FOTO ILUSTRUESE
RUSI- Autoritetet ruse kanë shpallur të paligjshme organizatën “Human Rights Watch”. Përfaqësuesit rusë janë shprehur se grupi ndërkombëtar për të drejtat e njeriut duhet të ndalojë të gjitha aktivitetet në Rusi. Po ashtu, masa të rrepta deri në ndjekje penale do të ketë edhe për ata që bashkëpunojnë ose mbështesin organizatën. Mediat ndërkombëtare e kanë cilësuar vendimin e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Rusisë këtë lëvizje të radhës si shtypje ndaj kritikëve të Kremlinit, gazetarëve dhe aktivistëve, që nga nisja e sulmeve ruse në Ukrainë në shkurt 2022.
Lista ruse e “organizatave të paligjshme” aktualisht përfshin më shumë se 275 entitete, përfshirë media të pavarura dhe grupe të drejtat e njeriut. Midis tyre janë organizata të njohura mediatike si “Radio Free Europe”, grupi anti-korrupsion “Transparency International” dhe organizata e mbrojtjes së mjedisit WWF.
Human Rights Watch është themeluar në vitin 1978, e cila monitoron dhe heton shkeljet e të drejtave të njeriut në vende të ndryshme të botës. Grupi ka qenë i hapur në kundërshtimin e tij ndaj pushtimit rus të Ukrainës dhe së fundmi publikoi një hetim mbi përdorimin e dronëve nga forcat ruse për të vrarë qëllimisht civilët që jetojnë në rajonin e Khersonit në Ukrainë./ZËRI





