërve Bullgar dhe Vlleh të cilët kishin premtuar pjesëmarrje në Betejën kundër 

    osmane. Për një kohë shumë të shkurtër ushtria e Ali Pashës pushtoi Pravadin, Shumnun dhe më në fund edhe kryqytetin Bullgar Tërnovën. Por, Krali Bulgar kishte ikur në Nikopol. Edhe pse Ali Pasha kishte në plan që ta merrte edhe Varnën e cila ishte nën sundimin e princit të Dobruxhës Ivanko, me kërkesën e Gjenovasëve të cilit ishin miq të osmanlinjëve, ushtria osmane u drejtua drejt Silistres dhe Nikopolit. Marrja e Nikopolit bëri që edhe mbreti Bullgar Shishman të mbetet jashtë koalicionit të Ballkanit.5 Derisa Ali Pasha shkonte përpara, nga pas vinte ushtria e përbërë nga fiset turke (Bijët e Germijanëve, Xhandarëve,  Saruhanëve,  Menteshëve,  Ajdënëve, Hamidëve etj)6 e udhëhequr nga Sulltan Murati.

    Ashtu siç u tha edhe më lartë, në mungesë të burimeve të kohës, kronikat osmane këtë ngjarje e përshkruajnë në versione të ndryshme. Nëse nisemi nga data e zhvillimit të betejes së Parë të Kosovës, shohim se janë dhënë disa data të cilat ndryshojnë nga njëra-tjetra mes 15 qershorit (21 Rexhep 791) dhe 27 gushtit të vitit 1389 (4 Ramazan 791).

    İdrisi Bitlisi dhe Hoxha Sadeddin japin datën 27 gusht 1389 (4 Ramazan).7 Por Gibbonsi hedhë poshtë mundësinë e zhvillimit të Betejës në muajin gusht, që sipas tij kjo Beteje u zhvillua më 20 Qershor 1389 (16 Rexheb)8, ndërsa Hammeri9 dhe İ.H. Uzunçarshili10 janë të mendimit se ngjarja e Kosovës u zhvillua në muajin Gusht, përkatësisht më 16 Gusht 1389 (16 Shaban 791). Kurse Ashëk Pasha Zade në kronikën e tij ka regjistruar vetëm vitin 1389, pa specifikuar datën e zhvillimit të Betejës në fjalë.11

    Këtë ngjarje me përmasa ndërkombëtare e gjejmë të regjistruar edhe tek burimet arabe, sikur İbn Halduni i cili në librin e tij Kitabü’l-ibr ka dhënë vetëm vitin 1389. Ndërsa ibn Haxheri në librin “enbau’l-Gumr” na jep vitin e gabuar 797 që korrospodon me vitin 1394-1395.12

    Ndërsa kur jemi tek rënditja e radhëve të ushtrisë Osmane tek Neshri dhe Feridun Beu gjejme se , Sulltan Murati si udhëheqës i Betejës ishte i stacionuar mu në mes, përpara kishte ganizonet e Jeniçerëve të cilët ishin të stacionuar pas skuadrës së topave13, e cila udhëhiqej nga Topçu Hajdari (Topçu Haydar). Nga ana e e djathtë gjendej njësiti i  udhëhequr  nga  princi Bejazid (Yıldırım Beyazit) dhe Kara Timurtash Pasha dhe Evrenos Beu. Ndërsa nga ana e majtë ishte Princi Jakup Çelebi (djali i madh i Sulltan Muratit I) së bashku me Bejlerbeun e Anadollit Saruxha Pashain, sikurse edhe bijët e Çandarëve, Germijanëve, Hamidëve, Tekëve,Menteshëve dhe Ajdinëve.

    Sipas Neshrit14 me urdhër të Evrenos  Beut ishin stacionuar  edhe nga një mijë shigjetarë në anën e majtë dhe të djathtë të ushtrisë, të cilët komandoheshin nga Malkoç Beu dhe Mustafa Beu. Gjë që sipas tij (Neshrit) taktika e Evrenos beut ishte vendimtare për fitimin e Betejës kundrejt koalicionit të shteteve të vogëla Ballkanike.

    Këto ishin të dhënat e Neshrit dhe Feridunit. Ndërsa sipas të dhënave  të  Hoxhës  Saduddin 15 shohim se Ali Pasha dhe Timurtash Pasha ishin në anën e djathtë dhe të majtë të Sulltanit. Që sipas Neshrit16 Veziri Ali Pasha gjendej në krahun e djathtë të  Bejazitit  (jo  të Sulltan Muratit). Feridun Beu gjatë shpjegimit të tij për renditjen e ushtarëve në Betejën e Kosovës përmend edhe pjesëmarrjen e Lala Shahin Pashës.17 Gjë që, sipas Ashëk Pasha Zades Lala Shahin Pasha kishte vdekur shumë më herët (1377) se ngjarja e Betejës së Kosovës.

    Në anën tjetër edhe stacionimi i Evronus Pashës tek kronistët Osman dhe të tjerët është diskutabile. Përderisa Hoxha Sadeddin thotë se Evronusi ishte në krahun e djathtë, Münecimbashi18 thotë se Evronusi ishte në krahun e majtë të Princit Jakup Çelebi. Poashtu edhe Subashi Ajna (Ayna) Bej sipas Hoxha Sadeddinit 19 ishte në krahun e majtë, e sipas Munexhimbashit20 në krahun e djathtë. Edhe Hammeri duke iu referuar Hoxha  Sadeddinit  thotë se Evronusi ishte në anën e djathtë, ndërsa Subashi Ajna Bej në anën e majtë.

    Në kronika gjejmë edhe renditjen e radhëve të ushtrisë së koalicionit Ballkanik: Sipas Hoxha Sadeddinit në qendër gjendej Despoti serb Lazar, në anën e  djathtë të tij dhëndërri i tij  Vuk Brankoviç, në të majtë të tij ushtria e Kralit të Bosnës, Tvërtko. Ndërsa Neshri veç këtyre informatave shton se në krahun e majtë dhe të djathtë gjendeshin  Shqiptarët,  Vllehët,  Hungarezët, Polakët dhe Bullgarët.21

    Edhe çështja e numrit të ushtarëve pjesëmarrës në Betej është shumë e debatueshme në mes hulumtuesve të kësaj ngjarjeje. Megjithatë Kronistët Osmanë ushtrinë e koalicionit e përshkruajnë si shumë më të madhe në numër se ushtria Osmane. Sipas Hoxha Sadeddinit Boshnjakët, Hungarezët, Vllehtë, Shqiptarët, Bogdanët, fiset Sllave (islav kavimleri) kishin bërë marrëveshje me Serbët dhe kishin formuar një ushtri të përbashkët prej 200 000 vetash.22 Neshri jep një shifër prej 300 000 vetash23. Ndërsa Munexhimbashi nuk jep ndonjë shifër, por në mënyrë alegorike përshkruan numrin e madh të ushtrive të koalicionit:

    ” Ushtria e madhe e të pa feve (kyffarëve) kishte ardhur në vendin e Betejës (fushë Kosovë). Muslimanët (ushtria) karshi ushtrisë së madhe të të pa feve dukeshin sikur një mizë në shpinën e një kafsheje”.24

    Edhe Hammeri thotë se Sulltani kishte filluar të shqetësohej për shkak të numrit të madh  të ushtarëve të koalicionit. Ky pohim ka mbështetjen tek Neshri dhe Munexhimbashe.25

    Oruç beu 26për ushtrinë Osmane na jep një shfër prej 60  000  ushtarëve.  Solak-zâde27 thotë se ushtria e koalicionit ishte pesë (5) herë më e madhe në numër se ushtria Osmane. Gjë që   i forcon të dhënat e Hoxha Saduddinit, i cili na jep shifrën prej 200 000 vetash.

    Një pikë tjetër, ndoshta ndër më të debatueshmet në raport me Betejën e Parë të Kosovës është ramja e Sulltanit dhe mënyra e vrasjes së tij nga ana e Millosh Kopili(çi)t,  që  sipas Enveriut; Pas përfundimit të Betejës Miloshi zbret nga kali duke thënë se “ dua të hy në fenë tënde”, i ofrohet Sulltanit me qëllim të puthjes së dorës dhe në këtë rast ai me një thikë që kishte  të fshehur në rrobën e tij, sulmon Sulltanin i cili bjen i shtrirë në tokë.28 Oruç Beu pa u futur në detaje cekë vetëm ramjen dëshmor të Sulltanit dhe ngritjen në fron të Jëlldërëm Bejazidit.29 Edhe Shukrullahu sikurse Oruç Beu pa u futur detajeve thotë; … se përderisa Sulltani qëndronte në një kodër, u sulmua për vdekje nga një ushtar serb.30

    Ndërsa Hoxha Saduddin duke na dëftuar për traditën Islame ku Sulltanët me qëllim të inspektimit të të rënëve në fushbetejë shëtisnin nëpër vendin e fushëbetejes thotë :

    “Përderisa Sulltan Murati ishte duke shëtitur në arenën e Betejës, një komandant i lartë nga radhët e serbëve me emrin Milosh, i cili ishte i plagosur, me të shpejt u zgjua dhe pretendoi  se ka pranuar fenë Islame, dhe dëshiron që Sulltanit t’i jap një informacion të rëndësishëm. Edhe pse Çavushet nuk deshën ta lejonin qe t’i afrohet Sulltanit, Sulltani kishte urdhëruar që ta lejojnë të afrohet. Miloshi ishte përulur dhe kishte bërë sikur ia puth jetekun (veshjen) e Sulltanit, me çrast kishte nxjerrë thikën e fshehur në rrobën e tij, me të cilën sulmon Sulltanin.31

    Edhe Neshri32 në kronikën e tij e ka përshkruar pothuajse njëjtë me të tjerët. Por sipas tij (Neshrit), taktika e Miloshit nuk ishte e rastësishme. Ngase menjëherë pas disfatës Miloshi kishte

    shkuar tek Kral Lazar dhe i kishte thënë se:” unë po shkoj ta mbys të parin (Sulltanin) e Osmanlinjëve”.33

    Në mesin e shumë të panjohurave të Betejës së Parë të Kosovës është edhe emri i sulmuesit të Sulltanit i cili është shkruar në forma të ndryshme nga ana e kronistëve. Ashëkpashazade dhe Neshri japin emrin Milosh Kopile, Hameri jep emrin Milosh Kabiloviç; Tacü’t-tevarih, Milosh Nikolla; Në kronikën anonime Osmane (Grekçe Osmanlı Tarihi) kalon emri Mihalis. Edhe Gibbonsi ka përdorur emrin Milosh Obravitch. Ndërsa në Dusturnamen e Enveriut është përmendur vetëm emri Milesh (ﺶ––ﻣﻠ).

    Beteja e Dytë e Kosovës 1448

    Është e njohur se pas marrjes sё Sfetigradit dhe Krujës nga ana e Skënderbeut sundimi Osman nё Shqipëri ishte rrezikuar shumë. Për rezultat Sulltan Murati II, më 1448 organizoi njё ekspeditё pёr rikthimin e Svetigradit dhe Krujës. 34 Jan Huniadi i cili ishte i interesuar t’i hakmerrej Sulltanit për disfatën e thellë qё e kishte pësuar nё  Betejën në Varnёs  (1444) dhe  duke dashur qё njёherё e përgjithmonë ta çliroj Ballkanin nga sundimi Osman, pikёrisht nё momentet kur Sulltani gjendej nё ekspeditën e Sfetigradit organizoi një koalicion kundrejt Sulltanit.35 Koalicion i cili do tё ballafaqohet me ushtrinë e Sulltan Muratit II nё Kosovë. Kjo Betejë që historiografi njihet si Beteja e Dytë e Kosovës e cila u zhvillua nё tetor tё vitit 1448, si njё ngjarje me rёndёsi ndёrkombёtare ka gjetur pasqyrim tё gjёrё edhe tek kronistët e kohës.36

    Nё kroniken Anonime tё historisë Osmane37 e cila përfshinë ngjarjet e vitit 1288-1514 thuhet: “ Sulltan Murati doli nё ekspeditё nё tokat e Juvanit dhe Vilajetin Shqiptar, (ku) u

    pushtua kalaja Koxhaxhik (Sfetigrad A.I.) dhe u shkatёrrua Vilajeti i Juvanit. Derisa Skёnderbeu kishte ikur, Sulltan Muratit i erdhi lajmi pёr bashkimin e Hungarezёve, Sasёve, Çekёve,  Almanёve (Gjermanёve), Latinёve, Lehёve (Lituanezёve) dhe Eflakёve (Vllehёve), të cilёt kishin pёr qёllim tё vinin nё Kosovё nёpёrmjet Beogradit dhe Kofusё. Sulltan Murati me tё marr kёtё lajm, marshoi nga Shqipëria drejtë Sofisё,.me ç’rast u dërgoi haber-ftesë ushtareve tё Anadollit dhe Rumelisë për t’u bashkuar. (Aty u bashkuan mese A.I) 1 000 ushtar  tё  thjesht, 10 000  Jeniçer dhe Xherahor38 dhe shumё vullnetarё të tjerё nga populli. (39b)39

    Edhe Ashёk Pasha Zade nё historinë e tij, Betejën e Dytë tё Kosovës e trajton detajisht. Sipas tij i biri i Vukut (Gjuragj Brankovic A.I) ishte ai qё përcjelli informatën tek Sulltan Murati pёr organizimin e koalicionit të krishterë të udhëhequr nga Janko Huniadi. Mirёpo sipas Ashek Pasha Zades, edhe pse Sulltani kishte marrë informatën për përgatitjet nё fjalë nga Gjuraqi, tek i cili nuk kishte shumë besim, dërgoi Martalaz Doganin pёr tё hetuar nga afёr ushtrinë  e koalicionit. Martalaz Dogani, me t’u kthyer e vёrtetoi lajmin e Gjuragj Brankoviçit, madje solli edhe informata më tё detajuara në raport me koalicionin në fjalë. Ai e njoftoi  Sulltanin  se nё  krye tё batalioneve qëndronin Banë tё shquar tё Lehёve, Çekёve etj.. Martalazi fajësoi Janko Huniadin pёr organizimin e këtij koalicioni kundёr Osman. 40

    Edhe Ashёk Pashazade vërteton faktin sё nё kёtё kohë (1448) Sulltan Murati gjendej nё ekspeditën e kalasё sё Sfetigradit dhe Krujёs nё Shqipёri, dhe me tё marrё lajmin pёr fushatёn ushtarake tё Janit, kaloi nё Sofje ku tuboi ushtrinё nga Anadolli dhe Rumelia dhe u nis për nё Kosov]ё. Ai shton; …pasi arriti Sulltan Murati II nё Kosovё, morri abdes, fali dy rekate namaz dhe bёri njё lutje tё gjatё qё Zoti ti mundёson fitoren ndaj tё pafeve…,mё pas hipi nё kalё dhe filloi Beteja. Tё premtën qё ishte edhe dita e parё e Betejes, u zhvilluan luftime tё ashpёra. Ku u morrёn shumё Saxhaçe nga tё pafetё dhe lufta vazhdoi deri nё mёngjes. Megjithatë e shtunja  ishte dita kur u zhvillua lufta mё e madhe, shumё bejlerë ranë dёshmorё, dhe vdiqën edhe shumё Banё tё pafe, disa prej tyre (Banёve) u zunë rob. Ndёrsa Jankoja (Jani) iku nga fronti…41

     Ndryshe nga kronistёt tjerё Osman tё cilёt me fjalё tё  mёdha pёrshkruajnё  fuqinë  e lutjes sё Muratit tё Dytё dhe organizimin e mirё tё Betejes nga ana e ushtrisё  Osmane, pёr  Ashёk Pasha Zaden shkaktari kryesor i disfatёs sё koalicionit ishte kalimi i Vllehёve nё anёn e Osmanёve.42 Sikur qё edhe kronisti Bizantin Dukas, shkakun e humbjes sё Betejes sё koalicionit kundrejtë Osmanёve e gjejmё tek ngutia e sulmit tё Janit ndaj osmanlinjёve para arritjes sё forcave tё Skёnderbeut.43

    Nё vend tё përfundimit: mund tё  thuhet se kronikat Osmane, sikurse edhe kronikat tjera  të kohës janë të një rëndësie të veçantë për hulumtimin e periudhës së Mesjetës së vonëshme dhe asaj osmane të hershme. Informacioni të cilën na ofrojnë kronikat në fjalë na bënë të kuptojmë se qёllimi i dy Betejave tё Kosovёs, duke mos pёrjashtuar as Varnen ishte pengimi i shtrirjes dhe ç’rrёnjosja e sundimit osman nga kёto anё tё Evropёs Juglindore. Gjё qё fitoret e njepasnjёshme tё osmanёve shkuan ne favor tё shtrirjes dhe forcimit te sundimit osman. Madje me plotё  tё  drejtё mund tё  konstatohet se ekzistenca Osmane nё  Ballkan, u vulos me fitoren e Dy Betejave  të Kosovës.

    —————————————————————————————————

    1 Iljaz Rexha, Beteja e Kosoves ne Kronika-Burime Osmane te shekujve XV-XVI, Gjurmime Albanologjike 19, Prishtine 1989, f. 19-33.

    2 S.W. Reinert, “Niş’ten Kosova’ya, I. Murad’ın Son yıllarına ait düşünceler”, Osmanlı Beyliği (1300-1389), İstanbul 1997, f. 183-230.

    3 Feridun M. Emecen, Osmanlı Klasik Çağında Savaş, İstanbul 2010. f. 108.

    4 Y. Yücel, A. Sevim, Türkiye Tarihi vellimi II, Ankara 1990, f. 38.

    5Y. Yücel, A. Sevim. po aty. f. 38-39.

    6 Sa’deddin, Tacü’t-Tevarih, İstanbul 1270, I. f. 115.

    7 İdrisi Bitlisi, Heşt Be hişt; Sadeddin, Tacü’t-tevârih. Po aty

    8 Gibbons, Osmanlı İmparatorluğunun Kuruluşu, İstanbul 1928, f.151

    9 Hammer, Devlet-i Aliye-i Osmaniyye Tarihi, İstanbul 1337. Vellimi I. f.221.

    10 I.H. Uzunçarşılı, Osmanlı Tarihi, Ankara 1972. f. 254.

    11 Ashıkpaşazade, po aty. f. 64.

    12 Müneccimbaşı, Camiü’d-Düvel Osmanlı Tarihi (1299-1481), nşr. Ahmet Ağırakça, İstanbul 1995. f. 113.

    13 Edhe pse në këtë periudhë nuk mund të mendohet se ekzistonin topat,  por sigurisht që bëhet fjalë për mjete më  të vogëla që funksionin me anë të dhezjes së barutit.

    14 Po aty. f. 278-279.

    15 Sa’deddin, Po aty, f. 120.

    16 Neshri, po aty, f. 300-301.

    17 Feridun Bey, münşe’at vell. I. f. 114.

    18 Münnexhimbashi, po aty, f. 112.

    19 Po aty, f.114.

    20 Po aty. F. 120.

    21 Sa’deddin, po aty f.292-293; Neşri, po aty, f. 300-301.

    22 Sa’deddin, po aty. f. 144.

    23 Neşri, po aty. 302.

    24 Münexhimbashe, po aty.

    25 Hammer, po aty f. 220.

    26 Oruç Bey, Tevarih-i Ali Osman, f. 25-26.

    27 Solakzade, Mehmed Hemdemi, Tevarih-i Ali Osman, İstanbul 1298, f. 46.

    28 Enveri, Dusturname, po aty. f. 87.

    29 Oruç Bey,po aty. f. 26

    30 Şükrullah, Behcetü’t-tevârih, po aty. f.174.

    31 Sa’deddin I, po aty, f.  122.

    32 Neshri, po aty, f. 304-305.

    33 Edhe Kronisti Bizantin Dukas33 në përshkrimin e Betejës së Kosovës, po thuajse është i të njëjtës vi me kronikanët Osmanë. Ai thotë: “Një ditë para zhvillimit të betejës së Kosovës, në një gosti të Kral Lazarit përmendet tradhtia e Miloshit ndaj serbëve. Miloshi kishte refuzuar si të qenë një pretendim të tillë dhe kishte ngritur dolli për trimërin që do  ta tregonte të nesërmen kundrejt osmanëve. Të  nesërmen me të lindur dielli, Miloshi i hip  kalit të tij  të fuqishëm dhe shkon drejt Istikametit të Osmanëve. Me ç’rast pretendon se e ka pranuar Islamin dhe se  dëshiron t’ia puth dorën Sulltanit. Me tu dhënë leja për të hyrë tek Sulltani, Miloshi kishte kapur për këmbe Sulltanin dhe e kishte sulmuar me thikë në gjoks, dhe kishte tentuar të ikte, por ishte ekzekutuar nga Jeniçerët. Turqit (osmanët)  kishin kaluar në sulme ndaj armiqëve, me ç’rast edhe Kral Lazari ishte marrë rob” Ndërsa sipas  Chalcondyle;  Përderisa Sulltan Murati ishte duke e ndjekur Kralin Lazar, njëri nga ushtarët Serb e kishte sulmuar për vdekje”.33 Hameri si duket gjenë një mes ndërmjet dy kronistëve Bizantinë, ku thotë se; Miloshi e kishte planifikuar këtë sulm, por ai kur e sulmoi Sulltanin ishte i plagosur dhe gjendej në mesin e të plagosurve të luftës.33 Edhe Gibbonsi ka përsëritur konstatimin e Hammerit.33

     34 Halil Inalcik, Fatih Devri uzerinde Tetkikler ve Vesikalar I. Ankara 1987, f.109.

    35 Necati Salim, II. Kosova, 1448, Istanbul 1932, s.45.

    36 Lulzim Lajçi, Mbi disa aspekte te marrëdhenieve të Skënderbeut me Gjuragj Brankoviçin, “Skënderbeu dhe Evropa” Tiranë 2006, f.152-167.

    37 F. Giese, Anonim Tevârih-i Âl-i Osman ( Nihat Azamat), Istanbul 1992.

    38 Ushtar te krishter.

    39  Defʻa Sultân Murâd Yuvan illerin ve Arnavud vilâyetine sefer idüp, [39b] Kocacuk-hisârı‟nı feth idüp, Yuvan vilâyetin yagma ve talan idüp, Arnavud begi Iskender‟i kaçurup ol vilâyetleri alup, bu esnâda Sultân Murâd‟a haber gelüp, girü Ungurus ve Sas ve Çiyh ve Alaman ve Latin ve Liyh tâyifesi ve Ġflâk çerisi bu mecmûʻ ittifâk idüp, bî–nihâyet leĢkerler cemʻ idüp, Biligrad‟dan ve Kofun‟dan geçüp, Kosova‟ya gelmek niyyeti vardur didiler. Sultân Murâd bu haberi isidüp Arnavud‟dan çıkup, gelüp Sofya‟da karâr idüp, etrâf-ı âleme nâmeler perâkende kılup, Anatolı‟dan ve Rûm-eli‟nden çeriler cemʻ idüp, on biñ azeb ve on biñ yeñiçeri ve cerehor çıkarup ve sâyir halkdan dahı cihâd-ı ekberdür ve nefîr-i âmmdur diyü bunca leskerler cemʻ olup, Sultân Murâd katına gelüp, toplar ve tüfekler ve arabalar ile zenberekler

    40 Aşık Paşazade Osmanlı Oğullarının Tarihiö ıstanbulö 2003, f. 209-212

    41 Po aty.

    42 Po aty.

    43 Dukas, po aty. F. 219.

  • Procesi i islamizimit të popullsisë albane në Kosovë dhe Maqedoni (sipas defterëve osmanë të shek. 15-16)

    Procesi i islamizimit të popullsisë albane në Kosovë dhe Maqedoni (sipas defterëve osmanë të shek. 15-16)

    Iljaz Rexha: Vendosja e administratës osmane dhe formimi i vilajeteve dhe sanxhaçeve si njësi administrative dhe territoriale në territoret e Kosovës dhe të Maqedonisë së sotme , që më shekuj qendronin nën sundimet e huaja : romake, bizantine, bullgare dhe sllave- serbe, pikë së pari nëpërmes të instuticioneve shteterore dhe fetare e nderpreu sllavizimin dhe greqizimin e popullsisë albane , dhe në anën tjetër e përhapi fenë islame me parime paqësore (nepërmjet të metodave dhe formave të përfitimeve ekonomike ) e jo në mënyrë administrative.

    Përfundim

    Islami dhe sistemi i timarit spahi osman, ia mundësuan albanëve që nga një amulli ( moçalike ) shekullore të dalin në skenën politike osmane , dhe nepërmjet të këtyre dy faktorëve si shtylla kryesore të pushtetit osman arritën të inkuadrohën në shoqërinë dhe administraten osmane duke marrë pozita të larta në instuticionet shtetrore dhe fetare të shtetit osman , deri në rangun e ministrave dhe kryeministrave në Qeverinë osmane ( Porta e Lartë ).

    Nëpërmjet administratës osmane , ata arritën që ta rikthenin administrimin dhe qeverisjen në të gjitha sanxhaqet dhe vilajetet osmane që ishin formuar në tokat albane dhe të banuara me shumicë të popullsisë albane . Albanet gjatë periudhës osmane sipas burimeve arkivore osmane dhe atyre perendimore, përveç disa xhamive dhe monumenteve të tjera kulturo-historike , që u ndërtuan nga Sulltan Murati i II dheSulltan Fatih Mehmeti i II, ndërsa me qindra objekte tjera fetare islame dhe vakufe si  instuticione bëmirëse dhe humane që i shërbenin popullsisë muslimane në përgjithsi pa dallim etnie, i kanë ndërtuar pashallarët muslimanë me origjinë albane. Sikurse më parë kur ishin të krishterë, kishin ndërtuar manastiret dhe kishat e ritit romano-katolikdhe të ritit greko- biantin në Kosovë e Maqedoni, të cilat sllavët më vonë i shndërruan nëkisha të tyre sllave. Feja islame, nuk u përhap me forcë as në tokat albane, po as në vendet e tjera të Ballkanit , për këtë fakt egzistojnë dëshmi arkivore, meqë osmanlinjtë qysh në fillim të pushtetit të tyre i kishin inkuadruar spahinjët e vegjël të krishterë ( që ishin të shtypur nga feudalët e mdhenjë sllavë), duke u ndarë atyre timare pa kurrfarë kushtëzimsh, vetëm nga ata kërkohej që të tregojnë besnikri të sinqertë ndaj sulltanit dhe organeve të larta shtetrore të shtetit të tijë.

    Dëshmia tjetër se islami nuk u përhap me forcë është edhe mbrojtja e kishave dhe manastireve të krishterë me fermane dhe dekrete speciale të hartuara në zyret e sulltanëve osmanë . Feja islame me parimet e saj kontriboi që popullsia albane të lirohet nga presioni shekullor i kishave greke dhe sllave, që me forcë tentonin gjatë periudhës mesjetare të konvertonin këtë popullsi në fenë e ritit pravosllav dhe ta asimilonin krejtësishte dhe në aspektin etnik. Feja islane si fe tolerante nuk ndikoi,që gjatë periudhës 500 vjҫare të sundimit osman në sanxhqet dhe vilajetet osmane të banuara me popullsi albane të zhdukën zakonet, tradita dhe gjuha popullore, edhe pse zyrtarisht arsimimi në gjuhën albane nuk ishte lejuar, por nuk pati ndonjë rrezik të madh që ajo të zhduket, meqë në kontaktet e jetës së përditshme gjuha albane flitejdhe përdorej nga popullsia lirshëm, madje edhe në zyret e vilajetit të Kosovës menënpunsit me prejardhje shqiptare, komunikohej në gjuhën shqipe , madje edhe disa ministra që ishin në funksione te larta në Istambul, shpeshherë me nënpunsit shqiptarë kanë komunikuar në gjuhën popullore të shqipes dhe sipas një dokumenti osman, njëri prej këtyre pashallarëve që shërbente me detyrë në Istambul, e ky ishte Merre Hasan Pasha, nga Peja, i cili në zyrën e tij, përveç gjuhës zyrtare turke, flitej edhe gjuha shqipe, ai nëpunësve të tij shqiptarë që në atë kohë shërbenin  në Stamboll në administratën osmane, ai ju fliste shqip dhe ju ipte urdhëra në shqip “ Merre këtëdokument dhe kryje punën”, ky ishte një pasha me gradë veziri që mori epitetin aponofkën zyrtare në bazë të fjalës shqipe Merre, që përdorte në komunikim me nëpunësit  e tij. Me këtë ofiq ishte bërë i njohur dhe ishte shenuar në dokumentet zyrtare të adminitratës osmane. Duke përfunduar kumtesën tonë, mund të pohojmë se Perandoria osmane, jetoi dhe sundoi gati 500 vjet, përveç në pjesën e  kontinetit të Azisë dhe të Evropës juglindore përkatësisht, të Ballkanit, duke ju përmbajtur ligjeve të saj relativisht të drejta, për atë kohë mjaft demokratike, si edhe duke mos lejuar diskriminin racor në baza etnike, as zbatimin me dhunë të politikës asimiluese ndaj popujve të krishterë të Ballkanit

    https://www.academia.edu/15646649/PROCESI_I_ISLAMIZIMIT_T%C3%8B_POPULLSISE_ALBANE_N%C3%8B_KOSOV%C3%8B_DHE_MAQEDONI_Sipas_defter%C3%ABve_osman%C3%AB_t%C3%AB_shek_15_16_?email_work_card=view-paper

  • Shqiptarët dhe dita e çlirimit të Stambollit 29 maj 1453

    Shqiptarët dhe dita e çlirimit të Stambollit 29 maj 1453

    Ngjarje historike e rëndësisë së jashtëzakonshme dhe ndikimit të madh rajonal e global, është çlirimi i Stambollit. Prandaj, si ngjarje është e rëndësishme edhe për shqiptarët!

    Shqiptarët e nisën ngritjen brenda Perandorisë Osmane menjëherë pas vitit 1389. Me të drejtë ish-ministri i jashtëm turk Ahmet Davutoğlu, gjatë vizitës së tij në Prishtinë në vitin 2011, në xhaminë e madhe “Sulltan Mehmet Fatih” pati deklaruar se “shqiptarët kanë merita për çlirimin e Stambollit, sepse, nga këtu, pra nga xhamia “Sulltan Murat”, e ndërtuar në vitin 1393, u nisën ushtarë për ta çliruar Kostandinopojën”.

    Në lidhje me këtë edhe në librat e historisë rrëfehet tregimi kur gjatë kohës së çlirimit të Kostandinopojës, disa nga komandantët nisën të hezitojnë të vazhdojnë luftën për çlirim deri sa filluan të mendojnë për një qetësi të përkohshme. Ndërsa nga ata që reaguan ashpër ndaj hezitimit, ishe Zognush Pasha, me origjinë shqiptar, që kishte qenë i krishterë dhe ishte bërë mysliman. Ai e vlerësonte entuziazmin e ushtarëve dhe kthimin mbrapa e konsideronte demoralizim. Ai nuk i konsideronte asgjë forcat e tjera krahas Sulltanit. “Kurrsesi dhe larg asaj, o Sulltan, nuk pushojmë as nuk hezitojmë, ne kemi ardhur këtu për të vdekur e jo për t’u kthyer. O udhëheqës i sulltanatit, më pyete për mendimin tim dhe unë po ta shpall me fjalë të qarta: Ne duhet t’i kemi zemrat tona si shkëmbi dhe duhet ta vazhdojmë luftën pa shfaqur asnjëfarë shenjë dobësimi e ligështimi…”. Në fytyrën e Sulltanit u vu re gëzimi dhe qetësia, pasi e dëgjoi Zognush Pashë shqiptarin. Pas kësaj Sulltani iu drejtuar mësuesit të tij, Ak Shemsedinit, i cili miratoi mendimin e Zognush Pashës. Historia jonë e përbashkët ishte edhe në çlirimin e Stambollit.Perandoria osmane nuk ishte institucion vetëm i turqve, por i gjithë klasës sunduese të Perandorisë; shqiptarët, grekët, boshnjakët, serbët etj. e ndjenin si të tyren dhe ishin pjesë strukturale e saj.

    Deri në pavarësimin e Shqipërisë nga Porta e Lartë (1912) në pozitën e kryeministrit të Perandorisë Osmane (sadriazem), që është pozita më e lartë shtetërore osmane, pas pozitës së Sulltanit, kanë arritur të ngrihen 44 shqiptarë, në pozitën e shejh-ul-islamit 5 shqiptarë; në pozitën e admiralit të flotës detare osmane (Kapudan-i-derya), 25 shqiptarë. Nga populli shqiptar po ashtu dolën rreth 400 poetë e shkrimtarë, shumë myderrizë, myftilerë, kadilerë, vezirë, pashallarë, velilerë, bejlerbej, myteselimë etj.. Numri i kryvezirëve (kryeministrave) shqiptarë, sipas disa burimeve është 33, ndërsa i ministrave është 101.

    Por, fundja pa marrë parasysh saktësinë e pa e kontestuar, kjo është e vërteta e numrit të madh të shqiptarëve në udhëheqjen e Perandorisë Osmane.

    Abdulla KLINAKU

  • Barbarossa, pirati shqiptar që sundoi Mesdheun

    Barbarossa, pirati shqiptar që sundoi Mesdheun

    Një nga faqet më intriguese të historisë është ai i Detit Mesdhe gjatë periudhës 1500-1650. Në fillim të kësaj periudhe, një pirat shqiptar i njohur me nofkën Barbarossa ndihmoi Perandorinë Osmane të themelojë dominimin e saj nëpërmjet detit Mesdhe. Taktikat e tij legjendare dhe njohuritë ushtarake bëri që të fitonte merita të mëdha nga sulltani i tij si he kundërshtarët. Statuja e tij qëndron sot pranë Muzeut Detar turk i rrethuar nga dy anët nga piratë që e ndihmuan atë.

    Barbarossa, emri i të cilit është Hajredin lindi në vitin 1478 në ishullin e Egjeut, Lezbos, nga një baba shqiptar, Jakup Aga dhe nënë greke, Katerina. Ai erdhi nga një familje prej 4 djemsh dhe dy vajzash. Në fillim, katër bijtë ndihmuan të atin në biznesin e qeramikës, më pas u përfshinë shpejt në tregti. Gjetën anijet e tyre dhe sulmoheshin shpesh nga piratët në ishujt Rodos.

    Dy vëllezërit, Hajredini dhe vëllai i tij i madh vendosën të angazhoheshin në biznesin e piraterisë, si dhe për të luftuar të ashtuquajturit Kalorësit e Shën Xhonit. Të dy lobuan për sundues lokalë që nga Mamluki në Egjipt tek Sulltanët në Algjer për të sulmuar më pas portet dhe anijet që i kishin sulmuar më parë.

    Dy vëllezërit ishin aq të suksesshëm në përpjekjet e tyre, sa atyre iu dha një bazë e quajtur La Goletta në afërsi të Tunizisë. Nga aty fama dhe pasuria e tyre filloi të rritej. Ata kontrolluan me sukses portet jugore në Itali, në ishullin Elba dhe në bregdetin siçilian. Mes viteve 1504 dhe 1510, Barbarosa ndihmoi mijëra moriskosë të udhëtonin drejt Spanjës nga bregdeti afrikano-verior. Andaluzianët e quajtën Baba Aruj për ndihmën që i dha. Ky titull më vonë u shtrembërua nga italianët duke e quajtur Barbarossa, ose mjekërkuqi.

    Në këtë mënyrë dy vëllezërit morën nofkën Barbarossa dhe pse nuk dihet nëse ata e kishin vërtet mjekrën të kuqe. Në vitin 1509, vëllai i tyre i tretë, Ishak, iu bashkua Aruj dhe Hajredinit në La Goletta.

    Një sukses i madh në Mesdheun Perëndimor i Barbarosës, ishte kur ai kapi dy galeotat personale të Papës së Romës dhe një tjetër shoqëruese të Elbës. I hipur mbi galeotën e Papës ai lundroi drejt Tunizisë. Anija luksoze e Papës rimorkionte anijet e piratëve nga pas. Duke ju referuar historianit spanjoll të shek. XVI, Diego Haedo, “kjo ngjarje e habiti dhe e la pa fjalë, duke e ngrirë nga mosbesimi të gjithë Evropën. Që nga ai moment preciz, emri i Barbarosës, u bë i njohur në të tërë Europën si komandanti më i guximshëm e më i zoti i detrave.

    Ky sukses gjithashtu tërhoqi edhe vëmendjen e osmanë. Nga ky moment, ata do të bëheshin partnerë të pandashëm në luftërat e Barbarosës, në det.

    Një nga teknikat e tij në vitet pasardhëse, do të ishte pikërisht shfrytëzimi i emrit të tij të madh. Ai nuk përdorte skllevër, në kontrast me të krishterët, të cilët kishin në bordet e anijeve të tyre edhe skllevër. Ai i pajiste ekuipazhet e anijeve vetëm me njerëz të lirë, të cilët shërbenin për të vetëm sepse kishin dëshirë dhe mund të largoheshin kur të donin. Kjo lloj lirie e bënte atë edhe më të pathyeshëm. Fillimisht, në vitet 1505-1510, ai u mor edhe me transportimin e myslimanëve të Spanjës drejt tokave të sigurta.

    Në vitin 1511, një mosmarrëveshje mes 3 vëllezërve dhe sulltanit të Tunizit, bëri që ata ta braktisnin La Goletta-n dhe të lëviznin në Mahdija në afërsi të Algjerit. Sulltani i Algjerit kishte luftuar dëshpërimisht përparimin spanjoll dhe i kishte kërkuar ndihmë tre vëllezërve.

    Ata morën kontrollin mbi Algjerinë dhe rrëzuan Sulltanin lokal. Për të siguruar kontrollin e tyre, ata e kthyen Algjerinë si një provincë për Perandorinë Osmane në vitin 1517. Sulltani osman pranoi dhe e bëri Aruj-in (vëllain e Hajredinit) qeverisës të Algjerisë. Perandori Karli V, përdori postin e tij në Afrikën e Veriut për të nisur një sulm mbi forcat e Aruj. Me 10 mijë ushtarë spanjollë, i ndihmuar dhe nga mijëra luftëtarë fisesh, ata sulmuan Aruj dhe Ishak, të cilët nuk kishin më shumë se 6500 ushtarë. Pas një rrethimi 6 mujor, Aruj udhëhoqi një përpjekje për t’u arratisur nga qyteti, por ai dhe vëllai i tij u kapën dhe u vranë.

    Tani, ishte Hajredin Barbarossa ai që udhëhoqi forcat e vëllezërve të tij kundër sulmeve spanjolle.

    Ai me sukses udhëhoqi sulme kundër forcave spanjolle dhe italiane në të gjithë Mesdheun perëndimor nga vitin 1518 në vitin 1533. Në vitin 1518, ai pushtoi qytetin algjerian të Tlemcen, aty ku u rrethuan dy vëllezërit e tij. 10 vite më vonë, la së sulmuari portet italiane dhe filloi me ato spanjolle. Në maj të vitit 1529, ai hoqi bregun maroken Penon de Velez nga dominimi spanjoll. Në gusht 1529, pasi kaloi mbrojtjen spanjolle në breg, ai dërgoi 70 mijë morskonë nga Spanja në bregdetin e Afrikës Veriore. Sulmoi gjithashtu edhe zonën e Tripolit, që më parë kontrollohej nga spanjollët.

    Në vitin 1533, sulltani Sulejmani i Madhërishëm i perandorisë Osmane, u shqetësua për bastisjet gjithnjë e më në rritje të italianëve në Mesdheun lindor. Pas përpjekjes së tij të pasuksesshme për të pushtuar Vjenën në vitin 1532, ai vendosi të zhvendosë fokusin e tij nga sulmet e tokës në ndërtimin e marinës së tij për të siguruar portet dhe rrugët e transporti të detar.

    Për këtë arsye, Sulltan Sulejmani thirri Hajredin Barabarosën në Stamboll.

    Sulltani e emëroi admiral udhëheqës në marinën osmane dhe detyra e tij e parë ishte të niste ndërtimin e një marine modern detare. Anijet që Barbarossa mori përsipër të bënte ishin shumë më të shpejta e më të mëdha. Barbarossa punoi edhe në taktikën e manovrimit të shpejtë të anijes.

    Marina Osmane në atë kohë arriti në një pikë që ishte e aftë të përballej me armatën spanjolle apo anijet italiane

    Në fund të vitit, marina osmane kishte një forcë të mjaftueshme për të mbrojtur veten kundër sulmeve në rritje të anijeve italiane në bregun e tij.

    Për më tepër, sulltan Sulejmani i Madhërishëm krijoi aleancë me francezët kundër spanjollëve, aleancë e njohur si traktati Turko-Francez në vitin 1536 ose Aleanca franko-osmane.

    Barbossa tashmë ishte i etur për të rifilluar sulmet e tij në Mesdheun Perëndimor.

    Nisi fushatën e tij duke goditur fuqishëm bregun perëndimor të Italisë, veçanërisht në portet përgjatë Gjirit të Napolit. Gjithnjë e më shumë po i afroheshin Romës. Ai kishte parashikuar një sundim osman, nën regjimin e tij të drejtpërdrejtë që të shtrihej nga Gjibraltari deri në Tripoli.

    Në vend që të sulmonte Sulltanin e Tunizisë, Barbarossa u largua nga vendi duke pasur një tjetër strategji në mendje për Mesdheun perëndimor. Kur mbreti Karli V i Spanjës e kupto këtë rrezik, ai u përpoq të zgjidhte çështjen. Dërgoi disa emisarë në Tunizi duke i udhëzuar ata që të organizonin një revoltë nën pretekstin për të kthyer Muley Hassan në fron. Kur komploti u zbulua dhe spiunët u ekzekutuan, Mbreti Karl u përpoq t’i jepte ryshfet Barbarossa-s, por doli i dështuar. Mbreti Karl organizoi kështu Armatën e 400 anijeve nën komandën e Andrea Dorias së bashku me 24 mijë ushtarët të përbërë nga spanjollët, gjermanët dhe italianët.

    Në vitin 1535, rrethimi i Tunizit filloi. Forcat spanjolle nisën të sulmonin La Goletta-n që ishte në jug të Tunizit. Pas 24 ditësh rrethim muret e portit u shpërthyen. Më pas forcat spanjolle duhet të rrethonin muret e Tunizit. Si plan rezervë Barbarossa kishte një skuadron të tërë të dërguar në Tuniz. Pas rrethimit të qytetit, mijëra të krishterë që ishin rritur si skllevër hynë në një uzinë armësh të qytetit dhe luftuan forcat osmane nga brenda mureve të qytetit. Barbarossa kështu u tërhoq me forcat e tij. Ai ndali sulmin dhe u nis në lundrim në territoret tani të pambrojtura të Spanjës.

    Në vitin 1536, Barbarossa u rithirr dhe njëherë nga Sulltan Sulejmani për ta ndihmuar në sulmet e Mesdheut Lindor. Kjo çoi në një seri sulmesh në Mbretërinë e Napolit dhe në Republikën e Venecias.

    Në vitin 1538, u mblodh Liga e Shenjtë që përbëhej nga Spanja, Italia, Perandoria e Shenjtë Romake, Venecia dhe kalorësit e Maltës për të mposhtur Barbarosën një herë e përgjithmonë. Anijet e Barbarossa-s ishin të paktë në numër, por në disa strategji pozicioni perfekte në detin Adriatik, Barbarossa iu shmang sulmit.

    Në 28 shtator të vitit 1538, Barbarossa do të thyente edhe Flotën e Shenjtë (bashkimin e vendeve të krishtera) në betejën e Prevezës, më e madhja e Mesdheut në kohën që u zhvillua (flota më e madhe e njohur ndonjëherë, e cila konsistonte në 600 anije që i përkisnin Spanjës, Imperatorisë së Shenjtë Romane, Venecias, Portugalisë, Xhenovës, Vatikanit, Firences, Maltës dhe shteteve të tjera evropiane). Edhe pse tre herë më pak në anije e njerëz, Barbarosa, mundi admiralin më në zë të Evropës.

    Beteja e Prevezes, Barbarosa mund Aleancen e Shenjte te drejtuar nga Andrea DoriaBeteja e Prevezes, Barbarosa mund Aleancen e Shenjte te drejtuar nga Andrea Doria

    Kjo betejë u quajt “Beteja Prevezës” në vitin 1538 dhe nga këtu u themelua dominimi osman gjatë gjithë Detit Mesdhe për dekada të tëra.

    Sulltan Sulejmani i Madhërishëm, e kishte njeriun kryesor dhe ndihmësin e pazëvendësueshëm në luftërat detare.

    Pas betejës së Prevezës, Sulejmani i Madhërishëm e priti në pallat bashkë me 18 nga njerëzit e tij më të zotë. I dha titullin Kaptan-ý Derya (Shef-Admiral) i Detit Mesdhe, Bejlerbej i Afrikës Veriore, i dha që të kishte në zotërim sanxhakun e Rodit, Eubesë e Kiosit si dhe kontrollin e detit Egje. Atij iiu bënë nderime të rralla dhe flota e tij u bë e panumërt

    Në vitin 1545, Barbarossa vendosi të dalë në pension në Stamboll, pas një karriere të suksesshme që zgjati katër dekada.

    Ai ndërtoi një pallat dhe kishte një shkrimtar që shkruante kujtimet e tij. Dy vite më pas u sëmur dhe vdiq më 4 korrik 1547.

    Tre fjalë arabisht lajmëruan momentin e vdekjes së tij: “Shefi i detit vdiq”.

    Por edhe pse kanë kaluar disa shekuj, historianët ende nuk janë në gjendje të vendosin nëse ai ishte një pirat apo admiral.

    Shekulli Agency

  • Ja kush ka qenë tradhtari më i madh shqiptar

    Ja kush ka qenë tradhtari më i madh shqiptar

    Ballaban Badera, i njohur edhe si Ballaban Pasha ka qënë një komandant shqiptar i Perandorisë Osmane.

    Një i rekrutuar në ushtrinë osmane nga Martaneshi, arriti të bëhej Pasha.

    Sipas veprave osmane, Ballaban Badera ka qënë i pari i cili u ngjit në muret e Konstandinopojës dhe ishte i dobishëm për pushtimin osman në Ballkan.

    Ballaban Pasha është një nga figurat qendrore në 4 vitet e fundit të jetës së Skënderbeut.

    Sipas Fan Nolit, Ballabani ishte shqiptar nga Martaneshi i rritur në Turqi.

    Ai e njihte mirë terrenin shqiptar dhe në shumë aspekte kishte aftësitë e Skënderbeut në luftime, ndaj u bë rivali i tij më problematik ushtarak.

    Që në fillimet e dërgimit të Ballabanit si gjeneral kundër Skënderbeut nga Sulltan Mehmet, Ballaban Pasha për pak e zuri rob Skënderbeun.

    Skënderbeu humbi katër prej pesë shoqëruesve të tij, ndërkohë që vetë, sipas Nolit dhe disa historianëve, shpëtoi falë një kërcimi të jashtëzakonshëm të kalit të tij, që mundi ta nxirrte nga terreni i thyer ku ishte rrethuar.

    Edhe në përplasjen e dytë me Ballabanin, njerëzit e Skënderbeut u dëmtuan rëndë. Hakmarrja e Skënderbeut ishte e gjatë.

    Në verën e vitit 1467, Skënderbeu shpartalloi një ushtri të Jonuzit, vëllait të Ballabanit dhe e zuri rob këtë dhe të birin, Hajdarin.

    Në betejën që pasoi, vetë Ballaban Pasha, i zënë ngushtë në një sulm mes ushtrisë së Skënderbeut dhe garnizonit të Tanush Topisë rrotull Krujës, u plagos për vdekje dhe vdiq më pas në shatoren e ti.

  • ​145 vjet nga traktati që la shqiptarët nën sundimin e Perandorisë Osmane

    ​145 vjet nga traktati që la shqiptarët nën sundimin e Perandorisë Osmane

    Një muaj pas armëpushimit të Edrenesë u nënshkrua në Shën-Stefan, më 3 mars 1878, Traktati i Paqes ndërmjet Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane.

    Traktati i Shën-Stefanit i shkëpuste Perandorisë Osmane rreth 80 % të zotërimeve të saj në Gadishullin Ballkanik. Me shpresë se do të shmangte kundërshtimin e fuqive të tjera të mëdha, Rusia nuk mori për vete asgjë nga këto territore.

    Ajo u kufizua vetëm duke i shkëputur Rumanisë, të cilën e kishte aleate në luftën që fitoi, krahinën e Besarabisë në veri të lumit Pruth dhe duke aneksuar disa krahina që zotëronte Perandoria Osmane, në jug të Kaukazit (Kars, Ardahan, Bajazid e Batum). Synimet e saj hegjemoniste në Evropën Juglindore Rusia cariste do t’i siguronte kryesisht nëpërmjet Bullgarisë së madhe autonome që u krijua me Traktatin e Shën-Stefanit.

    Bullgaria do të ishte një principatë autonome me qeverinë e saj, tributare ndaj sulltanit. Formimi i saj ishte në vetvete një hap pozitiv, pasi e çlironte popullin bullgar nga zgjedha shekullore osmane. Por, Rusia krijoi një Bullgari të madhe, të cilën ajo do ta kishte si një satelite të saj me qëllim që të vendoste nëpërmjet saj zotërimin e vet në Gadishullin Ballkanik. Në kufijtë e saj do të përfshihej shumica dërrmuese e tokave që i shkëputeshin Perandorisë Osmane. Kjo do të shtrihej në lindje deri në Detin e Zi, në jug deri në detin Egje, në veri deri në Danub dhe në perëndim deri në malet e Voskopojës. Sado që Bullgaria e madhe do të mbetej nën sovranitetin e sulltanit turk, Porta e Lartë nuk do të kishte të drejtë të vendoste brenda kufijve të saj asnjë garnizon ushtarak osman.

    Pjesa tjetër e territoreve perandorake do t’i jepej Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi, që ktheheshin nga principata autonome në shtete të pavarura. Greqia nuk përfitonte asgjë. Ajo do të mbetej ashtu siç ishte, një shtet i pavarur brenda kufijve të saj të paraluftës.

    Traktati i Shën-Stefanit nuk e zinte fare në gojë Shqipërinë, e cila për Rusinë nuk ekzistonte si subjekt të drejtash politike. Sipas Traktatit të Shën-Stefanit, gati gjysma e trojeve shqiptare u jepej shteteve sllave ballkanike. Bullgaria do të merrte, përveç të tjerave, krahinat shqiptare të Korçës, të Bilishtit, të Pogradecit, të Strugës, të Dibrës, të Kërçovës, të Gostivarit, të Tetovës, të Shkupit, të Kaçanikut etj.

    Serbia, e cila do të shtrihej kryesisht drejt jugperëndimit, do të aneksonte edhe viset veriore e verilindore të Kosovës, deri në afërsi të Mitrovicës.

    Mali i Zi, sipërfaqja e të cilit do të rritej më tepër se tri herë, do të përfshinte brenda kufijve të tij gjithashtu një varg krahinash shqiptare, si atë të Ulqinit, të Krajës, të Anamalit, të Hotit, të Grudës, të Tuzit, të Kelmendit, të Plavës, të Gucisë dhe të Rugovës. Pjesa tjetër e Shqipërisë do të mbetej nën sundimin e Perandorisë Osmane. Si rrjedhim, me Traktatin e Shën-Stefanit trojet shqiptare do të copëtoheshin ndërmjet katër shteteve të huaja. Perandoria Ruse e gjymtonte kështu rëndë tërësinë tokësore të Shqipërisë dhe e vështirësonte në kulm luftën e popullit shqiptar për krijimin e shtetit kombëtar.

    Zemërimin e thellë që shkaktoi në Shqipëri Traktati i Shën-Stefanit e rriti më tej terrori i ushtrive serbo-malazeze mbi shqiptarët e viseve të pushtuara prej tyre dhe shpërngulja me dhunë nga këto krahina e dhjetëra mijë familjeve shqiptare, të cilat vërshuan si muhaxhirë në krahinat e papushtuara nga ushtritë ballkanike. Vetëm në vilajetin e Kosovës endeshin rreth 100 mijë burra, gra e fëmijë, të shpërngulur nga zona e pushtimit serb. Gati 38 mijë veta të dëbuar nga ushtritë ruse e bullgare qenë shpërndarë, sipas konsullit anglez Blunt, në viset e vilajetit të Manastirit. Sipas të dhënave të konsullit austro-hungarez Lipih (Lipich), mbi 26 mijë shqiptarë, të dëbuar nga zona e pushtimit malazez, ishin vendosur në vilajetin e Shkodrës. Por numri i shqiptarëve të shpërngulur ishte më i madh, po të kemi parasysh se jo pak prej tyre mërguan në vilajetet e Selanikut, të Stambollit, të Izmirit, të Adanasë e të Sirisë.

    Zemërimi kundër Traktatit të Shën-Stefanit përfshiu të gjitha shtresat e popullsisë shqiptare, që nga fshatarët e zejtarët e deri te qarqet çifligare e tregtare. Ky zemërim i shqiptarëve nuk drejtohej vetëm kundër Perandorisë Ruse dhe aleatëve të saj ballkanikë, por edhe kundër Perandorisë Osmane, e cila kishte nënshkruar një akt të tillë, që e dënonte me vdekje atdheun e tyre. Fakti se asnjë nga fuqitë e tjera të mëdha nuk e ngriti zërin për të drejtat kombëtare të Shqipërisë, i bindi përfundimisht shqiptarët se ata tashmë ishin krejtësisht vetëm.

    Gjendja e re që u krijua nga vendimet e Shën-Stefanit dhe nga ngjarjet që rrodhën më pas, në mars-prill 1878, kur u duk qartë se Fuqitë e Mëdha perëndimore ishin të vendosura të mbronin me çdo kusht sundimin e Perandorisë Osmane në Ballkan dhe si rrjedhim nuk ishin të prirura të merrnin parasysh të drejtat kombëtare të shqiptarëve, Komiteti Qendror i Stambollit arriti në përfundimin se si kryengritja e armatosur kundërosmane, ashtu edhe kërkesa për pavarësinë e Shqipërisë nuk mund të qëndronin më si pika kryesore të programit të tij politik. Tani që copëtimi i trojeve shqiptare filloi të vihej në jetë dhe doli në plan të parë detyra e mbrojtjes së tërësisë tokësore të Shqipërisë, kryengritja e armatosur kundër Perandorisë Osmane jo vetëm që nuk e zgjidhte çështjen shqiptare, por e ndërlikonte edhe më keq atë e fatin e atdheut. Në rrethana të tilla ndërkombëtare, Komiteti Shqiptar i Stambollit adaptoi, për aq kohë sa do të vijonte kjo gjendje e ndërlikuar, një platformë të re politike, e cila kërkonte mobilizimin e mbarë vendit për plotësimin e dy detyrave kryesore: për të kundërshtuar me luftë të armatosur, në emër të kombësisë shqiptare, çdo vendim që do të merrnin Fuqitë e Mëdha, qoftë edhe me pëlqimin e Perandorisë Osmane, në dëm të tërësisë territoriale të Shqipërisë dhe, në të njëjtën kohë, për të arritur bashkimin e të gjitha trojeve të atdheut në një vilajet të vetëm shqiptar, të pajisur me disa të drejta autonomiste, që mund të realizoheshin pa hyrë në konflikt me Portën e Lartë.

    Përmbushja e këtyre objektivave bënte të nevojshëm formimin e një fronti të vetëm politik mbarëshqiptar dhe pranimin nga ana e këtij fronti të platformës politike të përpunuar nga Komiteti Kombëtar i Stambollit.

    Për krijimin e frontit të bashkuar politik, që do të kishte formën e një lidhjeje kombëtare shqiptare, kishte tashmë në Shqipëri një truall deri diku të përgatitur edhe nga pikëpamja organizative. Qysh në dhjetor të vitit 1877, në krahinat periferike të Shqipërisë, kur ato filluan të kërcënoheshin nga pushtimi serb e malazez, ishin organizuar besëlidhje shqiptare krahinore ose, siç quheshin në disa vise, komisione lokale të vetëmbrojtjes, të cilat u përpoqën të mobilizonin shqiptarët për të hyrë në veprim sapo të lëshohej kushtrimi. Traktati i Shën-Stefanit i dha një nxitje të fuqishme krijimit të besëlidhjeve të reja. Por me evolucionin ekonomik, shoqëror, politik e kulturor që kishte pësuar Shqipëria, gjatë dekadave të fundit, ndryshe nga periudhat e mëparshme, ndërgjegjja e bashkësisë krahinore ishte tejkaluar tanimë te shqiptarët. Çdo krahinë kishte filluar ta ndiente veten si gjymtyrë e një trupi të vetëm, si pjesë e një atdheu të përbashkët. Ky evolucion në ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve ishte një faktor i favorshëm për veprimtarinë e Komitetit Kombëtar të Stambollit, të cilit tani i takonte detyra t’i bashkonte besëlidhjet krahinore në një trup të vetëm organizativ dhe me një platformë të vetme politike.

    Derisa të shkriheshin në një organizatë kombëtare, përballë besëlidhjeve krahinore qëndronin tri detyra themelore: të mobilizonin shtresat e gjera popullore në lëvizjen e madhe të protestës kundër vendimeve të padrejta të Traktatit të Shën-Stefanit; të përgatiteshin ushtarakisht për të kundërshtuar me armë copëtimin e trojeve shqiptare, në rast se vendimet e Traktatit do të mbeteshin në fuqi; të kujdeseshin për të ndihmuar dhe për të sistemuar rreth 150 mijë muhaxhirët shqiptarë, të grumbulluar në vilajetet e Kosovës, të Shkodrës e të Manastirit, të cilët kishin mbetur pa bukë e pa strehë.

    Ndërkaq, në prill të vitit 1878, opinioni publik shqiptar u informua nga shtypi ndërkombëtar për kundërshtimin që kishte gjetur Traktati i Shën-Stefanit në fuqitë e tjera të mëdha. Në të vërtetë, kundërshtimin më të rreptë ai e pati nga Anglia dhe nga Austro-Hungaria, të cilat u shqetësuan së tepërmi nga rritja e shpejtë e ndikimit të Rusisë në Gadishullin Ballkanik nëpërmjet Bullgarisë së Madhe. Për këtë arsye, me këmbënguljen e tyre, u vendos që kushtet e përcaktuara në Traktatin e Shën-Stefanit të rishikoheshin nga një kongres i posaçëm i Fuqive të Mëdha, i cili, sipas vendimit që u mor më vonë, do të mblidhej në Berlin më 13 qershor 1878.

    Shqiptarët ishin të bindur se Fuqitë e Mëdha, ndonëse e kundërshtuan Traktatin e Shën-Stefanit, përsëri nuk ishin të prirura që t’i merrnin parasysh interesat kombëtarë të Shqipërisë. Megjithatë, pezullimi i tij deri në thirrjen e kongresit të Berlinit u jepte në dorë patriotëve shqiptarë një kohë të çmueshme për ta organizuar më mirë qëndresën politike e ushtarake. Por, nga ana tjetër, leja që kishte kërkuar Komiteti i Stambollit për të formuar një lidhje shqiptare, ndeshi më në fund në kundërshtimin e Portës së Lartë. Në parim qeveria osmane nuk e shihte me sy të keq lëvizjen e protestës së popullsive të saj kundër Traktatit të Shën-Stefanit, por ajo nuk e pranonte në asnjë mënyrë që kjo lëvizje të zhvillohej e të organizohej ashtu siç e kuptonte Komiteti i Stambollit, si një lëvizje kombëtare shqiptare. Porta e Lartë kërkonte që shqiptarët të protestonin kundër Traktatit të Shën-Stefanit si nënshtetas myslimanë, që nuk donin të shkëputeshin nga Perandoria Osmane dhe nga sulltani i saj halif.

    Patriotët shqiptarë, të cilët nuk mund të pajtoheshin me këto kushte, vendosën që ta formonin lidhjen shqiptare duke u mbështetur në lëvizjen popullore dhe në besëlidhjet lokale.

  • Më 4 mars 1769 në Kavalla, në perandorinë osmane të atëhershme, qytet i cili ndodhet sot në Greqi, lindi Mehmet Ali Pasha

    Më 4 mars 1769 në Kavalla, në perandorinë osmane të atëhershme, qytet i cili ndodhet sot në Greqi, lindi Mehmet Ali Pasha

    Më 4 mars 1769 në Kavalla, në perandorinë osmane të atëhershme, qytet i cili ndodhet sot në Greqi, lindi Mehmet Ali Pasha (osmanisht: Meḥemmed Ali Pasha; arabisht: Muḥammad Ali Basha), djali i dy prindërve shqiptar Ibrahim Agës dhe Zejnepe (Zeinab) hanëmit. Vizitorëve dhe diplomatëve evropian Ali Pasha shpesh u thoshte se “ishte lindur në një fshat shqiptar”. Njohur botërisht si themeluesi i shtetit modern Egjiptian ai kontribuoi në zhvillimin e ekonomisë, kulturës dhe sigurisht fuqizimin e ushtrisë së saj. Duke qenë një komandant i fuqishëm dhe i pushtetshëm në Perandorinë Osmane, ai jo vetëm që arriti të shtrijë sundimin e tij në Egjipt dhe Sudan (sundoi 17 maj 1805 – 2 mars 1848), por bëri histori edhe si një figurë me rëndësi madhore në Ako, Gaza, Jeruzalem, Siri, Alepo, Damaskë, Mekë, Medinë etj. Dinastia që Mehmet Ali Pasha themeloi do të sundonte Egjiptin deri në revolucionin e vitit 1952, kur mbreti Farouk u rrëzua nga Lëvizja e Oficerëve të Lirë të udhëhequr nga Mohamed Naguib dhe Gamal Abdel Nasser, duke krijuar kështu Republikën e Egjiptit.

  • Arapët në Shqipëri – Nga Dorian Koçi

    Arapët në Shqipëri – Nga Dorian Koçi

    Dorian Koçi

    Prania e popullsisë zezake ka qenë e pakët në Shqipëri. Edhe pse territoret shqiptare bënin pjesë në Perandorinë Osmane, në një perandori konglomerat për nga popullsia, etnitë dhe besimet fetare, prania e kësaj popullsie nuk ka lënë gjurmë të forta në këto territore. Dokumentimi i parë kësaj popullsie në territoret arbëre gjenden në këngën popullore Gjergj Elez Alia, ku ky i fundit ndeshet në disa variante me bajlozin e zi dhe në disa të tjerë me arapin e zi.

    Studiuesit e folklorit kanë evidentuar me kohë që në rastin e bajlozit të zi, bëhet fjalë për bajlin e Venedikut, emërtimi i ambasadorëve të kësaj republike në shtete të tjera. Në rastin kur përmendet si arapi i zi, ka të ngjarë që përfaqësues të pushtetit venedikas të ishin nga popullsia afrikane e Marokut dhe Algjerisë që shërbenin si mercenarë në trupat venedikase. Një personazh i tillë për shembull është Otello i Shekspirit, çka dëshmon që numri i tyre i përfaqësimit në trupat vendedikase kishte një frekuencë të lartë.

    Në pushtimin otoman të Shqipërisë, sëbashku me trupat osmane kishte dhe popullsi zezake që shërbente pranë tyre. Me islamizimin e Shqipërisë në shekullin e XVII, pjesëmarrja e pashallarëve shqiptarë në fushatat osmane, bëri të mundur që kjo popullsi të kishte një prani më të madhe në territoret shqiptare. Zakonisht njerëzit nga popullsia zezake shërbenin pranë pashallarëve të fuqishëm shqiptarë dhe ishin objekt kurioziteti mes shqiptarëve. Ata ishin robër lufte apo dhe ushtarë që kishin marrë pjesë në fushatat e mëdha osmane për të nënshtruar territore afrikane, si ishte rasti i pushtimit të Sudanit nga fuqitë e Mehmet Ali Pashës. Në këtë fushatë morën pjesë shumë forca mercenare shqiptare, prijësit e të cilave, kur u kthyen në Shqipëri sollën me vete edhe robër zezakë apo dhe ushtarë të rekrutuar që u shërbenin besnikërisht. 

    Gjurmë të drejtëpërsëdrejta të këtyre personave nuk gjejmë në popullsinë e sotme në Shqipëri, por përmes shkrimeve dhe tablove mund të evidentohet lehtë prania e tyre në Shqipëri. Bajroni në takimin e famshëm me Ali Pasha Tepelenën në Tetor 1809, kur përshkruan hyrjen e personazhit letrar Childe Harold në kështjellën e Tepelenës përmend mes popullsive të tjera që baresin në oborr dhe etiopianë:

    “Rëndom mbi prag të portës që kërcet,

    Nget kalin shpejt ndonjë tartar fesgjatë.

    Turq, grekë, shqiptarë, arapë aty përzien

    Në lloj-lloj ngjyra gjer sa zëri i mbytur”.

    Më poshtë kur përshkruhen popullsitë përmenden sërish etiopianët:

    “Delinë me qylaf e jatagan,

    Grekun dinak, të zinë bir me cen

     T’Etiopisë”. 

    Nuk mund të nxjerrësh një evidencë të qartë nga këto vargje se sa duhet të ketë qenë numri i tyre në Tepelenë, por të paktën për një personazh historik, gojëdhëna e ka sjellë deri në ditët tona se mund t’i përkiste kësaj popullsie. Vetë Jusuf Arapi, një nga besnikët e Ali Pasha Tepelenës, mendohej se ishte një mulat dhe gjysëm vëlla i Pashait, që i ati i tij Veliu, e kishte djalë me një skllave haremi etiopiane. Mbiemri i tij është një provë linguistike që dëshmon origjinën e tij. Po kështu në tablonë e njohur të Dypre-së, ku Ali pasha Tepelena është duke gjuajtur në liqenin e Butrintit, Jusuf Arapi qendron në krye të varkës. Ai është i paraqitur si esmer, i veshur me rroba popullore shqiptare dhe qëndron në krye të kiçit të barkës.

    Omer Vrioni, një prijës tjetër shqiptar që mori pjesë në fushatën e Egjiptit, sëbashku me prijës të tjerë shqiptarë, sipas Pouqeuville, kur u kthye në Janinë, në 1808, solli me vete gamile, gruan nga fisi i mamlukëve dhe disa shërbëtorë zezakë. Po kështu është fakt i njohur që Marko Boçari, heroi shqiptar i pavarësisë greke, u vra gjatë sulmit të tij në Karpenisë nga arapi i pashës, roja besnike e Mustafa Pashë Bushatlliut.  Marko Boçari, sëbashku me 300 suliotë, të veshur me rroba shqiptare, duke shfrytëzuar rastin që flisnin shqip u futën brenda kampit osman që udhëhiqej nga Mustafa Pashë Bushatlliu dhe u përpoqën që të arrinin deri te çadra e tij për ta vrarë. Në tablonë e njohur të piktorit gjerman Peter Von Hess “Vdekja e Boçarit në Karpenisë”, shikojmë arapin e pashës, rojen besnike të Mustafa Pashë Bushatlliut që jep goditjen fatale.

    Pra siç shikohet ka një shpërndarje nga jugu në veri të popullisë zezake në territoret shqiptare, të njohur ndryshe dhe me emërtimin harap ose arap. Duket se të pasurit e një arapi si roje besnike ka qenë një traditë e konsoliduar ndër pashallarët shqiptarë. Kësaj tradite nuk i shpëtoi as Mbreti Oto I i Greqisë, që një nga rojet e tij më besnike kishte Markon nga Abisinia. Tabloja e piktorit gjerman Leopold Karl Müller, “The Greek Moor” – Mauri Grek (1855), është një dëshmi e pranisë së popullisë zezake dhe në oborrin mbretëror grek. Ka të ngjarë që personi i portretizuar është Marko nga Abisinia, një nga truprojat personale të Mbretit të Greqisë, bavarezit Otto I (1815-1867).

    Gjithsesi, përqëndrimi më i madh i kësaj popullsie çuditërisht  gjendej në Ulqin,  në pjesën më veriore të aeralit etnik shqiptar që pas pushtimit të tij nga otomanët në 1571, kishte hyrë në disa zhvillime të vrullshme demografike. Për aq sa dëshmon historiani anglez Noel Malcom në librin e vet “Agjentët Perandorakë”, Ulqini ishte një qytet etnikisht shqiptar, me popullsi që i përkiste besimit katolik. Dy nga familjet më të mëdha fisnike të kohës, Brutti dhe Bruni do të luanin një rol të madh në historinë e rajonit dhe të Evropës.

    Rënia e Ulqinit në duart e osmanëve ndryshoi strukturën urbane, sociale por edhe ushtrimin e ndryshëm të zejtarive. Ulqini gradualisht fillon dhe merr pamjen e një qyteti oriental, me ndërtime të objekteve të kultit islam, krojeve si vend relaksimi dhe meditimi por edhe me ndalimin e prodhimit të verës dhe vazhdimin e prodhimit të vajit të ullirit. Ai vazhdon të mbetet një derë komunikimi midis Lindjes dhe Perëndimit, përderisa mendohet se Sabaedin Zeevi, i ashtëquajturi Messia hebre, brakstis Beratin dhe shkon dhe vendoset në Ulqin. 

    Një nga zejet më të përhapura në Ulqin, bëhet si në asnjë qytet tjetër shqiptar të bregdetit, ndërtimi i anijeve dhe lundrimi. Venedikasit në luftrat dhe paqen e nënshkruar me osmanët bënin çmos që deti Adriatik të mbetej një liqen venedikas, pa lejuar ndërtimin e porteve osmane në brigjet e Adriatikut Lindor. Kjo luftë e hapur midis tyre kishte dëmtuar dhe lundrimin në brigjet shqiptare, të cilat nga një element mbizotërues dikur me popullsinë ilire, ishin kthyer tani në një popullsi që nuk e mbarështronte ndërtimin e anijeve dhe në përgjithësi kulturën e detit. Ulqini, bënte një përjashtim në këtë drejtim dhe llojet e ndryshme të anijeve që prodhonte si dhe flota që mbante e kishin shndërruar në një qytet të rëndësishëm për Perandorinë Osmane, pasi flota e tij përdorej në ballafaqimet dhe betejat detare të saj me Perëndimin. Përdorimi dhe mbajtja e kësaj flote lidhet ngushtë dhe me praninë e popullsisë zezake në Ulqin. 

    Zezakët fillimisht kishin ardhur aty si skllevër të blerë në pazare të skllevërve në Vlorë nga detarët ulqinakë për të shërbyer në anije. Pazare të tillë skllevërish, siç dëshmon Pouqeuville, kishte dhe në Butrint apo Prevezë, ku sundimtarët lokalë blinin robër të kapur nga anijet e piratëve. Duke qenë se lundrimi vazhdonte të ishte ende i bazuar dhe në rrema, ky proces kërkonte një fuqi të madhe njerëzore që qyteti i Ulqinit nuk mund ta përballonte me popullsinë e vet. Kjo ishte dhe një nga arsyet e blerjes së skllevërve dhe vendosjes së tyre në Ulqin në një lagje të veçantë. Kaq e rëndësishme ishte kthyer prania e këtyre familjeve dhe skllevërve zezakë sa dhe fuqia ekonomike e familjeve ulqinake varej pikërisht prej numrit të zezakëve qe kishte në kuadër të familjes. Nuk ka të dhëna të sakta se sa ishte realisht numri i zezakëve në Ulqin, por afërsisht themi se ishin disa dhjetëra, e kjo ka të bëjë sidomos me shekujt e XVII dhe XVIII e deri në fillimet e shek. XIX.

    Për shkak se ra kërkesa për fuqi njerëzore për anije me rrema, numri i të ardhurve rishtaz u pakësua. Në këtë kontekst duhet të ketë ndikuar edhe ndalimi i skllavërisë nga Franca në 1803 dhe Anglia në 1807, si dhe hyrja në urbanizimin kapitalist dhe modernitetin në legjislacion të Perandorisë Osmane. Po kështu vetë Perandoria Osmane nëpërmjet disa disa fermanëve filloi që nga vitit 1830, 1856 dhe përfundimisht në vitin 1871 ta ndalojë skllavërinë. 

    Popullsia zezake e mbetur në Ulqin, më vonë fitoi lirinë dhe u integrua në jetën e qytetit. Në aspektin social, komuniteti i arapëve siç quhen në Ulqin, në shumë aspekte u bë pjesë e familjeve ulqinake, duke punuar në bashkësitë familjare por edhe angazhimin në detari, bujqësi e shërbime tjera. Ata, bashkëjetuan me shqiptarët, morën nga kultura shqiptare por edhe i dhanë kulturës shqiptare aq sa kishin mundësi, ku në mënyrë të veçantë dallohet fusha e folklorit. Interesant është mbiemri dhe etnonimi që kjo popullsi ndan që nga Jugu i Shqipërisë e deri në Veri, një formë arkaike e shqipes harapi ose arapi.

    Duke ndarë fatin me shqiptarët ata moren mbiemrat e familjeve shqiptare ku ishin vendosur, por edhe u shperngulen me agallarët e beglerët ulqinakë siç ishte rasti në vitin 1880, duke u vendosur në Shkodër, kur Ulqini iu dorëzua Malit të Zi nga ana e Fuqive të Mëdha. Si dëshmi kemi pasardhësit e tyre që janë edhe sot në Shkodër, ndonëse në numër të reduktuar, sikurse edhe në Ulqin. Dëshmia më e fundit e tyre në artin shqiptar është një tablo e njohur piktorit të njohur Kolë Idromeno. Në 1916 ai na ka lënë një pikturë të titulluar “Arapi i Beledijes”. Ka të ngjarë që Arapi, që shërbente pranë bashkisë së Shkodrës të jetë një prej këtyre zezakëve të Ulqinit.

    Burimi: doriankoci.blogspot.com

  • Gjergj Arianiti ishte një nga zotërit më të fuqishëm feudal arbëror gjatë Mesjetës së Vonshme..

    Gjergj Arianiti ishte një nga zotërit më të fuqishëm feudal arbëror gjatë Mesjetës së Vonshme..

    Gjergj Arianiti

    Gjergj Arianiti ishte një nga zotërit më të fuqishëm feudal arbëror gjatë Mesjetës së Vonshme i cili me sukses luftoi në disa fushata kundër osmanëve.

    I lindur rreth vitit 1383, Gjergj Arianiti ishte djali i Komnen Arianitit nga Dera e famshme e Arianitëve.

    Gjatë viteve 1432-1436, princi Gjergj Arianiti ishte udhëheqësi kryesor i kryengritjes anti-osmane në Arbëri. Ishte pikërisht kjo periudhë kur Arianiti mori famën e tij si rezultat i betejave të suksesshme kundër ushtrive osmane.

    Fitoren më të madhe e arriti në vitin 1432, kur shkatërroi një ushtri osmane prej 10,000 burrash e udhëhequr nga Ali Beu.Për këtë fitore, kronisti bizatin Çalkondyles do shkruante “Në këtë betejë, Arianit Komneni arriti një fitore të lavdishme”.

    Ishte pjesëtar i Lidhjes së Lezhës, aleat por dhe rival i Skënderbeut në disa periudha. Vajza e tij, Donika, u martua me Kastriotin në prill 1451, ndërsa Arianiti vazhdoi luftën kundër pushtimit osman deri në vitin 1462 kur vdiq në një moshë të thyer.

    📸 Falenderojmë @xxartist__v për këtë vizatim të Gjergj Arianitit

  • Idriz Seferi (1847- 1927) tribun i vegjëlisë, luftëtar i paepur i çlirimit dhe i bashkimit të trojeve shqiptare

    Idriz Seferi (1847- 1927) tribun i vegjëlisë, luftëtar i paepur i çlirimit dhe i bashkimit të trojeve shqiptare

    Figura e Idriz Seferit radhitet në mesin e luftëtarëve, që u bë i njohur qysh në Lidhjen  Shqiptare të Prizrenit, ndërsa prania e tij në frontet e luftës kundër pushtuesit shekullor turk, po ashtu edhe në Kuvende e Besëlidhje të kohës ka zgjatur deri në vdekjen e tij. Sipas të dhënave jo edhe aq të plota në tekstet e historisë së popullit shqiptar, mësojmë se Idriz Seferi duhet të ketë lindur  në vitin 1847 në fshatin Sefer të Karadakut. Ishte pjesëtar i një familjeje të madhe malësore, e njohur për besë, trimëri e atdhetari. Qysh i ri shquhet për qëndrimin e tij kundër sundimit turk, sundim ky i cili i kishte katandisur në skamje mjerim e varfëri të gjitha trojet shqiptare.  Më 1875 u burgos nga autoritetet osmane. Tri vjet më vonë, me një grup malësorësh nga Karadaku dhe krahina e Gjilanit mori pjesë në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878, e cila në krye me Avdyl Frashrin, Ymer Prizrenin Sylejman Vokshin e shumë atdhetarë të tjerë nga të gjitha trojet e Shqipërisë së katër Vilajeteve, mori vendim për t’i ruajtur dhe për t i pavarësuar trojet shqiptare, me të cilat Porta e Lartë në Stamboll bënte tregti, pas çdo humbje e disfate  në frontet e Lindjes me Rusinë.

    Ashtu sikur të gjithë shqiptarët liridashës, edhe Idriz Seferi me trimat e tij ishte nisur në rrugë për ta ndihmuar kombin, njerëzit e gjuhës dhe të gjakut.

    Ai ka dhënë një kontribut të çmuar edhe në likuidimin e bandave kaçake serbe, të cilat futeshin tinëz në trojet shqiptare dhe vrisnin gra e fëmijë, për të krijuar huti në mesin e shqiptarëve  Flitet se në në Pasjan, fshat serb në lindje të Gjilanit u zbulua një çetë prej 30 vrastarësh e plaçkitësish serbë,  të cilët ishin strehuar në kishën e fshatit. Një kalimtar rasti i kishte hetuar dhe e kishte lajmëruar Idriz Seferin. Me urdhër të Idrizit ata ishin rrethuar nga çeta shqiptare, me gjithë atë ata e kishin hetuar dhe kishin ikur dhe strehuar në Gjylekreshtë të Vitisë. Përsëri ishin rrethuar dhe pas një lufte të ashpër ajo çetë komitësh ishte asgjësuar, e bashkë me ta edhe komandanti i tyre, Dragolub Nikoliq,  nga Beogradi. Pas shpartallimit të kësaj njësie të armatosur, njësi të organizuara nuk janë hetuar më deri më 1912 kur Serbia e pushtoi Kosovën.

     Idriz  Seferi i takon Epokës së kryetrimave  të shqiptarisë, në luftë për çlirim nga robëria shekullore turke

    Ekspeditat e Xhavit Pashës të vitit 1909, taksat dhe tatimet e reja, rekrutimi i detyruar ushtarak, masat për çarmatimin me dhunë të popullsisë, ndjekjet policore kundër klubeve e atdhetarëve shqiptarë, si edhe reaksioni xhonturk kundër shkollës e shkrimit shqip, i acaruan më tej marrëdhëniet e shqiptarëve me qeveritarët xhonturq.

    Përballë kësaj gjendjeje politike, rrethet atdhetare shqiptare bënë përpjekje për bashkërendimin e lëvizjes në shkallë kombëtare. Në fundin e vitit 1909 u themelua në Stamboll Komiteti i fshehtë shqiptar “Ja Vdekje, ja Liri!”, i cili bëri thirrje për formimin e një qendre të vetme drejtuese dhe për nxjerrjen e një organi qendror shtypi për të gjitha organizatat e shoqëritë atdhetare brenda e jashtë vendit. Komiteti u përpoq ta shtrinte veprimtarinë e tij edhe në Shqipëri.

    Dhuna e egër që xhonturqit ushtruan për mbledhjen e taksave e të tatimeve, për grumbullimin e armëve e të rekrutëve ishte më e fuqishme në Kosovë, ku shpërtheu hapur pakënaqësia e shqiptarëve. Qysh në pranverën e vitit 1910 qëndresa e shqiptarëve të Kosovës merr gjithnjë e më shumë trajtën e një lufte të armatosur. Të rinjtë, për t’iu shmangur shërbimit ushtarak, dilnin në mal dhe formonin çeta të armatosura. Ndërkohë nisën përgatitjet për aksione të armatosura në përmasa më të gjera. Pranvera e vitit 1910 i gjeti shqiptarët e Kosovës të organizuar në grupe të armatosura e të përgatitura për luftë kundër regjimit xhonturk.

    Veprimet e para kundërqeveritare nisën në mars në Gjakovë, por qendra e tyre u bë në fillim Juniku, ku vepronin forcat e udhëhequra nga Halil Mehmeti.

    Në muajin mars, me nismën dhe nën drejtimin e Idriz Seferit, u mbajt në Gjilan një mbledhje e shqiptarëve të këtij rrethi ku u diskutua rreth masave për organizimin e kryengritjes së re.

    Në fund të muajit mars grupe të armatosura fshatarësh e malësorësh të anës së Mitrovicës, të Vuçiternës dhe të Llapit marshuan në drejtim të Prishtinës për të protestuar kundër caktimit arbitrar të taksave. Ata ndërprenë rrugën Prishtinë-Prepalac. Repartet e garnizonit të Prishtinës më 5 prill u ndeshën me kryengritësit në Babin Most. Pas përpjekjeve që u zhvilluan këtu dhe që zgjatën dy ditë, kryengritësit rrethuan një batalion të ushtrisë osmane dhe i detyruan forcat qeveritare të tërhiqeshin në Prishtinë me humbje të ndjeshme në njerëz dhe në armatime.

    Fitorja e kryengritësve në Babin Most i vuri në një gjendje të vështirë trupat qeveritare që mbronin Prishtinën. Garnizoni i saj përbëhej prej një regjimenti kavalerie dhe një batalioni këmbësorie, të cilët nuk ishin në gjendje të mbanin qytetin dhe as të ndërmerrnin veprime jashtë tij. Më 7 prill u dërgua nga Ferizaj në Prishtinë një kolonë e përbërë prej 6-7 batalionesh. Me gjithë përforcimet që i erdhën, garnizoni i Prishtinës qe i detyruar të qëndronte në pozita mbrojtëse.

    Pas fitoreve të para të forcave kryengritëse, gjendja në vilajetin e Kosovës u bë e vështirë për autoritetet xhonturke. Garnizonet ushtarake të vilajetit ishin të pamjaftueshme për ta shtypur menjëherë kryengritjen.

    Kryengritja u shtri edhe në Rrafshin e Dukagjinit. Vrasja e komandantit të ushtrisë në Pejë, e majorit Rushit Beu, dhe plagosja e mytesarifit të atjeshëm, Haki Beu, u pasua nga veprimet që çetat e Shalës dhe të Berishës ndërmorën kundër një batalioni ushtarësh.

    Në të njëjtën kohë kryengritësit e rrethinave të Prizrenit i detyruan repartet ushtarake osmane të mbylleshin në qytet, ndërsa pjesën tjetër të tërhiqej në drejtim të Fushë-Kosovës. Në fillim të prillit kryengritësit kishin zënë të gjitha pikat strategjike në afërsi të qyteteve të Prishtinës, të Pejës e të Prizrenit.

    E shqetësuar nga këto ngjarje, qeveria xhonturke, në mbledhjen që mbajti më 7 prill, vendosi që të merreshin masa të rrepta ushtarake kundër kryengritësve. Në mesin e muajit prill në trevën verilindore të Shqipërisë qenë përqendruar rreth 36-40 batalione këmbësorie, që bënin pjesë në korpuset I, II dhe III të ushtrisë osmane të vendosur në pjesën evropiane të Perandorisë, si dhe gjashtë bateri të artilerisë malore e gjashtë bateri të artilerisë fushore me 50 gryka zjarri.

    Përballë zhvillimit të shpejtë të ngjarjeve në rrethet e Prishtinës, të Pejës e të Prizrenit, qeveria xhonturke mori masa për të penguar zgjerimin e kryengritjes. Me dekretin perandorak të sulltan Mehmet Reshatit V u shpall në zonën e kryengritjes gjendja e jashtëzakonshme; urdhërohej të shpërndaheshin sa më shpejt forcat kryengritëse; të arrestoheshin dhe të nxirreshin para gjykatës ushtarake organizatorët e kryengritjes; të bëhej regjistrimi i popullsisë dhe i pasurisë së patundshme; të zbatohej shërbimi i detyrueshëm ushtarak; të mblidheshin me forcë taksat etj. Porta e Lartë urdhëroi Ministrinë e Luftës që të përgatiste sa më shpejt ekspeditën ndëshkimore, në krye të së cilës do të vihej Shefqet Turgut pasha, njëri nga gjeneralët më të zotë të ushtrisë osmane aso kohe.

    Për të përballuar ekspeditën e madhe ushtarake që Porta po përgatiste kundër Kosovës, u pa e nevojshme të merreshin masa organizative e ushtarake, të cilat do të vendoseshin në tubimet e udhëheqësve shqiptarë. Një tubim i tillë u mbajt në mesin e prillit në vendin e quajtur Verrat e Llukës, në afërsi të Deçanit. Autoritetet xhonturke, me gjithë përpjekjet që bënë, nuk arritën ta pengonin mbledhjen e këtij kuvendi. Agjentura e tyre, e kryesuar nga disa bejlerë të Pejës, nuk arriti gjithashtu të qetësonte dhe të shpërndante turmat e armatosura. Tubimi u zhvillua nën drejtimin e Shaban Binakut, të Isa Boletinit, të Sulejman Batushës dhe të krerëve të tjerë.

    Në Kuvend u vendos pajtimi i të gjitha gjaqeve deri në Shën Mitër. Më pas pjesëmarrësit lidhën besën e vendosën që të gjitha viset e përfaqësuara prej tyre të bashkoheshin me kryengritjen. U përcaktuan gjithashtu me hollësi masat organizative dhe ushtarake për përballimin e ekspeditës së Shefqet Turgut pashës. Kuvendi parashikonte edhe masa ndëshkuese për ata që do t’i kundërviheshin besës së lidhur.

    Kuvendi i Verrave të Llukës nuk mori vendime me karakter politik, nuk doli me kërkesa në rrafsh kombëtar. Me sa duket, organizatorët e tij mendonin se këto do të ishin objekt i një mbledhjeje shumë më të gjerë dhe me përfaqësues në shkallë kombëtare. Megjithatë, tubimi pati rëndësi për zhvillimin e mëtejshëm të kryengritjes, për organizimin dhe për bashkërendimin e veprimeve të saj të armatosura. Aty u hodhën themelet e bashkimit luftarak të shumicës së krahinave të vilajetit të Kosovës, kryesisht të pjesës perëndimore e qendrore.

    Sapo filloi kryengritja, grupi i deputetëve shqiptarë në parlament u vu në mbrojtje të saj. Më 9 prill 1910, 13 prej tyre (nga gjithsej 26 që përfaqësonin popullsinë shqiptare në atë organ) i paraqitën parlamentit një relacion për gjendjen e vështirë të krijuar në Shqipëri si rrjedhim i politikës nacionaliste të Komitetit “Bashkim e Përparim”.

    Në deklaratën që deputeti i Kosovës, Nexhip Draga, bëri më 10 prill në emër të grupit të deputetëve shqiptarë e quajti të padrejtë dhe e dënoi vendimin e qeverisë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vilajetin e Kosovës. Ismail Qemali, Myfid Libohova dhe deputetë të tjerë shqiptarë sollën prova që dëshmonin se ngjarjet e Prishtinës ishin pasojë e administrimit të keq të vendit, e sjelljeve arbitrare të nëpunësve vendorë, si dhe e karakterit anakronik të mënyrës së qeverisjes që zbatonin xhonturqit.

    Deputetët shqiptarë folën posaçërisht për arbitraritetin në vjeljen e detyrimeve shtetërore nga autoritetet vendore. Në këtë ndikonte mungesa e legjislacionit përkatës, si edhe formulimet e errëta e të papërcaktuara mirë të ligjeve ekzistuese. Në Shqipëri filluan të vileshin edhe tatime të tilla, siç ishte ajo e oktrovës, një taksë doganore, e cila nuk vilej ende as në rajonet më të zhvilluara të Perandorisë, si në Stamboll, në Izmir, në Selanik.

    Deputetët shqiptarë deklaruan se do të ishte më e udhës dhe më dobiprurëse që në Shqipëri në vend të ekspeditave ushtarake të dërgohej një komision parlamentar. Ata kërkuan që në Shqipëri të sendërtoheshin hap pas hapi reforma rrënjësore, të caktoheshin nëpunës të aftë e të ndershëm, të cilët të njihnin ligjet dhe drejtësinë. Hasan Prishtina nguli këmbë që ky komision të hetonte në vend shkaqet e kryengritjes.

    Duke iu përgjigjur deklaratave të deputetëve shqiptarë në parlament, kryeministri turk u përpoq t’i përligjte e t’i motivonte masat ushtarake të qeverisë në Kosovë me pozitën e veçantë strategjike të kësaj treve dhe të mbulonte shkaqet e vërteta të lëvizjes kryengritëse në Shqipëri, të cilën e quante vepër të disa “ngatërrestarëve”.

    Ismail Qemali, nga ana e tij, kërkoi nga qeveria që të nxirreshin në shesh shkaktarët e vërtetë të gjendjes së krijuar në Shqipëri. Në një takim të veçantë me ministrin e Luftës të Perandorisë ai kërkoi që të ndërpriteshin veprimet ushtarake kundër shqiptarëve. Por këto kërkesa ranë në vesh të shurdhër. Qeveria pranoi se ishin bërë disa gabime nga administrimi i keq prej disa nëpunësve vendorë dhe premtoi se do të merrte masa për riparimin e tyre. Në të njëjtën kohë ajo siguroi miratimin nga parlamenti të kërkesës së saj për dërgimin e trupave ushtarake plotësuese në Kosovë.

    Orvatjet e deputetëve shqiptarë për të penguar dërgimin e ekspeditës ushtarake të komanduar nga Shefqet Turgut pasha në Kosovë nuk dhanë fryt. Edhe propozimet e tyre për të dërguar në Shqipëri një komision parlamentar për hetimin e gjendjes në terren dhe në mënyrë të veçantë të shkaqeve të kryengritjes u hodhën poshtë. Qeveria xhonturke ishte tashmë e vetëdijshme se ngjarjet në Shqipëri ishin shenjë e një konflikti politik shqiptaro-turk, pas të cilit fshiheshin aspiratat autonomiste të shqiptarëve.

    Këtë realitet u përpoq t’ua bënte të qartë Ismail Qemali edhe diplomatëve të huaj në Stamboll. Duke i përcjellë ambasadorit austro-hungarez, Pallaviçinit, kërkesën që deputetët shqiptarë parashtruan në parlamentin osman, ai theksoi se shqiptarët kërkonin zbatimin e reformave, të cilat do t’u përshtateshin rrethanave të veçanta të vendit dhe nevojave të tij. Kundërshtimi i tyre, theksonte ai, do të çonte në thellimin e mëtejshëm të kryengritjes popullore. Ismail Qemali i bënte të ditur përfaqësuesit të Vjenës në Stamboll, se me kërkesat e tyre shqiptarët synonin të siguronin “një ndërtesë më vete”, çka nënkuptonte autonominë e Shqipërisë.

    Sukseset e para të kryengritësve shqiptarë

    Në mesin e prillit 1910 Turgut Pasha mbërriti në krye të një ushtrie prej 16 mijë forcash në kryeqendrën e vilajetit të Kosovës, në Shkup.

    Në proklamatën që i drejtoi popullsisë së Kosovës para se të fillonte operacionin ushtarak, Shefqet Turgut pasha u orvat ta përligjte atë në sytë e popullsisë së revoltuar dhe të bindte kosovarët se qeveria ishte shtrënguar të dërgonte ushtrinë në këtë vilajet. Ai theksonte se forcat ushtarake të komanduara prej tij nuk qenë dërguar për të shkaktuar gjakderdhje, por për të vendosur rregullin e qetësinë dhe për të ndëshkuar të gjithë ata që mbillnin përçarjen. Ai deklaronte gjithashtu se qeveria dëshironte t’i siguronte popullit shqiptar të mirat e rendit kushtetues, prandaj ishte në interesin e tij dhe të shtetit që të gjithë kryengritësit të dorëzoheshin.

    I përforcuar me trupa të rinj, numri i forcave osmane që u vunë përballë kryengritësve shqiptarë, arriti në rreth 40 mijë veta. Me këtë ushtri Shefqet Turgut pasha filloi në mesin e muajit prill 1910 sulmin e përgjithshëm kundër forcave kryengritëse.

    Ndërkohë kryengritësit vazhduan veprimet e tyre, të cilat tani i zhvilluan në tri zona. Luftëtarët e Shalës, të Llapit e të Drenicës, nën komandën e Isa Boletinit, u përqendruan në Grykën e Carralevës dhe vunë nën kontroll vijën Ferizaj-Shtimje-Prizren. Hasan Hysen Budakova me forcat e tij u përqendrua në rajonin malor në perëndim të Ferizajt deri në anën jugore të Carralevës. Grupimi tjetër, i tretë, i kryengritësve, që përbëhej nga luftëtarë të Gjilanit e të Preshevës, nën komandën e Idriz Seferit, mori përsipër të zotëronte e të mbronte Grykën e Kaçanikut dhe rrugën Tetovë-Shkup për të mos lejuar depërtimin e ushtrisë osmane, që vinte nga qendra e vilajetit në drejtim të pjesës së brendshme të Kosovës. Emisarë të posaçëm u dërguan në Shkodër, në Dibër e në Mat me thirrjen për t’u bashkuar me kryengritjen, ndërsa agjitatorë të tjerë filluan të vepronin në radhët e reparteve turke për t’i bindur ushtarët shqiptarë të dezertonin.

    Në fazën e parë të operacioneve ushtria osmane pësoi disfatë. Kolona verilindore e saj, e cila kishte për detyrë të dilte në fshatin Pozharan dhe me një veprim të shpejtë t’i rrethonte forcat kryengritëse të grupuara në këtë rajon, ndeshi në një qëndresë të ashpër dhe e ndërpreu përkohësisht marshimin e mëtejshëm.

    Luftime më të ashpra u zhvilluan në anën perëndimore të zonës kryengritëse. Forcat osmane të përqendruara këtu, më 21 prill, pas luftimesh të rrepta, arritën t’i afroheshin Shtimes që mbrohej nga kryengritësit. U ndërpre lidhja telegrafike e kësaj qendre me Prizrenin. Luftimet vijuan në Shtime gjithë ditën, me humbje të mëdha nga të dyja palët. Të nesërmen ushtria osmane, e komanduar nga Osman Pasha, me gjithë mbështetjen e zjarrit të artilerisë, nuk mundi ta merrte Grykën e Shtimes. Në pritje të përforcimeve të reja nga Ferizaj, ushtria u detyrua të tërhiqej nën goditjet e vazhdueshme të kryengritësve.

    Lajmi rreth fillimit të luftimeve në Shtime përshpejtoi veprimet e kryengritësve të Gjilanit, të Preshevës dhe të viseve përreth, që u hodhën drejt Kaçanikut. Më 24 prill 3 000 kryengritës, nën udhëheqjen e Idriz Seferit, shtinë në dorë Grykën e Kaçanikut dhe dolën në shpinë të ushtrisë turke, duke e vënë atë në një pozitë kritike. Kryengritësit vunë nën kontroll të plotë hekurudhën Shkup-Mitrovicë dhe ndërprenë lidhjen hekurudhore me kryeqendrën e vilajetit, Shkupin. Si rrjedhim i këtyre veprimeve, forcat ushtarake osmane, të vendosura në Ferizaj, u vunë në një gjendje të vështirë.

    Sukseset e kryengritësve në Grykën e Carralevës dhe shtënia në dorë e Shkallës së Kaçanikut përbënin një fitore ushtarake të rëndësishme, e cila ndikoi në zhvillimin e mëtejshëm të kryengritjes në Kosovë. Forcat kryengritëse zotëronin tani një pjesë të mirë të territoreve të vilajetit të Kosovës, si dhe disa pika strategjike që u lejonin të kontrollonin vijat kryesore të komunikacionit. Ata paralizuan pushtetin civil të administratës xhonturke. Ndërkaq, ushtria osmane mbeti e bllokuar në qytetet kryesore të Fushë-Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit. E pafuqishme për të ndërmarrë ndonjë veprim luftarak jashtë tyre, ushtria osmane priste ardhjen e forcave të reja.

    Beteja e Kaçanikut, Termopilja e Shqipërisë së kohës

    Më 30 prill 1910 ushtria osmane, e komanduar nga Shefqet Turgut pasha dhe e përbërë në fillim nga 9 000-10 000 veta, e përforcuar me reparte kalorësie dhe e mbështetur nga zjarri i artilerisë, filloi mësymjen kundër 3 000-4 000 kryengritësve shqiptarë të përqendruar në Shkallën e Kaçanikut të udhëhequr nga Idriz Seferi. Para sulmit të përgjithshëm ushtria osmane goditi me artileri fshatrat përreth. Masakrimi i grave, i fëmijëve dhe i pleqve që kishin mbetur atje, nuk solli, ashtu siç e kishte parashikuar Shefqet Turgut pasha, dekurajimin e mbrojtësve shqiptarë të Grykës së Kaçanikut. Përkundrazi, me gjithë epërsinë e madhe numerike të forcave armike, kryengritësit i thyen sulmet e tyre. Për dy ditë rresht (më 30 prill-1 maj) divizioni osman nuk mundi të mposhtte qëndresën e kryengritësve shqiptarë, të cilët treguan aftësi të veçanta luftarake.

    Forcat osmane të përfshira drejtpërsëdrejti në luftime kundër kryengritësve në Kosovë arritën në afro 30 000 veta. Një pjesë e madhe e tyre u angazhuan në betejën e Kaçanikut. Megjithëse ushtria turke kishte epërsi të ndjeshme mbi forcat kryengritëse, këto i përballuan sulmet e tyre për shtatë orë rresht, duke kaluar edhe në luftime trup me trup. Udhëheqësit e kryengritjes treguan aftësi drejtuese si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje e në tërheqje. Ata mundën të dilnin nga rrethimi në mënyrë të organizuar dhe, duke u tërhequr në drejtim të Gjilanit, vijuan ta godisnin armikun.

    Në betejën e Kaçanikut ushtria osmane pësoi humbje të mëdha. Sipas të dhënave të ndryshme u vranë disa mijëra ushtarë dhe 90 oficerë osmanë. Shefqet Turgut pasha humbi në Kaçanik më shumë se një të katërtën e forcave, që kishte nën komandën e tij; u shpartalluan rreth 20 batalione. Pas kësaj ushtria filloi të hakmerrej mbi popullsinë e pambrojtur. Njësi të posaçme të ushtrisë turke dogjën fshatrat që nuk kishte arritur t’i rrafshonte artileria. Gjyqi i jashtëzakonshëm ushtarak dënoi kryengritësit e zënë robër dhe përkrahësit e tyre. Ekzekutimi i të dënuarve me vdekje bëhej para popullsisë vendase të grumbulluar me forcë dhe nën gjëmimet e daulleve e të marsheve të bandës ushtarake.

    Luftimet që kryengritësit shqiptarë zhvilluan në Kaçanik, patën jehonë brenda dhe jashtë vendit. Ato u përjetësuan në epikën popullore.

    Pasi mori Grykën e Kaçanikut, Shefqet Turgut pasha, në ditët e para të majit, i përforcuar edhe me trupa të tjera që i erdhën nga Selaniku, filloi mësymjen në drejtimin Ferizaj-Carralevë. Një kolonë e forcave osmane, e nisur nga Shkupi, gjatë marshimit të saj nëpër Kumanovë, përgjatë hekurudhës, ndeshi në të hyrë të Grykës së Konçullit, në mes të Bujanovcit dhe Gjilanit, në qëndresën e forcave kryengritëse të komanduara nga Idriz Seferi. Luftëtarët shqiptarë të kësaj ane u rezistuan për disa ditë forcave osmane, derisa atyre u erdhi në ndihmë një kolonë tjetër. Megjithatë, qëndresa e kryengritësve vijoi edhe më pas, por në grupe më të vogla, të përbëra nga 150-200 veta. Edhe në këto vise ushtria, në shenjë hakmarrjeje, u vuri zjarrin fshatrave të tëra.

    Në fillim të muajit maj forcat osmane kaluan në mësymje në drejtimin Ferizaj-Carralevë. Këtu u ndeshën me forcat kryengritëse që vepronin në zonën Shtime-Carralevë, të komanduara nga Isa Boletini?, numri i të cilave nuk i kalonte 4 000 vetat. Për dy ditë dhe dy netë rresht u zhvilluan atje luftime të ashpra. Megjithëse nisi nga Ferizaj reparte të garnizoneve të Prizrenit dhe të Mitrovicës, që vepronin anës Grykës së Carralevës, komanda osmane nuk arriti t’i rrethonte kryengritësit. Forcat ushtarake të Ferizajt u bllokuan midis Shtimjes e Carralevës dhe u detyruan të kthehen mbrapsht. Pjesa tjetër nuk ia arriti të depërtonte në drejtimin Jezercë-Budakovë për t’u rënë prapa krahëve kryengritësve.

    Taktika që përdorën udhëheqësit e kryengritësve, sidomos shfrytëzimi i terrenit, ndihmoi për një kohë për të përballuar epërsinë e armikut në njerëz dhe në armatime. Gjendja e krijuar në Kosovë e detyroi ministrin e Luftës, Mahmut Shefqet pashën, që të vihej vetë në krye të fushatës ushtarake në Shqipëri.

    Mbrojtja e Carralevës (8-10 maj)

     Pas pushtimit të Grykës së Kaçanikut, Mahmut Shefqet pasha, duke u vënë në krye të operacioneve, urdhëroi të marshohej në drejtimin Shtimje-Carralevë. Ai ndau ushtrinë në tri kolona, të mbështetura nga artileria malore.

    Grykën e Carralevës e mbronin tre mijë kryengritës, që treguan guxim dhe aftësi luftarake. Por pozita e tyre u vështirësua kur u dolën në shpinë forca osmane të prira nga udhërrëfyes serbë dhe nga ndonjë turkoman prej parisë shqiptare. Me porosinë e konsullatës serbe në Prishtinë, mësues, klerikë dhe banorë serbë qenë vënë në shërbim të ushtrisë turke.

    Mësymjes së forcave osmane kundër kryengritësve u parapriu edhe këtu në Carralevë, sikurse në Kaçanik, goditja me artileri jo vetëm e pozicioneve të luftëtarëve shqiptarë, por edhe e fshatrave të pambrojtura.

    Më 7 maj 1910 u zhvilluan pranë Jezercës luftime të përgjakshme. Forcat osmane mundën të çanin përpara vetëm pasi u erdhën përforcime të tjera.

    Me gjithë trysninë e sulmeve të pareshtura të ushtrisë osmane dhe të goditjeve të zjarrit të fortë të artilerisë, mbrojtësit e Grykës së Carralevës qëndruan me trimëri. Edhe pse u gjendën përballë një armiku që kishte epërsi në njerëz e në armatime, shqiptarët vijuan qëndresën në këtë pikë disa ditë me radhë. Por mungesa e municionit dhe e ndihmave që priteshin nga çasti në çast, e bënë të pamundur përballimin e mëtejshëm të sulmeve të forcave osmane. Më 10 maj, pas një lufte që zgjati gjithë ditën, kryengritësit, duke përfituar nga errësira e mbrëmjes, çanë rrethimin; gjatë tërheqjes mundën të marrin me vete shokët e plagosur, midis të cilëve edhe komandantin e tyre, Isa Boletinin, që u dallua në këto luftime si udhëheqës e komandant i aftë dhe i talentuar ushtarak.

    Pas rënies së Grykës së Carralevës, ushtria osmane marshoi në pjesën perëndimore e qendrore të vilajetit të Kosovës. Pas luftimesh të rrepta, të mbështetura nga artileria, që nuk kursente as fshatrat e pambrojtura, valiu i Kosovës e pas tij edhe Mahmut Shefqet pasha, i shoqëruar nga Shefqet Turgut pasha dhe shtabi kryesor i forcave osmane, hynë në qytetin e Prizrenit. Më 1 qershor ato u futën në Pejë dhe në Gjakovë.

    Ministri i Luftës u detyrua të pranonte para parisë së Prizrenit se, ndryshe nga kryengritjet e mëparshme, kryengritja e tanishme ishte e përgjithshme edhe më e organizuar. Ai deklaroi gjithashtu se tani kishte nën komandë një forcë të përbërë prej 50 mijë ushtarësh dhe 70 baterish artilerie, e gatshme të vijonte operacionet ushtarake për nënshtrimin e plotë të shqiptarëve. Ai ndërmori masa terrori në Prizren dhe në rrethinat e tij. Gjyqet ushtarake dënuan me vdekje disa dhjetëra kryengritës. Autoritetet ushtarake xhonturke nuk kursyen as edhe shqiptarët që i kishin bërë ndonjë shërbim komandës osmane. Shtypi socialdemokrat serb shkruante ato ditë se krimet dhe barbarizmat që po kryente regjimi xhonturk në Kosovë, që ishte bërë “Vendi i litarit”, ishin aq të mëdha, sa nuk mund të përfytyroheshin nga opinioni publik evropian.

    Një divizion tjetër Shefqet Turgut pasha e nisi në drejtim të Malësisë së Gjakovës, ku ndeshi në qëndresën e kryengritësve të kësaj treve. Malësorët e Gashit dhe të Krasniqes, me rreth 2 000 forca, të komanduara nga Bajram Curri, Abdulllah Hoxha, Zeqir Halili e Shaban Binaku, zunë pritë në Qafë të Morinës për të ndalur depërtimin e ushtrisë në Malësi. Ata i bënë ballë një divizioni të tërë (prej 15-18 batalionesh këmbësorie, disa skuadrash kalorësie dhe 5 baterish artilerie), duke i shkaktuar atij humbje të rënda. Kryengritësit e lëshuan Qafën e Morinës për t’i shpëtuar rrethimit dhe asgjësimit.

    Kryengritësit u bënë pritë gjithashtu forcave osmane që vepronin në Rrafshin e Dukagjinit, në Qafë të Kolçit, ku 200 malësorë u përleshën me to duke u shkaktuar humbje të mëdha. Malësorët kryengritës, të komanduar nga Prel Tuli, Mehmet Shpendi e Marash Delia, u qëndruan ushtrive armike shtatë ditë e shtatë netë. Ata zunë qafat e shtigjet për të mos lejuar depërtimin e forcave turke në Dukagjin, në luginën e Shalës dhe të Thethit.

    E pakalueshme për Shefqet Turgut pashën u bë Qafa e Agrit, ku ushtria e tij u bllokua për disa ditë me radhë, u thye dhe u detyrua të tërhiqej. Megjithatë, Shefqet Turgut pasha nuk arriti të futej në Shkodër, siç kishte parashikuar, përmes Dukagjinit. Ai hyri në Shkodër përmes Pukës më 24 korrik 1910.

    Edhe në Lumë e në Dibër trupat turke hynë pasi thyen qëndresën e popullsisë vendase, që ishte më e fuqishme sidomos në rrethinat e Dibrës së Madhe.

    Kudo që kalonte, ushtria osmane rrafshonte fshatrat ku gjente një qëndresë sado të vogël, ndiqte e terrorizonte familjet që kishin mbështetur e kishin përkrahur kryengritësit. Ndërkohë, gjyqet e jashtëzakonshme vepronin kudo. Reparte të veçanta të specializuara të ushtrisë qenë ngarkuar për çarmatimin e popullsisë. Këto reparte siguronin gjithashtu veprimtarinë e komisioneve qeveritare për regjistrimin e popullsisë dhe të pasurisë, të shtëpive, të tokave, të bagëtisë etj. Sipas këtij regjistrimi, mblidheshin detyrimet tatimore, duke përfshirë edhe ato të prapambetura, dhe bëhej rekrutimi i të gjithë meshkujve që i përfshinte detyrimi ushtarak.

    Për të përforcuar pushtetin e tyre në vilajetin e Kosovës, autoritetet xhonturke, krahas të ashtuquajturave reforma, siç u quajtën masat ndëshkuese, vendosën të bënin këtu edhe disa ndryshime administrative. Kështu, u shndërrua në nënprefekturë (kaza) krahina (nahija) e Ferizajt dhe u krijuan disa krahina (nahije) të reja, si në Drenicë, në Llap, në Malësi, në Rekë, në Podgor, në Moravë të Epërme dhe të Poshtme etj.

    Idriz Seferi në tetor 1912, në krye të mijëra luftëtarëve shqiptarë luftoi kundër pushtuesve sllavë në rajonet e Bujanovcit, Gollakut, Llapit e Kumanovës, ku i shkaktoi humbje forcave të Aleancës së shenjtë Sllave, të cilën e udhëhiqte Cari i Rusisë dhe të krishterët e Evropës, përmes Serbisë. Idriz Seferi ka udhëhequr shumë çeta kryengritësish shqiptar në rajonin e Kosovës Lindore, në Karadak dhe në Anamoravë. Ai udhëhoqi çetat në luftë kundër zgjedhës serbomadhe në, vitet 1913-1915 dhe kundër pushtuesve bullgarë në vitet 1916-1918. Vazhdoi luftën për çlirimin kombëtar të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare që kishin mbetur nën Mbretërinë serbe, kroate e Sllovene,

    Në vitet e fundit të jetës, Idriz Seferi ka qenë i internuar disa herë në kampet e përqendrimit në Serbi së bashku me familjen. I lodhur, i dërrmuar dhe i pa kurrfarë ndihme, ai vdes në vitin 1927.

    (Fragmente nga Historia e Popullit Shqiptar)