Tag: operës

  • Sot përkujtohet Luciano Pavarotti, tenori që i dha botës një zë të pavdekshëm

    Sot përkujtohet Luciano Pavarotti, tenori që i dha botës një zë të pavdekshëm

    Më 6 shtator 2007, bota e muzikës humbi një nga figurat më të mëdha të saj, Luciano Pavarottin. Sot shënohen 18 vite nga ndarja e tij nga jeta, por zëri i tij vijon të mbetet i gjallë dhe frymëzues për miliona njerëz në mbarë botën.

    I lindur në Modena të Italisë më 12 tetor 1935, Pavarotti u ngjit në skenat më prestigjioze të operës në vitet ’60 dhe shpejt u bë sinonim i artit vokal. Interpretimet e tij në “La Bohème”, “Rigoletto” apo “Turandot” janë ende ndër më të vlerësuarat në historinë e operës.

    Kulmi i famës globale erdhi me projektin “Tre Tenorët”, ku bashkë me Plácido Domingo dhe José Carreras arritën të sjellin operën pranë miliona shikuesve në botë, duke e kthyer në një fenomen kulturor. Përtej skenës, Pavarotti ishte i njohur edhe për humanizmin e tij – organizoi koncerte bamirësie dhe ndihmoi me të ardhura të mëdha për njerëzit në nevojë.

    Me një zë të cilësuar shpesh si “dhuratë hyjnore”, Pavarotti jo vetëm që e ruajti traditën e operës italiane, por e bëri atë pjesë të jetës së përditshme të publikut. Edhe pse kanë kaluar 18 vite nga ndarja e tij nga jeta, muzika e tij vazhdon të dëgjohet në çdo cep të botës. Luciano Pavarotti është dhe do të mbetet një emër që i dha shpirt operës dhe që bëri historinë e artit muzikor./KultPlus.com

  • Opera “La Traviata” vepër e Verdit sipas vizionit të regjisorit Hugo de Ana premierë në Tiranë

    Opera “La Traviata” vepër e Verdit sipas vizionit të regjisorit Hugo de Ana premierë në Tiranë

    Nga Julia Vrapi
    Opera “La Traviata” nga kompozitorit Giuseppe Verdi do të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit si një produksion i ri. “La Traviata” e Verdit sipas vizionit të regjisorit me famë botërore, Hugo de Ana këtë sezon artistik vjen premierë në Tiranë. Teatri Kombëtar i Operës, Baletit sjell një nga kryeveprat më të dashura të autorit Giuseppe Verdi, “La Traviata” në një produksion të ri që mban firmën e regjisorit me famë botërore, Hugo de Ana. “La Traviata” është një opera me tre akte nga Giuseppe Verdi (Xhuzepe Verdi) e vendosur në një libret italian nga Francesco Maria Piave, ajo është e bazuar në “La Dame aux Camelias” (1852) shkruar nga Alexandre Dumas. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shprehet ndër të tjera se ky produksion, i sjellë nga Teatri i Zagrebit, do të jetë pjesë e një shfaqjeje të jashtëzakonshme për publikun shqiptar. “Duke e vendosur TKOBAP-në në të njëjtin nivel me teatrot prestigjiozë që kanë pasur privilegjin të bashkëpunojnë me mjeshtrin Hugo de Ana. Nën vizionin e tij të fuqishëm artistik, historia e Violettës merr jetë përmes një skenografie monumentale dhe një gjuhe vizuale që tejkalon kohët, duke e sjellë këtë kryevepër deri në ditët tona”, thuhet nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit (TKOB), ku në vijim do të bëhen me dije dhe datat kur kjo vepër operistike do të jetë në skenë sezonin e ri artistik që nis së shpejti. Historia tragjike e Violetës e mbështetur mbi romanin “Zonja me kamelie” e Aleksandër Dyma ka ardhur edhe më parë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, por këtë herë do të vijë si një produksion i teatrit të Zagrebit, duke u bërë pjesë dhe e shfaqjeve të tjera që do të jenë këtë sezon artistik në skenën tonë.
    Opera “La Traviata”
    Opera “La Traviata” bën pjesë tek e ashtuquajtura sipas historisë së muzikës triologji popullore, ku bëjnë pjesë tre operat “Il Trovatore”, “Rigoletto” dhe “La Traviata”, të cilat janë tre operat më të shfaqura në botë. Te “La Traviata” bëhet fjalë për një histori të një kurtizaneje, e cila dashurohet me një fisnik, por i ati i djalit e pengon dashurinë e tyre. Në qendër të veprës është kurtizania Violeta Valery, që për hir të dashurisë me fisnikun Alfredo Germont, braktis jetën prej kurtizaneje. Premiera e parë u zhvillua në teatrin “La Fenice” në 6 mars të viti 1853. Giuseppe Verdi (1813-1901) është kompozitori më njohur i operës italiane, jo vetëm i shekullit XIX. Në materiale më parë sipas studiuesve thuhej se në historinë e gjatë të operës, Verdi zë vendin e nderit, sepse arriti të bashkojë traditat më të bukura të operës italiane, të mbetet thellësisht kombëtar, t’u shmanget elementeve negative të operës italiane, të përthithë elementet pozitive që ishin shfaqur në artin e operës në shekullin XIX, madje edhe disa elemente të reformës së Vagnerit dhe të realizimit të letërsisë së kohës. Ai mbetet si njëri ndër kompozitorët më të njohur të botës në historinë e operës.

  • “Kur ndjenjat marrin zë” rikthen Ermonela Jahon në TKOB, një udhëtim i rrallë muzikor me kryevepra botërore

    “Kur ndjenjat marrin zë” rikthen Ermonela Jahon në TKOB, një udhëtim i rrallë muzikor me kryevepra botërore

    Nga Julia Vrapi
    “Kur ndjenjat marrin zë” rikthen sopranon e mirënjohur shqiptare Ermonela Jaho në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Një mbrëmje muzikore, që do të sjellë për publikun kryevepra botërore. Sopranoja e mirënjohur shqiptare Ermonela Jaho, vjen në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit për të dhuruar për publikun shqiptar një mbrëmje të paharrueshme më 17 shtator. Teatri i Operës shprehet se në këtë mbrëmje shtatori publiku i pranishëm do të përjetojë një udhëtim të radhë muzikor. “Në këtë natë plot ndjenja dhe emocione, ajo kthehet jo vetëm si një artiste e jashtëzakonshme, por edhe si simbol krenarie për artin dhe kulturën shqiptare. Nën dirigjimin e maestro Fabrizio Maria Carminati, njëkohësisht dhe drejtor artistik i Teatro “Massimo Bellini” në Catania, me korin dhe orkestrën e TKOBAP-së, publiku do të përjetojë një udhëtim të rrallë muzikor me kryevepra botërore nga Verdi, Bellini, Donizetti, Puccini, Cilea e të tjerë”, shprehet Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, ku edhe vetë sopranoja e mirënjohur e ka ndarë në faqen e saj njoftimin për koncertin “Kur ndjenjat marrin zë” me kryevepra botërore. Në këtë koncert dirigjent kori do të jetë Dritan Lumshi. Ky koncert që do të jetë më 17 shtator shënon edhe rikthimin e artistes Jaho në TKOB një vit pas koncertit të fundit. Koncerti i mbrëmjes së 4 gushtit  2024 solli në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit sopranon shqiptare me famë ndërkombëtare Ermonela Jaho, si dhe tenorin amerikan Charles Castronovo. Me një aktivitet të vlerësuar në skenat botërore, sopranoja Ermonela Jaho erdhi në këtë koncert me një program të pasur muzikor për publikun shoqëruar me orkestrën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
    Koncerti në sezonin artistik
    Në prag të sezonit të ri artistik që po nis në institucionet e artit dhe kulturës në vend, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit po bën me dije dhe koncerte dhe shfaqjet e para, ku i pari do të jetë koncerti që rikthen në skenë sopranon shqiptare me famë ndërkombëtare Ermonela Jaho. Në aktivitetin e saj ndër vite, sopranoja Ermonela Jaho ka fituar shumë konkurse ndërkombëtare, përfshirë konkursin Giacomo Puccini në Milano, Itali 1997, Konkursin Ndërkombëtar Spontini në Ancona, Itali 1998, Zandonai në Rovereto, Itali 1999 dhe Çmimin e këngëtarit më të mirë të vokalit operistik në Festivalin e Wexford, 2000. Ajo ka performuar në shtëpi opere në mbarë botën, duke përfshirë Royal Opera në Londër, Metropolitan Opera, Teatro Real Madrid, Berlin Staatsoper, Opera National de Paris, Theatre des Champs-Élysées, Staatsoper Vienna, Bayerische Staatsoper, Opera Australia, Teatro Colon Buenos Aires, Gran Teatre del Liceu Barcelona, Teatro alla Scala. Në vijim të aktivitetit të saj ajo u shpall “Artistja e vitit 2023” nga “International Classical Music Awards -ICMA”.

  • Qyteti gjerman shndërron vendin e tubimit nazist në teatër opere

    Qyteti gjerman shndërron vendin e tubimit nazist në teatër opere

    Një qytet në Gjermaninë jugore po i jep jetë të re një vendi të papërfunduar tubimi nazist duke ndërtuar një teatër opere brenda mureve të saj dhe duke transformuar një hapësirë dikur të planifikuar për propagandë në një vend për art dhe kulturë.
    Nazistët planifikuan ta përdornin vendin në qytetin bavarez të Nurembergut si një sallë kongresesh, të përshtatshme për të mbajtur 50 000 njerëz gjatë tubimeve.

    Por, për shkak të Luftës së Dytë Botërore, ndërtesa nuk u përfundua kurrë dhe vetëm karabinaja kishte mbetur.

    Tani, ajo po transformohet në një teatër të ri opere për të shërbyer si një vend zëvendësues për teatrin shtetëror, ndërsa teatri historik i operës së qytetit rinovohet.
    ”Ndërtimi i ndërtesës së re, i cili filloi tetë muaj më parë, po përparon sipas planit”, tha administrata e qytetit.
    Teatri i operës pritet të përfundojë në fillim të vitit të ardhshëm.
    Shtëpia e operës është menduar të jetë një kundërpërgjigje ndaj megalomanisë arkitekturore të nazistëve, me një kub të gjelbër përpara sallës monumentale të kongreseve.
    I gjithë projekti është pjesë e një iniciative kulturore prej 296 milionë eurosh (342 milionë dollarë).
    Sapo shtëpia e rinovuar e operës të rihapet në vitin 2028, ndërtesa e listuar do të shndërrohet në studio dhe hapësira për evente për skenën artistike dhe kulturore.
    ATSH

  • “Fatalita”, baleti i krijuar në Shqipëri shfaqet në Palermo, vepra përcjell një mesazh sensibilizues për shoqërinë

    “Fatalita”, baleti i krijuar në Shqipëri shfaqet në Palermo, vepra përcjell një mesazh sensibilizues për shoqërinë

    Nga Julia Vrapi
    Baleti “Fatalita” që u krijua në vendin tonë u shfaq në Palermo. Një produksion i krijuar në Tiranë që u ngjit në një nga teatrot më të rëndësishëm të Europës. Katër kryevepra botërore, “Romeo and Juliet”, “Carmen”, “La Traviata” dhe “Anna Karenina”, ku heroina është gruaja në baletin “Fatalita”, që shënoi vjet premierën në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Baleti në katër tablo, me koreografi nga Toni Candeloro, nën ideimin dhe asistencën e primabalerinës Enada Hoxha dhe një produksion i kuruar nga Edlira Qyshka (kostumografi) dhe Florian Çanga (video design), vijoi rrugëtimin e tij ndërkombëtar pas premierës së suksesshme në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. ““Fatalita” u jetësua edhe në skenën prestigjioze të Teatro Massimo Palermo!
    Një produksion i krijuar në Tiranë që ngjitet në një nga teatrot më të rëndësishëm të Europës dhe me vete çon artin, pasionin dhe profesionalizmin shqiptar!”, thuhet nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit. Produksioni origjinal i baletit “Fatalita”, me koreografi nga Toni Candeloro dhe kostumografi nga Edlira Qyshka u ngjit në skenën e Teatro Massimo Palermo nga data 27 deri më 31 korrik, ndërsa vetë primabalerina Enada Hoxha ka reaguar dhe në rrjete sociale. Ndër të tjera, ajo shprehet se mezi pret që ta kërcejë sërish në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit këtë vepër. “E lumtur dhe mirënjohëse që baleti “Fatalita” që ideova dhe gjithashtu një bashkëprodhim i imi me Teatrin e Operës dhe Baletit në muajin korrik u punua dhe u kërcye nga balerinët e Teattro Massimo di Palermo një nga tre teatrot më të rëndësishëm të Europës.
    Falenderues koreografit Toni Candeloros, të cilit ja besova koreografinë, drejtorit të baletit të Tattro Massimo di Palermo Jean- Sebastien Colau. Mezi pres ta kërcej përsëri në TOB”, shprehet Enada Hoxha, ku Zhuljeta, Violetta, Anna Karenina dhe Carmen janë katër heroina të interpretuara edhe nga balerina e parë. Më herët për bashkëpunimet me koreografin Toni Candeloro, primabalerina Enada Hoxha ka shprehur se ai është një nga kërcimtarët dhe koreografët internacional, që i ka dhënë mundësinë që ajo të përçojë artin e saj edhe jashtë krah tij, por dhe të ishte muza e tij në krijimet koreografike.
    Një mesazh sensibilizues për shoqërinë
    “Fatalita” balet me katër tablo, me koreografi nga Toni Candeloro u shfaq vjet në qershor  në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Katër kryevepra botërore, “Romeo and Juliet”, “Carmen”, “La Traviata” dhe “Anna Karenina”, ku heroina është gruaja që vdes, përmblidhen në një balet nga koreografi i shquar italian, Toni Candeloro. Vepra përcjell një mesazh sensibilizues për shoqërinë: Stop dhunës dhe nënshtrimit të gruas, që fundi i saj të mos jetë fatal! Muzika mban emrat e autorëve Sergei Prokofiev, Giuseppe Verdi, Pyotr Ilych Tchaikovsky, Georges Bizet dhe Yury Shadrin. Kritika e ka vlerësuar Cadeloron  edhe për idetë e tij krijuese në botën e spektaklit, teatrit dhe festivaleve të ndryshme.

  • Operat për Skënderbeun dhe karakteri “patriotik” ballkanas: Si shikohet dhe si trajtohet historia shqiptare?

    Operat për Skënderbeun dhe karakteri “patriotik” ballkanas: Si shikohet dhe si trajtohet historia shqiptare?

    Daut Dauti

    Në Perëndim, veprat e historianëve të Ballkanit konsiderohen se nuk janë kredibile. Punimet e tyre hasen rrallë në botimet serioze akademike. E, kur është fjala për botimet kredibile evropiane të veprave të historisë, më së keqi qëndrojnë autorët shqiptarë. Kjo është arsyeja që veprat kryesore të historisë së shqiptarëve ende shkruhen nga të huajt…

    Me 22 qershor 1718, në Firence u shfaq premiera e operës me tri akte, e titulluar “Scanderbeg”. Opera ishte kompozuar nga kompozitori i famshëm Antonio Vivaldi, i cili më shumë është i njohur për veprën e tij madhështore “Katër stinët”. Opera “Scanderbeg” ishte përgatitur enkas për rihapjen e sallës së operës “Teatro della Pergola”, e cila ishte ngjarje e madhe për kulturën e këtij qyteti të asaj kohe dhe të një pjese të vendit që më vonë do të quhej Itali.

    “Scanderbeg” zgjoi interesim të madh, por u hoq shpejt nga repertori dhe nuk u shfaq më deri në vitin 2012 kur u dha në Tiranë. Duke e paraqitur suksesin e Skënderbeut në mbrojtjen e Krujës, opera përshkohej nga ndjenjat antiosmane. Në listën e roleve të operës, Skënderbeu paraqite si mbret i Shqipërisë, por publikut i lihet të kuptohet se ai ishte edhe grek. Shto faktin që Vivaldi ishte edhe prift, operës nuk i mungonte as prezenca e karakterit religjioz. Kështu e donte koha atëherë.

    Ata pak veta që janë marrë me efektin muzikor të kësaj teme, heqjen e operës nga repertori dhe më vonë rënien e saj në harresë, e quajnë “të befasishme”. Në fakt, ky moment ose veprim nuk ka qenë befasi aspak nëse këtë çështje e shikojmë nga prizmi politik ose shoqëror. Përgjigjen e kësaj “befasie” duhet kërkuar në Marrëveshjen e Pozharevcit të vitit 1718.

    Opera në fjalë qe kompozuar nën frymën e rrethanave aktuale të atëhershme, që karakterizoheshin nga luftërat, të shtatat me radhë, që u zhvilluan ndërmjet Venedikut dhe Perandorisë Osmane gjatë viteve 1714-1718. Venediku e humbi luftën, por suksesi i Monarkisë së Habsburgëve e shpëtoi Republikën venedikase nga katastrofa. Marrëveshja në Pozharevc u nënshkrua me 21 qershor (1718), një ditë para premierës së operës. Sikur marrëveshja të ishte nënshkruar në kushtet e sotme, që karakterizohet nga shpejtësia e depërtimit të informatave, ka pasur shumë gjasa që opera të mos e përjetojë as premierën. Pas marrëveshjes, Vjena dhe Venediku nuk dëshironin që t’i rrezikonin marrëdhëniet tanimë paqësore me osmanët për shkak të një opere. Me fjalë tjera, sundimtarët venedikasë dhe austriakë konsideruan se opera nuk ishte politikisht korrekte dhe nuk lejuan vazhdimin e shfaqjes. Ky akt flet shumë.

    Pas 17 viteve (1735), në Paris u shfaq edhe një operë tjetër e kompozuar bashkërisht nga François Francoeur dhe François Rebel që përsëri kishte të bëjë me Skënderbeun. Por, opera në këtë rast, edhe pse kishte të bëjë me personazhin e njëjtë (Skënderbeun), kishte një karakter dhe domethënie tjetër. Megjithatë, sulltani paraqitej si sundues që posedonte elemente të një sundimtari “barbar”, por ndaj Perandorisë Osmane shfaqej një dozë simpatie. Siç ka vërejtur Larry Wolf, historian dhe studiues i efekteve të artit evropian ndaj osmanëve, Skënderbeu në këtë operë paraqitet si prijës i shqiptarëve, por tema kësaj radhe ishte dashuria e jo lufta. Pra, skena nuk është fushëbeteja, por është haremi perandorak. Në këtë operë Skënderbeu nuk është vetëm hero, siç ishte te Vivaldi, por është edhe një lloj dashnori në kërkim të lavdisë luftarake të fisnikëve, siç dëshmojnë këto vargje të operës të cilat i këndon aktori në rolin e Skënderbeut:

    Këto janë dy trajtime të ndryshme ndaj Skënderbeut, por edhe ndaj shqiptarëve dhe Perandorisë Osmane. Ndryshimet që i ofrojnë këto dy opera si shembuj, vërehen nga fakti që e dikton interesi dhe rreziku që e ndjenin Vjena, Venediku dhe Parisi në relacion me Perandorinë Osmane. Vjena dhe Venediku janë më afër osmanëve. Prandaj, pamja e Skënderbeut ka tjetër formë dhe përmban tjetër kuptim. Franca është më larg osmanëve dhe në kohën e operës së Skënderbeut, të shfaqur në Paris, osmanët shiheshin si aleatë kundër Rusisë, e cila në atë kohë po forcohej. Forcimin e Rusisë nuk e dëshironte Franca dhe Anglia, për shkak se kjo e rrezikonte ekuilibrin e vendosur politik, ushtarak dhe tregtar, që paraqitej me tendencë të ndryshimit të gjeostrategjisë. Një aleancë që po ngjizej në këtë kohë, pas disa dekadave, do t’i dërgonte ushtritë e Francës dhe Anglisë në ndihmë të osmanëve kundër Rusisë.

    Sidoqoftë, në të dyja rastet Skënderbeu paraqet edhe Shqipërinë. Në rastin e parë Skënderbeu është mbret i cili e mbron vendin e tij – Shqipërinë. Rasti i dytë dëshmon se disa nga fuqitë evropiane, Anglia dhe Franca në këtë rast, por më vonë të gjitha, Shqipërinë e shohin si njësi territoriale brenda Perandorisë Osmane me tendencë të shkëputjes. Pikëpamja dytë e ilustron pozitën që këto shtete kishin adoptuar dhe vazhduan ta zbatonin në lidhje me tokat shqiptare deri në themelimin e shtetit shqiptar. Këto shtete do ta përdornin personalitetin e Skënderbeut dhe do ta përkrahnin çështjen shqiptare për aq sa diktonte nevoja e shtrirjes së interesit të tyre në Ballkan. Por, fakti që duhet theksuar është se këto shtete nuk do t’i sakrifikonin e, madje, as nuk do të tentonin t’i rrezikonin interesat e tyre që i kishin me Perandorinë Osmane për shkak të Shqipërisë, siç tregon edhe shembulli i ndërprerjes së shfaqjes së operës së Vivaldit për Skënderbeun.

    Megjithatë, në historiografinë e Perëndimit, çështja shqiptare, krahasuar me çështjet nacionale të kombeve tjera në Ballkan, shënon mungesë esenciale të trajtimit. Madje, thënia e Edward Gibonit se Shqipëria është vend që “shihet nga Italia, por është më pak i njohur se brendia e Amerikës” qëndron edhe sot, përkundër rritjes së interesimit të historianëve perëndimorë për këtë vend.

    Mungesa e interesimit të historianëve vjen si rezultat i mungesës së interesimit që kanë pasur shtetet e tyre për shqiptarët dhe Shqipërinë. Edhe në rastet kur hasim në trajtimin që historianët i bëjnë Shqipërisë, shohim mjaft të meta serioze. Deri vonë historianët perëndimorë e kanë konsideruar historinë mesjetare dhe atë të re të Shqipërisë si të parëndësishme. Pra, edhe roli i shqiptarëve në ngjarjet që datojnë, sidomos nga periudha e sundimit osman, është cilësuar si i parëndësishëm.

    Një “vlerësim” i tillë, pra i parëndësishëm, është bërë kryesisht për dy arsye: arsyeja e parë flet për faktin se këta historianë nuk kanë njohuri të gjuhës shqipe dhe të osmanishtes si dy gjëra esenciale që e mundësojnë hulumtimin dhe trajtimin adekuat, ndërsa arsyeja e dytë është fakti se që nga shekulli XIX historianët e shteteve fqinje të shqiptarëve vazhdimisht ua kanë imponuar historianëve perëndimorë pikëpamjen e tyre. Viteve të fundit është shtuar prezantimi i historisë shqiptare në botimet e literaturës anglofone. Me këtë është duke u ndriçuar dhe duke u bërë e rëndësishme historia shqiptare, por ende nuk është prezente ashtu siç janë historitë e popujve ose shteteve të tjera ballkanike.

    Pikëpamja e historianëve ballkanikë, në një masë të madhe përshkohet nga karakteri patriotik, sikur e shumicës së historianëve shqiptarëve. Shumica e historianëve ballkanikë dhe joshqiptarë i kanë ikur faktit që dëshmon për rolin esencial që kanë luajtur shqiptarët ose Shqipëria në Ballkan gjatë gjashtë shekujve të fundit. Këta historianë e kanë bërë një gjë të tillë me qëllim që t’u dalin në ndihmë politikave nacionaliste të shteteve të tyre, që kanë pasur tendenca territoriale ndaj tokave shqiptare. Duket se çështjet nacionale në Ballkan nuk janë zgjidhur përfundimisht dhe me siguri kjo është arsyeja që historianët ballkanikë ende garojnë mes vete, duke e angazhuar retorikën, por edhe “metodën” patriotike të shpjegimit ose ndriçimit të ngjarjeve dhe figurave kombëtare.

    Prandaj, kjo është arsyeja që në Perëndim veprat e historianëve të Ballkanit edhe më tutje konsiderohen se nuk janë mjaft kredibile dhe punimet e tyre hasen tejet rrallë në botimet serioze akademike. Kur është fjala për botimet kredibile evropiane të veprave të historisë, më së keqi qëndrojnë autorët shqiptarë. Kjo është arsyeja që veprat kryesore të historisë së shqiptarëve ende shkruhen dhe plasohen në botë nga historianë të huaj, autoritetin e të cilëve nuk e kontestojnë as historianët shqiptarë.

  • Ministri Çeku: “RLIOF rikthen Prishtinën në qendër të muzikës operistike” pas edicionit të pestë me sukses

    Ministri Çeku: “RLIOF rikthen Prishtinën në qendër të muzikës operistike” pas edicionit të pestë me sukses

    Festivali Ndërkombëtar i Operës Rame Lahaj (RLIOF) përmbylli me sukses edicionin e tij të pestë, duke kthyer Prishtinën në qendër të muzikës operistike për dhjetë net me radhë. Ky eveniment prestigjioz u zhvillua në ambiente të ndryshme të kryeqytetit dhe solli në skenë emra të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët ofruan koncerte dhe performanca të shkëlqyera artistike.

    RLIOF tashmë është kthyer në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në rajon, duke shërbyer si një platformë ku artistët e operës nga vende të ndryshme bashkohen me publikun kosovar për të përjetuar së bashku magjinë e këtij zhanri muzikor.

    Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në një postim në rrjetet sociale, shprehu kënaqësinë për suksesin e festivalit dhe falenderoi artistin Rame Lahaj dhe gjithë ekipin e tij për punën e palodhur dhe pasionin që kanë vënë në organizimin e këtij eventi. Ai theksoi rëndësinë e këtij festivali në promovimin e kulturës dhe muzikës klasike në Kosovë dhe për vendosjen e Prishtinës si një destinacion të rëndësishëm artistik.

    “RLIOF është një hapësirë ku zërat më të mirë të operës bashkohen me publikun tonë në një përjetim të rrallë kulturor. Faleminderit Rame Lahaj dhe ekipit që po e bëjnë këtë festival një ngjarje të veçantë në kalendarin artistik të vendit,” shkroi Çeku.

    Festivali përfshiu një gamë të gjerë koncertesh, recitalesh dhe eventesh kulturore që patën jehonë të madhe në media dhe mes publikut, duke tërhequr dashamirës të muzikës nga e gjithë Kosova dhe më gjerë.

    RLIOF pritet të vazhdojë të rritet e fuqizohet në vitet në vijim, duke ofruar mundësi për artistët e rinj dhe duke promovuar trashëgiminë kulturore në skenën ndërkombëtare/KultPlus.com

  • Rame Lahaj & Friends përmbyllin plot emocione koncertin madhështor në Prishtinë

    Rame Lahaj & Friends përmbyllin plot emocione koncertin madhështor në Prishtinë

    Ka përfunduar edicioni i pestë i festivalit të operës Rame Lahaj and Friends, ku ndër emocione të veçanta do të mbahet sërish gjatë mend tenori ynë i shquar, i cili po e sjellë këngën e bukur shqipe në mbarë botën, raporton KosovaPress.

    Festivali Ndërkombëtar i Operës Rame Lahaj me temën “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure!” ul siparin sonte pas 10 ditëve plot aktivitete e mbrëmje artistike.

  • 7 vjet nga vdekja e tenorit ikonik, Gaqo Çakos

    7 vjet nga vdekja e tenorit ikonik, Gaqo Çakos

    Sot janë bërë shtatë vjet nga vdekja e tenorit të famshëm Gaqo Çako (24 janar 1935 – 1 gusht 2018), i cili është mbajtës i titullit të lartë “Nderi i Kombit”.

    Gaqo Çako dha një kontribut të jashtëzakonshëm në historinë e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, si dhe në artin shqiptar në tërësi.

    Mjeshtri Çako interpretoi rolet kryesore të repertorit të pasur operistik, duke shënuar tri dekada të arta në skenën e madhe të operës shqiptare. Performancat e tij e ngritën artin operistik shqiptar në nivele të larta artistike dhe teknike.

    Repertori i tij përfshinte vepra të famshme botërore si: La Traviata, La Bohème, Rigoletto, Norma, Cavalleria Rusticana, “Peshkatarët e Perlave”, Madame Butterfly, si dhe operat shqiptare: “Mrika”, “Lulja e Kujtimit”, “Pranvera”, “Heroina”, “Skënderbeu”, “Komisari”, “Zgjimi”, “Toka jonë” dhe “Goca e Kaçanikut”.

    Gaqo Çako interpretoi një repertor të gjerë që përfshinte arie, romanca, këngë popullore të përpunuara dhe muzikë të lehtë, të performuara në qindra koncerte brenda dhe jashtë vendit, në Evropë, Azi, Afrikë, Amerikë e Kubë. Ai ishte një ambasador i kulturës vokale shqiptare, duke sjellë në interpretim këngët tradicionale popullore shqiptare dhe këngët e festivaleve të Radios.

    Si pedagog i shquar i kantos në Akademinë e Arteve, Çako ka lënë pas një trashëgimi të vyer, me shumë nga studentët e tij që sot luajnë role të rëndësishme në jetën muzikore shqiptare dhe ndërkombëtare. Ai kontribuoi gjithashtu si regjisor, duke vënë në skenë vepra të rëndësishme operistike.

    Gaqo Çako mbetet një ikonë e artit dhe muzikës shqiptare, një shembull frymëzimi për brezat e rinj dhe një figurë që do të kujtohet gjithmonë me respekt dhe krenari./ KultPlus.com

  • Anita Rachvelishvili në Prishtinë: Magjia e operës rikthen shkëlqimin e natës nën yje

    Anita Rachvelishvili në Prishtinë: Magjia e operës rikthen shkëlqimin e natës nën yje

    Kryeqyteti sonte bëhet skenë e një ngjarjeje të jashtëzakonshme kulturore, ku ylli botëror i operës, Anita Rachvelishvili, do të performojë për herë të parë në Prishtinë në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Operës Rame Lahaj.Koncerti mbahet në ora 20:30, në hapësirën e jashtme të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, që për një natë do të shndërrohet në një ambient të hapur nën yje, duke sjellë emocione të fuqishme për publikun artdashës. Me një repertor që përfshin arie të mëdha operistike dhe këngë nga Italia, Gjeorgjia dhe Argjentina, Rachvelishvili do të udhëheqë një udhëtim muzikor që bashkon kultura dhe ndjenja nga e gjithë bota.E shoqëruar nga Ansambli i Festivalit Rame Lahaj dhe nën drejtimin e dirigjentit të njohur Nikoloz Rachveli, kjo mbrëmje pritet të jetë një festë e pasionit për artin dhe një përvojë që vendos Prishtinën në hartën e skenave të rëndësishme ndërkombëtare të muzikës operistike. Hyrja në koncert është falas dhe të gjithë qytetarët janë të ftuar të bëhen pjesë e kësaj mrekullie artistike./KultPlus.com