Tag: operës

  • Presidentja Osmani pret Ramë Lahajn dhe yjet e Festivalit Ndërkombëtar të Operës në Kosovë

    Presidentja Osmani pret Ramë Lahajn dhe yjet e Festivalit Ndërkombëtar të Operës në Kosovë

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim tenorin e mirënjohur ndërkombëtar, Ramë Lahaj, së bashku me yjet e operës botërore që po marrin pjesë në edicionin e pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Ramë Lahaj”, një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore në Kosovë dhe rajon.Në këtë takim solemn, Presidentja Osmani ka mirëpritur edhe artistët e ftuar special të këtij edicioni, përfshirë Ramón Vargas, një nga tenorët më të shquar të skenës operistike botërore, Anita Rachvelishvili, mezzosopranoja me famë ndërkombëtare nga Gjeorgjia, si dhe dirigjentin Besmir Vokopola, i njohur për bashkëpunimet e tij me institucione prestigjioze të muzikës klasike.

    Presidentja Osmani ka vlerësuar lart kontributin e Ramë Lahajt në promovimin e Kosovës përmes artit dhe kulturës, duke theksuar rolin e tij si ambasador kulturor në skenat më të mëdha të operës në botë. Ajo gjithashtu ka përgëzuar përkushtimin e tij për të sjellë artistë të kalibrit ndërkombëtar në Prishtinë dhe për të ngritur standardet e artit operistik në vend.“Festivali ‘Rame Lahaj’ tashmë është bërë një ngjarje kulturore me dimension evropian, që i jep Kosovës një vend të merituar në hartën ndërkombëtare të muzikës klasike,” – u shpreh Presidentja Osmani.Festivali, i cili këtë vit po zhvillon edicionin e tij të pestë, ka arritur të bëhet një platformë elitare për bashkëpunim artistik dhe përfaqësim të denjë të kulturës kosovare në botë./KultPlus.com

  • “New Generation” në RLIOF: Talentet e reja operistike ngjiten sonte në skenën e Prishtinës

    “New Generation” në RLIOF: Talentet e reja operistike ngjiten sonte në skenën e Prishtinës

    Në kuadër të edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës Rame Lahaj (RLIOF), sonte në mbrëmje do të mbahet koncerti “New Generation”, duke filluar nga ora 19:30, në hapësirat e Fakultetit të Arteve në Prishtinë.Nën moton “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure!”, kjo natë do t’u kushtohet talenteve të reja të operës, të cilët do të sjellin në skenë rezultatet e masterklasës së këndimit të zhvilluar me tenorin me famë botërore Ramón Vargas. Zërat e së ardhmes do të interpretojnë një repertor të zgjedhur me arie, të shoqëruar në piano nga Jess Rucinski, në një mbrëmje që premton emocion, profesionalizëm dhe pasion të ri për artin lirik,transmeton KultPlus.

    Koncerti “New Generation” është më shumë se një performancë – është një deklaratë për të ardhmen, një platformë për të mbështetur artistët e rinj në rrugëtimin e tyre drejt skenës ndërkombëtare, si pjesë e misionit të Fondacionit Rame Lahaj./KultPlus.com

  • Rame Lahaj International Opera Festival: Marigona Qerkezi sonte ndriçon Prishtinën me “Opera Night”

    Rame Lahaj International Opera Festival: Marigona Qerkezi sonte ndriçon Prishtinën me “Opera Night”

    Sot, më 28 korrik, Prishtina do të bëhet skena e një mbrëmje magjike operistike. Në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Operës Rame Lahaj, sopranoja e njohur Marigona Qerkezi do të ngjitet në skenën e hapur pranë Bibliotekës Kombëtare, duke sjellë një performance të jashtëzakonshme, e cila do të mbledhë adhuruesit e muzikës klasike dhe operës nga gjithë rajoni.Mbrëmja e titulluar “Opera Night”, e cila do të nisë në orën 20:30, do të ofrojë një repertor të pasur muzikor, duke sjellë arie nga kompozitorët më të mëdhenj të operës, si Giuseppe Verdi, Giacomo Puccini, dhe Leonard Bernstein. Ky repertor do të udhëtojë përmes epokave dhe ndjenjave, duke përfshirë dramatizmin dhe pasionin e operës klasike, por edhe energjinë dhe freskinë e kompozitorëve modernë,transmeton KultPlusMarigona Qerkezi, një nga zërat më të njohur të Kosovës, ka një karrierë ndërkombëtare të suksesshme dhe ka performuar në disa nga skenat më prestigjioze të botës. Pasionin dhe përvojën e saj, ajo do ta sjellë sot për publikun e Prishtinës, duke interpretuar disa prej arieve më të njohura të operës, që kanë lënë gjurmë të thella në historinë e muzikës.Ky koncert është një mundësi e shkëlqyer për dashamirësit e muzikës klasike dhe operës, pasi hyrja është falas, një dhuratë për ata që duan të përjetojnë një natë të paharrueshme në një nga ambientet më të veçanta të qytetit të Prishtinës./KultPlus.com

  • Magjia e muzikës klasike pushtoi zemrat e më të vegjëlve në Prishtinë

    Magjia e muzikës klasike pushtoi zemrat e më të vegjëlve në Prishtinë

    Mes syve të qeshur të vocërrakëve, në kuadër të edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës Rame Lahaj, u mbajt një nga koncertet më të veçanta, ai i dedikuar fëmijëve. 

    Në këtë edicion të pestë që mban temën “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure!”, në bashkëpunim me Korin e Fëmijëve dhe Orkestrën “Amadeus” nën udhëheqjen e dirigjentit Vehbi Shosholli, ky koncert solli emocione të veçanta, buzëqeshje pafund dhe një atmosferë thuajse magjike.

    Të vegjëlit e Prishtinës, të rrethuar nga tingujt magjikë të muzikës klasike dhe operistike, në hapësirat e “HyperActive” u bënë dëshmitarë të një përvoje unike kulturore që synon t’i afrojë ata me botën e artit që nga fëmijëria e hershme. Përmes kësaj, RLIOF-i dëshmoi edhe një herë përkushtimin e tij për të investuar në aspektin edukativo-kulturor të brezit të ri e njëherit për të qenë ura lidhëse, mes artit dhe fëmijërisë.

    Ky koncert shënon vetëm fillimin e një platforme edukative në kuadër të misionit të Fondacionit Rame Lahaj, që do të vazhdojë të sjellë kryevepra të muzikës klasike për publikun më të ri, në një formë kreative, të afërt dhe gjithëpërfshirëse.

    Pas këtij koncerti, Festivali Ndërkombëtar i Operës Rame Lahaj, pason me këto mbrëmje:

    28 korrik | 20:30 Opera Night (Hapësira e jashtme e Bibliotekës Kombëtare, Prishtinë)

    29 korrik | 19:30 New Generation (Universiteti i Arteve, Prishtinë)

    30 korrik | 20:30 Ensemble Evening (Hapësira e jashtme e Bibliotekës Kombëtare, Prishtinë), për të përfunduar me mbrëmjen më kulmore të këtij festivali Gala Mbrëmjen “Rame Lahaj & Friends”, në sheshin Skënderbeu, me 2 gusht nga ora 20:30, ku do të ngjiten në skenë yje ndërkombëtarë të operës si sopranoja gjeorgjiane Nino Machaidze, bassi Italian Dario Russo dhe i yni, tenori Rame Lahaj, shoqëruar nga Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar, nën udhëheqjen e maestro Roberto Rizzi Brignoli./ KultPlus.com

  • Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit uron 70-vjetorin e artistit të shquar Nikolin Gurakuqi

    Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit uron 70-vjetorin e artistit të shquar Nikolin Gurakuqi

    Sot, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit i uron ditëlindjen një prej figurave më të rëndësishme të operës shqiptare, këngëtarit, regjisorit dhe pedagogut Nikolin Gurakuqi, i cili prej më shumë se katër dekadash ka kontribuar me pasion dhe përkushtim në zhvillimin e artit skenik shqiptar.

    Rrugëtimi i tij artistik nisi në vitin 1979 në skenën e TKOB-së, fillimisht si korist, për të vijuar më pas si solist në një sërë rolesh të spikatura. Ndër rolet që kanë lënë gjurmë në karrierën e tij përmenden: Gjergj Arianiti në operën “Skënderbeu”, Mateo në “Paja”, Komandanti në “Borana”, Deloja në “Nëna e trimave”, Il Marchese në “La Traviata”, Don Bartolo në “Il barbiere di Siviglia”, Colline në “La Bohème”, Ferrando në “Il trovatore” dhe shumë të tjera.

    Ai ka interpretuar gjithashtu edhe jashtë vendit, në skena në Francë dhe Itali. Pas një specializimi në Francë në vitet ’92-’93, Nikolin Gurakuqi iu përkushtua me sukses edhe regjisë, duke sjellë në skenat shqiptare dhe ndërkombëtare një frymë të re interpretimi, një vizion bashkëkohor dhe një ndjeshmëri të thellë dramatike.

    Ka realizuar mbi 80 produksione operistike në TKOBAP, Universitetin e Arteve, qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe jashtë saj, në Itali, Greqi, Kosovë. Disa nga veprat më të njohura që mbajnë firmën e tij regjisoriale janë: “Tosca”, “Il signor Bruschino”, “Carmen”, “Aida”, “Falstaff”, “Il trittico”, “Manon Lescaut”, “Otello”, “Rigoletto”, “Një ballo me maska”, “Goca e Kaçanikut” e shumë të tjera.

    Përveç regjisë, Gurakuqi është gjithashtu autor i skenografive, artikujve dhe botimeve që analizojnë regjinë dhe interpretimin në opera. Veçanërisht vihet në dukje libri i tij i fundit, “Mbi regjinë dhe aktrimin e kënduar në teatrin muzikor”, një botim unik që hedh dritë mbi regjinë operistike nga një këndvështrim profesional dhe të thelluar.

    Si pedagog dhe mentor i dhjetëra artistëve të rinj, ai ka ndikuar në formimin e shumë brezave të këngëtarëve lirikë shqiptarë, duke mbështetur emra tashmë të afirmuar si Josif Gjipali, Armand Likaj, Aurel Thëllimi, Dorina Selimaj, por edhe artistë të rinj në ngjitje si Bledar Domi.

    Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në artin shqiptar, Nikolin Gurakuqi është nderuar me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”, ka marrë titullin “Mjeshtër i Madh”, dhe është vlerësuar edhe nga shtypi ndërkombëtar si një artist me kulturë të gjerë europiane.

    Në këtë ditë të veçantë të 70-vjetorit, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit i shpreh mirënjohjen më të thellë për gjithçka ka dhënë dhe vazhdon të japë për artin shqiptar dhe për gjurmën e pashlyeshme që ka lënë në historinë e operës në vendin tonë./KultPlus.com

  • ”Nexhmije Pagarusha” sonte në Mitrovicë – Festivali Ndërkombëtar i Operës Rame Lahaj, zbarkon në Qytetin e Minatorëve

    ”Nexhmije Pagarusha” sonte në Mitrovicë – Festivali Ndërkombëtar i Operës Rame Lahaj, zbarkon në Qytetin e Minatorëve

    Mitrovica do të jetë nikoqire e një mbrëmjeje të veçantë kulturore, kushtuar ikonës së muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha, në kuadër të edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës Rame Lahaj. Koncerti do të startojë në ora 20:00, në hapësirën e pikës kryesore të Interex në po këtë qytet.Në mbrëmjen e tretë me radhë të festivalit, që do të mbahet në Mitrovicë, publiku do të ketë rastin të përjetojë magjinë dhe emocionin e këngës shqipe përmes interpretimeve të jashtëzakonshme të artistëve ndërkombëtarë dhe vendas: mezzosopranos së njohur egjiptiane Gala El Hadidi, Edona Reshitajt, Adhurim Grezdës dhe A R B Ë R E S H Ë. Artistët do të shoqërohen nga grupi muzikor “Gent Rushi Group”, duke sjellë një mbrëmje të mbushur me nostalgji.Nën moton “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure” kjo mbrëmje në Mitrovicë do të jetë një vijim i homazhit artistik për bilbilin e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarushën, duke bashkuar breza të ndryshëm përreth një trashëgimie të përbashkët kulturore.Festivali Ndërkombëtar i Operës Rame Lahaj do të vazhdojë rrugëtimin e tij artistik me mbrëmje të tjera në Prishtinë:27 korrik, ora 13:30 |Educating the audience of the future (HyperActive, Prishtina Mall)28 korrik, ora 20:30|Opera Night (Hapësira e jashtme e Bibliotekës Kombëtare, Prishtinë);29 korrik, ora 19:30| New Generation (Universiteti i Arteve, Prishtinë);30 korrik, ora 20:30| Ensemble Evening (Hapësira e jashtme e Bibliotekës Kombëtare, Prishtinë);Festivali do të kulmojë me Gala Mbrëmjen në Sheshin Skënderbeu, më 2 gusht, ora 20:30, ku do të ngjiten në skenë emra të mëdhenj të operës botërore: sopranoja gjeorgjiane Nino Machaidze, bassi italian Dario Russo, tenori ynë Rame Lahaj, nën tingujt e Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar, nën drejtimin e maestro Roberto Rizzi Brignoli./KK/

  • Me kushte minimale, Opera e Kosovës ia del të magjeps publikun me ‘Carmen’

    Me kushte minimale, Opera e Kosovës ia del të magjeps publikun me ‘Carmen’

    Vjollca Duraku

    Mbrëmë, Opera dhe Baleti Kombëtar i Kosovës kanë sjellë premierë një ndër operat më të njohura botërore, “Carmen” të Georges Bizet, duke e dëshmuar edhe një herë magjinë e veprës, e cila vazhdon të luhet në teatro me po të njejtën dinamikë që nga viti i largët 1845. E karakterizuar nga elemente të dashurisë obsesive, pasionit, lirisë dhe xhelozisë, historia e “Carmen” që zë fill në një ngjarje tragjike të shekullit XIX në Spanjë, ka ngritur edhe një shkallë më lartë institucionin e Operës së Kosovës, përmes një brumi dhe kapaciteti të lartë artistik.

    “Carmen” është personazhi kryesor i operës, një cigane e bukur, e fortë, sfiduese dhe rebele. Karakteri i saj unik e shëndrron atë një grua të adhuruar nga burrat. Fatet dhe loja e personazheve të tjera të operës  sillet rreth sjelljeve dhe rolit të saj, i cili e shëndrron atë në simbol të lirisë, pasionit dhe rebelimit. Refuzimi i saj për të qenë e nënshtruar sjell deri te fundi i saj tragjik, ku i dashuri Don Jose nga inati dhe xhelozia e vret në fund me thikë. Ajo vdes duke e ruajtur lirinë e saj, dhe kështu përjetësohet në një personazh të veçantë operistik “Carmen”, i cili vazhdon të magjeps edhe sot në çdo paraqitje të saj.

    Një shije të veçantë artistike, për herë të parë pati rastin të përjetojë edhe publiku i kryeqytetit, përmes institucionit më të ri, të krijuar në vend. E ndarë në katër akte, opera “Carmen” mbrëmë ka nisur brilancën e saj përmes melodisë dhe atmosferës së hatashme të krijuar nga profesionistët e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit Peter Valentovic. Çdo notë e veprës shënonte një harmoni gati perfekte të realizuar nga muzicientët, të cilët talentin e tyre e shkrinin në një mjeshtëri të jashtëzakonshme për artin e muzikës, e cila në prapavijë i ndiqte edhe ngjarjet e veprës së famshme.

    Skena e madhe e “Carmen” e cila erdhi në bashkëpunim me profesionistët e jashtëzakonshëm të Baletit Kombëtar të Kosovës, ka dhuruar pamje të paharrueshme përmes talentit të solistëve, personazheve, korit dhe orkestrës të cilët me magnetizmin e tyre të përthithnin në spektakël, edhe përkundër kushteve aspak adekuate të sallës plotë vapë dhe parregullsi të tjera. Por, megjithatë kjo operë botërore u mundësua falë mjeshtërisë dhe talenit të protagonistëve: Migena Kamenica (Carmen), Carlos Cardoso (Don Jose), Zana Abazi Ramadani (Milaëla), Vitaliy Bilyy (Escamillo), Urata Haziraj (Frasquita), Elonë Sadiku (Mercedës), Shaban Behramaj (Zuniga), Harris Bajraktari (Morales), Ismet Vejseli (Le Dancaire) dhe Rizah Jahaj (Le Remendado).

    Akti i parë nis të zhvillohet në sheshin para fabrikës së cigareve në Sevilje të Spanjës, ku ushtarët dhe kalimtarët shijojnë jetën e përditshme. Një gjallëri e energjisë interpretuese vjen kur skenës i bashkangjiten fëmijët të cilët luajnë si ushtarë duke ‘imituar’ rojen e vendit. Në këtë jetë plotë gjallëri shfaqet Micaëla (Zana Abazi Ramadani), ku përmes një paraqitjeje të jashtëzakonshme sopranoja i jep jetë rolit të vajzës së ndershme nga fshati që kërkon Don Jose-në, personazhin kryesor mashkull, një djalë elegant dhe ushtarak i zoti, për t’i dhënë letrën dhe puthjen që nëna e tij e kishte porositur.

    Ngjarja plotësohet kur gratë dalin nga fabrika për pushim dhe në mes të tyre hyn Carmen (Vikena Kamenica) duke  e shkrirë zërin e saj në arien e famshme “L’amour est un oiseau rebelle”. Burrat të joshur nga bukuria e saj kërkojnë nga ajo të zgjedh njërin prej tyre. Pas shumë lëvizjeve sensuale dhe me takt, të cilat mezzo-sopranoja i ka integruar në krakterin e saj në 20 vite mjeshtëri të interpretimit të këtij roli, sytë i ndalen te Don Jose (Carlos Cardoso), duke shprehur qartë dashurinë e saj për të. Kjo skenë pasohet nga një incident, kur Carmen kjo vajzë rebele sulmon njërën nga gratë me thikë dhe më pas arrestohet. Pas arrestit, përmes bukurisë, lojës dhe vallëzimit të saj e bind Don Jose-në për të ia zgjidhur duart, duke lejuar që ajo të arratiset, por duke e tradhtuar detyrën dhe misionin e tij.

    Akti i dytë i operës e zhvendos rrjedhën e ngjarjes në në një mjedis të errët, në botën e kontrabandistëve. Në një tavernë, ku shfaqen ciganët dhe kontrabandistët hynë në skenë Escamillo (Vitaliy Bilyy), një toreador i famshëm që tregon interes për Carmenin, e cila po e priste Don Jose-në. Escamilo, një artist me një zë që e bënte krenarë dhe një pamje prej fisniku përfaqëson një rival të fuqishëm të Don Jose-së, i cili nga një ushtarak i devotshëm nis të marrë elemente të rolit negativ. Me ardhjen e Don Jose-së, Carmeni i kërkon atij të bëhej kontrabandist, gjë të cilën ai e kundërshton fillimisht, për ta pranuar pak më vonë.

    Akti i tretë zhvillohet në mal, kur në marrëdhënien e Carmen dhe Don Jose-së ndodhin krisjet e para. Ajo shfaqet shumë e ftohtë emocionalisht dhe e lodhur nga ai, duke i thënë se dashuria për të ka mbaruar, përderisa ai shfaqet i inatosur duke u bërë gjithnjë e më shumë xheloz. Në skenë shfaqen edhe Frasquita (Urata Haziraj) dhe Mercédès ( Elonë Sadiku) duke parashikuar fatin e tyre me karta. Carmen i bashkohet lojës dhe habitet nga ajo që sheh. Ato e parashikojnë vdekjen e saj, e më pas të José-së. Letra që tregon tragjedi përsëritet disa herë në parashikimin e saj. Ndërsa, Micaëla shfaqet për ta ruajtur Don Jose-në nga Carmen, duke e bindur për tu kthyer në shtëpi, pasi nëna e tij është në prag të vdekjes. Në këtë akt rritet tensioni dramatik drejt fatit tragjik.

    Akti i katërt shfaq kulminacionin e operës, e cila përfundon me tragjedi. Akti nis me një atmosferë festive, në të cilën shfaqet Escamillo, i cili pritet nga populli si një hero. Në skenë pranë tij shfaqet edhe Carmen jashtëzakonisht e dashuruar pas figurës së tij. Shoqet e saj Frasquita dhe Mercedes i tregojnë Carmen se Don Jose gjendej në turmë duke e vëzhguar atë. Pas pak Carmen mbetet me Don Jose, ku ai i lutet asaj që të kthehet atij. Ajo e refuzon. Pas xhelozisë dhe inatit kur ajo i thotë se e dashuron Escamillon, Carmen në fund të operës veritet me thikë. Kjo skenë njëkohësisht shënon shkatërrimin e Don Jose-së, pas një pasioni të verbër nga një njeri i zakonshëm, ai përfundon në vrasës.

    Shfaqja në fund u pasua me duartrokitje të gjata për disa minuta rresht, gjë e cila tregonte për përjetimet e publikut dhe afirmimin se ngjarja iu kishte lënë vërtetë mbresa.

    Shfaqja “Carmen” e Georges Bizet kishte qenë emocionuese edhe për vetë solisten Vikena Kamenica, e cila këtë mbrëmje mbi supe ka mbajtur peshën e rolit kryesor.

    “Është shumë emocion, fillimisht që për herë të parë jam pjesë e Operës së Kosovës. Është një emocion i mbartur, duke pretenduar që kjo gjë duhej të ndodhte shumë më parë, ashtu siç themi gjithmonë edhe për teatrin e operës, që të bëhet sa më shpejtë. Normalisht, kultura arti, artistët e këtij vendi e meritojnë kaq shumë një teatër të operas, e pse jo edhe artistët nga Shqipëria, për të bërë shkëmbime të bukura, profesionale, me shumë dashuri dhe respekt për njëri-tjetrin. Ishte shumë emocion, një opera e madhe, kisha një kryerol, por për mua nuk kjo nuk ishte hera e parë. Ka 20-vite që e luaj këtë rol. Por emocionet që i përjetova këtu më duket sikur e kam luajtur për herë të parë. Jam ndier shumë mirë nga pritja e publikut. Ndihem shumë e emocionuar, ndjeva lot që më rrjedhnin. Kam marr një nga grimcat e bukura, që në karrierën time shënon një emocion dhe lumuri të veçantë për këtë përformancë të parë” ka thënë Kamenica, karakteri  i së cilës nuk dallon shumë nga ai i të fuqishmes “Carmen”.

    “Karmen nuk është se më del dhe shumë nga vetja, e jetoj po njësoj lirinë, e jetoj po njësoj rebelizmin. Kështuqë i jetoj vërtetë të gjitha ngjyrat që një grua duhet t’i ketë për të jetuar jetën dhe për ta shijuar ashtu siç duhet. Normalisht është një fund tragjik, dhe i përketë një epoke tjetër, edhe pse edhe në ditët e sotme ndodhin gjëra të tilla, këtë se mohojmë dot. E kam jetuar me një natyralitet dhe i kam shijuar me të vërtetë vlerat e gjithëë kolegëve të mi, vlerat e këtij institucioni që po ngritet. Kështu që kam shijuar çdo gjë të bukur që kjo vepër të ofron. Pres që audienca të merr emocionin. Emocionin real, të pastër pa asnjë lloj filtri, gjë të cilën unë e bëj gjithmonë kur dal në skenë. Unë harroj të këndoj, është emocioni ai që mua më përshkon të tërën”, ka thënë ajo.

    E emocionuar pas një përvoje të jashtzakonshme, Zana Abazi Ramadani ka bërë apel për ndërtimin e shtëpie operistike, ku artistët të kenë mundësi të tregojnë talentin e tyre në kushte adekuate.

    “Ku ka më mirë se të interpretosh në vendin tënd. Dua më së pari të falënderoj institucionin e operës që më kanë besuar këtë rol dhe më është dhënë mundësia që të interpretoj, megjithëse me institucionin e operës nuk është hera e parë që bashkëpunoj. Por, kësaj here është në një tjetër formë. Ishin emocione të një pasnjëshme. Pas aries mu mbushën sytë me lot, sepse aria është shumë domethëse  dhe shumë prekëse. Faktikisht shumë gra edhe në këtë kohë mund ta gjejnë vetveten. Micaëla lufton të dashurinë e Don Jose, mundohet ta kthej në rrugë të duhur. Sot e asaj dite edhe në këto rrethana ka gra që e bëjnë të njejtën gjë. Ishte një emocion i pa përshkruar. Shpresoj që sa më shpejt do të bëhet diçka për këtë institucion, të bëhet një shtëpi operistike sepse në këtë vapë nuk janë kushtet adekuate për të interpretuar, duke e ditur se veshjet ishin jo të përshtaatshme për këtë muaj. Por ia dolëm”, ka thënë sopranoja Abazi Ramadani.

    Ndërsa, anëtarja e bordit drejtues të Operës, Rreze Breznica ka thënë se ndihej e lumtur që përkundër kushteve jo adekuate kanë arritur të sjellin në skenë një nga operat më të njohura në botë.

    “Kur je pjesë e një organizimi të tillë, sidomos e një produksioni siç është Opera “Carmen”, nuk ndodh që gjatë rrugës, e në fakt as gjatë performancës të arrish të kënaqesh apo të përjetosh ngjarjen, ashtu siç ndodh me audiencën. Megjithatë ky produksion më mori shumë me vete. Besoj që ishte i suksesshëm dhe kjo gjë është vërejtur edhe nga vetë përshtypjet e audiencës. Është definitivisht nga tre produksionet e mëdha që i kemi realizuar. Mendoj që nga organizimi e deri te performanca e sotme ishte një nga produksionet më mirë të realizuara. Në fakt, kjo edhe pritej nga ne si institucion i Operës së Kosovës, sepse rrugës ne po zhvillohemi së bashku, institucioni dhe ne që jemi pjesë e tij”, ka thënë Breznica, duke i potencuar edhe aspektet sfiduese të realizimit të një ngjarjeje të tillë.

    “Mungesa e shtëpisë operistike është sfida më e madhe. Është sfiduese, ka probleme të jashtëzakonshme, jo vetëm infrastrukturore por edhe në problematikat teknike. Është e vështirë, por vetëm me pasion, dashuri dhe shumë përkushtim ne arrijmë. Andaj, jo rastësisht secilin prej produksioneve të cilat i realizojmë ne i konsiderojmë si fitore me të mirat dhe të metat mund t’i kenë ato”, ka përfunduar Breznica.

    Shfaqja “Carmen” do të jepet edhe më 24 korrik, në ora 20:30 në ambientet e AMC Hall. /KultPlus.com

  •  Teatri i Operës dhe Baletit sjell një nga veprat më të fuqishme të repertorit barok, “Gloria” e Antonio Vivaldit

     Teatri i Operës dhe Baletit sjell një nga veprat më të fuqishme të repertorit barok, “Gloria” e Antonio Vivaldit

    Nga Julia Vrapi
    “Gloria” nga Vivaldi, një nga vepra më të fuqishme të repertorit barok vjen me interpretimin e artistëve të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Këtë mbrëmje Teatri Kombëtar i Operës, Baletit në bashkëpunim me COD, sjell veprën “Gloria” të kompozitorit Antonio Vivaldi. Një ditë më pas “Gloria” do të jetë te Kisha Katolike “Zemra e Krishtit” në Tiranë. Pas suksesit të tureve verore nëpër Shqipëri, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit sjell një tjetër ngjarje të veçantë muzikore në bashkëpunim me Kishën Katolike “Zemra e Krishtit”, Tiranë. “Një nga veprat më të ndritura të muzikës baroke do të interpretohet nga kori i TKOBAP-së, nën drejtimin e maestro Dritan Lumshit, me solistet Marina Kurti dhe Amelda Papa, dhe koncertmaestër Ingrid Pulizo”, thuhet nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit. Kori i teatrit Kombëtar të Operës dh Baletit zhvillon një aktivitet të pasur artistik, ku dhe më parë ka dhënë koncerte. Repertori i korit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit është i pasur dhe i larmishëm si me vepra skenike edhe ato koncertore, shqiptare dhe botërore. Kori është pjesë e trupave artistike të TKOB-së. Trupat artistike të këtij teatri krahas turneve artistikë, të cilët i kanë realizuar brenda vendit, kanë realizuar dhjetra shfaqje e turne jashtë vendit si në : Rusi, Jugosllavi, Gjermani, Francë, Kanada, Austri, Sh.B.A, Hungari, Rumani, Bullgari, Poloni, Çeki, Kinë, Turqi, Greqi, Itali, Maqedoni, Kosovë, Kuvajt, etj. TKOB ka lidhje dhe me disa teatro të botës dhe realizon në bashkëpunim me to shfaqje të ndryshme.
    “Gloria” pjesë e aktivitetit artistik
    Nga skena e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor  në një rrugëtim artistik në qytete si Berat, Durrës, Gjirokastër, Ulqin, Tetovë e Gjenevë, korriku sjell një kalendar të mbushur me shfaqje. Balet nën yje, muzikë dhome që përqafohet me tingujt e verës, dhe bashkëpunime që lidhin trojet përmes artit, janë vetëm disa nga ato që përmban kalendarit artistik këtë muaj në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku pjesë është dhe vepra “Gloria”  e Antonio Vivaldit që këtë mbrëmje do të jetë për publikun te COD. Antonio Vivaldi është pa dyshim një nga kompozitorët më të mëdhenj italianë dhe në kurrikulumin e tij rezultojnë mbi 500 koncerte (210 prej të cilave ishin për violinë ose violonçel) 46 opera, sinfoni, 73 sonata, muzikë dhome ( disa sonata për fyell) si dhe Muzikë të Shenjtë. Në materialet rreth kompozitorit Vivaldi thuhet se vepra e tij më e famshme është “Katër Stinët”, kompozuar në vitin 1723. “Në thelb, ajo ishte si një poemë për natyrën, ku ai u mundua të realizonte tingujt e katër stinëve”, thuhet për këtë vepër. “Pranvera” është një pjesë, që shpesh përdoret për ceremoni të rëndësishme dhe vazhdon të konsiderohet një nga perlat e muzikës klasike.

  • “Mullixhesha e bukur” udhëton drejt qytetit të Beratit, nën sloganin “TKOBAP on Tour”

    “Mullixhesha e bukur” udhëton drejt qytetit të Beratit, nën sloganin “TKOBAP on Tour”

     Nga Julia Vrapi
    “Mullixhesha e bukur”  me muzikën e kompozitorit Franz Schubert  këtë mbrëmje në skenën e Beratit. Koncerti vokal-instrumental që bashkon sërish baritonin Artur Vera dhe pianisten Etrita Ibrahimi pas Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit këtë mbrëmje do të jetë në pallatin e kulturës “Margarita Tutulani” në Berat. “Mullixhesha e bukur” është një cikël këngësh nga Shubert, i kompozuar në vitin 1823, bazuar në 20 poezi të Vilhelm Myler.
    Por pas suksesit në premierën në TKOBAP, “Mullixhesha e Bukur” – Die schöne Müllerin udhëton drejt qytetit të Beratit, nën sloganin “TKOBAP on Tour ”. “Në ambientet e pallatit të kulturës “Margarita Tutulani”, ju ftojmë të përjetoni një koncert të rrallë, ku muzika e Franz Schubert-it shpalos një histori dashurie të pafat, të mbushur me emocione të thella që prekin çdo shpirt”, thuhet nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit për këtë koncert vokal-instrumental, ku hyrja është e lirë për publikun. Një djalosh i ri ndjek rrjedhën e një përroi dhe ndalet në një mulli, ku bie në dashuri me vajzën e mullixhiut. Shpresa, xhelozia dhe dëshpërimi ndërthuren në një cikël liedesh me poezitë e Wilhelm Müller-it, duke krijuar një tregim të ndjerë dhe poetik.
    “Një udhëtim nga ëndrrat në humnerë, i thurur me delikatesën dhe fuqinë e muzikës së Schubert-it, bashkon sërish në skenë baritonin Artur Vera dhe pianisten Etrita Ibrahimi, në një natë ku çdo tingull i flet zemrës”, thuhet nga teatri. Franz Peter Schubert ( 31 janar 1797 – 19 nëntor 1828) ishte një kompozitor austriak. Ai shkroi rreth 600 melodi, nëntë simfoni duke përfshirë dhe “Simfoninë e papërfunduar” muzikë liturgjike, opera, muzikë të rastësishme dhe muzikë solo për piano.
    “Mullixhesha e bukur” në kalendarin artistik këtë korrik
    Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor pak ditë më parë bëri me dije dhe kalendarin artistik përgjatë korrikut në stinën e verës, ku pjesë e programit është edhe “Mullixhesha e bukur” me muzikën e Schubert, një nga kryeveprat më të ndjera të periudhës së romantizmit. Artistët e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor këtë muaj do të jenë në një rrugëtim artistik në qytete si Berat, Durrës, Gjirokastër, Ulqin, Tetovë e Gjenevë.
    “Korriku sjell një kalendar të mbushur me shfaqje që i japin shpirt verës shqiptare! Balet nën yje, muzikë dhome që përqafohet me tingujt e verës, dhe bashkëpunime që lidhin trojet përmes artit, janë vetëm disa nga surprizat që ju presin”, thuhet nga TKOBAP. Ndërsa TKOBAP publikoi këto ditë kalendarin artistik për korrikun, pak ditë më parë ky teatër u vizitua nga të rinj nga qyteti i Korçës. TKOBAP-ja u mbush me energjinë dhe kureshtjen e mbi 50 të rinjve nga qyteti i Korçës, e vizituan këtë institucion në kuadër të projektit “Rin-Art Qarku Korçë”. Nga historia e krijimit të operës shqiptare te prapaskenat, të rinjtë përjetuan nga afër procesin krijues, pasionin dhe përkushtimin që fshihet pas çdo shfaqjeje.
     
     
     
     

  • Vepra “Carmina Burana” më shumë se 200 artistë në skenë, artistëve të TKOB iu bashkohet dhe Kori i Operës së Kosovës

    Vepra “Carmina Burana” më shumë se 200 artistë në skenë, artistëve të TKOB iu bashkohet dhe Kori i Operës së Kosovës

     Nga Julia Vrapi
    “Carmina Burana” kompozuar nga gjermani Carl Orff në vitin 1936 u rikthye në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. E kompozuar nga kompozitori Carl Orff  libreti i saj është një përmbledhje poezish të gjetura në një dorëshkrim të shekullit XIII, i ardhur nga kuvendi Benediktbeuern në Gjermani. Për dy mbrëmje me radhë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit një spektakël tingujsh, i krijuar sipas teatrit nga më shumë se 200 artistë që u ngjitën në skenë për të sjellë “Carmina Burana”.
    Kryevepra e Carl Orff erdhi për publikun në një interpretim nga solistët sopranot Eva Golemi dhe Nina Muho, tenori Matias Xheli dhe baritoni Armando Likaj, Orkestra Simfonike, Kori i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe Kori i Zërave të Bardhë të cilëve ju bashkua edhe Kori i Operës së Kosovës. “Për të krijuar një natë të mbushur me emocione të freskëta dhe energji të papërmbajtshme”, thuhet ndër të tjera nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit. Vepra monumentale e autorit gjerman Carl Orff këtë qershor shënoi një rikthim në skenë, ku dirigjent ishte Sergio Alapont. Dirigjent kori Dritan Lmshi, drejtuese e Korit të Zërave të Bardhë Sonila Baboçi, koncert maestër solist Igli Rapaj, koncert maestër kori Ingrid Pulizo.
    Përgjatë këtij sezoni artistik në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit janë në vënë në skenë shfaqje të ndryshme opere dhe baleti, janë zhvilluar koncerte dhe aktivitete të tjera, por dhe dy mbrëmjet që sollën në skenë kryeveprën e Orff  “Carmina Burana” sollën një spektakël tingujsh, ku më shumë se 200 artistë u ngjitën në skenë. Një vit më parë “Carmina Burana” erdhi në skenë e TKOB ndryshe nga herët e tjera, një opera- balet me koreografi e skenografi të Youri Vamos.
    Vepra që shkruajti Orff
    Në fillim, muzika e veprës “Carmina Burana” u kritikua, por në vazhdim më vonë, kjo vepër edhe për frymën e saj jetësore u prit me entuziazëm nga regjimi nazist si një kremtim i “kulturës ariane”. O Fortuna! Me këtë thirrje ndaj perëndeshës së fatit nis “Carmina Burana”, kjo kantatë skenike nga Carl Orff, i cili prej kohësh konsiderohet një klasik i ri i historisë së muzikës. Brilante në thjeshtësinë e vet, depërtuese në ritmikë dhe përjetësisht e re në tematikë, “Carmina Burana” i jep flatra fantazisë si rrallë ndonjë vepër tjetër muzikore e shekullit të XX. “Carmina Burana” shkruar më 1936 është një nga veprat më të njohura të kompozitorit Carl Orff (1895-1982). Pjesa e parë, e trilogjisë së tij të famshme, e cila, ka në përbërje të saj: Catulli Carmina (pjesa e dytë) dhe Trionfo di Afrodite (pjesa e tretë), ndërkohë që trilogjia në vetvete mban titullin Trionfi. Orff ka reflektuar interesin e tij për poezinë mesjetare Gjermane te “Carmina Burana”, vepër që është bazuar në një manuskript mesjetar, të quajtur Codex, zbuluar në Manastirin Benedictine të Benediktbeuern, në jug të Gjermanisë, në vitin 1803. Ky koleksion titullohet gjithashtu “Carmina Burana”.