Tag: opera

  • Zbulohet mashtrimi 30 mln euro në ‘zemrën historike’ të Firences, në pranga disa shqiptarë

    Zbulohet mashtrimi 30 mln euro në ‘zemrën historike’ të Firences, në pranga disa shqiptarë

    Policia italiane zbuloi një skemë mashtrimi me vlerë mbi 30 milionë euro që goditi institucionin historik “Opera di Santa Maria del Fiore”, që administron Katedralen dhe monumentet kryesore të Firences.
    Nëntë persona u ndaluan në disa qytete, mes tyre italianë, shqiptarë dhe shtetas të tjerë të huaj.
    Ata akuzohen për krijimin e faturave të rreme dhe riciklim parash në bashkëpunim me kompani fantazmë.
    Hetimet nisën në mars të vitit 2025 nga Prokuroria e Breshias. Paratë qarkullonin në mënyrë të shpejtë mes llogarive bankare për të fshehur origjinën.
    Janë sekuestruar para të thata dhe dokumente.
    Skema zhvillohej në bashkëpunim me struktura fiktive që përfitonin fonde për restaurime.
    “Opera” është një nga institucionet më të vjetra dhe të rëndësishme kulturore në Itali.
    Rasti ka tronditur opinionin për shkak të lidhjes me trashëgiminë kombëtare.

  • Nikolin Gurakuqi: Opera e parë shqiptare “Mrika” vepër e Prenkë Jakovës hodhi themelet e teatrit muzikor shqiptar

    Nikolin Gurakuqi: Opera e parë shqiptare “Mrika” vepër e Prenkë Jakovës hodhi themelet e teatrit muzikor shqiptar

    Opera “Mrika” vepër e kompozitorit Prenkë  Jakova u vu në skenë 67 vjet më parë. Opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar kompozuar nga Prenkë Jakova, me libret nga Llazar Siliqi u vu në skenë më 1 dhjetor 1958 në teatrin “Migjeni” nga regjisori shkodran Andrea Skanjeti e realizuar nga grupet artistike të qytetit të Shkodrës. “Mrika” opera e parë shqiptare u vu në skenë për herë të parë më 1 dhjetor 1958 në Shkodër, dhe një vit më vonë, më 26 nëntor 1959, erdhi në skenën e TKOB-së. Një vepër themelore e historisë sonë muzikore, ku regjisori i njohur Nikolin Gurakuqi “Mjeshtër i Madh” shprehet se opera “Mrika” hodhi dhe themelet e teatrit muzikor shqiptar. Në intervistën për gazetën “SOT” regjisori Nikolin Gurakuqi vjen me një rrëfim mbi rëndësinë historike, që ka opera e parë shqiptare në skenë. Regjisori Nikolin Gurakuqi “Mjeshtër i Madh” shprehet se për të kompozuar opera ishin bërë përpjekje edhe më përpara në vendin tonë, por “Mrika” ishte kulimancioni si opera. Ndërsa flet për rëndësinë që ka krijimtaria kombëtare në skenë, regjisori i njohur Nikolin Gurakuqi sjell në vëmendje se sot duhet dhe më shumë mbështetje për krijimtarinë e re muzikore shqiptare, ku sipas tij të ketë një stimulim më të madh për krijuesit e muzikës nga institucionet. Si regjisor Nikolin Gurakuqi përgjatë aktivitetit të tij artistik ka realizuar mbi 80 produksione operistike në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, Universitetin e Arteve, qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe jashtë saj Itali, Greqi, Kosovë. Ndërsa flet për aktivitetin e tij artistik, ai thotë se nëse ia propozojnë operën “Mrika” ai patjetër që do ta vërë në skenë, sigurisht dhe duke mbajtur qëndrimet e tij regjisoriale. Përveç regjisë, Nikolin Gurakuqi është gjithashtu autor i shumë skenografive, artikujve dhe librave që analizojnë regjinë dhe interpretimin në opera.

    -“Mrika” opera e parë shqiptare, e kompozuar nga Prenkë Jakova me libret të Llazar Siliqit, u vu në skenë për herë të parë më 1 dhjetor të vitit 1958 në Shkodër, dhe një vit më vonë, më 26 nëntor të vitit 1959, erdhi në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Jeni regjisor i TKOB-së që keni vënë në skenë vepra të ndryshme ndër vite. Por sa i takon operës “Mrika” që është dhe opera e parë shqiptare, çfarë mund të na thoni për rëndësinë e saj në historinë e artit shqiptar?
    Opera “Mrika” hodhi themelet e teatrit muzikor shqiptar. Për të kompozuar opera ishin bërë përpjekje edhe më përpara, por kjo qe kulimancioni si opera. Përpara kësaj në qytetin e Korçës është luajtur një operetë e Kristo Konos, por vepra “Mrika” e kompozuar nga Prenkë Jakova është opera e parë shqiptare në skenë. Është një opera, që dhe im atë Luigj Gurakuqi regjisor e ka vënë në skenë 2-3 herë. Ka qenë në vitin 1966 me sa kujtoj, por dhe vite më pas edhe dy herë të tjera në skenë. E ka vënë dhe me studentët në Konservator, por ai dhe kompozitorin Prenkë Jakovën e kishte mik. Sigurisht që Shkodra ka nxjerrë muzikantë të mëdhenj dhe jo më kot lindi dhe opera e parë shqiptare atje, sepse atje kishte orkestra, kishte bandë frymore. Në Shkodër u formuan dhe kompozitorë të tjerë të njohur si Çesk Zadeja, Tish Daija, Gjon Simoni, Simon Gjoni. Opera “Mrika” është një vepër me muzikë shumë të bukur, shumë shqiptare, ku ndihet dashuria e thellë për atdheun, për kulturën vendase shqiptare, kulturën e malësorëve. Por edhe jepet ajo atmosfera e kohës, sepse vepra “Mrika” trajton ndërtimin e një hidrocentrali. Kështu që aty ndërthuren shumë linja, por gjithnjë janë të rinjtë ata që vihen në ballë të këtyre ndryshimeve  shoqërore, nëpërmjet emancipimit sepse jemi në veri, ku fanatizmi ka qenë i madh.
    -Zoti Gurakuqi ju keni një karrierë të gjatë dhe të pasur si regjisor me dhjetëra produksione në skenë. Opera “Mrika” nuk ka qenë pjesë e vënieve tuaja në skenë. Por duke pasur parasysh rëndësinë historike të operës “Mrika”, a do të dëshironit ta sillnit në skenë, në një moment të ardhshëm?  
    Unë si regjisor nuk e kam vënë në skenë operën “Mrika”. Unë do të kisha shumë qejf që ta vija në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit këtë vepër operistike, por nuk ka ardhur momenti. Mua nuk më është paraqitur rasti për ta vënë këtë vepër në skenë, po nëse mua ma propozojnë e vë në skenë patjetër, por sigurisht që mbaj qëndrimet e mia regjisoriale.

    -Po flisni për një vepër kombëtare, që siç thoni ju hodhi dhe themelet e teatrit muzikor në vend. Ndër vite janë vënë në skenën e TKOB-së vepra të ndryshme, por herë pas here krijues të ndryshëm të muzikës kanë sjellë në vëmendje dhe problemin sa i takon krijimtarisë shqiptare në skenë, mbështetja që duhet nga institucionet për veprat madhore si opera dhe balete shqiptare. Ju si regjisor, çfarë mund të na thoni rreth kësaj?
    Unë nuk jam kompozitor dhe janë krijuesit e muzikës ata që i njohin më mirë problemet, por sigurisht që për të shkruar opera, në radhë të parë kërkohen njerëz të përgatitur që janë të zotë të shkruajnë opera. E dyta, kjo krijimtari vendase operistike duhet stimuluar nga institucionet, sepse çfarë interesi ka? Ja qenka i aftë për ta bërë një opera, por çfarë interesi ka? Kompozitorët shqiptarë duhen stimuluar, që të shkruajnë opera, vepra muzikore madhore. Ashtu siç stimulohen dramaturgët, që shkruajnë pjesë teatrore shqiptare, po ashtu duhen stimuluar edhe kompozitorët për të shkruar vepra muzikore madhore. Unë si regjisor gjithnjë kam qenë në krahun e kompozitorëve dhe vazhdoj ta them këtë gjë. Ne jemi shqiptarë dhe ne ashtu siç kemi romancierët tanë, poetët tanë, dramaturgët tanë, ashtu duhet të kemi dhe kompozitorët tanë që bëjnë opera shqiptare, që bëjnë krijimtarinë tonë.
    -Ju ndër vite keni realizuar në skenë produksione të ndryshme operistike, por opera më e fundit që vutë në skenë ishte “Goca e Kaçanikut”, vepër e kompozuar nga Rauf Dhomi që shënoi sukses në vitin 2024. Si ndiheni si regjisor pas suksesit të kësaj vepre?
    Unë kam vënë në skenë produskione të ndryshme operistike, sigurisht edhe vepra shqiptare. Shpresoj që në të ardhmen të vë sërish vepër shqiptare në skenë. Vepra ime e fundit në skenë ishte “Goca  e Kaçanikut”, vepër shqiptare që e vura në Kosovë dy herë brenda vitit, njëherë në Prishtinë dhe në Gjakovë dhe për herë të tretë kjo vepër operistike u vu në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. Është vepër patriotike, me muzikë të bukur e ngjarje interesante me disa linja. Në Kosovë ishte një vepër, që u prit shkëlqyeshëm nga publiku dhe atje krijoi një impakt të jashtëzakonshëm edhe në Prishtinë dhe në Gjakovë.
    Intervistoi: Julia Vrapi
    Opera “Mrika” në skenë 
    Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit ka publikuar disa foto nga opera “Mrika” dhe shkruan se është një vepër, që shënoi lindjen e operës shqiptare.  ““Mrika” opera e parë shqiptare, e kompozuar nga Prenkë Jakova me libret të Llazar Siliqit, u vu në skenë për herë të parë më 1 dhjetor 1958 në Shkodër, dhe një vit më vonë, më 26 nëntor 1959, erdhi në skenën e TKOB-së. Një vepër themelore e historisë sonë muzikore, e cila shënoi lindjen e operës shqiptare dhe hapi rrugën për zhvillimin e një tradite të tërë artistike”, shprehet Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit për këtë vepër. Më 1 dhjetor 1958 në teatrin “Migjeni” vepra u vu në skenë nga regjisori shkodran Andrea Skanjeti e realizuar nga grupet artistike të qytetit të Shkodrës, ndërsa më 26 nëntor 1959 opera “Mrika” e kompozitorit Prenk Jakova, u interpretua nga artistët e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë, ku dirigjent ishte Mustafa Krantja dhe regjisor Pandi Stillu. Opera “Mrika” pati disa rivënie në TKOB. Prenkë Jakova (Shkodër, 27 qershor 1917 – 16 shtator 1969) ka qenë arsimtar, muzikant, kompozitor dhe autori i operës së parë shqiptare titulluar “Mrika”. Gjithashtu Prenk Jakova ishte kompozitor dhe i operës “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”. Prenkë Jakova ishte një kompozitor që shkroi me sukses romanca, kantata dhe këngë.

  • “Il Trovatore” kryevepra e Verdit në dhjetor në Opera,në skenë dhe tenori Josif Gjipali e mezzosoprano Enkeleida Shkoza

    “Il Trovatore” kryevepra e Verdit në dhjetor në Opera,në skenë dhe tenori Josif Gjipali e mezzosoprano Enkeleida Shkoza

    Nga Julia Vrapi
    Historia e operës “Il Trovatore” vjen këtë sezon artistik. Kryevepra e kompozitorit Giuseppe Verdi që njihet për meloditë e fuqishme, dramatikën e thellë dhe kërkesat vokale të larta vjen në skenë në muajin dhjetor në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. “Il Trovatore”, kryevepra botërore e  Verdit, rikthehet në skenën tonë me një produksion të ri, që mban firmën e regjisorit Roberto Catalani, realizuar nga Teatro “Amilcare Ponchielli” i Cremonës në Itali. Në mbrëmjet e dhjetorit, muzika, drama dhe pasioni verdian bashkohen në një shfaqje, që shënon edhe një nga momentet e veçanta të kalendarit artistik këtë muaj. Opera “Il Trovatore” ka mbetur një prej veprave më të interpretuara në skenat e mëdha botërore, jo vetëm për shkak të melodive të paharrueshme, por edhe për shkak të dramës së saj të fuqishme. Një vepër që trondit dhe prek njësoj dhe sot. Në skenë për këtë shfaqje operistike do të jenë solistë të njohur të Operës, por dhe të tjerë që kanë vijuar aktivitetin e tyre dhe në skenat ndërkombëtare. Tenori Josif Gjipali, mezzosoprano Enkeleida Shkoza apo dhe sopranot Eva Golemi dhe Ramona Tullumani janë vetëm disa prej tyre, që do të jenë në skenë në muajin dhjetor në kryeveprën e Verdit.
    Në një material rreth artistëve, sipas teatrit mezzosoprano Enkeleida Shkoza debuton për herë të parë në Shqipëri në një produksion operistik. “Pas 24 vitesh mungesë, rikthehet në skenën shqiptare tenori ynë i mirënjohur me karrierë ndërkombëtare në skenat më prestigjioze të botës, Josif Gjipali. Për herë të parë në Shqipëri, në një produksion operistik, debuton në skenën e TKOBAP-së mezzosoprano shqiptare me famë ndërkombëtare Enkeleida Shkoza, në rolin dramatik të Azucenës. Roli i Conte di Luna interpretohet nga baritoni Ankhbayar Enkhbold dhe baritoni i mirënjohur i teatrit, Armando Likaj. Në rolin e Leonorës, skenën e ndajnë sopranot e mirënjohura Eva Golemi dhe në kastin e dytë Ramona Tullumani. Rolin e Azucenës në kastin e dytë e luan mezzosopranoja e teatrit Ivana Hoxha, ndërsa roli i Manricos vjen në kastin e dytë nga tenori Amadi Lagha. Rolin e Ferrandos e sjell në skenë Bledar Domi. Ines interpretohet nga Suada Gjergji dhe Greis Shametaj, ndërsa roli i Ruiz ndahet mes Matias Xhelit dhe Redon Sinellës”, thuhet nga teatri ndër të tjera. Orkestra Simfonike e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit është nën drejtimin e dirigjentit Andrea Solinas dhe dirigjent i korit është Dritan Lumshi. Vepra operistike do të jetë në skenë në mbrëmjet e datave 11, 12 dhe 13 dhjetor në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Skenograf  Emanuele Sinisi, kostumografe Ilaria Ariemme, koncertmaestër produksioni Herta Cane, Igli Rapaj, koncert maestër kori Ingrid Pulizo, mjeshtre grimi e paruke Bebeka Alla.
     Vepra këtë sezon artistik
    Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit po i afrohet një prej ngjarjeve më të rëndësishme të sezonit artistik, premierës së operës “Il Trovatore”. Në operën “Il Trovatore” ngjarjet ndodhin në Spanjë, në fillimin e shekullit XV-të, ku komandanti i trupave mbretërore të Aragonit, Konti di Luna është i dashuruar me Leonorën, një fisnike e re në shërbim të mbretëreshës, e cila nuk ia kthen dashurinë. Ndërsa, jashtë rezidencës mbretërore, ushtarët e tij e ruajnë gjatë tërë natës atë. “Il Trovatore” opera e kompozitorit Giuseppe Verdi u shfaq për herë të parë në 19 janar të vitit 1853 në Teatrin Apollo të Romës. Së bashku me “Rigoletto” e “La Traviata ”, kjo opera bën pjesë në të ashtuquajturën triologjia popullore verdiane. Libreti në katër akte është marrë nga drama “El trovador” e autorit Antonio Garcia Gutierrez. Në një material të TKOB në 2019, thuhej se ishte vetë Verdi, që pati idenë të nxirrte një opera nga një vepër e Gutierrez, duke ia besuar Salvadore Cammarano-s përpunimin e libretit. “Poeti napolitan vdiq papritur në 1852, sapo përfundoi libretin dhe Verdi, që dëshironte të bënte disa shtesa apo modifikime të vogla, u detyrua të kërkonte ndërhyrjen e një bashkëpunëtori të të ndjerit Cammarano, Leone Emanuele Bardare. Vetë Verdi, veç të tjerash, ndërhyri personalisht në vargjet finale, duke i shkurtuar. Shfaqja e parë qe një sukses i madh: siç shkruan në kronikën e kohës Julian Budden. Me asnjë nga veprat e tij, madje as me “Nabucco”, Verdi nuk arriti të prekë kaq shpejt zemrën e publikut”, thuhet rreth veprës. Opera “Il Trovatore” është vënë dhe më parë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, ndërsa këtë dhjetor vjen për publikun si një produksion i ri.

  • ”Skënderbeu”, historia e pazakontë e operës së Antonio Vivaldit, u dha premierë më 1718

    ”Skënderbeu”, historia e pazakontë e operës së Antonio Vivaldit, u dha premierë më 1718

    Diku, në fillim të viteve 1700, kompozitori i njohur Antonio Vivaldi shkroi një operë për Skënderbeun. Ishte një vepër me një histori të koklavitur. Ajo nuk qëndroi gjatë në skenë, e prej atëherë e deri në ditët tona ka mbërritur e cunguar. Një pjesë e saj ka humbur dhe, tashmë kanë mbetur vetëm katër arie dhe dy recitative (rreth 60 faqe të ruajtura).

    Kjo pjesë e veprës u bë e njohur për publikun shqiptar në dhjetor 2003, kur u vu në skenë në një koncert krishtlindjesh nga Kori Femëror dhe Orkestra e Harqeve e Akademisë së Arteve në Tiranë, drejtuar nga mjeshtri Milto Vako, krahas operës “Skëndërbeu” të Prenk Jakovës. Si lindi opera “Scanderbeg”?Vepra e Vivaldit u shfaq për herë të parë më 22 qershor të vitit 1718, me rastin e hapjes së Teatrit të Firences “Teatro di via della Pergola”. Ky institucion i rëndësishëm, i cili vepronte që prej vitit 1657 me emrin “Teatro dell Academia degli Immobili”, ishte i njohur si institucion i hapur për inovacione, më së tepërmi për ato që vinin nga Venediku, që ishte vatra e krijimtarisë operistike italiane nga fillimi i shekullit XVII. Në një studim të hollësishëm (vitet ´80) rreth kësaj vepre, muzikologu i njohur kroat Ennio Stipçeviç, ka dhënë gjithë atmosferën në kohën e krijimit të kësaj vepre, bashkëpunimin për ngritjen e saj në këmbë, pse u nuk u vu më në skenë, pas një sezoni të vetëm që u shfaq, etj., (shumë të dhëna të këtij studimi i kemi përfshirë në këtë shkrim).Shfaqja e operës së Vivaldit u realizua pas pauzës në periudhën prej 1712 deri më 1718, kur u emërtua Teatri i Firences. Nisur nga kronikat e kohës mësohen shumë të dhëna, që janë të rëndësishme për ndriçimin e problematikës rreth operas “Scanderbeg”. Nga ditari në dorëshkrim i F.Settimanit (dorëshkrimi ruhet në arkivin shtetëror të Firences, mësohet se libretist i operës së Vivaldit ishte Antonio Salvi, emri i të cilit nuk gjendet në libretin e shtypur. Por Salvin e përmendin edhe autorë të tjerë si Pandolfini, Alacci, etj. Po nga këto kronika mësohet se kjo operë është vënë në teatër rreth 18 herë rresht dhe në krye të çdo tri ditëve. Por kjo vepër mbeti në repertorin e këtij teatri vetëm një vit. Më pas ajo nuk u vu më në skenë.

    Ruhen vetëm disa fragmente nga operaPartiturat e operës nuk janë ruajtur plotësisht dhe sot ruhet në Bibliotekën Kombëtare në Torino. Autografi i Vivaldit gjendet në vëllmin e dytë të koleksionit të përmëndur, i cili përbëhet prej gjashtë kapitujve plotësisht të ruajtur të muzikës.

    Janë katër arie dhe dy recitative. Përveç aries së parë të gjithë fragmentet janë nga akti i dytë i operas. Ndërsa nga akti i tretë nuk është ruajtur asgjë. Në literaturën italiane të shumë viteve me radhë përmendet edhe e dhëna se partitura origjinale e operës “Scanderbeg” gjendet diku në Jugosllavi, madje e plotë, por kjo tezë nuk u vërtetua nga kërkuesit e vendosur rreth fatit të kësaj opere.

    Një nga veprat më të bukura të Vivaldit“Scanderbeg” ishte një nga veprat më të bukura të Vivaldit. Studiuesit e konsiderojnë dëm të madh që opera “Scanderbeg” është ruajtur vetëm në fragmente, sepse për nga bukuria e muzikës, që është shkruar në këto 60 faqe të ruajtura, është e sigurt se kjo operë hynte në radhën e realizimeve  më të mira operistike të kompozitorit. Nuk dihet pothuaj asgjë për rrethanat në të cilat është shfaqur opera “Scanderbeg”, madje, nuk dihet as cilat instrumente janë përdorur në shfaqje.Por nga fragmentet e ruajtura dihet vetëm kaq, se janë përdorur: dy trompa, 2 oboa, violina  e parë dhe violina e dytë, viola, violonat dhe basso continuo. Ndoshta kanë marrë pjesë në ekzekutim edhe disa instrumente të tjerë. P.sh. flautët ose brirët. Fragmentet e ruajtura muzikore janë cilësuar si shumë investive sa u takon melodive, kurse freskia e tyre, ndoshta do të jehojë edhe te publiku i sotëm.

    Pse “Scanderbeg” u hoq nga repertori?Mos ndoshta publiku, ose punëdhënësit që e ngritën në këmbë këtë opera, ishin të pakënaqur nga diçka. Prandaj operën, pas një suksesi që zgjati një periudhë të shkurtër, e hoqën nga repertori? Ky është vetëm një supozim, sepse shumë fakte të tjera flasin ndryshe. Ennio Stipçeviç shënon se opera “Scanderbeg” ishte opera e parë me të cilën Vivaldi iu prezantua publikut të huaj. Deri më atëherë ai ishte paraqitur vetëm para publikut të tij në Venedik. Është e sigurt se punëdhënësit ndoshta kanë qenë të kënaqur me muzikën e Vivaldit si dhe me bashkëpunimin e tij me libretistin, sepse ata edhe tri herë të tjera, pas operas “Scanderbeg”, bashkëpunuan në të njëjtin teatër. 

    E veç kësaj, punëdhënësit kishin një pasqyrë të mëparshme të veprimtarisë së Vivaldit si kompozitor, pasi këtë opera e kishin porositur pikërisht tek ai. Në të vërtetë opera “Scanderbeg” u dha pikërisht me rastin e rihapjes së teatrit. Sidoqoftë, libreti i kësaj opere nuk u mor nga asnjë kompozitor tjetër, gjithashtu as Vivaldi nuk iu kthye më këtij libreti, sepse nuk e ekzekutoi kurrë më. Por shkaku më i rëndësishëm, i suksesit të operas “Scanderbeg” vetëm në një sezon duhet kërkuar te situata politike e asaj kohe. Venediku luftoi shekuj të tërë kundër turqve dhe gjithmonë kishte besim te mbrojtësit e kristianizmit të Ballkanit. Si kundërshpërblim, Vendiku, ndonjëherë u dërgonte edhe ndihmë në njerëz ose të holla. Ndonjëherë edhe thonin ndonjë fjalë lavdërimi, por në rastet më të shpeshta vetëm këndonin. 

    Pas betejave të shumta me fitore, në Venedik, por dhe shtetet e tjera të vogla italiane, u bë interesante figura e Skënderbeut. Por tregimi për princin shqiptar, ashtu sikurse bëhej aktual në shumë momente të krizës dhe frikës së Evropës para ekspasionit otoman, po aq shpejt bëhej jo interesant kur kalonte rreziku.

    Ky duhet të ketë qenë shkaku kryesor pse opera “Scanderbeg” u shfaq vetëm në një sezon. Kujtimi i trimit shqiptar në disa momente mund të ishte edhe i padëshirueshëm, sepse aludonte në rrezikun turk. Ndoshta kjo ishte edhe arsyeja pse Vivaldi nuk iu rikthye më kësaj vepre, sikurse nuk iu kthye asnjë kompozitor tjetër./shqiptarja

    ObserverKult

    Lexo edhe:“LIRINË NUK E SOLLA UNË, POR E GJETA KËTU NË MESIN TUAJ”, FJALIMI I FAMSHËM I SKËNDERBEUT

  • “Kohë në pentagram” vjen përmes veprave të repertorit botëror, nga Verdi, Puccini e Bizet, deri te Rossini e Mascagni

    “Kohë në pentagram” vjen përmes veprave të repertorit botëror, nga Verdi, Puccini e Bizet, deri te Rossini e Mascagni

    Nga Julia Vrapi
    Pjesë nga veprat operistike në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit vijnë në “Kohë në pentagram”. Një mbrëmje muzikore kushtuar 70-vjetorit të lindjes së regjisorit Nikolin Gurakuqi, një prej emrave më të rëndësishëm të skenës shqiptare. Opera “Tosca”, “Carmen”, “Aida”, “Falstaff”, “Il trittico”, “Otello” e shumë të tjera janë vënë në skenën tonë nga regjisori Nikolin Gurakuqi, ndërsa aktiviteti i tij artistik është mirëpritur edhe jashtë vendit. “Kohë në pentagram” zhvillohet mbrëmjen e datës 18 tetor, ku publiku do të udhëtojë ndër vite përmes kryeveprave të repertorit botëror, nga Verdi, Puccini e Bizet, deri te Rossini e Mascagni. Një mbrëmje gala, që do të ngjisë në skenë artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, për të sjellë për publikun arie apo skena operash që janë vënë në skenë më parë. “Kohë në pentagram” zhvillohet nën drejtimin muzikor të maestro Edmond Doko dhe Dritan Lumshit, me pjesëmarrjen e Solistëve, Korit dhe Orkestrës Simfonike të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Ndërsa sipas teatrit vjen një udhëtim artistik në pentagramin e kohës, aty ku muzika dhe kujtimet flasin një gjuhë të përjetshme. Regjisori Nikolin Gurakuqi më 25 korrik 2025 festoi dhe 70-vjetorin e tij. Opera “Goca e Kaçanikut” vepër operistike shqiptare e kompozuar nga Rauf  Dhomi, që u shfaq në 2024 në Prishtinë dhe në Tiranë është edhe vepra më e fundit  në vijim të aktivitetit të tij artistik. Me regjinë e regjisorit Nikolin Gurakuqi “Mjeshtër i Madh” opera në TKOB u shfaq më 25 nëntor 2024 edhe si një homazh për Festën e Flamurit, nga Orkestra dhe Kori i Operës së Kosovës dhe Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, nën dirigjimin e maestros Edon Ramadani.
    Mbi 80 produksion operistike
    Nikolin Gurakuqi “Mjeshtër i Madh” ka realizuar mbi 80 produksione operistike në TKOBAP, Universitetin e Arteve, qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe jashtë saj Itali, Greqi, Kosovë. Prej më shumë se katër dekadash ka kontribuar në zhvillimin e artit skenik shqiptar. Rrugëtimi i tij artistik nisi në vitin 1979 në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, fillimisht si korist, e më pas si solist ku realizoi një sërë rolesh të ndryshme, ku mund të përmendim, Gjergj Arianiti nga opera “Skënderbeu”; Mateo, opera “Paja”; Komandanti, opera “Borana”; Deloja, opera “Nëna e trimave”; Il Marchese, opera “La Traviata”; Don Bartolo, opera “Il barbiere di Siviglia”; Colline, opera “La Boheme”; Ferrando, opera “Iltrovatore”; etj. Ka interpretuar role edhe jashtë vendit si në Francë e Itali. Pas një specializimi në Francë në vitet ’92-’93, Nikolin Gurakuqi iu përkushtua regjisë, duke sjellë në skenat shqiptare dhe ndërkombëtare një frymë të re interpretimi, një vizion bashkëkohor dhe një ndjeshmëri të thellë dramatike. Disa nga veprat më të njohura që mbajnë firmën e tij regjisoriale janë: “Tosca”, “Il signor Bruschino”, “Carmen”, “Aida”, “Falstaff”, “Il trittico”, “Manon Lescaut”, “Otello”, “Rigoletto”, “Një ballo me maska”, “Goca e Kaçanikut”, e shumë të tjera. Si pedagog pranë Universitetit të Arteve dhe mentor i dhjetëra artistëve të rinj, ai ka ndikuar në formimin profesional të shumë brezave të këngëtarëve lirikë shqiptarë.

  • “Eja këndo me ne”, edicioni i 9-të i projektit do të përzgjedhë koret nga shkollat 9-vjeçare

    “Eja këndo me ne”, edicioni i 9-të i projektit do të përzgjedhë koret nga shkollat 9-vjeçare

    “Eja këndo me ne” çeli edicionin e tij të nëntë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

    Nën dirigjimin e Dritan Lumshin dhe me koncertmaestër Ingrid Pulizon, projekti do të përzgjedhë koret nga shkollat 9-vjeçare. Fëmijët mësojnë të këndojnë korale të ndryshme dhe do të njihen me një repertor operash të njohura, përfshirë ato shqiptare.
    “Opera ‘Skëndërbeu’ ka korale për fëmijë nga kompozitori Prenk Jakova, kemi operën ‘Carmen’ të Georges Bizet, kemi korale nga opera “Madame Butterfly”, opera ‘Nabucco’, ‘La Traviata’, ‘La Boheme””, shprehet Dritan Lumshi.
    Projekti edukim përmes artit promovon artin muzikor që në hapat e parë dhe zbulon talentet e reja.
    “Ne synojmë drejt muzikës korale, por kjo nuk do të thotë që ne nuk zbulojmë talente, që spikasin. Gjatë këtij projekti, ne kemi zbuluar talente, që kanë vazhduar Liceun Artistik dhe sot Akademinë e Arteve. Kam dhe student, të cilët performojnë sot”, thotë Dritan Lumshi.
    Por, sa e njohin fëmijët muzikën klasike?
    “Në fillim është e vështirë, por kur bëjmë prezantimin bëhet shumë e dashur për ta. Nga ky projekt ka dalë edhe Kori i Zërave të Bardhë”, shton ai.
    Në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Ministrinë e Arsimit, ky rrugëtim i gjatë me trajnime nga profesioniastë vokal, do të finalizohet në fillim të janarit, kur do të zgjidhet kori fitues.

    Top Channel

  • “La Traviata” në TKOB,publiku përjetoi një udhëtim të thellë emocional nga gëzimi e dashuria tek sakrifica e tragjedia

    “La Traviata” në TKOB,publiku përjetoi një udhëtim të thellë emocional nga gëzimi e dashuria tek sakrifica e tragjedia

    “La Traviata” një nga veprat më të dashura të kompozitorit Giuseppe Verdi, për katër net me radhë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit u mirëprit nga publiku. Salla e madhe e TKOB ishte e mbushur plot me mbi 3200 artdashës, ku entuziazmi i publikut tejkaloi çdo parashikim. Një sukses i ndërtuar mbi vizionin e mjeshtrit Hugo de Ana, regjisor i njohur ndërkombëtarisht, i cili solli në Tiranë një skenografi dhe kostumografi të mbushur me elegancë dhe simbolikë. Nën drejtimin muzikor të Maestros Francesco Ommassini, Orkestra Simfonike e TKOBAP dhuroi një interpretim të fuqishëm, që bashkoi delikatesën me pasionin që e karakterizon këtë vepër.
    Kori i TKOB-së përgatitur me mjeshtëri nga maestro Dritan Lumshi, si dhe baleti me koreografi nga Michele Cosentino, që i dha veprës dimension të ri vizual, e ngritën produksionin në një nivel të lartë artistik. Salla e mbushur, kërkesat e vazhdueshme për bileta deri në ditën e fundit, si dhe duartrokitjet e gjata në fund të çdo akti, janë dëshmia e suksesit të “La Traviata”-s në Tiranë. Publiku përjetoi jo vetëm një opera, por një udhëtim të thellë emocional, nga gëzimi e dashuria tek sakrifica dhe tragjedia.
    Ky produksion shënon një tjetër gur themeli në historinë e TKOBAP, duke provuar edhe njëherë se teatri është i aftë të sjellë shfaqje që qëndrojnë në një nivel me skenat ndërkombëtare. Opera “La Traviata” me solistë shqiptarë dhe të huaj u shfaq në datat 26, 27, 28 dhe 29 shtator dhe erdhi në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit si një produksion i ri. Gjatë këtyre ditëve TKOB ka publikuar herë pas here materiale për “La Traviatën”, çfarë përcolli ajo te publiku, etj. Opera “La Traviata” bën pjesë tek e ashtuquajtura sipas historisë së muzikës triologji popullore, ku bëjnë pjesë tre operat “Il Trovatore”, “Rigoletto” dhe “La Traviata”, të cilat janë tre operat më të shfaqura në botë.
     

  • Opera “Meladramma AI” e kompozitores shqiptare Olsa Toqi, premierë në Kanada

    Opera “Meladramma AI” e kompozitores shqiptare Olsa Toqi, premierë në Kanada

    Kompozitorja shqiptare Olsa Toqi shënoi një tjetër sukses ndërkombëtar me operën e saj më të re, “Meladramma AI”, e cila u vu në skenë më 21 shtator, në teatrin historik Regent Theatre në Oshawa, Kanada. Premiera u prit me duartrokitje të gjata nga publiku, duke shënuar një moment historik në skenën operistike kanadeze si vepra e parë që integron plotësisht Inteligjencën Artificiale,përfshirë animacione të krijuara në kohë reale dhe elementë multimedialë interaktivë. Vepra u soll në skenë me interpretimin e jashtëzakonshëm të sopranove Lindsay McIntyre, Stephanie DeCiantis, Jonelles Sills dhe Reilly Nelson.
    Një ide novatore me bazë shkencore
    Koncepti i operës lindi nga një bashkëbisedim mes kompozitores Olsa Toqi dhe Dr. Carolyn McGregor, dekane e Ontario Tech University dhe bashkëpunëtore në projekte të NASA-s. E mahnitur nga fuqia tematike e veprës, Dr. McGregor sugjeroi integrimin e AI, duke e kthyer projektin në një nismë kërkimore e shkencore, si dhe në një platformë krijuese për studentët e teknologjisë dhe IT-së në Ontario Tech.
    Opera paraqet një përmbysje poetike të mitit të mollës: njerëzit kafshojnë një mollë robotike, ndërsa robotët kërkojnë të bëhen njerëzorë duke kafshuar mollën organike. Në vend që të vishen si Adami dhe Eva, ata zhvishen nga çdo mëkat falë një ndërhyrjeje hyjnore.
    Pas pesë arieve me tematikë pagane, që simbolizojnë dominimin e gjatë të paganizmit në historinë njerëzore, dhe një monologu dramatik të të Ligut, vepra përmbyllet me një “Halleluja” triumfale, ku njerëzit dhe robotët përulen së bashku në një akt përbashkues përpara Zotit.
    Në premierë ishin të pranishëm personalitete të shumta, ndër ta edhe ambasadorja e Shqipërisë në Kanada, Artemis Malo. Opera është planifikuar të shfaqet së shpejti edhe në Toronto dhe qytete të tjera kanadeze.
    “Meladramma AI” vjen pas sukseseve të tjera të kompozitores Olsa Toqi. Në vitin 2019, opera e kompozuar prej saj e pati premierën botërore në Teatro del Giglio në Lucca të Italisë, një nga teatrot më prestigjioze të operës në rajon. Më pas, vepra u prezantua edhe në Shqipëri, në Katedralen “Ringjallja e Krishtit” në Tiranë dhe në Teatrin “Petro Marko” në Vlorë.

  • “Kur ndjenjat marrin zë” me Ermonela Jahon,një program muzikor që ka pjesë që nuk janë luajtur më parë në skenën e TKOB

    “Kur ndjenjat marrin zë” me Ermonela Jahon,një program muzikor që ka pjesë që nuk janë luajtur më parë në skenën e TKOB

    Nga Julia Vrapi
    Koncerti “Kur ndjenjat marrin zë” rikthen sopranon Ermonela Jaho në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Publiku mbrëmjen e së mërkurës do të përjetojë një udhëtim muzikor mes arieve dhe kryeveprave botërore. Koncerti do të jetë nën dirigjimin e maestros Fabrizio Maria Carminati. Koncerti këtë mbrëmje në TKOB vjen në vijim të aktivitetit artistik të sopranos së mirënjohur Ermonela Jaho. Ajo shprehet se koncerti “Kur ndjenjat marrin zë” është me një program sfidues për të.
    Një ditë më parë sopranoja u shpreh se koncerti vjen për publikun dhe me pjesë, që nuk janë luajtur më parë në skenën Teatrit të Operës në vendin tonë. “Nga bel canto deri në verismo, unë them se është një program më tepër sfidues për mua, sidomos që do e mbaj vetëm për dy orë. Një program, që ka pjesë që nuk janë luajtur asnjëherë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit”, tha sopranoja Ermonela Jaho. Koncerti “Kur ndjenjat marrin zë” me sopranon Ermonela Jaho pritet të jetë dhe një ndër eventet e veçanta në jetën artistike dhe kulturore këtë muaj, ku Orkestra e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të jetë nën dirigjimin e maestro Fabrizio Maria Carminati dhe dirigjent kori do të jetë Dritan Lumshi. Koncerti që zhvillohet në TKOB në programin e tij përmban kryevepra botërore nga kompozitorët  Verdi, Bellini, Donizetti, Puccini, Cilea e të tjerë, që do të vijnë me interpretimin e sopranos Ermonela Jaho për të dhuruar një mbrëmje të veçantë për publikun.
    Koncerti në Shqipëri
    Sopranoja shqiptare me një aktivitet të suksesshëm ndërkombëtar Ermonela Jaho ka performuar në Opera në mbarë botën dhe rikthehet këtë shtator me një tjetër koncert në skenën e TKOB-së. Ajo thotë se kthimi në Shqipëri për të është gjithmonë gëzim. “Kthimi në Shqipëri është gëzim, edhe sfidë, mund të them. Çfarë mund të jap ndryshe? Çdo ditë ne ndryshojmë, ashtu si çdo ditë e jona është ndryshe. Jemi një ditë më të rritur dhe kemi diçka për të sfiduar dhe zbuluar në veten tonë. Ashtu është edhe në muzikë. Është një detyrim për publikun shqiptar, është një detyrim për brezat e rinj, për t’ju dhënë një shpresë se sot çdo gjë që shihet si e paarritshme, është e arritshme”, shprehet sopranoja Ermonela Jaho.
    Royal Opera në Londër, Metropolitan Opera, Teatro Real Madrid, Berlin Staatsoper, Opera National de Paris, Theatre des Champs-Élysées, Staatsoper Vienna, Bayerische Staatsoper, Opera Australia, Teatro Colon Buenos Aires, Gran Teatre del Liceu Barcelona, Teatro alla Scala janë disa nga skenat ku ka performuar sopranoja shqiptare me karrierë ndërkombëtare Ermonela Jaho. Përgjatë aktivitetit të saj si soprano ajo është vlerësuar edhe me çmime të ndryshme. Koncerti që zhvillohet këtë mbrëmje në TKOB më pas do t’ia lërë radhën dhe të tjera shfaqjeve e koncerteve, që janë pjesë e programit muzikor këtë sezon të ri artistik që ka nisur. Më datë 8 qershor 2025,  artistja shqiptare e njohur ndërkombëtarisht, sopranoja Ermonela Jaho mbajti një koncert  në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku performoi e shoqëruar nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës.
     

  • Opera “La Traviata” vepër e Verdit sipas vizionit të regjisorit Hugo de Ana premierë në Tiranë

    Opera “La Traviata” vepër e Verdit sipas vizionit të regjisorit Hugo de Ana premierë në Tiranë

    Nga Julia Vrapi
    Opera “La Traviata” nga kompozitorit Giuseppe Verdi do të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit si një produksion i ri. “La Traviata” e Verdit sipas vizionit të regjisorit me famë botërore, Hugo de Ana këtë sezon artistik vjen premierë në Tiranë. Teatri Kombëtar i Operës, Baletit sjell një nga kryeveprat më të dashura të autorit Giuseppe Verdi, “La Traviata” në një produksion të ri që mban firmën e regjisorit me famë botërore, Hugo de Ana. “La Traviata” është një opera me tre akte nga Giuseppe Verdi (Xhuzepe Verdi) e vendosur në një libret italian nga Francesco Maria Piave, ajo është e bazuar në “La Dame aux Camelias” (1852) shkruar nga Alexandre Dumas. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shprehet ndër të tjera se ky produksion, i sjellë nga Teatri i Zagrebit, do të jetë pjesë e një shfaqjeje të jashtëzakonshme për publikun shqiptar. “Duke e vendosur TKOBAP-në në të njëjtin nivel me teatrot prestigjiozë që kanë pasur privilegjin të bashkëpunojnë me mjeshtrin Hugo de Ana. Nën vizionin e tij të fuqishëm artistik, historia e Violettës merr jetë përmes një skenografie monumentale dhe një gjuhe vizuale që tejkalon kohët, duke e sjellë këtë kryevepër deri në ditët tona”, thuhet nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit (TKOB), ku në vijim do të bëhen me dije dhe datat kur kjo vepër operistike do të jetë në skenë sezonin e ri artistik që nis së shpejti. Historia tragjike e Violetës e mbështetur mbi romanin “Zonja me kamelie” e Aleksandër Dyma ka ardhur edhe më parë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, por këtë herë do të vijë si një produksion i teatrit të Zagrebit, duke u bërë pjesë dhe e shfaqjeve të tjera që do të jenë këtë sezon artistik në skenën tonë.
    Opera “La Traviata”
    Opera “La Traviata” bën pjesë tek e ashtuquajtura sipas historisë së muzikës triologji popullore, ku bëjnë pjesë tre operat “Il Trovatore”, “Rigoletto” dhe “La Traviata”, të cilat janë tre operat më të shfaqura në botë. Te “La Traviata” bëhet fjalë për një histori të një kurtizaneje, e cila dashurohet me një fisnik, por i ati i djalit e pengon dashurinë e tyre. Në qendër të veprës është kurtizania Violeta Valery, që për hir të dashurisë me fisnikun Alfredo Germont, braktis jetën prej kurtizaneje. Premiera e parë u zhvillua në teatrin “La Fenice” në 6 mars të viti 1853. Giuseppe Verdi (1813-1901) është kompozitori më njohur i operës italiane, jo vetëm i shekullit XIX. Në materiale më parë sipas studiuesve thuhej se në historinë e gjatë të operës, Verdi zë vendin e nderit, sepse arriti të bashkojë traditat më të bukura të operës italiane, të mbetet thellësisht kombëtar, t’u shmanget elementeve negative të operës italiane, të përthithë elementet pozitive që ishin shfaqur në artin e operës në shekullin XIX, madje edhe disa elemente të reformës së Vagnerit dhe të realizimit të letërsisë së kohës. Ai mbetet si njëri ndër kompozitorët më të njohur të botës në historinë e operës.