Tag: organizatat

  • Berisha akuzon: SPAK po mbron organizatat kriminale të Suel Çelës dhe Altin Troplinit

    Berisha akuzon: SPAK po mbron organizatat kriminale të Suel Çelës dhe Altin Troplinit

    Kreu i PD, Sali Berisha nuk i kursu as sot akuzat ndaj Prokuorisë së Posaçme.
    Sipas tij SPAK-u jo vetëm që nuk heton, por kanë gjetur mënyrën se si të mbrojnë kartelet e drogës dhe organizatat kriminale.
    Teksa foli me emra për bandat kriminale, ai tha se Çopjes, bashkëpunëtorit të Suel Çelës, i kanë gjetur 3 milionë euro nga Dubai në bankat europiane, ndërsa SPAK pretendon se nuk ka prova.
    Berisha rikonfirmoi edhe një herë etiketimin e tij se “SPAK-u është një organizatë kriminale në duart e Edi Ramës”.
    “Kjo është si puna e cigareve të Ergys Agasit. Çopjes, bashkëpunëtorit të Suel Çelës, i kanë gjetur 3 milionë euro nga Dubai në bankat europiane. E ka zënë nga investimet në jug. Altin Troplini është thjesht bashkëpunëtori i këtyre organizatave, që detyrohet të ndërhyjë vetëm kur vijnë dosje nga jashtë.
    A e konstatoni ju, të nderuar gazetarë dhe qytetarë se, kjo Prokurori nuk vepron kurrë kundër kartele të drogës dhe organizatave kriminale, në qoftë se një shtet nuk sjell dosje. A doni t’ua jap të gjitha me fakte? Për Altin Troplinin, krimi i organizuar nuk ekziston. Organizatat kriminale nuk ekzistojnë, kartelet e drogës nuk ekzistojnë.
    Sjellin vendet partnere rregjistrime për x, y dhe merren me të. Po paratë e Arkend Ballës? 2 mln euro. Një rrogëtari në një universitet, që të gjitha nga firma e ortakut në Vlorë, të anëtarit të kartelit në Vlorë, Nexhmi Danaj, vëllait i ish-kryetarit të qarkut, ku ishte menaxher ky.
    Këta jo vetëm që nuk hetojnë, po kanë gjetur një mënyrë se si të mbrojnë kartelet e drogës dhe organizatat kriminale.
    Bosin, koordinatorin e tyre e marrin gjoja, shkojnë e i sekuestrojnë makina që thuhet se ishin të Elvis Doçit, të Troplinëve. Hajt ta themi se nuk kanë qenë, se nuk mund të flas tani për pronësinë e tyre. Ky paska qenë krimi i tij. Skapi është një organizatë kriminale në duart e partisë së krimit, zotëri. Kaq është e vërteta”, tha Berisha.
     

  • “Rama po shpërblen krimin”, Saraçi paralajmëron: Pastrimi i parave në Shqipëri rrezikon tregun europian, veçanërisht…

    “Rama po shpërblen krimin”, Saraçi paralajmëron: Pastrimi i parave në Shqipëri rrezikon tregun europian, veçanërisht…

    I ftuar në një emision televiziv, theksoi se në qendër të skemës së pastrimit të parave në Shqipëri nuk janë më organizatat kriminale, por vetë Edi Rama.
    Saraçi shprehet se, përmes lejeve të ndërtimit të dhëna personave pa kapacitet financiar dhe me lidhje të dyshuara me krimin, qeveria po u krijon organizatave kriminale një rrugë të sigurt për të futur paratë e pista në ekonomi. Ai theksoi se ky fenomen nuk po dëmton vetëm ekonominë shqiptare, por po shndërrohet në kërcënim për tregun e përbashkët europian, përfshirë Gjermaninë, ku ndikimi i konkurrencës së pandershme tashmë ndihet.
    Saraçi e cilësoi këtë situatë si një “amnisti fiskale e heshtur” që, sipas tij, ishte premtuar paraprakisht për botën e krimit nga vetë kreu i qeverisë.

    Ai artikull, më shumë sesa për interesin e opinionit publik shqiptar, është edhe për interesin publik gjerman. Kjo sepse pastrimi i parave në Shqipëri jo vetëm që po shkatërron ekonominë shqiptare, por po kthehet në një problem real edhe për ekonominë e Bashkimit Evropian. Paratë e krimit, pasi pastrohen në Shqipëri, kanalizohen sërish jashtë vendit, duke dëmtuar konkurrencën e ndershme përfshirë edhe në Gjermani.
    Ajo që po ndodh në Shqipëri nuk kemi pse ta mësojmë nga mediat e huaja e shohim çdo ditë me sytë tanë, edhe pse mediat shqiptare nuk e pasqyrojnë. Po ndodh një shpërblim i hapur që Edi Rama po u bën organizatave kriminale përmes dhënies së lejeve të ndërtimit.
    Dikur deshi të miratonte amnistinë fiskale një nismë që u ndalua me forcë nga BE-ja. Por kjo që po ndodh tani është pikërisht ajo amnisti fiskale e heshtur, e premtuar paraprakisht për organizatat kriminale.
    Atje ku jepen leje për ndërtim kullash, janë vetëm 2-3 kompani që mund të justifikojnë realisht vlerën e investimit. Ndërkohë, 90% e lejeve jepen për kompani apo individë që nuk kanë as kapitalin minimal për të ndërtuar një kullë.
    Por a është individi që merr lejen ai që po ndërton vërtet? Apo është organizata kriminale ajo që qëndron pas? Në të vërtetë, ajo leje është thjesht një pikë e vendosur nga Edi Rama. Më pas, kompanitë që bashkëpunojnë me organizatat kriminale u tregojnë pikërisht këtë “pikë” si vendin ku të fusin paratë e pista.
    Skema nuk funksionon thjesht si pastrim i parave nga organizatat në qendër të saj është vetë Edi Rama.

  • Organizatat për lirinë e medias mbështesin aktivisten Flutura Kusari

    Organizatat për lirinë e medias mbështesin aktivisten Flutura Kusari

    Flutura Kusari

    PRISHTINË- Flutura Kusari, këshilltare e lartë ligjore në Qendrën Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias (ECPMF), bëri të ditur të premten se kishte nisur një përballje ligjore ndaj Mentor Llugaliut pas ngacmimeve të vijueshme online ndaj saj, të nxitura nga puna e saj në monitorimin e zgjedhjes së bordit të Radio Televizionit të Kosovës, ku Llugaliu kandidoi për t’u bërë anëtar. Organizatat për lirinë e medias, pjesë e Media Freedom Rapid Response dhe Platformës së Këshillit të Europës për Sigurinë e Gazetarëve, u pozicionuan në mbështetje të Kusarit dhe betejës ligjore të nisur prej saj me anë të një deklarate të përbashkët të publikuar të premten.
    “Ne i bëjmë thirrje Prokurorisë Themelore në Prishtinë që të ndërmarrë dhe garantojë hetim të shpejtë, të paanshëm dhe të plotë të këtij rasti,”-thuhet në deklaratë, ku kërkohet nga prokurorët e çështjes që të “garantojnë një hetim të shpejtë dhe të paanshëm të këtij rasti”.
    “Si një rast thelbësor në luftën kundër ngacmimit online ndaj mbrojtësve të fjalës së lirë, sidomos atyre gra, ne organizatat ndërkombëtare që e kemi nënshkruar këtë letër do të monitorojmë nga afër këtë rast. Shpresojmë që kallëzimi penal do të çojë në një rezultat që do të shënojë një hap të rëndësishëm në luftën kundër abuzimit online të grave,”- theksohet në deklaratën e përbashkët të organizatave.
    Ngacmimet nëpërmjet profileve publike në rrjete sociale të Llugaliut kanë nisur që në vitin 2021, kohë kur Kusari, në emër të ECPMF-së, kishte monitoruar procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të bordit të Transmetuesit Publik të Kosovës, RTK, nga Kuvendi i Kosovës, duke mbështetur dhe avokuar për përzgjedhjen e anëtarëve të pavarur politikisht.
    Llugaliu, i cili njihet si mbështetës i Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet në Kosovë, kandidonte për anëtar bordi në atë kohë, por kandidatura e tij nuk fitoi. Por, edhe pse Kusari nuk e ka përmendur ndonjëherë të paditurin Llugaliu me emër, në bazë të postimeve të tij, ai e fajëson atë për dështimin e tij që të bëhej anëtar i bordit.
    Ngacmimi i tij ndaj Kusarit ka zgjatur për tre vjet dhe gjatë kësaj periudhe në llogarinë e tij në Facebook janë publikuar të paktën 101 postime, të cilat tërhoqën vëmendje të gjerë publike, duke mbledhur mbi 42,000 pëlqime, 700 shpërndarje dhe 2,200 komente.
    “Për tre vite kam hezituar të ushtroj kallëzim penal, sepse vepra penale e ngacmimit është e re dhe sepse jam frikësuar që kallëzimi penal do ta nxisë të pandehurin Llugaliu që të më ngacmojë edhe më shumë. Kam vendosur të filloj procedurën penale kundër tij, pasi ai filloi të targetojë nënën dhe bashkëshortin tim. Ata nuk duhet të pagujnë çmim për aktivizmin tim,” shkroi Kusari në një postim të premten në profilin e saj në Facebook.
    Organizatat konstatojnë se shumë nga postimet e Llugaliut janë poshtëruese dhe nxitëse, duke e targetuar vazhdimisht Kusarin dhe duke e akuzuar për ndikim në vendime politike dhe se postimet janë të shoqëruara me gjuhë denigruese ndaj saj, duke shkaktuar shqetësim të thellë për Kusarin dhe familjen e saj.
    Ngacmimi është përshkallëzuar më tej kur ai filloi të shënjestrojë anëtarët e familjes së saj, përfshirë bashkëshortin dhe nënën e saj, me një koment veçanërisht shqetësues me përmbajtje të natyrës seksuale. Në mars të këtij viti, Kusari ka ushtruar pranë Prokurorisë Themelore në Prishtinë kallëzim penal kundër të pandehurit Mentor Llugaliu, duke e akuzuar atë për ngacmim dhe frikësim sistematik ndaj saj dhe familjes së saj. Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) që e ka ndihmuar Kusarin për përgatitjen e kallëzimit penal kundër të pandehurit Llugaliu e cilëson këtë një vepër penale dhe një nga rastet më të rënda dhe më të mëdha të ngacmimit online ndaj një aktivisteje grua në Kosovë.
    Organizatat nënshkruese të letrës mbështetëse:
    Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias (ECPMF)
    Free Press Unlimited (FPU)
    Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI)
    Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa (OBCT)
    ARTICLE 19 Europe
    Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ)
    Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ)
    PEN International
    Index on Censorship
    Reporterët pa Kufij (RSF)
    Shoqata e Gazetarëve Evropianë (AEJ)
    Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ)
    Justice for Journalists Foundation/BIRN

  • SYRI TV/ Vetëvrasja e emigrantit pas qëndrimit në Gjadër, aktivistët protestë simbolike para kampit

    SYRI TV/ Vetëvrasja e emigrantit pas qëndrimit në Gjadër, aktivistët protestë simbolike para kampit

    Organizatat dhe aktivistët për të drejtat e refugjatëve protestuan për vetëvrasjen e emigrantit maroken në Itali, pas më shumë se një muaji qëndrim në kampin e Gjadrit në Lezhë.

    Aktivistët zhvilluan homazhe për të ndjerin në ambientet e kampit, teksa denoncuan kushtet çnjerëzore në të cilat mbahen emigrantët. Ata bënë thirrje për hetim të pavarur për rastin e 42-vjeçarit, ndërsa denoncuan raste të tjera incidentesh që po ndodhin çdo ditë brenda kësaj strukture.

    Vetëvrasja e një emigranti maroken në Itali, pas më shumë se një muaji qëndrimi në kampin e Gjadrit në Lezhë, ka shkaktuar reagime të forta nga organizatat dhe aktivistët për të drejtat e refugjatëve. Të prekur nga ky rast, aktivistë shqiptarë dhe të huaj u mblodhën përpara ambienteve të kampit, ku zhvilluan homazhe për të ndjerin dhe një protestë simbolike për të denoncuar kushtet çnjerëzore në të cilat, sipas tyre, mbahen emigrantët. Aktivistët kërkuan hetim të pavarur për rastin e 42-vjeçarit që i dha fund jetës, ndërsa denoncuan raste të tjera incidentesh që po ndodhin çdo ditë brenda kësaj strukture.

    Ngjarja ka risjellë në vëmendje shqetësimet e shprehura më herët nga organizatat ndërkombëtare mbi menaxhimin e refugjatëve në Shqipëri. Fillimisht, kampi i Gjadrit ishte projektuar si një qendër pritjeje për azilkërkuesit e shpëtuar në det, për një periudhë deri në 28 ditë, por me dekretin e ri të qeverisë italiane të drejtuar nga Giorgia Meloni, funksioni i kësaj qendre është zgjeruar. Ajo po shërben edhe si qendër për emigrantët të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil dhe që pritet të deportohen në vendet e tyre të origjinës.

     

  • Kaos në Rafah, turmat “pushtojnë” pikën e grumbullimit dhe shpërndarjes së ndihmave ushqimore

    Kaos në Rafah, turmat “pushtojnë” pikën e grumbullimit dhe shpërndarjes së ndihmave ushqimore

    Mijëra palestinezë u dyndën në një pikë shpërndarjeje të ndihmave humanitare të ngritur nga Fondacioni Humanitar i Gazës, një grup i mbështetur nga SHBA dhe Izraeli.

    Ky veprim erdhi vetëm një ditë pas fillimit të operacioneve në qytetin jugor Rafah. Aty u krijua një skenë kaotike me turma të dëshpëruara që thyenin gardhet dhe përpiqeshin të merrnin ndihma.
    GHF, i cili përdor kontraktorë të armatosur amerikanë për siguri, synon të anashkalojë sistemin tradicional të OKB-së për shpërndarjen e ndihmës, duke u përballur kështu me kritika të forta nga Kombet e Bashkuara dhe organizatat ndërkombëtare të ndihmës.
    Ushtria izraelite konfirmoi se trupat qëlluan “të shtëna paralajmëruese” për të kontrolluar situatën, ndërsa dëshmitarët lokalë raportuan se shpërndarja e ndihmave shpejt u kthye në një përplasje kaotike, ku njerëzit luftonin për ushqim.
    GHF thotë se ka shpërndarë mbi 460,000 vakte përmes partneriteteve me OJQ lokale, dhe se qëllimi i tyre është të ushqejnë 1 milion njerëz brenda javës. Megjithatë, organizatat ndërkombëtare e kanë akuzuar grupin se po politizon ndihmën dhe po rrezikon sigurinë e civilëve.

    Top Channel

  • Britanikët paralajmërojnë për një fushatë kibernetike ruse që synon organizatat të cilat mbështetin Ukrainën

    Britanikët paralajmërojnë për një fushatë kibernetike ruse që synon organizatat të cilat mbështetin Ukrainën

    Në një paralajmërim të përbashkët të publikuar të mërkurën, Britania e Madhe dhe aleatët e saj perëndimorë, përfshirë SHBA-në, Gjermaninë dhe Francën, kanë denoncuar një fushatë të gjerë dhe të koordinuar kibernetike që i atribuohet shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse, GRU.

    Sipas autoriteteve, kjo fushatë synon organizatat që luajnë një rol kyç në mbështetjen e Ukrainës, përfshirë sektorët humanitarë, teknologjikë dhe ata të infrastrukturës kritike.

    Drejtori i operacioneve në Qendrën Kombëtare të Sigurisë Kibernetike të Mbretërisë së Bashkuar (NCSC), Paul Chichester, deklaroi:

    “Kjo fushatë keqdashëse nga Rusia përbën një rrezik serioz për organizatat që mbështesin Ukrainën.”

    Sipas NCSC, objektiv i sulmeve kanë qenë jo vetëm aktorë që ofrojnë ndihmë teknike dhe humanitare, por edhe infrastruktura kritike në fushat e mbrojtjes, transportit detar dhe ajror. Sulmet kanë synuar gjithashtu sistemet e menaxhimit të trafikut ajror dhe portet në një numër të konsiderueshëm vendesh anëtare të NATO-s.

    Në kuadër të këtij paralajmërimi, autoritetet kanë publikuar edhe një dokument teknik të detajuar që përmban informacione mbi mënyrat e identifikimit dhe parandalimit të sulmeve të tilla.

    Organizatat e ndihmuara janë këshilluar që të shqyrtojnë me kujdes udhëzimet e sigurisë dhe të marrin masa të menjëhershme për të forcuar mbrojtjen e infrastrukturës së tyre dixhitale. Syri.net-Kathimerini

  • Zgjedhjet/ Raporti i KShH dhe ISP: Shqetësime për heshtjen zgjedhore, presionin dhe numërimin

    Zgjedhjet/ Raporti i KShH dhe ISP: Shqetësime për heshtjen zgjedhore, presionin dhe numërimin

    Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), Instituti i Studimeve Politike (ISP) dhe Qëndresa Qytetare (QQ) kanë publikuar një deklaratë të përbashkët me gjetjet dhe konkluzionet paraprake nga monitorimi i zgjedhjeve parlamentare të zhvilluara dje, më 11 Maj 2025. Raporti paraprak vjen ndërkohë që procesi i numërimit të votave është duke u zhvilluar në qendrat e numërimit.
    Me një ekip prej 60 vëzhguesish, organizatat monitoruan procesin parazgjedhor, heshtjen zgjedhore, ditën e votimit në 163 Qendra Votimi në 17 bashki, si dhe nisjen e procesit të numërimit në 36 Vende Numërimi Votash (VNV). ISP monitoroi veçanërisht raportimet mediatike dhe aktet e subjekteve elektorale.
    Sipas vlerësimit të përgjithshëm, dita e zgjedhjeve e 11 Majit shfaqi “të njëjtin trend të disa zgjedhjeve të fundit në Shqipëri, kryesisht një klimë e qetë dhe pjesëmarrje të pjesës aktive qytetare, mbulim të gjerë mediatik dhe prani të zgjeruar të partive politike dhe kandidatëve”. Organizatat vlerësuan gjithashtu “mesazhe sensibilizuese për pjesëmarrje dhe administrim aktiv nga KQZ për problematikat e shfaqura”.
    Megjithatë, raporti paraprak evidenton edhe një sërë shqetësimesh dhe problematikash kryesore:
    Heshtja Zgjedhore: Vëzhguesit konstatuan raste të mos respektimit të heshtjes zgjedhore para ditës së votimit (postime online, materiale propagandistike, zyra elektorale të mbajtura hapur). Gjithashtu, në ditën e votimit, përfaqësues të partive/kandidatë bënë deklarata që, megjithëse nxisnin pjesëmarrjen, përmbanin “mesazhe politike propaganduese”. Organizatat vlerësojnë se KQZ duhet të shqyrtonte në kohë denoncimet dhe të vendoste masat administrative.
    Klima dhe Rendi Publik: Dita e votimit shënoi “disa incidente të panevojshme, që reflektojnë më shumë tensionet, keqkuptimet dhe mosbesimin midis palëve politike”, megjithëse nuk u shënuan incidente të rënda si në të kaluarën. Në disa Qendra Votimi, atmosfera mes komisionerëve dhe vëzhguesve partiakë ishte tejet e polarizuar, duke çuar në debate, pezullim procesi apo thirrje të policisë. Pati sinjalizime për abuzime dhe intimidim në disa bashki (Lushnje, Tiranë pranë “Petro Ninit”, Pogradec, Vorë etj.). Organizatat kritikojnë format e reagimit të përfaqësuesve politikë me elementë të marrjes përsipër të funksioneve policore/të drejtësisë, duke e cilësuar këtë si “të papranueshme në një shtet të së drejtës”. Ata vlerësojnë se Prokuroria duhet të merrte një rol pro-aktiv në verifikim dhe hetim, duke kërkuar “hetime dhe vendimmarrje ligjore objektive, të pavarura” për të gjithë të përfshirët, pavarësisht statusit.
    Ndërgjegjësimi i Zgjedhësve dhe Pjesëmarrja: Një problem i vërejtur ishte mungesa e ndërgjegjësimit të zgjedhësve për vendin e tyre në listë dhe mënyrën e saktë të votimit. Pjesëmarrja zyrtare brenda vendit, 42%, shënoi një rënie krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021. Organizatat vlerësojnë se fushata elektorale, e karakterizuar nga “një gjuhë e ashpër denigruese midis liderave partiakë dhe kandidatëve garues, me elementë të urrejtjes”, ndikoi në “përkeqësimin e klimës së mosbesimit të qytetarëve tek zgjedhjet”.
    Procesi i Votimit: Përgatitja dhe hapja e QV-ve në përgjithësi ishte e rregullt, por u konstatuan probleme si mungesa e energjisë, vështirësi me kamerat/regjistrimin, mungesa/vonesa komisionerësh, probleme teknike me pajisjet PEI (ndonëse shpesh zgjidheshin). Probleme sistemike të përsëritura përfshijnë votimin familjar dhe mos respektimin e procedurave për ndihmën ndaj votuesve me aftësi të veçanta. U raportuan raste të fotografimit të votës dhe qasje jo të unifikuar të komisionerëve ndaj sjelljes së celularëve/çantave në dhomën e fshehtë.
    Personat e Paautorizuar dhe Sjellja e Vëzhguesve Partiakë: Me shqetësim u vërejt prezenca e personave të paautorizuar brenda perimetrit 150m të QV-ve dhe sjellje të papërshtatshme me elementë diktues dhe potencialisht intimidues nga vëzhguesit partiakë. Në Durrës, vëzhgues partiakë shoqëronin zgjedhësit, u jepnin udhëzime dhe merrnin role të komisionerëve. U shënua prani e lartë personash në perimetrin e jashtëm, përfshirë një person të armatosur në një rast. Organizatat vlerësojnë si “veçanërisht shqetësuese” “bashkëpunimin e vazhdueshëm me Komisionerët, për të parë nëse individë të caktuar kanë shkuar për të votuar apo jo”, duke kërkuar “depolitizimin e të gjitha organeve të administrimit zgjedhor”.
    Monitorimi në IEVP: Procesi i votimit në 3 Institucione të Ekzekutimit të Vendimeve Penale u zhvillua në përgjithësi rregullisht dhe në qetësi. Megjithatë, pati ankesa për pamundësi votimi për shkak të mungesës së kartave të identitetit dhe raste sporadike të perceptimeve për ndikim mes të dënuarve.
    Numërimi i Votave: Procesi i numërimit, i cili po monitorohet pjesërisht, ka paraqitur “problematika të përsëritura” si debate sporadike dhe zëvendësime numëruesish. Shqetësim mbetet “fenomeni i trajnimit të anëtarëve të Grupeve të Numërimit, përpara fillimit të procesit”, si dhe mungesa e procesverbaleve të hapjes/mbylljes së votimit, duke shkaktuar vonesa në nisjen e numërimit.
    Veprat Penale Zgjedhore: Vazhduan denoncimet për shitblerjen e votës, duke theksuar se angazhimi solemn i kryetarëve të partive mbetet formal dhe fenomeni nuk dënohet seriozisht publikisht. Raporti sjell shifra mbi kallëzimet penale të paraqitura në prokuroritë e përgjithshme dhe SPAK, duke vënë në dukje numrin e ulët të denoncimeve nga qytetarët dhe duke kërkuar pro-aktivitet më të lartë nga prokuroria. Vlerësohet si pozitiv trendi rritës i materialeve kallëzuese, por theksohet nevoja për hetime “pro aktive, të plota e të gjithëanshme, objektive dhe jo selektive” për ndëshkim efektiv dhe parandalim të krimeve zgjedhore.
    Në përmbledhje, raporti paraprak i KShH, ISP dhe QQ përshkruan një ditë zgjedhjesh relativisht të qetë në sipërfaqe, por me shqetësime të thella strukturore dhe incidente specifike që lidhen me respektimin e standardeve, presionin ndaj votuesve dhe integritetin e administrimit të procesit. Një raport final me vlerësime të plota pritet të publikohet në vijim.

  • Berisha: Organizatat kriminale që po angazhohen në krimin zgjedhor do t’i shpallim organizata terroriste!

    Berisha: Organizatat kriminale që po angazhohen në krimin zgjedhor do t’i shpallim organizata terroriste!

    Kryedemokrati, Sali Berisha është shprehur se në zgjedhje të lira, fitimar absolut është PD, gjë të cilën sipas tij e tregojnë edhe sondazhet.Ai deklaroi se kanë dorëzuar emrat e atyre që po kryejnë krime zgjedhore dhe tha se organizatat kriminale që kryejnë këto krime do të shpallen terroriste në Shqipëri dhe në arenën ndërkombëtare.
    “Ne kemi dorëzuar emër e mbiemër të të gjithë atyre që po kryejnë krime zgjedhore. Garantojmë se krimi zgjedhor do të quhet krim i rëndë. Është zotim solemn elektoral dhe se organizatat kriminale që po angazhohen në krimin zgjedhor do të bëjmë gjithçka për ti shpallur organizata terroriste jo vetëm Shqipëria, por edhe faktori ndërkombëtar.Donald Trump ia hapi derën kësaj procedure dhe me një urdhër të veçantë i shpalli organizata terroriste kartelet e drogës. Ne do i shpallim organizata terroriste dhe do të lobojmë që të quhen të tilla edhe në arenën ndërkombëtare”, tha kreu i PD-së.

  • “Zgjedhjet po i vëzhgon krejt Europa”, Berisha: Organizatat kriminale që po kryejnë krime zgjedhore do t’i shpallim organizata terroriste

    “Zgjedhjet po i vëzhgon krejt Europa”, Berisha: Organizatat kriminale që po kryejnë krime zgjedhore do t’i shpallim organizata terroriste

    “Organizatat kriminale që po kryejnë krime zgjedhore do t’i shpallim organizata terroriste”, u shpreh kryedemokrati Sali Berisha gjatë takimit me gazetarët.

    Zgjedhjet e 11 majit po i vëzhgon e gjithë Europa tha Berisha, i cili shtoi se delegacione nga më të rëndësishme të OSBE-së vizituan Shqipërinë pikërisht për zgjedhjet.
    Berisha: Po vazhdon çdo orë, çdo ditë. Mund të ju them ju se kurrë ndonjëherë në historinë e këtij vendi nuk janë mbajtur dy hiring ndërkombëtar për zgjedhjet në Shqipëri, siç ndodhi javën e kaluar në Këshillin e Europës dhe Parlamentin Europian, çka do të thotë se nuk ka më sy të mbyllur, por janë të hapur katërcipërisht dhe prozhektorët, jo vetëm tonë, por edhe të Europës dhe miqve tanë kudo, janë të përqendruar në këtë proces zgjedhor.
    Delegacione nga më të rëndësishme të OSBE-së vizituan Shqipërinë pikërisht për zgjedhjet. Ne kemi dorëzuar emër e mbiemër të të gjitha atyre që po kryejnë krime zgjedhore, por ne i garantojmë se krimi zgjedhor do të quhet krim i rëndë, do të kualifikohet krim i rëndë dhe ky është zotim solemn elektoral dhe se, organizatat kriminale që po angazhohen në krimin zgjedhor, do të bëjmë gjithçka për ti shpallur, organizata terroriste, jo vetëm Shqipëria, por edhe faktori ndërkombëtar.
    Presidenti Donald Trump e hapi derën kësaj procedure dhe ai me një urdhër të veçantë shpalli kartelet e drogës, organizata terroriste. Ne do i shpallim organizata terroriste dhe do lobojmë shumë në Europë dhe SHBA që këto të konsiderohen të tilla edhe nga mbarë faktori ndërkombëtar. Ne bëjmë gjithçka që shqiptarët të votojnë të lirë dhe po bëjmë gjënë e duhur.

    Top Channel

  • ‘Agjentët e huaj’/ Sllovakia po përballet me protesta të reja për projektligjin e ‘stilit rus’

    Mijëra sllovakë marshuan në Bratislavë dhe Kosice për të protestuar ndaj një amendamenti të projektligjit të qeverisë për OJQ-të ,që ata e kanë krahasuar me ligjin e agjentëve të huaj të Rusisë.

    Nëse miratohet, amendamenti do t’i klasifikonte organizatat joqeveritare (OJQ) që ndikojnë drejtpërdrejt ose indirekt te politikanët si lobistë, dhe do t’u kërkonte atyre të përgatisin një raport transparence që zbulon informacione se kush i ka dhënë atyre më shumë se 5,000 euro në vit.

    Protestat e mëtejshme në më shumë se 30 qytete sllovake – si dhe në Londër, Madrid dhe Kopenhagë – janë planifikuar për të premten.

    Zbatimi i këtij legjislacioni është pjesë e përpjekjes së gjatë të kryeministrit sllovak Robert Fico për të vënë nën këmbë OJQ-të dhe mediat e pavarura.

    Në vitin 2023, Fico u zotua t’i jepte fund ‘supremacisë së OJQ-ve’ në Sllovaki, duke futur një ligj që do t’i etiketonte ata si agjentë të huaj nëse financohen nga jashtë. Amendamenti është aktualisht në lexim të dytë në legjislaturën e Bratislavës.

    Kjo nuk shkoi mirë me Komisionin Evropian, i cili paralajmëroi Sllovakinë në raportin e saj të Sundimit të Ligjit për vitin 2024, se nëse qeveria ecën përpara me projektligjin origjinal, BE-ja do të ndërmarrë veprime të menjëhershme ligjore.

    Shumë OJQ dhe organizata të të drejtave të njeriut, duke përfshirë Amnesty International, e kanë dënuar projektligjin.

    Lucia Stasselová nga iniciativa Paqe për Ukrainën, e cila organizon protesta në të gjithë vendin, e quajti legjislacionin “një mjet për të çmontuar në mënyrë sistematike shoqërinë civile”.

    “Ky ligj është kopjuar nga Rusia, ku legjislacioni i ngjashëm është përdorur për të shkatërruar organizata të pavarura, për të burgosur figura të opozitës, për të heshtur mediat dhe për të imponuar represion. Ne refuzojmë të lejojmë Sllovakinë të ndjekë këtë rrugë,” tha ajo.

    Fico tha se respekton të drejtën e njerëzve për të protestuar, por hodhi poshtë krahasimin me projektligjin e agjentëve të huaj rus.

    “Projektligji në lidhje me organizatat joqeveritare nuk ka të bëjë me legjislacionin rus, amerikan apo izraelit”, tha Fico pas një takimi të qeverisë të mërkurën, duke shtuar se është një “ligj europian që është konsultuar”.

    “Atyre u kanë mbaruar gjërat për të protestuar, kështu që tani ata thjesht po sajojnë një gënjeshtër tjetër,” shtoi ai.

    Stasselová tha se aspekti më i rrezikshëm i ligjit, është se ai diskrediton OJQ-të që marrin fonde të huaja në sytë e publikut.

    “Ai stigmatizon dhe kriminalizon OJQ-të që marrin fonde të huaja, edhe nëse fondet vijnë nga BE ose grante që mbështesin arsimin, mbrojtjen e mjedisit ose përpjekjet kundër korrupsionit,” tha ajo.

    “Qeveria do të fitonte autoritetin për të ndërhyrë në operacionet e tyre, për të vendosur gjoba apo edhe për t’i mbyllur ato,” shtoi ajo.

    Fjalët e saj u bënë jehonë nga deputeti Ondrej Dostál nga partia e qendrës së djathtë Liria dhe Solidariteti. “Është një përpjekje për të etiketuar organizatat joqeveritare dhe për t’u dhënë atyre një konotacion negativ … Autorët e projektligjit e kuptuan se propozimi origjinal nuk do të përputhej me ligjin e BE … kështu që ata gjetën një mënyrë tjetër për të diskredituar organizatat joqeveritare.”

    Hungaria miratoi një ligj të ngjashëm në vitin 2017, por iu desh ta shfuqizonte atë më 2023 pasi Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian e shpalli atë të paligjshëm.

    Partia Kombëtare Sllovake e krahut të djathtë (SNS), e cila propozoi amendamentin, nuk iu përgjigj një kërkese për të komentuar. Projektligji pritet të diskutohet në parlament më 9 prill./ Politico.