Nga Julia Vrapi
Artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të sjellin në skenë veprën “Carmina Burana”, kompozuar nga gjermani Carl Orff në vitin 1936. Solistët, kori dhe Orkestra Simfonike e TKOB-së dy mbrëmje do të jenë në skenë për veprën monumentale të autorit Carl Orff, e cila këtë qershor shënon një rikthim në skenë, ku dirigjent është Sergio Alapont. E kompozuar nga kompozitori gjermani Carl Orff në vitin 1936, libreti i saj është një përmbledhje poezish të gjetura në një dorëshkrim të shekullit XIII, i ardhur nga kuvendi Benediktbeuern në Gjermani. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shprehet se kësaj vepre i jepet sërish jetë nga artistët.
“Rikthehet Carmina Burana! Shfaqja që e keni kaq shumë përzemër, rikthehet në TKOBAP më e freskët se kurrë më parë. Veprës monumentale të Carl Orff i jepet jetë sërish nga Solistët, Kori dhe Orkestra Simfonike e TKOBAP-së, nën drejtimin e dirigjentit fort të dashur për të gjithë ju, Sergio Alapont. 25 & 26 qershor ora 20:00”, thuhet nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit (TKOB) për këtë vepër që vjen në skenë në vijim të sezonit artistik. Në fillim, muzika e veprës “Carmina Burana” u kritikua, por në vazhdim më vonë, kjo vepër edhe për frymën e saj jetësore u prit me entuziazëm nga regjimi nazist si një kremtim i “kulturës ariane”. O Fortuna!
Me këtë thirrje ndaj perëndeshës së fatit nis “Carmina Burana”, kjo kantatë skenike nga Carl Orff, i cili prej kohësh konsiderohet një klasik i ri i historisë së muzikës. Brilante në thjeshtësinë e vet, depërtuese në ritmikë dhe përjetësisht e re në tematikë, “Carmina Burana” i jep flatra fantazisë si rrallë ndonjë vepër tjetër muzikore e shekullit të XX. Orkestra në dy mbrëmje do të jetë sërish nën drejtimin e dirigjentit të njohur spanjoll Alapont, që ka qenë dhe më parë në produksionet e TKOB-së. Ai ka drejtuar në disa nga teatrot më të famshëm të operës në botë, si Teatro Real në Madrid, Opera-Theatre de l’Eurometropole de Metz, Opera National du Rhin dhe Glyndebourne Festival. Gjithashtu, ka debutuar me sukses në Shtetet e Bashkuara duke dirigjuar La Rondine në Minnesota Opera. Puna e tij përfshin një repertor të pasur operistik dhe simfonik, ku ka bashkëpunuar me disa nga orkestrat më të njohura
Vepra e Orff në skenë
Në skenat tona vepra “Carmina Burana”, kompozimi i autorit Carlf Orff ka ardhur dhe herë të tjera për publikun me artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Një vit më parë “Carmina Burana” erdhi në skenë ndryshe nga herët e tjera, një opera- balet me koreografi e skenografi të Youri Vamos. “Carmina Burana” shkruar më 1936 është një nga veprat më të njohura të kompozitorit Carl Orff (1895-1982). Pjesa e parë, e trilogjisë së tij të famshme, e cila, ka në përbërje të saj: Catulli Carmina (pjesa e dytë) dhe Trionfo di Afrodite (pjesa e tretë), ndërkohë që trilogjia në vetvete mban titullin Trionfi. Orff ka reflektuar interesin e tij për poezinë mesjetare Gjermane te “Carmina Burana”, vepër që është bazuar në një manuskript mesjetar, të quajtur Codex, zbuluar në Manastirin Benedictine të Benediktbeuern, në jug të Gjermanisë, në vitin 1803. Ky koleksion titullohet gjithashtu “Carmina Burana”. Pas kësaj vepre që do të jetë në dy mbrëmje me radhë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, kalendari artistik këtë muaj do të vijojë me të tjerë koncerte, që do të sjellin në skenë artistët.
Tag: operës
-

“Carmina Burana” kompozuar nga gjermani Carl Orff në vitin 1936 , dy mbrëmje në Teatrin e Operës dhe Baletit
-

Sopranoja Marigona Qerkezi në TKOB, koncerti sjell një program të përzgjedhur me vepra nga autorë shqiptarë dhe të huaj
Nga Julia Vrapi
Sopranoja Marigona Qerkezi nesër në mbrëmje ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. Një nga emrat më të rëndësishëm të skenës operistike në botë, sopranoja Marigona Qerkezi vjen për publikun me një koncert gala. Nën dirigjimin e maestros së mirënjohur Fabrizio Maria Carminati, me Orkestrën Simfonike dhe Korin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit koncerti sjell një program të përzgjedhur me vepra nga G.Puccini, G.Verdi, F. Cilea, A.Dvořák, L. Bernstein, A. Lara , L. Arditi si dhe nga kompozitorët shqiptarë Feim Ibrahimi dhe Avni Mula.
Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shprehet se sopranoja Marigona Qerkezi ka pushtuar disa nga skenat më të rëndësishme ndërkombëtare. “Marigona Qerkezi, një nga zërat më të fuqishëm shqiptarë në skenën operistike ndërkombëtare! Me një interpretim që mbërthen publikun dhe një zë që ngjitet drejt majave, ajo ka pushtuar disa nga skenat më të rëndësishme ndërkombëtare. Një artiste që përfaqëson me dinjitet, forcë dhe elegancë trashëgiminë tonë kulturore në gjithë botën vjen në TKOBAP me një recital të veçantë”, thuhet nga teatri. Koncerti i sopranos Marigona Qerkezi që vjen me një program të pasur muzikor më pas do t’ia lërë radhën shfaqjeve dhe koncerteve të tjera në sezonin artistik të TKOB.
Qerkezi në skena të ndryshme
Sopranoja Marigona Qerkezi ka një aktivitet të vlerësuar në skena të ndryshme në botë. Amerika, Gjermania, Anglia, Italia, Japonia, Rusia, Portugalia, Spanja, Holanda, Omani, Turqia, Sllovenia dhe Kroacia janë ndër shtetet në të cilat ka performuar deri më tani sopranoja Marigona Qerkezi, që nesër do të jetë në TKOB me një koncert gala. Por përpara se të vijë në skenën e TKOB në Tiranë sopranoja Qerkezi ka vijuar me role operistike në skenat jashtë. Ndër to përmendim dhe interpretimin e saj në Operan e Frankfurtit, roli i Normës në operën e italianit Vincenzo Bellini që për titull ka pikërisht emrin e personazhit.
Por në vijim të aktivitetit këtë sezon është dhe opera “Aida” në Operën e Berlinit, që gjithashtu u mirëprit nga publiku dhe kritika. Qerkezi është fituese e çmimeve të shumta në garat ndërkombëtare të operës, duke përfshirë: Çmimin e parë në Konkursin e Operës Leyla Gencer dhe një çmim special nga Accademia Teatro alla Scala; Çmimin e parë në Konkursin Ndërkombëtar “Magda Olivero”; Fituese në kategorinë e debutuesve në Konkursin e 66-të Ndërkombëtar për Këngëtarët e Rinj të Operës të Evropës AsLiCo; Çmimin special “Më i miri nën 25 vjeç” në Konkursin Ndërkombëtar të Operës Portofino, etj. Profili i saj është përfshirë në librin “Il Soprano Rossiniano” midis interpretuesve të shquar të Rossinit, dhe ajo ka luajtur në një dokumentar “Dante in Musica” me rastin e promovimit të kulturës dhe gjuhës italiane në botë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Italisë. -

Projekti “Eja këndo me ne” në Teatrin e Operës dhe Baletit
Një koncert përmbylli projektin “Eja këndo me ne” në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Koncerti që u zhvillua këto ditë është në vijim dhe të tjera veprimtarive muzikore që zhvillohen pranë Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Teatri shprehet se projekti “Eja këndo me ne” është kthyer tashmë në një traditë. ““Eja këndo me ne” u përmbyll me një koncert plot ngjyra, emocione dhe zëra të bardhë, që sollën në skenë një frymë krejt të veçantë. Ky projekt, i kthyer tashmë në një traditë të dashur, bashkoi edhe këtë vit, në edicionin e tij të VIII-të, fëmijët e shkollave 9-vjeçare të Tiranës me profesionistët e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor”, thuhet nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit për këtë projekt që po vijon në këtë institucion prej disa vitesh.
Nën udhëheqjen e maestro Dritan Lumshit, pianistit Igli Rapaj dhe me mbështetjen e moderatorëve dhe mësuesve të përkushtuar, “Eja këndo me ne” nuk ishte vetëm një nismë muzikore, por sipas Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit është një hapësirë ku dashuria për artin u mboll me kujdes për muaj me radhë në zemrat e më të rinjve. “Urime të veçanta për shkollën “Mihal Grameno”, fituese e çmimit të parë, dhe për të gjithë pjesëmarrësit që e kthyen këtë edicion në një nga më të veçantët. Faleminderit çdo fëmije që i dha zë këtij projekti me kaq përkushtim dhe seriozitet. Me zemrat plot, numërojmë ditët deri në edicionin e radhës”, thuhet nga TKOB. Më parë TKOB ka shprehur se projekti synon të njohë të rinjtë me elementët bazë të muzikës korale, si një nga përbërësit kryesorë të gjinisë operistike. -

“Eja këndo me ne” nis udhëtimin në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit
Edicioni i tetë i “Eja këndo me ne” ka nisur udhëtimin e tij në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Nën moderimin e maestro Dritan Lumshit dhe me koncertmaestër Ingrid Pulizo, workshop-i dhe shfaqja e realizuar nga Kori i TKOBAP-së dhe Kori i Zërave të Bardhë nën drejtimin e sopranos Sonila Baboçi, të cilët sollën një përvojë të paharrueshme për mësuesit dhe nxënësit e koreve të shkollave pjesëmarrëse në këtë projekt kaq të dashur për të gjithë. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shprehet se teksa korisët profesionistë udhëheqin me përkushtim koret e shkollave, për shumë prej nxënësve kjo është hera e parë që angazhohen në botën magjike të operës.
“Një përvojë e cila ju hap dyert drejt emocioneve, pasionit dhe bashkëpunimit që kërkon arti skenik. Një ndër misionet tona kryesore mbetet edukimi muzikor dhe kultivimi i dashurisë për artin që në moshë të re”, thuhet nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit. Projekti “Eja këndo me ne” që po vijon në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit është në vijim dhe të tjerëve që zhvillohen me në fokus muzikën dhe të rinjtë. Ndërkohë që përgjatë muajit maj në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit vijon programi artistik, i cili do të sjellë edhe koncerte të ndryshme muzikore apo dhe shfaqje premiera. Përgjatë këtij muaji artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të jenë jo vetëm në skenën e këtij institucioni, por dhe në skena në qytete të tjera. Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor është i vetmi institucion kombëtar i këtij lloji në vendin tonë. -

“Rrëfimi i tingujve” në hollin koncertor, TKOB: Ky koncert është një përjetim unik
Tinguj të ndjerë u rrëfyen në hollin koncertor të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit këtë të diel, duke prekur të gjithë artdashësit e pranishëm në sallë. Për të pranishmit në koncertin “Rrëfimi i tingujve”, pianisti i jashtëzakonshëm Nicola Pio Nasca solli një rrëfim muzikor, që shkoi përtej notave, përtej shikimit, drejt thellësive të shpirtit njerëzor. “Sot nuk është më çudi që sallat e TKOBAP-së mbushen plot e përplot në çdo shfaqje apo koncert”, shprehet teatri, që ka ndarë në faqen e tij dhe disa momente të këtij koncerti. Pianisti Nicola Pio Nasca solli një udhëtim muzikor përmes veprave të Bach, Liszt, Chopin dhe Albeniz.
TKOB shprehej përpara koncertit se vetëm 22 vjeç, nga Bari i Italisë, Nicola Pio Casa është pianisti i parë italian me mungesë shikimi që në lindje, i cili ka përfunduar studimet në piano. “Ky një shembull frymëzues i forcës dhe dashurisë për artin. Ky koncert është një përjetim unik, ku muzika flet përtej shikimit me një ndjesi që të prek në çdo frymëmarrje”, thuhet nga TKOB. Koncerti që u zhvillua këtë të dielë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit vjen në vijim dhe të atyre më parë, që janë zhvilluar në programin artistik. Herë pas here në koncertet që zhvillohen në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit marrin pjesë artistë shqiptarë dhe të huaj, që vijnë me një program të pasur muzikor për të pranishmit. Pas këtij koncerti që u zhvillua këtë të dielë, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit ka bërë me dije zhvillimin e një tjetër koncerti që do të zhvillohet në ditët e para të muajit maj. -

“Opera Gala” në Teatrin e Operës dhe Baletit, Reanto Zanella: Një shfaqje që ka në qendër një tematikë, dashurinë
“Opera Gala” këtë mbrëmje në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Një përmbledhje ariesh dhe duetesh nga veprat më të njohura të repertorit botëror, kjo shfaqje do të jetë dy mbrëmje në skenën e TKOB-së dhe në realizimin e saj janë 150 artistë. Orkestra Simfonike e TKOB, kori, trupa e baletit dhe solistët në “Operën Gala”. Dirigjent Sergio Alapont, koreograf dhe regjisor Renato Zanella. Nga ariet më të dashura të Mozart, Verdit, Puccini-t, Bizet, Offenbach, Lehar e Bernstein, deri te koreografitë mbi muzikën e Johann Strauss II vijnë në “Opera Gala”. Gjatë konferencës për mediat në TKOB u ndanë detaje mbi repertorin e pasur të galasë, bashkimin e të gjitha trupave artistike të TKOB-së në një produksion unik dhe emocionet që ky spektakël pritet të përcjellë.
“Opera Gala” vjen me regji nga Reanto Zanella, i cili shprehet se është një shfaqje që ka në qendër dashurinë. “Kjo është një mënyrë për të celebruar muzikën dhe të gjithë artistët me një program shumë të mirë. Një gala jo si ato që jemi mësuar të shohim, ku marrin pjesë kori solistët baleti dhe muzika gjithashtu. Kemi Verdin, Puccini-n, Mozartin, Strauss dhe të gjithë këta vijnë në një shfaqje të vetme, një shfaqje që ka në qendër një tematikë, dashurinë, atë ndjenjë që vjen e shpërfaqur në forma të ndryshme nga secili kompozitor”, tha regjisori Renato Zanella. “Opera Gala” do të presë publikun e kryeqytetit dhe jo vetëm në datat 17 dhe 18 prill në orën 20.00. Pas dy mbrëmjeve me “Opera Gala” të tjera shfaqje dhe koncerte do të jenë në programin artistik të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. -

“Opera Gala” në skenën e TKOB, shfaqja vjen për publikun në 17 dhe 18 prill
Në datat 17 dhe 18 prill, skena e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të përcjellë magjinë e tingujve klasike përmes shfaqjes “Opera Gala”.
Si një përmbledhje ariesh dhe duetesh nga veprat më të njohura të repertorit ndërkombëtar, kjo shfaqje i ofron publikut një udhëtim përmes emocioneve të Verdit, Puccinit, Mozart si dhe kompozitorëve të tjerë që kanë lënë vulën e tyre në muzikën lirike.
“Kjo është një mënyrë për të celebruar muzikën dhe të gjithë artistët me një program shumë të mirë. një Gala jo si ato që jemi mësuar të shohim, ku marrin pjesë kori solistët baleti dhe muzika gjithashtu. kemi Verdin, Pucinin, Moxartin, Straus dhe të gjithë këta vijnë të gjithë në një shfaqje të vetme, një shfaqje që ka në qendër një tematikë, dashurinë, atë ndjenjë që vjen e shpërfaqur në forma të ndryshme nga secili kompozitor”, tha regjisori Renato Zanella.Ky produksion bashkon të gjithë trupat artistik të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, në një performancë që bashkon mjeshtërinë, pasionin dhe shpirtin artistik të disa prej zërave më të fuqishëm të operës.
“Opera Gala” do të prese të gjithë publikun e kryeqytetit dhe jo vetëm në datë 17 dhe 18 prill në orën 20.00./vizionplus.tv -

“Projekti Mozart” ” sjell në skenë koncertet për piano dhe orkestër të W.A. Mozart
Muzika e Mozartit këtë mbrëmje vjen me një koncert instrumental-simfonik në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Me interpretimin e Orkestrës Simfonike të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, nën drejtimin e dirigjentit Gridi Kraja, dhe me interpretimin e dy pianisteve nga Universiteti i Arteve, Hera Marku dhe Odesa Meti, “Projekti Mozart” sjell në skenë koncertet për piano dhe orkestër të kompozitorit W.A. Mozart. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shprehet se “Projekti Mozart” mishëron një vizion të përbashkët: edukimin përmes përvojës, ndërtimin e një skene që nuk i pret të rinjtë vetëm kur të jenë “gati”, por u jep atyre mundësinë të rriten mbi të me pasion, talent dhe guxim.
Koncerti që do të zhvillohet këtë mbrëmje në hollin koncertor të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit është në vijim të programit artistik në këtë institucion. Pak ditë më parë Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit bëri me dije kalendarin artistik këtë muaj, ku pjesë ishte dhe koncerti i kësaj mbrëmjeje që sjell muzikën e Mozart. Wolfgang Amadeus Mozart ( Volfgang Amadeus Moxart, 27 janar 1756 – 5 dhjetor 1791) ishte një kompozitor i shquar dhe me ndikim gjatë epokës moderne. Disa nga veprat e tij janë: opera “La Finta Giardiniera”, “Idomeneo, Mbreti i Kretës”,“Martesa e Figaros“ (1784), “Don Zhuani“ (1787), “Flauti magjik”, si dhe sonata të ndryshme për violinë, për piano, kuintete, pastaj simfoni të ndryshme, sonata, si dhe muzikë kishtare. -

Artistët e TKOB në skenë me ariet e autorëve të njohur dhe koreografitë mbi muzikën e Johann Strauss II
Nga Julia Vrapi
Trupat artistike të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të bëhen bashkë në dy mbrëmje gala këtë muaj. Muzika e autorëve të njohur botërorë do të jetë pjesë e këtyre mbrëmjeve, që do të bashkojnë të gjitha trupat artistike të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Në vijim të programit artistik në TKOB, artistët do të vijnë në skenë me ariet e autorëve të njohur, ku nuk mungojnë dhe koreografitë. “Nga ariet më të dashura të Mozart, Verdi, Puccini, Bizet, Offenbach, Lehar e Bernstein, deri te koreografitë magjepsëse mbi muzikën e Johann Strauss II, çdo çast është një dhuratë për shpirtin!”, thuhet nga TKOB, për mbrëmjet gala që do të jetë në datat 17 dhe 18 këtë muaj. Orkestra Simfonike e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të jetë nën drejtimin e dirigjentit të njohur Sergio Alapont. Mbrëmjet gala sjellin në skenë solistët, trupën e baletit dhe korin e TKOB-së. Regjisor e koreograf Renato Zanella.
Sergio Alapont është dirigjenti spanjoll që ka qenë dhe më parë në produksionet e TKOB-së. Ai ka drejtuar në disa nga teatrot më të famshëm të operës në botë, si Teatro Real në Madrid, Opera-Theatre de l’Eurometropole de Metz, Opera National du Rhin dhe Glyndebourne Festival. Gjithashtu, ka debutuar me sukses në Shtetet e Bashkuara duke dirigjuar La Rondine në Minnesota Opera. Puna e tij përfshin një repertor të pasur operistik dhe simfonik, ku ka bashkëpunuar me disa nga orkestrat më të njohura, si London Philharmonic Orchestra, RTÉ Concert Orchestra, Orchestre National d’Ile de France dhe Arena di Verona. Edhe regjisori e koreografi Renato Zanella ka bashkëpunuar edhe më parë me TKOB. Ai studioi baletin klasik për disa vite përpara se të bëhej koreograf për kompani të ndryshme profesionale. Për shkak të suksesit të tij, ai ka fituar shumë çmime dhe tituj nderi në komunitetin e baletit.
Mbrëmjet gala në programin artistik
Mbrëmjet gala që do të bëjnë bashkë të gjitha trupat artistike janë në vijim si pjesë e programit këtë muaj në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, që përmban edhe shfaqje dhe koncerte. E para në programin artistik këtë muaj ishte opera “Il Maestro di Cappella” për të vijuar më pas dhe me koncerte të ndryshme. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit bën me dije gjithashtu se këtë muaj do të vijojë dhe bashkëpunimi me Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë apo dhe Universitetin e Arteve. Opera “Il Maestro di Cappella” u shfaq në hollin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit më 6 prill, ndërsa koncerti instrumental simfonik “W.A Mozart” do të jetë në skenë më 9 prill në mbrëmje. Me interpretimin e Orkestrës Simfonike të TKOB-së, nën drejtimin e dirigjentit Gridi Kraja, dhe me interpretimin e dy pianisteve nga Universiteti i Arteve, Hera Marku dhe Odesa Meti, ky projekt sjell në skenë koncertet për piano dhe orkestër të W.A. Mozart. Në datë 24 këtë muaj do të jetë një tjetër opera, ajo me titull “Stabat Mater”. Në vijim të programit është një koncert pianistik në datën 26 prill, ndërsa “Sot në Opera” është në programin në fund të këtij muaji. -

Rikthimi i operetës “Karnavalet” me regjinë e Inva Mulës në TKOB
Opereta “Karnavalet” e Avni Mulës u risoll në skenë me regjinë e Inva Mulës. Opereta solli për artdashësit gjallërinë e Karnavaleve, linjën e bukur të dashurisë, “pazaret e krushqisë” dhe shëmbëllimin e familjeve borgjeze korçare. Kjo vepër që u mirëprit nga publiku përmbylli dhe këtë muaj në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Kanë kaluar pak ditë nga “Karnavalet” e Avni Mulës, por batutat nga libreti i Luigj Gurakuqit, sipas komedisë brilante të Spiro Çomorës dhe të qeshurat me gjithë zemër, kanë mbetur te publiku. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shprehet se kjo vepër erdhi në skenë me një kast të mrekullueshëm artistësh për publikun. “Një vepër e jashtëzakonshme, e cila u risoll nën regjinë e të madhes Inva Mula dhe asistencën e Ada Gurrës, erdhi me mjeshtëri nga kori dhe orkestra simfonike e TKOBAP-së, nën drejtimin e dirigjenteve Elda Laro dhe Dritan Lumshi.
Me një kast të mrekullueshëm solistësh, të cilët interpretuan në datat 24 dhe 26 mars: Solen Alla, Vikena Kamenica, Dorina Selimaj, Ramona Tullumani, Klodjan Kaçani, Armando Likaj, Erlind Zeraliu, Nina Muho, Suada Gjergji, Fabjol Aliaj, Aurel Thëllimi, Bledar Domi dhe Metin Jupe. Me një skenografi të realizuar nga Romeo Çani e video-artist Tan Kazazi, si dhe një kostumografi që na kthen pas në Korçën e viteve ’30, e realizuar nga Elva Bella; dhe paruke & grim nga duararta Bebeka Alla. Koncertmaestër Herta Cane, Igli Rapaj dhe Ingrid Pulizo”, thuhet nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit. Ishte 5 shkurti i vitit 1978, kur Teatri i Operës dhe Baletit shfaqi premierën e operetës “Karnavalet”, me muzikë të Avni Mulës, libret të Luigj Gurakuqit dhe dirigjim të Fiqiri Krajës.