Një hetim i rregjistruar me Nr.75/9 kundër disa prej eksponentëve të botës së krimit në Elbasan që kryenin vrasjet me pagesë në disa qytete të vendit, ka sjellë zbulimin e një prej organizatave që vepronte në disa vende të botës.
Për skanimin e veprimtarisë kriminale të kësaj organizate që drejtohej nga vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja, SPAK-ut i është dashur të bashkojë 17 dosje të ndryshme, të cilat janë mbledhur nga prokuroritë e rretheve, duke u hetuar si një çështje e vetme me Nr.Procedimi 75/9.
Vendimi për bashkimin e 17 dosjeve është marë në 11 Maj 2022, ndërsa janë vënë nën hetim 33 persona, ku ndaj tyre u zbatuan masat e sigurisë “Arrest në burg” dhe masa të tjera.
Kjo organizatë kriminale drejtohet nga vëllezërit Franc Gargely alias Franc Çopja, Hajdar Bako alias Hajdar Çopja dhe lidhjet e tyre në Europë dhe vendet e Amerikës Latine (Ekuador, Brazil, Kolumbi,Paraguaj dhe Bolivi)të cilat janë vendet e origjinës nga ku sigurojnë lëndën narkotike të llojit kokainë), si dhe lidhjet e tyre shoqërore, miqësore dhe bashkëpunuese në Shqipëri.
Dyshohet se veprimtaria kriminale e vëllezërve Çopja, shtetasve Hajdar Bako (Çopja), dhe Franc Gergely (Çopja), daton rreth viteve2006 – 2007, ku fillimisht e kanë ushtruar aktivitetin kriminal në Itali duke shpërdarë në sasi të vogla lëndë narkotike të llojit kokainë.
Me kalimin e viteve vëllezërit Çopja u fuqizuan shumë nga shitja dhe trafikimi i drogës, ku nga Italia e shtrinë/zgjeruan aktivitetin e tyre kriminal edhe në vende të tjera të Europës kryesisht në Holandë, Belgjikë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Gjithashtu, me kalimin e viteve u rrit potenciali i tyre ekonomik, si rrjedhojë edhe pozita e tyre në raport me grupet e tjera ndryshoi pasi ata krijuan kontakte të cilat ju dhanë më pas atyre mundësi për të krijuar lidhje të drejtpërdrejta me eksponentë të rëndësishëm të narkotrafikut në vendet e Amerikës Latine si vende origjine të kokainës.
Hetimet treguan se pas vitit 2018, vëllezërit Çopja janë shndërruar në një organizatë kriminale të mirfilltë, e cila në bashkëpunim edhe me grupe të tjera të krimit tëorganizuar transnacional e ka zgjeruar veprimtarinë e saj kriminale në trafikimin e drogave të forta kryesisht kokainë, ku përveç vendeve europiane dyshohet se ka trafikuar kokainë edhe në vende të tjera jashtë kontinentit Europian, siIndi, Afrikën e Jugut, Singapor etj.
Për të zotëruar tregun dhe për të krijuar hegjemoninë e saj ndaj grupeve të tjera, kjo organizatë kriminale në vitin 2018 filloi vrasjen e kundërshtarëve (nëpërmjet vrasjeve me pagesë), të cilët kishin një rol të rëndësishëm në trafikun e drogës në Europë dhe më gjerë.
Vrasja e trefishtë, ku u vra shtetasi Endrit Alibej, më 29 dhjetor 2018, në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Bradasheshit në Elbasan, provohet përtej dyshimit të arsyeshëm se është kryer nga organizata kriminale “Çopja” dhe qëllimi i kësaj vrasje ka të bëjë me zotërimin e tregut të kokainës dhe krijimin e lidhjeve të drejtpërdrejta me eksponentë të rëndësishëm në trafikun e drogës (shtetas të huaj edhe shtetas shqiptarë të cilët kishin influencë dhe kredite në rrejtet ndërkombëtare të trafikut të kokainës).
Ndërsa, vjedhja e 50 kg kokainë në Londër, është përdorur si pretekst nga organizata kriminale “ÇOPJA”, me qëllim që të justifikonin vrasjen e shtetasit Endrit Alibej, tek lidhjet e përbashkëta që ata kishin në narkotrafik.
Këtu është fjala për shtetas të huaj si dhe shtetas shqiptar të cilët punonin me të dyja palët Çopjat dhe shtetasin Endrit Alibej, i cili kishte një rol të rëndësishëm nëtrafikimin e kokainës nga vendet Latine (vendet e origjinës) në drejtim të Italisë, Holandës, Belgjikës, Britanisë së Madhe dhe vende të tjera të Europës.
Organizata kriminale Çopja për të shkëputur këtë lidhje duhet me patjetër të eleminonte shtetasin Endrit Alibej. Për të humbur gjurmët rezulton nga hetimet se Franc Çopja ka shkuar për ngushëllim në familjen e Endrit Alibej, fakt të cilin e tregon me tallje gjatë bisedave me anëtarët e organizatës.
Organizata kriminale Çopja pas vrasjes së trefishtë, (me viktima shtetasit Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe shtetasit turk Erdal Duranay) kryer më datë 29 dhjetor 2019 në Bradashesh, Elbasan, më 1 korrik 2019, në fshatin Broshkë, Elbasan kreu vrasjen e Klevin Baho dhe plagosjen e shtetasit Aldo (Aleksandër) Baho më 13 dhjetor 2019, në fshatin Përparim, Peqin kreu vrasjen e shtetasit Andi Zylyfit dhe plagosjen e shtetasit Ardit Uruçi më 16 janar 2020 në Elbasan, tenton të vrasë shtetasin, Kei Piku.
Pas këtyre vrasjeve kemi kundërpërgjigjen e grupit Alibej, të cilët më 2 mars 2020 vrasin shtetasit Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia (ku objektiv i atentatit rezulton të ketë qenë vetëm shtetasi Dorian Shkoza).
Më 27 Prill 2020, vriten Besmir dhe Viktor Haxhia. Ndërkohë në 20 korrik 2020 në Elbasan vritet shtetasi Emiljano Ramazani, ndërsa më 29 korrik 2020 në Elbasan vitet shtetasi Regis Runaj. Si kundërpërgjigje vijon organizata Çopja e cila më 15 shtator 2020 në fshatin Sinaballaj, Rrogzhinë, kryen vrasjen e shtetasit Klevis Kapllanin. Në vijim, nga grupi Alibej më 17 shtator 2020 në Bradashesh, Elbasan, vritet vëllai i Talo Çelës shtetasi Bujar Çela.
Ndërsa, nga organizata kriminale Çopja më 27 nëntor 2020 vritet Ardit (Arjan) Spahiu në Molembek, Belgjikë. Gjithashtu, organizata kriminale Çopja më datë 29 Nëntor 2020 në Poshnje, Ura Vajgurore, Berat, tentohet të vrasë shtetasi Irfan Azizi.
Është provuar se, organizata kriminale Çopja është e dhunshme, e armatosur (kjo pasi kanë kryer një sërë vrasjesh brenda dhe jashtë vendit) por edhe e pushtetshme financiarisht me burim të ardhurash nga trafikimi i drogës nga e cila kanë përfituar shuma monetare të konsiderueshme, një pjesë e të cilave (shuma të konsideruesme) janë përdorur për pagesat e vrasësve të rekrutuar. Kjo organizatë dallohet për shkallën e veçantë të strukturimit, qëndrueshmërisë, kohëzgjatjes së saj, qëllimit për të kryer disa vepra penale dhe fuqisë së saj fianciare.