Tag: osmane

  • Kladha, arvanitasi që u rezistoi osmanëve në vitet 1400

    Kladha, arvanitasi që u rezistoi osmanëve në vitet 1400

    “Të parët, prindërit e tij ishin shqiptarë, nga Himara!” Këtë fakt, qenien e tij shqiptare, e pohojnë pothuaj të gjitha dokumentet bizantine, ato veneciane, burimet osmane të kohës, si dhe ato greke. Jo vetëm kaq, por siç do të shohim më poshtë, në tërë jetën e tij si udhëheqës i rezistencës antiosmane, ai qëndroi vetëm në krye të forcave dhe luftëtarëve kryengritës shqiptarë, që popullonin territore të tëra në More-Peloponez. Pra, trupat e tij përbëheshin nga burra të kësaj fare. E para figurë e njohur e këtij fisi, Kladhajve, që përmendet në këto dokumente historike, është Teodor Kladha, babai i Krokodilit. Përmes kronikave bizantine, ai shfaqet dhe bëhet i njohur në vitet e fundit të sundimit të perandorëve bizantinë, Paleologëve. Madje, burimet e kohës na njoftojnë se “Teodor Kladha kishte ofruar shërbimet dhe ndihmën e tij Perandorit të Bizantit, Paleologut, gjer ditët e fundit të qëndrimit të tij në fron, në Mistra të Peloponezit”. Këto dokumente evidentojnë gjithashtu se Teodor Kladha ishte komandant i trupave të armatosura – Armatollëve, të krahinës së Manit dhe territoreve të tjera më gjerë, me qendër qytetin dhe kështjellën e njohur të Koronit, në Peloponez. Teodori, nga martesa e tij pati lindur dy djem, Krokodilin dhe Markon e Famshëm!!! Vetëm kaq na thotë dokumenti që edhe djali tjetër Markua ishte bërë i “famshëm”, “i njohur”, por se përse ai ishte bërë “i famshëm”, ne ende nuk e dimë. Dimë vetëm disa fakte që na vijnë përmes kancelarive veneciane, të cilat na bëjnë të njohur se edhe ai pati luftuar krah venecianëve kundër forcave pushtuese osmane në ofensivat e para të tyre, ndërsa ato shtriheshin mbi tërë Ballkanin.

    FILLESAT E RRUGËS TË NJË KRYENGRITËSI TË PAEPUR

    Duhet të ketë qenë viti 1445-parë edhe emri i të riut Krokodil Kladha, ndërsa trupat osmane shtriheshin në ofensivat e tyre më të përgjakshme në territoret kontinentale greke. Kronikat e kohës bëjnë të njohur qëndresën e dëshpëruar dhe të paorganizuar të popullsisë greke dhe asaj shqiptare në ato anë. Në këto kohë luftërash, familja e Kladhajve, babai Teodori dhe dy djemtë e tij, përmenden herë si luftëtarë në frontet e luftës antiosmane dhe herë në aleancë dhe në shërbim të venecianëve në qëndresën për të mbrojtur fortesat veneciane të Peloponezit.Për shkak të aftësive të tij të veçanta luftarake, shumë shpejt, Krokodilin e gjejmë, në dokumentacion venecian të kohës, si “capo di albanezi” – komandant të trupave të luftëtarëve shqiptarë. Ai kishte marrë kështu udhën dhe profesionin e të atit, ndoshta në mbështetje të Paleologëve, gjer në ditët e fundit të rezistencës së despotëve bizantinë. Por, në vitin 1460, kur Despotati i Moresë ra përfundimisht në duart e osmanëve, Kladha i ri vazhdoi të qëndronte në krye të luftëtarëve arvanitë, që aso kohe ishin rreshtuar të gjithë në fushat e betejave kundër turqve. Kronikat sporadike na bëjnë me dije se aty nga fundi i viteve 1460, ai gjendet në “komandën e një force prej 1000 luftëtarësh, që kishte bërë emër dhe ishte dalluar në betejat në shërbim të princit (despotit) të Peloponezit, duke ngritur emrin dhe famën me një çmim të lartë të qëndresës dhe kurajës së tij”.

    Kur rrokopuja e ngjarjeve tragjike, pushtimet e njëpasnjëshme të territoreve nga forcat osmane tanimë po përcaktonin fatin e popullsisë ballkanase, rrethanat dhe realitetet kërkuan bashkëpunimin e luftëtarëve kryengritës për të mbrojtur lirinë e tyre. Por, duket se forcat e përçara nuk e kishin gjetur dot gjuhën e përbashkët për një qëndresë të unifikuar.

    Duke përfituar nga kjo situatë, me një shpejtësi marramendëse, turqit kishin arritur të shtinin në dorë një numër fortesash të rëndësishme të këtyre anëve. Ndoshta i vetmi kapedan i vendosur dhe i palëkundur që vazhdonte ende qëndresën, në rrethanat e frikshme dhe tragjike, kishte mbetur Krokodil Kladha, i cili, me kurajë dhe shpejtësi, kishte shtënë në dorë dhe mbante me forcat e tij një kështjellë të fuqishme në krahinën e Lakedemonës, atë të Shën Gjergjit. Por, ofensivat e mëdha osmane nën drejtimin e vetë Sulltan Mehmetit dhe pushtimi nga ana e tij i tërë territoreve greke, e detyruan Krokodilin të largohet nga betejat frontale. Por, siç treguan zhvillimet e ngjarjeve më vonë, duket se kjo lëvizje e Kladhës, ka qenë vetëm një tërheqje taktike, e përkohshme, për t‘i shpëtuar furisë së ofensivës osmane. E themi këtë sepse aty rreth viteve 1463-1464, në luftën turko-veneciane, e gjejmë Kladhën përsëri si komandant të forcave kryengritëse të spartiatëve (krahina e Spartës-Peloponez), duke luftuar kundër forcave osmane, por pa u dukur të japë shërbimet e tij të rezistencës, interesave veneciane.

    KONFLIKTI TURKOVENECIAN DHE KONTRIBUTET E KLADHËS NË ALEANCË ME VENECIANËT

    Por turqit prisnin me padurim rastin e volitshëm për të realizuar synimet e tyre edhe kundër bazave veneciane në territoret e Peloponezit dhe duket se pritmërisë së tyre i dha fund një çështje e rëndomtë, por që turqit e përdorën si një rast ideal për të justifikuar fillimin e operacioneve ushtarake kundër këtyre bazave. Ajo që i dha shkas fillimit të luftimeve mes dy fuqive më të mëdha të kohës, forcave osmane dhe reparteve të Republikës Veneciane, më 1462, ishte “arratisja e një skllavi arvanit, që vodhi disa gjëra te komandanti i forcave pushtuese osmane të Athinës, Omer Pasha, dhe që mbas aktit u largua në Methoni dhe u strehua në shtëpinë e këshilltarit venecian, Valaresi”. Turqit e kërkuan nga venedikasit ta arrestojnë arvanitin e akuzuar dhe t‘ua dorëzojnë reparteve ushtarake osmane të Athinës. Por, komanda ushtarake veneciane e Methonit refuzoi ta bëjë këtë gjë, duke pasur bindjen se kjo ishte një skenë e stisur qëllimisht. Në kundërpërgjigje të këtij akti, në nëntor të po atij viti, niset për fushatë drejt Peloponezit dhe Etolisë vetë Omer Pasha, i cili mbërrin dhe rreshton formacionet e ushtrisë së tij përpara mureve të Nafpaktos, qytet-kështjellë që mbrohej nga venecianët. Duket që përballja mes dy fuqive ishte bërë kështu një realitet.

    Pikërisht, përpara një realiteti, pra një lufte tanimë të filluar prej ushtrive osmane, më 1463, Republika Veneciane i shpalli luftë Turqisë. Për t‘ju përgjigjur menjëherë dhe në kohë konfrontimeve ushtarake të pritshme dhe luftës së shpallur, Republika e San Markos dërgoi në Nafplio një flotilje nën komandën e kryegjeneralit Bartoldo de Este, me 25000 burra, për të bashkërenduar veprimet e tyre ushtarake me admiralin Loredano. Lufta turko-veneciane vazhdoi rreth 14 vjet dhe u shtri nga ishulli i Rodosit gjer në brigjet e Adriatikut. Të dyja fuqitë e mëdha rivalizuese pretendonin zotërimin Lindjes dhe Mesdheut, duke ndërmarrë operacione reciproke ku me sulme e ku me presione, në zona të ndryshme që shtriheshin nga Athina në Imbro, në Nafpakto, Siro, Halkidhë, Dalmaci, Friuli, Smirni, Nafplio, Shebanik, Arbëri, në Shkodër, Lezhë e gjetkë. Por sa më shumë avanconin luftimet dhe kalonin vitet, aq pa lavdi dukeshin perspektivat për palën veneciane. Duhet thënë qartë se në betejat e përgjakshme për mbrojtjen e territoreve dhe kështjellave veneciane në Peloponez, një rol të rëndësishëm luajtën repartet e stratiotëve, që në masën dërrmuese ishin të mbushura me luftëtarë shqiptarë. Në informacionet e përcjella në mënyrë periodike për këto luftime, nga “rettorët” dhe “proveditorët” venecianë përmendet shpesh edhe Krokodil Kladha, madje në njërin nga ata flitet për dhjetë pjesëtarë të familjes së tij të vrarë dhe sakrifikuar, si dhe dëme të konsiderueshme ekonomike që kish pësuar ai nga ky konfrontim i ashpër dhe i përgjakshëm me turqit.

    Për këto kontribute të shquara, ky burrë i jashtëzakonshëm, Krokodil Kladha, më 4 shtator 1479, u thirr në Venecia dhe me vendim të Senatit u dekorua me “Urdhrin e Kalorësit të San Markos” dhe u vesh në petka të arta, titull që u jepej njerëzve për merita dhe shërbime të veçanta. (9) Por, Pallati i Dozhëve tashmë kish arritur të dallonte mirë fuqinë osmane, si dhe kërcënimin e papërmbajtur të hyxhymeve lindore, që synonin muret e Evropës Qendrore. Në këto rrethana, në vitin 1479, ajo i kërkoi palës kundërshtare uljen në tryezën e bsedimeve për të nënshkruar një traktat paqeje, padyshim me kushte të disfavorshme për latinët. Në fillim të janarit 1479, përfaqësuesit e Senatit venedikas nënshkruan një Marrëveshje (Traktat) Paqeje me Sulltanin. Sipas detyrimeve (kushteve) të përcaktuara definitivisht në këtë marrëveshje, venecianët detyroheshin të paguanin për dëmet e shkaktuara turqve 100000 dukatë brenda dy viteve dhe në vazhdim 10000 dukatë çdo vit, duke u njohur turqve zotërimin e kështjellës së Shkodrës, të Limnosit dhe një numër kështjellash dhe territoresh që ata kishin marrë dikur nga turqit në Peloponez, por që tanimë ishin në duart e kryengritësve arvanitë.

    Kjo marrëveshje urdhëronte që banorët në vendet dhe territoret e kështjellave që i zotëronin venedikasit, “…ose të qëndrojnë dhe t‘i binden pushtetit osman, ose të largohen ku të dëshirojnëme gjithë ç‘kanë nëse nuk duan të qëndrojnë në vendet dhe kështjellat ku tanimë jemi të vendosur ne…” (10) 10. (Burime osmane, 1470-1510, Marino Sanuto, diari.) Me pak fjalë, luftëtarët arvanitë që kishin derdhur gjak në betejat disavjeçare ose të qëndronin dhe t‘u bindeshin pushtuesve, pra pushtetit osman, ose të largoheshin ku të donin!!!

    REAGIMI I KROKODIL KLADHËS PËRPARA TRADHTISË VENECIANE

    Përpara kësaj braktisjeje, përpara këtij pazari me fatin e kaq e kaq njerëzve; për arvanitët e Peloponezit kishte dy rrugë, ose nënshtrim pa kushte, kthim në një robëri poshtëruese, ose vazhdim i një lufte akoma më të egër, më të përgjakshme, pa kompromis për të fituar lirinë.

    Çuditërisht, i pari që reagoi në mënyrë demonstrative kundër këtij akti të turpshëm të venedikasve, nënshtrimit të tyre pa kushte para pushtuesve, ishte arvaniti i njohur Krokodil Kladha. Më datë 9 tetor 1479, nën dritën e hënës, Kladha së bashku me 160 luftëtarët e tij (“tutti albanezi…), (10) doli jashtë mureve të qytetit të Korronit dhe kapërceu malet për në drejtim të Manit. Ishte fillimi i një kryengritjeje të gjatë dhe të përgjakshme që do të vazhdonte për gati njëzet vjet të tjera dhe do të trondiste jo vetëm Perandorinë Osmane, por edhe venedikasit, të cilët do të rreshtoheshin krah turqve për të mposhtur këtë tribun të lirisë. Në udhën e betejave të tij, forcat e Kladhës brenda vitit 1480, arritën shifrën e 6000 vetëve dhe shtinë në duart e tyre një numër fortesash dhe krahinash, si Shën Gjergjin, Bardhunën, Lakoninë, Lakedemonën, tërë krahinën e Manit, etj. Për të frenuar këtë njeri dhe “rebelimin e tij tronditës” venecianët arrestuan dhe burgosën gruan dhe dy djemtë e tij të vegjël.

    Për arrestimin, vrasjen apo kokën e tij, venecianët ofruan 10000 florinj, sikundër vetë Sulltan Mehmeti dhe Bajziti rritën shumat e majme për dorëzimin e këtij “banditi të tmerrshëm”. E megjithatë, asgjë nuk mundi të frenojë vrullin e këtij njeriu drejt shtigjeve të luftërave. Betejat dhe luftimet e arvanitit të famshëm u bënë të njohura dhe morën emër të madh nga Kostandinopoja në Venedik, nëpër Ballkan e më gjerë. Ato mbushin faqe të tëra urdhrash ushtarake, qarkoresh veneciane, defterësh osmanë dhe kronikash bizantine.

    Por, ajo që e bën edhe më dimensionale hartën e fushëbetejave të këtij kryengritësi të papërkulur, janë ngjarjet e vitit 1481.

    KROKODIL KLADHA NË DHEUN E TË PARËVE NË NDIHMË TË GJON KASTRIOTIT

    Pa dashur të zgjatemi në kronikat e betejave të këtij luftëtari të panënshtruar, do të ndalemi në një ngjarje interesante dhe pikërisht në zhvillimet politiko-ushtarake të vitit 1481. Në pranverën e këtij viti, Krokodili gjendej në brigjet puljeze, në territoret e Mbretërisë së Napolit. Pikërisht këtu, arvaniti i famshëm takon të birin e Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut, Gjon Kastriotin, i cili pritej të ndërmerrte një zbarkim në territoret arbërore, për çlirimin e atdheut të të parëve. Nën mbështetjen e Mbretit Federiku II të Napolit dhe i dekoruar prej tij, në këtë fushatë reshtohet edhe Krokodil Kladha me kryengritësit e tij arvanitë. Dhe fronti ku ai do të godiste forcat osmane ishin territoret e tij stërgjyshore, Vlora dhe Himara, ndërsa Gjon Kastrioti zbarkonte në drejtim të Veriut. (11). I mbështetur nga kryengritësit vendas, kronikat e kohës na bëjnë të njohur për betejat e suksesshme të Kladhës krah luftëtarëve kryengritës vendas. Mbas betejave të ashpra, kronikat latine na bëjnë të njohur se “…kundër një force osmane prej 3000 këmbësorësh, popujt e malit të thënë (Labërisë)¦ që janë më shumë se 50 fshatrA¦ së bashku me Kladën prej Korone, forcat e tij dhe shumë balestjerë të galereve të thëna, shkuan tek një qafë mali dhe i mundën osmanët. U kapën shumë turq dhe shumë të tjerë i vranë…”. Kryengritësit mundën të shtien në dorë kështjellën e Himarës dhe të Sopotit (Borshit) dhe të kapin të gjallë komandantin turk të garnizonit të Himarës, Sulejman Pashën … Mbas gati gjashtë muajsh në këto anë, fillimi i vitit 1482 e ka gjetur Kladhën përsëri në territoret e Peloponezit, në luftën dhe qëndresën e tij të vendosur.

    FUNDI I NJË LEGJENDES

    Padyshim që kronika e bëmave të këtij burri të paepur është e gjatë. Brenda saj gjen shpirtin e njeriut që rend pa u lëkundur dhe pa mëdyshje drejt lirisë, cilado qofshin pengesat dhe vështirësitë që bien shtigjet e luftërave. Do të përmendim këtu që qëndresa e këtij luftëtari vazhdoi pas kësaj pothuaj edhe dhjetë vite të tjera, ngarkuar me bëma nga më të çuditshmet. Për to do të flasim gjatë në botimin e afërt që bëjmë gati për shtyp. Por, do të kujtonim këtu vetëm fundin e këtij luftëtari, i cili i thyer në moshë, aty rreth 74 viteve, kapet tradhtisht nga turqit dhe nën shenjë hakmarrjeje dhe të pamëshirë – ekzekutohet publikisht – në mënyrën më barbare – duke u rrjepur i gjallë. Miti i këtij njeriu mbeti nëpër shekuj duke kalëruar revan luftërave, simbol i qëndresës dhe betejave të pakompromis për idealin e lirisë, pavarësisht se kush ishte fuqia apo kundërshtari, kush ishte tereni apo kohët, cilat qenë shtigjet dhe pengesat. Ende kronikat e kësaj legjende nuk janë shpalosur tërësisht, inventari i tyre është aq i madh sa duket që do të duhen kohë për të gjetur tërësisht rrënjët e tyre. Ndoshta kështu, sepse legjendat nuk e heqin asnjëherë plotësisht mantelin brenda të cilit ruajnë përherë të panjohura të shtrenjta, që i duhen aq shumë historisë dhe dimensionit human. /Trungu & InforCulture.info

  • Beteja e Dytë e Kosovës (1448): Tentativa e fundit e hungarezëve për dominim në Ballkan

    Beteja e Dytë e Kosovës (1448): Tentativa e fundit e hungarezëve për dominim në Ballkan

    Nga: Agron Islami

    Beteja e Dytë e Kosovës mund të konsiderohet tentativa e fundit e hungarezëve për dominim në Ballkan. Fitorja e Osmanëve në Betejën e Parë të Kosovës më 1389, krijoi një realitet të ri politik në Ballkan, i cili u përcoll me zgjerime të vrullshme osmane në këto treva, e që nuk mbetën pa u prekur edhe interesat e Mbretërisë Hungareze, sidomos në hapësirën e Beogradit të sotëm, i cili aso kohe ishte nën sundimin e tyre. Kështu që, në vitin 1394, mbreti i Hungarisë, Sigismundo, në bashkëpunim me Papën Bonifiace IX, organizuan një kryqëzatë të re e cila përbëhej nga ushtarë hungarezë, francezë, gjermanë dhe nga kalorës të urdhrit të Shën Gjonit. Aleanca e Krishtere e udhëhequr nga Sigismundi, do të thyhet nga Sulltan Bejaziti II, më 25 shtator 1396, në Nikopolis (Nikopojë).

    Ballafaqimi i Bejazitit II, i cili mbante nofkën i Rrufeshëm me Timrulenkun në Betejën e Ankarasë (Angora) më 1402, i kushto me jetë këtij të parit. Ky realitet i ri u krijoi rehatin Hungarezëve. Meqë, shehzadët (princërit) osmanë filluan luftën për fronin dhe nuk ishin në gjendje të fitonin toka në disfavor të hungarezëve. Por, që, me rithemelimin e shtetit osman pas dhe me ardhjen në fron të Muratit II (1421-1451), vrulli i pushtimeve osmane në Ballkan u rikthye. Kështu, mbreti hungarez qysh më 1439 u shtrëngua të riaktivizojë celulat e ushtrive të krishtera për një Bashkim të ri kundër ushtrisë osmane. Kjo erdhi si rezultat i rrethimit të Beogradit nga ana e Sulltanit të ri. Dështimi osman për ta thyer rrethimin e Beogradit, bëri që të rriten shpresat e aleatëve të krishterë për t’u çliruar njëherë e mirë nga osmanët që dita më ditës po gllabëronin toka në hapësirat e Ballkanit të sotëm. Në kuadër të këtij opinioni për triumfin e hungarezëve në Beograd, u realizua edhe kryengritja e suksesshme e sundimtarëve shqiptar Th. Zenebishi dhe Gj. Arianiti të cilët njëherë e mirë asgjësuan timarlinjtë osmanë të cilët kishin marrë në zotërim pronat e tyre. Po ashtu edhe Skënderbeu do t’i ndaj rrugët me sulltanin, i cili do të korr shumë suksese kundrejt ushtrive osmane deri në vdekjen e vet.

    Ushtria e krishterë nën komandën e mbretit hungarez dhe kapitenit Janko Huniadi, më 22 shtator 1444 thyen kufirin osman dhe marshuan drejtë tokave të sunduara nga osmanët në Rumeli. Me të marr lajmin për këtë marshim, Sulltan Murati II, i cili kishte hequr dorë nga froni në favor të djalit të tij, Mehmetit 12 vjeçar, u shtrëngua që të rikthehet në fron për tu përballur me aleancën e re antiosmane. Ushtria osmane e drejtuar nga vetë Sulltani drejt Bullgarisë. Dy ushtritë u përballën në fushën e Varnës. Beteja përfundoi me rënien e mbretit Wladislas, ndërsa kapiteni Janko Huniadi arriti që të arratiset në Vllahi.

    Rënia e mbretit të Hungarisë ishte një humbje e madhe për hungarezët dhe të gjithë bashkëorganizatorët e Luftës së Varnës. Madje, flota e Papatit dhe forcat tjera të aleancës nuk ishin larguar nga kufinjtë osman, me qellim të vazhdimit të luftës kundër osmane.

    Pas zgjedhjes së pesëvjeçarit Wladislas V për mbret të Hungarisë dhe zgjedhjes po ashtu të Janko Huniadit si përfaqësues i mbretit, ky i fundit menjëherë filloi të kërkojë ndihmën e shteteve të krishtera për një luftë të re kundër osmanëve. Ai mori siguri se nuk do të sulmohej nga Habsburgët derisa do të ishte në organizim, dhe beteja me osmanët mori mbështetje në të holla nga Raguza dhe ndihmë në ushtarë nga shtetet e ndryshme të krishtera. Kështu, ushtria e udhëhequr nga Janko Huniadi përbëhej nga hungarezët, sasët, çekët, gjermanët, polakët dhe vllahët. Kësaj ushtrie do t’i bashk[ngjitej edhe kontingjenti i forcave shqiptare të udhëhequra nga Skënderbeu. Vlen të theksohet se pjesë e këtij plani nuk kishin pranuar të jenë Brankoviçi dhe perandori Bizantin Ioannis Paleologosi VIII.

    Mbi këto plane, Janko Huniadi përmes Beogradit arriti që të vijë deri në Kosovë, respektivisht në vendin ku ishte zhvilluar Beteja e Parë e Kosovës më 1389, dhe e cila kishte përfunduar me fitoren e osmanëve, por ku kishte mbetur i vdekur sulltan Murati I dhe kjo bëri që për 500 vjet kjo fitore të mos festohej nga osmanët. Gjë që u bë shkak i disa historianëve të kohërave tona ta hedhin poshtë si fakt.

    Sulltani i cili në vitin 1448 ishte në ekspeditë për shtypjen e Skënderbeut, mori lajmin nga Gjuraq Brankoviqit për marshimin e ushtrive të krishtera në drejtim të hapësirave të administruara nga osmanët. Menjëherë ndërpreu ekspeditën në Shqipëri dhe shkoi në Sofje për të mbledhur ushtrinë. Pas tubimit të ushtrive, sulltani u drejtua drejtë Kosovës.

    Sipas kronistit osman Ashëkpashazade, për të cilin besohet se kishte qenë pjesë e kësaj beteje, pasi që Murati e konfirmoi informatën mbi këtë ushtri, ai arriti para Huniadit në Kosovë, gjë që iu imponua Huniadit të fillojë luftimet para kohe. Kjo u bë shkak që ushtrisë së udhëhequr nga Huniadi të mos mund t’i bashkohej edhe Skënderbeu, i cili sapo kishte dalë nga lufta me sulltanin. Sipas burimeve osmane, beteja nisi me datë 17 tetor dhe zgjati tre ditë. Po këto burime dëftojnë për dërgimin e një emisari nga ana e sulltanit tek krahu kundërshtar për të bërë një marrëveshje. Por, Huniadi nuk e mori parasysh. Andaj beteja filloi ditën e enjte me gjuajtje topash të vegjël. Ndërsa, lufta klasike me ballafaqim fizik u realizua ditën e premte, ku osmanët asgjësuan formacionet ushtarake vllahe dhe hungareze. Ka mendime se Huniadi, bashkë me kapitenët e tij të afërt, me të rënë terri lëshoi fronin. Ndërsa, në ditën e tretë kishin mbetur vetëm formacione ushtarake gjermane të cilat u asgjësuan lehtësisht.

    Përkundër asaj se burimet e kohës kanë dhënë numra të ndryshëm sa i përket numrit të ushtarëve, studimet më të reja të bëra nga Feridun Emecen dhe studiuesi hungarez Gabor Agoston, sugjerojnë se dy ushtritë për nga numri ishin të përafërta, diku rreth 50-60 mijë ushtarë. Vlen të theksohet se në Bashkë me Muratin II ishte edhe djali i tij, princ Mehmeti, si dhe kapitenët më të zgjedhur osmanë, në mesin e tyre shqiptarë që i prinin kësaj beteje, prej kryqëzate.

    Kjo betejë i hapi rrugë edhe zaptimit të Kostandinopojës më 1453, meqë pushteti osman në Ballkan tanimë ishte i padiskutueshëm dhe u hap rruga për të marr kryeqendrën e Perandorisë Romake të Lindjes (Bizantit). /Telegrafi/

  • Një portret i rrallë i Skënderbeut nga Sami Frashëri

    Një portret i rrallë i Skënderbeut nga Sami Frashëri

    Shkruar nga Sami Frashëri

    SKENDERBEU

    Emri origjinal i tij është Xhorxh ose Gjergj Kastrioti.

    Është i biri i Jan (Gjon) Kastriotit i cili, në kohën e pushtimeve osmane në Rumeli, ishte princ në krahinën e Krujës, d.m.th. të Akça Hisarit në Shqipëri.

    Ka lindur më 1404, e sipas një varianti tjetër më 1414 pas erës së re.

    Kur Sulltan Murati II e kishte drejtuar forcën ushtarake kah Arnautllëku, babai i këtij, biografia e të cilit po shkruhet këtu, sado që i ishte nënshtruar atij, padishahu i sipërpërmendur, për të siguruar këtë nënshtrim, i pat marrë peng katër djemtë e Gjon Kastriotit dhe i pat dërguar në Edrene.

    Skënderbeu ishte më i vogli.

    Meqë ishte jashtëzakonisht i zgjuar dhe i guximshëm fitoi simpatinë dhe dashurinë e padishahut i cili e quajti Skënder në ngjasim me Lekën e Madh i cili i takonte të njëjtës racë me të.

    Qe edukuar bashkë me princin Sulltan Mehmet Hanin II. Kur u rrit u emërua sanxhak-be në Serbi, në Sham dhe në shumë vende të tjera dhe si i tillë shërbeu në ushtrinë e Perandorisë Osmane.

    Në luftërat që ndodhën pat treguar trimëri, guxim dhe shkathtësi të jashtëzakonshme ushtarake. Ishte aq i fortë dhe trim saqë kur dilte në dyluftim në praninë e padishahut të tij kundër shumë pehlivanëve që vinin nga vende të ndryshme për të provuar forcën dhe fuqinë e tyre, asnjëherë nuk humbte.

    Kur i vdiq babai, territori në krye të të cilit ishte ai, iu aneksua shtetit Osman ashtu që në Akça Hisar (Krujë) u dërgua një muhafiz, ndërkaq, Skënderbeu në atë kohë gjendej në ekspeditën ushtarake në Sham.

    Kur u kthye u njoftua se i kishin vdekur tre vëllezërit.

    Skënderbeu parashikonte që pas vdekjes së të atit, njëri nga vëllezërit e tij ose ai vetë të emërohej si princ i krahinës së trashëguar.

    Mosarritja e këtij qëllimi, në njërën anë, dhe vdekja e vëllezërve, nga ana tjetër, e hidhëroi, prandaj kërkonte rastin e volitshëm për të ikur.

    Kështu, kur më 1443 pas erës së re qe dërguar ushtria në luftën e Moravës, ky, me një numër të vogël shqiptarësh që ishin me të, iku. Pasi që e mashtroi muhafizin e Akça Hisarit (Krujës) dhe pasi e riktheu pronën e të atit, i thirri princat dhe krerët e tjerë të Arnautllëkut për besëlidhje dhe bashkim, të cilët e njohën atë për kryekomandant të tërë Arnautllëkut.

    Në sajë të aftësive dhe shkathtësive të veta si dhe me ndihmën e pozitës strategjike të vendit, ai mundi t’i bëjë ballë për një kohë të gjatë ushtrisë së dërguar nga ana e shtetit Osman. Mbretërit e krishterë të Evropës, e sidomos Papa dhe mbreti i Hungarisë, duke konsideruar se Skënderbeu do të jetë një digë hekuri kundër Perandorisë Osmane, vazhdimisht e nxitnin atë. Sado që ata kishin bërë marrëveshje me të, nuk kishin guxim të aktivizoheshin kundër fuqisë Osmane dhe, pasi që e futën në zjarr Skënderbeun, bënin sehir (vështronin) nga larg.

    Sidoqoftë, Skënderbeu, me ndihmën e pozitës natyrore të vendit dhe në saje të një përgatitje të tij të posaçme luftarake, d.m.th. duke i zënë grykat, duke iu larguar luftës frontale, ka mundur t’i përballojë ushtrisë së madhe të drejtuar nga vetë Sulltan Murati II. Megjithëkëtë, si ushtria, si vendi i tij pësuan shumë. Sidomos u dëshpërua kur nipi i tij Hamzai dhe shoku i tij më trim, Mojsiu, i lëshuan radhët e tij dhe iu bashkuan ushtrisë osmane për të luftuar kundër tij. Mirëpo më vonë, që të dy këta i shtiu në dorë. Sulltan Mehmet Hani II, po ashtu, shumë herë pat dërguar ushtri kundër Skënderbeut dhe, më në fund Skënderbeu u detyrua të lidhë marrëveshje për paqe. Kjo marrëveshje u lidh më 1461.

    Skënderbeu gjatë kësaj kohe kaloi në Itali për t’i ndihmuar Ferdinandit I, mbretit të Napolit e të Siqelisë kundër sulmeve të mbretit të Francës Sharlit VII. Për fitoren që e arriti me këtë ndihmë, Ferdinandi, si shpërblim ia dha Skënderbeut titullin Duka i Shën Pjetrit. Kur u kthye nga kjo ekspeditë në vitin 1463, me nxitjen dhe imponimin e Papa Piut II, Skënderbeu e prishi marrëveshjen dhe përsëri ia filloi luftës kundër Perandorisë Osmane. Këtë herë Sulltan Mehmeti II dërgoi një ushtri të madhe dhe, duke kuptuar Skënderbeu se nuk do të mund t’i bëjë ballë, edhe meqë u sëmur, për të kërkuar ndihmë nga venedikasit shkoi në kasabanë e Lezhës, ku më 1467 vdiq.

    Ndonëse u varros në Lezhë, meqë ishte përhapur fjala se eshtrat e tij të ruajnë nga të goditurit e armëve, u nxorën copat e tyre dhe u varën në teshat e luftëtarëve. Ai pas vetes la një djalë në moshë të re, i cili bashkë me disa krerë iku për në Venedik dhe ende nuk dihet se ç’u bë me të.

    Menjëherë pas vdekjes së Skënderbeut u dorëzua Kruja dhe u pushtua i tërë Arnautllëku, duke rënë nën qeverisjen e drejtpërdrejtë të Perandorisë Osmane. Historia e Skënderbeut është shkruar në gjuhën latine nga bashkëkohaniku dhe ithtari i tij i quajtur Barleti.

  • Arbëria dhe Shqipëria, përse ndodhi ndryshimi?

    Arbëria dhe Shqipëria, përse ndodhi ndryshimi?

    Shkruan:  Pirro Prifti

    Historia interesante dhe jo shumë e ndriçuar e shqiptarëve që jetojnë sot në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, vendet ku gjenden shumë komunitete shqiptare në Europë për shkak te emigrimit nga presioni i invazionit osman më kanë intriguar gjithmonë; sidoqoftë ndryshimi i papritur i emrit të popullsisë që jetonte në këto troje nga Arbëri dhe arbër, nga Epir dhe epirotë në Shqipëri dhe shqiptarë, më detyruan të bëj shumë kërkime dhe të botoj dy shkrime për këtë problem: `E vërteta e Ndarjes së Madhe nga Arbër në Shqiptarë` dhe `Shkiet e Shkiptarët dhe zanafilla e fjalës shqip`. Këtë shkrim e realizova duke analizuar komentet ndaj një kleriku islam i cili preku një pjesë të fshehur të historisë së shqiptarëve dhe Shqipërise etnike në përgjithësi, duke dhënë një informacion që mund të jetë pjesërisht real, sepse ka parë dokumentacionin turk të asaj kohe. Kleriku irfan Salihu, deklaroi se …turqit i kanë sjellë shqiptarët në Kosovë dhe pastaj u kanë dhënë toka atyre aty……(http://www.gazetatema.net/web/2015/04/02/hoxha-qe-flet-me-gjuhen-e-serbeve-ne-kosove-ska-pasur-shqiptare-i-solli-turqia/).

    Kjo bëri bujë në mediat shqiptare dhe kosovare duke krijuar njëdebat të ashpër ku përgjithësisht dominuan sharjet ndaj këtij përfaësuesi megjithëse pa ndonjë fakt të ri.

    Duke studiuar materialet e shumta që kam gjetur po paraqes disa mendime për probemin e zhdukjes së `papritur` të emrave arbër dhe Arbëri, dhe Epir dhe epirotë. ***

    Kalimi nga popullata me fise ilire shqifolëse në popullatën arbanas dhe epirotë

    Dihet se emri Arbëri ose Albani (e shqiptuar nga të huajt) u konstatua për herë të parë pasi të përfundonte procesi i romanizmit nga perandoria romake dhe procesi i kristianizmit të ilirisë dhe të fiseve ilire. Këtë e ..`dëfton edhe e dhëna se “në vitin 732 e.s., se Shqipëria i qe bashkuar Patrikanës së Konstantinopolit,[39] e këtë e argumenton edhe letra e Papa Nikolla i dërguar Mihailit iI në shtator të vitit 860, kur ky kërkon kthimin e jurisdiksionit në territoret e illyricumit Lindor, të cilat ishin shkëputur nga Roma gjatë mesit të shekullit të kaluar”, ku “përmend të gjitha provincat, duke përfshirë edhe Dardaninë me kryeqytetin e saj Shkupin (http://www.zeriislam.com/artikulli.php?id=553).

    Ilirët, përkatësisht para-shqiptarët, si një ndër dy-tre popujt më të lashtë të Evropës, në epokën parahistorike e historike kanë “banuar në një rajon të gjerë, i cili nga Perëndimi mbyllej nga Deti Adriatik dhe ai Jon, në Veri nga Alpet Lindore dhe Drava, në Lindje nga Danubi – Morava – Vardari, ndërsa në Jug nga Epiri dhe vise të tjera helene. Përveç kësaj, mund të flitet me mjaft siguri për praninë e elementeve ilire në Azinë e Vogël, në Greqi dhe në itali.[3] Miss Edith Durham kufijtë e ilirisë së vjetër i vë në Bosnjë-Hercegovinën e sotme, në Mal të Zi, Serbi, Dalmaci dhe arrijnë deri në Triestë. Në mbështetje të Strabonit, ajo pohon se epirotët, ilirët e maqedonasit flasin një gjuhë të njëjtë, një gjuhë jogreke, nga rrjedh shqipja moderne, gjuha më e vjetër e Ballkanit.[4]***

    (http://www.zeriislam.com/artikulli.php?id=553)`. Të dhënat e tjera spjegojnë se në pragun e dyndjeve sllave ekzistonin, sipas njoftimeve që përmban vepra e udhëpërshkruesit të shekullit V, Hierocles (Synecdemus, 655, XVI, 7), përsëri dy provinca që mbanin emrin Maqedoni – njëra Macedonia Prima (Maqedonia e Parë), me qendër Selanikun, tjetra Macedonia Secunda (Maqedonia e Dytë) me qendër Stobin. Pra, shekullin VI e.s. kur filluan dyndjet sllave në Ballkan, emërtimet gjeografike-administrative antike, Dardani dhe Maqedoni, vazhdonin të ishin ende në përdorim (http://kulturashqiptare.blogspot.com/2009_12_01_archive.html#.VR_LePBx0S4).

     Në veprën e Prof. Kristo Frashërit amri Arbëri ose Albani u çfaq rreth vitit 1000 e.s: `Kur në shek. XI u shfaq emri albanë (αλβαvoι) dhe arvanitë (αρβαvιται) nuk kishte vështrim etnik, por ishte, sikurse u tha, emri i krahinës Arbëni/Arbëri (Arbanon), që shtrihej në Shqipërinë e Mesme me qendër Krujën. Pas shek. XI filloi përhapja e apelativit Arbëni, Arbëri, Albani edhe në viset e tjera ku banonin shqiptarët. Faktori që përcaktoi shtrirjen e emrit ishte po ai që përcaktoi shfaqjen e tij në shek. XI – në fillim bashkësia politike dhe fetare dhe më vonë bashkësia politike dhe gjuhësore.

     Sikurse u tha, emërtimi Arbanon ishte në origjinë emri i trevës rreth e rrotull Krujës, e cila deri kohët e vona e ruajti të paktën në Kurbin, emrin historik Arbëni.

    Ky fenomen vihet re edhe gjatë gjysmës së dytë të shek. XIII, kur Karli i Anzhu i grumbulloi në vitin 1271 territoret e pushtuara në Shqipëri në një formacion të vetëm politik – në “Mbretërinë e Albanisë” (Regnum Albaniae) me kufij më të gjerë nga ç’kishte principata arbanite në kohën e arkondit të madh Dhimitër Progonatit` (Kristo Frasheri (http://www.peshkupauje.com/2013/09/si-u-krijua-emri-etnik-i-shqiptareve)“.

    Po kështu vazhdimësia e fjalës Arbëri Arber, arbanitë dhe Epir epirotë dëshmohet nga shumë historianë: “emërtimi Albanum, Albania u shtri në shek. XIII që nga lumi Drin i bashkuar në veri deri në Kaninë në jug, që nga brigjet e Adriatikut në perëndim deri në Drinin e Zi në lindje. Banorët jokatolikë të kësaj mbretërie nuk u përfshinë në gjirin e kombësisë arbanite, albanite (Kristo Frasheri, Monografia “Etnogjeneza e shqiptarëve).

    Si pasojë e këtij koncepti të ri, nga gjiri i kombësisë “romaios” filloi të shquhej “heleni”, shtetasi bizantin ortodoks greqishtfolës. Me zhvillimin e mëtejshëm të këtij botëkuptimi të ri, shqiptari ortodoks filloi të dallohej nga heleni ortodoks, sepse u takonin dy komuniteteve gjuhësore të ndryshme. Por, nga ana tjetër, shqiptari ortodoks mbeti përsëri i dalluar nga shqiptari katolik, sepse bënin pjesë në dy komunitete fetare të veçanta. U krijua kështu terreni për daljen e një emri të përbashkët për gjithë shqiptarët ortodoksë.***

    Prodhimin e parë të konceptit të ri duket se e ndeshim te shkrimtari bizantin i shek. XIV. G. Paclymeres, i cili duke folur për banorët e Epirit të Ri përdor në një rast emrin albanitë (αλβαvoι), në një rast tjetër emrin ilir Ιλλυριοί. Më vonë krahas apelativit albanit doli në shesh emri epirot. Në disa raste, kundrejt epirotit që kishte tingull të lashtë historik, emri i albanitit u zëvendësua me atë të makedonit, gjithashtu me tingull të lashtë historik: për analogji Makedonia u bë emër i dytë i Albanisë (Macedonia sive Albania). Ndikoi në këtë mes fakti se në shekujt e parë të erës sonë provinca e Epirit të Ri me qendër Durrësin, ku bënte pjesë edhe krahina e Arbanonit, u quajt për disa shekuj Provinca e Maqedonisë së Dytë. Në këtë mënyrë, banorët e hapësirës gjuhësore shqipe u quajtën nga të huajt epirotë dhe albanitë (Epirotes et Albanenses) ose epirotë dhe makedonë (Epirote et Macedones)“.

    Për shqiptarët, të dyja këto emërtime u veshën me të njëjtin kuptim etnik. Ata e identifikonin veten edhe me arbanitë, edhe me epirotë. Dëshmitar i parë është vetë Skënderbeu. Në korrespondencën e vet me kancelaritë e huaja, ai nënshkruante “Zot i Arbërisë” (Dominus Albaniae), bashkatdhetarët e tij i quan “albanë/arbër” (albanenses, albanesi). Përkundrazi, në letrën e përmendur që i drejtoi më 31 dhjetor 1460 princit të Tarentit, J. A. De Orsinis, ai shkruante: “Në qoftë se kronikat tona nuk gënjejnë, ne quhemi epirotë” (se le nostre croniche non mentino, noy in chiamamo Epiroti)“`.

    Arbërit u quajtën në fillim ata që ishin katolikë kurse orthodoksët quheshin epirotë ose ilirë. Pra popullata ilirisht folëse në këto shekuj para pushtimit osman flisnin të njëjtën gjuhë atë arbërisht ose epirotisht në dallim nga orthodoksët greqisht folës që u quajtën `romanoi` e me vone `helenë`.

    Po sipas Prof. Kristo Frashërit, `arbërit ishin të besimit katolik dhe ishin në trevat e Shqipërisë së veriut: `“arbanasët” përmenden për të parën herë në burimet mesjetare të shek. XIV pikërisht në ato zona (në rrethet e Shkupit e të Prizrenit), ku dihet se u përhap në një masë të kufizuar katolicizmi – si frekuentues në Pazarin e Manastirit të Shën Gjergjit pranë Shkupit, si barinj, bujq e ushtarë në krahinën e Tetovës, si fshatarë në feudet e manastirit të Kryeëngjëjve të Prizrenit, si bujq në analet e manastirit të madh të Deçanit, kurse gjurmët e tyre i gjejmë gjithnjë në shek. XIV dhe jo më parë, në Dalmaci, në Bosnjë, Hercegovinë.

    Sipas L. Thalloczy, K. Jirečeku dhe M. Šufflay se `deri në kohët e vona, në sllavët e Dalmacisë e të Malit të Zi, me “arbanas” kuptohej vetëm shqiptari katolik, ndihmon në konkluzionin tonë se shqiptari ortodoks, i cili banonte në territoret e përfshira për një kohë relativisht të gjatë brenda kufijve të shteteve serbe ose bullgare, konsiderohej thjesht “serb” ose “bullgar”. Në këto rrethana, problemi i përkatësisë etnike të banorëve mund të sqarohet vetëm me defterët osmanë të shek. XV–XVI që u përkasin sanxhakëve të Kosovës, Metohisë e Maqedonisë, materiali i të cilëve do të na ndihmojë për të hedhur një vështrim retrospektiv.

    Nuk është pra e rastit që “arbanasët” përmenden për të parën herë në burimet mesjetare të shek XIV (Kristo Farshëri Monografia “Etnogjeneza e shqiptarëve).***

    Pavarësisht këtij dokumentimi, në periudhën e shek XIII-XV, dhe sidomos në fund të shek XV, me arbanas nënkuptoheshin edhe orthodoksët dhe katolikët së bashku si pasojë e luftrave anti-osmane.

    Përsa i përket epirotëve ilirë të ritit orthodoks të cilët përmënd Prof. Kristo Frashëri, unë mund ta vërtetoj me praninë e këtij fakti me fjalët e shkruara në varrin monumental të vëllait të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, Reposh Kastiotit, në Hilandar- Mali Atos që gjëndet tek vëndi që quhet `Arbanskij Pirg`. Epitafi i varrit të Reposh Kastriotit shkruan me gërma latine: “Reposh Castrioti , Dux illyricum“. Pra epiroët-ilirë ishin të ritit orthodox dhe flisnin shqip.

    Përplasja me Perandorinë Osmanë dhe zhdukja graduale e emrit arbanas dhe epirotë-ilirë

    Perandoria osmane duke qënë një shtet fetaro-ushtarak dhe teokratik, vendosi fenë mbi gjithçka në trevat shqiptare dhe mbi popullatën që kishte mbetur përdori një strategji më të veçntë në raport me popullatat me popullatat e tjera të pushtuara sepse arbër-epirotasit e kishin kundërshtuar vazhdimisht me armë në dorë pushtimin për vite me rraddhë sidomos gjatë drejtimit të tyre nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Sulltan Mehmeti i iI ose `i shkëlqyeri` (ai që pushtoi Konstandinopijën), dhe sidomos Sulltan Sulejmani përdorën politika të speciale mbi banorët:

    -dhunën e ashpër dhe shkatërrimin e të gjitha kështjellave në trojet ku banonin arbë-epirotasit, duke larguar në këtë mënyrë të gjithë popullatën qytetare dhe atë fshatare të fushës,

    -duke vrarë krerët e pa bindur krishterë që kishin mbetur të zonave fushore dhe malore (aty ku mund të futeshin),

    – duke përdorur politikën e kulaçit dhe të veçanta për të shuar kryengritjet e ardhshme por dhe për siguruar qetësi në ato treva, si: ajo e kulaçit dhe çkërbaçit me këta krerë, pra nëse ata pranonin varësinë, këta krerë duhej të konvertoheshin të myslimanë,

    -të konvertonin të tërë fshatarësinë apo malësorët në myslimanë me dhunë ose ti vrisnin apo ti dertyronin të largoheshin,

    – të merrnin pengje nje nga fëmijët e tyre meshkuj kryesisht fëmijën e parë (njëlloj si dhe në fillimet e pushtimit osman në Ballkan),

    -duke përdorur një system të ri të ndarjes të tokave tashmë djerrë dhe pa pronare në formën e Timareve ku në krye të tyre vendoseshin të huaj

    – sjellja në tokat fushore djerrë dhe në qytetet-kështjella tashme të shkatërruara të bujkrobërve nga zonat lindore të tjera të perandorisëAnadolli si turq, çerkeze, kurde, irakenë, por dhe nga Persia, Egjipti, Siria, Libani,Abhazia, etj.

    -qytetet do të ndërtoheshin jashtë kalave dhe do të ishin të pambrojtura,

    – nxjerrja e një fermani të veçantë që pronat e kishave orthodokse dhe një pjesë të atyre katolike të kenë një status të veçantë për mos prekjen e pronës dhe të punonjsve.

    Kjo vërtetohet nga të dhëna interesante për mbrojtjen e kishave orthodokse madje dhe katolike nga disa urdhëra të Sulltanëve në kohë të ndryshme: ` sulltan Mehmeti II e shpalli veten protektor të Kishës Ortodokse dhe emëroi kreun e ri të Patrikanës Ekumenike. Në këtë post të lartë ai vendosi peshkopin Genadios (i mbiquajtur Skolaris), një klerik ky i dalluar si kundërshtar i bashkimit të Kishës Lindore me atë Perëndimore. Dekreti sulltanor për emërimin e patrikut të ri ekumenik i garantonte këtij të fundit, dhe gjithë hierarkisë kishtare ortodokse në varësi të tij, ruajtjen e privilegjeve që ata gëzonin në Perandorinë Bizantine. Patrikanës dhe strukturave vartëse të saj u njihej e drejta e administrimit të plotë të jetës shpirtërore dhe kishtare të besimtarëve ortodoksë.

    nga pikëpamja administrativo-kishtare popullsia ortodokse shqiptare ishte e pjesëtuar më trish: një pjesë e madhe e saj gjendej nën juridiksionin e Kryepeshkopatës së Ohrit dhe më konkretisht, të mitropolive të Kosturit, Manastirit, Korçë-Elbasanit, Beratit dhe të Durrësit, si dhe të peshkopatave të Dibër-Kërçovës, Prespës e Mokrës“ (http://sq.wikipedia.org/wiki/Faktorët_ndikues_në_islamizimin_e_shqiptarëve).

    Këtë e vërteton gjithashtu dhe një urdhër i lëshuar nga Sulltan Mehmeti III në vitin 1602 ku thuhet se: “ hebrenjtë dhe të krishterët janë dhimmij dhe `mbrojtja, ruajtja dhe garantimi i jetës dhe pasurisë së tyre është detyrë e vazhdueshme dhe kolektive e të gjithë muslimanëve, si dhe obligim i domosdoshëm i të gjithë sundimtarëve të nderuar islam“(https://orientalizmi.wordpress.com/tag/shteti-osman/page/2/).

    -Joshja e kryetarëve të fiseve arbëro-epirote të mbetura në trojet e veta me grada ushtarake e pasuri me qëllim që të kthehen në myslimanë dhe të luftojnë për Sulltanin.

    Këto taktika të sofistikuara por dhe brutale në atë kohëshkaktuan jo vetëm islamizimin por edhe largimin e popullsisë apo dhe akësimin e saj drastic në shekujt XVI-XVIII. Pas pushimit osman të tokave të Epirit dhe të Arbërisë pra pas vitit 1479.

    Sipas regjistrit të vitit 835 h(1431) pra që para pushtimit të plotë të tokave Arbëro-Epirote, në Sanxhakun Shqiptar ishin rreth 475 timare, duke përfshirë edhe shtesat e bëra gjatë viteve të mëvonshme. Shumica e timareve, afro 80% e tyre, u ishte dhënë spahinjve myslimanë të huaj, midis të cilëve kishte edhe osmanë. Pjesa tjetër ishin spahinj shqiptarë myslimanë apo të krishterë. Këta, veçanërisht spahinjtë e krishterë, ishin caktuar në rajone të thella, ku administrata osmane e kishte vështirë të vepronte (Keto i konfirmon edhe Historia e Shqipërisë vol II). (http://sq.wikipedia.org/wiki/Regjimi_feudal_ushtarak_osman_në_Shqipëri)..

    Pra kuptohet se që në shekullin e XV –XVI, 80% e timareve drejtoheshinj nga spahij të ardhur nga anadolli të cilët nuk ishin vëndës por u detyruan të flasin gjuhë arbërisht-shqip sepse popullata e mbetur jo vetëm ishte e pakët sidomos në zonat fushore por edhe se në zonat malore ku kishin mbetur arbër dhe epirotë dhe me fe kristiane filluan të zbrisnin në zonat fushore dhe qytete për qëllime tregëtie apo për të gjetur punë.

    Politikat e islamizimit me dhunë, dhe sjelljen e kolonëve nga Anadolli konfirmon edhe Prof. Petrika Thëngjilli , “ Një faktor i parë politik, që ndikoi në përhapjen e fesë islame ishte kolonizimi,duke vendosur familje të tëra në rajone të ndryshme të Shqipërisë. Në mjaft kështjellatë qyteteve kryesore të Shqipërisë, si në: Shkodër, Elbasan, Berat, Vlorë, Durrës,Gjirokastër, Prizren, Shkup, Ohër etj., u vendosën garnizone jeniçerësh. Numri i jeniçerëve nuk duhet të ketë qenë i madh.Në trevën e Kosovës u sollën kolonë turq. Në regjistrat e kësaj zoneelementi turk dallohet, si p.sh turk Bali, turk Ahmeti etj. Më rastin e ndërtimit të qytetittë Elbasanit u vendosën aty edhe shumë gazinj, që luftonin për fenë islame. Në Dibër kolonistët ishin funksionarët e garnizoneve të kështjellave.

    Kolonizimi preku më tepër qytetet shqiptare të Maqedonisë Perëndimore, si në Shkup, Kërçovë, Sfetigrad, Ohër e Manastir[7]. Në krahinën e Delvinës u vendosën jyrykë për ndërtimin e anijeve dhe ngarkimin e mallrave, kurse më 1574-ën, jyrykët Ovçe Poljes punonin minierat e Dukagjinit, të Kamenovës etj.[8]

    Në kuadrin e kolonizimit në Shqipëri u sollën spahinj të huaj[10]. Ashtu si në vendet e tjera, kolonizimi në Shqipëri mbaroi në fund të shek.XVI, prandaj edhe rolin e tij do ta pranojmë deri në këtë periudhë, si një faktor i jashtëm, që ndikoi pak në islamizimin e shqiptarëve“ (https://www.scribd.com/doc/84914776/005-faktoret-Per-Perhapjen-e-Fese-Islame-Ne-Shqiperi-petrika-Thengjilli). Petrika Thëngjilli, Perla – Revistë shkencore – Kulturore tremujoreViti X 2005 Nr. 2 (37) fq. 54-72Botuesi: Fondacioni Kulturor “Saadi Shirazi” – Tiranë (http://oshtima.org/postimi/37).

    Megjithse ky autor thotë se nuk ka patur ndonjë politikë kolonizuese, masat e ashpra të marra nga perandoria osmane konfirmojnë të kundërtën.

    Prof. Petrika Thëngjilli pohon dhe konfirmon edhe disa veçori në trevat dhe në popullatën e mbetur arbër-ilire se: “ Nëpërmjet sistemit të dhjetës së gjakut( devshirme) merreshin me mijra fëmijë të krishterë në çdo 4-5 vjet dhe çoheshin në pallatin e sulltanit për të mbushur radhët ushtarake, që nga pallati sulltanor deri në repartet e jeniçerëve dhe të reparteve kalorsiake të pushtetit qëndror. Përfshirja dhe asimilimi i tyre ishin faktorë të sigurtë për përhapjen e fesë islame[11].

    Kjo politikë u ndoq deri në shek.XVII. Në vitin 1638 të dërguarit e sulltanit do të vinin sipas zakonit për të marrë 10 000-12 –000 çuna për t’i bërë turq dhe jeniçerë[12]. Në literaturën historike është shprehur mendimi se në Shqipëri sistemi i devshirmesë është zbatuar deri në vitet ’40 të shek.XVII, sepse deri atëherë ishte i dokumentuar. E.Çelebiu, ndonëse nuk e përmend këtë sistem, jep një të dhënë interesante, që e zgjat edhe disa dhjetëvjeçarë jetën e këtij sistemi. Duke folur për Starovën, me 17 fshatra, pohon se këtu vjen një nga jeniçerët e caktuar nga sulltani për të mbledhur qindra djem nga raja të krishterë dhe i çon në Stamboll[13].

    Në shek.XVI vazhdoi thyerja e mëtejshme e klasës feudale shqiptare nëpërmjet sistemit të içogllanëve dhe të gulamëve[14]. Gjatë kësaj periudhe të gjithë spahinjtë e krishterë përqafuan fenë islame. Në fund të shek. XVI timaret zotëroheshin nga klasa ushtarake, kryesisht vendase e islamizuar. “

    Popullatë turke të konfirmuar kishte vetëm në fshatin Koxhaxhiq sipas Halil inalçik dekani global i osmanistikës cituar nga Aleksandre Popoviç (një islamolog i dëgjuar) “  se i vetmi ngulim kolonesh turq ne hapesiren shqiptare (nese mund te quhet keshtu) eshte ai i Kocacik-ut (Koxhaxhik). Mesa me kujtohet, vendi ndodhet ne afersite e Sfetigradit te hershem, ne nje arterie te rendesishme komunikimi, sot ne territorin maqedon. gjithsesi, rrokadat e popullatave, politike nominale e perandorive, jane perdorur edhe nga osmanet per te ndeshkuar, shperblyer grupe, apo per te krijuar barriera a tampone neper zona kompakte problematike…“(http://peizazhe.com/antropologji/kolone-turq-ne-shqiperi: /).

    Sidoqoftë ky informacion nuk tregon plotësisht të vërtetën për zona të tjera në trevat Arbërore-Epirote sepse në Shkup, Prizren, Janinë, Gjirokastër, Shkodër, Dibër, Tiranë, më pak në Durrës, dhe në të gjitha zonat fushore dhe qytetet (kasabatë) dhe qytezat, numri i kolonëve ka qënë i madh por nuk kanë qënë turq. Më tepër Spahinjtë kanë sjellë në vënd të të rinjve që dërgonin në luftë, edhe popullatë egjiptianë, magjypë,dhe njerëz t ë tjerë si skllevër për punë dhe ahengje, të ardhur nga zonat e sipër përmëndura të perandorisë osmane.

    Edhe në shkrime të tjera përmënden kolonizmigradual brënda tre shekujve XVI-XVIII me kolonë nga lindja e perandorisë osmane dhe ndarja e trojeve arbëro-epirotë në disa vilajete e anxhaqe me qëllim mbajtjen nën zap të popullsisë dhe islamizimin e vazhdueshëm të tyre, pra ndoqën politikën e lashtë të Perandorisë romake: dividere et impera:

    “Kishte mbetur ndonjë sasi e vogël spahinjsh turq, të cilët më vonë u larguan ose u asimiluan, sikurse ndodhi me kolonët turq të sjellë në Koxhaxhik, Elbasan, Krujë etj“

    (http://sq.wikipedia.org/wiki/Territoret_e_Shqipërisë_gjatë_periudhës_osmane) .

    Mendohet se gjatë shek XVI-XVIII u vendosën shumë kolonë sidomos në zonat fushore dhe në qytetet e mbetura apo të krijuara rishtazi nga Perandoria Otomane (osmane) si: fushë Kosovë, Fushë Korcë, Fushë Shkodër, Shqipëria e mesme, Elbasan, Tiranë, (Durrës), Dibër, Shkup, Janinë, zona bregdetare e shqipërisë pranë detit Adriatik.

    Sipas George Castellan, ai e kundërshton kolonizimin si praktikë osmane dhe thotë:  nje regjistrim austriak tek Muller ne vepren “Albanien” fq.17: ”Ne pashalleqet e Kosoves perendimore ne vitet 1839-1840: 114.000 musliman, 81.000 kristian (11.000 katolik), 500 hebrenj, 3.000 vlleh, disa mijera rom orthodoks, 6.000 cerkez, 10.000 rom musliman, 5.000 osmanlli” (http://www.forumishqiptar.com/threads/148306-”Kardashët”-turq-do-të-çelin-së-shpejti-në-Tiranë-një-filial-televizioni-“Tek-Rumeli”/page2).

    Pra janë pak turq por dihet që drejtuesit e Perandorisë osmane përdorën politika të tjera të veçanta duke sjellë jo turq, por popullata të pushtuara nga ata ashtu si u përmëndën më sipër si persianë, abhazë, çerkezë,sirianë, egjytianë, dhe romë,etj. Kjo popullatë ishte relativisht më e madhe se sa popullata vëndase e cila në zonat fushore apo qytete ishte inegzistente, por të folurit në gjuhën e vënasve erdhi qoftë për shkak të popullatës malësore që kishte mbetur e cila zbriste herë pas here, por që edhe kryetarët e fiseve të tyre merrnin shpërblime dhe grada nga Sulltani me qëllim të zbutjes së kundërshtimit të tyre.

  • Familja patriotike e Mark Dedës në Berishë të Pukës

    Familja patriotike e Mark Dedës në Berishë të Pukës

    Familja patriotike e Mark Dedës në Berishë të Pukës. Mark Deda ishte kryefamiljari i kësaj familje i lindur më 1840. Ai ishte i martuar me Lenën e bija e Dedë Kolës, me të pati 3 djem, Ndocin, Mëhillin dhe Gjergjin. Marku qëndroi në mbrojtje të të drejtave shqiptare duke dalë kundër Reformës së Tanzimatit dhe pse pati presion nga Porta e Lartë. Ai qe përkrahës i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, gjithashtu në 1882-1885 Marku merr pjesë në kryengritjen për lirimin e krerëve të Lidhjes. Me kalimin e viteve djemtë e Mark Dedës u rritën, djali i madh Ndoci krijoi dhe çetën e tij me luftëtarë shqiptarë. Ishte periudha kur Xhon Turqit kërkonin dorëzimin e armëve nga ana e shqiptarëve, dhe aty filloi dhe konflikti fizik me Ndoc Mark Dedës dhe osmanëve. Osmanët për kapjen e kryetarëve të çetave kapnin njerëz të ndryshëm i torturonin në mes të shesheve që të merrnin informacione nga populli por kjo strategji nuk doli e suksesshme, pas kësaj vendosën trupa ushtarake dhe agjentë në ndjekje të këtyre kryetar çetash. Ndoc Mark Deda me të vëllezërit Mëhillin dhe Gjergjin qëndronin nëpër male deri në natën e 5 dhjetorit të 1910 që u kthyen në shtëpi për të festuar Natën e Shënkollit sipas traditës. Por ata u spihunuan dhe forcat osmane rrethuan menjëherë kullën, ku ndodhej Mark Deda me të tre djemtë Ndocin, Mëhillin dhe Gjergjin, ata vendosën të luftojnë dhe mos të dorëzohen. Forcat osmane nisën të qëllonin kullën, por Ndoci arriti të dilte jashtë kullës dhe të hapte front të ri duke sulmiar nga pema e manit që ndodhej në oborrin e kullës, ajo u dëmtua për gjysma e pemës është ende sot dhe njihet si “Mani i Ndoc Mark Dedës”. Këta 4 luftëtarë arritën ti rezistonin forcave osmane deri sa i erdhën në ndihmë dhe luftëtarë të zonës të cilët dëgjuan krismat e armëve. Mark Deda ra dëshmor në këtë betejë ndërsa 3 djemtë e tij thjesht u plagosën, forcat osmane nisën tërheqjen duke u ndjekur nga luftëtarët shqiptarë deri te vendi që quhet “Lisi i Lekës”. Pas kësaj 3 djemtë e Markut vazhduan të fshihen në male e shpella duke bërë herë pas here sulme kundër forcave osmane dhe atyre serbe.

    Ata u spihunuan nga një shqiptar dhe përsëri u rrethuan por kësaj here nga forcat serbe, Mëhilli mbeti i vdekur në vend, Ndoci u largua i plagosur ndërsa Gjergji u largua pa asnjë plagë, kur arritën në shpellë Ndoci vdiq nga plagët e mara. Gjergj Mark Deda për hakmarrje shkoi në Shosh dhe vrau të birin e personit që i spiunoi ata tek forcat serbe. Gjergji vazhdoi betejat e tij deri sa ndërroi jetë në 1936.

  • Ahmet Delia dhe kodi i rezistencës

    Ahmet Delia dhe kodi i rezistencës

    Nga Blerim Latifi

    Gjatë fëmijërisë time me qindra herë e kam dëgjuar rrëfimin për Ahmet Delinë. Jam rritur me këtë rrëfim dhe që nga ajo kohë gjithmonë kam dashur që një ditë të shkruaj diçka për të. Më vonë, më pat lindur dëshira që të ballafaqoja historiografinë e shkruar me legjendën dhe, si në pak raste, faktet historike më dilnin të njëjta me ato që thoshte legjenda.

    Ahmet Delia shfaqet që në vitet e Lidhjes së Prizrenit, kur me qindra njerëz të armatosur do të bllokonte për disa ditë Grykën e Klisyrës në rrugën Mitrovicë – Pejë, për të mos lejuar trupat osmane që t’u binin prapa shpine luftëtarëve të Lidhjes, të cilët po luftonin me ushtrinë e Dervish Pashës në Grykën e Caralevës, në Prillin e vitit 1881.

    Dhjetë vite më vonë, Ahmet Delia do të rishfaqej përsëri, kur në krye të qindra njerëzve të armatosur do t’u vë flakën Sarajeve “Hamidie”, në vendin ku sot ndodhet qyteti i Skenderajt, duke mos lejuar që administrata osmane të zë vend në territorin e Drenicës.

    Me 1903 e gjejmë përsëri në krye të një revolte tjetër : Sulmi mbi Mitrovicë dhe Vushtrri për të ndaluar vendosjen e konsullatës ruse në Mitrovicë. Siç dihet, në përfundim të atij sulmi, mbeti i vrarë vetë konsulli rus. Duke mos arritur ta bënte për vete, qeveria osmane vendosi të qëroj hesapet me të, njëherë e mirë. Me 1907 disa batalione, nën komandën e Shemsi Pashës, e sulmuan bajrakun e Ahmet Delisë. Në grykën e Klisyrës u bë një gjakderdhje e madhe. Artileria osmane arriti të asgjësoj pritën, pastaj trupat osmane hynë në Drenicë dhe punën e parë që e bënë e dogjën rrafsh me tokë kullën e Ahmet Delisë. Ai mbeti maleve për një kohë, pastaj me ndërmjetësimin e Xhemail Obrisë dhe Isa Boletinit shkoi në Mitrovicë për të bërë paqe me Shemsi Pashën, por aty, në vend të paqes, gjeti prangat. Të lidhur këmbë e duar, e nisën për në Burgun e Çanakkalasë, në afërsi të Stambollit. Revolucioni Xhonturk, i cili solli rrëzimin nga pushteti të Sulltan Abdylhamidit, rezultoi me lirimin e shumë të burgosurve që kishin ngritur krye kundër tij. Në mesin e tyre ishte edhe Ahmet Delia. Ai u kthye në Prekaz dhe punën e parë që bëri ishte rindërtimi i kullës së rrënuar. Me të mbaruar punë, ai iu rikthye zanatit të vjetër : kryengritjes! Në pranverën e vitit 1910, me njësitin e të armatosur, në Vushtrri do të çarmatosë trupat osmane që vinin me tren për të shtypur kryengritjen, e cila kishte shpërthyer në Kosovë, ndërkaq në Majin e vitit 1912 ai priti në kullën e tij Hasan Prishtinën dhe u vu në shërbim të planit të tij për kryengritjen e përgjithshme shqiptare kundër Perandorisë Osmane. Këtë e pohon edhe vetë Hasan Prishtina në kujtimet e tij.

    Pak muaj më vonë, në vjeshtën e atij viti, nisi Lufta e Parë Ballkanike. Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia, përmes një aleance ushtarake sulmuan Perandorinë Osmane. Qëllimi i këtij sulmi ishte që pas shpartallimit të Perandorisë Osmane, territoret e saj ballkanike, të ndaheshin midis këtyre shteteve. Në fillim të tetorit të vitit 1912, tri armata serbe e sulmuan Kosovën : e para në drejtimin e Ibrit, e dyta në drejtimin e Merdarës dhe e treta në drejtim të Luginës së Preshevës. Qëndresa në Kosovë ndaj këtij sulmi ishte e pakët. Ushtria serbe e pushtoi lehtësisht Kosovën, brenda pak ditësh. Duke ikur bashkë me ushtrinë turke, një pjesë e madhe e krerëve shqiptarë të Kosovës u grumbulluan në Shkup. Pas fitorës që arritën në Betejën e Kumanovës, trupat serbe hynë në Shkup dhe i burgosën të gjithë ata që ishin aty. Më të njohurit mes tyre ishin Hasan Prishtina, Idriz Seferi dhe Nexhip Draga. Shumë prijës të tjerë hodhën armët dhe u dorëzuan tek autoritetet ushtarake serbe, të cilat u kujdesën që me tren t’i dërgojnë të gjithë në burgun e Beogradit. Ndërkaq, në Kosovë kishin mbetur edhe dy prijës shqiptarë, të cilët ende nuk kishin rënë në duart e serbëve. Ata ishin Isa Boletini dhe Ahmet Delia. Në një mbrëmje të fundit të tetorit, Isa Boletini me një grup njerëzish të armatosur u shfaq para kullës së Ahmet Delisë në Prekaz. Natën e kaluan aty dhe, në bisedë e sipër, Boletini arriti ta bindëte Ahmet Delinë që së bashku të niseshin për të kaluar në Shqipëri. Me të zbardhur mëngjesi, të dy burrat, në krye të grupit të armatosur, u nisën në drejtimin e Pejës. Me të arritur te vendi i quajtur “Përroni i keq”, në afërsi të fshatit Qubrel të Skenderajt, grupi u ndal për të pushuar. Ndërkaq, një bisedë me tone të ashpra filloi midis Isa Boletinit dhe Ahmet Delisë. Bajraktari i Prekazit kishte ndërruar mendje: nuk donte të vazhdonte më tutje ; donte të kthehej në Prekaz. Isa Boletini i tha se çdo përpjekje për rezistencë tanimë ishte e kotë, por Ahmet Delia kishte marrë vendimin e pakthyeshëm. Të dy burrat u përshëndetën dhe vazhduan rrugën të ndarë. Ahmet Delia u kthye në Prekaz dhe mblodhi njerëzit e tij. Do të qëndrojmë!- u tha atyre. Të gjithë e shikuan me habi! Si mund të qëndronin kur njerëzit në mbarë Kosovën i kishte mbërthyer paniku i pushtimit serb dhe për më tepër as armë nuk kishin? Dikush tha se kishte dëgjuar se në Mitrovicë ende shiteshin armë dhe municione. Ahmet Delia u nis menjëherë për atje, por u kthye shpejt, pasi morri vesh se informata ishte e gabuar. Njerëzit filluan të mblidheshin rreth kullës së tij. Ishin të frikësuar dhe në panikë. Përditë qarkullonin lajme për terrorin që po ushtronin njësitë ushtarake serbe, gjithandej Kosovës. Ishte çështje ditësh kur ky terror do të binte edhe mbi Drenicën. Dikush propozoi që Ahmet Delia të shkonte në Manastirin e Deviqit për të biseduar me gjeneralin serb dhe për t’i shprehur atij gatishmërinë e popullatës për nënshtrim, me qëllim që të shmangeshin raprezaljet. Ahmet Delia e refuzoi propozimin dhe, në nervozë e sipër, e përzuri propozuesin nga kulla. “Nuk i jam nënshtru Sulltanit e Shemsi Pashës, e po i nënshtrohem shkaut!”- ishin fjalët e tij. Njerëzit u shpërndanë dhe ai mbeti i vetëm në kullën e tij. Nuk vonoi dhe ajo që pritej të ndodhte, ndodhi. Gjenerali serb, i stacionuar në Manastirin e Deviqit, organizoi një numër njësish të vogla ushtarësh dhe i nisi nëpër fshatrat e Drenicës, me qëllim pastrimin e terrenit, një emër ky për ato që në fakt ishin ekspedita të terrorizimit të popullatës. Njëra prej këtyre njësive ia mësyu Prekazit. Ishte fund dhjetori i vitit 1912. Njësia fillimisht u ndal në fshatin Klinë e Epërme, ku vranë një person dhe dogjën një shtëpi. Pastaj u futën në Prekaz, ku njeriun e parë në të cilën hasën, një bari dhish, e rrahën keq, duke e lënë të zhveshur në të ftohtin e dhjetorit. Pas këtij akti të parë të terrorit, ata u futën në Lagjën e Musajve për të vazhduar aktet tjera të poshtërimit të shqiptarëve, plaçkitjen, djegien, vrasjen e burrave dhe dhunimin e grave. Bariu i rrahur nuk u kthye fare në shtëpi, por u nis drejt kullës së Ahmet Delisë. Hyri pa trokitur dhe e gjeti bajraktarin duke qëndruar i vetëm në kullë. Baci Ahmet, erdhën shkjetë në katun!,- ishin fjalët e para të bariut. – Mua më rrahen keq dhe tani janë duke bo kërdi të Musovit! Ahmet Delia nuk i tha asnjë fjalë bariut dhe me rrëmbim doli në oborr. I biri i tij, Murseli, ishte në oborr duke prerë dru për ngrohje. Ahmeti i tha: – Lej ato dru, shkjetë kanë hy n’katun, të musovit, duhet t’u shkojmë në ndihmë. – Si t’u shkojmë në ndihmë?, – ia ktheu i biri. – Nuk kemi asnjë fishek për pushkë dhe ata me siguri janë të armatosur. – Do t’ luftojmë me sakica!- ia ktheu Ahmeti. Dhe shtoi : – “Ky katun që tridhjetë vjet vjen pas meje, dhe unë sot nuk muj me i lanë në dorë të shkaut, pa mbrojtje, e me pshtu kryet tem”. E tëra dukej një çmenduri: çfarë mund të bënin dy vetë me sakica, kundër një njësie të armtosur rëndë? Të dy burrat dolën në sokak, ku u takuan me Ramë Islamin dhe djalin e tij, dhe të katërt u nisën drejt lagjës së sulmuar nga ushtarët serb. Ishte kjo një nisje drejt vdekjes së sigurtë. Drejt një skene të ngjashme me ato të filmit “Mohikani i Fundit”, ku indianët me armë primitive përpiqen t’u rezistojnë trupave britanike të armatosura me armë moderne. Të katër burrat, dhe disa të tjerë që shkuan pas tyre, arritën shpejt afër shtëpisë ku ushtarët serbë po bënin gosti. Ahmet Delia u tha të tjerëve:” Ju dilni nga prapa shpisë, e unë do të hyj përpara”. Dhe pastaj nisi beteja e pabarabartë: Ahmet Delia, me të hyrë në oborr, do ta godas për vdekje rojën e vendosur në hyrje të oborrit. Të bërtiturat e tij do t’i bëjnë të tjerët që të lënë gostinë dhe të dalin jashtë. Ata do ta godasin për vdekje Ahmet Delinë, i cili me sakicë ishte nisur drej tyre. Murseli me të tjerët që kishin ardhur nga prapa shtëpisë do t’u hidhen pas shpine. Brenda dhjetë minutash skena e oborrit ishte shndërruar në një skenë masakre : 12 ushtarë serbë të vrarë, Ahmet Delia i vrarë, Rama bashkë me të birin të vrarë dhe Murseli me gishtat e këputur të dorës. Vetëm një ushtar serb ia kishte dalur të shpëtoj, por kur arriti në Deviq nuk ishte në gjëndje të tregonte asgjë, ngase skenat e ngjarjes e kishin çmendur. Askush nuk kishte dilemë se çfarë e priste fshatin në orët në vazhdim : ushtria serbe do të vinte, burrat do të pushkatoheshin masivisht dhe fshati do të digjej. Një plakë që po shikonte burrat e tmerruar nga imagjinimi i këtij skenari, u tha atyre : “Shkoni nëpër katun, mblidheni dukatin e grave e futeni nëpër çantat e ushtarëve. Sillni gjithçka që ka vlerë dhe futeni nëpër teshat e tyre, që kur të vjen i pari i tyre le ta sheh që k’ta kanë dashtë me na plaçkitë, e na s’kemi pas çare pa u mbrojtë”!

    Dhe kështu ndodhi : çantat e ushtarëve u mbushën me stoli ari dhe gjësende tjera me vlerë. Të nesërmen ushtria rrethoi fshatin. Në krye të saj ishte gjenerali i Deviqit. Kur pa ushtarët e tij të vrarë të mbushur me stoli ari, vendosi atë që pak kush e priste : fshati nuk do të prekej, por trupat e Ahmet Delisë dhe dy të tjerëve do merreshin nga ushtria. Në mbrëmje ushtria u tërhoq me trupat e të vrarëve dhe me t’u larguar nga Prekazi trupin e Ahmet Delisë dhe dy të tjerëve i hodhën në një varr të panjohur. Ky varr nuk është zbuluar kurrë, kështuqë sot Ahmet Delia bën pjesë në mesin e heronjve varrhumbur. Njësoj si Skënderbeu, si Pjetër Bogdani, si Gjergj Fishta, si qindra të tjerë, që nuk kursyen jetën për nderin dhe lirinë e atdheut të tyre.

    Tek e fundit kujtimin e përjetshëm nuk ta siguron një gur varri! Ta siguron gjurma që lë në historinë e lirisë së popullit tënd. Dhe Ahmet Delia e la një gjurmë të madhe në këtë histori. Ata që sot shkojnë në Prekaz për të nderuar Adem Jasharin, duhet të ngjiten edhe tek Kulla e Ahmet Delisë, sepse Adem Jashari nuk mund të kuptohet pa e njohur më parë kodin e rezistencës, të cilin e themeloi Ahmet Delia.

  • Dorëshkrimet e lashta në manastiret në Greqi hedhin dritë mbi epokën osmane

    Dorëshkrimet e lashta në manastiret në Greqi hedhin dritë mbi epokën osmane

    Në bibliotekat e ruajtura brenda manastireve të Malit Atos, studiuesit po shqyrtojnë mijëra dokumenta osmane. Disa prej tyre janë nga më të lashtat e zbuluara ndonjëherë, duke i paraprirë edhe pushtimit të Konstandinopojës. Nga këto dokumenta origjinale të ruajtura nga murgjit ndër shekuj mësohet se si sulltanët osmanë ruajtën autonominë e këtij komuniteti të krishterë, duke nxjerrë madje edhe fermanë për mbrojtjen e tij.

    Në brendësitë e manastirit të lashtë Pantokrator në komunitetin e murgjëve në Malin Atos, studiuesit po hulumtojnë për herë të parë një thesar të panjohur deri më tani – mijëra dorëshkrime të epokës osmane, disa prej të cilave më të vjetrat e zbuluara ndonjëherë.

    Bilbioteka e këtij komuniteti të vetëqeverisur të themeluar mbi 1 mijë vite më parë në gadishullin Atos të Greqisë veriore, është një arkiv i rrallë i dokumenteve të hartuara shekuj më parë, në gjuhë si greqishtja, rusishtja dhe rumanishtja.

    Shumë prej tyre janë studiuar gjerësisht, por jo dokumentat e osmanëve që qeverisën Greqinë veriore që nga fundi i shekullit të 14-të dhe deri në fillimet e shekullit të 20-të.

    “Janë rreth 1300 dokumenta origjinale bizantine, më shumë se kudo tjetër. Kemi këtu dokumentat më të lashta osmane, që përpara rënies së Konstadinopojës, të cilat mbahen në manastiret e Malit Atos që nga fundi i shekullit të 14-të, fillimet e shekullit të 15-të. Dokumentat më të lashta osmane gjenden këtu”, thotë At Theophilos, murg në manastirin Pantokrator.

    Studiuesi i epokës bizantine Yiannis Niehoff-Panagiotidis thotë se është e pamundur të kuptohet ekonomia dhe shoqëria e Malit Atos nën regjimin osman, pa u konsultuar me këto dokumenta që përcaktonin raportin e murgjëve me autoritetet laike.

    “Ajo që është e çuditshme është se sulltanët e ruajtën Malin Atos si pjesa e mbetur e Bizantit, gjysëm i pavarur dhe nuk e prekën atë. As nuk mbanin forca ushtarake këtu”, thotë profesor Niehoff-Panagiotidis.

    Këtu gjenden fermanë të nënshkruar nga sulltanët, tapitë dhe vendimet e gjykatave. Anastasios Nikopoulos, bashkëpunëtor shkencor në Universitetin e Lirë të Berlinit, thotë se dokumentat kundërshtojnë botëkuptimin tradicional të grekëve për plaçkitjet nga osmanët në zonat që pushtonin. Përkundrazi, duket se pushtuesit e morën këtë komunitet nën mbrojtje, ruajtën autonominë e tij dhe e mbrojtën nga ndërhyrjet e jashtme.

    “Fermanët e sulltanit që pamë në kullë, vendimet e gjykatave të perandorisë osmane, tregojnë se kjo demokraci e vogël e murgjëve arriti të fitojë respektin e të gjitha fuqive pushtuese në rajon. Kjo pasi Mali Atos shihej si një djep i paqes, kulturës, kultivimit të vlerave universale të civilizimit, ku popujt dhe qytetërimet kanë bashkëjetuar në paqe”, thotë zoti Nikopoulos.

    Madje ndër fermanët e parë të lëshuar nga sulltanët kishte të bënte me mbrojtjen e Malit Atos.

    “Murati II, sapo pushtoi Selanikun, pati përparësi hartimin e një harte kushtetuese për Malin Atos në vitin 1430. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe tregon gjithçka. Vetë sulltani osman donte të sigurohej se sistemi administrativ i Malit Atos do të ruhej dhe do të mbrohej”, thotë zoti Nikopoulos.

    Profesor Niehoff-Panagiotidis madje thotë se për dy shekujt e parë të regjimit osman nuk u bënë përpjekje për të vendosur ligjin islamik në Malin Atos apo pjesët përreth tij të Greqisë veriore. Këtij komuniteti iu dha për herë të parë statusi vetëqeverisës me një dekret të Perandorit bizantin Basili II, në vitin 883. Që nga ajo periudhë, grave u është ndaluar hyrja, në kuadrin e një rregulli të quajtur “avaton”, për të cilin studiuesit mendojnë se u hartua për të shmangur çdo lloj trazimi të komunitetit në Malin Atos.

    /e.d

  • Skënderbeu në objektivin e historianit kosovar nga Ostrovica e Novaberdës (Artanës së sotme)

    Skënderbeu në objektivin e historianit kosovar nga Ostrovica e Novaberdës (Artanës së sotme)

    Jahja Drancolli

    Skënderbeu në objektivin e historianit kosovar nga Ostrovica e Novaberdës (Artanës së sotme). Dorëshkrimi zotëron 77 faqe dhe është shkruar midis viteve 1497 – 1501!

    Kostadin Mihali i Ostrovicës (rreth 1435-1501), historian ushtarak, është një dëshmitar i rëndësishëm i dramës së pushtimeve osmane, veçanërisht në Novobërdë dhe rrethinat e saj. Kostadini me librin e tij kujtimesh ka krijuar një vepër unike humaniste të këtij zhanri. Sipas burimeve që disponojmë, Kostadini ka lindur në Ostrovicë të Novobërdës rreth vitit 1435 në një familje minatorësh apo tregtarësh, kështu që shkollën fillore do ta ketë kryer në vendlindje, Novobërdë. Mori pjesë me një njësi të vogël vasalësh në rrethimin e Kostandinopojës në vitin 1453 dhe më pas e ndeshim në mesin e mbrojtësve të qytetit të Novobërdës, kur qyteti bie në duart e osmanëve (1 qershor 1455). Më pas, në mesin e robërve ishte Kostadin Mihali, i cili u dërgua jeniçer dhe mori pjesë në shumë ekspedita të Sulltan Mehmetit II: në Arbëri, Hungari, Peloponez. Në Bosnje, në vitin 1463, ai komandonte repartin e qytetit të Zveçaj, ku u zu rob nga ushtria e mbretit hungarez Matej Korvin. Pas lirimit të tij nga hungarezët, Kostadini u vu në shërbim të planeve për të krijuar një aleancë politike dhe për të nisur një fushatë kundër osmanëve. Së këtejmi, Kostandin Mihali do të humbasë gjurmët për pak kohë, por dihet se ai kishte ikur nga osmanët për t’u kthyer në mesin e të krishterëve, ku vdiq në Poloni pas vitit 1501. Midis viteve 1497 – 1501, shkruan “Kujtimet” e tij si një memorandum politik – historik, kushtuar mbretit polak Jan Olbraht dhe mbretit hungarez Vladisav II. Dorëshkrimi i veprës së tij më të famshme nuk është ruajtur në origjinal për këtë arsye pyetja se në cilën gjuhë është shkruar origjinali mbetet ende e paqartë. Një kopje (transkript) në polonisht e shekullit të 16-të është ruajtur në bibliotekën Zamojski në Varshavë. Dorëshkrimi ka 77 faqe. Janë ruajtur edhe kopje të tjera, si ato të Bibliotekës Kombëtare në Varshavë, Shën Petersburg, Pragë e të tjera. Kopja e Pragës u botua në gjuhën çeke në vitin 1565 dhe ruan titullin: “Hystorya neb Kronyka Turecká od Michaala Konstantina z Ostrowicze” (“Histori ose Kronikë Turke nga Mihal Kostadini i Ostrovicës”). Aty gjejmë raporte për inkursione osmane në Hungari, Peloponez dhe në këtë kuadër të fushatave osmane në Arbëri, ku ishte i spikatur roli i Gjergj Kastrioti-Skënderbeut përball ushtrive të Sulltan Mehmetit II. Një vend të rëndësishëm në historinë e përmendur zë rrethimi i Novobërdës në vitin 1455, si dhe pushtimi i saj pas bombardimeve të fuqishme! /Trungu & InforCulture.info

  • Hasan Riza Pasha (1871-1913), mbrojtësi i shqiptarëve dhe i Shkodrës, në Luftërat Ballkanike

    Hasan Riza Pasha (1871-1913), mbrojtësi i shqiptarëve dhe i Shkodrës, në Luftërat Ballkanike

    Hasan Riza Pasha meriton të kujtohet e të nderohet po aq sa heronjtë e kombit shqiptar

     “Hasan Riza Pasha do të kujtohet si atdhetari më i mirë për shpëtimin tonë nga kthetrat e malazezëve dhe që u ba fli, prej atyre që nuk deshën shpëtimin e Atdheut tonë, prandaj Hasan Riza Pasha meriton të kujtohet baras  me heronjtë e kombit shqiptar” ka shkruar Gjegj Fishta. Ai e ka  shkruar  edhe epitafin për Hasan Riza Pashën, që është i gdhendur në gurin e tij mbi varr: dhe ku shkruan: “Gazi Hasan Riza Pasha, burrë si i motit, ushtar trim, besnik, komandant i ushtrive Osmane në Shkodër, mik i Shqipnisë e i shqiptarëve. Ndërsa Lufta Ballkanike bindte botën me mbrojtje fisnike të kalasë së Rozafatit, në 30 kallnuer të vitit 1913 e vrau një dorë tradhtare, mizore. Mbane këtë përmendore prej Bashkisë të Shkodrës. Shembull burrnije e për kohën t’ardhshme ktu ku  kje varrosë TRIMI”. (Gjergj Fishta)

    Hasan Riza Pasha u lind në Bagdad në vitin 1871. Ishte djali i burrështetasit të  madh osman, Mehmed Namik Pashës, me origjinë nga Konja. Mbasi mbaroi shkollat ushtarake me radhë, në vitin 1892 doli nëntoger nga Akademia Ushtarake e Stambollit. Më 1895 kreu shkollën e shtatmadhorisë dhe u gradua kapiten. Në vitin 1897 mori pjesë në luftën osmano-greke dhe mbas disa shërbimesh në ushtri, fitoi gradën nënkolonel.

    Në vitin 1899 u dërgua me shkollim në Perandorinë Gjermane, për të plotësuar studimet e larta. Kreu Akademinë e Luftës (Krigs-akademi), ku u dallua për aftësitë e tij mes studentëve osmanë dhe gjermanë. Kur shtatmadhoria e madhe prusiane lëshoi raportin e fundit lidhur me klasën e tij, për Hasan Rizain shkruhej: Me të drejtë mund të drejtojë kryesinë e shtatmadhorisë së madhe osmane.

    Pasi shërbeu si vali në Irak gjatë viteve 1901-1911 iu dha grada e gjeneralit. Në vitin 1911 u ngarkua komandant i divizionit të pavarur të Shkodrës dhe më 7 mars 1912 u emërua vali e komandant i sanxhakut, në krye të 13. 600 ushtarëve dhe 96 topave. Hasan Riza kritikonte haptas partinë e xhonturqve me gjithë shoqërinë “Bashkim e Përparim” për dëmin që i kishin sjellë ushtrisë, duke u lënë oficerëve shesh të lirë që të merreshin me politikë. Shqiptarët i simpatizonte shumë dhe veprat letrare patriotike i çmoi mjaft dhe i shpërbleu, sikurse veproi me poemën “Lahuta e Malcís”. Pas propozimit të Hasan Riza pashës, Gjergj Fishta u dekorua me “Medaljen Mearif të Klasit të 2-të”.

    Dy muaj pas marrjes së detyrës, Hasan Rizai ndërmori strukturimin e mbrojtjes së Shkodrës në disa vende njëherësh. Në Shkodër arrinin sasi të mëdha telash me gjemba, ishte fortifikuar Taraboshi, kodrat përtej Kirit në Bardhaj; duke strukturuar dy breza mbrojtës: i vogli nga kodrat e qytetit dhe i madhi që përfshinte Taraboshin, kodrat e Bërdicës dhe të Vukatanës.

    Një muaj pas shpalljes së luftës nga Mali i Zi më 8 tetor 1913, anija malazeze Neptun u nis nga Virpazari me dy flamurë të mëdhenj, një të bardhë dhe një austro-hungarez, duke lundruar liqenit të Shkodrës për t’i dërguar një letër Hasan Rizait për ta bindur të dorëzohej. Pas kundërshtimit nga valiu, një tjetër dërgatë u përsërit më 6 dhjetor, duke marrë të njëjtën përgjigje. Pasi ushtritë osmane ishin mundur në frontet e Kirkilisë, Manasitirit dhe Lule Burgas, më 3 dhjetor jo shumë larg Stambollit, u nënshkrua armëpushimi i Çatallxhasë me Lidhjen Ballkanike. Marrëveshje kjo që pengonte Perandorinë Osmane që të dërgonte përforcime dhe furnizime në fortesat e rrethuara, njëra prej të cilave, ishte  Shkodra. Qëndresa në Shkodër vazhdoi, pavarësisht pakënaqësive në Stamboll ndaj mosbindjes së valiut.

    Në janar të  viti 1913 Hasan Riza Pasha kërkoi që të mobilizonte shqiptarët e jashtë rrethimit, shumica e të cilëve ishin katolikë që luftonin në krah të malazezve. Për të mbështetur osmanët, arqipeshkvi i Shkodrës, Jak Serreqi, kërkonte garanci personale nga valiu: që në kala me flamurin osman të ngrihej edhe flamuri shqiptar si shenjë e përpjekjes së autoriteteve osmane për Shqipërinë. Flamuri shqiptar do të ngrihej edhe në fortifikimet e Taraboshit, Bërdicës, Tepes dhe Bardhajve. Letrat e dërguara rrethinave, në Nënshat dhe në Kuvendin Françeskan të Rubikut, ku shërbente si famullitar Pal Dodaj shprehnin gatishmërinë e krahinës për t’iu bashkuar qëndrestarëve të fortesës, kur të ngrihej  flamuri shqiptar. Takimi që do të vuloste marrëveshjen mes autoriteteve ushtarake të qëndresës dhe klerit që fliste në emër të krahinës do të mbahej më 30 janar 1913.

    Hasan Rizai kishte edhe një plan të fshehtë, që ia kishte treguar oficerit të lartë të shtabit, nënmajorit, Abdurrahman Nafizit: “dhjetë ditë para se të mbaronin ushqimet, do t’i japim çdo ushtari racion të plotë për tri ditë me radhë që të ngopen mirë. Ditën e katërt do të çajmë në drejtim të Tivarit, midis Taraboshit dhe Bunës. Pastaj do të marshojmë drejt portit në Adriatik, 60 km larg. Do të formojmë një vijë mbrojtjeje brenda Malit të Zi, në kufirin me Austrinë, dhe do ta mbajmë si vijë derisa të mbarohen ushqimet. Pastaj do të kalojmë në Austri nga rrethanat.” Duke marrë në këtë mënyrë korpusin e ushtrisë osmane, duke lënë në rrethim redifët e drejtuar nga Esad pashë Toptani dhe një tratativë me klerin katolik, që fiset shqiptare që deri atëherë po luftonin për Malin e Zi, t’u ktheheshin kundër aleatëve të deriatëhershëm dhe t’u bashkoheshin qëndrestarëve.

    Plani i Hasan Riza Pashës, në bashkëpunim me arqipeshkvin e Shkodrës, ishte që e gjithë popullsia katolike do të hidhej në një kryengritje të përgjithshme anti malazeze. Sulmi do të niste në Zadrimë, në Nënshat. Më parë do të valëvitej mbi kala flamuri shqiptar.

    Këtu del në skenë sërish një nga figurat më të diskredituara në historinë e re të Shqipërisë, Esat Pashë Toptani. Ky ishte zëvendës i Hasan Rizait.  Më 30 janar 1913 Hasan Rizai dhe Esat Pasha diskutuan gjatë në shtëpinë e Toptanasit për çështjet e ditës. Në orën 18.45 teksa po kthehej në shtëpi në errësirën e natës, i dalin përpara tre të panjohur. Dy prej tyre e qëllojnë me revolver. Kryekomandanti i Shkodrës, Hasan Riza Pasha  dha shpirt mbas pesë orësh. Ai u varros të nesërmen, “ditë e xhuma” në varrezat e xhamisë së vjetër të Parrucës. Më pas varri i tij u zhvendos në varrezat myslimane të Komaneve dhe aktualisht në qendër të qytetit para gjimnazit “28 Nëntori”, dikur kazerma osmane e më pas kazerma “Teuta”, është ndërtuar një lapidar përkujtimor me një mbishkrim shqip dhe turqisht:

    “Lavdi Hasan Riza Pasha

    burrë si motit

    ushtar trim besnik

    komandant i ushtrive tona në Shkodër

    Shqipëria dhe shqiptarët

    nderojnë luftëtarin Hasan Riza Pasha”.

    Në Shkodër, por jo vetëm atje, të gjithë  ishin të bindur se vrasja e Hasan Riza Pashës ishte kurdisur nga Esat Pasha. Tre njerëz u përfolën asokohe, Osman Bali, njeri shumë i afërt i Toptanasit, një Mahmut nga Kavaja, që ka mbetur pa mbiemër dhe një farë Tefik edhe ky nga Shqipëria e Mesme. 13 vjet më vonë, më 8 shtator 1926, Osman Bali do të mbetej i vrarë, nga Lam Leka dhe Myslym Peza.

    Rrethimi i Shkodrës vazhdoi edhe për tre muaj të tjerë. Zyrtarisht Esat Pasha, që zëvendësoi Hasan Rizanë, shprehej për vazhdimin e qëndresës, por ndërkohë kishte nisur bisedimet me malazezët për dorëzimin e Shkodrës. Këta pranuan që ushtria osmane të largohej nga qyteti, me armët në krah, duke ruajtur kështu të paktën nderin ushtarak. Në 25 prill 1913, princi Danillo dhe shpura e tij u ngjitën në kështjellën e Rozafës. Këtu nisi të valonte flamuri malazez. Shkodranët e mposhtur nga gjylet, uria, tradhtia, shikojnë nga dritaret e shtëpive të tyre se si ushtarët e knjazit marshonin fitimtarë mbi kalldrëmin e tyre të vjetër. Shkodra kishte rënë.

    Në  raportet e jezuitëve për situatën në Shkodër ku kishin hyrë malazezët shkruan se ata e përzunë rojën, që tradicionalisht ruante pazarin, nuk shtinë më me top, sipas zakonit dhe i kthyen mbrapsht jevgjit që vraponin drejt qytetit, për të njoftuar të interesuarit.

    Është theksuar se ushtarët e Krajl Nikollës banë shkrumb e hi çka u përkiste shqiptarëve myslimanë kudo nga kalonin. Famullitarët bënë të ditur se në Pejë e Gjakovë donin t’i detyronin myslimanët që të bëheshin ortodoksë dhe, mbasi ata nuk u bindën, u masakruan me qindra dhe mijëra. Kush erdhi që andej tha se në ato anë nuk gjeje më asnjë mysliman të vetëm. Madje 850 familje katolike nga tmerri i kësaj kasaphaneje u bënë ortodoksë. Një familje e ardhur nga Bushati në fund të prillit tregoi se, kur serbët hynë në Bushat, në Shkjez e në Trush, u shtirën sikur nuk të dallonin mes katolikëve e myslimanëve, ndonëse katolikët dalloheshin nga kryqi që mbanin me vete si edhe nga kryqet dhe figurat e shenjta që mbanin nëpër shtëpia, por ata donin të vinin dorë mbi gjithçka, sikurse kundër myslimanë. Duke dashur të mbronin gratë e veta u vranë 32 burra. Nuk u lejuan të varrosen, por varrimi u krye  kur erdhi vetë personalisht Imzot Koleci, Ipeshkvi i Sapës. Serbët dogjën të gjitha shtëpitë e Bushatit. Numri i të vrarëve ishte me qindra.

    Hasan Riza Pasha dhe Gjergj Fishta

    Hasan Riza Pasha, vali e komandant i Shkodrës në periudhën 1911-13, megjithëse përfaqësues i Shtetit Osman, e çmoi shumë lart veprën e Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malcisë”. Kështu që, propozoi që atij t’i akordohej medalja “Mearif” e Sulltanit,   që gjithsesi ishte një mirënjohje me shumë vlerë që deri më sot, pothuajse nuk është përmendur fare.

    Një rast që shkëlqeu në madhështinë monumentale të Gjergj Fishtës, është koncepti i tij për  tolerancën  fetare në mes të krishterëve  dhe myslimanëve, gjë të cilën e ka kultivuar me shumë se kushdo tjetër duke e shprehur qoftë në veprën e tij letrare, qoftë në shkrimet teorike e publicistike. Toleranca ndër fetare komunitetesh të ndryshme me pjesëtarët e një fisi, të një gjuhe, të një historie, të një etnopsikologjie e një kolosi si ai, po veçmas të Shkodrës, ka qenë e një rëndësie të madhe për krijimin e një atmosfere mirëkuptimi dhe ndër komunikimi të një rrethi më të gjerë qytetarësh.

    Ishte propozimi i Hasan Riza Pashës, që Fishta ta përpilonte në gjuhën shqipe tekstin e një marshi që do ta këndonin ushtarët shqiptarë gjatë parakalimit. Rasti i parë ka të bëjë në raportet që kanë ndërtuar në mes tyre dy autoritete të Shkodrës: autorit të veprës “Lahuta e Malcisë” dhe valiut e komandantit të Shkodrës në periudhën 1911-1913, Hasan Riza Pashës. Hasan Riza Pasha, i shkolluar në akademinë ushtarake të Stambollit dhe i specializuar në Gjermani, pas shumë vend shërbimeve, më 1911 vjen në Shkodër si vali dhe komandant i ushtrisë osmane. Ai, e simpatizonte mjaft lëvizjen kombëtare shqiptare, bisedonte me anëtarët e Komitetit Shqiptar, apo me anëtarët e klubit “Gjuha Shqipe” të Shkodrës. I çmonte shumë veprat e letërsisë shqiptare, sidomos ato me frymë patriotike, siç ishte poema “Lahuta e Malcisë”.

    Hasan Riza Pasha kërkonte nga Stambolli  që shqiptarët t’i gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë e një kombi, madje i nxiste ata për këto ndjenja. Në një moment, i propozoi Fishtës që të përpilonte në gjuhën shqipe tekstin e një marshi që do ta këndonin ushtarët shqiptarë gjatë parakalimit. Fishta e përpiloi tekstin dhe Pasha, Hasan Riza ia shpërbleu njëqind fish tue ia pague, secilën strofë me nga një lirë ari të  kohës së Turqisë.

    Teksti i marshit:

    Prej kah len e sa merr hana,

    M’u çue shekulli kundra nesh,

    Djem kreshnikë na ban nana,

    Vetëm na iu dalim ndesh.

    Të parët tanë burra çelikut

    Bota mbarë sot i nderon

    Ata i binin ndesh armikut

    Si rrufeja kur veton…

    Në rivarrimin e eshtrave të Hasan Riza Pashës, megjithëse ishte mysliman, morën pjesë të gjithë shkodranët pa dallim feje, të krishterë e myslimanë. Në mes të tjerave fjalimin më elegant, më prekës, me ndjenja mirënjohje e me fjalë të zjarrta atdhetarie e mbajti At Gjergj Fishta. S’pyeti Shkodra a ishte mysliman apo i krishterë miku i Shqipërisë, strategu ushtarak osman, Hasan Riza Pasha.

    Në vitin  1936, sipas propozimit të kryetarit të bashkisë, Zenel Prodanit, eshtrat e Hasan Riza Pashës, të vrarë  pabesisht  më 1913, u rivarrosën në varrezat e Komaneve. Me këtë rast, Gjergj Fishta tha: “Hasan Riza Pasha do të kujtohet si atdhetari më i mirë për shpëtimin tonë nga kthetrat e malazezëve dhe që u ba fli prej atyne që nuk deshën shpëtimin e atdheut tonë, prandaj Hasan Riza Pasha meriton të kujtohet baras  me heronjtë e kombit shqiptar”. Fishta e ka shkruar edhe epitafin për Hasan Riza Pashën që është i gdhendur në gurin e varrit. Në atë epitaf shkruan “Gazi Hasan Riza Pasha, burrë si motit, ushtar trim, besnik, komandant i ushtrive Osmane në Shkodër, mik i Shqipnisë e i shqiptarëve. Ndërsa Lufta Ballkanike bindte botën me mbrojtje fisnike të kalasë së Rozafatit, në 30 kallnuer 1913 e vrau një dorë tradhtare, mizore. Mban këtë përmendore prej Bashkisë të Shkodrës. Shembull burrnije e për kohën t’ardhshme, ku  kje varrosë TRIMI”.

    Në mesin e këngëve të shumta që populli i ka kushtuar Hasan Riza Pashës, më e zgjedhura prej tyre, është kënga ku spikatet heroizmi i pashait në mbrojtje të Shkodrës, të cilën nuk e morën dot malazezët, serbët e rusët që luftonin nën komandën e Kral Nikollës, por e mori Evropa me bisedime, pasi paraprakisht Esat Pashë Toptani kishte vrarë Hasan Riza Pashën dhe ua kishte lëshuar shkodrën malazezëve.

    Kënga është epike heroike dhe ka një gradacion madhështor të këndimit si marsh ndër beteja

    Taraboshi, gropa gropa,

    Hasan Riza gjun me topa

    Taraboshi, brigje brigje

    Podgoricë o prite, prite!

    Dil  e digje, kalle kalle

    Karadak të çita fare!

    Tak e tuk po çet  petica

    Bajshin shkinat Kukavica,

    Shkoj Cetina, Podgorica,

    Na faroi ky, Hasan Riza.

    Na at Stamboll asht mbledhë Evropa,

    Per at luftë që e bani Shkodra

    S mujt me marrë ai  Kral Nikolla

    S mund e mori Kral Nikolla

    Me Myhyr e mur Evropa.

    Literatura:

    Baxhaku, Fatos, 1912-1913: Rrethimi i fundit i Shkodrës, gazeta Shqip, 18 gusht 2012.

    Bushati, Hamdi, “Shkodra dhe Motet”, Vëllimi I, Shkodër 2005.

    Parruca, Agim, “Shkodra bastion i qytetërimit shqiptar”, Tiranë 2003.

    Salleo, Ferdinando, “Shqipëria: gjashtë muaj mbretëri”, SHLK, Tiranë 2001.

    Bushati, Hamdi, “Shkodra dhe motet”, Shkodër, 1998:451-453.

    Zambaur, H., Rrethimi i Shkodrës-10 tetor 1912-22 prill 1913, Shkodër, Camaj-Pipa, 2006.

    Variant i këngës së Hasan Riza Pashës

    N at’ stamboll po knon Fermani

    E pushtoj Shqipninë Dushmani

    Kanë marrë vajin prej Stambolli

    Jau ka thanë një fjalë Sulltani,

    Kurrë s’ e merr Shqipninë Dushmani

    Jam kam que një rrem Dragoni

    Hasan Rizën Prej Stambolli,

    Hasan Rizën e kam çue ,

    100 tabore  mbas ja kam vnue

    100 tabore me 100 topa

    Cudë po bajshin, si po i mbanë toka

    Taraboshin e kane rrethue

    Rreth e me rreth me gryka t topit.

    Me 900 mijë po msyn dushmani

    900 mijë mija kanë dalë për fushë

    Tanë asqer në krah me pushkë

    Shkodres të mjerë ja kanë msye

    Shkodren  të mjerën  po donë me marrë.

    Kercet topi i Hasan Rizës’

    Kërcet topi kërcet mauzerja

    Paska mësye, Mali i ZI

    Vjen parija me një  mbret të ri

    Pritne në Shkodë po don me hy

    Me zaptue ket copë Shqipni,

    Kem dhanë besën domë  me u gri

    Kem dhanë besë për Shipni,

    S lamë anmik në Shkodë me hy.

    Donë me ba  shkrodër e  Shqipni

    Shah me kanë përmbi Krajli

    Shah me kanë përmbi dushman.

    Dul n Stamboll  i ri fermani.

    Ket luftë në Shkodër kush po e bani.

    Ket luftë në Shkodër kush e bani

    Hasan Riza prej Stambolli.

    6 muj ditë luftën s’e  ndali,

    Na u mbush Shkodra me gjak insani,

    Hasan Riza cka ka punue

    Taraboshin e ka rrethue

    Po jau lshojke top mauzere

    Bajshin shkinat kukulele,

    Bajshin  shkinat kakavica,

    Na faroi ai, Hasan Riza

    Mbaroj krejt Andrejeciva

    Derë me derë  tanë Podgorica.

    Hasan Riza koka ngushtue

    Tel ne Evropë ai  paska cue

    Mu ka sosë myhmati mu

    Mu ka sosë tanë xhemleki,

    Ndalë m i kanë skelet në deti,

    Kam me hangër bukë të asqerit

    Kurrë sa ia lshoj  Shkodën sllavenit.

    Se në Junan koka mbledhë Evropa

    Tanë ket luftë qi e bani shkodra

    S mund e mori Kral Nikolla

    Per gjashtë muj s ka mujte me marrë

    E mur  vendin kah e ka pasë

    N Guri të Shpumë e  deri në Tiranë

    N Kaçanik Grykës përpjetë,

    Shqipni asht kanë, Shqipni ka me mbete.

    Pëgatiti për botim, Ahmet Qeriqi

  • Trepça në duar të Osmanlive/ Mehmedi nga Përshefca, evidentuesi i të hyrave të Trepçës

    Trepça në duar të Osmanlive/ Mehmedi nga Përshefca, evidentuesi i të hyrave të Trepçës

    Mehmedi, djali i Hasanit nga Përshefca e kadillëkut të Kalkandeles (Tetovës), në vitin 1585 ishte evidentues kalhani* për të hyrat nga miniera e Trepçës dhe paguhej me mëditje prej 10 akçesh.Kështu thuhet në dokumentin e administratorit të nezaretit të Shkupit, dërguar Portës së Lartë.Në dokumentin që flet për mbledhjen gjashtëvjeçare të tatimeve nga minierat e Trepçës, jepen të dhëna për procedurën e mbledhjes së tatimeve, për kompetencat e kadive lokalë dhe të administratorëve të nezaretit të Shkupit.Në shekullin XVI gjejmë pak të dhëna për shfrytëzimin e minierave të Trepçës nga Perandoria Osmane.E dhëna e vitit 1585 është botuar në një punim të R. Murphyt, i cili flet për prodhimin e argjendit në Rumeli, rreth vitit 1600 (Shih: R. Murphy, “Silver Production in Rumelia According to an official Ottoman Report Circa 1600”, Südost – Forschungen, XXXIX, 1980).Dokumenti konsiderohet i rëndësishëm, sepse rrëzon stereotipat për rënien e xehetarisë në periudhën e Perandorisë Osmane (Shih: Srxhan Katiq, “Закуп рудника и хасова Трепче”, 1585, Miscellanea, XXXI, Beograd, 2010, f. 110).Në shekullin XVI në Trepçë si tatime mblidheshin 6144 kg argjend të pastër.Trepça (Tirebçe, Tirepça) është ndër minierat e para që ra në duart e Perandorisë Osmane dhe vlerësohej si ndër më të rëndësishmet.Trepça shënohej si emanet dhe mukat, kurse në vitin 1585 administrohej nga Kara Abdulhalimi. (Shih: Nenad Filipoviq, “Rudnici i kovnice novca krajem XIV i u prvoj polovini XVII veka”, Balcanica, XX, 1989, f.251-252)Shënime:*Kalhana (turq: kal, pers: hâne) – vend i pastrimi ku fitohej argjendi i pastër.**Nezareti i Shkupit gjatë kohë ishte institucioni me të hyrat më të mëdha shtetërore në Perandorinë Osmane. Ka pak të dhëna për strukturën organizative dhe kompetencat që kishte.cMehmedi nga Përshevca në një dokument të vitit 1585.Arkivi-Historia