Tag: njoftoi

  • SHBA-të pezullojnë të gjitha vendimet për azil

    SHBA-të pezullojnë të gjitha vendimet për azil

    Enti për Shtetësinë dhe Imigracionin i SHBA-së (USCIS) ka pezulluar përkohësisht të gjitha aplikimet për azil. Ky vendim vjen si rrjedhojë e kërkesës së Presidentit Donald Trump për një politikë më të rreptë ndaj emigracionit, pas të shtënave me armë ndaj dy ushtarëve të Gardës Kombëtare në Uashington. Vendimet për azilin do të pezullohen “derisa të sigurohemi që çdo shtetas i huaj të verifikohet dhe të shqyrtohet sa më tërësisht që të jetë e mundur”, shpjegoi Drejtori i USCIS-së, Joseph Edlow.

    Marco Rubio, njoftoi se SHBA-të kanë ndaluar përkohësisht lëshimin e vizave për të gjithë shtetasit afganëFotografi: Dionis11930/Pond5 Images/IMAGO
    Ministri i Jashtëm i SHBA-së, Marco Rubio, njoftoi gjithashtu se SHBA-të kanë ndaluar përkohësisht lëshimin e vizave për të gjithë shtetasit afganë. Ai theksoi se për SHBA-në “nuk ka përparësi më të lartë, sesa mbrojtja e kombit dhe popullit tonë”.
    Ushtarja e Gardës Kombëtare vdes pas sulmit
    Të mërkurën (26.11.) u qëlluan me armë dy ushtarë të Gardës Kombëtare vetëm pak blloqe larg Shtëpisë së Bardhë. Njëra nga viktimat, një gardiste 20-vjeçare, vdiq nga plagët e marra, kurse viktima e dytë, një gardist 24-vjeçar, është në gjendje kritike, njoftoi Prokurorja e Shtetit të Uashingtonit Jeanine Pirro.
    I dyshuari për vrasje është arrestuar. Ai është nga Afganistani. 29 vjeçari kishte qenë pjesë e një “force partnere” të mbështetur nga CIA, që luftonte talebanët në Afganistan dhe erdhi në Shtetet e Bashkuara si pjesë e një programi për mbrojtjen e bashkëpunëtorëve pas tërheqjes ushtarake të amerikanëve nga Afganistani në vitin 2021.
    Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së Pam Bondi, tha se do të kërkojë dënimin me vdekje kundër afganit, dhe e quajti atë “përbindësh”./DW

  • Trump pezullon të gjitha vendimet e azilkërkuesve pas sulmit ndaj Gardës Kombëtare: Aplikuesit të kontrollohen imtësisht

    Trump pezullon të gjitha vendimet e azilkërkuesve pas sulmit ndaj Gardës Kombëtare: Aplikuesit të kontrollohen imtësisht

    Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi se do të “pezullojë përgjithmonë imigracionin nga të gjitha vendet e botës së tretë” një ditë pasi dy anëtarë të Gardës Kombëtare u qëlluan në Uashington në një sulm që është bërë një pikë e nxehtë politike mes goditjes së vazhdueshme të presidentit amerikan ndaj imigracionit.

    Në të njëjtën kohë, drejtori i Shërbimeve të Shtetësisë dhe Imigracionit të SHBA-së (USCIS), Joseph Edlow, njoftoi në një postim në platformën X të premten se të gjitha miratimet, refuzimet ose plotësimet e kërkesave për azil po pezulloheshin “derisa të sigurohemi që çdo i huaj është verifikuar dhe vlerësuar në masën më të plotë të mundshme”.
    Direktiva u lëshua disa orë pasi Donald Trump deklaroi se do të “ngrijë përgjithmonë imigracionin” në SHBA nga të gjitha “vendet e Botës së Tretë”.
    Të enjten në mbrëmje, Trump njoftoi vdekjen e Sarah Beckstrom, një nga dy anëtarët e Gardës Kombëtare të qëlluar në sulmin e së mërkurës pranë Shtëpisë së Bardhë. Autoritetet amerikane dyshojnë se sulmi është kryer nga Rahmanullah Lakanwal, një shtetas afgan i cili hyri në SHBA në shtator 2021 si pjesë e një programi të epokës së Biden për të evakuuar dhe zhvendosur dhjetëra mijëra afganë pas tërheqjes së SHBA-së nga vendi i Lindjes së Mesme.
    Sipas Reuters, atij iu dha azil në prill të këtij viti nën administratën Trump, ndërsa të enjten CIA konfirmoi se ai kishte punuar me njësi ushtarake të mbështetura nga agjencia gjatë luftës në Afganistan. Lakanwal u plagos në sulm dhe po mbahet në paraburgim, ndërsa autoritetet thanë se ai do të akuzohej për vrasje të shkallës së parë. Ushtari i dytë i Gardës Kombëtare, 24-vjeçari Andrew Wolf, mbetet në gjendje kritike, tha Trump.
    Sipas CBS News, stafi i USCIS është udhëzuar të mos marrë asnjë vendim mbi kërkesat për azil që janë paraqitur, duke lejuar që ato të përpunohen vetëm deri në fazën para se të merret një vendim përfundimtar.
    “Kur arrini në pikën e hyrjes së një vendimi, ju ndaloni dhe mbani dosjen”, thuhej në direktivë. Deri më tani, janë ditur detaje të kufizuara si rreth urdhrit specifik ashtu edhe deklaratave të Trump, i cili nuk specifikoi se cilat vende do të preken nga plani i ri. Kjo perspektivë ka provokuar tashmë reagime nga agjencitë e OKB-së dhe pritet të përballet me sfida ligjore.
    Njoftimet janë pjesë e një shtrëngimi të politikës së imigracionit gjatë mandatit të dytë të Trump. Administrata ka kërkuar deportime masive të emigrantëve që kanë hyrë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara, duke ulur në mënyrë drastike numrin e pranimeve vjetore të refugjatëve dhe duke eliminuar shtetësinë automatike për ata që kanë lindur në tokën amerikane.
    Pas sulmit, Trump tha se do të largonte çdo shtetas të huaj “që nuk i përket SHBA-së”. Po atë ditë, Shtetet e Bashkuara pezulluan përpunimin e të gjitha aplikimeve për imigracioni nga shtetasit afganë, duke cituar një rishikim të “protokolleve të sigurisë dhe verifikimit”. Të enjten, USCIS njoftoi se do të rishikonte kartat e gjelbra të lëshuara për shtetasit e 19 vendeve, pa përmendur konkretisht incidentin. Urdhri ekzekutiv i qershorit përfshin Afganistanin, Kubën, Haitin, Iranin, Somalinë dhe Venezuelën.
    Në një postim në platformën Truth Social të enjten në mbrëmje, Trump njoftoi gjithashtu se do të “i jepte fund të gjitha përfitimeve dhe granteve federale për jo-qytetarët”, duke thënë se ky veprim do të “lejonte që sistemi amerikan të rimëkëmbej plotësisht” nga politikat që ai tha se kishin ndikuar negativisht “në të ardhurat dhe kushtet e jetesës së shumë amerikanëve”.

    Top Channel

  • Grabitja në Muzeun e Luvrit, policia franceze bën 4 arrestime të tjera

    Grabitja në Muzeun e Luvrit, policia franceze bën 4 arrestime të tjera

    Policia franceze njoftoi sot se arrestoi 4 persona të tjerë, si pjesë e hetimeve për vjedhjen në Muzeun e Luvrit muajin e kaluar, njoftoi zyra e prokurorit të Parisit.
    Dy burra dhe dy gra në paraburgim nga policia. Të dyshuarit janë të moshës 38 dhe 39 vjeç dy burrat dhe  31 dhe 40 vjeç dy gratë, sipas deklaratës.
    Katër persona të tjerë u arrestuan më 29 tetor dhe 1 nëntor dhe janë vënë nën hetim zyrtar, sipas “Le Monde”.

    Më 19 tetor, hajdutët arritën të hynin në muzeun e Luvrit dhe të vidhnin bizhuteri me vlerë 102 milionë dollarë, në mes të ditës dhe brenda pak minutash. Besueshmëria e muzeut u dëmtua për shkak të vjedhjes.
    Besueshmëria e muzeut në mbrojtjen e veprave të tij të panumërta ra duke shkaktuar dhe një debat rreth mangësive të sigurisë në muzeun më të ngarkuar në botë. Xhevahiret ende nuk janë rikuperuar.

  • Me flamurin e ISIS në banesë, dalin pamjet nga arrestimi dy të rinjve në Pukë: Qëlluan me armë ndaj RENEA-s

    Me flamurin e ISIS në banesë, dalin pamjet nga arrestimi dy të rinjve në Pukë: Qëlluan me armë ndaj RENEA-s

    Policia ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me arrestimin e dy të rinjve në Pukë, E. U., 35 vjeç dhe J. C., 34 vjeç. Aksioni për kapjen e tyre zgjati rreth 12 orë pasi njëri prej tyre ka qëlluar me armë zjarri ndaj efektivëve.
    Uniformat blu kishin dalë në terren në fshatin Orosh, kur kanë konstatuar në mëngjesin e 24 nëntorit një person, i cili sapo ka parë policët është larguar me shpejtësi për t’u futur në një banesë të braktisur. Efektivët i kanë bërë thirrje që të dilte nga banesa, por nuk i është bindur thirrjes së tyre dhe i ka kërcënuar.
    “Ndodhur në këtë situatë, bazuar edhe në informacionet e siguruara më parë për rrezikshmërinë e këtij personi, shërbimet e Policisë rrethuan banesën dhe kërkuan ndërhyrjen e forcave policore të specializuara, me qëllim sigurinë e jetës së punonjësve të Policisë”, njoftoi policia.
    Kjo bëri që në vendngjarje të shkonin forcat speciale RENEA të cilët morën në kontroll perimetrin e jashtëm të banesës. Kur ata i kanë bërë thirrje personit të dalë, nga brenda është qëlluar me armë zjarri në drejtim të efektivëve.
    “Pas 12 orësh në rrethim, ku Forcat Speciale RENEA u bënë thirrje të vazhdueshme për t’u dorëzuar, pamundësisë për t’u larguar nga rrethimi dhe pas negociatave me të afërmit e tyre të cilët luajtën një rol të rëndësishëm në finalizimin e operacionit pa përdorur forcë dhe pa shkaktuar dëmtime, të dy personat që ndodheshin në brendësi të banesës u dorëzuan”, njoftoi policia.
    Në momentin e dorëzimit, njëri prej të arrestuarve, 35-vjeçari E.U kishte një dëmtim në kofshën e djathtë, dhe për këtë arsye është dërguar në spital. Ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
    “Gjatë kontrollit të banesës janë sekuestruar, në cilësinë e provave materiale, 4 armë zjarri automatike dhe një armë zjarri pistoletë, një flamur i Organizatës Terroriste “Shteti Islamik” (ISIS), i vendosur në faqen e murit ndërmjet armëve të lartpërmendura, 17 copë granata dore difensive, municion luftarak, kapsolla detonatore elektrike për shpërthimin e lëndëve eksplozive, fitil zjarrpërcjellës që përdoret për shpërthimin e lëndëve plasëse, dy gëzhoja”, njoftoi policia.

  • Ukraina njofton se ka marrë një projektplan paqeje nga SHBA

    Ukraina njofton se ka marrë një projektplan paqeje nga SHBA

    Ukraina njoftoi sot se ka marrë një projektplan nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’i  dhënë fund luftës me Rusinë duke theksuar se është e gatshme të punojë në mënyrë konstruktive me Uashingtonin në këtë drejtim.
    ”Presidenti ukrainas ka marrë zyrtarisht një projektplan nga Shtetet e Bashkuara që, sipas vlerësimit amerikan, mund të rifillojë procesin e diplomacisë”, njoftoi presidenca në Telegram.
    Ajo shtoi se presidenti Volodymyr Zelensky planifikon të diskutojë në ditët e ardhshme me homologun amerikan, Donald Trump, për mundësitë diplomatike të disponueshme dhe pikat kryesore të nevojshme për paqen.
    ”Jemi të gatshëm të punojmë në mënyrë konstruktive me palën amerikane dhe partnerët tanë në Evropë dhe në mbarë botën për të arritur paqen”, shtoi njoftimi.
    Një zyrtar i lartë, i cili kërkoi të mos identifikohej, tha se Ukraina kishte marrë një propozim amerikan për t’i dhënë fund mbi tre viteve konflikt.

  • 16 ditë në protestë për të birin, nëna e viktimës së Novi Sadit i jep fund grevës

    16 ditë në protestë për të birin, nëna e viktimës së Novi Sadit i jep fund grevës

    Ditën e sotme, Diana Hrka, nëna e Stefanit, një prej 16 viktimave të tragjedisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, njoftoi ndërprerjen e grevës së urisë që kishte nisur 16 ditë më parë.

    Në një deklaratë para mediave, Hrka tha se vendosi të ndalojë këtë formë proteste pas thirrjeve të shumta të studentëve dhe qytetarëve.
    “Të gjallë mund të bëj më shumë, nuk do ta zhgënjej popullin tim”, deklaroi ajo dhe njoftoi se do të vazhdojë të qëndrojë jashtë Kuvendit të Serbisë.

    Diana Hrka e filloi grevën e urisë më 2 nëntor, duke kërkuar ndëshkimin e përgjegjësve për vdekjen e të birit dhe 15 personave të tjerë, lirimin e të gjithë studentëve të arrestuar, shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

    Ajo kishte planifikuar të protestonte para hyrjes kryesore të Kuvendit, por autoritetet ia ndaluan, sepse që nga marsi i kaluar hapësira është shndërruar në kamp mbështetësish të presidentit Aleksandar Vuçiç.

    Tragjedia ndodhi më 1 nëntor 2024, kur vetëm katër muaj pas inaugurimit zyrtar, tenda e jashtme e stacionit të rindërtuar u shemb, duke marrë jetën e 16 personave.

    Që prej asaj dite, Serbia është përfshirë nga protesta të vazhdueshme, të udhëhequra kryesisht nga studentët, të cilët për gati një vit mbajtën të bllokuara të gjitha fakultetet e universiteteve publike. Ata akuzojnë korrupsion dhe mungesë transparence dhe kërkojnë që përgjegjësit e vërtetë për katastrofën të dalin para drejtësisë.

  • Hamasi njoftoi se do të dorëzojë trupin e një pengu izraelit

    Hamasi njoftoi se do të dorëzojë trupin e një pengu izraelit

    Krahu i armatosur i Hamasit njoftoi se do të dorëzojë trupin e një pengu izraelit mbrëmjen e sotme, i cili u kap më 7 tetor 2023 dhe u transferua në Rripin e Gazës.
    Njoftohet se brigadat Ezzedine al-Qassam “do të dorëzojnë në orën 9:00 të mbrëmjes trupin e njërit prej të burgosurve të pushtimit (izraelit), i cili u gjet në lagjen Sujaya, në lindje të qytetit të Gazës”, tha organizata.
    Ky dorëzim është pjesë e planit për të shkëmbyer pengje dhe trupa të gjallë me të burgosur ose të vdekur palestinezë, brenda kuadrit të marrëveshjes së armëpushimit që hyri në fuqi më 10 tetor.

  • Qeveria njoftoi mbylljen e 204 zyrave postare në Greqi, qytetarët reagojnë ashpër ndaj vendimit

    Qeveria njoftoi mbylljen e 204 zyrave postare në Greqi, qytetarët reagojnë ashpër ndaj vendimit

    Prej tri ditësh po vazhdojnë reagimet e ashpra të qytetarëve grek, pas vendimit të drejtorisë së Shërbimit Postar Grek për mbylljen e dhjetëra zyrave në mbarë vendin.

    Ditën e premte pa asnjë njoftim të mëparshëm organizmi në fjalë , që i përket Shoqërisë Greke të Pjesëmarrjeve dhe Pronësisë qysh prej krizës greke , por ndodhet nën mbikqyrjen e Ministrisë së Qeverisjes Dixhitale  njoftoi se sot do të mbyllte 204 zyra të Postës Greke . Pas një valë reagimesh, sipas një njoftimi të ri u mbyllën vetëm  46 zyra në Athinë, Selanik dhe në qytete të tjera të vendit, ndërsa për të tjerat u dha një afat 3 mujoir.
    Qindëra qytetarë , sidomos në zonat periferike të vendit, u gjendën të papërgatitur, shumë prej tyre të moshuar që tani duhet të udhëtojnë kilometra për të marrë pensionin apo për të dërguar dokumente, apo pako.
    Nga ana e saj, qeveria thotë se asnjë qytetar nuk do të mbetet pa shërbime postare. Zëdhënësi i qeverisë, Pavlos Marinakis, theksoi se 92% e dërgesave dhe pensioneve tashmë kryhen nëpërmjet shpërndarjes në shtëpi dhe se vetëm 10% e qytetarëve përdorin zyrat fizike, që kushtojnë secila prej tyre rreth 150 mijë euro në vit. Nuk është e qëndrueshme të shpenzohen miliona euro për një shërbim që përdoret nga një pakicë -ka thënë ai.”
    Opozita, ndërkohë, kritikon ashpër mënyrën se si u mor dhe u komunikua vendimi, duke e quajtur “keqmenaxhim” dhe “goditje ndaj shërbimeve publike në zonat rurale”.
    Drejtuesit e Postës Greke thonë se shkurtimet në fjalë  janë pjesë e një programi modernizimi, të domosdoshëm për mbijetesën e organizmit , që përballet me rënie drastike të letrave tradicionale dhe konkurrencë të fortë nga kompanitë private të shpërndarjes.
    Me një histori prej gati dy shekujsh, që nga themelimi i saj ,nga Ioannis Kapodistrias më 1828, Posta Greke hyn kështu në një fazë të re, mes traditës dhe transformimit digjital.

    Top Channel

  • Ukraina bombardon me dronë territoret ruse, 5 të vdekur! Moska i përgjigjet, pushton tre fshatra

    Ukraina bombardon me dronë territoret ruse, 5 të vdekur! Moska i përgjigjet, pushton tre fshatra

    Pavarësisht bisedimeve intensive për paqe, lufta mes Rusisë dhe Ukrainës nuk ndalet, duke rritur numrin e viktimave, shkatërrimeve dhe dëmeve.
    Dy persona u vranë në një sulm me dron ukrainas në një pjesë të pushtuar nga Rusia të rajonit Kherson në jug të Ukrainës, njoftoi sot guvernatori i rajonit i emëruar nga Moska, Vladimir Saldo.
    Të dy viktimat jetonin në një qendër strehimi të përkohshme për njerëzit e zhvendosur nga shtëpitë e tyre, sqaroi Saldo në njoftimin që bëri nëpërmjet Telegramit.

    Ndërkohë, tre persona u vranë dhe pesë u plagosën në një shpërthim në fabrikën e eksplozivëve Avangard në qytetin Sterlitamak, në rajonin e Bashkortostanit në Rusi, sipas guvernatorit rajonal Randy Kabirov. Shpërthimi në fabrikë ndodhi dje, të premten, në mbrëmje.
    Shkencëtarët mjeko-ligjorë po hetojnë shkaqet e shpërthimit, shtoi Kabirov në një deklaratë në llogarinë e tij në Telegram, në të cilën mohoi se shpërthimi ishte shkaktuar nga sulmet me dronë ukrainas.
    Shërbimet e emergjencës njoftuan sot se kishin përfunduar operacionet e kërkim-shpëtimit në uzinën Sterlitamak, të cilat kishin vazhduar gjatë gjithë natës. Fabrika Avangard prodhon eksplozivë industrialë dhe çmonton municione. Që nga viti 2022, uzina ka qenë nën kontrollin e grupit industrial shtetëror rus Rostec.
    Por edhe Rusia nuk ka qëndruar duarkryq, informon “Reuters”. Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se trupat e saj kanë pushtuar tre fshatra të tjerë në Ukrainën lindore, një në rajonin e Dnipropetrovskit dhe dy në rajonin e Kharkivit.
    Nga ana e saj, ushtria ukrainase raportoi se përleshjet po zhvilloheshin në periferi të dy prej këtyre komuniteteve, pa pranuar se ndonjë prej tyre kishte rënë nën kontrollin e forcave ruse. Agjencia e lajmeve Reuters thekson se nuk është në gjendje t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto raporte.
    Ministria ruse e Mbrojtjes tha se forcat e saj kishin pushtuar fshatin Privilia në rajonin e Dnipropetrovskit, ku trupat e Moskës kishin shtrënguar kontrollin e tyre në javët e fundit. Ajo njoftoi gjithashtu pushtimin e komuniteteve të Pishchane – pranë qytetit të Kupyansk, një objektiv strategjik për forcat ruse që vazhdojnë përparimin e tyre drejt perëndimit – dhe Tyche, pranë kufirit me Rusinë.
    Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha të premten në mbrëmje se Pistchane ishte një nga fshatrat në të cilët forcat ruse kishin përparuar, duke pretenduar se gjashtë nga shtatë sulmet e nisura nga pushtuesit ishin zmbrapsur.
    Të enjten, guvernatori rajonal i Kharkivit raportoi 17 sulme nga forcat ruse kundër komuniteteve kufitare, përfshirë Tyche.

  • Tomahawk drejt Ukrainës? NATO në alarm pas shkeljeve ruse

    Tomahawk drejt Ukrainës? NATO në alarm pas shkeljeve ruse

    Ministrat e mbrojtjes të NATO-s do të takohen këtë të mërkurë, 15 tetor, në Bruksel për të diskutuar mënyrat për të forcuar përgjigjen e Aleancës Atlantike ndaj shkeljeve të shumta ruse në hapësirën ajrore evropiane. Këto incidente konsiderohen nga Brukseli si një provokim tjetër nga Kremlini ndaj aleatëve, ndërsa pas tyre u zhvillua Operacioni Eastern Sentry për të forcuar mbikëqyrjen e krahut lindor të Aleancës.

    Megjithatë, disa vende mendojnë se kjo përgjigje është e pamjaftueshme dhe kërkojnë masa shtesë, përfshirë përmirësimin e kapaciteteve dhe rritjen e burimeve.

    Bashkimi Evropian ka propozuar një “mur” anti-dronë për të kundërshtuar kërcënimin. Ministrat do të takohen gjithashtu me kolegët ukrainas, për të diskutuar mbi programin PURL, një iniciativë e nisur nga Washingtoni që lejon Ukrainën të blejë armë amerikane të financuara nga vendet evropiane.

    SHBA-të dhe G7 gati të rrisin presionin ekonomik ndaj Rusisë

    Departamenti i Thesarit Amerikan njoftoi se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të intensifikojnë presionin ekonomik ndaj Rusisë në bashkëpunim me vendet e G7-ës. Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, u takua të martën, 14 tetor, me Kryeministren ukrainase Yulia Svyrydenko.

    Bessent theksoi mbështetjen e palëkundur të SHBA-ve për sovranitetin e Ukrainës dhe kërkoi nga aleatët evropianë të forcojnë sanksionet, duke përfshirë edhe kundër vendeve që vazhdojnë të financojnë Moskën përmes blerjes së naftës ruse.

    Svyrydenko përshëndeti këtë angazhim, duke rikujtuar nevojën për bllokimin e të gjitha rrugëve të financimit të luftës ruse dhe njoftoi fillimin e operacioneve të United States–Ukraine Reconstruction Investment Fund, i cili mbështet projekte në energji, infrastrukturë dhe burime strategjike.

    Raketat Tomahawk

    Gjatë pritjes së Presidentit argjentinas Javier Milei në Shtëpinë e Bardhë dje, Donald Trump njoftoi se do të diskutojë dorëzimin e armëve për Ukrainën, përfshirë raketat Tomahawk, gjatë takimit të tij më 17 tetor me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

    Trump tha se Zelensky dëshiron të ketë Tomahawk, dhe shtoi me humor:

    Të gjithë i duan. Dhe ne kemi shumë Tomahawk…

    Ai gjithashtu komentoi marrëdhënien e tij me Vladimir Putin dhe luftën në Ukrainë:

    Jam shumë i zhgënjyer, sepse Vladimir dhe unë kishim një marrëdhënie shumë të mirë. Nuk e kuptoj pse po vazhdon këtë luftë; e ka dëmtuar shumë. Është pothuajse 4 vite në një luftë që duhej ta fitonte brenda një jave.

    Sulm me dron ndaj konvojit humanitar të OKB-së në Kherson

    Ministri italian i Jashtëm, Antonio Tajani, dënoi sulmin që goditi një konvoj humanitar të OKB-së pranë fshatit Bilozerka në rajonin Kherson.

    Një italian, Andrea De Domenico, kreu i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare në Ukrainë (OCHA), ishte në bordin e konvojit.

    Në një video të publikuar në Instagram-in e OCHA, ai shpjegoi se konvoji po dorëzonte ndihma kur filloi të shtënat e artilerisë. Dy kamionët që kishin mbetur më përpara u sulmuan nga dronë, pavarësisht se kishin shenja të qarta humanitare.