Tag: njoma

  • Qepët e njoma! Si t’i përdorni për shëndetin e organizmit

    Qepët e njoma! Si t’i përdorni për shëndetin e organizmit

    Qepët e njoma nuk duhet të mungojnë në tryezë, sidomos kur ato janë të stinës. Këto perime jo vetëm që i japin ushqimeve shumë shije, por janë të mbushura me vitamina dhe minerale.
    Padiskutim, qepa është mbretëresha e kuzhinës shqiptare.
    Jo më kot, qepa në vend mbulon 90% të kërkesave të tregut, me Korçën dhe Elbasanin që kanë edhe prodhimin më të lartë me respektivisht 94.940 kuintal dhe 72.529 kuintal.
    Ndërkohë në rang vendi prodhojmë mbi 175.129 kuintal qepë në vit, duke u renditur në vendin e 66-të në botë.
    Qepa është një aleat i fortë, që ju mbron kundër një sërë sëmundjesh, duke ju ofruar mes lotësh shëndet të mirë dhe shije në ushqim.
    Përtej kuzhinës, qepët përfshirë edhe ato të njoma janë tepër efektive kundër të ftohtit, dhimbjeve të kokës, ndihmojnë tretjen dhe luftojnë pagjumësinë.
    Kokrra e bardhë e qepës së njomë dhe bishtat e saj të gjelbër kanë shumë veti mirëbërëse.
    Si mund ta përdorni qepën e njomë
    Nëse keni fyt të acaruar, copëtoni qepën vendoseni në një copë pambuku dhe vendoseni mbi një tenxhere me ujë të nxehtë duke e kthyer atë në një kompresë të ngrohtë.
    Vendoseni kompresën në qafë, në kraharor, shpatull apo nën sqetull, në varësi të shqetësimit. Në mënyrë të tillë, kompresa do të përshpejtojë djersën, do të ulë temperaturën dhe dhimbjen.
    Nëse keni rrufë, shtypni dhe shtrydhni qepën e njomë. AgroWeb.org ju këshillon të merrni një copë pambuku dhe lyejeni me lëngun e qepës e më pas vendoseni copën e lagur mbi hundë. Do të ndiheni shumë mirë.
    Nëse keni këmbët e fryra, zieni qepët e njoma për disa minuta. Më pas përzijini me ujë deri sa të bëhen një masë e qullët të cilën mund ta vendosni në pjesën e fryrë të këmbës.
    Për më tepër, nëse nuk arrini të flini dot vendosni qepë të njoma poshtë jastekut dhe do të flini si qingj. Qepën e njomë mund ta përdorni edhe për të eliminuar aromën e padëshiruar të peshkut dhe mishit.
    Një njeri i shëndetshëm duhet të konsumojë të paktën 100-150 gramë qepë të njoma çdo ditë.
    Vlerat shëndetësore të qepës së njomë– Qepa e njomë stimulon frymëmarrjen dhe pastron rrugët e frymëmarrjes– Përmban vajra esencialë që stimulojnë gjëndrat e djersës dhe si rrjedhojë shkaktojnë djersitje– Normalizon tensionin e gjakut– Rrit oreksin– Ul kolesterolin dhe rrezikun e disa sëmundjeve të kancerit– Lufton infeksionet dhe bakteret
    Qepët e njoma janë të pasura me antioksidantë
    Këta të fundit janë elementë që luftojnë sëmundjet dhe largojnë toksinat nga trupi.
    Organizmi ka nevojë për antioksidantë që të ulen shanset e kapjes së ndonjë sëmundje, përfshirë ato që konsiderohen të rrezikshme.
    Qepët e njoma kanë nivel të lartë fibrash
    Nëse do të mjaftoheshim me këtë fjali do ta nënvlerësonim këtë perime.
    Në 100 gramë qepë gjenden 2.6 gramë fibër që është e barazvlefshme me 7% të dozës ditore të fibrave të nevojshme.
    Ato ulin kolesterolin dhe shkaktojnë një reagim enzimash që ulin prodhimin e kolesterolit veçanërisht në qelizat e mëlçisë.
    Alicina tek qepët e njoma arrin të zhbllokojë qelizat e gjakut. Kjo substancë kimike arrin të ulë tensionin e gjakut duke zhbllokuar enët e gjakut të cilat mund të shkaktojnë shumë probleme.
    Duke bërë këtë qepa e njomë është e rëndësishme në luftën kundër sëmundjeve koronare, ataku në zemër etj.

  • Përfitimet shëndetësore që vijnë nga konsumimi i qepëve të njoma

    Përfitimet shëndetësore që vijnë nga konsumimi i qepëve të njoma

    Qepët e njoma përdoren shpesh si sallatë dhe si shtesë aromatike në gatime, por roli i tyre nuk është vetëm kulinar.
    Kjo perime me pak kalori është e pasur me vitamina, minerale dhe antioksidantë që ndikojnë pozitivisht në shëndetin e përgjithshëm të trupit. Nëse hani qepë të njoma çdo ditë, ja si ndikon ajo në shëndetin tuaj:
    Forconi imunitetin

    Falë përmbajtjes së lartë të vitaminës C dhe antioksidantëve, qepët e njoma forcojnë sistemin imunitar. Është veçanërisht i dobishëm në stinët kalimtare kur ftohjet dhe viruset janë më të zakonshme. Konsumi i rregullt i qepëve të njoma mund të ndihmojë trupin të mbrohet nga infeksionet.
    Shëndeti i zemrës dhe enëve të gjakut
    Përbërës të tillë si allicina dhe kuercetina që gjenden në qepët e njoma kanë një efekt të dobishëm në zemër. Ato mund të ndihmojnë në uljen e presionit të gjakut, përmirësimin e qarkullimit të gjakut, uljen e kolesterolit të keq dhe uljen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës.
    Përmirësoni tretjen
    Qepët e njoma stimulojnë rritjen e baktereve të dobishme në zorrë, duke përmirësuar kështu tretjen. Gjithashtu përmban fibra natyrale që lehtësojnë lëvizjet e zorrëve dhe zvogëlojnë fryrjen, duke e bërë ideale për ata që duan një sistem tretës të ekuilibruar.
    Forcon kockat
    Kalciumi dhe vitamina K në qepë të njoma janë të rëndësishme për ruajtjen e kockave të forta dhe të shëndetshme. Konsumi i rregullt mund të ndihmojë në parandalimin e osteoporozës, veçanërisht tek të moshuarit.
    Lëkurë më e bukur dhe më e shëndetshme
    Vitaminat A dhe C nga qepët e njoma stimulojnë prodhimin e kolagjenit, luftojnë radikalet e lira dhe mund të ngadalësojnë shfaqjen e rrudhave dhe të lehtësojnë lëkurën e thatë, shkruan “Health Shots”. Konsumi i rregullt mund të kontribuojë në një pamje më të freskët.
    Lehtëson ngërçet muskulore
    Mineralet e kaliumit dhe magnezit që gjenden në qepët e njoma ndihmojnë në relaksimin e muskujve dhe zvogëlimin e ngërçeve të pakëndshme. Njerëzit që shpesh përballen me spazma muskulore mund të përfitojnë nga konsumimi i shpeshtë i qepëve të njoma.

  • Pispili me Spinaq dhe Qepë të Njoma – Shije Fantastike

    Pispili me Spinaq dhe Qepë të Njoma – Shije Fantastike

    Në doni të përgatisni një recetë të shijshme, të shpejtë e të shëndetshme njëkohësisht, provoni pispilinë me spinaq dhe qepë të njoma.

    Me shije perfekte dhe ideal për t’u konsumuar në çdo kohë. Shoqërohet me kos apo dhallë të freskët por edhe më sallata të freskëta të stinës.
    Përbërësit

    1 kg spinaq
    1 tufë me qepë të njoma
    2 lugë gjelle gjizë ose djathë i bardhë i thërrmuar
    Kripë
    Nenxhik
    3 filxhanë çaji miell misri
    Vaj Ulliri

    Pastrimi i Spinaqit
    Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon që të pastroni mirë spinaqin.
    Një nga detajet më të rëndësishme, kur të nisni pastrimin e spinaqit hapi i parë është largimi i pjesës së bishtave për secilën nga tufat e spinaqit.
    Më pas, pastrojini gjethet një e nga një me ujë të vakët. Pasi t’i keni pastruar një nga një. Merrni një tas të madh, mbusheni me ujë të pastër, dhe fusni aty gjethet e spinaq.
    Gjethet do të dalin në sipërfaqe dhe mbetjet dhe papastërtitë e dheut do të zbresin në fund të tasit. Lërini rreth 5 minuta aty dhe më pas largojini. Do shihni që në fund të tasin do të jenë mbledhur të gjitha papastërtitë e spinaqit.
    Më pas tasin shpëlajeni dhe mbusheni sërish me ujë të pastër, shtoni një lugë çaji sodë buke përzjeheni mirë dhe fusni aty gjethet e spinaqit sërish, uji me sodë do ndihmojë për një pastrim tërësor të spinaqit. Lëreni edhe për 5 minuta në ujë me sodë, e më pas largojini gjethet nga tasi dhe vendosini në një kullorëse (psh makaronash) për t’i shpëlarë për herë të fundit sërish me ujë të vakët.
    Përgatitja  
    Spinaqin e pastruar grijeni hollë bashkë me qepët e njoma të pastruara gjithashtu e të grira përvëlojini në një enë të madhe me ujë të valuar. Më pas kullojini, shtoni kripë, nenexhikun e grirë hollë, dajthin ose gjizën dhe 3-4 lugë vaj ulliri.
    Përzjeini mirë të gjitha bashkë.
    Lyeni tepsinë me vaj ulliri ose gjalpë të tretur, hidhni një shtresë nga mielli i misrit, gjysmën e sasisë, lageni me pak ujë ose qumësht dhe kripë derisa të bëhet brumë i trashë.
    Përhapet në të gjithë tepsinë.
    Më pas shtrohet mbushja me spinaq dhe përsëri shtresa tjetër me miell misri laget me kripë, ujë ose qumësht  spërkatet me vaj ulliri dhe pak gjalpë të freskët dhe futet të piqet në furrë derisa sipërfaqja e tij të bëhet e kuqërremtë./AgroWeb.org

  • Sallata e Lehtë me Karota dhe Qepë të Njoma – Si ta Përgatisni

    Sallata e Lehtë me Karota dhe Qepë të Njoma – Si ta Përgatisni

    Është koha e duhur për të ngrënë e përgatitur pjata të lehta me perime të shijshme të stinës.

    Nëse ju pëlqejnë sallatat shumëngjyrshe në tryezën tuaj, provoni sugjerimin e sotëm nga AgroWeb.

    Ju duhen vetëm karota të freskëta dhe përbërësit e duhur për t’ju shtuar atyre shijen.

    Ndiqni mënyrën e plotë të përgatitjes më poshtë në artikull.

    Përbërësit

    450 gr karota

    2 qepë të njoma

    1 lugë gjelle uthull e bardhë

    Gjysmë luge gjelle mustardë

    1 lugë çaji sheqer

    Gjysmë luge çaji kripë
    Majdanoz

    Përgatitja

    Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb ju sugjeron të përzieni të gjithë përbërësit e lëngshëm së bashku.

    Pra uthullën dhe mustardën më pas shtoni vajin e ullirit, kripën dhe sheqerin e përzieni derisa të treten.

    Qëroni karotat dhe grijini në fije sa më të holla me anë të grirëses së patateve.

    Më pas grini hollë edhe qepët e njoma bashkë me majdanozin dhe vendosini perime në një enë të thellë.

    Shtoni edhe pjesën tjetër të përbërësve dhe përzieni mirë.

    Këtë sallatë mund ta ruani në frigorifer të mbyllur deri në tre ditë./AgroWeb.org

  • Byrek i Hapur me Spinaq dhe Qepë të Njoma

    Byrek i Hapur me Spinaq dhe Qepë të Njoma

    Byreku është një gatim i perferuar pothuajse për të gjithë ne.

    Ai mund të përgatitet me një larmi produktesh duke filluar nga qumështi, djathi, gjiza, qepët e domatet, preshi e deri tek mishi.

    Një ndër më të shëndetshmit edhe me plot shije është byreku me spinaq, i cili ka jo vetëm një shije unike, por dhe vlera të larta ushqyese.

    Secila amvisë ka mënyrën e saj në përgatitjen e byrekut me spinaq, por AgroWeb.org ju sjell më poshtë një mënyrë fantastike por edhe të shijshme të përgatitjes së këtij byreku.

    Ndiqni këshillat e më poshtme dhe shijojeni që sot këtë byrek special me spinaq dhe qepë të njoma.

    Përbërësit

    320 g petë sfoliat të gatshme

    200 gr spinaq

    280 g krem djathi

    1 thelpi hudhër

    1 tufë majdanoz i freskët

    Lëng nga një limon i shtrydhur

    Vaj ulliri

    1 tufë qepë të njoma, të prera

    Djathë kaçkavall i grirë për shije

    Përgatitja

    Fillimisht ngrohni furrën në 200°C – 180°C.

    Më pas vazhdoni duke hapur petët e gatshme në një tavë të veshur me letër pjekjeje që nuk ngjit.

    Pritini petët në 4 drejtkëndësha të barabartë me majën e një thike të mprehtë dhe shpojini me një pirun.

    Piqini për 20 minuta derisa të marrin ngjyrë të artë.

    Ndërkohë mbushni një ibrik me ujë dhe lëreni të ziejë.

    Kalojeni spinaqin e pastruar paraprakisht në një kullesë dhe hidhni sipër tij ujin e vluar.

    Shpëlajeni me ujë të ftohtë, më pas vendoseni në një leckë të pastër dhe shtrydheni për të larguar sa më shumë ujë.

    Përpunojeni spinaqin në një mikser së bashku me kremin e ​​djathit, thelpinë e hudhrës së grirë, majdanozin e grirë dhe lëngun e limonit.

    Shtoni kripë dhe piper sipas shijes.

    Ndërkohë ngrohni pak vaj ulliri në një tigan, shtoni qepët e njoma të prera dhe skuqini butësisht derisa të zbuten.

    Pasi petët e pjekura të jenë ftohur pak, përhapni në qendër të tyre përzierjen e spinaqit, shtoni qepët e skuqura disa gjethe spinaqi dhe pak djathë kaçkavall të grirë.