Tag: opera

  • “La Traviata”, opera e parë e vënë në skenë në Shqipëri

    “La Traviata”, opera e parë e vënë në skenë në Shqipëri

    Më 25 korrik të vitit 1942, opera e mirënjohur e Verdit, “La Traviata”, u vu për herë të parë në kryeqytetin shqiptar.

    Operan e Giuseppe Verdi-t e solli kompania artistike italiane “Carro di Tespi Lirico”.

    Në vitin 1929 qeveria fashiste e Romës krijoi katër trupa teatrale shëtitëse që morën emërtimin “Carri di Tespi” (“Qerret e Tespit”). “Carro di Tespi Lirico” mbulonte operan dhe këngën lirike, ndërsa tri të tjerat vinin në skenë pjesë teatrale. Synimi i këtyre trupave ishte që të përçonte, deri tek fashat më të izoluara të shoqërisë, teatrin dhe operan lirike.

    Me përjashtim të “La Traviata”, trupa Carro di Tespi Lirico dha edhe disa shfaqje të tjera në korrik të 1942. Me gjasë, kjo ishte hera e parë që një opera lirike vihej në skenë në Shqipëri. Skena u vendos në krye të Viale del Impero (sot “Bulevardi Dëshmorët e Kombit”), në lartësinë ku sot ndodhet Sheshi “Nënë Tereza”./atsh/KultPlus.com

  • Nën ripërjetësimin e krijimtarisë së Nexhmije Pagarushës, RLIOF nis rrugëtimin me ‘Ëndrra pa kufi, Opera pa mure’

    Nën ripërjetësimin e krijimtarisë së Nexhmije Pagarushës, RLIOF nis rrugëtimin me ‘Ëndrra pa kufi, Opera pa mure’

    Flonja Haxhaj

    Mbrëmja e kaluar në Prishtinë shënoi hapjen e edicionit të pestë të Rame Lahaj International Opera Festival, me një koncert të jashtëzakonshëm nën qiellin e hapur, përballë Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Në një atmosferë të ndriçuar hijshëm dhe me një publik që kishte zënë vend në çdo cep të kësaj hapësire, festivali filloi rrugëtimin e tij artistik në mbrëmjen dedikuar tërësisht krijimtarisë së ikonës së muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha, shkruan KultPlus.

    E pozicionuar në hapësirën përballë bibliotekës, mbrëmja ofroi një skenografi ku stolat dhe dritat krijuan një ambient që në shikim të parë e paralajmëronin një natë të mbushur me emocion, nostalgji dhe melankoli. Nën moton “Ëndrra pa kufi, opera pa mure”, RLIOF solli para publikut një koncert që u bë urë-lidhësemes operës dhe trashëgimisë muzikore shqiptare.

    Mbrëmja u hap me interpretimin e ndjeshëm të këngës “Unë ty të kam dashtë” nën zërin e Edona Reshitaj në përcjellje nga orkestra e Genti Rrushit. Pas saj, Adhurim Grezda solli një version të fuqishëm të “Perëndeshë e bukurisë”, ndërsa artistja Arbëreshë interpretoi me delikatesë këngën “Ti mor djalë”.

    Pas këtyre performancave, në skenë u ngjit mezopranoja egjiptiane, Gala El Hadidi, e cila me këngën “E dehur jam” përçoi emocione të thella dhe një përjetim të veçantë të muzikës së Pagarushës. Reshitaj u rikthye me “Kur më del në derë”, ndërsa El Hadidi interpretoi ndjeshëm “Vetë ke mbet”. E më pas Grezda solli “Kur më shkon si zog n’hava”.

    Vazhdimi i koncertit solli këngë të tjera të paharrueshme si “Dashuro” nga Arbëreshë, “Zani i tij më thërret” nga Reshitaj, “O moj bukuroshe” nga Grezda, si dhe “O në atë fushë t’mejdanit” nga Arbëreshë, për të vijuar me “Sytë për ty i kam të njomë”, “O dritë, sa të dua”, dhe për t’u përmbyllur me “E kujtoj atë takim”, në interpretimin plot emocion të Gala El Hadidi.

    Pwrfundimi i koncertit erdhi me një kolazh të përbashkët të këngëve më të dashura të Nexhmije Pagarushës, ku të gjithë artistët u ngjitën sërish në skenë për të interpretuar së bashku “Baresha”, “Mora testin”, “E kujtoj atë takim” dhe shumë këngë të tjera që përbëjnë thesarin e muzikës shqiptare.

    Pas një paraqitje ku u pasua me një grumbull ovacionesh, këngëtari Adhurim Grezda u shpreh shumë i lumtur që ishte pjesë e kësaj mbrëmje hapëse, e aq më tepër në një koncert që i dedikohet ikonës, Nexhmije Pagarusha.

    “Padyshim që ndjehem shumë i lumtur dhe shumë krenar që po ripërtrihen këngët divës së madhe të muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha. Po vazhdojmë me këtë edicion të pestë, vit jubilar i Rame Lahaj International Opera Festival dhe besoj se si kjo mbrëmje e suksesshme, të tilla do të jenë edhe mbrëmjet e tjera të këtij edicioni. Kryesisht jemi bazuar tek krijimtaria e Nexhmije Pagarushës, unë kisha edhe një këngë që e kam marrë nga repertori i Shkodrës, kisha dëshirë ta prezantoja si risi në këtë edicion”, theksoi Grezda për KultPlus.

    Ndonëse është paraqitja e saj e parë në Kosovë, mezosopranoja nga Egjipti, Gala El Hadidi ndan me KultPlus përshtypjet e saj për Kosovën. Ajo e përshkruan këtë paraqitje të saj si një përvojë të mrekullueshme dhe që mezi pret të rikthehet sërish në Kosovë.

    “Kam krijuar përshtypje të mrekullueshme për Kosovën, dua të rikthehem sërish, më ka pëlqyer shumë dhe nuk mund ta besoj që do të largohem pas dy ditësh. Është gjë e mrekullueshme të performoj këtu para publikut të Kosovës, publik që e shijon muzikën dhe kam mundur të vërej se këtu ka një trashëgimi kulturore muzikore dhe vërtet një publik i hapur dhe që i pranon të gjithë, pavarësisht pse sot unë këndova këngë në gjuhën shqipe, është vërtet një nder për mua të jem këtu. E kam njohur Rame Lahajn në Gjermani dhe të dy, ku kisha kënaqësinë të performoj me të para disa viteve, dhe pasi ai krijoi këtë festival më ftoi disa herë po nuk pata mundësi të vija deri më tani dhe sigurisht duke e njohur atë se sa i suksesshëm është, gjithmonë kisha dëshirë të vija”, u shpreh El Hadidi duke shtuar më tutje se Lahaj është një ambasador shumë i mirë i Kosovës dhe është një prej arsyeve pse Hadidi dhe shumë artistë të muzikës operistike kanë vendosur që të vijnë të performormojnë në Kosovë.

    Pasi koncertit, për KultPlus foli edhe artistja Edona Reshitaj, e cila u dha sërish jetë disa prej këngëve ikonike të Nexhmije Pagarushës. Reshtaj e përshkruan si ndjenjë të jashtëzakonshme paraqitjen në këtë koncert dhe vlerëson lart kontributin e festivalit Rame Lahaj International Opera Festival.

    “Është ndjenjë e jashtëzakonshme, kam një nder të madh dhe një kënaqësi të madhe që marr pjesë në këtë festival fantastik dhe tjetra është se ky festival ka bërë kthesën e muzikës sepse gjithmonë është paragjykuar që Kosova nuk ka publik për muzikën e mirëfilltë dhe muzikën klasike, me këtë festival ne e kemi kuptuar që ka hala shpresë për vendin tonë”, tha Reshitaj teksa shtoi se me festivale të tilla po shënohet edhe një rikthim masiv i publikut edhe në koncertet artistike dhe klasike.

    Pas përfundimit të mbrëmjes së parë, për KultPlus foli edhe koordinatori artistik i festivalit, Besmik Vokopola, i cili përveçse foli për natën hapëse, shpalosi edhe qëllimin e këtij edicioni të Rame Lahaj International Opera Festival.

    “Ne sapo përfunduam mbrëmjen e parë të dedikuar të madhes Nexhmije Pagarusha dhe këtë vit festojmë pesë – vjetorin e Festivalit Ndërkombëtar të Operës Rame Lahaj nën moton ‘Ëndërra pa kufi, opera pa mure’ sepse gjithçka nisi si një ëndërr dhe ja ku jemi sot, që sjellim në Prishtinë dhe në disa prej qyteteve të Kosovës art të mirëfilltë, jo vetëm muzikë klasike por edhe gërshetimin me ato që janë tingujt e kulturës sonë”, tha Vokopola, teksa më tutje shpalosi edhe mbrëmjet që do të pasojnë festivalin deri në natën përmbyllëse.

    Ndërkaq, përgjatë këtyre mbrëmjeve të festivalit RLIOF, publiku do të ketë mundësinë të shijojë performanca të artistëve të mirënjohur vendorë e të huaj deri më datë 2 gusht, ku edhe do të kurorëzohet me mbrëmjen ‘Rame Lahaj & Friends’./KultPlus.com

  • Opera e Kosovës sjell në Prishtinë “Carmenin” e George Bizet

    Opera e Kosovës sjell në Prishtinë “Carmenin” e George Bizet

    Katër aktet e veprës “Carmen” të kompozitorit francez Georges Bizet do të interpretohen në Prishtinë më 22 dhe 24 korrik, nën organizimin e Operës së Kosovës, në ambientet e AMC Hall.

    Opera “Carmen”, e adoptuar nga novela e Prosper Mérimée, një nga veprat më ikonike të muzikës klasike dhe realizmit në operë dhe mbetet një nga kryeveprat më të interpretuara në gjithë botën.

    Magjia e kësaj opere që ka pushtuar skenat më prestigjioze të botës, tani për herë të parë në këtë formë madhështore vjen edhe në kryeqytetin e Kosovës. “Carmen” shfaq historinë e një gruaje të lirë dhe të pavarur dhe lidhjen e saj dashurore, pasionante e destruktive me Don Jose. Opera shkrihet në gërshetimin e dashurisë, pasionit, lirisë, obsesionit dhe tragjedisë.

    “Carmen” përbën një urë lidhëse midis traditës së opéra comique dhe realizmit apo verismo-s, që karakterizoi operën italiane të fundit të shekullit XIX. Muzika e “Carmen”-it është vlerësuar gjerësisht për brilancën e melodisë, harmonisë, atmosferës dhe orkestracionit, si dhe për mjeshtërinë me të cilën paraqiten emocionet dhe vuajtjet e personazheve.

    Premiera luhet të martën me 22 korrik ndërsa repriza të enjten më 24 korrik.

    ObserverKult

    ——————————–

    Lexo edhe:

    “E frikshme”: Inteligjenca Artificiale diagnostikon katërfish më saktë se mjekët?

    UNESCO: Parku Kombëtar i Drilonit në rrezik nga ndërhyrjet pa kriter

  • Opera dhome, shfaqet për herë të parë në kishën Shën Lucia në Durrës

    Opera dhome, shfaqet për herë të parë në kishën Shën Lucia në Durrës

    Në Kishën Shën Lucia në Durrës, u shfaq për herë të parë një opera dhome shqiptare, vepër e krijuar nga kompozitori Red Radoja.

    “Ëndrra e Gotfridit”, me muzikë dhe libret nga vetë autori, u ngjit në skenë në kuadër të edicionit të 20-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës.
    Radoja, që prej vitesh jeton dhe krijon në Francë, e ka shkruar operën fillimisht në frëngjisht. Tani ajo vjen në versionin shqip, si një premierë e veçantë për skenën shqiptare, ku muzika klasike, motivet shqiptare, ëndrra dhe realiteti ndërthuren në një akt të vetëm.
    Në role u ngjitën emra të njohur të skenës lirike, tenori Neron Kacerja, mezzo-sopranoja Anita Kërhani dhe bas-baritoni Hektor Leka. Vepra u shoqërua nga një kuartet instrumental i drejtuar në piano nga vetë autori.
    “Ëndrra e Gotfridit” u mirëprit nga publiku dhe u përjetua si një moment i veçantë artistik, që bashkon krijimtarinë shqiptare me standardet evropiane të muzikës së dhomës.
     
     

    Top Channel

  • Superjahti “Opera”, i sheikut arab ankorohet në Portin e Durrësit

    Superjahti “Opera”, i sheikut arab ankorohet në Portin e Durrësit

    Në portin e Durrësit ditën e sotme është ankoruar superjahti luksoz “Opera”, i cili ndodhet në pronësi të Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan, Ministër i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe anëtar i familjes mbretërore.
    Ankorimin e “Operas” e ka bërë Autoriteti Portual Durrës përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ku ndër të tjera theksohet se ndalimi i këtyre mjeteve luksoze e ka kthyer Portin e Durrësit në një pikë ndalesë strategjike në itineraret mesdhetare.

    Njoftimi i Autoritetit Portual, Durrës:
    Mëngjesin e sotëm, ka mbërritur në Portin e Durrësit jahti OPERA, me flamur britanik dhe i regjistruar në portin George Town. Mjeti lundrues ka ardhur nga Corfu, Greqi dhe ka gjatësi 146.35 metra, gjerësi 21.5 metra, dhe zhytje maksimale 5.6 metra.
    Porti i Durrësit po mirëpret gjithnjë e më shumë mjete luksoze dhe lundruese të përmasave të mëdha, duke u kthyer në një pikë ndalesë strategjike në itineraret mesdhetare dhe për shërbimet portuale që ofron.

     

  • “Opera” e sheikut arab zbarkon në Durrës, do të furnizohet me 320 mijë litra karburant pa akcizë

    “Opera” e sheikut arab zbarkon në Durrës, do të furnizohet me 320 mijë litra karburant pa akcizë

    Mëngjesin e sotëm, 30 qershor, portin e Durrësit është ankoruar superjahti luksoz “Opera”, në pronësi të sheikut Abdullah bin Zayed Al Nahyan nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

    Jahti, i ndërtuar në vitin 2022, pritet të furnizohet me rreth 320 mijë litra karburant pa akcizë, një nga arsyet që e bën portin shqiptar tërheqës për mjetet e mëdha lundruese. “Opera” pas furnizimit do të niset drejt Dubrovnikut.

    Vitin e kaluar, Shqipëria arkëtoi mbi 1 miliard lekë nga taksa e karburantit për jahte e megajahte. Jahti, kap vlerën e rreth 450 milionë dollarë.

  • Në pronësi të ministrit të Emirateve të Bashkuara Arabe, mbërrin në Portin e Durrësit super-jahti luksoz! Një nga më të mëdhatë në botë!

    Në pronësi të ministrit të Emirateve të Bashkuara Arabe, mbërrin në Portin e Durrësit super-jahti luksoz! Një nga më të mëdhatë në botë!

    Në Portin e Durrësit ka mbërritur mëngjesin e sotëm super-jahti “Opera”, një nga jahtet më të mëdha dhe luksoze në botë, në pronësi të Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan, ministër i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe anëtar i familjes mbretërore.

    “Opera”, i ndërtuar në vitin 2022 nga kompania prestigjioze gjermane Lürssen, ka një gjatësi prej rreth 146 metrash dhe vlerësohet në rreth 450 milionë dollarë.
    Kjo ndalesë në Shqipëri lidhet me furnizimin me karburant, një nga arsyet kryesore pse jahtet turistike e zgjedhin portin e Durrësit si ndalesë të preferuar në rajon.
    Sipas burimeve portuale, “Opera” do të furnizohet me 320 mijë litra naftë, me një çmim prej 1 euro për litër, ndërsa 20 lekë për litër shkojnë drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit.
    Jahtet turistike vazhdojnë ta shohin Shqipërinë si një stacion strategjik në Mesdhe për furnizimin me karburant, falë lehtësirave fiskale dhe shërbimeve portuale në rritje.

    Top Channel

  • Opera lançon shfletuesin që mund të kodojë uebsajte dhe lojëra

    Opera lançon shfletuesin që mund të kodojë uebsajte dhe lojëra

    Ditën e Marte Opera prezantoi shfletuesin e ri quajtur Opera Neon i cili përqendrohet tek kryerja e veprimeve të përdoruesit nga AI siç është blerja, plotësimi i formularëve apo kodimi.

    Aktualisht shfletuesi gjendet pas një liste pritjeje por kompania tha se përdoruesit duhet të abonohen për ta përdorur atë kur të debutojë. Skema e çmimeve nuk është zbuluar.
    Shfletuesi Opera Neon ka tre butonë të rinj në panelin anësor: Chat, Do dhe Make. Chat përfaqëson ndërfaqjen e chatbotit me të cilin mund të kërkoni në ueb, të merrni përgjigje dhe të kërkoni më shumë informacion rreth uebfaqeve që vizitoni.

    Opsioni Do përdor agjentin AI Operator i cili u prezantua në muajin Mars. Ky agjent është i aftë të kryejë veprime si plotësimi i formularëve dhe menaxhimi i rezervimeve.

    Ndërkaq Opera thotë se me opsionin Make mund të krijoni lojëra, uebsajte, pjesëza kodi dhe të gjeneroni raportime. Kompania tha se këto procese AI kryhen në cloud prandaj veprimet e Neon vijojnë edhe kur nuk jeni online.
    E gjitha kjo duhet e jashtëzakonshme në letër, por aplikacionet AI zakonisht nuk performojnë ashtu siç reklamohen. Gjithashtu Opera nuk është e vetmja kompani që po punon në këtë drejtim ndërsa The Browser Company ka lançuar shfletuesin Dia. /PCWorld Albanian

  • Trupat artistike të TKOB me “Opera Gala” këtë mbrëmje në skenën e teatrit të Vlorës

    Trupat artistike të TKOB me “Opera Gala” këtë mbrëmje në skenën e teatrit të Vlorës

    “Opera Gala” me artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në skenën e teatrit të Vlorës. Një mbrëmje gala me ariet më të bukura të autorëve Mozart, Verdi, Puccini, Bizet, Offenbach, Rossini, Lehar e Bernstein, deri te koreografitë elegante mbi muzikën e Johann Strauss Il, “Opera Gala”. Koreografia dhe regjia në “Opera Gala” është nga Renato Zanella, ndërsa Orkestra Simfonike e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të jetë nën drejtimin e dirigjentit Sergio Alapont. Në skenë do të jenë dhe trupa e baletit e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, si dhe Kori i TKOB-së. “Opera Gala” sjell magjinë e saj edhe në Vlorën e flamurit me mbështetjen e pakushtëzuar të Bashkisë Vlorë”, thuhet nga TKOB.
    “Opera Gala” që këtë mbrëmje do të jetë në skenën e teatrit “Petro Marko” në Vlorë më parë u shfaq për dy mbrëmje me radhë në skenën e TKOB-së në Tiranë. Më herët, regjisori Renato Zanella u shpreh se është një shfaqje që ka në qendër dashurinë. “Kjo është një mënyrë për të celebruar muzikën dhe të gjithë artistët me një program shumë të mirë. Një gala jo si ato që jemi mësuar të shohim, ku marrin pjesë kori, solistët, baleti dhe muzika gjithashtu. Kemi Verdin, Puccini-n, Mozartin, Strauss dhe të gjithë këta vijnë në një shfaqje të vetme, një shfaqje që ka në qendër një tematikë, dashurinë, atë ndjenjë që vjen e shpërfaqur në forma të ndryshme nga secili kompozitor”, tha regjisori Zanella, i cili ka bashkëpunuar edhe më parë me TKOB. “Opera Gala” që këtë mbrëmje do të jetë në skenën e teatrit të Vlorës është në vijim të aktiviteteve në kalendarin artistik këtë muaj nga TKOB.

  • Opera Gala! Shfaqja që bën bashkë korin, orkestrën dhe trupën e baletit në TKOB

    Opera Gala! Shfaqja që bën bashkë korin, orkestrën dhe trupën e baletit në TKOB

    Mbi 150 artistë do të ngjiten në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, në dy mbrëmje GALA.

    E konceptuar si një festë shqiptare mes artistëve dhe publikut, si rrallë herë, kjo shfaqje bën bashkë solistët, korin, orkestrën dhe trupën e baletit, nën regjinë dhe koreografinë e Renato Zanellas e dirigjimin e Sergio Alapont.
    “Është një mënyrë për të celebruar muzikën me të gjithë artistët, me një program shumëngjyrëshe me disa numra muzikor me kompozitor të ndryshëm si Puçini, Strauss, Verdi. Secili shpërfaq idenë e dashurisë në forma të ndryshme”, shprehet  Renato Zanella, regjisor, koreograf.
    “Dua të nënvizoj fjalën gëzim, filli që na lidh së bashku, që lidh artistët me publikun dhe ky koncept nuk duhet të ndodhë vetëm në shtresat e borgjezisë, por dhe në popull. Ai popull që 125 vite më parë ka mbushur sallat ku është bërë muzikë”, tha Sergio Alapont, dirigjent.
    Një spektakël unik, që për dy orë sjell ariet më të dashura të Mozartit, Verdit, Puccinit, Strauss, shoqëruar me koreografitë e përgatitura nga trupa e baleti.
    Në 120 minuta shfaqje, artistët premtojnë të emocionojnë publikun, teksa nuk fshehin gëzimin për këtë bashkëpunim.
    Opera Gala vjen në 17 dhe 18 prill, si ngjarja më e madhe të pranverës në TKOB.

    Top Channel